16 Gusht 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36
E marte, 20 Janar 2015 19:37

Sëmundja e të qeshurit

Shkruar nga

Vonë mora vesht se sëmundja e të qeshurit qënka më e rrezikshme se gripi dhe, kur të kapka në udhëtim e sipër, nuk të lëshon më zi se kolla e bardhë ose qeni i rojës së stallave kur nuk të njeh.

Shkurt muhabeti: po shkonin me një shokun tim në Tiranë për një mbledhje. Aty në Mjedë, sesi u fut në vagonin tonë një fshatar dhe, pasi na dha një cigare me filtër, na tregoi një gazmore. Më mirë të mos na e tregonte se shokun tim e kapi një e qeshur e nuk po e lëshonte. E qeshura vinte e bëhej shpërthyese, e ai s’fliste dot veç thoshte: “Ky katundar nuk qënka Mhilli, po Ben Hilli” Kaq po qeshej e po gajasej si i çakërdisur sa ju këput rripi i mesit, megjithëse na kishin thirrur në mbledhje për të na i mbledhur rripat mirë. Edhe ne ja plasëm gazit, por në Baçël na lëshoi e qeshura se u vonu treni (ç’është e vërteta vetëm një orë u vonua). 

Shoku im i dashur dhe i shtrenjtë me sy të mbushur, çakërdisur nga lotët e humorit, edhe kur ju afruam kalasë së Lezhës, vijonte gazi me rreth 100 kilometra në orë. U shqetsuam të gjithë nga ky gaz që nuk bënte as për çakmakë. Menduam se mos na ngel top në vend kur të futeshim në tunel, apo s’ishte vagoni edhe pa drita dhe ku ta kuptonim hallin e tij? S’do të kishte mundësi të linte amanetet rastit. Nja dy plakave nga jugu sa su ra të fikët nga sikleti, po hallin e tyre e zgjidhem lehtë, sepse ndërruam vendet me qëlim që ky udhëtim me urdhër shërbim të kishte sa më pak viktima të moshave dhe profesione të ndryshme.

Erdhi fatorinoja, një grua shumë serioze, pa fener në dorë dhe në pamundësi për të bërë gjëkafshë tjetër, na këshilloi disa herë që të zbatonim rregulloren e trenit, si dhe parullën “Ndalohet Duhani”. Mandje ajo theksoi se ndalohet edhe e qeshura pa motive të shëndoshta, e qeshura e babëzitur, gjë që na vinte në kundërshtim me rregulloren e brendshme të transportit të udhëtarëve me shumicë. Pastaj, i preu gjobë shokut tim, por ai qeshte e qeshte, duke i treguar me gisht Mhillin dhe ventilatorin që me siguri para njëzet vjetësh do të jetë rrotulluar në drejtim të akrepave të sahatit. Gjatë kësaj kohe që nuk kalonte kurrë, me zor e me të lutura e nisëm Mhillin urgjent e te vagoni i “Nënave me fëmijë” se ishte edhe me zog thiut (derrkuc me normën letrare) në dorë, por gazi s’po pushonte. Aty afër Ishmit (nga tronditja s’dinim se cili stacion afrohej e cili po largohej), se nga erdhi një veteriner. I bëri një vizitë të shkurtër e të hollësishme, pa e pyetur fare pacientin. Ishim mësuar me të sëmurë të tillë: i dha tri ditë pushim si dhe recetën për kamomil dhe vaj të trashë që ta përdorte disa herë në ditë, bile na porositi, që për çdo gjasë, të rrinim në lidhje me një nga klinikat apo spitalet e Tiranës, ndryshe personi në fjalë, me gjithë moshën e re, do të na linte shëndenë pa e lënë gazi, sepse zemra do t’i s’forcohej nga emocione të paparashikueshme dhe tepër të rrezikshme kur je në një vagon treni.

Unë u bëra si i marrë sikur të më kish hyrë miza e kalit në hundë ose në vesh. U nisëm për një mbledhje me bukë e s’dinim se në cilin spital, rajon apo varrezë do të përfundonim. Kur t’i bënim autopsinë, rrezik të na mbante përgjegjësi morale edhe vetë Mhilli, që në Vorë do të ndërronte destinacion. Ju lutem të ndalte gazin, të paktën për hatër të kolektivit të trenit, që për faj të tij këtë rradhë do të dërgonin trenin në stacionin më të afërt me disa sekonda vonesë, gjë që s’i kishte ndodhur kurrë! Ju përgjëruan akoma më shumë disa studentë që udhëtonin pa biletë, të pushonte se e qeshura e tij mos të bëhej shkak për t’u afruar ndonjë kontroll i papritur dhe t’u dilte gazi nga hundët. Ah, tërë ky gaz që po shkonte kot dhe që mund të furnizonte punishten e aranxhatave për gjithe sezonin e dimrit... 

Erdhi një plakë me citjane dhe i rrëfeu një përrallë me shtriga e shtojzovalle; një tjetër ngriti trikon duke i nxjerrë në shesh të burrave plagën e operacionit të stomakut, dikush e trembi pas shpine duke klithur “erdhi kontrolli, drejtori, gruaja, etj..”, madje i hapën edhe rubrikën “nga njëra ndeshje në tjtrën” por më kot...

Thamë se shpëtuam kur u afrua një këmbësor me një gjeldeti në dorë, që ja lëshoi papritmas në fëtyrë, por ndodhi e kundërta, filloi të qeshë bibani në “gjuhën” e tij, i gëzuar apo i trembur nga shoku im, këtë nuk e them dot. Filluan të qeshin edhe udhëtarë të tjerë që afroheshin të bënin sehir. Gazi voluminoz i vagonit tonë shqetësoi edhe folistin e trenit, se pritëm në Vorë gati dy orë një tren zhavorri. Gjatë kësaj kohe u kapën duke qeshur mbi pesëdhjetë veta pa bileta.

Unë u bëra si i marrë. Ku ta shpija shokun tim në këtë gjendje anormale? Hotelexhinjtë të thonë s’kemi vende kur ta shikojnë duke u qarë e jo duke qeshur. Atëherë vendosa, nga jeta dhe shkenca e dija se i ftohti luftohet me të ftohtë, pija me pije etj., pra dhe gazin ta sulmonim me gaz dhe hare.

O burra e fill te Estrada e Tiranës. Për fat, një nga estradat e rretheve po përgatitej të jepte shfaqje. Regjisori i grupit, kur e pa shokun tim në atë gjendje të vajtueshme, e futi pa biletë. Mbas nesh hynë edhe shumë kureshtarë për të parë fundin e kësaj tragjikomedie. E kuptova, regjisori donte të fitonte në kohë dhe hapësirë. E spe jo, edhe në art. Gazi i shokut tim do të ndizte peshë zemrat e shikuesve. Dhe ashtu me të vërtetë ndodhi. Ai gajasej në këngë, valle, madje edhe në skeçe. Salla sa s’po plaste nga të qeshurat frenetike sepse e qeshura është si sëmundje ngjitëse. Aktorët, bile edhe ato amatorët fërkonin sytë sit ë lajthitur nga ky sukses I paparashikuar as nga mëndja më krijuese.

Sapo mbaroi skeçi I dytë, e pashë se ju rëndua kryet: kur filloi skeçi i tretë, mbylli gojën, sytë dhe nisi të flinte, në mes të materialit të gjashtë, ashtu si të dehur, e nxorra jashtë. Për fat ishim gjallë të dy bashkë. Pasi e mori veten tek një local aty pranë, me një kafe me pak sheqer, më foli duke më përqafuar. - Faleminderit, ta shpërblefsha në gëzime! U tregove me të vërtetë i madh, usta. Më shpëtove jetën! Kujt ja merrte mendjase gazin ta heq vetëm estrada!...

Ai uli kokën i lodhur dhe pastaj ja plasa gazit unë.... dhe s’pushoja derisa nisa leximin e një vëllimi me tregime humoristike..

Shtator 1990

Paulin Selimi, E drejta e Natës së Parë

Shkodra Press

E hene, 19 Janar 2015 14:05

Ja sa paguhen punëtorët e Facebook-ut

Shkruar nga

Ndërkohë që pasuria e kreut të Facebook përllogaritet të jetë diku tek 33.3 miliardë dollarë, as paga e punonjësve të tij nuk është për t'u nënvlerësuar. 

Sipas një hulumtimi nga Glassadoor, mesatarja e pagës së inxhinierëve fillestarë është 106 mijë dollarë, ndërsa e një analisti mesatar është 183.864 dollarë. Inxhinierët e programeve të gjigandit të rrjeteve sociale, marrin një pagë mesatare prej 183.397 dollarë.

Vlera totale e Facebook-ut llogaritet të jetë 200 miliardë dollarë, gjë që tregon se 8348 punëtorët e tij kanë paga vërtetë mbresëlënëse.

Facebook-u u themelua në vitin 2004 nga 4 studentët e Harwardit: Mark Zuckerberg, Dustin Moskovitz, Chris Hughes  dhe Eduardo Saverin.

Fillimisht rrjeti social u përdor në universitetin e Harwardit për t'u shtrirë më tej në universitetet tjera e më pas në të gjithë botën.

Shkodra Press

E enjte, 08 Janar 2015 21:53

Tue perendue - Tano Banushi

Shkruar nga

Mbas Taraboshit disku i artë asht tue perëndue,

mbi liqen t’qartë asht pasqyrue qielli violetë,

e lundra e lehtë mbi valë të amblas lëkundet,

e mbi te zemra ime e shkretë n’djep t’fantazisë,

                                           n’andrra përkundet.

 

I them prej s’largu shprehun si vajë

                                       “Kitara ime”

dhe psherëtimë nga shpirti i saj shgulen

                                                t’pangime.

A thue do të lindë dielli përsëri

me ngrohë këtë shpirt?

Pse janë këputë telat tash kitares sime,

e n’të rënkimet kanë heshtë e flejnë të mekuna,

sikurse shpresat që fikë n’zemër time,

enden si hije t’vdekuna.

 

1947

Shkodra Press

Nuk ishte e rrallë e as e papritun që si çdo gja tjetër edhe këto festa me risitë e tyne të vogla të përshëndeteshin nga sytë e qytetarëve të Shkodrës pa ndonje reagim ndryshe. Qetë, në ecejaket mbi pedonalen e qytetit ishte e pamujtun mos të të përqafonte syni disa shtëpiza të vogla të drunjta e disa të rinj të veshun me kostume krishtlindjesh që mundoheshin të krijonin pak atmosferë festive e të mblidhnin sa ma shumë qytetarë rreth vetes. Por kundërpërgjigjja ishte e njëjtë me atë të herëve të tjera: “ kafja po më pret e ti më fton me u tha të ftohtit n’midis të rrugës ??? “. 

Ma e shumta ishin ca sy që guxunen me ec deri te shtëpizat e me e hedh nji vështrim me pa çka ato ofronin, por sërish vështirë të gjesh shkodranë që nuk e shoqnon vështrimin pa ndonjë batutë për çmimin ose që s’kërkon atë që e shef se nuk ofrohet. 

Një vaktësi e përgjumje që të habit me përmasat e saj, kur mendon Shkodrën e tan hiperbolën e madhshtisë që ngrihet mbi kyt qytet veç me të thanun emrin. Por ato që e njofin Shkodrën mirë e dijnë që ky qytet kotet herët. Shtëpiat i thërrasin herët shkodranët, e vështirë të gjesh rrugë krishtlindjesh të denduna me njerz edhe kur dritat e festave ishin ndez tashma. 

Të qenunit indiferent ndaj të keqes, ndaj të pabukurës e ndaj realitetit në përgjithsi, kur sheh se mundësitë për me ba ndryshim janë të pakta, i ka ba qytetarët e Shkodrës me harru se asht bukur mos me ken indiferent ndaj të bukres. E në fakt ajo çka asht me të ardh ma keq asht se kyt indiferencën e skajshme e përligjin ma shumë se tanë brezi i ri. Shtu edhe me pak doza “krenarie e mendjemadhësie “, tipike shkodrane, këto të rinj jo vetëm që nuk u banen pjesë e një fryme krishtlindjesh që po u mundote me përshku qytetin, por për ma tepër gjenin forma të ndryshme injorimi. 

Mas tan ktyne për kyt Vitin e Ri që ka ardh, e kadal-kadal ka me fillu me na plakë si të gjithë të tjerët, për Vitin e Ri që smundet me shmang ndodhinat e ndjesinat e vjetra, për kyt vit edhe me optika të reja le të shpresojmë për ma pak indiferencë e mendjemadhësi shkodrane, e për ma shumë zgjim ndaj të bukrës, por edhe ndaj të pabukrës…pse jo?

 

Egi Osmanagiq

Shkodra Press

E enjte, 27 Shkurt 2014 16:57

Bar Shkodra / E drejta e autorit

Shkruar nga

Paulin Selimi /

Nuk ma kishte marrë mendja as sot edhe as mot, që takimi me shokun Luto, do të më sillte një ndijim aq të rëndë dhe pak tronditës.

Kishim kohë pa u parë. E dija se kishte disa muaj që ishte ngritur në përgjegjësi dhe në peshë specifike, se po i afrohej me hap të shpejtë një kuintalshit me forcat e veta dhe pa futur kurrë dorën në xhep. Sapo më takoi, nuk m’u nda pa më marrë me vete në provat e përgjithshme në estradë. Ai, edhe pse nuk ishte shkrimtar, kishte bërë libretin, të cilin ja kishin miratuar për hir të pozitës. Edhe pse nuk ishim shokë të ngushtë, më kapi ngushtë. Një ndjenjë mosbesimi ndaj talentit të tij më jepte bezdi.

- Hë, si vjen koha, as ti nuk ke besim tek unë tek potenca ime sekrete artistike, por mos u mërzit; djalosh, nuk je as i pari dhe as i fundit që habitesh! Habia është dhunti e njerëzve patriot. Por, shok i dashur, arti i vërtetë nuk njeh moshë, sidomos për ne komunistët, që kemi humorin në gjak. A i ke lexuar të dhjetë cilësitë? Thonë se edhe Mao Ce Duni është marrë me humor kur ka kaluar Lumin Jance. Bile edhe Volteri filloi t’i bëjë njerëzit të zgërdhihen në moshë të thyer, por megjithatë mbreti i pavdekshëm. Po humorin e shokut Enver, ore qerrata, ku e le?! E kam konspektuar me stilolaps në dorë. Kurse unë artin e humorit e bëj jo për lavdi, por si detyrë partie; t’i vë edhe unë një tullë ndërtesës së madhe të letërsisë së realizimit socialist.

- Shoku Luto, më vjen keq, por emrin tënd nuk e kam hasur kurrë në asnjë gazetë apo revistë. Ku shkruani, ju lutem?! Mos përdorni pseudonim si shoku Enver gjatë luftës?! - Borxhi i vonë, gëzon të zonë, thotë një fjalë e urtë të popullit tonë trim e liridashës që lufton për të ndërtuar socializmi sy pishë e duar plot. Unë jam i kënaqur që po afirmohem mbi 50 vjeçar, se jam më i pjekur, bile mund të them, se arti i vërtetë bëhet vetëm në këtë moshë kuadrosh, moshë e artë që të mos ketë kurrë kritikë në adresë të tij, sikur të ka ndodhur ty disa herë në gazetën ‘’Drita’’ apo në ndonjë emision për bujqësinë. Artisti është si ajsbergu, ka thëne Lenini; ja për shembull: ti më sheh vetëm kape (ishte kapelë, prodhim Korçe, e hijshme nga bojërat dhe modeli), por s’e di se çfarë ka nën të. Shok, ne jemi eksploruesit e shpirtrave njerëzorë!...

- Shoku Luto – ia prita sa për të hyrë në muhabet - unë jo se nuk kam besim tek ti, por më duket e çuditshme që në këtë moshë fill e në humor; të tjerët kanë vite që merren dhe mezi arrijnë të botojnë një pjesë e jo të vënë në skenë një libret të plotë. Paske qenë i fortë?! - Partia mbi të gjitha – dhe më futi përsëri krahun. Kur unë akoma nuk e kisha marrë veten nga kjo e papritur, arritëm tek teatri. Provat prisnin shokun Luto, dora vetë, që të fillonin. U hap skena. Dekorin e bukur dhe funksional e kishte bërë një piktor me titull moral dhe pse nuk merrej me dekore. Por emri dhe posti i libretistit i kishin imponuar një punë me cilësi gati të lartë. Filluan materialet. Skeçi i hapjes çka, megjithëse shoku Luto, me kapelë në dorë, hidhej dhe përdridhej si konviktori në mbrëmjet e vallëzimit, duke u gajasur së qeshuri. Por ja mbanin ison edhe disa të tjerë, servilë pa shkëputje nga puna që nuk i njihja as për fytyrë, megjithëse firmosnin në bordero kënaqshëm prej vitesh në teatër. Për efekt vjetërsie në punë dhe

korrektesë bashkëkohore, u detyrova edhe unë nja tri here të vë buzën në gaz, gjë që e kënaqi pa masë shokun Luto. Pas këngës, nisi skeçi i dytë. Megjithëse nuk ishte aq i bukur dhe me humor, më bëri të bie në mendime të thella disa pash. Një krijim të tillë e kisha parë, të paktën një çerek shekulli më parë, të luajtur o nga Tano Banushi, a Zef Deda, o Fadil Hasa, o Koço Devole, mos ndoshta Paulin Preka, bile më kujtoi dashurinë e parë kur isha beqar, dhe gati u ngashëreva në lot. Sa filloi skeçi i tretë, e humba krejt. Edhe këtë e njihja. - Hë, si të duket? – ma preu fillimin e mendimeve. - Ky skeç më ka pëlqyer gjithmonë – ia ktheva. - Si të ka pëlqyer?! Ky s’është dhënë akoma në premierë… - Ky ndoshta nuk është dhënë, por unë e njoh. Të them të drejtën, me dorë në zemër, s’e dija mirë se ku i kisha parë ato skeçe, intermezzo, dialogë, aforizma etj, që ndiqnin njëra-tjetrën, sikur i gjuajti dikush me shkop ose me gurë. Isha në mëdyshje për autorësinë. Më dukej sikur po kundroja një antalogji të humorit skenik shqiptar, ose një program nga estrada të ndryshme të vendit. Veç materiali i fundit më befasoi, më la shtang, jo aq për nivelin, por për replikat e mija. Këtë skeç e kishte shfaqur para dhjetë vjetësh Estrada e Lushnjës, honorarët e të cilit i kisha bërë me kohë rrush e kumbulla. Duke më parë shtang, më pyeti me delikatesë: - Hë, si t’u duk skeçi? Jo pa qëllim e kam lënë në fund. - Faleminderit për konsideratën! - i thashë. - S’po të kuptoi – qeshi ai. - Po ky skeç është i imi – ia ktheva me nerva. - Të kuptoj, shok i dashur (të tjerët kishin hapur veshët për të kapur ndonjë nga dialogjet tona absurde), kështu u ndodh edhe të tjerëve. Ai mund të ketë qenë i yti, por tashti është imi. Kupton apo jo? Ju i njihni më mirë se unë ligjet e letërsisë së realizmit socialist. Mund të jetë edhe Koinçidencë. Tabani kombëtar është i njëjtë edhe fryma popullore. - Çfarë koinçidence?! Fjalë për fjalë?! - Aty më rri, ti e ke pasë skeç, unë e kam kthyer… - Skiç– ia prita me nerva. - Po pse po nxehesh, hë ta marrsha, shkurt muhabeti është një adoptim.

- Po e drejta e autorit? – klitha. – Ku është?! -Po adoptohen shkrimtarë të shquar, e jo ti. - Po adoptohen ligje, fëmijë, eksperienca. Prandaj arti vdes se kalon dorë me dorë. M’u zunë sytë nga fjalët e tij dhe nga sikleti! U Çova në këmbë sikur të më kish shpuar kush më biz. – Kapelën, ju lutem! – U dëgjua një e thirrur. Ishte zëri i shokut Luto. Nga nervat dhe shpejtësia, kisha rrasur në kokën time, kapelën e tij. - Ju lutem, më falni, më morët pa dashje kapelën. - përsëriti ai. - Mos u shqetëso, shoku Luto, - thashë me zë të lartë. - Ajo më parë ka qenë e jotja, tashti e kam adoptuar për kokën time. – i thashë dhe dola. Ja lashë kapelën tek dezhurni, që, në ato çaste po plotësonte lutjen për parti si edhe biletat për premierën.

1982 – 1994

 

 

 

 

Premte, 14 Shkurt 2014 09:15

Bar Shkodra / Letër dashurie

Shkruar nga

Karl Valentin

I dashur dashnor,

Me duart që më dridhen po marr penën në dorë dhe po të shkruaj ty!
Ka kaluar kaq shumë kohë që nga e shkruara jote e fundit. A nuk më shkruaje atëherë se do më shkruaje edhe nëse unë nuk do të shkruaja? Babai më ka shkruar dje. Ai më shkruante se të kishte shkruar. Po ti, si s’më ke shkruajtur as edhe një fjalë që babai im të paska shkruar?
Po të më kishe shkruajtur se babai im të kishte shkruar, do t’i kisha shkruar edhe unë babait një letër, ku do t’i shkruaja se edhe ti kishe dashur t’i shkruaje, po nuk kishe patur kohë për t’i shkruar, përndryshe do t’i kishe shkruar.
Kjo puna e së shkruarës sonë është shumë e trishtueshme, sepse ti nuk i ke shkruar asnjë shkrimi tim që të kam shkruar unë ty.
Po e mbyll shkrimin tim, duke shpresuar se do më shkruash ndonjë herë, përndryshe kjo do të jetë e shkruara e fundit që po të shkruaj. Nëse nuk më shkruan as kësaj here, të paktën më shkruaj që nuk do më shkruash asnjëherë, në mënyrë që ta di të paktën pse nuk më ke shkruar kurrë.
Më fal për shkrimin e keq, po gjithmonë më kap ngërçi kur shkruaj. Ti natyrisht nuk e di se ç’do të thotë ngërçi i të shkruarit, sepse nuk shkruan kurrë.
Të puth
E ytja N.N.


Përktheu: G. Bakalli

 

 

 

Ishte apo s’ishte dy pas mesnates kur orchestra gazmore la dasmën për një drejtim të përcaktuar. Me vegla ne duar: kitarë, fizarmonikë, saks, violinë; me këngë në buzë dhe me aromën e rakisë 22 gradëshe; me mijëlekeshat ne xhep si shpërblim i haresë që u kishin dhënë dasmorëve me repertorin e zgjedhur të këngëve

Page 2 of 2

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO