22 May 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36
E merkure, 28 Janar 2015 18:52

Ftesë për dasmë

Shkruar nga  
Rate this item
(1 Vote)

“ Familja Taraboshi lajmëron për martesën e djalit Agim me shoqen Zenepe, me datën 15 korrik, ora 21, jeni i ftuar familjarisht për darkë. Jua shpërblefsha në gëzime të tilla…”

Ndoci e lexoi tri herë ftesën dhe s’po u besonte syve të tij. Ç’ishte kjo thirrje? Ai me kryefamiljarin e familjes Taraboshi kishte pasur një konflikt për çështjen e një fiku, rritur në murin që u ndante shtëpitë e vjetra. Meqë i bënte hije në oborrin e tij, ia kishte shkurtuar rrënjët me qysqi. Dhe nuk folën as pëshpëriten deri ditën që shtëpitë i zuri plani rregullues i qytetit dhe punimet për një bllok të ri me pallate. Iku fiku, ikën shtëpitë rrëngalla, por hija e mërisë mbeti, sidomos tek kryefamiljari I familjes Taraboshi që kishte pasë thënë se nuk vdes pa ia marrë hakun Ndocit për këtë mënzyrë.

- Të shkuara, të harruara, burrë! – foli e shoqja, duke ia lexuar ftesën që prapa shpine. – Patjetër që do ti shkojmë. Dasmë, gëzim, e në kësi rastesh shuhen mëritë e inatet. E përse? Për një fik të egër!...

- Po, moj, grua, e di se janë njerëz të mirë, por ata kanë pasë edhe raste të tjera, si s’u kujtuan më parë, po fill e në dasmë?!...

- Më mirë vonë se kurrë! Buzëqeshi e shoqja

- Grua, jam me ty – i dha karar Ndoci. – T’i japim fund mërisë sonë kotsore. Emini e bëri si burrat e ne s’duhet të mbetemi pas tij. Aq më tepër që une jam rritur me të, e po të mos kishte qenë ai dreq fik i egër...

- Mirë, mirë, por çfarë t’i çojmë për dhuratë? – u mvrejt si qiell me re fytyra e Verës.

- Termus –ia priti Ndoci

- Jo, diçka më simbolike.

- Tortë të madhe.

- Ah, është vapë e mund të prishet pa dalë mirë nga dyqani.

- Mirë, pra, ventilator, t’i bëjë fresk nuses!

- Vera s’mundi të kundërshtonte këtë propozim me vlerë, se në emisionin “Koha sot dhe nesër” ishte thënë se temperaturat do të ngrihej në 36 gradë C.

Në orën 21, sipas orës lokale, shoku Ndoc, mbi të pesëdhjetat, me kostumin e zi ceremonial, me kravatë të gjerë (prodhim Shkodre), me gruan në njërin krah dhe ventilatorin në krahun tjetër, u drejtuan për në sallën ku bënte dasmën familja Taraboshi. I zoti i shtëpisë, sipas zakonit, kishte dalë tek hyrja dhe, mbasi u jepte dorën të ftuarve, i drejtonte me mirësjellje brenda në labyrinth. Ndoci i dha dorën Eminit pas pesë vjetësh. Atij i shkëlqyen sytë dhe I tregoi vendin e nderuar që i kishin rezervuar.

Kostumin dhe kravata po i merrte frymën Ndocit qysh në shtëpi, po, me të hyrë në sallë, iu duk vetja si ndonjë mish që po piqej në furrë për dasmë. Një dorë e padukshme nisi ta shtrëngonte për fyti. Solli me dëshpërim sytë rreth e qark dhe vërejti se të gjitha dritaret ishin zënë me perde të rënda, që të mos shihnin njerëzit nga rruga. Pra, tek ato nuk kalonte drita e jo zëri (dmth ajri). U ul në vendin që i tregoi i zoti i shtëpisë. Kishte kaq shumë të ftuar dhe ishin kaq shumë të shtrënguar, sa me vështirësi mund të futje apo të nxirrje ndonjë shami nga xhepi. Po të të binte luga ose piruni poshtë, duhej të vazhdoje me duar se s’kishte burrë që të bënte lëvizje nga lart – poshtë, ose nga e majta në të djathtë dhe anasjelltas. Tamam si në urbanin e plazhit.

Erdhën dhe të ftuar të tjerë, erdhën edhe disa kalamaj, pastaj dhëndri me nusen, po Ndoci i shihte si nëpër tym. Më në fund ia behu edhe orkestra. I zoti i shtëpisë, sipas zakonit, ngriti dollinë e parë. Ndocit po i dilte djersa mbi xhaketë, se mbi këmishë kishte qëkur. Vendosi të pijë raki. Të nxehtit kundër të nxehtit. Fundi, qejfi kërkon sakrifica. Filloi gërneta me ca ritme të shpejta, që të shponin timpanët e t’i ngrinin qimet e kokës përpjetë sa s’kishte krehër t’i ulte. Pastaj një valle popullore, që u pasua me një dyndje kërcimtarësh që e ngritën edhe atë pak pluhur që kishte mbetur. Erdhi Emini me gotë në dorë.

- Për të mirë, Ndoc dhe në të mira ta shpërblefsha!

- T’u trashigoftë Gimi! – ia ktheu Ndoci me zë si psherëtimë.

Gotë pas gote, urim pas urimi, valle pas valleje, këngë pas këngë, atij sa s’po i çahej koka. Rakia e fortë, dollitë, vapa, orkestra që po bënte garë me një orkestër tjetër përballë, sikur po ia qullosin trutë më keq se majoneza në pjatat e mezeve.

Mbasi u qenë sulur gotave dhe mezeve, mukantët nuk po I binin më me nota, por me mushkëri të forta, sa të ngrinin edhe të vdekurit nga varri. Dukej sikur do ta çaheshin muret.

- Mbarova – ankoi Vera, duke bërë fresk me një pjatë boshe.

- Unë kam mbaruar kaherë, moj grua, por s’kam vend për të nxjerrë zë – vajtoi Ndoci. – A thu ka ndonjë mjek këtu afër?!

- Jam unë mjeke! – u hodh e tha një grua e thatë si saragë. – Gjinekologe...

- Aha?! – u drodh i tronditur Ndoci dhe vendosi që të qendrote si burrë dhe të mos jepej, qoftë edhe me rrezik jete.

- Mjekja dukej se ishte në formë të mirë sportive, sepse iu drejtua orkestrës gjallërisht:

- Një popullore, ju lutem!

- Orkestra iu bind menjëherë, se kishte mbledhë mjaft para deri tani. Ajo qëndroi para Ndocit. E ftoi të çoheshin dhe t’ja fillonin bashkë. Ai, i ngrati, u çua me ato kokrrat e djersës që i binin si saçme, me ato këmbë të gjata që i dridheshin si gjethet në vjeshtë, por që s’donin t’i bindeshin këtë herë pas kaq e kaq vjetësh që i dispononte.

- Jepi, Ndoc, o qefli pesëdhjetëvjeçar, që paske ngelur i ri nga zemra! – thirri i zoti i shtëpisë me entuziazëm. – Zhbiroi pllakat me ato këmbët e tua si azgan, jepi, div, hë të lumtë! Nuk ikën prej këndej pa dalë dielli!

- “ Mua po më del shpirti më parë!” – mendoi Ndoci, po gjuha i qe trashur. Megjithatë s’e jepte veten. Deshi t’i fliste klarinetistit, që gati po ja fuste tubin në vesh nga shtrëngesa, por nuk e linte kallaballëku dhe bërrylat e të tjerëve.

Pas shumë mundimesh e sakrificash, mbaroi dhe vallja. Shyqyr, pa mbaruar Ndoci. Këmbët e shpunë tek vendi i vet. Ndërsa përgjegjësi i orkestrës po mblidhte paratë përtokë, një i ftuar kishte nxjerrë pompëm azmatike dhe po fryente në gojën që i lëvizte si e peshkut në të thatë. Ndoci u orvat t’ja rrëmbente, po ia mbajti krahun e shoqja.

- Je dehur, burrë, do të grabitësh të sëmurin?!...

- S’jam dehur, jo, por dua ajër, s’dua meze, s’dua raki, dua ajër! – belbëzoi dëshpërueshëm Ndoci.

- Më fund, Ndoc! – thirri Emini që nuk ja ndate sytë.

Ndoci kapi gotën dhe e çoi thuajse pa vetëdije. S’mund të turpërohej, se! Ndërkohë ndjeu diçka të fortë që i plagosi kurrizin. U kujtua se fqinji prapa ishte elektriçist dhe me siguri kishte pincë në xhep.

Koha kalonte, vapa shtohej dhe ajri pakej. Dasma e madhe vazhdonte të bubullonte. Sipas shenjave të dukshme, disa fytyra të ftuarish ishin zbardhur si llampa neoni. Ndocit po i rrotullohej koka, toka, pjata, gruaja, salla, nusja, dhëndri dhe gjithçka. Rrotullimi shpejtohej e shpejtohej, gjersa ai s’u përmbajt më dhe...

Ndoc! – klithi Vera.

Ndoci qëndronte si statujë parafine dhe heshtte.

Qyqja, më iku burri – briti Vera.

Orkestra pushoi për t’u furnizuar me alkool.

Dy herë u nis brrokja e ujit për tek Ndoci, por firoi rrugës, se kishte edhe të tjerë gati në hallin e tij. E treta, më në fund mbërriti. E lagën, i bënë fresk me tabaka, madje edhe me dajre njëri nga orkestrantët. Më kot. Erdhi me vrap edhe Emini. I kërkuan ventilatorin e peshqeshit. Elektriçisti përbri e instaloi shpejt e shpejt pa i bërë tokëzimin. I hodhën Ndocit edhe ca raki në hundë. Më në fund, ai i hapi sytë, i fiksoi tek Emini dhe belbëzoi:

Të lumtë, më në fund, ma more hakun e fikut!

S’po të kuptoj, he burrë! – hapi sytë Emini! – flet përçart nga rakia – u pëshpëriti të tjerëve dhe u largua pa harruar të merrte me vete ventilatorin.

Ndoci po fikej përsëri.

Ambulacën, ambulancën! – klithi në alarm Vera.

 

Paulin Selimi

E drejta e Natës së Parë

Shkodra Press

Lexuar 6700 here Ndryshimi fundit E merkure, 28 Janar 2015 20:23

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO