21 Shkurt 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Shkodra Pres

E marte, 13 Qershor 2017 10:56

PARADA SHQIPTARE PO VJEN! TREGO KUSH JE!

1. Sa vite ka “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”?

Këtë vit “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots” mbush plot 9 vjeç.

 

2. Nga se u nis “Rrënjët Shqiptare” dhe e kujt ishte idea e vënies së këtij emri?

Ishim një grup të rinjsh që donim të krijonim një organizatë që të kishte frymë unifikuese mes shqiptarëve. Donim një organizatë që të ishte jashtë politikës, fesë dhe diferencave krahinore. Një sugjerim të tillë na e pati dhënë edhe miku ynë Joseph DioGuardi. Emri u propozua nga kryesia dhe gjeti një miratim unanim. Kështu lindi “Rrënjët Shqiptare-Albanian Roots”.

 

3. Cila është struktura e “Rrënjëve Shqiptare”? Si jeni të organizuar e ku jeni të shtrirë si degë?

Është grupi ekzekutiv, i cili ka selinë qendrore në New York dhe ka këtë strukturë: Marko Kepi (president), Nikë Beqi (zv./president), Bujar Gjata (zv./president), Enkolana Çekaj Mundija (sekretare), Vijona Malota (financiere).

Kemi degët në Michigan (me perfaqësues Endrit Topallin), në Texas (me përfaqësues Besmir Hoxha) dhe dega në Illinois.

Gjithashtu, kemi degët në grupet universitare: “John Jay College Albanian Roots Club”, “St.Francis College Albanian Roots Club” si dhe grupin që u themelua sivjet nga zonja Afërdita Delaj: “Albanian Roots Cheerleaders”.

I gjithë ky staf punon vullnetarisht dhe burimet e fondeve tona janë: anëtarësitë dhe sponsorizimet.

4. Marko, çfarë do të thotë për ty të drejtosh “Rrënjët Shqiptare”?

Ndjej krenari, pa diskutim. Kur shoh që na bashkohen shqiptarë nga shumë shtete të Amerikës, ndjej kënaqësi dhe njëkohësisht një përgjegjësi të madhe që të punoj edhe më fort për komunitetin shqiptar.

 

5. Stafit: Si vijon puna me Marko Kepin në krye?

Jo sepse duhet thënë se është kryetari, por deri tani gjërat kanë shkuar mirë. Kjo tregohet edhe nga jetëgjatësia e organizatës. Brenda grupit ekzekutiv ka dakordësi dhe vizioni me të cilin presidenti e udhëheq organizatën tonë, është një vizion që i përshtatet edhe botëkuptimit tonë, pa u imponuar. Mendojmë se ky është çelësi i suksesit.

 

6. Ku shtrihet interesi i “Rrënjëve Shqiptare”?

Fokusi jonë kryesor është grup-mosha 15-30 vjeç, brezi i ri i shqiptarëve që kanë lindur këtu në Amerikë. Me kontributin tonë, duam që të ndihmojmë këtë grup-moshë që të integrohen në kulturën amerikane duke mos u asimiluar. Secili aktivitet i yni përqëndrohet tek ky qëllim.

Një tjetër angazhim i yni është ndihmesa tek po i njëjti grup-moshe, por për shqiptarët në trojet e tyre. Në këtë projekt kemi një bashkëpunim shumë të mirë me fondacionin “Mbretëresha Geraldinë”, ku përpiqemi që t’i krijojmë kushte më të mira edukimi e shkollimi të rinjve shqiptarë.

 

7. Kush ka besuar në ju që në fillim kur keni prezantuar këtë projekt: “Rrënjët Shqiptare - Albanian Roots”?

Joseph DioGuardi ka qenë personi që na ka besuar menjëherë dhe na ka mbështetur vazhdimisht. Gjithashtu edhe Richard DioGuardi. Mjaft anëtarë të “Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane/Albanian-American Civic League” na kanë promovuar si organizatë dhe kanë dhënë donacione. Kemi marrë mbështetje edhe nga senatori Martin Golden dhe këshilltari i Bashkisë së New York-ut David Greenfield, etj.

 

8. A mund të na flisni pak për aktivitetet që ju organizoni? Bëni një plan vjetor për to?

“Parada Shqiptare” është aktiviteti jonë kryesor. Për pjesën më të madhe të aktiviteteve, sigurisht që bëhet një plan vjetor. Përmendim këtu Paradën, aktivitetet për festat zyrtare e data simbolike si p.sh. festat e flamurit e të pavarësisë, pavarësia e Kosovës etj.

“Rrënjët shqiptare” janë të pranishëm në komunitet duke organizuar edhe panaire, pikniqe, festivale, protesta, takime me personalitete, promovime, qofte librash apo talentesh, përmendim rastin e sportistit Reshat Mati etj.

 

9. “Rrënjët shqiptare - Albanian Roots” identifikohet me “Paradën Shqiptare”. Na flisni pak për këtë aktivitet kryesor tuajin.

Deri tani kemi organizuar nëntë të tilla. Në secilën parade ne mundohemi që t’i kushtohemi një çështjeje apo një personaliteti që na identifikon, që na duhet ta promovojmë në mënyrë që t’i tregojmë botës mbarë se nga vijmë, kush jemi e çfarë duam ne si komb. Disa nga paradat e organizuara ndër vite janë: Çamëria (2010), Shqiptarët në Mal të Zi (2011), Shqipëri Etnike (2012), Jemi një (2013), Të gjithë kemi rrënjë shqiptare (2014), Ilirida është Shqipëri (2015), Nënë Tereza (2016) si dhe sivjet: Arbëreshët

 

10. Çfarë iu kërkoni sot shqiptarëve të Amerikës?

Iu bëjmë thirrje që të angazhohen më tepër për komunitetin shqiptar. Të rinjve iu bëjmë thirrje që të anëtarësohen në organizatën tonë. Procedura bëhet online dhe anëtarësimi është thjesht 20$ në vit. Këto fonde shërbejnë për mbulimin e aktiviteteve që organizata zhvillon. Që nga dita e themelimit, numerojmë 5 mijë anëtarësime në organizatën tonë.

 

11. Cili është mesazhi për të rinjtë shqiptaro-amerikanë që duan të jenë të suksesshëm në SHBA?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendi i vetëm në botë ku mundësitë janë pafund. Është e rëndësishme që të kenë idetë e qarta se çfarë duan. Të rinjve shqiptaro-amerikanë iu themi që të integrohen në shoqërinë amerikane por jo duke u asimiluar. Të ruajnë ekuilibrin mes origjinës dhe kulturës së re ku duan të bëhën pjesë.

 

12. Na tregoni një link ku mund t’ju ndjekin shqiptarët në çdo njoftim apo aktivitete që ju zhvilloni.

Më së shumti na gjeni ne faqen tonë në facebook: Albanian Roots – Rrënjët shqiptare. Por kemi edhe website-in: www.albanianroots.org si dhe në Instagram: albanianroots.

 

13. Na jepni një mesazh në prag të paradës: pse shqiptarët duhet të vijnë në New York, të shtunën me 17 qershor, në 43rd Street 6th Ave?

Ka shumë arsye pse çdo shqiptar duhet t’i bashkohet Paradës Shqiptare.

Së pari, të përcjellim shembullin tek ata komunitete ku nuk respektohen e nuk ndihen të lirë shqiptarët. Së dyti, t’i tregojmë botës mbarë se është kombësia ajo që i bashkon shqiptarët dhe se ne, jo vetëm e njohim por edhe e gëzojmë harmoninë ndërfetare e ndërkrahinore ndaj duhet të mblidhemi të gjithë. Së treti, të ekspozojmë para syve të të gjithëve kulturën tonë, traditat tona dhe të dëshmojmë se jemi ndër popujt më të vjetër të Europës. Së katërti, është një detyrim ndaj atdheut tënd por gjithashtu edhe një largim nga rutina e përditshme e jetës amerikane dhe shijon një ditë plot me festime në shoqërinë e bashkëatdhetarëve të tu.

 

14. A mund të na zbuloni ndonjë detaj posaçërisht për ne?

Kemi mjaft surpriza të bukura që nuk duam t’i zbulojmë megjithatë, një prej tyre po jua tregojmë lexuesve të kësaj interviste: kemi një të ftuar special nga Europa që na e ka konfirmuar praninë.

 

Intervistoi: Arjeta Ferlushkaj

8 qershor, 2017

Premte, 24 Shkurt 2017 22:46

Ferdinand Jaku, infermieri–sportist

Ne territorin shqiptar nuk eshte e zakonshme te hasesh binomin infermier – sportist. Aktivitetet fizike e sportive po individualizohen si kufijte e ri ku mund te orientohen edhe kompetencat infermieristike. Promovimi i shendetiti nuk eshte privilegj eksluziv i ambjenteve shendetesore, ai lidhet me stilet korrekte te jeteses, te domosdoshme per arritjen e mireqenies psiko fizike e sociale te personit. Nje infermier mund te nderhyje ne fushat e aksionit per te zbatuar strategji te promovimit te shendetit sportiv.

Nje shembull i mire eshte Ferdinand Jaku, i lindur ne vitin 1968 ne Juban (Shkoder).Ai tregon se edukata e mire ne familje, respekti per fene, arsimimi kane qene prioritet i prinderve te tij e qe tani jane kthyer ne prioritetin e atij vete karshi femijeve te vet, Emanuela, Paola e Vasko. Ka nje eksperience te gjate formimi profesional aq sa shumekush do t’ja kishte zili. Ne vitin 1982 mbaroi shkollen 8 vjecare ne Juban, 1986 mbaroi studimet ne shkollen e mesme bujqesore ne Mjede, 1989 mbaroi studimet dy vjecare ne shkollen e infermierve ne Korce, 2007 mbaroi studimet kater vjecare ne fakultetin e shkencave te natyres dega Bio-Kimi, pasojne specializime te tjera te larmishme ne fushen e infermierise ne spitalin rajonal te Shkodres, Pisa e Piacenza.

Afirmohet si infermier ne vitin 1990 e ushtron akoma profesionin me pasion. Ndryshimet rrenjesore profesionale dhe thyerjet e tabuve te forta fillojne ne shtator te 2005 ku ai krijon dhe organizon ndeshjen e pare te futbollit te femrave jo vetem ne Juban (Shkoder) por edhe ne Shqiperi. Inventiva e pasioni zene vend ne oborrin e shtepise dhe futbollistja e pare eshte bashkshortja, Lizana. Vullneti e pasioni per futbollin rrembejne vajzen Emanuelen e me pas kusherirat me radhe. Kjo jehone rrugetoi drejt lindjes se ekipit femeror Juban Danja Shkoder.

“Te jesh infermier” thote ai “eshte shkalla me e larte e humanizmit”. “Kam pasur gjithmone kerkesa maksimale profesionale ndaj vetes. Profesionin e kam ushtruar me pasion ne sherbim te pacienteve duke marre vleresime e respekt”.

“Futbolli eshte magjepses”, thote ai, “arti i kesaj loje te krijon emocione te vecanta”. Kujton me nostalgji mesuesit e edukimit fizik; Agetina Puka, Ismet Hoxha, Agron Xhyrezi, Artan Bushati. “Futbollin e konsideroj si dashuri te dyte sepse ne radhe te pare eshte profesioni infermierit. Kam sakrifikuar shume per te krijuar historine e futbollit femeror, ia kam dale fale insistimit, besimit ne vlerat e mija dhe ato te familjes, punes se palodhshme.

 

Nje mbeshtetje te madhe me kane dhene edhe mediat, nga ku nuk mund te mos falenderoj Gasper Marku, Genc Ymeraj, Ymer Strinici, Mejdan Zhivani, Gjergj Kola, Defrim Methasani, Admir Uruci, Anton Zalli, Drilona Hoxha.

“PA NJE SHENDET TE MIRE S’MUND TE KESH NJE JETE TE MIRE ,shendeti e sporti jane martesa me perfekte qe mund te egzistoje. Jeta sportive i ben me te lehta arritjet, sukseset, vazhdimesine , perballimin e semundjeve mbasi imuniteti eshte ne shkallen maksimale dhe trupi reagon duke sfiduar problemet e ndryshme shendetesore. Nje handikap i madh i diteve te sotme eshte mungesa e aktivitetetve sportive, jeta pasive e mbajtja e nje diete jo te pershtatshme e hiperkalorike. Per kete motiv eshte e rendesishme edukata sportive e vazhdueshme”

Ferdinandi eshte gjithashtu drejtor i nje banke me nivel te trete. Nuk eshte shume e cuditshme per nje infermier, aq me teper kur mendon se ai eshte nje person me njohuri, kompetenca e interesa te ndryshme. “Ne kohet e sotme”, thote ai, “financat jane pjese e zhvillimeve globale qe ecin me shpejtesi te madhe, por nese bashke me xhiron e madhe ekonomike mund te kishte me shume ndjenja njerezore do te kishim nje bote me te lumtur dhe plot dashuri. Politikat financiare fatkeqesisht administrohen ne menyre te zhdrejte”

“Perdorimi pa kontroll i alkolit dhe duhanit”, thote Ferdinandi, “jane shume te demshme per jeten personale, te ambjentit ku jetojme pasi jane shkaktare te shume semundjeve e ndotes te ambjentit. Teknikat e marketingut te ketyre produkteve sjellin shume fitime. Nje sportist i mire duhet te jete konsumator i keq i ketyre substancave”.

“Ne fushen e lojes si dhe ne koheshtrirjen e jetes mund te ndodhin demtime, rrezime, por edhe ngritje te fuqishme me rezultat kthimin me siguri e vendosmeri me te madhe ne fushen e lojes apo ne betejen e jetes”.

Ferdinadi ve theksin ne formimin e vazhdueshem, edukimin ne familje e nepermjet arsimimit. “Duhet konsideruar vetja jote si pjese e rendesishme e komunitetit ku jeton, pjese e zhvillimit, e ndryshimeve pozitive. Duhet pasur objektiva te arritshme, duhet te behet leve ne karakter, ne aftesite e idete krijuese teorike e te kthehen ne praktike, duhet kembengulje”.

Eshte interesante te shpjegohet frika me pak fjale nga nje person qe di te mposht veshtiresite. “Frika”, thote ai, “vjen nga emocionet, “por eshte ndjenje pasigurie qe shpesh njerezit e shohin si dicka frenuese per zhvillimin e nje jete normale. Frika duhet te mposhtet!”

Ne fund te kesaj interviste Ferdinandi me kenaqesi jep keshilla per personat qe kane deshire te jene te suksesshem ne jete. “Jeta te ofron shume alternativa pozitive. Duhet pasur aftesi mendore krijuese, menagjuese, deshire, i duhet dhene jete pasioneve e prirjeve, duhet nje karakter i forte, kembengulje per te lene gjurme ne kete jete. Zoti na krijoi njerez me llogjike te zhvilluar ne funksion te galaktikes universale. TE GJITHE MUND TE JENI TE SUKSESSHEM”.

 

Intervistuar nga Branka Pepa

 

 

 

Premte, 12 Shkurt 2016 11:48

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza /

Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin e të parëve. Mjerisht, qejtë e rrugave belbin pa mujt' me lehë e përherë e ma rrallë i ulërijnë hanës së plotë.

Prajtaz, ato tubohen natën, kur muzgu ka ngrehë rrëshqanë të lehunat e njerëzve, që mbajnë mbas vedit nji kone delikate, me shpresë se ajo kafshëz po jua zbutë shpirtin sadopak.

Ecin në grupe përgjatë lumit, përshëndeten me lypsarët që ua kanë zanë strofullat nën urë, ju lëpihen ndër kambë fshesareve në shenjë dashnie, sfidojnë të qetë policët rrugorë, shumohen ndër orgji të ethshme, që nuk zgjasin ma shumë se rindezja e të kuqes së semaforit...

Qejtë e rrugave nuk ju afrohen ma plehnave. Vaktet i hanë të freskëta nën dritaret e pallateve, nga ku fluturojnë të lidhuna ny veset e injorantëve.

Rrallë hasë tuba qejsh që kanë nji kryetar, zakon fort i moçëm ky i fisit të tyne. Ata tanë ndjehen, pa përjashtim, të denjë për atë post, qysh prej ma plakut deri te këlyshi rishtak.

Qejtë e rrugave i janë përshtatë ma s’mirit këtij qyteti mjeran: qimet ju kanë marrë grinë e ngrehinave shterpe, sytë kanë përpie pisllekun e lumit, bishti ju rrin mes shalëve për me u mëshirue prej shkelmave të kalimtarëvë... Nji vath i verdhë i ka damkosë si qej rrugash e ata e dinë mirë se mbijetesa me qeniet që ua vodhën të lehunën, asht fort e vështirë...

 

Shkodra Press

 

 

 

Diel, 31 Janar 2016 20:43

Fëmijë lajmëtare / Nerinda Hysa

 

Aty te ai kopësht i vocërr me pemishte bojë blu ( në atë bojë të lyme nadje ) rrinte fëmija miturak dhe mbante doresh nji kukull me havër copë e me pak qerpikë në njenin sy.

Po kjate. Me theri në zemër . Erdh emta e kapi doresh dhe e çoi ne shpi. Vendi mbeti bosh.

Bash aty ku kje fëmija vuna nji lule jete apo si po quhen Bonsai apo soj fikusi.

Shndriti ai vend. O fëmijë a je e lumtur tash, a kujdeset emta për ty, a të pyet shpesh si ndjehesh, a të blen ashtu çokollatash kakao e qumësht bashkë, a të thotë se të don, a të lejon me vizatu muret, a të rrok, a të ban me u ndi e randësishme?

( Fëmi, mos lejo me të shkel me kamb )

Mbas dy ditësh, kur kishte çelë dielli në flakë të kupës qiellore, u ula tu ndërtu copa gjethurinash ramë në tokë.

Kur qe, fëmija në mu. Ishte aty. Po tjerrte dritë.

Iu vuna kërkimit e i thashë: - A don ta ujisim këtë tokë dhe të mbjellim lule?

Por ndërkohë fëmija prap shkoi. Mbeta tu e prit.

Bash atë dekik kuptova se gjendesha shtatzanë.

 

 

Shkodra Press

Me dt.20 dhjetor 2015 në Galerinë e Arteve të Shkodrës, në praninë e përfaqësuesve të pushtetit lokal, mediave dhe artistëve, u zhvillua konferenca për shtyp e shpalljes së fituesve të “ Sallonit të vjeshtës 2015”, ekspozita ishte mbajtur e hapur nje muaj per art-dashesit. Juria që përcaktoi tre çmimet fituese të edicionit të 9-të të “Sallonit të vjeshtës 2015”përbëhej nga : Z. Artan Shabani, Drejtor i GKA Tiranë; prof. Gazmend Leka, artist, UA Tiranë; z.Ylli Drishti – studjues arti pranë GKA Tiranë. Në emër të jurisë, z.Artan Shabani shpalli veprat fituese të artistëve:

 

Diomen Boriç, çmimi i pare, pikturë, titulli: Pasqyra, objekte te pikturuar nga kujtesa.

 

Fatlum Doçi, çmimi i dyte, pikturë, pa titull

 

Sokol Kola, çmimi i tretë, instalacion, pa titull.

 

 E.T

Shkodra Press

E merkure, 16 Dhjetor 2015 21:28

Përkthyesit J. V. Piqueras

***

Përkthyesit, nga Juan Vicente Piqueras

për Jorge Luis Borges dhe përkthyesve që nuk përthyejnë

 

Janë një fis për bind shpërnda nëpër botë

prejse e lëvizin botën

Përkthejnë botët nga njena gjuhë në tjetrën.

Kjo asht zyra e tyne.

Bajnë me ra borë n'arabishte,

ia ndërrojnë emnin detit,

shpiejnë gamile Sahare në Suedi,

bajnë që Don Kishoti ta grahin Rosinantin

prej Mançës në Mançuri.

Bajnë gjana për bind, gati gati të pamujtuna.

Thonë në gjuhën e tyne gjana

që kurrë kjo gjuhë s'kish thanë ma parë,

gjana që s'e dija se mundesha me thanë.

Lindën prej një rrungaje, ndodhun në Babel,

dhe nga një andërr: që një ditë

shpirtënt që tash jetojnë në antipode

të njihen, të kuptohen e të duhen.

Janë një fis i pagojë:

ia japin zanin e tyne zanave tjerë.

Janë ba të padukshëm prej përvujtnisë.

Me shekuj vepra e tyne qe anonime.

Ata, që jetojnë prej emnave dhe ndër emna,

nuk kishin një emën.

Në liturgjinë e letërsisë

janë trajtue si djem lteri.

Ndryshej, janë urtarë: ata që shtrijnë ura

mes ishujve të gjuhëve të largëta, ata që dinë

se të tana gjuhët janë të hueja,

se mbrenda nesh gjithçka asht përkthim.

Janë një fis për bind shpërnda nëpër botë

prejse janë tue e ndryshue botën

prejse janë tue e pshtue botën.

 

SAIT SAITI 

(foto: Kulla e Babelit, Lucas van Valckenborch (1595), origjinali me ngjyra) 

Shkodra Press

E marte, 15 Dhjetor 2015 10:48

Ai kalë / Erion Temali

(Ky tregim është fitues  i çmimit letrar "Skënder Drini")

Pasi kishte kaluar një biçim aksidenti të çuditshëm, që ia kishte tronditur themelet e ekzistencës, po kalonte një periudhë konvaleshence. Siç ndodh në këto raste, pasi demtimet fizike janë drejt shërimit edhe shpirti fillon e paqëtohet, madje fillon e ngazëllehet si pakuptim. Atij i dukej sikur kishte rilindur. Gjërat i vinin të qarta. E dallonte shumë më kollaj të mirën nga e keqja, të duhurën nga e gabimta, të drejtën nga e shtremta… 

Një ditë e thirri një mik të dilnin shëtitje. Ai ishte një mik i mirë. Ndër miqtë e rrallë qe nuk kishte fort formim libresk, por kishte inteligjencë shpirtërore të habitshme. Përthithte çdo temë dhe bisedonte rreth tyre si i barabartë. Kishte një natyrë të atillë që nuk e bënte tjetrin të ndihej as inferior as superior e as të vihej në siklet. 

Vendosën të shkonin andej nga “Livadet”, në periferi të qytetit, pranë liqenit. Morrën edhe Gjoshin, qenin e lagjes që e kishin si të tyrin. E donin fort Gjoshin se ishte besnik i dashur dhe nuk lehte kurrë kot. Gjoshi ishte trupvogel, por me kokë të madhe, vinte bojekaf me të bardhë dhe bishtin fare të vogël. Të dukej si qen fëmijësh… Por ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme: I njihte njerëzit. E nuhaste nëse ata kishin qëllime të mira apo të këqija. De jure, Gjoshi ishte në pronë të një farë tutkuni që nuk i jepte as për të ngrënë. Një herë teksa po luanin pesë-katësh, në një zheg të këndshëm pranëvere, njëri prej shokëve kishte thënë: “Gjoshi është njëqind herë më i mirë se i zoti.” - në atë çast Gjoshi ishte teshtitur. “Shëndet se e vërtetë!”, - kishin thënë të katërt njëzëri. Personazhit tonë i ishte mbushur mendja qysh prej miqësimit me Gjoshin se, ashtu siç ka njerëz të mirë e të këqinj (dhe mes tyre moria e atyre që anojnë herë andej e herë këtej), ka edhe qenë të mirë dhe të këqinj (dhe mes tyre, moria e qenëve bastarde). Gjoshi kishte edhe një veti tjetër: Kur grumbullonte koca më shumë se ç’ mund të hante, hapte gropa në vende të sigurta dhe i fshihte kocat për ditë të vështira. 

E kështu u nisën dy miqtë bashkë me Gjoshin për në livadhet e Livadeve. Iu pëlqente të bënin shëtitje duke biseduar rreth perditshmerisë, por edhe rreth letërsisë, filozofisë, politikës, fesë dhe metafizikës. Kishte hyrë stina e Vjeshtës, por shirat nuk kishin ardhur akoma. Çdo gjë bleronte. Kishte pemë me fruta të pjekura fort dhe pemë vetem për hije… Dhe në fakt, hija e shlqeve ishte e bekuar: e lehtë, thuajse vinte nga një botë tjetër. Por nuk u ndalën, Gjoshi i ndiqte pesë gjashtë metra pas. Nganjëherë largohej më tepër duke iu afruar gëmushave që zhurmonin nga zogjtë. I trembte zogjtë që shpupurishnin pemët e vogla e pastaj i afrohej të zotëve i kënaqur: Dukej sikur kishte një të qeshur përbrenda që përkthehej në një të lehur të çuditshme. E kështu, miqtë po bisedonin gati siç bisedojnë dervishët mbas përjetimesh të thella… Në lëndinën ku po shëtisnin kishte edhe një tufë kuajsh. Ose më mirë të themi, ishte një pelë dhe tre kuaj më të vegjel, njeri ishte mëz, dy të tjerët vinin më të rritshëm, pra ishin shkallë shkallë për nga madhësia. Rrinin shumë pranë njëri tjetrit teksa kullotnin, dhe kjo të bindte se ishin nëna ma bijtë e vet. Miqtë që po bisedonin me pasion, gati nuk i kishin vënë re fare, deri kur Gjoshi filloi t’u lehte kuajve. Ishte një lehje si për lojë, por që kujat filluan ta merrnin seriozisht, dhe kur qeni e ndjen këtë gjë, e merr të lehurën e vet edhe ai seriozisht. Ishte pikërisht ky moment që dy miqtë vërjetën kuajt që deri ato çaste ishin thjeshtë silueta të një bote tjetër. Kuajt ishin mbledhur shuk njëri pranë tjetrit me pelën në mes. Pela i ishte drejtuar qenit dhe mundohej ta trembte atë me kokë duke i dhënë asaj para me qafën e saj të gjatë, por ishte e kotë. Gjoshi ishte bërë histerik me të lehurat e tij të egra tashmë dhe nuk pushonte. “Kanë instiktin e frikës ndaj ujkut!” – po thoshte shoku më i madh në moshë duke buzëqeshur paq. Tjetri po shqetësohej për kuajt e gjorë që ishin frikësuar mjaft. Gjoshi vazhdonte të lehte më me vednosmëri. Atëherë, ai që po bezdisej nga arroganca e qenit dhe njekohësisht po shqetësohje nga frikesimi i kuajve, i thirri Gjoshit duke bërtitur: “Urt, urt! Ik prej aty! Usht, usht!”. Gjoshi në fillim nuk iu bind sepse ishte si i dehur prej lehjeve të veta, por mandej kur urdhërat nuk reshtën, filloi te ftillohej dhe të lehurat u pakësuan dhe u zbutën gradualisht, deri sa pushoi së lehuri duke u tërhequr me marsh indietro, por gjithmonë me qëndrim kercënues ndaj kuajve; dhe kur mori urdhërin të largohej që aty, u largua gati krejt prej parcelës dhe filloi të kuriozohej me një iriq që ishte në kufinjtë e fushës, pranë gardhit që shkopinjtë i kishin leshuar gjethe. Teksa ishte përpjekur të largonte Gjoshin, ishte larguar nja dhjetë metra nga shoku i tij dhe i ishte afruar kuajve. Pa iu krijuar mirë ajo ndjesia e bekuar që ndjen robi kur shuan një konflikt, pela mori t’i afrohej menjëherë, ai u tremb dhe tentoi të kalonte djathtas, por edhe kali i drejtohej djathtas, iu shmang majtas, por edhe pela i drejtohej majtas tij e vendosur, atëherë u tërhoq, por nuk mund të lëvizt shumë sepse ishin afër njëri tjetrit. Në këto momente i thirri shokut të vet: “E kam frikë! Çfarë ka kjo me mua! Ç’të bëj?”.Miku i tij e kapi situaten ne vend… “Don me t’falenderu bre! Mos iu largo! – i thirri ai me zë të habitur por edhe bindës që shoqërohej me buzëqeshjen e mirë e të paqtë të atij që sapo ka zbuluar një të vërtetë që të gëzon. Kaq u desh dhe shoku paqëtues, nga gjendja e panikut, kaloi në gjëndje të paspjegueshme gëzimi. Tash kishte frikë mos kali trembej e ikte. Por kali iu afrua krejt afër. Atëherë ai filloi ta përkëdhelte, por kali ishte i lartë dhe ai nuk ndjehej rehat në atë pozicion duke e përkëdhelur ashtu. Kali ndjehej i kënaqur nga përkëdheljet e njeriut që i largoi qenin. “Hyp te ai grumbulli me dhe afër teje” - i tha miku i vet. Vështroi anash dhe gjeti në të djathtë ledhin. Mori t’i afrohej pa humbur drejtimin nga kali. Kishte merak mos i largohej ajo qenie që mëkat ta quash kafshë. Bënte hapat anash, avash avash, edhe kali afrohej andej. Në ato çaste kishte mirëkuptim edhe në ajër gjithandej. Hipi mbi ledh. Kali iu afrua krejt pranë. E ledhatonte… kali kënaqej, njeriu kënaqej. Shoku që po shihte skenën kënaqej. Iu afrua edhe më kalit dhe e përqafoi. Në zemrat e të treve po ndodhte diçka që gëzonte dhe mallëngjente. 

Pati një rënqethje në trup. Iu krijua një gjendje vaji përbrenda, por nuk qau, as nuk e frenoi veten, as nuk e lëshoi, thjeshtë nuk qau. Shpirti qante përbrenda. Mandej iu largua pakëz kalit dhe i tha: “Shko tash se bijtë e tu po të presin, por kali nuk donte të ikte akoma. “Shko pra tash!” – i tha më me këmbëngulje. Atëherë kali mori të ikte mengadalë. Teksa kali po ikte, miku i tij i tha: “Disa kuaj kanë dhuntinë ta dallojnë njeriun e mirë dhe t’ia bëjnë të ditur atë, sepse mbase ai e ka harruar ose përçmuar e shpërfillur thelbin e vet!” Vazhduan shëtitjen. Gjoshi i ndiqte duke lodruar.

 

 


Shkodra Press

 

 

 

E merkure, 09 Dhjetor 2015 23:30

'Weltliteratur'

Zija Vukaj / 

Koncepti Weltliteratur, që do të thotë letërsi botërore, është neologjizmi më i rëndësishëm i Gëtes si letrar në periudhën e vonë të krijimtarisë së tij. “Letërsi botërore”, për Gëten nuk do të thotë zgjerim sasior i konceptit të letërsisë, por krijimi i panteonit të veprave të mëdha, si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit, pavarësisht nga gjuha në të cilën janë shkruar apo vendi a kultura nga kanë ardhur. Sipas Gëtes, ka vetëm një krijimtari letrare, ajo e vërteta. Ky vizion madhështor i një mendjeje gjeniale krijoi premisa të shumta për ta përgatitur njeriun për takimin me “tjetrin”, me “të huajën”, “të panjohurën”, duke hequr mundësinë e paragjykimit apo të përjashtimit. Për herë të parë në mënyrë kaq të fuqishme dhe serioze në historinë e mendimit evropian ekzistenca e Lindjes dhe e Perëndimit, si kultura, nuk konsiderohej si luftë qytetërimesh, por si integrim dhe gjithëpërfshirje kulturore, duke pranuar gjuhën, kulturën religjionin e tjetrit, larg ngujimit në kullën e integralizmit. Herët, pa i mbushur të njëzetat, aty nga vitet ‘60 e ‘70 të shekullit XVIII, në kohën e Sturm und Drang, ai nisi të njihte kulturën arabe, të lexonte Kuranin dhe sidomos poetin e famshëm të lindjes Shemsudin Hafizin, të cilin e quajti “vëllai im binjak”. Në epopenë më të famshme lirike “Divani perëndimor- lindor” Gëte shprehet:

“Ndërmjet dy botëve përmes mendimit/ Të kalamendem pranoj me dëshirë/ E pra, mes Lindjes dhe Perëndimit/ Paprerë të lëvizësh qenka më mirë.”

Dhe jemi aty nga viti 1816, kur Gëte i konsolidon dhe i rrezaton me sukses idetë e tij kozmopolite, që shprehen në respektin e vlerave universale që ka krijuar njeriu kudo qoftë. Duke i menduar këto gjëra, lind pyetja: Mos vallë njerëzimi ka bërë njëfarë evolucioni invers? Apo mos vallë individë që kanë aksese të mëdha në transmetime dhe amplifikime opinionesh dhe idesh nuk janë në fakt përfaqësuesit e vërtetë të ideve, por thjesht të keqkuptuar me ose pa dashje? Nuk më bën përshtypje opinion i ca njerëzve të vegjël, të paditur e mjeranë deri në pafajësi, që trumbetojnë idenë e përplasjes së qytetërimeve, por kur dëgjojmë të qarkullojnë në trurin dhe mendjen e disa personaliteteve që mbahen si poseduesit e të vërtetave absolute, kjo kthehet në shqetësim dhe prapë lindin pyetje të tjera: Si nuk arrijnë të kuptojnë atë që e ka kuptuar me kohë një i ditur i shekullit XVIII dhe i ka bërë ta kuptojnë edhe bashëkohësit e tij? Ndërroi kombësi Gëte, pse adhuroi kulturën e kombit tjetër? Ndërroi religjion, pse vlerësoi librin e shenjtë të një feje tjetër? Ndërtoi heterodoksi, pse i këndoi Profetit islam? Asnjëra nuk ndodhi, por ai fitoi dimensione të jashtëzakonshme si gjerman, si evropian, si i krishterë i devotshëm dhe më i ndriçuari dhe së fundi, si qytetar i gjithë botës.

 

Shkodra Press

E enjte, 26 Nentor 2015 00:30

Dritëhije

Zija Vukaj/ 

Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike, mes bustit hyjnor të Nënë Terezës dhe xhamisë madhështore Ebu Bekër dëgjoj tingujt e zvargur të një klarinete, që ia merr me të qarë një melodie vajtimtare me jonet e një muzike melankolike me motive jugore, brenda të cilave dergjet një dhimbje e thellë njerëzore që jehon atyre hapësirave plot jetë. Afrohem për të parë se nga vijnë ata tinguj në atë vend lumturie, që është skena e teatrit të panaireve të përjavshme, e parakalimit të turistëve, e tribunave elektorale, e tufave të të rinjve, e pasarelave të njerëzve që duan të bëjnë përshtypje, e ndonjë politikani që ka ardhur të soditë provincën, i shoqëruar nga shpurat vendëse dhe shoh: një burrë i ulur mbi lastrat e ftohta të pedonales, me një klarinetë në dorë dhe me një kuti kartoni përpara. Brenda kutisë së kartonit ca para të prerjeve më të vogla që dhembshuria njerëzore i ka hedhur aty, duke u udhëzuar nga një mbishkrim i vendosur pjerrtazi anash kutisë, ku flitet për një fëmijë me një sëmundje të rëndë që pret të shërohet nga kontributi i kalimtarëve. Dhe tingujt vajtimtarë të klarinetës, të ekzekutuar nga babai i atij fëmije, janë preludi, lutja, shpresa dhe sfondi i një drame personale që prek disa prej kalimtarëve dhe shkon pa u vënë re prej shumicës që është në hallet apo qejfet e veta dhe e ka temperaturën e ndjeshmërisë më të ftohtë se lastrat e pedonales mbi të cilat është ulur këmbëkryq muzikanti. Fëmija i sëmurë në shtëpi dhe burri me klarinetë në pedonale! Të dy me shpresë! Po të bisedonim me fëmijën, do të kishim pak a shumë një dialog të tillë: “Çfarë ke?” “Jam i sëmurë rëndë dhe pres të shërohem, kam shumë shpresë, sepse babai im po punon përditë për mua.” Dhe babai vërtet punon përditë. Dhe punon mirë. Më mirë se shumë baballarë miliarderë. Gishtat e tij të stërvitur e luajnë me besnikëri atë motiv dhimbjeje. Asnjë notë nuk e luan gabim. Edhe semitonet i ka virtuoze. Por vijën melodike nuk e ndryshon. Ajo është gjetja e tij. Është lajtmotivi i tij dhe i kohës. Kur ndonjë kalimtar bujar hedh diçka në kuti, për një çast e shkëput vijën melodike dhe thotë “Faleminderit”. Pastaj sytë e tij mbyllen përgjysmë dhe gjithë fizionomia e tij kalon në transin e vuajtjes dhe të fatalitetit të vet nën vellon e asaj melodie të trishtuar. Dhe anash tij pluskojnë biseda për transaksione, udhëtime, trafiqe, emërime, zgjedhje, modë etj. Njerëz të pasur që vijnë nga Tirana për të inspektuar vilat e tyre të papërdorura prej shumë kohësh, sepse nuk e kanë mbaruar axhendën e udhëtimeve nëpër botë dhe garën e qejfeve me homologët, nuk kanë mundësi t’i shohin këto skena nga lartësia e fuoristradave të tyre apo nga velloja e xhamave të zinj të makinave të fundit që i kanë blerë me djersën e ballit. Por shpresa e babait muzikant vazhdon. Po kështu edhe shpresa e fëmijës së sëmurë rëndë që pret.

 

Shkodra Press

Diel, 25 Tetor 2015 23:04

Kafe me shumë sheqer / Nerinda Hysa

E mandej kena me hy. Dikush te dera tu na pri. Kena me u fut si do zogj te xanun ne nji faj. Kena me u ulë në nji cep të divanit. Kena me cik biskotën që ka me na u ofru, ndoshta me pi kafen që kanë me na sjellë tu kujtu se jena të rritun.

Kena me kqyr muret, orenditë, njerëzit që sjellen dhe flasin me za të ulët.

Por kurrgja s’kena me ditë ça me fol.

Tanë ky vend i mbështjellun në një dritë te randë, të pajetueme dhe të trashë, na i vret sytë.

Sytë tanë te bukur (që gjithmonë kanë dasht me pa ma mirë)

Kena me dasht mandej me pyet diçka ( zani ka me sheshu dhomën ), përnjihere kena me u ndi të vocërr. Dikush ka me rrëfy në nji heshtje të gjanë e të randësishme për nji dhimbje ku s’mundemi me shkelë .

Jemi fëmi! Jena miqtë e vegjël. Na takon biskota dhe kafja me shumë sheqer.

Ma në fund kena me u çu prej aty e me ik. Me e zhvok atë maske që e kena mbajtë gjatë.

Sa dalim te dera na kap gazi. Qeshim si të marre. Pa asnji shkak. Thjesht sepse u çlirueme.

 

Shkodra Press

Page 1 of 321

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO