18 Nentor 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Bisedë me Elona Çuliqin / grupi PërShkodrën / ftoi Jetmir Troshani

 

Skeda Elona Çuliqi

Elona Çuliq, ka lind me 18.10.1986, në Shkodër ku edhe banon sot. Ka studiue fillimisht për piano në shkollën artistike "Prenkë Jakova", e ma vonë gjuhën frange në shkollën e gjuhëve t'hueja "Shejnaze Juka". Studimet e nalta dhe ato në nivelin Master i ka krye për psikologji pranë UT. 

Momentalisht punon në Shoqatën Internacionale për Solidaritetin dhe njëkohësisht asht pjesë e aktiviteteve si vullnetare, pranë shoqatës "Dora e Pajtimit", ku dhe sëbashku me një grup të rinjësh shkodranë kanë dhane një shfaqje të teatrit social në Milano. Çdo gja të bukur që ia rrok syni e shpirti, ajo mundohet me e artikulue n'poezi, gja që e ban fort me dashni. 

Ajo ka marrë pjesë në nji konkurs poezie që asht ba në vitin 2012 nga Klubi poetik "Zahiri", në Kosovë, (edicioni i dytë për poezinë ma të mire në internet), dhe poezia e saj me titull "Të pres edhe pse nuk du t'vish", asht pagzue me çmimin e 3-të.

Personalisht, tek Elona shof kualitetin unik të freskët plot me ndjenj që duhet mbështet në mënyrë që të rritet dhe t'lulzojë në dritën që meriton. Elona asht mishërim i artistit të ri, i artistit që sundon mediat sociale dhe suksesin/shquemjen i merr po prejt aty. 

Kam 4 vjet që ndjek dhe admiroj, jo vetëm poezinë, por edhe interesin e përbashkët qi n'dajmë për t'bukrën. Në Facebook-un e saj gjithnji vlersoj perzgjedhjet unike të pikturës, fotografis, muzikës dhe t'bukrës njerzore në përgjithësi.

Krijimet e saja i gjeni në botimet ma poshtë: 

-Revista letrare "Aleph", verë 2011.
-Gazeta letrare "Nacional", 2012. 
-Gazeta letrare "Muzgu", korrik 2013 dhe gusht 2013. 
-Gazeta "Koha Jonë", tetor 2013.
-Revista e poezisë dhe e kulturës poetike "POETEKA", dimër 2013/14. 

Poezia e Elonës asht pjesë e suksesit bashkë-kohor, ku kualiteti i saj i pamohueshëm, bujshëm ka penetru rrjetet sociale dhe faqet e internetit. Lista e këtyre mediave dhe platformave të internetit vijon si ma poshtë:

-kohajone.com - / - gazeta-nacional.com
-peshkupauje.com - / - shkodraonline.com
-poezidheproze.com - / - firstpost.com
-letteraturaalbanese.blogspot.com - / - ikub.al 
-letersia.zemrashqiptare.net - / - yllpress.com 
-de-de.facebook.com - / - networkedblogs.com
-tiranacalling.wordpress.com - / - poezia.soup.io
-gopetition - / - emigracion.weebly.com
-yourepeat.com - / - alternate-energy.net
-kombetare.al - / - tiranacalling.me
-radiandradi.com - / - frequency.com

(nga Jetmir Troshani)

 

Në vend të hyrjes / nga Elona Çuliq

Miq të mirë ndihem shumë e priviligjume dhe njikohësisht e miklume që po hapi kyt projekt intervistash virtuale propozuem nga Pjaver.  Kam hy me kambë të djathtë. Unë e mora me shumë pozitivitet e dashamirësi ftesën e Jetmirit, edhe e falenderoj jo vetëm atë, por edhe adminët e tjerë e padyshim edhe anëtarët e këtij grupi që me format e tyne të të kenunit dhe të transmetuemit të gjanave giithmonë pozitivisht, të bajnë me u ndi sikur je tamam në shpi. Nuk po e zgjas ma shumë e po them që si intervistë e parë edhe pse virtuale, kjo e ka edhe anën e vet të përgjegjësisë, e të erzllekut e uroj që t'jem nji amvise e mirë, nëse mundem me e quejtë vedin kshu.

 

 

1.

Jetmir Troshani

Cila asht poezia jote ma e preferueme Elona?

Elona Çuliq

Jetmir nëse pyetja jote i referohet një poezie të vetme, të një autori të vetëm, atëherë përgjigja jeme asht që kam shumë poezi të autorëve të ndryshëm. Edhe pse janë shumë, secila te une asht unike për vetë ndjesitë që më grric, apo gjendjen që më krijon. Por do t'përmend si poezi të miat që i du shumë, "Ky shi angelz që po bie" e Astrit Canit, "Paraputhja" e Saitit Saitit, apo "E asaj" e Klod Kojashit, "Dyshi" e Primo Shllakut, poezitë e Ada Halilaj që nuk ka nji poezitë saj që unë mos ta përvetësoj nji varg, dhe refreni i ditve të mia "Toka dhe mortja" e Cesare Pavese. Gjithsesi ka shumë, sepse çdo ditë e ka një poezi të saj, shpesh herë të pashkrume nga askush. Shtoj se ka shumë, ma shumë se kaq, por kam shkru të parët që më kanë ardh ndërmend, në momentin që kam lexu pyetjen tande.

 

2.

Gjineta Sulaj

Elona, sa ndikim ka profesioni juj si psikologe në krijimtarinë tënde artistike? Po e kunderta?

Elona Çuliq

Gjineta e konsideroj profesionin, jo vetëm të psikologes, por edhe çdo profesion tjetër, si potencial me krijue sa ma shumë kontakte me vedin, njerëzoren, me të bukuren a të shëmtuarën etj etj, e këto natyrshëm ndikojnë tek ne, sepse nga kontakti kalojmë në njohje, e kjo na zgjon stimuj e ndjesi. E për aq kohë sa ka një stimul a ndjesi të zgjueme, do të ketë një formë të caktueme të të shprehunit tonë me poezi, me pikturë, me art apo me sport a çkado tjetër. E si ndikon ana jonë artistike n’profesion (por edhe përtej profesionit)? Ndikon, biles shumë, sepse ti ke një dritë që nuk fiket kurrë mbrenda vedit.

 

3.

Arian Shpori

Elonë, a han bukë kur të merr unja, po kur ke diçka që don me e thanë a e shkrun? Sa të vërteta ka në vargjet tueja, e a shkrun me fjalë të mëdha, që njerëzit me të kuptu me fjalë të vogla. A veshesh thjeshtë kur shkruen aristokrateshe? Edhe pyetja e fundit...Sa e ke rrogën?

Elona Çuliq

Më ke ba da pyetje krejt të bukura, sidomos ajo përmbyllesja, për të cilën mundem me të thanë vetëm që nga taksimi i fundit m’asht shtue, e kshtu don me thanë bojna ma shumë për piktura, e libra ma shumë për vaktet e hes.

Kurse për pjesën e parë, mundem me thanë që kur e merr poezinë unja për mu, unë marr fjalën e filloj me gostitë vedin, por normalisht edhe ata që më lexojnë. E fjala duke kenë kashata jeme e përditshme që më mban frymën gjallë, do hysha n’gjynah me vedin po të vesha të pavërteta n’te. E me shkrue mendoj se shkruej thjeshtë, pa kapele aristokratësh që randojnë, a dorca që m’pengojnë me e prek e shiju direkt të bukurën. Të përshëndes për sensin tand të humorit.

 

 4.

Olta Dokle-Troshani

Elonë, ti ke nji buqetë të madhe me krijimtari, shumë njerëz i adhurojne vargjet e tua, shumë janë edhe ata që i citojnë përmendsh;

A e mendon/planifikon nji libër tandin me përmbledhje?!

Çka asht tu prit vargu jot për me u shpernda në fleta librit, e ky ndër ma shum dur?!

Cila asht ajo ndjenjë sunduese e vendit të parë ndër ato zgjuese të muzës tande?!

Elona Çuliq

Pyetjes tande du me iu përgjigjë me atë çka më ndodh në përditshmërinë teme, e besoj ke me m’kuptue drejt. Kam nji kolege që ka printu dy poezi të miat dhe i ka ngjit te tabela ku ajo ka gjanat e saj personale, e më beso kjo gja më ban me u gezu si një fëmijë i vogël. E me dasht me iu përgjigjë pyetjes së fundit, që prap du me iu përgjigjë me përditshmërinë teme, poezitë « Mertep » dhe « Kështjellë prej mishi » , që kam shkrue kohët e fundit, kanë lind nga bisedat me kolegët. Pra, kjo asht e bukura, se brenda meje nuk ka një muzë të statueme, sepse çdo njiri që takoj, çdo situatë, çdo stinë apo çdo gja tjetër asht një muzë në vetvete. Por po, ka një ndjenjë sunduese n’poezinë teme, e ajo asht dashnia për të vërtetën e të bukurën. Kurse për librin, e kam në plan, e kam fillue bisedimet, por unë jam prej atyne që i marr gjanat me nge, sepse du që kur të dalin një krijesë e jemja poetike, mos të ketë vetëm poezi të miat, por të ketë shumçka nga unë. E kjo don kohën e vet sigurisht.

 

5.

Leticia Gargjola

Elona pse shkruen?

Elona Çuliq

Jo ma larg se para do ditve, ma bani të njëjtën pyetje një shok. Po të nap të njëjtën përgjigje që i kam dhanë edhe atij. Une e quej poezinë, të shkrumunit pra, një rrugëtim në vetveti, në të cilin ne duhet me njoftë vedin aq sa me u ba njish me t’përshpirtshmen. Çdo njiri gjen formën e vet, pishtarin që duhet me i ba dritë gjatë këtij rrugëtimi. Dikush zgjedh fenë, dikush meditimin, dikush ban tentativa me çmenduri të tjera, për me u afrue sa ma shumë kufijve të vetes apo me e takue atë. Tesh unë shkruj pikërisht për poezinë, e cila asht njëherazi feja, meditimi e çmenduria jeme. Asht ai momenti që kur poezia vjen te unë, nuk ndi asnjë zhurmë brenda vedit, veçse paqe dhe dritë. Dhe për me iu përgjigjë edhe komentit të Arian, shkruej edhe për me kujtue, se jam harraqe e madhe, e zhurma e përditshme që bahet mbrenda nesh, kajherë ka nevojë me ia kujtue paqen e dritën.

 

6.

Azeta Cungu

A e ke mendu ndonjëherë se si do ishte bota e njeriu pa poezinë? Psh, trashëgimia shpirtërore e memoria jonë kolektive, në ç'mënyrë do ishin më të vorfna?

Elona Çuliq

Azeta faleminders për pyetjet, edhe pse më duket se anojnë ma tepër nga psikologjia. E më beso se nuk e kam mendu asnjëherë se si do të ishte bota e njeriut pa poezinë, sepse perveçse mendoj se para njeriut ishte vetë poezia, nuk mendoj asnjëherë me humbë atë çka kam apo atë ça asht. Prirem nga pozitivja gjithmonë. Kjo i përgjigjet pjesërisht edhe pyetjes për trashëgiminë shpirtnore e asaj psikike (pra pavetëdijes/memories kolektive), por këtu shtoj edhe atë, që nëse para njeriut nuk do të ishte poezia, intuita jonë për të bukurën, për t’andërren e për t’përbotshmen nuk do t’ishte, e ne s’do t’ishim vetëm t’vorfën, por të mjerë.

 

7.

Ada Halilaj

Ku e si e sheh veten, ose uron ta shifsh mas 10 vjetësh? Po poezinë?

Elona Çuliq

10 vjet për mu janë shumë, o sa shumë po më duken biles, për me e thanë itesh se ku e si kisha dashtë me e pa vedin, si nga ana profesionale apo asaj të poezisë.  Por di me të thanë që mas 10 vitesh uroj që të vazhdoj me kenë e rrethume me njerëzit që du e me vazhdu me pa lumtuni në sytë e tyne. Kurse poezinë teme, e shoh 10 vjet ma të rritun, e me siguri që kena me ndez nji qiri bashkë e kena me shprehë një dëshirë për t'ardhmen, e patjetër që uroj që me të lexue edhe ty e sukseset tueja në poezi.

 

8.

Suela Tukaj Mehmeti

Të shkruarit poezi në gegnisht (përpos që je Shkodrane) cfarë është për ty? Një zgjedhje personale apo më shumë se kaq ? Nëse do merrej si shqyrtim, apo shtrohej për diskutim rishikimi i standartit të gjuhës shqipe, cili do ishte komenti juaj në këtë rast?

Elona Çuliq

Unë kam shkru në standart, e kalimi në gegnisht më ka ardh aq natyrshëm, sa as unë s’e kam kuptu vedin, derisa ma kanë nxjerrë në pah tjerët që më lexojshin. Pra, nuk ka kenë një zgjedhje personale e vetdijshme dhe e qëllimshme, por ka ardh aq natyrshëm sa më ka surprizu edhe mu. Por për mu gegnishtja nuk asht veç dialekt, por muzikë e përshpirtshme. Komenti jem për rishikimin e standartit të gjuhës shqipe, do ishte krejt modest. Do ta shpreh mendimin në këtë formë; që nëse dona me pasë një gjuhë të vërtetë, që të jetë njish me ne, e mos të bahet pjesë e jona vetëm me anë të rregullave e normave gjuhësore, atëherë mbrenda kësaj gjuhe duhet ma shumë shpirt e muzikë, pra duhet ma shumë gegnisht.

 

9.

Pjerin Ndreka

A ke ndonji poet që t'pëlqen n'mnyrë speciale(shqiptar ose i huej) e çfarë muzike t'pëlqen?

Elona Çuliq

Pjerin nëse ka një poet që jo vetëm më pëlqen në mënyrë speciale, por që kur e lexoj them "si me e pa shkrue unë“ kaq shumë e personalizoj vargun e tij, ai asht Frederik Rreshpja nga letërsia Shqipe dhe nga të huejt Pavese, i gjithmonshmi Pavese. Ndërsa preferencës muzikore, me të dashtë me i dhane pak nuancë humori, së fundmi muzika ma e bukur e veshve të mi asht zani i nipit tem, sidomos nadje, kur me çon nga gjumi. Por kur vjen puna me kliku unë një kangë e me e dëgjue, ajo asht gjithmonë rock, jazz ose blues.

 

10.

Pjaver Kroni

1-Kur "një grumbull" vargjesh të shkruara mund të vlerësohet si Poezi (në term) ?

2-Mbi ç'kritere e vlerësoni ju si lexuese, nje krijues bashkohor, të sukseshëm si Poet(e) ?

(Këto për të ditë pak a shumë, si dhe pse vlereson krijimet dhe autorët që do japësh në vazhdim nga pytjet e miqve, dhe si propozim i një "shtegu logjik" e artistik, për tu vlerësu nga lexuesit që shkruajnë e që nuk shkruajnë)

3-Cilët janë 3-4-5 titujt e librave/veprave të shkrume (të të gjitha kohrave) që do këshilloje çdokënd, mos me lanë pa lexu(vetëm titujt)?

Elona Çuliq

Dy pyetjet e para du me i përmbledhë në një përgjigje, a mundem? Sepse kam një kriter, si për vargjet që i vlerësoj si poezi, ashtu sikur një krijues si poet të suksesshëm. E ky kriter asht paqja që më transmetohet, mesazhi i të bukurës dhe ndjesia që ka përtej se sa ato grumbuj vargjesh. Për aq kohë sa ajo çka lexoj, që po e quej poezi, për lehtësi, e kapërdij dhe e përvetësoj aq sa bahet poezia jeme, atëherë ai për mu asht krijues i suksesshëm. Ndërkohë titujt që ia kisha rekomandue gjithkujt janë: “Krim e Ndëshkim” i Dostojevskit, , “Metamorfoza” e Kafkës, “Siddharta” e Herman Hesse, novelën e “Amokut” të Cvajgut dhe padyshim “Libri i shqetësimit” të Pessoas, që mundesh me e lexue edhe në shqip tash nga perkthimi fantastik që i ka ba Astrit Cani, së fundmi.

 

11.

Gjergj Kola

Simpatia jote poetike më ka befasu ( simbas pyetjes së Jetmirit dhe përgjigjes tande mbi preferencat poetike) e para nuk i njihja autorët qi përmend ti - përveç Primos - dhe e dyta pritsha kolosët si Camaj APO Rreshpja. Pytja jeme e vetme: Çfarë randsie ka stili për ty dhe cili poet shqiptar të duket STIL ORIGJINAL.

Elona Çuliq

Më beso se ba me i lexue njato poezi që kam rendit unë, do të befasohesh edhe ti nga talenti i tyne dhe do të kuptosh edhe pse unë i kam quejt si poezitë e mia të preferume. Por padyshim qe Camaj, Migjeni, Rreshpja, Zorba, Pipa, Rozafa Shpuza, Albri Brahusha e shumë e shumë te tjerë që nuk i kam përmendë ma parë, mbeten të dashtun shumë për mu. E pyetja e stilit më pëlqen fort, por nuk e di nëse mundem me t’u përgjigjë, sepse nuk i njoh tanë poetët shqiptar që me u gjegj ndërshmërisht. Por stili ka peshë të madhe fort biles te une, sepse asht shenjë personaliteti dhe vetëdije, që nuk reflektohet vetëm në poezi, po s’pari në përditshmërinë tonë, në mënyrën se si jena, si veshena, si flasim etj.

 

12.

Ditjola Salja

Çfarë është Liria, për ty?

Kush asht admiruesi/ja jote më i/e madh/e ?!

Elona Çuliq

E dashtun kolege, më ke ba pyetjen që unë ia baj kujtëdo që takoj, "Ça asht liria“?, e po më kujton "zemërimin“ që kisha atë ditë kur nuk pata mundësi me marr edhe përgjigjen e Bernhard Scholz në takimin që kishim me të. Kurse për mu liria asht frymë, e si e tillë nuk mundem ta mbërthej në përkufizime. E përsa i përket admiruesit/es ma të madhe, po të them prap që përveç majkos që asht e sigurtë, tjerët hala s’i kam takue.

 

13.

Laura Martini

Kisha me dasht me dit sa mendon se të ndihmon psikologjia si shkencë për me njoft njerëzit që has në jetë, a ke ken gjithmonë e saktë?

Elona Çuliq

Psikologjia e ndërlidhun me intuiten të ndihmojnë me kuptue ma shumë, e kur kupton ma shumë din me fal ma shumë. E mos qofsha e saktë gjithmonë, jo vetëm në njohjen e njerëzve, por në shumë çka, se s'do të kisha luksin me thanë "u gabova", e kjo asht e trishtë.

 

14.

Astrit Fani

Ku e ka burimin e rrjedhjes poezia e juaj ?

Elona Çuliq

Përgjigjen mund ta gjesh pak a shumë te Olta e te Leticia, por shtoj këtu që burimi i poezisë asht diku në një sy të madh hyjnor që e kena n'mbrendi tonë.

 

15.

Entela Tabaku Sörman

Ma së parit urimet ma të mira për poezitë tueja të bukura. Unë kam një pyetje pak private e nuk me vjen keq nëse nuk don me iu përgjigjë. Kur isha unë e re, në Shkoder (para 100 vjeçsh) më thoshin njerëzit: burrat nuk i dojnë gratë poete, moj vajzë, ke me mbetë pa martu, ti vetëm në gjesh ndonjë si vedin. Jam kurioze, a kanë ndryshu kohët në Shkodër?

Elona Çuliq

Entela më dha buzëqeshje pyetja jote. Du me e pa pozitivisht kohën në Shkodër, e me besu se ka ndryshu për mirë. Ka të mirat e të këqijat e vet, por edhe na, njerëzit kena të mirat e të këqijat tona. E nëse ka mangësi në mendësi apo në steriotipet për poetet, femrat e bukura apo të tjerë steriotipe, them që njerezit kur takojnë gjysmën e hanës së vet dijnë me thanë edhe "të du edhe pse je poete".

 

16.

Merita Kazazi

Elonë a ke poezi të shkurta?

Elona Çuliq

Merita kujtosha se i kam të shkurta..

Merita Kazazi

Ke nji varg të fortë, dhe unë kajherë gjej ma shumë se nji në poezinë tande. E shkurta asht relative, siç asht edhe e gjata.....mvaret prej sa don me shprehë. A ke poezi me 4 - 5 rreshta? Jam kurioze me pa intensitetitn e mendimit tand.

Elona Çuliq

Tuj kenë se më duket sikur gjithmonë kam lanë diçka pa thanë a dhanë, e konsideroj poezinë teme të shkurtë.

Kam disa 5-6 vargshe, një ndër to që më kujtohet asht:

 

Ti

zbret nga qielli,

me yjet ngjitun thembrave,

shkund hapat

dhe në ikje,

 

len veç gjurmë drite.


 

 

Foto: Lori Photography (fotoja origjinale me ngjyra)

Grupi PërShkodrën (https://www.facebook.com/groups/shkodra/)

Shkodra Press

 

 

 

 

Është i qetë, i qeshur dhe gjithmonë e karakterizon mimika e tij mjaft e veçantë. Po flasim për një talent të ri të Shkodrës, nga ata talente të rrallë të cilët me të vërtet na bëjnë krenar. Nga ata talente që sjellin emocione dhe pse jo, edhe lot me interpretimet e tyre spektakolare. Po flasim për Rafael Hoxhajn, një të ri shkodran që po çudit publikun shqiptar, anë e mbanë, me interpretet e tij në një zhanër të panjohur të aktrimit këtu në Shqipëri. E shohim të dielave në “Aloha 5000” duke dhuruar “spektakël” me pantomime, zhanërit të mimikës dhe plastikës në aktrim, një zhanër aq i vështirë për t’u interpretuar. Ashtu, i qetë ,me qetësinë që e karakterizon, na thotë po, për një intërvistë për portalin tonë. Krejt spontanisht ai na jep me shumë kënaqësi plot përgjigje.

 

GAZETARI

Kush është Rafael Hoxhaj për publikun që akoma nuk e njeh? Cfarë bën dhe cfarë studion?

RAFAEL HOXHAJ

Unë jam Rafael Hoxhaj nga qyteti i Shkodrës, aktualisht 23 vjec. Për momentin nuk studioj, kam provuar të studioj jashtë shtetit, në Milano. Por planet e mia nuk shkuan ashtu siç unë desha dhe isha i detyruar të kthehesha sërish në Shkodër. Për këtë arsye nuk kam vazhduar studimet në Shqipëri. Aktualisht punoj, menaxhoj një call center dhe ndihem mirë me atë jetesë. Por njeriu kërkon gjithmonë më shumë dhe kam kuptuar që më pëlqen arti.

GAZETARI

Cilat janë ëndërrat dhe hobet e Rafaelit?

RAFAEL HOXHAJ

Pikë së pari është aktrimi, mbi të gjithe zhanëri i pantomimës. Përderisa është edhe më i panjohur në Shqipëri, është edhe më i dashur për mua. Më pëlqen të sjell gjithmonë risi, gjëra të reja. Dikur ka qenë një ëndërr futbolli, por nuk arrita të bëhesha një futbollist për shumë arsye e probleme që në Shqipërinë tonë ekzistojnë, jo vetëm për mua por edhe për shumë bashkëmoshatar të tjerë. Por zgjodha aktrimin. Në fakt lindi krejt natyrshëm dhe besoj që do të vazhdoj ta ndjek këtë ëndërr, është hobi, dëshirë, tamam ëndrra ime.

GAZETARI

Prej disa javësh iu shohim në spektaklin e së dielës në “TV Klan” në “E Diela Shqiptare” në rubrikën “Aloha 5000”. Çfarë do të thotë për ty në radhë të parë të jesh pjesë e këtij programi?

RAFAEL HOXHAJ

“Aloha 5000” filloi krejt si një lojë. Shkova me një shokun tim, Besmirin, i cili është konkurent aty. Shkuam të merrnim pjesë në një konkurim dysh, por nuk na pranuan. Na thanë që duhet të konkuronim secili për vete. Pastaj më morën në telefon, shkova bëra konkurimin dhe u pëlqye shumë ajo që unë paraqita. Më jep një emocion të paparë, është fantastike të jesh tek “E Diela Shqiptare” me një prezantues si Ardit Gjebrea. Të jesh çdo të diel aty ku është programi më i ndjekur dhe të jesh prezent çdo javë, për mua dhe për të gjithë konkurentët që janë aty janë vetëm pluse.

GAZETARI

Në “Aloha 5000” iu shohim në aktrim. Cfarë e bënë kaq të vecantë performancën tënde në pantomim?

RAFAEL HOXHAJ

Vet fakti që pantomima nuk njihet në Shqipëri, ashtu siç e lartë përmenda është e vecantë. Pantomima përfshin mimikën e fytyrës dhe elasticitetin në trup, aftësia për të sjell një gjë që një aktor i zakonshëm e sjell me gjuhë dhe me fjalë, është vështirësi se mua më duhet ta sjell me gjuhën e trupit. Dhe në qoftëse është e vështirë me gojë atëherë është e vështirë dyfish ta interpretosh me gjuhën e trupit. Kjo pasi unë çdo emocion, si pozitiv ashtu edhe negative, më duhet ta përcjell përmes pantomimës. Kështu që edhe vet krijimi i një shfaqjeje të pantomimës është definitivisht më i vështirë, që të mendosh të gjithë detajet.

GAZETARI

Kur është shfaqur tek ju ky talent? Që i vogël apo në një fazë më të mëvonshme?

RAFAEL HOXHAJ

Gjithmonë kam qenë tip shumë i lëvizshëm, kam patur një fytyrë shumë plastike. Dikur ndiqja Xhim Kerrin dhe një aktor tjetër pantomim, Marsel Marso, por nuk e dija se çfarë janë apo çfarë bëjnë. Thjeshtë e ndiqja se më pëlqente dhe dilja para pasqyrës dhe filloja të luaja me mimikat e mia plastike. Kur në shkollën e mesme në vit të dytë zysha ime kujdestare, Suela Durraj, të cilën e përshëndes shumë, ishte iniciatorja që unë të merresha me aktrim. Vuri re tek unë një talent dhe ishte shtysa ime e parë që unë të vazhdoja me pantomime, të cilën nuk e njihja si zhanër, absolutisht. Nuk e dija se si funksiononte dhe se si ishte.

GAZETARI

Jeni në skuardën e Olta Gixharit, jeni i lumtur që ajo është si me thënë, trainerja juaj?

RAFAEL HOXHAJ

Olta, që kur kam shkuar në fillim e kam patur me dëshirë të përfundoja tek skuadra e Oltës sepse ndër tre traineret aty, ajo për mendimin tim është më e duhura. Të paktën edhe për zhanerin tim, përderisa është edhe aktore me një famë jo të vogël në të gjithë Shqipërinë. Për mua është një plus të punoj me të, vetëm cfarë mund të marrë, gjëra pozitive prej saj. Kështu që ndihem shumë mirë që punoj me të. Vazhdoj të punoj me Oltën dhe më jep këshilla për të marr sa më shumë prej saj.

GAZETARI

Sa e keni ndjerë konkurencën në këtë show të rrallë talentesh?

RAFAEL HOXHAJ

Si fillim, të jem realist nuk kisha aspak frikë nga konkurenca. Shkova me një vetbesim të paparë. Thashë që unë do të jem më i miri dhe kam për të bër më të mirën. Më vonë filloi e ndryshoi gradualisht, konkurenca filloi të rritej dhe konkurenca realisht është jo pak e vështirë dhe rritet cdo javë.

GAZETARI

Cili nga konkurentët e tjerë ju frikëson më shumë dhe ndoshta i frikësoheni më shumë në finalen e madhe?

RAFAEL HOXHAJ

Besoj se konkurenti që është pretendenti kryesor është shoku im që është shkodran dhe ai, Besmir Sula. Ai ka një vullnet dhe një talent të paparë dhe në atë që ai bën në njeriun flamur, ashtu edhe në break dance. Por përvec tij unë kam përvecëse respekt, por edhe frikë profesionale nga Fabian Duro i cili është xhonkler kampion Shqipërie, kampion Ballkani dhe është në 16-shen më të mirë botërore. Është fantastik në fry style, kështu që unë e respektoj dhe e vlerësoj. Dhe pse jo, ia kam edhe frikën.

GAZETARI

Keni filluar përgatitjet për puntatën finale?

RAFAEL HOXHAJ

Akoma jam në ato idetë në ajër. Akoma nuk e di se çfarë do të bëj, mendoj pa e ditur se ku do të shkoj për momentin. Besoj se dicka do të nxjerrim në dritë deri në fund. Të paktën të shpresojmë.

GAZETARI

Si ndiheni tani në rrugët e Shkodrës kur edhe njerëzit iu njohin?

RAFAEL HOXHAJ

Është e vërtetë që njerëzit kanë filluar të më njohin (qesh). Përderisa marr pjesë tek “E Diela…”, e cila është shumë e ndjekur, sidomos këtu në Shkodër, edhe më bën çudi nganjëherë kur më shohin, qeshin, sidomos moshat pak më të vjetra. Sa mirë bëre këtë apo sa bukur e bëre atë apo edhe të fala Ardit Gjebresë, shpesh m’i thonë. Ka shumë prej tyre që më flasin dhe vërtet më vjen mirë. Është dicka e re për mua, është pozitive sidoqoftë. Të jesh i njohur për syrin e publikut shkodran është shumë kënaqësi.

GAZETARI

Çfarë do të bëni kur “Aloha 5000” të përfundoj, keni ndonjë projekt të ri të pantomimës?

RAFAEL HOXHAJ

Projekti im kryesor ka për të qenë shkolla në këtë fushë. Me këtë rast më është premtuar nga Olta dhe Arditi që do të jenë një mbështetje për mua për të vazhduar shkollën në Tiranë në Universitetin e Arteve. Ky besoj që do te jetë projekti im kryesor, në rrugën që të bëhem një profesionist dhe pastaj të kem pse jo diçka më shumë për popullin shkodran. Pikërisht një shfaqje timen në Shkodër. Sigurisht edhe më tutje në vazhdim me ëndërra të tjera brenda ëndrrës.

GAZETARI

A ishte “Aloha 5000” hapësira e duhur për të shfaqur për publikun këtë talent?

RAFAEL HOXHAJ

Nganjëherë njeriu nuk e pret por është e momentit edhe unë shkova gabimisht, krejt rastësisht dhe përfundova i zhytur aq thellë brenda këtij emisioni. Mendoj se ishte gjëja më e bukur që më ka ndodhur këto kohët e fundit. Është një vend ku unë mund të shpreh talentin pa patur frikë se çfarë bëjë. Jam krejt i lirë dhe jam i ndjekur nga shumë persona të cilëve u jap mundësi edhe të më kritikojnë por edhe të më vlerësojnë.

GAZETARI

Si ndiheni që shkodranët shfaqin cdoditë talentet e tyre dhe triumfojnë? Rasti më i fundit i Ergi Dinit që triumfoi në “X Factor”.

RAFAEL HOXHAJ

Ergin e kam parë shpesh në godinën e Klanit, nuk kam patur njohje personale por është diçka e çuditshme se shkodranët aty ku rrin, aty e bëjnë muhabetin. E shikoja që tamam është tip shkodran, që gjithë kohën ishte kryesori i tavolinës. Këndonte me atë timbrin e zërit fantastik. Unë e kisha zili dhe më vjen shumë mirë për të që fitoi. I uroj shumë suksese në karrierën e tij. Dhe pse jo, të jemi edhe unë dhe Besmiri ndjekësit e tij. Të jemi sërish fitues shkodran. Shkodranët gjithmonë kanë talent dhe janë prej atyre që ngulin këmbë për atë që duan. Duan me të vërtet të ecin përpara dhe më vjen mirë.

GAZETARI

Cili është mesazhi për të gjithë të rinjt shkodran që kanë një talent por kanë ndrojtje apo frikë që ta shfaqin?

RAFAEL HOXHAJ

Kur ka talent përse të rrish kot? Është momenti të ngrihesh prej gjumit, nuk të vjen kush mbrapa. Njeriu duhet të trokit në derë, dhe nëse nuk ta hapin, prap duhet trokitur. Është diçka që e bën për jetën tënde. Në qoftëse ajo derë të hapet dhe të lejohet të hysh brenda, domethënë që ti ke bërë një hap përpara. Kështu që në qoftëse rri dhe i lejojmë të flen talentet tona, atëherë as e ardhmja nuk do të na zgjoj neve. Askush nuk bën për ty nëse ti nuk bën për vete.

GAZETARI

Sa janë mundësitë që këta të rinj ta shfaqin talentin e tyre?

RAFAEL HOXHAJ

Mundësite janë, as unë nuk e dija që do të hapej “Aloha 5000” dhe të shkoja të shfaqja talentin tim, të bëj shfaqje cdo të diel. M’u dha mundësia dhe gjithmonë ka një mundësi për ata që kanë talent dhe që e duan suksesin.

Gazetar Sokol Dema

Shkodra Press

 

 

 

 

 

 

 

Bisedë me Leon Lekaj / grupi PërShkodrën

Sinqeriteti asht arma ma e fortë në duart e nji të ndershmi, por njerëzit nuk janë shumë zemërgjanë me të armatosunit. 

Provojeni të zhyteni në thellësitë e një lumturie të krijuar me çaste të mundimshme dhe do të shihni se nuk do të mbërrini kurrë në fundin e saj. 

Leon Lekaj

 

Leon Lekaj u lind në vitin 1955 në qytetin e Shkodrës, në një familje intelektualësh. Duke parë interesin që ai shfaqi për instrumentin e pianos, prindërit e regjistrojnë në shkollën e muzikës të qytetit. Detyrohet ta ndërpresë atë, për shkak të largimit të babës tij, Zef Lekaj  nga qyteti i Shkodrës. Në Kuçovë i nënshtrohet nji disipline muzikore, dhe n' vitin 1974 mbaron Liceun Artistik në Tiranë. Diplomohet “Mësues Muzike”, profesion të cilit nuk arrin t’i gëzohet gjatë. I ati i tij, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që prej themelimit të saj, arrestohet dhe dënohet politikisht. Deri në vitin 1991 detyrohet me ba punë të randa fizike. Punon në guroren e nji qyteze, e mandej si mekanik. Mbas ramjes së barrierave komuniste, rikthehet në vendlindje, ku prekë me dorë njenën prej andrrave të tij: të drejtën me studiue në universitetin “L. Gurakuqi“ për Gjuhë-Letërsi. Mbas diplomimit len atdheun për me emigrue në kryeqytetin helen, ku vazhdon me jetue edhe sot me familje. Asht autor i romanit “SHPIRT I BRAKTISUR”-Shtëpia Botuese Dituria-2006, si dhe monografisë "NJË ARTIST NËN PENTAGRAME TË KRYQËZUARA", Shtëpia botuese "Camaj-Pipa" botue në vitin 2008. Aktiviteti i tij publicistik dhe letrar pasqyrohet kryesisht në gazetat që botohen në kryeqytetin helen. 

Miho Gjini (kritik arti) për romanin “Shpirt i braktisur”

“...Romani i Leon Lekës, “SHPIRT i BRAKTISUR”, i ngjan pasazheve të një simfonie shpirtrash, që rilindin përmes vuajtjesh e privacionesh. Koha e trazuar e tranzicionit në lëndën thelbësore të kësaj vepre interesante përbën dramën e secilit nga ne, që e shohim aty veten si protagonist të ngjarjeve e si dëshmitar real. Dhe kur e mbyll faqen e fundit të tij, e ndjen menjëherë se kjo prozë e shkruar me një emocion të drejtpërdrejtë, e kapërcen sprovën e parë të një shkrimtari, i cili matet qysh në fillim të hyjë aty ku bregu i detit është më i thellë...”

 

Fadil Kraja (dramaturg) për romanin “Shpirt i braktisur” 

“...Kur me një frymë lexon romanin të duket se dëgjon simfoninë e pestë të Bet’hovenit. Simfoninë e fatit siç e quan edhe bota. Ta-ta-ta-ta...troket simfonia në veshin dhe shpirtin tënd...Troket fati...Po kështu troket ky fat, kjo simfoni e dhimbshme edhe në shpirtin e autorit, mbi shpirtin e heroit të romanit...Shuhen tingujt e shpirtit të tij...mbaron më së fundi dhimbja e tij, si dhimbja e tingujve të fizarmonikës së tij...Ta-ta-ta-ta... simfonia e fatit përcakton fundin e një shpirti të braktisur...”

 

Drama që influencoi jetën e L. Lekaj-t 

"Lajmin ma dha nëna. Si të mos mjaftonte ajo gjendje sendesh të përmbysura, me njerëz të huaj brenda, ajo mu afrua dhe me një fytyrë të zbehtë e të trishtuar më tha këto fjalë:

-Babanë e arrestuan sot. Akuzohet për krimin e agjitacionit dhe të propagandës kundër pushtetit popullor.

Kaq tha ime më dhe më pas unë përjetova një ngërç muskujsh të fytyrës së saj. E kuptova që nuk donte të qante. Të paktën në sytë e mi. Ato pak fjalë i shkëmbyem në hollin e vogël, ndërsa mua mu shfaq mbrëmja kur kisha parë veshin e M.T-së të bërë rrafsh me derën e apartamentit ku banoja." (Fragment nga romani)

 

Poezia e L. Lekaj-t (deri tashti e pabotueme, e ndoshta tue kenë i ftuem mes nesh do t'na thotë pse...) mbartë ndarje, rigjetje pritje, shqetsime, shpesh të nji karakteri dramatik, në nji shkrim të vëmendshëm për sa i takon sintaksës dhe figurave të stilit.

 

"E tash që m’ duhet ta besoj se nuk je ma 

s’mundem me iu largue asaj mase të langshme 

që del prej ikjes tande 

 

e çdo ditë m’i zbraz kufijtë e qenies 

tue m' lanë vetëm embrionin e trazuem 

si monokël, 

që pa pra... ndjek hapat tinzare të mortit tonë."

 

"Shall i verdh’ asht rruga 

Posht pemëve të zhveshuna 

Që qetsisht shofin vedin 

N’ pasqyra gjethesh të rrzueme"

 

Hyrje nga Leon Lekaj

Të dashtun miq të grupit PërShkodrën. Asht kënaqësi që jam mes jush, në nji grup simpatik, që mban emnin e qytetit ku jam lindë, të qytetit ku kanë marrë jetë andrrat e para, të atij vendi që edhe sot vazhdon me ushqye nji pjesë të muzës sime. Iu jam mirënjohës për gjithçka bani për qytetin tonë. Në nji interval prej pesë minuash, do t’i përgjigjem të gjithë miqve që kanë ba pyetje. Ju faleminders!

 

Stafi PërShkodrën

Çka quen Lekaj poezi?

Leon Lekaj

Drejtpeshimin tim shpirtnor, atë që rregullon raportet e botës reale me ato ireale, mjetin e vetëm që mundet me zbutë mospërfilljen tirane të ekuilibrave të thyem, në një botë, ku absurdi i rretheqarkut përgjon çdo lëvizje tande të pa llogaritur.

Asht vështirë me i vendosë kufij poezisë. Sidoqoftë e mendoj si atë që i shkon deri thellë realitetit të pafund të gjanave, ngjarjeve, fenomeneve, duke përdorë si mjet primar ndjenjën.

 

Stafi PërShkodrën

Cila asht rruga nëpër te cilën lindë e kalon poezia te L. Lekaj?

Leon Lekaj

Asht një çast hyjnor. Gadi sa asht hyjnor momenti i mbetjes shtatëzanë i nji krijese. Jam me ciklin e plotë, pra n’kjoftë se ajo grimcë kohe të ka dhurue magjinë, deri që “plazma” e lindun të shofë dritën e diellit, duhet punë, durim dhe dashuni. Shumë dashuni! Sepse kur të dalë në dritë, nuk do të jetë ma e jotja. Nji krijues kërkohet që të mbajë mbi shpatullat e veta përgjegjësi për edukimin estetik të brezit që ai jeton. Ndryshe ata që do të vijnë do ta ndëshkojnë me harresë.

 

Stafi PërShkodrën

Çka mendon Lekaj për letërsinë e realizmit socialist dhe influencën e saj?

Leon Lekaj

Në sytë e mi, ajo letërsi i përngjau një ngrehine bastarde, ku ma shumë se ata që kishin lidhje me letrat, hynin ata që kishin lidhje me pushtetin, një barake të shëmtuar, sepse u shpërba, sapo ernat e reja vërshuen në vend. Fakti që pronarëve të së keqes, iu pëlqeu me ndërtue një godinë të mbrapshtë, pa themele, në një kohë kur ato ekzistonin, madje do të thosha të bollshme, flet vetë. Influenca? Pse nuk na mjafton “njeriu i ri”? A nuk asht ai model i nji letërsie që mohoi në mënyrën ma të pa skrupull traditën. Ata, pseudoshkrimtarët e realsocit shqiptar vazhdojnë edhe sot me kenë në majën e piramidës. Mediokriteti i tyne vret! Shikojeni Shqipninë! Për nji çerek shekulli faqja e saj ka ndërrue kryekëput! Por një fëmijë edukohet tre breza ma parë se të lindë, thonë latinët. I duhet të presë kaq gjatë vendit tim? Nëse po, nji pjesë të madhe të fajit shkoni ta kërkoni atje; tek letërsia e realizmit socialist.

 

Jetmir Troshani

Duke e vlersue fort pjesmarrjen tuej në këtë kafe virtuale po vazhdoj me 4 pyetjet e mia.

1 - Çka do të thotë për një të ri mos me ken i lirë? 

2 - A e ndjeni vedin sot të lirë Z. Lekaj?

3 - A keni marrë pjesë në ndonjë konkurs letrar ma parë?

4 - Nëse miq dashamirës ta kishin kerkue, a do ta kishit pranu ftesën me ken pjesë e nji jurie të një konkursi poezie?

Leon Lekaj

1 - Ma e keqe se liria në dukje, në këtë rast mendoj se ishte autoçensura. Mendo, Jetmir, të shkuaje nji poezi apo tregim të thjeshtë, me idenë se nji ditë cerberët e dogmës do ta lexonin. Kujtoj fjalët e hetuesit të tim ati, (B. H.) pasi kishte mbyllë e dyllosë të gjitha veprat e “ndalueme”. Më tha; po erdha herë tjetër dhe gjeta në shpi ndonji gja të ndalueme, pasojat do të biem mbi ty. Kaq u desht që nana ime të ekzekutonte në turrën e druve të gjithë librat me vlerë. Çfarë donte me thanë kjo? Të ndjeje deri në shpirt britmën tande, e të shifje dorën që shtrëngonte fort gojën.

2 - Nuk asht e lehtë me u ndje i lirë, Jetmir! Personalisht lirinë e kuptoj ma tepër si nji çlirim paragjykimesh të individit, se sa liri në konceptin klasik të fjalës. Tek e para, brezit tim i takon me ba shumë. Në kuptimin tjetër janë rreth njëmbëdhjetë orë në ditë, me të cilat mbahet në kambë mbijetesa. Nuk janë pak! Për çfarë lirie mund me folë unë, nji njeri që gjithmonë ka dashtë dhe ka zbatue ligjet, që nuk i ka shkelë kurrë ato, e në fund, që akoma nuk asht çlirue plotësisht nga idea se duhet me iu mshehë policit?

3 - Jo! Edhe kur botova romanin, nji miku im i ngushtë i letrave, që jeton në Shqipni mu lut që të mos e çoja veprën në konkurs. Ngaqë e njoh, dhe ia çmoj ndershmërinë, i besova.

4 - Ju jeni grup simpatik. Unë nuk e di me saktësi se si do të funksionojë ideja juaj, megjithatë mendoj se bashkëpunimi me ju do të ishte kënaqësi.

 

Alexei Ivanovich

Z. Leka, çar ndjesie asht me pasë  babën në Lidhjen e Shkrimtarëve e mandej me u kaplue nga lufta mbrenda llojit? Sa ka ndikue kjo të liria juej, po te letërsia juej?

Leon Lekaj

Së pari unë do të kisha ba nji ndërhymje të vogël në formulimin e pyetjes suaj. Jo lufta brenda llojit, por ajo e klasave, “e kaploi” tim atë. Dhe kjo vetëm tri ditë ma parë se me dalë në pension. Pra, nuk rrezikonte kënd të llojit të vet, i cili ta luftonte, apo ta “kaplonte” siç thoni ju. Mendoj se pyetjes së parë i jam përgjigjë. Për pyetjen e dytë do të citoja një autor, ndoshta Dostojevskin, i cili thotë “më jepni nji dhimbje, t’iu jap nji vepër”. Në ç’raport asht vepra me dhimbjen, kjo asht temë që i përket lexuesit.

 

Gjineta Sulaj

Thonë, dhe personalisht e besoj, se dhimbjet e bëjnë njeriun ma të fortë. A ka domethanie për ju kjo shprehje, duke pas parasysh padrejtësitë e kohës së diktaturës që ju ka prek ju dhe familjen tuj? Sa ka ndiku kjo periudhe e juaja e errët në formimin tuj individual dhe profesional?

Leon Lekaj

Gjineta të falënderoj. Në anën praktike njerëz si unë ndjehen ma të fortë dhe ma të aftë t’i bajnë ballë jetës, ndërsa në formimin profesional ajo kohë lë gjurmë jo fort të dëshirueshme. Izolimi ynë si familje ishte total, pa të çame, prej nga mund të hynte nji rreze drite, e cila ma vonë të shndërrohej në rreze shprese. Ndoshta gjatë atyne kohnave ajo dhimbje, u ngurtësue, si magma e nji vullkani që pret stinët e reja. Kur ato mbërritën, ajo u shkri dhe prej energjisë që çliroi ai fenomen, lindën krijimet e para të lira. Unë do të përfitoj t’iu jap me lexue nji poezi.

PIANOJA

(Për ditën kur morën pianon mbas arrestimit të tim ati)

 

Pianoja nuk klithi

kur duer hamejsh

e ngritën.

Veç tingujt, si fjolla të tejdukshme

pështjelluen ajrin.

të çuditun.

prej marrëzisë njerëzore.

 

Se kish të lehtë

të përshtatej me zbritjen

nën pikëllimin e syve që ndiqnin

ikjen e heshtun pa kthim.

 

Një tel diçka tha për padrejtësinë

me za të fortë.

Tendosi muskujt e zemërimit

në shenjë proteste

dhe u vetëflijue..

Vetëm atëherë pianoja klithi

Me tingull si fillim i një rekuiemi...

Përvajshëm, 

E më la kujtim një copë shkall’ të thyeme

Që ta shifja për ditë

Kur ajo t’ më mungonte.

 

Pjaver Kroni

Së pari urime për cka Artit në përgjithësi dhe t'bukurës t'Shkodrës n'veçanti i keni dhanë e po i jepni. 

Unë shpreh shumë kënaqesi për miqësinë që bashkëndajmë, veç falenderimit që u bëtë pjesë në ketë bashkëbisedim.

1- Cfarë këshille do kishit dhanë për ata që "shkruajnë" Poezi ?

2- Cfarë këshille do kishit dhanë për ata që "lexojnë" Poezi ?

Leon Lekaj

Pjavër, të faleminders që je pjesë e bashkëbisedimit! Edhe për ata që lexojnë edhe për ata shkruajnë me thonjëza, asht e vështirë me dhanë këshilla. Në një rast (dhe ishte i fundit) tentova me ndërhy diku tek nji poezi që më ishte ba tag, por personi që kishte “shkrue” poezinë më largoi prej miqve. Ata që “lexojnë” janë të parët për me shpreh gatishmërinë me të ba komplimenta. Thjesht ngaqë në ma të shumtën e herëve, nuk marrin vesh gja.

 

Merita Berdica

A keni marrë ndonjë perceptim të qartë, se njëra nga skicat tuaja mund të bëhet pjesë e një skenari filmi?

Leon Lekaj

Me thanë të drejtën jo! Vetëm në kohën që botova romanin, mbasi e lexoi një miku im, i cili ka mbarue për regjisor më thoshte gjithmonë se e mundonte idea e nji skenari. Më thoshte (gjithmonë sipas tij) se ishte gjeniale idea e njeriut me fizarmonikë. Por le t’i vemë kambët në tokë. Sot hendeku midis dëshirës dhe mundësisë, thellohet për ditë e ma shumë.

 

Kola Herr Kola

1 - Tuj kenë me nanë toskë dhe babë gegë, pyetja rrjedh e natyrshme: standart, gegnisht apo toskërisht?

2 - Me ardhjen e demokracisë kena thanë se vjen liria e artit dhe ka me shpërthye talenti si lulevilat nëpër mure, porse shihet nji mangësi e tillë sidomos në artin e fjalës...Pse?

Leon Lekaj

1 - Personalisht mendoj se tue kenë “hibrid” posedoj ma shumë ekuilibra në këtë çështje kaq të nxehtë, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite me kenë objekt polemikash pa fund. Nuk due me përsëritë ato që janë thane me dhjetra here. Homeri shkroi në një gjuhë jonike të mbushur me eolizma. Po kështu, pasuria e dramave të Eskilit vjen në kohët tona në dialektin e Atikës. Dhe në kjoftë se kët gja do ta konkretizojmë me kushtet e vendit tone, kena me pa se shekulli i 20-të lind një letërsi të madhe, ku në njënën anë kena Fishtën, Koliqin, Migjenin, Prenushin, etj. dhe në krahun tjetër Konicën, Nolin, Poradecin, Kutelin. Patëm një “Kongres drejtshkrimi” i cili u përpoq me vra gjigandë të një krahu në favor të një krahu tjetër. Nuk mendoj se asht koha për një analizë të tillë. Due me citue një prej të mëdhenjve të letrave shqipe, Martin Camajn, i cili e përjetoi prej së largu këtë katrahurë. 

“…Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy motra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me vijue mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas nji zhvillimi normal...”

Poezia ime i takon gegnishtes. Ndërsa në prozë vazhdoj me shkruejtë në standard, thjesht ngaqë nuk mbërrij me kenë krejtësisht i vërtetë dhe i besueshëm.

2 - Shqiptarët, mbas nji stine të gjatë dhe të thatë diktature, dolën tepër të epshëm për me thanë atë çka iu mohue për shumë vite. Ideja e nji letërsie ndryshe ra në lloj-lloj duersh. Nji pjesë e atyne, vepra e të cilëve u përshkrue prej fillit të kuq të realsocit, në nji përpjekje të dështueme u përpoqën që t’i përshtaten kohërave të reja. Ata vetë nuk do të munden kurrë me dallue pemën e tyne të rritun shtrembët. Duhet dikush me iu a thanë, e deri sa askush nuk e merr përsipër këtë barrë, ata do të vazhdojnë ta ndotin letërsinë e re. Unë personalisht nuk jam me mendimin se emna të rinj nuk shfaqen në horizontin e letërsisë së re shqipe. Unë thjesht besoj se në Shqipni, mungon sistemi hierarkik i vlerave të saj.

 

Julita Agostini Mileta

Çka mundeni me na thanë ma shumë për kryeveprën e babës tuj "qingjin e vogël" ?

Pse e knume na pa msu mirë me fol e gjithashtu fëmijët tonë?

Ku asht magjia e kësaj kange?

Leon Lekaj

Të faleminders, Julita për interesimin tand! “Sekretin” e fundit të kangës “Qingji i vogël” e kam “dekonspirue” tek monografia që kam shkrue për tim atë. Asht nji kangë, e cila asht lehtësisht e kapshme për të gjitha moshat. Kjo i dedikohet thjeshtësisë. Gjithmonë kam mendue se në kjoftë se e thjeshta asht e bukur, ajo jeton gjatë. Asht nji kangë që i ka kalue të gjashtë milion shikuesit në You Tube, një shifër kjo e lakmueshme për çdo krijues të nji vendi të vogël siç jena na.

 

Amazona Hajdaraj

Sa ka ndiku jeta si emigrant në krijimtarinë tande, dhe a ke shkru ndonjëherë në gjuhën greke?

Leon Lekaj

1 - Kur dikush të vjedh shpin, e quajnë vjedhës, kurse atë që të vjedh kohën e quajnë punëdhanës. E për fat të keq, pjesa ma e madhe e tyne nuk kanë lexue kurrë ndonji libër. Janë disa tekste, qoftë në prozë apo qoftë në poezi, të cilat janë të ndikuem drejtpërsëdrejti nga jeta si emigrant. Po përpiqem që të mos bahem i mërzitshëm duke sjellë nji poezi të shkurtën.

Qytetit tim

 

Prej dritares, 

Mes dy gjetheve të nji mani të moçëm

Rrëshqet hija e Akropolit

Sy i dremitun prej shekujve.

Ia shkund degën pemës si dikur.

E mbi duer më bien pëshpërimat e ditve të blerta

Dhe motet vizatue me gurë kështjelle.

 

Lamsha të lagun

Mbështjellë prej pluhnit 

Që çohet në dhe të huej.

Vrasin pamjen mes dy gjethve.

E më flasin për ty.

2 - Tekstet e mia janë vetëm shqip, thjesht prej faktit se nuk mendoj greqisht, Amazona. Kam poezi në gjuhën greke, por ma parë ato janë të shkrueme në shqip. Edhe tani në fund të muajit që vjen, në ditët e poezisë këtu, do të recitoj një poezi. Por shqip ma parë e mandej greqisht.

 

Olta Dokle-Troshani

1 - Kur asht bregu, ma i thellë n'përditshmërinë tuej, atëher kur jetoni, apo atëher kur mbijetoni?

2 - Në kto 2 dekada demokracie, ma shumë keni jetu apo mbijetu?

3 - Po krijimtaria juej si jeton sot, e si ndjeheni ju për ktë?

Leon Lekaj

1 - E përditshmja i përket mbijetesës, e ajo i ka brigjet e thella, e gadi të pamëshirshme. As që duhet me e çue ndër mend se mundesh me gabue. Për asnjë çast! Ndryshe ndëshkimi që të pret asht i paimagjinueshëm. Asht rrënues. Kur jetoj? Më pëlqejnë udhëtimet dhe e shoh me sytë e shpirtit se si brigjet zbuten për tu shndërrue në fjalë që rrjedhin. E ndjej në frymëmarrje jetën. Por ka nji raport të zhdrejtë midis tyne. E në këtë raport fjala emigrant nuk ka peshë të vogël.

2 - Sigurisht e dyta. Mendoj që liria tek një pjesë e madhe e njerëzve si unë rriti dëshirën për një barazi ideale, por degradoi mundësinë që kjo gja të bahej realitet. Zvogëloi hapësinat e censurës politike, për të rritë atë të persekutimit ekonomik. Asht si një rregull matematik, që edhe kur ndryshohen faktorët, përfundimi mbetet po ai.

3 - Me sforcon e mbijetesës. I shoh tek mbeten stok dhe kur mendoj çastet, ato çaste magjike të cilat më dhanë kënaqësinë e krijimit, i largohem dëshpërimit.

 

Desantila Qerimaj C

1 - Cilët janë autorët tuj të preferum t'huj e shqiptar?

2 - Ça do ti kshilloshit me majtë kryesisht parasysh poetve të rinj?

Leon Lekaj

1 - Do të doja me të kujtue se letërsia jonë para viteve ’90 ishte rreptësisht e kontrollueme. Dhe kam një kujtim të hidhun. Në ditët kur tim ati i vunë prangat, lexoja Xhek Londonin, në nji nga tregimet e tija për aventurat në kërkim të arit. Dhe më habiste fakti se sa zemërdhembun ishin njerëzit me kafshët, ndërkohë që e ardhmja ime rrokullisej me shpejtësi drejt humnerës. Në ato kohë idhulli im qe O’Henri, një tregimtar amerikan i shekullit të XIX. Kujtoj diku në fund të viteve ’90 kur kam lexue” I Huaji” Të Albert Camus, e kam kuptue se brezit tim dot’i duhej nji punë kolosale për të hy në letërsinë e vërtetë. Tashti preferoj Camajn dhe Kongolin nga nga letërsia shqiptare, ndërsa nga ajo botërore më pëlqen të lexoj Ungaretti-n Quasimodo-n Buzzati-n, Kunder-ën, etj.

2 - Diku jam shprehë, Desantila: “Vepra e parë që do të kisha pasë dëshirë me pa prej nji krijuesi të ri, do të ishte lista e librave që ai ka lexue!

 

Leticia Gargjola

Poezinë/shkrimin e parë në jetën tande, edhe pse ndoshta jo të publikuem, në cfarë moshe ke kenë?

Dhe për çka asht ba fjalë në të? 

Çka të bjen në mend kur e kujton.

Leon Lekaj

Kryesisht kam kenë i prirun drejt muzikës. Kur mbeta krejt vetëm, si presioni i nji uji, që i kanë xanë grykën dhe ai kërkon me dalë diku, ndjenjat e mia shpërthyen në një fushë tjetër, në atë të letërsisë. Unë po të postoj një poezi të ruajtun ndoshta prej 35 vitesh, mbasi të parën sinqerisht nuk e kujtoj. Ajo ndoshta ka kenë shumë ma heret.

 

Onorina Jata

Të shkruarit për Ju është i/e lindur, dhunti i/e fituar apo i/e dhuruar nga jeta, apo mund edhe të mësohet?

Nëse ju më së shumti besoni se mund të jenë dy atlernativat e tjera plus talentit të lindur, dhe jeta do jua linte ju në dorë zgjedhjen për ta transmetuar artin e të shkruarit , kujt do ja mësonit apo dhuronit, këtë profesion tejet të lartësuar qysh nga prehistoria?

Leon Lekaj

Onorina fillimisht të falënderoj për prezencën. Suksesi i një krijuesi përbahet kur; talenti lind, dhurohet nga jeta dhe mësohet. Kujt do t’ia mësoja apo dhuroja? Thjesht, pa as paragjykimin ma të vogël do të isha përpjekë t’ia mësoja atij që kishte ma tepër dashuni për të. Sepse “ai” që dhuron nuk mundet me kenë tokësor, asht vetëm hyjnor.

 

Stafi PërShkodrën (Në vend të mbylljes)

Z. Leon Lekaj, ju faleminders për pasunimin e kategorisë "Bashkëbisedime" si dhe për kohën që na vutë në dispozicion. Urojmë qi kjo ekperiencë të jet nji hap përpara i bashkëpunimeve tona kundrejt iniciativave pozitive për Shkodrën.

Grupi PërShkodrën (https://www.facebook.com/groups/shkodra/)

SHKODRA PRESS

Gjovalin KOLOMBI (pjesa e parë) / Intervistë

GAZETARI

Ka kohë që nuk jeni shfaqur në mediat tona lokale, ka ndonjë arsye kjo? 

GJOVALIN KOLOMBI

Për tu shfaqur në media duhet të kesh një arsye, nuk më pëlqen shfaqjet në media për promovim personal. Sa herë jam shfaqur në media jam shfaqur për të deklaruar diçka, për të dhënë diçka të mirë ose për të dhënë ndonjë lajm. Ndërsa sot unë e prita me kënaqësi ftesën tënde.

GAZETARI

Cili është angazhimi juaj aktual në këto kohë? 

GJOVALIN KOLOMBI

Jam ende anëtar i këshillit të bashkisë në grupin e PD-së. Gjithashtu jam duke u marrë me një punë individuale, jam duke kaluar kohë me fëmijët dhe nipërit e mi, të cilëve gjatë gjithë periudhës sime 50-vjeçare nuk ju kam kushtuar vëmendje aq sa duhet, sepse gjithë kohën pothuajse ia kam kushtuar punës në çdo instutucion që unë kam punuar

GAZETARI

Tani që keni dal në pension, jeni i  mërzitur?

GJOVALIN KOLOMBI

 Jo nuk jam mërzitur, sepse çdo njeri duhet ta dij që vjen një ditë që përfundon marrëdhëniet me instutucionet shtetërore, përfundon marrëdhënien me punën në administratat shtetërore. Nuk mund të jesh gjithë jetën dhe patjetër që duhet të përgaditesh për të rifilluar një punë personale.

GAZETARI

Të kalojmë në kohët e hershme. Para se të kryenit arsimin e lartë, cili ishte pretendimi i jetës për ju? 

GJOVALIN KOLOMBI

Është shumë e rëndësishme për çdo njeri, për çdo prind që të edukoj fëmijët që në ditën e parë pas lindjes së tij. Me edukatën qytetare në rrallë të parë, me edukatën e punës, e të tjera cilësi që i duhen njeriut në jetë. Mund ta ndajmë në dy etapa, etapa e arsimit, siç i thohet sot para-Universitare dhe arsimi Universitar, atëherë nuk ishin këto terma, ishte kopshti, shkolla fillore, shkolla 7-vjeçare. Tani unë them se në gjithë këtë periudhë, megjithëse kam mbetur jetim e më ka rritur vetëm nëna, jam përpjekur me gjitha forcat dhe me shtysën e nënës sime, për të qenë një nxënës i mirë, një nxënës qoftë në mësime mirë qoftë edhe me sjelljen time. Natyrisht që unë si fëmijë, në rrugicën time nuk kam lënë gur pa lëvizur, për të kënaqur edhe egon time por edhe të shokëve të mi. Ajo që më ka mbetur në mendje dhe që duhet t’iu mbesë të gjithëve, është përvoja ime në atë që dikur quhej “Shtëpia e Pionerit” ose sot “Qendra Kulturore”, por kanë një ndryshim të madh midis tyre. Ndryshimi është këtu, që në atë kohë pavarsisht se Qendra Kulturore ishte nën frymën e Partisë, unë kam patur fatin e madh të punoj me një mjeshtër të madh, një njeri që ishte “Armik i Partisë”. Një zotëri i madh, Ndrek Pali, nga duart dhe nga mendja e të cilit unë kam përfituar disa shprehi që më kanë shërbyer më vonë. Kam marr pjesë në shumë rrethe: në rrethin e zdrukthtarisë, në rrethin e elektronikës, të muzikës, të shtypshkronjës, madje kam qenë edhe shofer me një makinë të vogël qe kishim në atë kohë. Pra dua të them që fëmija duhet të edukohet që në fillim me këto cilësi, në mënyrë që ato ti shërbejnë edhe në të ardhmen. Cfarë shohim sot? Ne e shohim ndryshe, në një këndvështrim tjetër sot, natyrisht nuk është ai që ka qenë, ka ndryshuar sepse ka ndryshuar teknika, tani baza e të gjithëve është bërë kompjuteri. Unë i bëj thirrje që këto “Qendra Kulturore” të riaktivizohen sepse janë jashtëzakonisht të vlefshme për të ardhmen e fëmijëve.

GAZETARI

Në atë periudhë, pra në periudhën e Universitetit, ndoshta edhe pak pas Universitetit, cfarë mendonit për regjimin e asaj kohe, regjimin komunist? 

GJOVALIN KOLOMBI

Ishim në shkollën e mesme, e mbaruam atë dhe si gjithë rinia edhe ne kishim dëshirat tona. Në atë kohë televizioni ka munguar, televizioni ka filluar vonë, pavarësisht se televizionet shiteshin në dyqane, ne nuk e dinim se cfarë janë. Nuk mund të shikonim asgjë, vetëm radio e cka dëgjonim nëpërmjet lajmeve. Nuk kishim ndonjë përfytyrim se cfarë bëhej jashtë, por disa këngë të ndaluara, ne i dëgjonim me shumë qefe. Cfarë mendoj unë për regjimin? As unë nuk e di se cfarë kemi menduar për regjimin, di vetëm faktin që nuk duhet të bënim ato gjëra që ishin të ndaluara, pra nuk duhet të flisnim kundër regjimit.

GAZETARI

E shihnit si pengesë në të ardhmen tuaj regjimin e asaj kohe, sikur nuk ju lejonte të bënit ato gjëra që ju donit ti bëni për të arritur synimet tuaja? 

GJOVALIN KOLOMBI

Në shkollën e mesme mu bë pengesë, deri në shkollën e mesme nuk kisha ndonjë gjë. Vazhdoja punën time, shkollë-shtëpi, shtëpi-shkollë. Në shkollën e mesme, kur erdhi koha me ikë jashtë shtetit, më dolën probleme. Unë isha nxënës i mirë dhe kam patur dëshirë dy degë shumë interesante për atë kohë, njëra ishte ajo e ndërtimit të anijeve, dhe tjetra ishte e aeronatiks, pra e ndërtimit ose e funksionimit të areoplaneve. Asnjëra nga të dyja nuk më doli sepse doli  që unë kisha dajën prift, kisha pasë edhe një dajë tjetër në burg. Unë mendoja që ata nuk e dinin këtë gjë, dhe kështu që mua më doli për matematik, nuk e prita me shumë qejf me të thënë të drejtën, nuk ishte pasioni im. E mësoja matematikën, por pasion nuk ishte, keshtu që megjithëate e mbarova shkollën dhe e vetmja gjë që përfitova ishte që nuk u mora me matematikën, por me fizikën, e cila ishte shumë më afër atyre gjërave që unë kisha mësuar me shpikjen e vijolerit, gjatë shkollës..., gjatë veprimeve të mia si fëmijë kam ndërtuar varka. 

GAZETARI

Ju keni një eksperiencë në Dukagjin, a mund të më shpjegoni pse u transferuat atje? 

GJOVALIN KOLOMBI

Ehhh eksperienca në Dukagjin. Para se të shkoja në Dukagjin duhet të të tregoj shkollën e natës sepse aty u bë pikënisja. Sapo mbarova shkollën më emëruan në shkollën e natës mësues, natyrisht që nuk e prita me shumë qejf. 

GAZETARI

Nuk e shikonit si arritje që në moshë aq të re të ishit mësues? 

GJOVALIN KOLOMBI

Jo, kishte shkolla të tjera ku mund të më caktonin, por më caktuan në shkollën e natës. Megjithatë shkova atje dhe gjeta një kolektiv të mrekullueshëm, një kolektiv të jashtëzakonshëm, me mësues, pjesa më e madhe e të cilëve kishin mbaruar shkollat perëndimore, por që në shkollën e natës ishin dërguar si një dënim për ta. Atje këta koleg ishin të jashtëzakonshëm për mua. Aty unë iu përkushtova punës me të gjitha forcat e mia për të ndërtuar një laborator fizike, të cilin e arrita, por nuk e gëzova shumë. Në një moment të caktuar, ndodhi një incident me një ikonë që një mësues kishte në shtëpinë e tij, ishte periudha pas 6 shkurtit tl 67-ës. Ajo gjë u bë sebep që unë të dilja aksioner në Dukagjin.

GAZETARI

A ishte e vështirë për ju, ishit mësuar me jetën e Shkodrës në njëfarë mënyre? 

GJOVALIN KOLOMBI

Natyrisht, Dukagjini ishte një vend... Cfarë të them unë, as sot nuk është shumë në rregull, sepse janë larguar pothuajse të gjithë njerëzit, e mira atje ishte fakti që banorët ishin të shumtë në numër, por që jetonin në një mënyrë jo shumë ndryshe nga banorët e Shkodrës, por sidoqofte ishte një vend pa toka, pa mundësi për të mbajtur diçka të gjallë në shtëpi. Siç e dini, kanë qenë ato reformat e mëdha që u hiqnin kafshët dhe iu heqnin çdo gjë njerëzve. Aty gjeta perveç shokëve të mirë, siç e thashë kishte nga ata që kishin ardhur në punë sa për numër, kishte nga ata që ishin vërtetë armiq të popullit, ishim edhe ne, rangu mesatar, që ishim aksioner. Shkolla ku kemi qenë ne, sot fatkeqsisht është e djegur, ka pasur 8 mësuesa që ishin të gjthë me arsim të lartë. Nuk ka pasur ndoshta as në Shkodër ndonjë shkollë që të kishte mësues të kësaj kategorie. Përveç shoqërisë me njerëzit, ishte një aparat kinemateografik që unë e gjeta poshtë shtratit. Ishte si aparati që unë kisha punuar në Shtëpinë e Pionerit për të shfaqur filma për fëmijë, nuk kishte gëzim më të madh për mua në ato momente. Pastaj bëra një kinema te vogel vetëm me perde dhe drite të bardhe, pastaj fillova shfaqjen e filmave në Dukagjin. 

vazhdon...

Shkodra Press

 

 

 

Page 10 of 11

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO