18 Nentor 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36


Rudi VATA/

Flasim për një eksperiencë kaq të madhe në klube të ndryshme, me të drejtë mund të lindë pyetja, ç’ju shtyu të lëvizni në kaq shumë klube europiane?

Jam larguar nga Shkodra në moshën14-vjeçare, jam larguar me qëllimin për t’u edukuar dhe për t’u rritur nga ana profesionale si futbollist. Për herë të parë u largova nga familja kur lëviza në Tiranë, ku mbarova shkollën e mesme të “Mjeshtërisë Sportive”. Kjo eksperiencë 4-vjeçare në Tiranë ka qenë shumë e rëndësishme, sepse më ka mësuar për të punuar dhe për të jetuar jashtë familjes.

Largimi në mars të ‘91-it në Francë, ishte një situatë e tillë që ishte e pamundur vazhdimësia e jetës profesionale në Shqipëri. Ishte ai moment kur kombëtarja shqiptare do shkonte të luante në Francë. Sigurisht ishte një vendim i marrë me shumë guxim, sepse ishte një situatë që do largoheshe nga vendi yt për në një vend të huaj, do ballafaqoheshe me një realitet krejt tjetër, kulturë tjetër, gjuhë tjetër e çdo gjë tjetër. Do fillohej jeta nga e para.

Duke pasur eksperiencën e parë në Francë, e cila ka qenë mjaft e vështirë dhe mjaft delikate në situata të tilla, fillimi është shumë i vështirë. Kam kaluar një periudhë të vështirë edhe nga ana fizike, sepse në një provë të parë që kam bërë me një skuadër në Le Mansh, e cila ishte një skuadër në kategorinë e dytë franceze, kam pësuar një frakturë në këmbën e djathtë gjatë stërvitjes, gjithashtu kam pasur një tërheqje të ligamenteve të jashtme.

Duke qenë një person që kisha kërkuar azilin politik, të cilin nuk e kisha fituar akoma dhe duke qenë pa sigurime sociale, lufta për mbijetesë bëhej akoma më e vështirë. Gjithsesi, kjo situatë u kalua me sukses dhe më shërbeu për eksperiencat në vazhdim.

Të ndalemi pak tek largimi për herë të parë nga Shqipëria dhe kërkimi i azilit politik, ishte diçka e paramenduar apo diçka e çastit?

Ishte një periudhë shumë e vështirë për familjen time. Në fillim të marsit të ‘91-it, vëllai im ishte larguar me peshkarexhë nga porti i Shëngjinit. Familja ime kishte një periudhë 3-javore që nuk kishte asnjë lloj komunikimi apo informacioni për vëllanë. Familja ishte në një situatë të vështirë, pasi ne ishim vetëm dy fëmijë. E shikoja dhimbjen në fytyrën e tyre, në sytë e tyre. Vendimmarrja për të qëndruar në Francë për mua ishte shumë e vështirë. Kur jam nisur nga Shqipëria në Francë, mendimet dhe ideja ime ishte që të kthehesha përsëri në Shqipëri, por në Francë mora vesh se ku ndodhej vëllai im dhe arrita të komunikoj me të, ndërkohë në atë moment mora edhe vendimin që të qëndroj në Francë, sepse ishte e vetmja mundësi që unë të fitoja lirinë dhe të rritesha nga ana profesionale. Gjithashtu e shikoja si mundësi për të realizuar një ëndërr në jetë, ëndrra ishte të luaja me një skuadër europiane.

Ju më parë thatë që kam lëvizur shumë, kam pasur eksperienca në shumë vende, por kjo ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime, sepse çdo eksperiencë ka qenë ndryshme. Kanë qenë eksperienca të vështira dhe fitimprurëse, por gjithsesi duke punuar shumë sistematikisht më kanë bërë të ndihem njeri me vlera. Nga eksperienca njeriu bëhet më i fortë dhe më i zoti.

Rudi, pak më parë përmendët eksperiencat tuaja në Francë, por dëshiroj të ndalem shkurtimisht në disa detaje se si u krijuan lidhjet me këto dy klube, Le Manshin dhe Toursin?

Në korrik të vitit ’90, në Shqipëri u hapën ambasadat, pati shumë shqiptarë që kaluan muret e ambasadave dhe kërkuan azil politik në vende të ndryshme. Në Francë, kur shkuam në vitin 1991 ka pasur shumë djem nga Tirana, të cilët ishin shokët e mi dhe që erdhën për të parë ndeshjen Francë – Shqipëri. Ishte ndihma e tyre dhe dëshira e tyre, këto krijuan mundësitë dhe lidhjet që unë të shkoja e të provohesha tek skuadra e Le Manshit.

Në Skoci keni qëndruar rreth 4 sezone, cila ishte arsyeja që lëvizët nga Franca në Skoci?

Në vitin ‘91 –‘92 nuk jam aktivizuar në ekipin kombëtar sepse nuk kisha dokumentet për të lëvizur. Në vitin ‘92 arrita të përfitoj një vizë franceze dhe në atë kohë, trajneri i kombëtares Bekush Birçe më bëri një ftesë që unë të rikthehesha në ekipin kombëtar. Pas rikthimit tim në ekipin kombëtar bëra ndeshje me Spanjën dhe më pas me Irlandën në Dublin. Ka qenë pikërisht kjo ndeshje, ku trajneri i Celtikut të asaj kohe Liam Bredi, një emër i madh i futbollit britanik dhe një lojtar i madh i skuadrave Juventus, Sampdoria e Inter në Itali, kishte ardhur për të shikuar se çfarë do prodhonte kjo ndeshje. Pas ndeshjes ai ka kërkuar që të kontaktonte direkt me mua, ka kërkuar që të më kishte në ekipin e tij Celtic Glasgow.

A ishit ju i vetmi lojtar i skuadrës kombëtare që u zgjodhët?

Po, unë isha i vetmi shqiptar.

Çfarë ju tërhoqi nga Skocia, pasi duhet theksuar se këtu keni qëndruar më shumë se në asnjë vend tjetër?

Skocia ishte një vend me mot shumë të ftohtë, por kishte njerëz shumë të dashur, mikpritës. Celtiku ishte klubi i parë britanik që kishte fituar Champions League në vitin 1967, me një histori dhe traditë të jashtëzakonshme. Mënyra e të jetuarit dhe të punuarit në këtë klub ishte tepër speciale. Mikpritja që më ka bërë ky klub dhe tifozët, ka qenë shumë e veçantë saqë vazhdon edhe sot e kësaj dite që ky klub të jetë pjesë e ndjenjave të mia të mira.

Pas gjithë këtyre eksperiencave, tani kur e mendoni, cila ka qenë më e vlefshmja për ju?

Nuk mund t’i ndash, pasi çdo eksperiencë ka qenë e vlefshme, çdo eksperiencë ka qenë ndryshe. Çdo eksperiencë më ka dhuruar momente të bukura. Gjithsesi mund të them se eksperienca më e fortë dhe ajo që më ka rritur profesionalisht ka qenë eksperienca gjermane.

Ju kanë paragjykuar ndonjëherë për faktin që jeni shqiptar?

Asnjëherë, sepse në jetë po të punosh, po të sillesh mirë, po të respektosh rregullat e jetës dhe po të jesh serioz, mendoj se të vlerësojnë dhe të trajtojnë mirë, të trajtojnë për atë që jep.

Kalojmë tek një kapitull tjetër, tek pjesa familjare. Kur u larguat nga Shqipëria, ju ishit një djalë i ri, por a menduat ndonjëherë se do krijonit familje jashtë Shqipërisë?

Asnjëherë nuk e mendoja që do krijoja familje jashtë Shqipërisë, as nuk e kam ditur se kur mund të mendoj për të krijuar një familje. Futbolli për mua ka qenë mjaft i rëndësishëm, ka qenë gjëja më e rëndësishme e jetës sime. Çdo ndjenjë e imja ka qenë e fokusuar tek futbolli. Çdo ditë kam punuar që të arrija të bëhesha një futbollist i mirë dhe të bëhesha një futbollist i kombëtares sime, por me kalimin e kohës jeta sjell momentet e veta dhe më pas çdo gjë ka ndodhur natyrshëm dhe, aspekti familjar nuk ka qenë i planifikuar në këtë mënyrë.

A mund të na rrëfeni se si u njohët me znj. nga Skocia, Ann Frances, bashkëshorten tuaj?

Ka qenë një natë fundviti, natë Krishtlindjesh. Unë kisha dalë me disa shokë të mi në një klub nate në Hamilton Palace, i cili është një ndër klubet e natës më të famshme në Skoci dhe aty ka qenë takimi ynë i parë, takim i cili është pasuar me shumë takime të tjera.

Ju shihte me një sy të çuditshëm ngaqë ju ishit shqiptar?

Atë periudhë kam qenë futbollist i Celtikut të Glasgow-t dhe po ashtu kam qenë ndër shqiptarët e vetëm në Skoci dhe sinqerisht mund të them që njerëzit nuk e kishin idenë se nga i binte Shqipëria. Në qoftë se je futbollist i Celtikut të Glasgow-t, nuk mund të mendosh se do paragjykohesh sepse je person i veçantë dhe nuk mendohet të ketë situata racizmi.

Duke qenë se ju ishit një djalë shqiptar, sa e lehtë dhe sa e vështirë ishte për ju të ndërtonit jetën me një zonjë nga Skocia, me një mentalitet krejt të ndryshëm nga Shqipëria e asokohe?

Ka ardhur çdo gjë natyrshëm, nuk mendoj se ka qenë diçka e vështirë. Nuk mendoj që kam pasur një mentalitet të atillë, apo kam menduar që mund të trajtohem si shqiptar sepse kam besuar shumë tek vlerat e mia, si profesionale ashtu edhe njerëzore. Kur sillesh mirë me njerëzit e punon mirë, atëherë edhe jeta është më e thjeshtë.

A ka qenë ndonjëherë bashkëshortja juaj në vendin tonë?

Po, ka qenë shumë herë.

Çfarë mendimi ka ajo për Shkodrën?

Shkodra i pëlqen çdokujt. Shkodranët janë shumë mikpritës. Traditat shqiptare janë të mrekullueshme, shpresoj t’i ruajmë.

Rudi, ju keni dy djem biondë me nënshtetësi britanike, si e shikojnë ata Shqipërinë? A kanë dëshirë të vijnë herë pas here në vendlindjen e babait?

Unë i sjelli çdo vit. U pëlqen shumë Shqipëria, madje ndihen më krenarë që janë shqiptarë sesa skocezë. Ata shpeshherë zihen me njëri-tjetrin se cili është më shqiptar se tjetri.

Dhe cili nga ata të dy është më shqiptari?

Atë do e vërtetojë koha, për momentin të dy kanë dëshirë të jenë shqiptarë.

Rudi Vata, a gjeni kohë që herë pas here t’u flisni atyre për Shqipërinë, për realitetin këtu, për doket, për zakonet dhe kur e bëni këtë, a jeni i sinqertë në atë që thoni, apo thoni atë që ju do dëshironit të ishte realitet këtu?

Ata kanë informacion të bollshëm për Shqipërinë, por edhe nëpërmjet historisë së babait të tyre ata arrijnë ta njohin Shqipërinë.

A keni arritur të pikasni tek ndonjëri nga ata dëshirën për të luajtur futboll, apo dëshirën për të trashëguar talentin e babait?

Të dy mundohen të luajnë, të dy kanë natyra të ndryshme, por mendoj që djali i vogël ka disa gjëra që mua më bëjnë të besoj se mund të arrijë diçka. Është më i dedikuar, është më i përqendruar dhe stërvitet sistematikisht.

A konsumoni kohë me ta duke i mësuar për futbollin?

Konsumoj shumë kohë me djemtë, por ata shkojnë edhe në skuadrat e grupmoshave në Skoci, ku kanë trajnerët e tyre të përkushtuar për t’u shpjeguar çdo gjë.

Kthehemi prapa në kohë, ku flasim mbi kandidimin tuaj për kreun e FSHF-së. Çfarë mendoni se ju penalizoi që nuk arritët të viheshit në krye të FSHF-së?

Unë kisha dëshirën që të kthehesha dhe të kontribuoja në vendin tim, të ofroja diçka ndryshe për të ndryshuar mënyrën e të punuarit, që të përmirësoja futbollin në Shqipëri; për këtë vendosa të kandidoj për postin e FSHF-së. Mua më penalizoi mungesa e vullnetit dhe e dëshirës jo të mirë të qeverisë dhe opozitës. Në momentin e parë që kam ardhur në Shqipëri kam dashur të takoj z. Berisha dhe z. Rama. Berisha e refuzoi ftesën, nuk iu përgjigj ftesës dhe menjëherë kuptova se nuk ekzistonte dëshira për të ndryshuar fytyrën e futbollit në Shqipëri.

Si e shihni nivelin e kampionatit shqiptar dhe cilat do ishin masat emergjente që ju do merrnit?

Futbolli shqiptar ka shumë probleme, probleme me dhunën, ka probleme me arbitrat, ka probleme të fiksimit të ndeshjeve, pra është një kompleks problemesh të cilat nuk zgjidhen brenda një nate. Për t’i zgjidhur këto duhen njerëz të cilët, siç e thashë edhe më sipër, duhet të kenë vullnetin dhe dëshirën për t’i ndryshuar gjërat. Sigurisht që shteti është një faktor shumë i rëndësishëm për këtë ndryshim. Nëse qeveria nuk ndërhyn për t’i ndryshuar dhe për t’i eliminuar këto probleme, futbolli shqiptar do vazhdojë të përkeqësohet.

Si një ish-futbollist i kombëtares shqiptare, a mendoni që tifozët janë mërzitur me trajnerët e huaj?

Nuk e di nëse tifozët janë mërzitur me trajnerët e huaj, por di që trajnerët e huaj nuk i kanë dhënë ndonjë gjë speciale ekipit kombëtar. Mund të them që tifozët e kombëtares, për një kohë relativisht të gjatë mund të realizojnë ëndrrën e tyre për të marrë pjesë në një format europian apo kombëtar.

 

BIOGRAFIA

U lind më 13 Shkurt 1969 në Shkodër.

1991 kërkon azil politik në Francë

Martohen me Anne Frances, skoceze

Kanë dy djem, Ruanin dhe Rokon.

1987 debutimi me Vllazninë

‘88 – ‘91 luan për Dinamon-Tiranë

‘91 – ‘92 luan për Le Manshin dhe Toursin-Francë.

‘92  – ‘96 luan me Celtic Glasgow-Skoci

‘96 – ‘98  luan me Apollon Limasol-Qipro.

‘98 – ‘99  Energjie Kutbus-Gjermani

‘01 – ‘02 LR Ahlen-Gjermani

‘02 –‘03 Tirana-Shqipëri

‘03 luan për Yokohama-Japoni

‘03 –‘04 luani për Sen Jonstone-Skoci.

241 ndeshje me klube dhe 22 gola

59 ndeshje me Kombëtaren dhe 5 gola.

 

Intervistuar nga Mirsad Sylja & Sead Cena

Shkodra Press

 

 

 

 


Namik KOPLIKU, Deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Shkodër.

Skender DRINI/

- Pas gjithë kësaj krijimtarie, si ndiheni? Ndiheni një shkrimtar i suksesshëm?

Këtë pyetje nuk duhet të ma bësh mua. A e din pse? Është vështirë ti përgjigjesh kësaj pyetjeje. Nëqoftëse suksesi matet me diapazonin e botimeve dhe të shpërndarjes, unë jam shumë i pasuksesshem. Nëqoftëse suksesi është publiciteti pompoz në television, unë jam tepër i pasuksesshëm. Nëqoftëse suksesi është lavdia e pamerituar, unë përsëri jam shumë i pasuksesshëm.

 

-    Pas gjithë kësaj krijimtarie, si ndiheni? Ndiheni një shkrimtar i suksesshëm?
Këtë pyetje nuk duhet të ma bësh mua. A e din pse? Ështeë vështirë ti përgjigjesh kësaj pyetjeje. Nëqoftëse suksesi matet me diapazonin e botimeve dhe të shpërndarjes, unë jam shumë i pasuksesshem. Nëqoftëse suksesi është publiciteti pompoz në television, unë jam tepër i pasuksesshëm. Nëqoftëse suksesi është lavdia e pamerituar, unë përsëri jam shumë i pasuksesshëm.


-    Kur shkruani, doni që libri juaj të jetë i suksesshëm, të shitet dhe të përhapet pafund?       
Nuk është ky qëllimi im, sepse ato të ashtuquajturit “bestseller” nuk janë librat më të mirë, janë thjeshtë librat më të shitur. Një pjesë e madhe e këtyre veprave që përkthehen në shqip, janë libra trotuaresh. Është një shkrimtare amerikane, të cilës për fat të mirë ia harroj emrin, e cila ka tetë libra të përkthyer në shqip. Nervozohem kur shoh vajza apo djem të ri që e kërkojnë në biblioteka këto libra. Të gjithë librat e saj janë “bestseller”.


-    A duhet të ketë një lloj organi kolegjial apo disa njerëz të caktuar që të drejtoj lexuesit drejtë veprave të mira?
Kjo nuk mund të bëhet, sepse jemi në një ekonomi tregu dhe tregu ka ligjet e veta. Ligji nuk është e vlefshmja dhe e bukura, ligji është fitimi.


-    Cfarë quani ju letërsi të mirë?
Pa mëdyshje letersia ruse. Nuk ka figura që të krahasohen me Dostojevskin, Tolstojin, Gogolin, Cehovin dhe Turgenjevin. Disa herë unë i kam kontrabalancuar me shkrimtarët e Evropës perëndimore. Vetëm Balzaku mund t’i përballoj këto shkrimtar, deri diku edhe Hugoi.  Shpesh kam pyetur vehten: “Përse këto shkrimtar rus kanë bërë letërsi te madhe?”. Sepse ato ishin banorë të një vendi që kishte kontradikta të mëdha sociale. Në Evropën perëndimore kishte vite që ishte zhdukur bujkërobëria. Në Rusi vazhdonte gleba (gleba është prona mbi tokën dhe mbi ata që punojnë tokën). Nqs pyesje atëherë një pronar latifondiste rus, “Sa hektar tokë ke?”, ai thoshte: “Kam 10 mijë shpirtëra”. Pra kishte 10 mijë muzhik (skllevër) që punonin për të.  Për ta përmbledhur, letërsi të madhe unë quaj atë letërsi, e cila shpreh në mënyrë artistike kontradiktat e kohës. 


-    A mund të bëhet letërsi e madhe nga vendet e vogla?
Vendet e vogla e kanë pak të vështirë, por nqs vendet e vogla kanë eksponantë të mëdhenj që jetojnë me ide të mëdha, mund të bëjnë letërsi të madhe. Shembulli më konkret është Migjeni.


-    Z. Ridvan Dibra (shkrimtar) ka thënë për ju:  “Ky  autor, me një fat të hidhun personal, ka vazhduar të shkruaj me sukses edhe pas viteve 90'. Skender Drini mbetet një prej rasteve tipike të autorit të pavlerësuar si duhet nga mendimi e gjykimi kritik. Kjo, sic duket, edhe pse jeton në Shkodër. Aq sa të duket sikur Shkodra e Tirana nuk janë 120 kilometër, por 1 200 kilometra larg...”  Është e vërtetë kjo gjë? Ndiheni i pavleresuar?
Pse duhet të merrem me këtë gjë? A e din ti që Mjeda nuk është i përkthyer? Dhe nuk besoj ta ketë ndjerë vehten keq.


-    Ju vjen keq qe nuk keni marrë asnjë titull nga bashkia?
Jo. Thjeshtë nuk janë kujtuar. Pse duhet të më vijë keq?!


-    A i lexoni librat e kolegëve tuaj?
Unë jam shumë seleksionues. Jo për mendjemadhësi, por nuk kam kohë të harxhoj kot. Mua as në promovime nuk më thërrasin, sepse e dijnë që nuk u shkoj. Nuk u shkoj sepse nuk mund të lavdëroj kot. Pse duhet të lavdëroj kot? E kam te vështirë të lavdëroj kot.


-    Po të heshtësh e ke të vështirë?
Nganjëherë është më e vështirë të heshtësh.


-    Cfarë mendimi keni për Zotin?
Nuk mund të shprehësh një mendim qiellorë me një gjuhë tokësore.


-    Romani juaj “Shembja e idhujve” u kthye në film një vit pas botimit.  Në atë kohë, e shihnit si arritjë këtë gjë?
Ishte një lëshim që më bëri regjimi mua. Sepse nuk kam qenë i dashur për atë regjim. Se kam thënë kurrë këtë, sepse unë nuk merrem me të kaluarën.  Filmi në krahasim me librin është më i dobët. Romainin “Shembja e idhujve” unë e kam konceptuar si triologji. Pjesa e dytë është romani “Midis dy kohëve” dhe pjesën e tretë nuk e kam shkruar akoma dhe nuk e di se si do ta shkruaj.  Di vetëm finale, të cilën po e dekonspiroj, faqja e fundit; “mësuesi i Kalcës, Naimi dhe arqipeshkvi, të dy në burg, të dy në të njëjtën qeli, të dy duke pritur pushkatimin. Arqipeshkvi i zgjat dorën Naimit dhe vdesin të kapur dorë për dore”. Akoma nuk kam vendosur të ulem dhe ta shkruaj, mbase është frika e nivelit artistik. A do jem në gjendje ta mbaj në atë nivel?


-    Si e perftyroni lexuesin tuaj?
Lexuesi im më thotë: “Ti je i vështirë! Duhet t’i kthehesh edhe njëherë librave tuaj”. Shumë ma thonë këtë gjë. Ndoshta ngaqë në librat e mi ka patjetër një rrjedhë të karakterit filozofik.


-    Kur shkruani, a mendoni për lexuesin?
Rrallë mendoj. A duhet të vij lexuesi te shkrimtari apo të shkoj shkrimtari te lexuesi?   Unë mendoj se lexuesi duhet të shkoj te shkrimtari.


-    A ka ndonjë moment kur një shkrimtar duhet të heq dorë nga shkrimi?
Kur të shoh se nuk ka më se cfarë të thojë.


-    Cfarë mendimi keni për Ismail Kadarenë? Mendoni se është shkrimtari më i mirë?
Është fatmirësi që ekziston. Duke qenë jashtë, Ismaili ka qenë një lloj ambasadori i cështjes shqiptare. Është shkrimtari më i mirë. Mendoj qe ka edhe dy apo tre shkrimtar që janë në nivele shumë të larta.

-    Ju jeni 77 vjec. Në këtë moshë, cili është raporti juaj me kompjuterin?
Revoltohem shumë kur mosha juaj i referohet internetit. Nuk është gjithcka interneti. Leximi në kompjuter është 30% - 40% më i ngadaltë se sa leximi në libër. Unë nuk mund ta vendos kompjuterin përpara librit, nuk dua ta vendos.  I referohem edhe unë ndonjëherë kompjuterit (internetit), kur dua të gjej ndonjë vendodhje apo të saktësoj ndonjë datë, por krejt tangent.


-    Po në shkrimin e librave tuaj e përdorni kompjuterin?
Po e përdori. Në atë pikë kompjuteri është një fatmirësi. Është shumë praktik dhe fiton goxha kohë.


-    Për të qenë një shkrimtar i madh, a duhet të kesh një dramë fizike apo shpirtërore, të kesh një vuajtje apo një brengë të madhe?
Kjo është pjesërisht e drejtë. Nqs shkrimtari ka një dramë brenda familjes, ajo ngacmon dhe mpreh sensibilitetin njerëzor, i cili tek shkrimtari është më i pazakontë se tek njeriu i zakonshëm. Nqs  drama është e përhershme, sensibiliteti është i përditshëm dhe bëhet bashkëvuejtes me shkrimtarin.  Sensibiliteti kthehet ne vuajtje.


-    Si e gjykoni tendencën që kemi ne (qytetarët e Shkodrës) për t’iu referuar të shkuarës sone, si një periudhe e ndritur? Por kjo mund të qëndrojë edhe në rang kombëtar. Shpesh jemi nostalgjik të tepruar.
Të mbështetesh tek arkivi nuk është keq, por ta bësh arkivin simbolin aktual të jetës tënde është shumë e gabuar. Por tani dëgjohet më rrallë kjo gjë. Sikur kemi filluar të shohim më larg, drejt së ardhmes. Ajo që mua më shqetëson është rinia.


-    Për cfarë arsyeje?
I është larguar shumë librit. Kur them libër, kam parasysh kulturën. Ndoshta rinia është bërë shumë praktike, ndoshta është bërë shumë pragmatiste. Kjo nuk është domosdoshmërit gjë e keqe, por unë nuk po shoh ndonjë shkëlqim. Natyrisht që rinia po shkollohet në masë dhe nuk është gjë e keqe. Edhe nëqoftëse shkon në shkollë  vetëm për të hapur dhe mbyllur derën e klasës, përsëri i vjen era shkollë. Është si të shkosh në tempull, edhe nëqoftëse nuk lutesh, je në tempull. Gjithsesi, energjitë dhe aspiratat e rinisë duhet të jenë më të mëdha. Këto energji duhet të kanalizohen aty ku ka nëvojë shoqëria. Unë kam parasysh të riun si intelektual.


-    Ju shqetëson fakti se cfarë mendojnë të huajt për ne(shqiptarët)?
Personalisht nuk shqetësohem. Madje jam arrogant me ta, përpara se ato të jenë arrogant me mua. Ndoshta bëj gabim.


-    A kemi se cfarë ti tregojmë një turisti të huaj që vjen në Shqipëri?
Po, kemi. Shumë modestisht, por kemi. Ndoshta për të sotshmen nuk kemi shumë për t’i treguar, por ata janë gjahtar të së kaluarës. E kaluara jone është e ndrituar aq sa është e ndrituar, pa e hipoborlizuar, pa thënë që ne kemi qenë më trimat.


-    Të jetuarit e jetës, ju ka pëlqyer gjithmonë?
Ndoshta një ndër fatkeqësitë e njeriut është që ai vjen në botë(jetë), pa dëshirën  e tij dhe pa lejen e tij. Kjo është dicka e pazgjidhshme, por është handikapi i madh që ka njeriu me vehten. Nëqoftëse ke disa ideale, jeta është e këndshme për ta jetuar. Unë i kam keto.


-    Cila nga aforizmat që keni shkruar, është me e preferuar për ju?
Tani nuk më kujtohen shumë. Po them një, e cila lidhet me aktualitetit ekonomiko - social. Varfëria për fenë është virtyt, për kapitalizmin paaftësi dhe për socializmin barazi.

 


 

 

Krijimtaria:

Letersi per Femije

Tregimet e së shtunës - tregime - 1965 
Do të luajmë pas luftës - tregime - 1967 
Tregime për botën tonë - tregime - 1967 
Kompania e katërt - roman (Botimi I '73) - 1967
Tregime të zgjedhura për fëmijë - tregime - 1977 

Tregime

Kumbimet e reja të pyjeve - 1972
Tregimet e veriut - 1977
Rruga e njeriut - 1990
I racconti del Nord ( Tregimet e Veriut)   perkthimi Pavlina Nasca, Bari , Itali, 2007 

Romane 

Shqipja e kreshtave tona (Vol.I) - 1967
Shqipja e kreshtave tona (Vol.II) - 1970
Shqipja e kreshtave tona - Prishtinë, 1970
Kënga e dritës - 1970
Njeriu gjigant - 1973
Shembja e idhujve - 1975
Midis dy kohëve - 1978
Vraje tradhtinë - 1978
Kirurgët - 1984
Bajram Curri - Biografi e letrarizuar - 1984
Tanush Martini - 1990
Ishulli i qetë - Prishtine, 1996
Shfytyrimi - EuroRilindja, 1996
Eklipsi i hënës - 1998
Kthim në vetvete - Publicistikë analitike
Shekulli i Kosovës - 2000
Përballje - 2002
Nata është grua - 2004
Korbi - shtëpia botuese "Globus R"-Tiranë, 2007
Sonambul - shtëpia botuese "Ilar" -Tiranë, 2008
Klas - 2008
Parajsa e gjenive - shtëpia botuese "Ilar" -Tiranë 2009
Planet i lodhur – 2011


                                                Intervistuar nga Sead CENA


 

 

 

 

 

Page 11 of 11

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO