21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

 

Pas zyrtarizimit të fillimit të fushatës elektorale nga KQZ, Partia Demokratike dega Shkodër, përmes një deklarate për shtyp informoi të gjithë popullin e Shkodrës se ditën e Dielë më 24 Maj në orën 19:30 bëhet hapja zyrtare e fushatës elektorale.

Lidhja Demokratike e gruas në një prononcim për mediat iu bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë duke treguar kështu mbështetjen e tyre ndaj vlerave qytetare dhe prosperitetit, me të cilin është karakterizuar Shkodra gjatë gjithë këtyre viteve.

 

Deklarata e plotë e Lidhjes së gruas Demokratike Shkodër:

"Të nderuar bashkëqytetarë të Bashkisë së re të Shkodrës, demokratë e demokrate!

Ditën e dielë, më 24 maj, në ora 19:30, jeni të ftuar të bëheni pjesë e mitingut të hapjes zyrtare të fushatës elektorale të kandidates së Partisë Demokratike për Bashkinë Shkodër, Zonjës Voltana Ademi.

Jeni të ftuar të gjithë të bëheni pjesë e këtij mitingu madhështor, duke treguar kështu mbështetjen tuaj ndaj vlerave qytetare dhe prosperitetit, me të cilin është karakterizuar Shkodra gjatë gjithë këtyre viteve.

Vëllezër e motra!

Më 24 maj, në ora 19:30, të jemi të gjithë bashkë, t'i japim edhe një herë Shkodrës dhe banorëve të kësaj Bashkie, mbështetjen që ajo meriton" - e mbyll kështu komunikatën për mediat Lidhja Demokratike e Gruas Shkodër.

Shkodra Press

Kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, znj. Voltana Ademi mori pjesë në hapjen e fushatës që Partia Demokratike bëri në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Ademi mbajti një fjalim përpara të pranishmëve, ku ndër të tjera në fjalimin e saj theksoi: "Shkodra është një qytet i madh, ditët e saj më të mira do të vijnë.  Unë kam punuar gjithmonë për Shkodrën, jo vetëm për qytetin, por kam ndihmuar në bashkërendimin e investimeve me komunat dhe monitorimin e funksionimit të tyre. Kam shansin e madh që përvojën time si Zëvendës Kryebashkiake e Shkodrës e si Prefekte qarku ta vazhdoj sërish nëpërmjet një programi tejet të detajuar për mirë-menaxhimin e administratës lokale. Unë do të jem Kryebashkiake e cila dëgjon dhe që sigurohet që qeveria është duke punuar për ju. Gjatë viteve të fundit e kemi parë Shkodrën të ndryshojë imazhin e saj me fasada, rrugë e ura të reja. Por ne duhet të bëjmë më shumë për Shkodrën e historisë e të kulturës, për Shkodrën mikpritëse e me burime të shumta natyrore, për Shkodrën e së ardhmes së familjeve tona. 

Ne duhet të bëjmë më shumë për zhvillimine zonës urbane dhe integrimin e zonave rurale, për bujqësinë, kullimin dhe vaditjen. Ne duhet të bëjmë më shumë për turizmin malor e detar e ti kushtojmë një vemendje të veçantë liqenit dhe lumenjve. Ne projektojmë dhe do të zhvillojmë Shkodrën në nivel rajonal" - u shpreh mes të tjerash Voltana Ademi.

Ndërkohë që sot ka patur një prononcim për mediat nga ana e Partisë Demokratike, dega Shkodër, e cila ka njoftuar se ditën e Dielë, dt. 24 në orën 19.30 në një miting që do mbahet në qendër të qytetit, Partia Demokratike do hapë zyrtarisht fushatën në Shkodër.

Shkodra Press

Tjetër incident elektoral. Ngjarja është regjistruar në Shkodër, ku një punonjës policie ka shtënë me pistoletë pas një konflikti me vëllanë e kandidatit demokrat për Bashkinë e Vaut të Dejës, Alfred Hila. 

Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i kandidatit për kryebashkiak. Incidenti ka ndodhur gjatë një tubimi elektoral që Hila ka pasur në Bushat. Nga raportimet mësohet se efektivi i policisë i përfshirë në këtë konflikt është shtetasi me inicialet Gjergj D. 

Kandidati për bashkinë e Vaut të Dejës Zef Hila, në një prononcim për mediat shpjegoi më tepër lidhur me ngjarjen. “Ishim në takim elektoral. Vëllai u sulmua nga inspektori i zonës, Gjergj Dodani. Ai ishte me makinë private me fenelina policie dhe i bllokoi rrugën vëllait. Dodani nxori armën, qëlloi dy herë drejt vëllait. Gjergj Dodanin e kisha denoncuar te Drejtori i Policisë së Qarkut, pasi po përfshihej në fushatë. Ngjarja ndodhi në një rrugë dytësore, para takimit të PS në këtë zonë. Vëllai po përcillte kreun e Bashkisë së Vaut të Dejës”, ka thënë Zef Hila për mediat.

Ndërkohë që pritet një reagim zyrtar nga të dyja palët për të sqaruar të plotë ngjarjen.

Shkodra Press

 

Mbledhja e sotme e Shtabit të Emergjencave për mënyrën e mbrojtjes së pyjeve sidomos në këtë prag të stinës së verës, ka nxjerrë në pah edhe një sërë problematikash të tjera. Gjatë kësaj mbledhje ajo që u diskutua më së shumti ishte mungesa e vrojtuesve për të shmangur rënien e zjarreve dhe shmangien e tyre. Kjo problematikë është mjaft prezente në Malësinë e Madhe, kështu është shprehur nënprefektja e Malësisë së Madhe Taze LOHJA.

Ndërsa drejtori i PMNZSH Zamir Sylja, kërkoi ndërhyrjen e shtetit në përmirësimin e kushteve të punës në stacionit zjarrfikës, pasi sipas tij zjarrfikësit nuk kanë as ku të mbushin ujin. Ai shtroi edhe problemin e telefonatave të rreme.

"Masat e furnizimit me ujë duhut të merren. Kemi shumë mangësi, vjet në sezonin veror kemi pasur katër raste që na është dashur t'a mbushim ujin në shatërvan që është një turp i vërtetë. Të merren masa. Edhe Malësia e Madhe ka shumë mangësi në këtë drejtim, nuk kemi ku të furnizohemi. Shkojmë dhe e marrim ujin 18km larg. Duhen marrë masa, kërkojmë ndihmë nga shteti. Po ashtu kemi edhe shumë telefonata të rreme, bëjmë dalje të kota, ne dy makina kemi në gatishmëri"- u shpreh drejtori Sylja. 

Nga ana tjetër, shefi i rendit në policinë e Shkodrës Avni Canameti, pohoi se kjo është një periudhë mjaft e vështirë për këtë intitucion, pasi burimet njerëzore janë të pakta dhe fushata elektorale po ndikon negativisht. "Burimet kryesore të policisë ju e dini si janë, të paktën në sensin e saj, gama e policiisë tani, në këtë kohë, sezoni turistik, fushata elektorale, kanabisi, zjarri. Kemi shumë për të përballuar, por policia qëndron gjithnjë në gatishmëri dhe është bashkëpunuese për të zgjidhur gjërat në kohë. I gjithë problemi është ndarja e përgjegjësive"- deklaroi Canameti.

Gjatë mbledhjes u diskutua mësë shumti problemi i zjarrfikësve, karburanti si dhe furnizimi me ujë pa harruar bumet në rrugët e qytetit, të cilët ngadalësojnë punën e zjarrfikësve.

Shkodra Press

Në vazhdim të operacioneve antikanabis në Shkodër, nga Efektivët e Komisariatit të Policisë Shkodër është ushtruar një kontroll i imtësishëm në fshatin Qerret, në vendin e quajtur "Shkallat e Qerretit", në komunën Temal, Shkodër.  

Gjatë kontrollit u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 2 parcela me gjithsej 210 rrënjë bimë narkotike Canabis Sattiva. 

Materialet i kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike", parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, ndërsa policia po punon për zbulimin dhe kapjen e autorëve.

Shkodra Press 

 

 

Kandidatja e Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkinë e Shkodrës Keti Bazhdari, ka paraqitur zyrtarisht programin e saj elektoral para publikut shkodran. Në një takim të hapur, të zhvilluar në pedonalen Kolë Idromeno, kandidatja Bazhdari iu premtoi shkodranëve një program gjithëpërfshirës, i cili sipas saj do të përmirësojë jetën e banorëve të Shkodrës dhe të gjitha rrethinave që përfshihen në bashkinë e re.

"Ne do përqendrohemi tek marketimi i Shkodrës përmes zyrave vitale turistike. Do organizojmë disa evente të përvitshme, të cilat do t'i japin Shkodrës mundësinë të promovojë vlerat e saj, historinë, traditën, artin dhe kulturën jo vetëm brenda rrethimit të bashkisë, por në Shqipëri dhe në rajon. Do ngrejmë rrjetin e muzeumeve. Do bëjmë një rikualifikim të hyrjes së Shkodrës, të kalasë dhe shesheve përreth. Do rivitalizojmë objektet historike dhe kulturore sic është teatri, galeritë, fototekat, qendrat e kulturës dhe do ndërtojmë qendrën multifunksionale të arteve. Do ngrejmë dhe kthejmë në moto të pushuesve shqiptarë dhe atyre të rajonit, turizmin malor në alpet e Shqipërisë. Do i japim fund njëherë e përgjithmonë problemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe kjo do bëhet përmes një projekti disa milionë euro në bashkëpunim me qeverinë. Ne kërkojmë që t'i japim Shkodrës një karakter dhe frymë urbane aty ku presupozohet se egziston një e tillë dhe do vazhdojmë edhe më tej. Me një të ardhme Europiane për qytetin tonë, me më shumë hapësirë për të rinjtë, më shumë hapësira të gjelbërta, me një infrastrukture turistike Europiane, me një sistem të kualifikuar urban mjedisor dhe me të gjithë suportin dhe vëmendjen jo vetëm tonën, por edhe të qeverisë për të mbështetur biznesin e vogël dhe të madh e vecanërisht agrobiznesin"- tha ndër të tjera kandidatja Bazhdari gjatë prezantimit të programit të saj për bashkinë e Shkodrës.

Gjatë prezantimit, i pranishëm në aktivitet ishte edhe zëvendës Kryeministri Niko Peleshi, i cili deklaroi se Keti Bazhdari është kandidatura e duhur për Shkodrën, pasi edhe projekti i saj është një projekt për qytetarët.

"Fushata është e vecantë këtë vit. Fushata bëhet ndëmjet dy qasjesh, dy filozofishë, fushatë ndërmjet një projekti qytetar dhe një projekti politik dhe kjo i bashkon të gjithë kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane. Këtu në Shkodër, Keti Bazhdari është modeli më i mirë dhe shembulli më i mirë sesi kjo fushatë mund, duhet dhe po kthehet në një fushatë për qytetarët. sesi kjo fushatë nuk është asgjë më pak sesa një projekt që mban parasysh sesi jeta e qytetarit meriton dhe mund të jetë më e mirë"- deklaroi zv.Kryeministri Peleshi.

Gjatë prezantimit të programit u ngritën në skenë edhe të gjithë anëtarët e grupit të punës së kandidates Bazhdari, ku prezantuan fushat e caktuara të parashikuara në program.

Shkodra Press

 

Kandidatja e djathtë për bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi prezantoi programin për shërbimet sociale nën moton “Shërbime sociale dhe dinjitoze”. Ademi premtoi se shërbimi social që do të ofrojë institucioni i bashkisë do të jetë i strukturuar dhe sa më pranë shtresave në nevojë, jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por në çdo cep të bashkisë së re. 

"Duke vlerësuar territorin, atë çfarë ekziston, çfarë është ndërtuar dhe këtu e kam fjalën jo vetëm për objektet në të cilat ofrohet shërbimi social apo shërbimi ndaj personave në nevojë, por sidomos edhe nga eksperienca, menjëherë ne do të mund të ndërtojmë dhe të vëmë në funksion të plotë në çdo rajon të Shkodrës një qendër komunitare me shërbime diverse të ndryshme specifike sipas nevojës së komunitetit dhe këtë do t'a bëjmë në bashkëpunim me të gjitha organizatat, specialistët dhe kuptohet sipas profileve do të kërkojmë një organizim, bashkëpunim, marrëveshje, përsëri për të punuar bashkë duke përdorur historinë dhe ekspertizën tuaj. Në sfidën tonë kuptohet vullneti, përgjegjësia, dëshira e mirë. Pushteti i hapur drejt qytetarëve, vizioni i hapur që ne kemi do të kërkojë përfshirjen e të gjithëve. Që do të thotë përfshirjen jo vetëm tuajën, të komuniteteve, jo vetëm për t'u dëgjuar hallet, por bashkë me ta të bëjmë më të mirën e mundur në atë çfarë mund të ofrojnë më mirë dhe ata dinë më mirë se kanë nevojë. Kuptohet që ne do të mbështesim shumë arsimimin, edukimin në shkolla. Ne do t'a bëjmë këtë një aktivitet të synuar, të vazhdueshëm, të domosdoshëm si një mundësi reale, jo vetëm për edukimin, por sidomos për integrimin e fëmijëve e të rinjve në jetën sociale të komunitetit, por edhe në punë më pas"- u shpreh kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi.

Gjatë prezantimit të këtij programi morën pjesë edhe disa nga përfaqësuesit e organizatave të ndryshme si dhe shërbimeve sociale, të cilët vlerësuan programin me synime të qarta të kandidates Ademi.

Bashkërendimi dhe harmonizimi i aktiviteteve lokale me strategjitë dhe politikat kombëtare, me institucionet nё varёsi tё pushtetit qendror, bashkitё fqinje dhe shtetet kufitare, partneritet i ngushtë me shoqёrinë civile, organizatat jo-fitimprurëse, biznesin privat dhe biznesin social nё veçanti, përmbushja e nevojave për strehim social, programi i banesave me kosto të ulët, programi i pajisjes së truallit me infrastrukturë ishin disa nga pikat kryesore ku kandidatja Voltana Ademi u përqendrua gjatë këtij prezantimi.

Shkodra Press

Sezoni turistik në Velipojë rrezikohet në mënyrën më serioze të mundshme si asnjëherë më parë. Në një mbledhje në prefekturën e Qarkut Shkodër për marrjen e masave për sezonin turistik, kryetari i Komunës Velipojë Pashko Ujka rreshtoi një sërë problematikash që lidhen qoftë me mosregjitrimin e bizneseve, mbeturinat, ndotjen akustike, ujërat e zeza dhe mungesën e qendrave shëndetësore dhe ambulancave. Kryekomunari Ujka zhvilloi një debat me drejtoren rajonale të shëndetësisë Amela Bushati duke qenë se mungon qendra shëndetësore dhe ambulanca në një kohë që sezoni turistik ka nisur.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë): ”Të qëndrojnë 200 mijë vetë pa qendër shëndetësore, kjo vetëm në Velipojë mund të ndodh. Na janë mbytur vjet kosovarët dhe jemi detyruar që kufomat t’i transportojmë me furgona. Qendra shëndetësore është jashtë përdorimit”.

Amela Bushati (drejtore rajonale e shëndetit publik): ”Edhe atë qendër shëndetësore që kemi patur janë vendosur zyrat e komunës dhe është zënë. Gjithsesi ne kemi marrë masat tona sepse kemi bërë furnizimin, janë lidhur kontratat për medikamentet. Them se do të merret me qera një ambjent dhe shërbimin do ta ofrojmë ne. Ne do kemi stafin tonë përgjegjës në Velipojë ashtu siç ka qenë edhe vitin e kaluar”.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë): “Nuk ke njeri fare në Rrjoll moj zonjë, janë 10 mijë vetë aty”.

Amela Bushati (drejtore rajonale e shëndetit publik): ”Pjesa e Rrjollit ka qenë e mbuluar nga një komitet i cili është marrë me bamirësi”.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë):“Po po, komitet kot që kanë ardhur për të ngrënë e për të pirë dhe nuk kanë bërë asgjë tjetër. A duhet ta çojmë mendjen se na ndodh një rast në Rrjoll dhe dikush mbytet atje. Si do ja bëjmë? Si do ta transportojmë kur nuk ka ambulancë e as qendër shëndetësore?”

Amela Bushati (drejtore rajonale e shëndetit publik):”Atje është një qendër shëndetësore dhe është dashur që të jetë në efiçencë dhe në fakt nuk është në efiçencë dhe kjo për fajin e komunës. Nuk ka as ujë e as energji elektrike që duhet t’i mbulojë komuna sepse personelin e sjelli unë”.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë): ”Ajo është jashtë përdorimit dhe nuk është për atë punë. Duhet një mënyrë tjetër, duhet një ambulancë medoemos. Personelin e ka, të sjellin edhe ambulncën në Rrjoll dhe mbulohet”.

Amela Bushati (drejtore rajonale e shëndetit publik): ”Po ku të qëndrojë personeli, ata nuk mund të rrijnë në çadër si refugjat. Nëse na ofroni një ambjent e sjelli unë personelin”.

Paulin Radovani (prefekt i Qarkut Shkodër): “Në gjithë atë komunë e kemi të vështirë të ndërtojmë një dhomë për një qendër shëndetësore”.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë): ”Nuk mund të ndërtojmë sepse është ndërtim pa leje, nuk dua të futem në burg”.

Paulin Radovani (prefekt i Qarkut Shkodër): “Ta marr unë përsipër po ndërtoje ti”.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë):”Unë kam nevojë që institucionet të na ndihmojnë deri me datën 10 qershor. Pas kësaj date fillojmë e lirohemi nga problemet dhe bëjmë kontrollet. Nëse ne nuk ndërhyjmë të gjithë sëbashku për ta organizu sezonin turistik duke marrë secili përgjegjësitë e tija do të na krijohen probleme. Gjithsecili nga institucionet duhet të kenë planin e punës për sezonin turistik, përndryshe do të na krijohen defekte. Këto defekte vrasin keq në opinion sepse vjet ka patur problem ambulanca dhe e kemi lënë kufomën me trupin e vdekur 4 orë në trotuar s’kishim ku ta çonim. Tursitët nuk duan të dinë a ikën apo vjen kryetari apo a ka apo jo zgjedhje. Tursitët shohin se vë Velipojë ka mbeturina, ka rrëmujë, nuk ke ku parkohesh, ka pluhura, ka zhurma natën ndërsa turizmi kërkon të vazhdojë jetën e vet normale dhe nuk ndikohet nëse ka apo zgjedhje dhe se kush fiton e kush humb. Thonë se s’kemi lek por për një natë u mbush Shkodra në flamuj”.

 

Më pas kryekomunari Ujka renditi edhe një sërë problematikash të tjera.

Pashko Ujka (kryetar i Komunës Velipojë): “QKR e kemi thirrur dhe nuk na ka ardhur. Ne i kemi njoftuar të gjithë subjektet që kanë shezllone dhe i kemi thënë që të hapin niptat dhe deri të premten të vijnë dhe të bëjnë kontratat, të paguajnë paratë dhe të përgatiten t’i vendosin secili në vendet e veta. Këta të shezlloneve nuk vijnë për të paguar paratë dhe shkojnë dhe i vendosin shezllonet pa bërë kontratë me në dhe pa paguar paratë. Kështu që duhen Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, policia e shtetit dhe policia jonë komunare”. Nëse nuk lidhen ujërat e zeza sepse i kam bërë letër edhe kryeministrit Edi Rama Velipoja nuk ka plazh. Këtu ka hyrë në mes ujësjellësi fshat. Ujësjellësi fshat s’ka kapacitete për të bërë lidhjet e dyta dhe lidhjet e dyta duhet t’i bëjnë vetë familjarët. Problemi është se a mundemi ne që të bëjmë prova që ta dijmë si funksionon”.

 

Disa prej drejtorëve të pranishëm në mbledhje i kthyen përgjigje.

Avni Canameti (nëndrejtor në policinë e Shkodrës): ”Lidhur me pretendimet që ka, kryetari i Komunës Velipojë duhet që të na bëjë kërkesë zyrtare me shkrim sepse policia e shtetit mbështet pushtetin lokal. Nuk shkon FNSH apo policia që të mbledhë taksa nepër shezllona por thjeshtë shkojmë në mbështetje të policisë komunare”.

Hysen Hysa (drejtor rajonal i tatimeve): ”Realisht QKR nuk varet tek institucioni jonë por unë i kam bërë një shkresë drejtores dhe kam komunikuar me të që të bëjë të mundur të ndërhyjë pranë Ministrisë së Financave në mënyrë që të bëhet e mundur që QKR të vazhdojë sërish me 1 qershor në Komunën Velipojë”.

Klodian Kovaçi (drejtor rajonal i mjedisit): ”Normalisht zgjidhja për mbeturinat është landfilli i Bushatit. Faktikisht kjo sjell vështirësi sepse rruga është e gjatë nga Velipoja në Bushat, mjetet në dispozicion nuk janë të shumta. Puna e vetme që mund të bëjë kryetari i komunës Velipojë është të kërkojë mjete më shumë. Mjafton të paktën një makinë që ta mbulojë këtë pjesë”.

Paulin Radovani (prefekt i Qarkut Shkodër): ”Ata që merren me zgjedhjet kanë punën e vet, ata që merren me sezonin turistik kanë punën e vet. Biles është një rrezik se duke qenë se 21 qershori është ditë e diele, duke shkuar atë ditë njerëzit në plazh ka rrezik që numri i votuesve dhe pjesëmarrja në votime të jetë e ulët. Policia duhet që të marrë masa për sezonin turistik ashtu si gjithë drejtoritë e tjerë. Po të funksionojë siç duhet nuk mblidhemi fare dhe secili bën punën e vet sepse merr rrogën për atë punë por duke qenë se shumë gjëra nuk bëhen duhet të mblidhemi këtu”.

Pavarësisht këtyre debateve pas kësaj mbledhje është shumë e qartë se edhe pse sezoni turistik në Velipojë ka nisur ka shumë probleme që nuk dihet se si do t’i jepet një zgjidhje duke vënë kështu në rrezik sezonin dhe duke ndikuar drejtpërdrejtë që numri i turistëve këtë vit të pësojë një rënie.

Senad Nikshiqi

Shkodra Press

Policia e Shkodrës ka asgjesuar 2320 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sattiva, ku 850 prej tyre ishin mbjellë në kubik.

Në vendin e quajtur Terti, në pyllin e fshatin Mazrek, në Shkodër, u gjetën të kultivuara dhe u asgjesuan 9 parcela të kultivuara me gjithësej 820 rrënjë bimë narkotike Canabis Sattiva.

Po ashtu nga puna e një tjetër grupi efektivësh të Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të imtësishëm  në pyllin e  fshatit  Plan, të komunës Pult, në Shkodër, u gjetën dhe u asgjesuan 2 parcela të kultivuara me  650 rrënjë  bimë narkotike, si dhe 850 kubikë me fidanë Canabis Sattiva.

U bë asgjesimi i këtyre bimëve në vend me anë të djegies ku një pjesë e tyre u mor në cilësinë e provës materiale.

Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO