“Sporti i futbollit do të jetë në vëmendjen time për të shkuar drejt asaj që ne kemi premtuar.” – kështu është shprehur kryetarja e Bashkisë Shkodër dhe njëkohësisht presidentja e klubit Vllaznia, Voltana Ademi. Këtë deklaratë për mediat lokale Ademi e dha në 10-vjetorin e krijimit të ekipit të futbollit të femrave, Juban Danja.
E pranishme në këtë përvjetor, kryetarja Ademi foli për situatën e vështirë që po kalon ekipi i Vllaznisë. Ajo u shpreh se për të ngritur sportin e futbollit nuk duhet vetëm ta mbështetësh financiarisht, por edhe t’u japësh mundësinë njerëzve që dinë të bëjnë punën. Ndër të tjera, Ademi tha se duhet të bëjmë shumë kujdes në çdo hap që do të hedhim në të mirë të sportit dhe të sportdashësve.
“Skuadra e Vllaznisë nuk ka qenë mirë përgjatë gjithë këtyre viteve të fundit dhe nuk dua të ndalem vetëm te sporti i futbollit, por edhe te shumësportëshi. Për ta ngritur në lartësinë e duhur duhet shumë punë, ta ngresh do të thotë jo vetëm ta financosh. Ju e dini që ta mbështesësh sportin do të thotë jo vetëm ta mbështetësh financiarisht, por t’u japësh mundësinë të punojnë njerëzve që dinë të bëjnë punën apo atyre që kanë vullnet pozitiv dhe nuk duhet ta përdorin, por të japin nga vetja e tyre. Kjo na ka munguar gjatë këtyre viteve dhe këtë e them me sinqeritet. Kështu ka qenë në jetën e shkodranëve dhe të atyre që e duan këtë skuadër, të tifozëve dhe prandaj duhet pasur shumë kujdes. Duhet të bëjmë shumë kujdes në çdo hap që do të hedhim në të mirë të sportit dhe të sportdashësve. Sporti i futbollit do të jetë në vëmendjen time për të shkuar drejt asaj që ne kemi premtuar. Kuptohet me një partneritet të mirëvlerësuar, financiarisht të besuar dhe transparent. Unë mendoj se kjo na ka munguar dhe do ta realizojmë sa më shpejt të jetë e mundur.” – u shpreh Voltana Ademi.
Kryetarja e re e Bashkisë Shkodër nuk ka preferuar të flasë për ofertat në drejtim të Vllaznisë nga biznesmeni koreano-jugor apo donatori Julian Morina. Në këtë mënyrë, ekipi i Vllaznisë pritet të administrohet nga Bashkia Shkodër edhe për këtë sezon.
DENIS BAJRAKTARI
Shkodra Press