15 Dhjetor 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Ngjarja / Zija Vukaj

 

Tregim /

Është e vështirë të kuptohet sot rëndësia e specave të parë në fillimin e stinës së verës, lumturia e atyre që arrinin t’i gjenin e t’i blinin të parët për t’i mbushur e për t’i çuar në furrën e lagjes, nga ku pritej me padurim ardhja e tavës së pjekur në sofrën e shtëpisë. E vështirë, sepse kufirin mes stinëve dhe magjinë e specave e ka zhdukur zhvillimi teknologjik. Specat dhe të tjera i ke në çdo stinë furrat e lagjes nuk kanë pse të ekzistojnë... e ... të tjera.

Më ka mbetur në mendje ajo ditë e nxehtë e korrikut të vitit 198... tek po prisja në këmbë, i fundit në radhë, për të kryer një pagesë çadre plazhi, kur u shfaq te bërryli i rrugicës, ku bashkoheshin edhe tri rrugica të tjera, një lloj kryqëzimi në formë Y-je, një djalë rreth dymbëdhjetë vjeç, me ca sy të vegjël dinakë dhe një strehë flokësh si furçë. Mbante në duar një tavë specash të mbushur dhe po kthehej nga furra. Hapat e tij ishin të nxituar dhe herë pas here lëvizte duart mbi anët e tavës që digjte. Tava duhej të qe tmerrësisht e nxehtë, sepse befas, për një çast i iku nga duart dhe i ra përmbys në tokë, çuditërisht pingul, pa dalë asnjë spec jashtë perimetrit të saj. Tashmë shihej vetëm një tepsi e përmbysur dhe nuk kuptohej në kishte a s’kishte gjë brenda. I shfaqte botës vetëm kurrizin e saj të nxirë. Djali në fillim fërkoi duart, si të përjetonte çlirimin nga një ferr. Më pas fytyra i mori një pamje të dëshpëruar, u mendua një çast dhe nisi të rrotullonte shikimin në hapësirën e asaj situate pa rrugëdalje. Befas fytyra iu ndriçua nga një shkreptimë ideje. Hodhi shikimin drejt ca dritareve të vjetra të katit të dytë të shtëpisë që kishte ngjitur. Lëshoi një thirrje. Nuk u përgjigj askush. Thirri disa herë. Prapë hiç. Mori një guralec dhe gjuajti në kapakët e drunjtë. Doli një fytyrë gruaje me një vështrim kërcënues. Dha e mori me gruan me gjeste e fjalë. Isha larg. Fjalët s’i dëgjoja; shihja vetëm gjestet e djalit. Bashkonte duart në shenjë lutjeje e pendimi. Largonte dorën e djathtë dhe e përkulte shuplakën në shenjën e lopatës. U morën vesh. Gruaja mbylli dritaren dhe pas pak u shfaq në derën e katit të parë me një nga ato lugët e rrafshëta me vrima dhe me bisht të gjatë, që përdorin kuzhinierët, ia dha djalit dhe iku. Djali mori instrumentin në dorë. Dhe bashkë me instrumentin edhe situatën. Shikoi një herë majtas e djathtas duke kontrolluar me sy grykat e rrugicave dhe vendin përreth. U ul galiç dhe filloi punën. Ngriti me kujdes tavën dhe e ktheu në pozicionin normal bri grumbullit rrethor të specave. Vendosi me lugën e rrafshët specin e parë duke e sjellë nga e mbara dhe vazhdoi. Mund të kishte shkuar te i treti a i katërti, kur pak hapa më tej po vinte një çift pleqsh. Djali tashmë ishte i përqendruar dhe as nuk i bëri përshtypje ardhja e tyre, por ata u ndalën dhe po kundronin me kërshëri. Plaka zevzeke seç i tha, por ai s’i ktheu përgjigje. Ajo e nguci përsëri dhe ky solli kokën e siç duket iu përgjigj keq, sepse plaka ngrysi vetullat dhe iu gërmush me gjeste e fjalë, nga të cilat më kapi veshi fjalët “haram”, “shejtan”, “i pahair”, që mjaftuan për të prishur qetësinë e asaj rruge të shkretë. Kaq u desh. Dritaret përreth u mbushën me koka njerëzish. Ca zbritën për ta shijuar ngjarjen nga afër dhe menjëherë u formua një grup i vogël njerëzish, që për një lagje të shkretë është i mjaftueshëm për të ngjallur kureshtje. Bëhet magnet, shumohet si orteku, që nis nga rrokullisja e një cope bore dhe vjen e merr përmasa të paparashikueshme. Ai shesh i vogël dhe grykat e rrugicave u gjallëruan me fytyra kureshtarësh që gëlonin togje- togje për të shuar kureshtjen, për të mësuar se ç’po ndodhte. E ndoqa deri vonë djalin në lëvizjet e tij të kujdesshme për të plotësuar vendet vakant të specave në tavë, krejt indiferent ndaj kureshtjes së turmës, i rrëmbyer nga aroma e këndshme dhe vigjilent ndaj copave të vogla të dheut e të gurëve të rrugës, që shpesh i frynte, deri sa sigurohej tek i vendoste siç kishin qenë. Më pas nuk arrita ta shihja më, sepse aty u bë miting. Nga të gjithë cepat e atij kryqëzimi në formë Y-je vraponin me etje njerëz të tjerë, pyesnin “ç’ka ndodhur” dhe rraseshin në turmë. Shumë syresh kalonin para këmbëve të mia, më pyesnin “ç’ka ndodhur” dhe, duke qenë se nuk dija t’u jepja shpjegim apo nga frika se shpjegimi im nuk do ta shuante etjen e tyre, ngrija supet. Atëherë iknin të pakënaqur prej meje dhe zhyteshin në turmë, për ta shumuar e për ta bërë atë më të dendur dhe për të mësuar të vërtetën me forcat e veta. Natyrisht që djalin nuk arrija ta shihja më. Kishte humbur mes spektaklit të vet dhe s’kishte nga të dilte fort shpejt. Kishte akoma shumë kureshtje të tjera për të shuar. Turma e kishte vështirë të shpërndahej. Edhe kur e mësonin se ç’kishte ndodhur, i kapte kureshtja tjetër, që kishte lidhje me raportin mes rëndësisë së ngjarjes dhe numrit të madh të spektatorëve. Por harronin që secili prej tyre kishte dhënë kontributin e vet në krijimin e atij tubimi dhe secilit i dukeshin të gjithë budallenj.

Duke u larguar me hap të ngadaltë po mendoja, jo aq për turmën, që tashmë e njihja, sepse edhe unë isha pjesë e saj, por për djalin zevzek e pragmatist. M’u fanit në mendje kuzhina modeste dhe sofra e shtruar që priste tavën. Njerëzit e shtëpisë të ulur përreth me një ndjenjë padurimi e mërzitjeje deri në shqetësim nga vonesa e djalit. Dhe më në fund, trokitjet e hapave të djalit në dërrasat e korridorit, shfaqja e tij në derë dhe vendosja e tavës në sofër. Aty mund të ketë filluar një kapitull i ri me qortime e pastaj me kërcitje guralecësh nëpër dhëmbë apo (më pëlqen të mendoj) se është mbyllur çdo kapitull falë aromës së këndshme të specave dhe forcës çudibërëse të urisë.

 

Shkodra Press

 

 

 

Lexuar 9883 here

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO