22 Korrik 2017
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Zija Vukaj / 

Koncepti Weltliteratur, që do të thotë letërsi botërore, është neologjizmi më i rëndësishëm i Gëtes si letrar në periudhën e vonë të krijimtarisë së tij. “Letërsi botërore”, për Gëten nuk do të thotë zgjerim sasior i konceptit të letërsisë, por krijimi i panteonit të veprave të mëdha, si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit, pavarësisht nga gjuha në të cilën janë shkruar apo vendi a kultura nga kanë ardhur. Sipas Gëtes, ka vetëm një krijimtari letrare, ajo e vërteta. Ky vizion madhështor i një mendjeje gjeniale krijoi premisa të shumta për ta përgatitur njeriun për takimin me “tjetrin”, me “të huajën”, “të panjohurën”, duke hequr mundësinë e paragjykimit apo të përjashtimit. Për herë të parë në mënyrë kaq të fuqishme dhe serioze në historinë e mendimit evropian ekzistenca e Lindjes dhe e Perëndimit, si kultura, nuk konsiderohej si luftë qytetërimesh, por si integrim dhe gjithëpërfshirje kulturore, duke pranuar gjuhën, kulturën religjionin e tjetrit, larg ngujimit në kullën e integralizmit. Herët, pa i mbushur të njëzetat, aty nga vitet ‘60 e ‘70 të shekullit XVIII, në kohën e Sturm und Drang, ai nisi të njihte kulturën arabe, të lexonte Kuranin dhe sidomos poetin e famshëm të lindjes Shemsudin Hafizin, të cilin e quajti “vëllai im binjak”. Në epopenë më të famshme lirike “Divani perëndimor- lindor” Gëte shprehet:

“Ndërmjet dy botëve përmes mendimit/ Të kalamendem pranoj me dëshirë/ E pra, mes Lindjes dhe Perëndimit/ Paprerë të lëvizësh qenka më mirë.”

Dhe jemi aty nga viti 1816, kur Gëte i konsolidon dhe i rrezaton me sukses idetë e tij kozmopolite, që shprehen në respektin e vlerave universale që ka krijuar njeriu kudo qoftë. Duke i menduar këto gjëra, lind pyetja: Mos vallë njerëzimi ka bërë njëfarë evolucioni invers? Apo mos vallë individë që kanë aksese të mëdha në transmetime dhe amplifikime opinionesh dhe idesh nuk janë në fakt përfaqësuesit e vërtetë të ideve, por thjesht të keqkuptuar me ose pa dashje? Nuk më bën përshtypje opinion i ca njerëzve të vegjël, të paditur e mjeranë deri në pafajësi, që trumbetojnë idenë e përplasjes së qytetërimeve, por kur dëgjojmë të qarkullojnë në trurin dhe mendjen e disa personaliteteve që mbahen si poseduesit e të vërtetave absolute, kjo kthehet në shqetësim dhe prapë lindin pyetje të tjera: Si nuk arrijnë të kuptojnë atë që e ka kuptuar me kohë një i ditur i shekullit XVIII dhe i ka bërë ta kuptojnë edhe bashëkohësit e tij? Ndërroi kombësi Gëte, pse adhuroi kulturën e kombit tjetër? Ndërroi religjion, pse vlerësoi librin e shenjtë të një feje tjetër? Ndërtoi heterodoksi, pse i këndoi Profetit islam? Asnjëra nuk ndodhi, por ai fitoi dimensione të jashtëzakonshme si gjerman, si evropian, si i krishterë i devotshëm dhe më i ndriçuari dhe së fundi, si qytetar i gjithë botës.

 

Shkodra Press

Ledi Golemi Lacej  /  

 

Domosdoshmeria për arsim dhe aftësim profesional dhe cilësor

Arsimi dhe aftësimi profesional luan një rol qendror për një ekonomi të përgjegjshme. Të gjithë ata që do të përbëjnë ekonominë e së nesërmes janë sot në shkollë, ajo se çfarë arsimimi do t'u japë atyre, do të pasqyrohet në ekonominë tonë. 

Duhet kujtuar çdo herë që demokracia dhe ekonomia nuk trashëgohen ,por ato mësohen dhe adaptohen nga brezi në brez.

Të gjithë ata që do të jenë të punësuar nesër, kanë nevojë për një bazë të qëndrueshme, në mënyrë që ata të jenë vetë ndryshimi, të cilin jemi të interesuar ta shohim. 

Nuk duhet harruar se filozofia ekonomike domosdoshmërisht duhet të lidhet me arsimim, për të qenë në hap më kërkesat e tregut të punës dhe plotësuar ato, duke krijuar çdo herë kuadro adekuate për to. Rol të rëndësishëm në këtë ndërlidhje ka aftësimi në ndërmarrësi, kreativiteti ekonomik, përgjegjësia individuale, aftësia për marrjen e vendimeve, përvetësimi i njohurive, azhurnimi i njohurive të fituara sipas ndryshimeve të tregut dhe fitimi i pavarësisë nga arritja e kompetencave.

Në gjithë këtë situatë të krijuar në arsimin dhe aftësimin profesional ,është nevojë e domosdoshme ndërmarrja e veprimeve konkrete që e rrisin rëndësinë e arsimit profesional, apo thënë ndryshe e rrisin përkushtimin për zhvillimin ekonomik, pasi ky arsimim është drejtpërdrejt i lidhur me ekonominë. Në lidhje me këtë është e nevojshme ndryshimi i qasjeve të mësimit praktik, duke marrë njohuritë e nevojshme, duke i kombinuar me shkathtësitë e nevojshme, të cilat së bashku krijojnë kompetencën për të qenë në gjendje për të vepruar në tregun e punës.

Përparësitë  e arsimit të bazuar në njohuri, shkathtësi dhe kompetencë

Trekëndëshi për një arsimim të suksesshëm domosdoshmërisht duhet të përfshijë në vete kombinimin e njohurive, fitimin e shkathtësive dhe arritjen e kompetencës, të cilat pa dyshim  iu japin punëmarrësve dhe ndërmarrësve të ardhshëm aftësi, sjellje dhe njohuri qenësisht më të thella personale në kuadër të aftësimit dhe arsimit të tyre drejt ekonomisë.

Arsim i Suksesshem

Përparësitë e shkollave profesionale

Duke i kombinuar të tri komponentet kyçe (njohuri, shkathtësi, kompetencë), duke patur për bazë nxënësin në qendër, duke i realizuar në mënyrë atraktive mësimore, krijohen parakushte për suksesin e shkollimit të nxënësve nëpër shkollat profesionale, duke i përgatitur ata për nevojat e tregut të punës.

Kjo është një përgjigje ndaj ekonomisë, në kërkesat e shumta për mësimin e orientuar në praktikë, pas arsimimit  të zgjeruar të punëmarrësve të ardhshëm përtej kufijve të shtetit, pas përmirësimit të njohurive të gjuhëve të huaja dhe pas përfshirjes së teknologjisë më të re përmes telekomunikimit në procesin e arsimit dhe aftësimit profesional.

Mësimi i orientuar në praktikë mund ta ndryshojë situatën në shkollat profesionale, si dhe hapësirën mësimore dhe sociale të shkollës. Shkolla bëhet VEND NË TË CILIN MËSOHEN DHE ZBATOHEN  aftësitë sociale në raport me të tjerët dhe aftësitë profesionale për të kryer  punët e kërkuara në tregun e punës.

Mësimi i orientuar në praktikë, duke rritur njohuritë dhe shkathtësitë mund të shërbejë si pikë kyçe në mes të shkollës dhe ambientit që e rrethon atë, e në veçanti ekonomisë.

Përparësitë për bizneset

Arsimi dhe aftësimi profesional, i bazuar në ngritjen e shkathtësive praktike, rritjen e njohurive në favor të zhvillimit të shkathtësive për të fituar kompetencën adekuate, është një përgatitje e mirë për tregun e punës.  Nëpërmjet arsimimit të tillë arrihet shkurtimi i kohës së trajnimit/aftësimit të punëmarrësve të rinj dhe zvogëlimi i kostos së përgatitjes për punë të punëmarrësve, pasi jemi të vetëdijshëm që në të shumtën e rasteve nëpër kompanitë tona, pas pranimit në punë të stafit të ri, ata investojnë edhe për një periudhë shtesë të panevojshme si rezultat i mos fitimit të kompetencave adekuate në arsimimin e ndjekur deri në atë pikë.

Përparësi  e qartë është kuptimi i procedurave të punës, funksionimin e bizneseve në lidhje me zhvillimin e njohurive dhe shkathtësive në ndërmarrësi, duke përkrahur fleksibilitetin më të lartë në lirinë e të vepruarit të pavarur.

Përparësitë e ekonomisë me mësim të orientuar në praktikë

Organizimi i punës praktike në bizneset përkatëse, fitimi i njohurive të aplikueshme në praktikë çojnë në fitimin e kompetencave të kërkueshme në tregun e punës, të cilat përveç të tjerash ndikojnë në formimin e të menduarit si ndërmarrës, e cila atyre iu ndihmon  në themelimin e një ndërmarrjeje, në të njëjtën kohë ul edhe rrezikun e mbetjes pa punë pas përfundimit të shkollimit adekuat. Të qenit i suksesshëm në ndërmarrje në ekoniminë e tregut kërkon ndërmarrës dhe punëmarrës të aftësuar, fleksibël e të motivuar për punën që bëjnë dhe ata kanë mundësi të veprojnë konform ndryshimeve të shpejta në teknologji dhe shoqërisë në përgjithësisë.

Përveç kompetencave profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional janë të nevojshme që të zhvillohen edhe kompetencat e formimit te pergjithshem të nxënësve, të cilat janë në shërbim të njohjes  së dallimeve sociale, kulturore etj. Ky përmirësim i cilësisë mund të arrihet nëpërmjet arsimit dhe aftësimit profesional të bazuar në fitimin e kompetencave konform rezultateve mësimore te formimit te pergjithshem te nevojshme per kompletimin e të rinjve dhe pergatitjen e tyre optimale per tregun e punës.

Arsimi Profesional është çelësi për zbutjen e ndjeshme të papunësisë!

Shkodra Press

 

Evans Drishti  /  

Jo shumë larg në kohë, vetëm pak ditë më parë, po lexoja një shkrim me një titull intrigues “Zakone të harruara” Një kureshtje e momentit më bëri të lija punën që kisha në dorë dhe të lexoja shkrimin në fjalë. Mes shumë gjërash, që për hir të së vërtetës s’mund të them se s’më lanë pa fjalë, u ndala për pak çaste tek një tregues shumë domethënës: 

Thuhej në atë shkrim se në kohët e mëparshme ekzistonin kafenetë e zonës së banimit dhe kur njerëzit mblidheshin, në krye të grupit qëndronte patjetër një njeri i dishëm i kohës dhe i vendit, i cili trajtonte bashkë me të pranishmit tema aktuale dhe jetike, në mënyrë që njerëzit të përfitonin nga ai vetë dhe ambienti ku ndodheshin. 

Shumë herë na ndodh t’I kthehemi me hapa të shpejtë historisë së kaluar, e kështu më ndodhi edhe mua  në atë çast, duke sjellë në mëndje dy aspekte panoramike, të vite e viteve më parë me atë të së sotmes. Për çfarë mblidheshin atëherë e për çfarë mblidhemi sot!?

Në përpjekje të krijimit të një paralelizmi me botëkuptimin e sotëm mbi themelin dhe emëruesin e përbashkët të zgjidhjes së problematikave, siç është “edukimi”, në prirje të kërkimit të rrugëve që na çojnë në përqafimin sa më dinjitoz të kësaj arme të pashmangshme të individit, vëmë re se ngelemi përherë në një përplasje konceptuale dhe rrethanore, pasi sa herë që kërkojmë shkaqet e mungesës së një mbarëvajtjeje sociale dhe shoqërore, menjëherë shtegun e gjejmë tek edukimi, por kur vjen puna të hedhim një hap më tutje drejt këtij edukimi, këtu shoqëria jonë çalon. 

Prej vitesh po fajësojmë brezin e ri dhe kohën që na ka mbërritur në derë, thujase si një dhuratë e padëshirueshme. Një shprehje profetike na ndriçon mëndjen tonë duke na thënë: “Edukojeni fëminë njëzet vite para se të vijë në jetë” dhe teksa i hyjmë paksa në detaje për ta kuptuar, arrijmë në një konkluzion të qartë dhe të kuptueshëm: ”Pıkësëparı duhet të edukojmë veten tonë, që të mbërrıjmë të edukojmë sa më mırë edhe fëmıjët tanë”

Le të kuptojmë së bashku një realitet:

“U ngrit si çdo ditë, dhe nisi të bëhej gati, e në çdo veprim që bënte celularin s’e hiqte nga dora. Çfarë dëgjonte? Mos pandehni se po përsëriste ndonjë temë mësimore?! Zhgënjeheni rëndë! Dëgjonte muzikë! Në një farë mënyre ajo e qetësonte, pasi e priste një ditë e ngarkuar në shkollë. … 

Orët s’dinin të kalonin ashtu siç dëshironte, pasi rutina e mësimeve dhe e përballjeve me mësuesit nuk njihte asnjëherë ndryshim. Mungonte një dorë inkurajuese që ta nxirrte nga ajo gërmadhë ku kish rënë prej kohësh, e ndërsa në fillimet e tij kish shfaqur shenja të shumë aftësish, tashmë dukej se ky prush kish nisur të shuhej ngadalë. Nuk e dinte nëse do pyetej sot në orët e mësimit, por shpresonte që edhe kjo ditë të kalonte ashtu pa u aktivizuar. Ndërkaq dita kishte sjellur edhe tema të reja, që vështirë ti kuptonte, pasi vëmendje ishte shpërqëndruar keqazi. 

Rutina e përditshmërisë e dërgoi pas mësimit tek kafeneja e përhershme, ku do kalonte “pak çaste lumturie” dhe çlodhjeje njëkohësisht. Dëshironte të kuptohej, të dëgjohej nga dikush, të ndante dëshirat e pasionet rinore më dikë, i cili nuk ishte kusht të ishte edhe mosha e tij. Pranë iu afruan dy miq të zakonshëm, që nuk ishin të rangut të dëshiruar, e që nxisnin përherë në veprime të tepruara adoloshence. Dhe më pas sjellje të pakontrolluara… 

Ora kaloi dhe iu vu rrugës për në shtëpi ku do hante drekën dhe ku do ulej pakëz të pushonte, siç duket nga ajo lodhje e ditës. Një heshtje në shtëpi… Koha për pushim… Sërish kaloi ora… U ngrit të merrej tashmë me “detyrat e shtëpisë” pasi kështu qe udhëzuar vazhdimisht. Librat i qenë mërzitur akoma pa filluar. Donte të kishte pranë një dorë mbështetjeje që ta fuste në atë botë. S’e gjente dot. Shtëpia qe bosh. Prindërit kishin dalur në kafene, krenar që kushtet në shtëpi qenë plotësuar më së miri dhe se tashmë fëmija i tyre qe rritur dhe mëson ashtu siç duhet. I mbështjellur nga një mërzitje e çastit shfletonte fletët e librave pa asnjë qëllim në vetvete. Pasi nuk arrinte të kuptonte asgjë. Veprime të shkuijdesura të shoqëruara me një lloj inati të pakuptimtë. 

Darka afroi… 

Në kuzhinë prindërit qenë ulur pranë televizorit duke parë lajmet e ditës e duke përpëlitur me njëri-tjetrin mbi ngjarjet e kohës, por ata kishin harruar se m’u në mesin e tyre kishin një ngjarje shumë herë më të rëndësishme se ato që shihnin dita - ditës nëpër lajme. Kishin një fëmijë që kish nevojë për përkrahjen e tyre. Ata nuk e kuptonin, apo më mirë të themi silleshin sikur s’e kuptonin, pasi ata e kishin kaluar atë moshë, megjithëse krejtësisht ndryshe…

Pas shumë ditësh afroi edhe dita e “takimit me prindër”, ku njëri nga ata do shkonte në shkollën e fëmijës të informohej për rezultatet. Situata e padëshirueshme shoqëruar me reflektime aspak pozitive. Në fund të gjithë vihen në kërkim të “fajtorit”!

Prindërit as që duan ta besojnë që problemi qëndron tek ata vetë. Pasi sado të mundohen ta justifikojnë përpjekjen e tyre “madhore” me mundësimin e kushteve sa më të mira dhe të favorshme në shtëpi, ata nuk duan ta kuptojnë se ka diçka që mungon. Ajo që mungon është ambienti edukativ në shtëpi. Sa herë jemi ulur me fëmijët tanë të shohim nga afër librat që ata mësojnë në shkollë? Sa herë i kemi marrë në dorë ato libra t’i shfletojmë dhe të shohim në ç’rang vështirësie janë dhe sa të kuptueshëm janë për fëmijët? Kam bindjen dhe përshtypjen se janë shumë të paktë ato familjarë që ulen bashkarisht me fëmijët e tyre, pavarësisht moshës, të studiojnë librat që ofron shkolla, e mbi të gjitha problemet që has fëmija në proçesin e edukimit. 

E ndërkohë, të mos anashkalojmë edhe një tjetër prirje të prindërve të sotëm, të cilët me dëshirën e madhe të plotësimit të boshllëqeve që ka fëmija, nuk ngurojnë aspak ta ngarkojnë edhe më shumë duke e përfshirë në kurse të ndryshme, si për gjuhë të huaj ashtu edhe për lendët e zakonshme si matematika, letërsia etj. Kjo zgjidhje është për ata që e kanë mundësinë ekonomike të realizojnë një objektiv të tillë. Po ata që s’e kanë mundësinë si duhet të veprojnë? 

Interesimi i prindërve në aspektin e sigurimit të ushqimit dhe veshmbathjes është mëse i dukshëm, por kemi harruar se fëmija kalon çdo ditë proçese të ndryshme edukimi, proçese të cilat padyshim kërkojnë mbështetjen e madhe të familjes në të cilën rritet dhe edukohet. Nuk duhet harruar se ambient i shkollës shumë herë ngelet i pamjaftueshëm në plotësimin e këtij proçesi jetik. E për rrjedhojë, sërish mbetet familja vatra qëndrore e dhënies së kësaj dijeje dhe e plotësimit sa më mirë të këtij proçesi. 

Ta provojmë të ulemi me fëmijët tanë, të çfarëdo lloj moshe qofshin, t’i shfletojmë së bashku materialet mësimore dhe edukative që kanë, të përpiqemi t’i kuptojmë edhe ne si prindër që të kuptojmë njëkohësisht edhe vizionin dhe botëkuptimin që fiton fëmija ynë në ambientin e shkollës, në mënyrë që të gjejmë edhe drejtimin e duhur të këtij edukimi. Mëndja e fëmijës është përherë e brishtë dhe kërkon gjithmonë një dorë përkrahje dhe orientimi të qartë për të zgjidhur vështirësitë e çastit. Mund të mos na vijë matematika apo letërsia, mund mos ta kuptojmë biologjinë apo shkencat e tjera, por për diçka të jemi të sigurtë, e kemi për detyrë të ulemi me fëmijët tanë dhe t’u qëndrojmë pranë. Sikur asgjë të mos kuptojmë mjafton vetëm prania jonë dhe kjo do ia lehtësonte sado pak vështirësinë e momentin. 

Nga ana tjetër, hasemi edhe me një problematikë që sa herë e diskutojmë nuk duam të dalim aty ku duhet, pasi na vret ndërgjegjen tonë. Harrojmë se në krijiminm e kushteve edukative në shtëpi nuk mjafton vetëm te ketë një komoditet dhoma me të gjitha orenditë më të fundit, përkundrazi ajo që e nxit dhe i jep një frymëzim individit në rrugën e edukimit është edhe leximi në ambientet tona familjare, që për hir të së vërtetës tek ne mungon. Nuk shohim prindër të ulen në familje dhe të lexojnë diçka, qoftë kjo një revistë, gazetë apo “larg qoftë” një libër. Prindërit tanë preferojnë më mirë ta kalojnë kohën e tyre “të vyer” nëpër kafenetë e vendit duke lodhur psikologjinë e tyre me trishtimet e ditës dhe ajo që është më e keqja duke u përpjekur t’u japin zgjidhje problemeve të të tjerëve. 

Është detyrë e secilit prej nesh sot të kuptojmë ndryshimet psikologjike dhe sociale që kalon fëmija ynë në mjegullnajën e kohës. Koha nuk është një gurë që e merr dhe e gjuan tutje pa asnjë qëllim, përkundrazi është baza qëndrore e formimit të secilit prej nesh, pasi jemi mëse të vetëdijshëm që s’mund të kthehemi pas të rimarrim ato që lamë apo na ikën prej duarsh. Kështu është edhe edukimi. Fëmija është në kërkim të një formimi, ku çdo çast është i detyruar të kuptojë atë që i ofrohet, qoftë nga shkolla, nga familja e për më tepër nga rrethanat dhe kushte brenda të cilave jeton. Fëmija është i detyruar të kuptojë që të arrijë në shkallët e duhura të jetës. E nëse duam që fëmijën ta bëjmë mjek, inxhinier, arkitekt, mësues apo edhe zotërues të një zanati, le t’i japim mundësinë ti kuptojë gjërat ashtu siç duhet, dhe kjo s’ka dyshim që kalon nga të qënurit një prind kërkues ndaj vetvetes. 

Mos vallë vetëm kjo është rrugëzgjidhja! Padyshim që jo! … Çdo gjë sipas radhës!... 

 Zija Vukaj / 

Pa u futur shumë në histori, të gjithë e dinë se PS-ja e Shkodrës e ka filluar jetën e saj në ilegalitet, de fakto, si e paligjshme; gjë të cilën me gjithë dy dekadat e gjysmë të jetës së saj, po e vuan edhe sot dhe ka për ta vuajtur gjatë. Kjo i ka shkaqet thellë në historinë e qytetit të Shkodrës, një qytet me një përqendrim kulturor thuajse absolut për vendin tonë para diktaturës komuniste. I pari në të gjitha artet; i pari në tregti; i pari dhe më i rafinuari në fushën e religjioneve dhe në objektet e kultit. Si i tillë, ky qytet u pa nga diktatura komuniste me frikë, ankth dhe xhelozi kulturore. Një qytet që doemos duhej mbajtur nën fre. Përndryshe, graviteti i tij bëhej i pakontrollueshëm. Dhe rrjedhimisht represioni ndaj njerëzve dhe institucioneve të këtij qyteti ishte më intensiv se gjetiu. Jo rastësisht në Shkodër ka ekzistuar i vetmi muze ateist në botë dhe përndjekja më e egër e mendimtarëve të lirë, klerikëve dhe e tregtarëve; e plot fakte të tjera. Kësisoj, alergjia e qytetit të Shkodrës ndaj komunizmit dhe gjithë terminologjisë që lidhej me të si, i majtë, socializëm, socialist, diktaturë, barazi, centralizëm, kooperativë, ateizëm, entuziazëm, njeri i ri etj., etj., është krejt e justifikuar. Dhe ndërtimi i një gogoli komunist ka qenë më i lehtë se kudo tjetër dhe ka funksionuar më shumë se kudo tjetër. Dhe arkitektët djallëzorë të këtij gogoli, të suksesshëm në manipulimin e turmës, kanë ditur dhe kanë mundur ta krijojnë deri në perfeksion. Prandaj edhe Partia socialiste u identifikua nga arkitektët e gogolit komunist që në fillimet e saj me komunizmin; identifikim që funksionon edhe sot. Nga ana tjetër, dalja nga ilegaliteti (në se pretendojmë se është realizuar); edhe sot është vetëm institucionale, por jo morale (për moralin e turmave), sepse anëtarësimi në një parti të majtë, për opinionin e manipuluar të shumicës së Shkodrës vazhdon të jetë një mëkat i ligjshëm, por i pafalshëm. Kjo është klima, për hir të së vërtetës. Shkak për këtë ka qenë edhe një mendësi që e kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot dhe që më kujton shprehjen e paraluftës së ftohtë: “Terrorit të bardhë t’i përgjigjemi me terror të kuq”. Kështu PS e Shkodrës filloi të guxonte, pas shumë kohësh, të dilte në rrugë si diçka e ligjshme nga kontributi i tipave të fortë, gjë që krijoi heronj popullorë me jetëgjatësi të shkurtër, por me efekte negative të gjata e të rënda, duke mbivlerësuar deri në fetish rolin e ca individëve pa asnjë gjeneralitet kulturor as konseguencë ideore apo kuntribut politik konstant, thjesht dhe vetëm si homologët e të fortëve të palës kundërshtare. Një reminishencë atavike mesjetare e vendosur gabimisht në kohët moderne. Idile kalorësiake. Folklor. Ndokush mund të më thotë se politika nuk ka nevojë për njerëz me kulturë dhe me profile intelektuale. Është vetëm punë muskujsh. I bie që politika qenka hamallëk i njerëzve të fuqishëm. Po atëherë, si ka mundësi që ky “hamallëk” të përcaktojë edhe fatet e intelektualëve dhe të gjithë superstrukturës. Ky gabim i viteve të para u projektua në përmasa gjigande në ditët e sotme; kur shohim përbërjen e parlamentit dhe të këshillave të pushtetit vendor. Pra u krijua oligarkia e rrugës dhe pushteti i malavitës nga ku zor se mund të dilet më. Duke kërkuar ndihmën dhe duke pranuar shërbimin e të fortëve, ne të gjithë kemi humbur lirinë tonë personale dhe aq më tepër identitetin politik e madje edhe kombëtar. Ç’do të ndodhë me PS-në e Shkodrës në shtator a tetor a kurdo. Ka për të ardhur dikush nga lart, ka për të mbledhur ca “struktura” nga poshtë (që kanë durimin të shkojnë e të dëgjojnë thagmat e tyre), ka për të emëruar ata që i mbushin mendjen dhe i plotësojnë ekzigjencat personale dikujt dhe ka për të bërë një perpetuum mobile të radhës. Sepse këtu tek ne, jo vetëm nuk ekziston, por nuk është shpikur akoma mekanizmi i përzgjedhjes. Shembulli më qesharak dhe banal ishte rasti i listës së këshilltarëve. Aq skandaloze ishte lista, sa askush nga ata që e kishin gatuar nuk mori guximin t’ua lexonte socialistëve, me gjithë këmbënguljen e pandërprerë. Dhe socialistët e vërtetë shkodranë, njerëz të respektuar e me kontribute dhe ideale u demotivuan dhe sot ndihen të shpërndarë e të braktisur pa derman. Por edhe mjaft të çuditur e të indinjuar deri në fyerje që kontributet, fatet e tyre politike dhe energjitë e derdhura ndër vite i administrojnë ca shtegtarë politikë. Kjo u pa në zgjedhjet e fundit. Krerët e lartë të politikës së majtë kishin krijuar iluzionin se në Shkodër zgjedhjet do të fitoheshin vetvetiu. Madje u tha se këto nuk janë zgjedhje politike, por administrative. Një koncept që nuk e kam kuptuar as atëherë kur u tha dhe as sot e kësaj dite. Me demek, një lloj diplomacie për t’iu drejtuar të gjithë qytetarëve e me këtë rast për t’iu kthyer mendjen edhe të djathtëve të linin partinë e tyre e të votonin për ne.(??!!) U lakua deri në neveri shprehja “shoqëri civile”. Një togfjalësh që për realitetin e sotëm nuk do të thotë asgjë, kurse për fatet e zgjedhjeve tona do të thotë injorim i anëtarëve dhe i strukturave të partisë. Partia u pa me përçmim, përbuzje, prepotencë dhe fodullëk. Anëtarët e stafit elektoral mburreshin e bënin gara se kush është më i depolitizuar, duke ironizuar ekzistencën e partisë dhe duke u çuditur, në snobizmin e tyre civil, se si ka mundësi të ketë në kohët tona moderne akoma anëtarë partie. Vetëm atje vonë, në segmentin e fundit të kohës së fushatës krerët e lartë filluan ta ndjenin se u dashka edhe partia me strukturat e saj. Mirëpo ishte vonë. Donkishotizmi e kishte bërë punën e vet. Ishte e vështirë të mblidheshin me bindje e shpresë njerëzit e injoruar e të lënë në harresë. Dhe amatorizmi dha rezultatet e veta. Rezultate që pasqyrohen sot në përqindjen që kemi në këshillin bashkiak. Nga 51 anëtarë që ka këshilli, vetëm 9 janë të listës së partisë dhe nuk e di sa prej tyre janë socialistë. Qesharake, për të mos thënë skandaloze. Ata që kanë marrë poste të larta dhe atribute e pushtet nga vullnetet e ndrydhura të anëtarëve të thjeshtë të partisë, nga parlamenti e poshtë, i kanë shkëputur lidhjet me bazën dhe kujtojnë se pushteti që kanë u ka zbritur nga qielli. Por ata duhet të dinë një gjë: Pika më e fortë dhe gjithashtu, pika më e dobët që kanë partitë, është fakti se ato janë bashkime vullnetare. Kur bashkohen vullnetet dhe idealet apo interesat, kur njerëzve me kontribut u dëgjohet fjala, kur nuk trajtohen si numra, si turmë, si objekte, por si subjekte, bashkimi vullnetar bëhet çelësi i suksesit; vetitë personale të njerëzve njihen dhe vlerësohen dhe mekanizmi i përzgjedhjes dhe i përfaqësimit lind vetvetiu dhe funksionon perfekt. Në të kundërt, bashkimi vullnetar, bëhet gjëja më e brishtë dhe që prishet më lehtë, duke marrë me vete individë e struktura virtuale dhe reale dhe duke e kthyer PS jo vetëm në një forcë të tretë politike, por larg qoftë, duke e bërë inekzistente. Unë nuk e kuptoj se si brenda një strukture me vullnete të përbashkëta dhe të drejta të barabarta të emërohet kryetari dhe jo të zgjidhet. Fundja, sa i zgjedhur realisht është ai që emëron? Nga i vjen gjithë ai iluminim dhe pushtet hyjnor kushdo qoftë ai që përcakton fatin dhe vlerat e individëve dhe të grupeve politike? Veç në qoftë mëkëmbësi i Zotit mbi tokë. Edhe mund të jetë. Por atëherë jemi në monarki apo në fushën leksikore të teologjisë. Sa vlejmë unë e ti e të gjithë bashkë, e di vetëm AI. Dhe e di më mirë se ne. Dhe vendos për fatet dhe vlerat tona.

Por fundja, do të shërohet ndonjëherë kjo lëngatë e gjatë e PS-së Shkodër? Unë e kam të vështirë ta besoj. Sepse, kush do ta shërojë? Ata që e kanë shkaktuar vetë lëngatën? Kush tjetër? Anëtarët e braktisur dhe të përbuzur apo intelektualët që me të drejtë i largohen politikës si djalli temjanit, sepse u mungojnë muskujt dhe kanë shikim e shije të holla dhe fare pak kohë për të humbur. Ndokush mund të më quajë pesimist. Në fakt, jam një ish- optimist me përvojë.

 

Shkodra Press

Page 1 of 17

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO