21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Nga Romeo GURAKUQI / 

Drejtimi i Duhur i Vertete: Pune, Dinjitet, Liri, Pluralizem, Bashkejetese qytetare nen ligj dhe rend, intelektualizem dhe drejtim i kualifikuar, projekte zhvillimore; Shkodra eshte nje rajon udhekryq dhe pjese e nje territori ne marredhenie me Bregdetin Adriatik: nga Velipoja drejt Shengjinit, drejt Ulqinit permes Bunes dhe drejt Zetes e Ultesires se Podgorices permes Liqenit te Shkodres; drejt Kosoves ne drejtimin Gjakove, nga Lugina e Drinit, permes Qafes Prushit dhe Qafes Morines; zhvillim i rrugeve te brendshme te lidhjes nderkrahinore, me Malesine e Dukagjinit (Pult, Shosh, Shale, Nikaj Mertur), Malesine Madhe; zhvillim i turizmit, thithje te investimeve te drejteperdrejta, me aplikim ne BE, pa pase nevoje me i marre lejen Atij qe na ka kercenue, ne dhe gjithe Shqiperine ndryshe, me izolim, (kuptohet, nqs nuk ka nderrue mendje, sepse ne jemi shqiptare te mire qe ofrojme bashkepunim pa dallime politike dhe krahinore), bashkepunim me forcat intelektuale te partive te tjera ne Keshillin Bashkiak. Nje Shkoder dhe rajon i zhvilluar, me mend dhe projekte. Nje zone bregdetare e sistemuar, me nje plan afatgjate, qe mbrone hapesirat publike dhe ndal rritjen e se keqes zaptuese. Mbi te gjitha Bashkia e re do te vendose ne eficence projektet ekzistuese te skicuara nga inxhinieret e vjeter te qytetit te Shkodres, te sistemimit te Liqenit te Shkodres, te sistemimit te lumenjeve Buna, Drin dhe Kir, vendosja ne eficense e veprave hidrike ekzistuese dhe nje kontroll regjional i Ndermarrjes se Administrimit te Ujerave dhe ndermarrjes se furnizimeve me energji elektrike, permes nje propozimi ne ndryshimin e legjislacionit gjegjes. Rindertimi i administrates bashkiake do te jete sfida me e rendesishme: nje Bashki e re qe nuk fshin rekordet, por i rinovon dhe riafteson ne aspektin menaxherial, financiar dhe inxhinierik. Krijimi i hapesires se nevojshme per terheqjen e investimeve te huaja dhe zhvillimi i biznesit, jo permes likuidimit te faturave ta papaguara ose te paguara afforfe te ndermarrjeve fason ne kohe, por permes Uljes se taksave dhe ndertimit te zonave te lira tokesore per investime kapitale ne periferine e qytetit dhe ne zonen e saj kodrinore. Punesim per rrjedhoje per brezat e ri. Mbi te gjitha kthim i forcave intelektuale dhe femijeve shkodrane te shkolluar jashte ne universitetet cilesore. Krijimi i nje klime te favorshme intelektuale, nje kontroll shume mire i studiuar i rendit dhe qetesise publike, duble check i ligjesuem i Drejtorise se Policise se Shkodres, kontroll i kuadrove te rekrutuar ne kete sistem me verifikim bashkiak, nje shpjegueshmeri sistematike e ketij organi prane institucionit te Kryetarit te Bashkise dhe Keshillit Bashkiak. Ne fund, por jo e fundit Vllaznia. Nje Vllaznia e riperterire, ne Klubin e Futbollit dhe ne Klubin Shumesportesh. Populli falenderon Voltana Ademi qe i bashkoi te gjithe.  Nje falenderim te veçante nga populli jo komunist i Shqiperise meritojne qytetaret te mrekullueshem te Shkodres dhe krahines se saj, te orientuem perhere nga liria dhe e vleresimi i ndryshem nga Shqiperia e kuqe e pareformuar ende nga genet kooperativiste.

Dikush mendon se Shkodra eshte kunder trendit te pjeses tjeter te Shqiperise: te mos harroje se Shqiperia ideale, rilindase, e europianizueme, indipendente, gjuha shqipe e shkrueme me germa latine, shkenca shqiptare, arsimi, akademia, gazetat e revistat e para, muzika, kultura dhe sporti dhe ne fund Liria dhe Revolucioni Demokratik kunder Diktatures, ne Shkoder ka fillue. Te tjeret i kane ardhur pas asaj. Vota ne Shkoder ishte nje vote rezistence ndaj perpjekjes per autoritarizem te korruptuem dhe te lyer me te kuq; ishte nje vote paqesore e nje populli te urte dhe te emancipuar, qe vendosi ne ate menyre t’i rezistoje se keqes. Ne qofte se per momentin jeni te gezuar per fitoren e nje simbioze te dy ngjyrave te kuqe qe skane te bejne aspak me social demokracine europiane dhe ate klasike shqiptare, po ju them qe gaboheni: Shqiperia nuk mund te pranoje me dhune extra juridike, klientelizma dhe pushtetin e gallofeve te korrupsionit, te lyer me ngjyren e Rilindjes se Komunizmit e te Derivateve. Nga neser, nje mal me probleme do i duhet te perballoje mazhoranca aktuale dhe mbi te gjitha do te duhet te perballoje ndaljen e pikiates ekonomike dhe financiare te vendit, falimentimin e vazhdueshme te bizneseve, dukuri qe ende e mban te pashpallur, ikjet masive te rinise dhe familjeve te varferuara shqiptare, vendosjen ne eficence te administrates se re. Megjithate populli i shkrete i Shqiperise qe ka votue pardje nuk din nje gje shume te rendesishme, qe qeveria ende e mban sekret: Ndarja e re administrative ende nuk e ka te gatshme Paketen e Re Ligjore te Decentralizimit. Kryeministri ne daljen e pare televizive pas zgjedhjeve tha se do ta beje kete pakene gati ne dhjetor, mirepo bashkite e reja do fillojne punen, se paku ne shtator, nderkohe qe per disa muaj ato do te jene ne nje vakum ligjor dhe para nevojes se trasnferimeve te sherbimeve. Kuptojeni qe kryeministri, pervecse ka percare popullin administrativisht, ka bere reforma gjysmake edhe ne pikepamje teknike, te nisura nga nje nevoje qe kane politikanet inatci: te fitojne zgjedhje ne cdo kohe dhe te kene zona elektorale dhe adminstrative te pershtatshme per ata. Kjo eshte situata e rande qe ka me u perballue jo vetem Shkodra, por gjithe Shqiperia dhe gjitha Bashkite shume shpejt. Nderkohe qe Kryeministri vazhdon te beje demoagogji dhe ende nuk eshte ulur ne zyren kryministrore per te bere punen e ngarkuar nga Kushtetuta

Jeni i kenaqur zoti Kryeminister me ngjyrimin kuq te Shqiperise?!, ne rast se po, ju nuk i perkisni botes sone, botes se re shqiptare, botes se pluralizmit dhe lirise per te gjithe. Dhe ne fakt ju nuk i perkisni, perderisa ende nuk keni kuptuar se ne vitin 2015 shqiptaret nuk mund te persekutohen me sepse nuk bejne ate qe doni ju dhe enderrimtaret e tjere te botes tende te ngushte, selektive. Kryeministri edhe ne daljen e pare publike pas zgjedhjeve, “harroi” se ekziston populli opozitar, ose populli qe mendon ndryshe. Per ata, Kryeministri nuk ka falenderim; ata, ne mendjen e tij, ata nuk jane shtetas qe qeveris qeveria e tij. Ai mendon se pjesmarrja ne votime ishte aprovim per ndarjen percarese administrative, qe mendja e deformuar politike, ka prodhuar. Harron se aprovimi i ndarjes territoriale nga populli behet vetem me referendum , te cilin ai nuk ka guximin ta zhvilloje. Ne nje vend demokratik, vetem vota referendare eshte e ligjshme. Nderkohe qe ai vazhdon te heshte per personat ne listen e zeze te vendeve demokratike; nuk denjon te beje asnje sqarim per akuzat e shtypit mbi nje numer aferash per te cilat EULEX ka hapur hetim mbi personazhet me te spikatur te fitores se tij ne pjeset me qendrore te Shqiperis.

Nderkohe,  Shkodra ka bere zgjedhjen e saj dhe do gjeje forca te administrohet konform kushtetues se Republikes e Shqiperise dhe ligjeve te ketij vendi, ne paqe dhe prosperitet: Ajo ndodhet ne kendin me te pelqyeshem europian te botes shqiptare dhe ballkanike. Respektojeni Shkodren, krahinen dhe qytetaret e saj.

 

 

 

Ben BLUSHI /

Shumë miq më kanë nisur urime për përvjetorin e Partisë Socialiste që është  sot më 12 qershor. Nuk i kam kthyer askujt përgjigje. Kam gjithë ditën që e mendoj në duhet apo jo të kthej përgjigje dhe meqë kam një dilemë, po e ndaj publikisht.

Eshtë apo jo Partia Socialiste një parti?

Unë them se Partia Socialiste ka qenë, por nuk është më një parti.

Partia Socialiste e Shqipërisë u riorganizua para 24 vitesh. Ajo trashëgoi strukturën dhe demografinë elektorale nga Partia e Punës, rishikoi programin, elitën e përfaqësimit si dhe qëndrimin stalinist për pluralizmin, për pronën, për tregun, për taksat dhe mbi të gjitha për Perendimin. Në një kuptim u zbut. Ose u zbut në të gjitha kuptimet. U qetësua dhe vendosi të mos shtetezojë me pronën e askujt, të njohë tregun e lirë dhe të antarësohet në strukturat evropiane duke ruajtur një politikë të kujdesshme me fqinjët. Rrugë tjetër nuk kishte. Shqiptarët e detyruan të zbutej duke i bërë një lëshim të madh që ndoshta ishte shumë dashamirës në krahasim me dëmin që ajo u kishte shkaktuar: e pranuan sërish në tregun e partive politike shqiptare. E lanë të zgjidhej. E bënë të votueshme.

Kur Shqiperia kishte më shumë se kurrë nevojë për demokraci ajo iu përshtat sistemit më mirë se kushdo tjetër dhe megjithëse nuk ishte partia më properëndimore në Shqipëri, ishte partia më demokratike e vendit. Për disa rrethana fatlume që lidhen me rrënimin moral dhe institucional të  vitit 1997, për shkak të deformimit të tregut primitiv shqiptar në treg piramidal, si dhe qëndrimit joperëndimor të Partisë Demokratike ndaj zgjedhjeve, ajo erdhi në pushtet. Një arsye tjetër që e favorizoi ishte konvencionalizmi politik që ka dominuar dhe dominon Shqipërinë prej gati 100 vitesh. Pra vota konvencionale kundër votës cilësore, që në Shqiperi do të thotë se, jugu voton më shumë për socialistët dhe veriu voton më shumë për demokratët, pavaresisht se si sillen ata. Gjithë këto rrethana e sollën në pushtet në vitin 1997.

Pushteti i dha mundësi të ndryshonte në disa raste elitat e veta, t'i rinovonte ato përmes administratës, herë me diplomaci, shumë herë me përplasje dhe shpeshherë me antagonizëm, gjë që çoi në çarjen e saj në vitin 2004, një nga arsyet për të cilën humbi pushtetin. Megjithëse për shkak të kundërshtive joprogramore, luftës së brendshme anarkike dhe ngathtësisë genetike, reformat që bëri ishin anemike, ajo mbeti një parti. Kur them këtë, kam parasysh kuptimin klasik që ka bota për partitë: pra një grup njerëzish që bashkohen rreth një programi dhe respektojnë rregullat që kanë përcaktuar vetë me vullnet të lirë. Partia Socialiste ishte një parti dhe duke respektuar statutin e vet, u përça si një parti që bën dy parti.

Kur e mendoj sot, besoj se ndarja e saj, megjithëse nuk ishte e shëndetshme ishte e pashmangshme. Demokracia fitoi ndonëse Partia Socialiste humbi. Llogaritë për Shqiperinë nuk i bëj dot ende, sepse është shumë shpejt, por si bestyt i demokracisë që jam, besoj se kur fiton demokracia ka fituar edhe vendi. Në çdo rast. Edhe sot.

Në vitin 2013, Partia Socialiste u rikthye në pushtet. Sot më shumë se një parti ajo është një adresë elektorale. Fiton zgjedhjet, siç i ka fituar dhe do t'i fitojë sërish, por jo si një parti. Si një adresë në fletën e votimit. Mes gjithë partive të  tjera të cilat edhe ato nuk bëjnë dallim prej saj,  ajo merr më shumë vota. Por fakti që merr më shumë vota se të  tjerët nuk e bën një parti. Ndoshta ky është një zhvillim i ri i demokracisë sonë krijuese, të  cilin nuk jam i gatshëm ta kuptoj dhe ta pranoj siç duhet. Pragmatistët që mendojnë ndryshe janë shtuar dhe kanë marrë në dorë fuqinë për të mos u numëruar. Ata nuk dihet sa janë megjithëse vendosin. Pra, vendosin se në parti nuk duhen numëruar ata që mendojnë se demokracia vlen, sepse sipas tyre ata që mendojnë se pushteti vlen më shumë se demokracia, janë gjithnjë më shumë. Dhe duhet të mbeten më shumë pa u numëruar.

Unë nuk mendoj kështu. Unë them se demokracia dhe jo pushteti i bën grupet parti, ndërsa ata thonë se pushteti i rrit partitë, nga grupe në turma, ndërsa demokracia që i ben turmat parti, i zvogëlon ato. Pragmatistët thonë se rëndësi kanë zgjedhjet dhe jo demokracia. Unë mendoj se mund t'i kemi të  dyja: edhe zgjedhjet edhe demokracinë. Mendoj se mund të jetoj më mirë në një vend që zbaton ligjin dhe në një parti që zbaton rregullat. Kështu fitorja shijon më shumë dhe nuk kthehet në një tirani pragmatiste.

Nëse Evropa do kishte sot parti që nuk zbatojnë asnjë rregull dhe nuk bëjnë zgjedhje, ndoshta do mendoja më mirë për pragmatistët. Ata mund të ishin evropianë të ditës dhe unë një evropian i rritur me kujtime. Por nuk është kështu. Kjo nuk po ndodh askund. Në këtë kuptim Partia Socialiste e Shqipërisë është sot partia më unike në Evropë. Ajo është e vetmja parti që nuk pranon zgjedhjet e brendëshme. Ky është një zhvillim shqiptar dhe ndoshta një pasurim i traditës evropiane të ndërtimit të partive. Eshtë njëlloj si të mbjellësh një pemë në garazhin e makinës. E ujit me naftë dhe e ajros me kondicionerin e makinës duke iu gëzuar faktit që kjo është e vetmja pemë e botës që jeton në garazh paçka se nuk bën lule. Sepse lulet duan ujë dhe ujin duhet ta marrësh jashtë garazhit.

Thënë këto duhet të përsëris me hidhërim se Partia Socialiste nuk zbaton më asnjë rregull. Atje askush nuk votohet, askush nuk zgjidhet, askush nuk mblidhet, askush nuk zgjedh dhe askush nuk mbledh. Partia Socialiste ka vetëm pushtet. Ajo ka drejtori por nuk ka votim, ka bashki por nuk ka zgjedhje, ka ministri por nuk mbledhje, ka qeveri por nuk ka demokraci.

A u përgjigjet të varfërve? Them se jo. Ata e votojnë për konvencion por në këmbim nuk marrin asnjë koncesion. Partia Socialiste për të  varfërit është një argëtim estetik. E shohin në televizor, si një serial, por nuk kanë të drejtë të ndryshojnë as skenarin dhe as personazhet e saj. Eshtë një serial që prodhon kënaqësi. Çdo pasdite. Eshtë partia e shtëpiakëve që merren me politikë. Asgjë më shumë. Ajo nuk u jep atyre as punë, as shpresë dhe as demokraci.

Nëse je i varfër nuk e përfaqëson dot më Partinë Socialiste. Nuk je dot deputet i saj, as kryetar bashkie, as kryetar i partisë në qytet, as kryetar në fshat dhe po aq të  vështirë e ke të punosh në administratën e saj. Partia Socialiste ka me të varfërit raportin që ka një  serial televiziv. Ajo prodhohet për ta, me kushtin që ata të  mos e ndryshojne atë. Të varfërit janë blerësit, por jo prodhuesit. Ata janë shikuesit, por jo regjisorët e saj. Ata janë luga, por jo ushqimi. Janë mjeti, por jo qëllimi. Jane vota, por jo pushteti. Ata nuk janë shteti, por mileti.

Sa për të pasurit, ata mund të hyjnë, të  dalin dhe të sponsorizojnë lirisht pushimin mes serive. Ata janë sponsor dhe personazhe kryesore të serialit. Nëse je i pasur mund të blesh kohën televizve tek seriali i Partisë Socialiste dhe të bëhesh deputet, kryetar bashkie, drejtor, inspektor, tatimor, ushqimor, pagator, rrogator, kurator dhe natyrisht donator. Të  pasurit janë seriali. Pushteti është ideali. Të varfërit janë materiali.

Ky serial material pa ideal, do të  vazhdojë edhe për shumë kohë. Ndoshta edhe për shumë vjet. Për sa kohë që Partia Socialiste nuk do respektojë asnjë program dhe asnjë statut ajo nuk do jetë më parti por vetëm një adresë elektorale. Një mundësi për të  votuar. Dhe një   shpresë për të duruar atë që duhet uruar.

Dhe nëse unë kam një urim për të  gjithë, urimi është ky: shpresoj që Partia Socialite të bëhet Parti.

Shqipëria do ta detyrojë megjithëse ajo nuk do. Dhe nuk mundet dot.

Sot për sot.

Marrë nga Lapsi.al

Shkodra Press

 

Sait Saiti /

 

Rinia asht përgjithësisht energji në gjendje të palatueme, duen lirinë në mënyrën sesi koha e rrethanat ua servirin. Një gja të cilën nuk e duen, sado secila parti mundohet me përdorë imazhin e saj, asht politika. Në pamje të parë u duket e largët, e me tanë ato dredha mjaftueshëm kamaleonike sa me shkaktue një distancë të mbrendshme që reflektohet edhe në përceptim. Shprehi e këtij përceptimi asht apatia e amullt që merr pamjen e vet ndër kuvendimet shterpë e pa bosht ndër mejhanet e shumta që kemi peshqesh nga një shtrembnim trashëgimor i Orientit.

Së dyti u duket e ndotun, intuitivisht krejt me të drejtë. Nëse prej amullisë që ua ruen pastërtinë fillestare dhe mungesën e djallëzisë shohin për nga zyrat që kanë halá mbrenda njerëz me një yndyrë që ndonjë brez e përjeton pa dashtë megjithëse "ka lé në demokraci", me i thanë "ndotje" asht mirësjellje.

Së mbrami, nis e vihet re dyzimi i energjisë së sipërthanë: në vështruesit dhe pjesëmarresit*. Dy rrymat pavarësisht hendekut që krijon përfshimja e njenës palë, bashkohen nga i njëjti emnues mosqartësie: njenin tetëvjeçar ndigjon akuza nga njena palë dhe përligjje fëminore nga tjetra, tetëvjeçarin tjetër asht po e njëjta kangë. Të dyja palët e kanë vu re. Pse të bahemi moralistë tue iu ba me gisht të dytëve, mund ta bajnë prej zellit prekatar (ma e pagjasa ndër mundësitë) ose prej nevojës së momentit - matanë fasadës shkëlqyese të dhambëve jashtë, shkaqet munden me kenë edhe dostojevskiane. Çka duket e mirëqenë asht mungesa e vetëdijes, tue u zëvendësue prej një vetëdije të sot-për-nesres: ndërkohë që të tanë ndjekin bindshëm lajmet dhe ecuninë e politikës sonë, ajo çka fashitet nga perdja e harresës asht diskursi që kanë të dyja radhët. Asht i njëjti. Megjithëse shumë njerëz e qorrojnë vullnetarisht njenin sy. Përligjjet fëminore që patetiken e mveshin pa ndrojtje janë çka duhen me e prekë (me e futë në sedër) shoqninë civile, nqs kemi një të tillë - pritet që vështruesit të kalojnë në privat. Mjerimi tanësor asht se kushdo me sado pak pavarësi interesash asht i ndërlidhun mirë me secilin taraf që asht maje valës, per t'u vlerësue sepse edhe pa njerëz nuk rrihet. Pikërisht këta te pavarunit, njerëz me njëfarë peshe ekonomike dhe si rrjedhim, faktorë te privatit që mund t'i imponohen me kriter publikes, jane klasa jone e mungueme. Ekzistojnë për t'ekzistue, por janë ende në turrevrapin për t'u shujtë nga skamllëku që bartim në vetëdije - Shqipnia për 50 vjet e luftoi pasuninë individuale, edhe nëse kjo ishte një fenomen që kishte shekuj përzhvillim, iu ba një sakatim abrupt. Kjo klasë e mungueme mbasi i bashkohet ndonjenit taraf per t'i marrë pjesën, rrugës kësodore i martojnë edhe kauzën e dështueme qysh në lindje prej vijës homogjene të diskursit të përgjithshëm, kauzë e cila siç u tha ma nalt: e mvesh qesharaken pa ndrojtje. Ça mundemi me pritë prej një krushqinie të pamendueme hollë? Ka aq dritëshkurtësi saqë flamujt e njenës fushatë nuk mbijetojnë deri tek tjetra sepse bahen ma për ibret sesa vetë premtimet e lëshueme shpengueshëm. Duket sikur vështruesit, tue ndejtë në mosveprim, bahen Nji me pjesëmarrësit. Pjesëmarrësit janë kapsat e flamujve, po kur mos të keni ma flamuj që shërbejnë si gjethi i fikut për kauzat boshe? Në vendin tonë të vogël në mesin e të cilit kemi mbî, ka një mungesë zorit te pashembullt, ç'miopi e frikshme për besë...

* pjesëmarrësi - qëllimin në vetvedi e ka me marrë pjesën tue marrë pjesë.

 

Shkodra Press

Margaret Sullivan /

Një opinioniste e njohur amerikane dhe lektore e gazetarisë, jep në mënyrë të përmbledhur e shumë modeste disa këshilla nga eksperienca personale, të cilat mund të rezultonin shumë të vlefshme për çdo të ri ose të re që vendos të shkelë në gazetarinë e kohëve moderne

Të mërkurën mbrëma, dhashë leksionin tim të fundit për këtë semestër në “Columbia Graduate School of Journalism” dhe njëkohësisht leksionin tim të fundit atje për të ardhmen time të parashikueshme. (Unë do të jap leksione që lidhen me të shkruarin e opinioneve në “CUNY Graduate School of Journalism”, në vjeshtë.)

Kështu që vendosa t’u tregoj studentëve të mi që po diplomohen këtë muaj dhe që dalin tashmë në botën e egër të gazetarisë në 2015, atë që mësova për tri dekadat e fundit qëkurse e nisa këtë punë nga pozicioni i tyre. Përderisa kursi quhej “Audience and Engagement” i cili ka të bëjë me gazetarinë në platformat sociale, tashmë ka një seksion mbi mediat sociale që qëndron në krye.

Siç rezultoi, unë kisha nevojë për më pak se 40 fjalë. Ato mund të jenë një koment i hidhur mbi atë se sa pak kam mësuar ose mund të jetë edhe thjesht konfirmim i zakonit tim të gjatë të të shkruarit shkurt. (Dhe unë sot akoma bëj gabime dhe akoma vijoj të mësoj.)

Megjithëse kjo çështje nuk lidhet në mënyrë strikte me rolin tim si analiste publike, unë mendoj se duhet të ngjallë ndonjë interes për lexuesit. Gjithashtu, mbi këtë subjekt të përgjithshëm, shih edhe Felix Salmon mbi atë se përse aftësitë e moçme gazetareske, akoma mbesin të vlefshme; dhe blogun e Jim Romeneskos mbi atë se si “CareerCast” e rendit zanatin e reporterit të gazetave, si punën më të keqe. (Për të mbajtur shënim këtu, ju lutem të bëni diferencën: raportimi i lajmit është akoma dhe sot e kësaj dite gjëja më argëtuese si i rritur, dhe ndërsa gazetat në print po zhduken pa shumë diskutim, unë njoh shumë gazetarë të rinj që po njohin sukses në këtë lëmë. Për shumë arsye, unë sot akoma mendoj se kjo është diçka e madhe që po dikush bën në jetën e vet. Chris Cillizza i ”Washington Post” e ka përpunuar këtë ide këtu.)

 

Këtu është ajo çka u thashë studentëve të mi.

Rreth medias sociale.

Mos u nxehni rrugës; i rrini larg tastierës.

• Jini të dobishëm.

• Jini të përgjegjshëm.

• Kini dëshirën për t’u vetëkorrigjuar e njohur gabimet menjëherë.

• Tregoni vetëpërmbajtje; mbani mend se ju po postoni për botën. Përgjithmonë.

• Përpiquni të keni një përzierje prej 20 përqindësh dëfrim/argëtim dhe 80 përqindësh informacion pikant.

• Lexoni çdo link para së të ridërgoni një twitt, apo një material elektronik.

• Është vetëm një vegël, jo një synim në vetvete.

 

Rreth gazetarisë.

• Mos i bini shkurt. Bëni punën që ju është dhënë.

• Nëse keni “pengje e merak” gjithnjë vendosni një link dhe një referencë specifike, dhe gjithnjë shkruani me fjalët tuaja.

• Ju mund ta humbisni reputacionin dhe karrierën tuaj në një çast të vetëm.

• Përpos kësaj, mos jini i turpshëm. Jini guximtar; thjesht mos jini trim dhe budalla.

• Lypni këshilla nga njerëz të mençur.

• Bëni punë që përmirësojnë botën, edhe pse në një mënyrë të thjeshtë.

• Mos u zhysni te gazetaria që ka emëruesin e përbashkët më të ulët.

• Një kritikë e vogël çel shtigje të mëdha.

• Mendoni më shumë për ndershmërinë, sesa për objektivitetin.

• Mendoni se sa pranë mund t’i afroheni të vërtetës.

• Vendose veten në vendin e njerëzve që do të preken nga puna juaj. Kjo nuk do të thotë që të mos flisni hapur.

• Jini rigorozë. Bëni gjithnjë më shumë nga sa ju kërkohet. Nëse mendoni se duhet të intervistoni pesë njerëz, atëherë intervistoni dhjetë. Kontrollojini faktet me këmbëngulje maksimale.

• Jini agresivë — një gazetar pasiv, nuk është një gazetar.

• Punoni që të jeni vërtet mirë në një apo dy gjëra. Dhe punoni të jeni racionalisht mirë në një tërësi gjërash. (Dhe një këshillë për mikun tim, Drake Martinet nga Vice Media.)

• Nëse keni bërë ndonjë gafë apo gabim, atëherë kërkoni falje plotësisht dhe vazhdoni punën.

• Përpiquni të punoni për ndonjë çështje madhore.

• Çfarëdo apo kushdo qoftë ai që ju ka ndihmuar të ngjiteni në karrierë, jepini hakun.

• Jini realist. Bëjini mur cinizmit.

• Mos u mërzisni — jini i angazhuar dhe i qartë, sidomos kur subjekti është i komplikuar ose i vështirë për t’u kuptuar.

Nëse jeni duke shkruar gjëra që nuk i kupton kush, ndoshta jeni ju ai që akoma nuk e keni kuptuar mirë subjektin.

Shprehini keqardhje lexuesve (ose shikuesve) dhe jepini vlerë e vëmendje dhe kohës që kanë konsumuar për ju.

Ju nuk jeni në këtë biznes për para, kështu që për çfarë tjetër jeni? Bëjeni këtë punë.

Marrë nga “The New York Times”

 

Shkodra Press

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO