21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Ervin Hatibi / 

Pasi ra edhe perdja e fundit e tymit të rrënojave trishtuese amerikane, qartësia po bëhet gjithnjë e më e madhe. Arrijmë të shohim tashmë si ishim, si jemi. Sa larg a afër njëri-tjetrit me fatkeqësinë në mes. Ne, familja e bijve të Adamit.

“A nuk ishte edhe ai një shpirt?” tha Muhamedi a.s. Profeti im, kur u pyet pse trishtohej tek kalonte afër funerali i një hebreu. Ndërsa e kishin mohuar dhe gjakosur me gurë rrugëve të Taifit, nuk kërkoi hakmarrje, por u lut dhe shpresoi se nga pasardhësit e atij brezi të paditur do të dilnin njerëz që do adhuronin Allahun.

Por këto nuk i di gjithkush, Nuk i di p.sh. një pedagog shqiptar, i njohur i vjetër, i cili të nesërmen e atentateve, pasi u sigurua në rrugë se nuk e shihte njeri, më përshëndeti nga larg me një shtrëngim të ulur grushti, shenjë e cila në shumë kultura tregon përgëzim dhe një lloj kënaqësie që shijohet në grup… (E njëjta shenjë e beftë gëzimi që një gazetar i RAI-t tregoi po të nesërmen e atentateve, kur korrespondentët e Lindjes e lajmëronin për shpërthime të fuqishme në Kabul…). Pedagogu, një burrë që ka inate të vjetra me Amerikën, nuk e njeh fare fenë time; ai thjesht është I bindur se tek unë dhe tek mjekrra ime ka partnerë për të ndarë hallvën makabre të një feste vdekjeje. Nga larg, gjesti i tij futbollistik më erdh’ krejt si grusht stomakut.

Me të njëjtin paragjykim provokativ, edhe media shqiptare mësyu xhamitë dhe institucionet islamike për të dhunuar kë të gjente përpara. Pyetja shtruar besimtarëve: “çfarë mendoni për aktet terroriste në Shtetet e Bashkuara?” parapret në fakt veç dy lloj përgjigjesh. Ndërkaq që çdo njeri normal e di se për këtë lloj pyetjeje mund të ketë vetëm një lloj përgjigjeje; e pyetjet që kanë vetëm një përgjigje, ti thjeshtë nuk mund t’i bësh… Por një injorancë mbase e pashërueshme, apo një dashakeqësi e deleguar, i bën gjithsesi të ta vendosin tytën e mikrofonit në fyt dhe të të thonë: je me kriminelët a me viktimat?

Në të njëjtën linjë mendimi pastaj në darkë, mësohesh të shohësh në TV, se sa normale është që ndërsa flitet për terror, kjo të ilustrohet me pamje normale minaresh, njerëzish normalë që falen normalisht… njerëzish me mjekërr!

Fara është hedhur; urrejtja është kanalizuar: Në të nesërmet e para të atentatit, në rrugë sheh veten të fyhesh si asnjëherë gjatë jetës tënde më parë. Njerëz me gazeta në dorë që të shigjetojnë me gisht, me sy të ndezur, me gojë të hidhur…

Qëndisur me stigmën e dukshme të pakicës, ecën me mjekërr dhe anonimat nëpër rrugët e qytetit tënd të kolonizuar me urrejtje dhe në gjoks detyrimisht të grumbullohet urrejtje, por më tepër trishtim. Nuk mundesh të sqarosh asgjë; djalosh njëzet e diçka vjeçar që nuk e ke besuar kurrë se do ta jetosh një ditë historinë, se edhe hebrenjtë ishin njerëz si ti me yllin prej cope qepur dukshëm në fat. Si një kështjellë e rrethuar, a si një anije që digjet, braktiset shenja e grupit; çdo të nesërme pas atentateve; djelmosha kokulur faqeplagosur dalin nga dyert e xhamive; kanë hequr mjekrrën njerëzore, për të veshur maskën urbane të të qenit “tribalisht korrekt”, të të qenit “ne” dhe jo “ata”. (Dy vajza që i njoh, motra, të përjashtuara vite me rradhë nga e drejta për të vazhduar shkollën për shkak të mbulesës fetare, pikërisht këto ditë hoqën mbulesën nga koka. Kishin bërë durim në kohë paqje, por tani është vërtet ndryshe.) Një mekanizëm, i frikshëm në përsosmërinë e vet, është vënë në lëvizje. Kultura e timonuar dhe informacioni i tillë me anë të magjisë pavlloviane të përsëritjes së klishesë së rrezikshme kanë veçuar tek njerëzia të njëjtin reagim. I sheh të sinkronizojnë lëvizjet dhe qëndrimet popullata të tëra rreth teje: të njohur dhe të panjohur, të afërm dhe të largët, të dashur e jo të dashur, gra dhe burra, të rinj dhe të vjetër, besimtarë dhe jobesimtarë. Një kult i vërtetë që fokuson rreth mjekrrës të pranuar masivisht si atavizëm evolucionar në Sizifin e përditshëm të luftës shfarrosëse me veten përballë me brisk në dorë, (idenë për hypje-zdrypje në një majë mali të shumëzuar me ty, ta forcon edhe më bora e industrisë së shkumës.) Pastaj kemi rrënjosjen spartane, më gjerë greko-romake-fashiste, përftuar nga ushtria dhe ballafaqimi me forcat e rendit, që automatikisht e kthen mjekrrën në antonim me rregullin, rendin, pastërtinë dhe kështu barazim me margjinën, të ndaluarën, irracionalen. Ki parasysh edhe lejfenizmin. Gjithashtu ngjyresat e bollshme nga letërsia e detyrueshme shkollore për sakrifica të frikshme (lexo çmenduri) murgërore, mistikë mesjetare lindore tendencioze (Rasputini?) plus sulltanat. Plus tridhjetë e ca vjet propagandë për radikalizëm dhe terrorizëm islamik që nga revolucioni iranian me rekuizitën e vet mjekërrore në rubrika, dosierë, reportazhe, filma, romane, zhargon, lojra kompjuteri … E gjitha kjo nxjerr dhunshëm kokë, duke çarë hipokrizinë e respektit për diversitetin, në çaste kritike e sidomos në katastrofa gjithëtronditëse si kjo e fundit, ku implikohesh njëheri me monumentalizmin në simbole dhe numerikë. Pastaj vërtetë është e pafalshme për njeriun e thjeshtë nëse mes gjithë kësaj nuk ve në shënjestër njeriun me mjekërr, sidomos kur siç thamë mediat ilustrojnë lirshëm retorikën për terrorin me pamje minaresh e besimtarësh me mjekrra. Kur edhe burra shtetesh të mëdha, flasin për “kryqëzatë” “kundër të keqes” apo përplasje a “epërsi” me qytetërimin islam, dhe më pas nën breshër reagimesh shpejtojnë të vënë pikat mbi I-të që nuk egzistojnë duke sqaruar se nuk kanë gjë me Islamin apo muslimanët. Por njerëzit e thjeshtë e morën mesazhin. E mbase vërtet nuk kanë gjë me muslimanët: në rrugët e Amerikës vritet tjetri vetëm se ka mjekërr, pa qenë detyrimisht musliman. Është rasti i një indiani të besimit sikh vrarë në një pikë karburanti, dhe raste të tjera goditjesh të sikhëve edhe gjetkë në botë, (feja e tyre u kërkon mbajtjen e mjekrrës) denoncuar si raste dhune urrejtëse lidhur me atentatet. Vërtet, edhe pa mjekërr e pa Islam, furia hakmarrëse e injorancës së kultivuar gjithashtu këto ditë vrau edhe një të krishterë egjiptian për fajin e mjaftueshëm se po mbante në lëkurë shenjën e të qenit arab në kohën dhe vendin jo të duhur.

Ata që kanë bërë krimin në fakt nuk janë disa idjotë të mjerë patriotikë që mund edhe t’i zërë policia. Kriminelët janë ata që përgatitën tabelën e qitjes me lexime të shtrembëruara të ngjarjeve, duke akuzuar drejtpërdrejtë apo tërthor thelbin e fesë islame si kriminal dhe qindra milionë muslimanë si përbindësha të mundshëm. Janë ata që vite me rradhë definuan “islamik” terrorizmin, kur ky nuk është atribut fetar, dhe definuan sipas interesit lëvizjet çlirimtare të popujve herë “terrorizëm” e herë “luftë për liri”. I gjen edhe tek ne, injorantë apo sadistë që duke bërë si specialistë tradhëtojnë reputacionin në faqet e para të gazetave tona më të mëdha, kur shkruajnë se muslimanët I falen pesë herë në ditë Muhamedit (!!!), kur duan ta paraqesin devocionin islamik në profile kamikaxesh, apo japin të dhëna për “vendet arabe si Irani (!!!), Egjipti etj”, duke shpikur talibanë dhe baza terroriste në Shqipëri, apo duke sugjestionuar me termin “xhihad”. (Kjo fjalë në gjuhën arabe, tregon përpjekje, sakrificë. Në traditën islamike “xhihad i madh” tregon përpjekjen për të luftuar egon, që të zbutet dhe të përsoset e të përkulet më në fund para madhërisë së Zotit. Kurse “xhihad i vogël” është e njëjta përpjekje e spostuar jashtë vetes kundër padrejtësive dhe tiranisë derisa gjithë madhështia në tokë t’i takojë vetëm Zotit. Por kjo absolutisht nuk është interpretuar 1400 vjet rresht si vrasje civilësh, apo si terror “hedh gurin fsheh dorën”, por kur ka marrë forma të pashmangshme luftarake, ka qenë ose mbrotjeje të ligjshme, ose problem i fushës së marrëdhënijeve ndërkombëtare; çështje ministrish, traktatesh, ambasadorësh e jo pirateri anarkiste kundër të pafajshmëve. Në një bisedë në një televizion me një gazetar të respektuar, koncepti që u përftua nga fjala ime e gjatë dhe natyrisht e redaktuar, u fokusua tek “xhihadi i Ramazanit”, tek përpjekja që besimtari bën me veten për të treguar se jeton pa ngrënë e pa pirë, po jo pa Zotin. Meqë disa e kanë vënë në dyshim këtë lexim timin për xhihadin, po jap pa redaktim fjalën e ministrit britanik të shtetit për Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit në vitin 1999, z. Derek Fatchett: “Ajo çka ata (shumë njerëz në Perëndim shën. im) kanë nevojë të njohin është se ekziston një xhihad i madh – jo një luftë e shenjtë kundër të pabesëve, por një përpjekje përbrenda njeriut për të qenë i ndershëm dhe i drejtë. Dhe Ramazani është koha kur Kur’ani i Shenjtë i thërret besimtarët të meditojnë mbi këtë përpjekje.” (dërguar për “Jordan Times”, 18 Janar 1999)

Duke veçuar bukur faktin se ndonëse me një “çetë profetësh” të përbashkët me traditën judeo-krishtere, tekstet islamike nuk e kanë përfshirë kurrë historinë e kreshnikut Samson, studiuesi britanik Abdal-Hakim Murad (ish-Timothy Winter) fshin edhe të fundmin spekullim teologjik që mund të akuzojë mendësinë muslimane për përligjje të “akteve heroike vetvrasëse”. Bëhet fjalë pra për tregimin biblik, dramatizuar nga Noli ynë me mjekër, me trimin Samson i cili i zënë rob tek filistinët, shembi shtyllat e tempullit pagan, dhe “rrëmbeu me vete, në vdekje, më shumë filistinë sesa kishte vrarë gjatë tërë jetës së tij.” Fuqinë e vet titanike, Samsoni e kishte tek flokët (kam përshtypjen se tek “Israelitë dhe filistinë” Noli ka shtuar edhe mjekrrën.) Po prapë, nuk ka dyshim se rrëzimi i ndërtesave dhe vrasja e të pafajshmëve, sot nuk është punë qimesh dhe nuk është punë besimtarësh me mjekërr, apo edhe pa mjekërr; mjafton vetëm të kenë kuptuar vërtetë çfarë është mjekrra. Se mjekrra është paqë me Zotin duke mos prishur atë (mjekrrën) që Ai krijoi me mirësi; është paqë me veten, duke mos u kacafytur përditë para pasqyrës në një koreografi vetvrasjeje me thikë në fyt; është paqe me ata njerëz që duan paqe, të cilëve kështu u dhuron mundësinë të të identifikojnë, të të përkufizojnë, të ta dijnë kufirin… U jep një dije për veten tënde, e cila sipas natyrës që ka dija, u jep edhe një minimum pushteti njerëzve mbi ty, të cilin s’ta fal kushdo sot, i fortifikuar pas kamuflazhit të (pamjes së) rastit, sipas leverdisë: herë zyrtar, herë sportiv, herë serioz e herë agresiv. Jep mundësi për policinë në aeroporte apo të tjera porta ta lokalizojë shpejt rrezikun dhe të bjerë rehat ndërkaq që njëfarë Timothy (tjetër ky, që nuk arriti të bëhej musliman, si Timothy më lart), bjond dhe pa mjekërr hedh në erë ndërtesa federale në Oklahoma.

Përveç Heroit Kombëtar, Poetit Kombëtar, dhe lekut kombëtar (poeti, heroi plus Budin, Nolin dhe dy variantet e dymijëlekshit me Ismail Qemalin) ca shqiptarë duan të bëjnë me mjekër edhe Armikun Kombëtar.

Mediat dhe “specialistët” vazhdojnë të pjellin rrugëve vezë qose të urrejtjes, korba të rinj për një qiell mishngrënës ballkanik.

 

Shkodra Press

Artan Fuga  /  

Himni i kombëtares më emocionoi, por nuk më pëlqeu. Himni i kombëtares nuk është himni i kombit o shokë.

Ai ishte shumë i mirë për himn kombëtare bis.

Kombëtarja e futbollit dhe kombi janë dy gjëra të ndara.

Rima me flamurin më të bukur në botë ishte perlë, nuk ka flamur më të bukur, por problemi aty, në futboll, nuk është flamuri, por topi… i futbollit.

Teksti është i zhvendosur semantikisht. Ka ndodhur një lajthitje tekstuale e quajmë ne.

I këndohet flamurit, por jo futbollit si sport, si ure miqësie me kombet e tjera, si hapje e Shqipërisë drejt Evropës dhe botës, si himn për rininë, për trupin, estetikën e sportit.

Edhe po të na rrahin 6 me 0 në futboll, kombit tonë i marrin të keqen.

Edhe po të fitojmë 100 me 0 në futboll, kemi fituar jo gjëkundi tjetër.

Himni i kombëtares nuk mund të lidhet me dronin, sepse ai është një episod politik i veçuar pa lidhje me futbollin dhe nuk mund të politizohet me të.

Kalimi i futbollit si një ngjarje politike krijon manipulim. Presim ndeshjen tjetër për të menduar për kombin, kur kombi e thërret rininë drejt dijes, drejt punës, drejt kulturës dhe nuk gjen përgjigje.

Fakti që emocionohemi na krijon bindjen se kemi energji pozitive për vendin, por duke e politizuar, nacionalizuar, kthyer futbollin në marketing politik, krijojmë iluzione.

Kur shoh futbollistët e kombëtares që luajnë me klube të huaja, unë për vete edhe hidhërohem: Si na i marrin gjërat më të mira?

Por, pavarësisht kësaj, kombëtarja e futbollit që kemi është kompetitive, sa mirë po të kualifikohej…

Himni nuk më pëlqeu, por më emocionoi, kurse kombëtarja e futbollit më pëlqen…

Shkodra Press

Alfred Lela  /  

Fjalë, fraza apo tituj që i ndesh në shtypin e përditshëm dhe median pamore. Nuk vrasin askënd, por pikatorja e tyre helmon burimin e fjalëve.

Zoti… me të vogël

Një studiuese rumune, Luminita Rosca, në një studim për newspeak-un në vendin e vet, gjatë regjimit komunist, vëren ndër të tjera se zot shkruhej me të vogël në shtypin e kohës së Çausheskut. Pas rënies së të dyve, komunizmit dhe Çausheskut, ajo vëren se, si në një akt çlirimi, filloi përdorimi i menjëhershëm i Zot me të madhe. Në Shqipëri ende. Në shumicë, ata që përdorin fjalën Zot në shkrimet e tyre (të pashenjta, sigurisht) parapëlqejnë variantin e vjetër ateist dhe jokorrekt, zot. Përveç reminishencës dhe një kodi gjuhësor të formuar dhe bartur nga agjitpropi i newspeak-ut komunist, te përdorimi i zot me të vogël kemi edhe një gabim drejtshkrimor: Zot është emër i përveçëm; është një Zot; ka një Zot; Zoti; Perëndia e me radhë (është tjetër gjë të flasësh për zotat e Antikitetit grek apo romak). Në librin Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, botim i vitit 1973, emri perëndi konsiderohet i përveçëm, (nuk përmendet Zoti kurrkund), po ashtu edhe allah, ndërkohë që Krisht e Muhamet sugjerohen si emra të përveçëm dhe nisin me gërmë kapitale. Me të vogël sanksionohet edhe të shkruarit e festave fetare si kërshëndella apo bajrami. Ndërkohë Partia, sipas të njëjtit fjalor, duhet shkruar me të madhe.

Një risi të re

Një risi është diçka e re; diçka që e hasim për herë të parë; një inovacion; një shpikje; një pjellë e kreativitetit apo imagjinatës. Risi është e reja, por është gabim të flasësh për risi të reja sepse kjo implikon mundësinë e të paturit risi të vjetra ose të reja të vjetra. Në të dy rastet jemi në alogjikë gjuhësore. Togfjalëshin risi e re e has jo rrallë, si në tekstet e shkruara në komente apo analiza gazetash, por edhe në televizion kur dikush përpiqet, kryesisht për qëllime politike apo marketingu, të përcjellë te të tjerët magjepsjen e diçkaje. Një malli apo (largqoftë!) ideje. Në gjuhësi, kur dy fjalë që kanë të njëjtin kuptim përdoren në të njëjtin togfjalësh, biem në tautologji. Risi e re është një e tillë. Dhuratë falas do të ishte një tjetër. Borë e bardhë, një më tej. Apo betejë e dhunshme (pse, a keni dëgjuar për beteja të paqta?). Pse jo edhe çift binjakësh. Jo për sakrilegj, por edhe Zoti i Madhërishëm është një tautologji.

Quo vadis, Shqipëri?

Këtë alarm për drejtimin e marrë nga Shqipëria, e gjen shpesh si stoli titujsh, medemek intelektualistë, në komente apo analiza, në faqet e të përditshmeve shqiptare. Është shenjë e angazhimit të inteligentsias bartur që nga koha e komunizmit, por me fillesa ku e ku më të hershme, bash në Francë te shkrimi i famshëm J’ accuse i shkrimtarit Emile Zola. Shtypi i viteve ’90, dmth i pas rënies së Murit të Berlinit trysnohej e trumhazej shpesh, sa nga ngjarjet që e çonin Shqipërinë në zgrip, aq dhe nga thirrjet e dëshpëruara të inteligentsias. Quo vadis Shqipëri është pra një klishe dhe si e tillë tregon njëfarë mungese fantazie dhe kreativiteti. Hepimi që mund t’i bëjë respektit të lexuesit fjala latine quo vadis (ku po shkon) është në fakt një gungë mërzie. Por është edhe një alarm fals psikologjik i autorit/autorëve, një ngatërrim i ankthit personal me gjendjen kolektive. Nëse Shqipëria do ish gjendur para humnerave apo teodosvijave të mëdha të historisë, po aq herë sa ka patur në shtyp artikuj me këtë pretenciozitet, nami as nishani nuk do i kishte ngelur këtij vendi.

Por, megjithatë…

Dy lidhëza, lejore dhe kundërshtore, në fillim të një fjalie, në një opinion në një gazetë të përditshme kombëtare, janë një atentat ndaj rregullave të drejtshkrimit. Edhe po të mos ishin kanonet gjuhësore mund të kuptohet ‘me vesh’ gërvima e derës që mbyllet para mundësisë së të përdorurit të ‘por’ dhe ‘megjithatë’ ngjitur-ngjitur në krye të një fjalie, apo çdokund qoftë. Dy gjepura gjuhësore, dy parazitë që takojnë njëri-tjetrin në kthesën sintaksore të një profani, janë këto dy lidhëza. Të cilat, në këtë rast dhe në çdo herë, kur janë pranë e pranë nuk lidhin asgjë përveç gjuhën e atij që i has një mëngjes para gazetës dhe kafesë. Por, megjithatë J nuk kërkon vetëm njohje gjuhe shmangia e kësaj kundravajtjeje. I nevojitet edhe një sqimë e brendshme, e cila e njeh muzikën dhe logjikën e gjuhës edhe pa pasë lexuar kurrë për rregullat e saj. Çdo megjithatë, sidoqoftë e gjen por-in e vet diku.

Është mëse e vërtetë

Kur një gjë është e vërtetë, te kjo cilësi, vërtetësia, njëmendësia, faktueshmëria qëndron edhe atuja e saj. Nëse nuk është e vërtetë, është e gënjeshtërt, e rrejshme, false, e pavërtetë. Kështu që dëshira për ta hiperbolizuar diçka që është e vërtetë përbën një naivitet stilistikor dhe një alogjikë gjuhësore. Një gjë nuk mund të jetë shumë ose pak e vërtetë, mëse e vërtetë, e me radhë. Diçka është ose nuk është e vërtetë. Kjo nuk i pengon artikullshkruesit në shtypin e përditshëm, të cilët, për të argumentuar dhe shtuar peshën e një mendimi apo teze, bien në leqe që i ngrenë vetë. E vërteta është diçka relative në kuptimin e spekulimit apo argumentimit të tezave teorike që kanë të bëjnë me një problem abstrakt, ato lloj trajtesash që Gramshi i quante ‘shënime të shkurtra mbi gjithësinë’, por në terma të gjuhës bëhet fjalë për thjesht shmangie.

E dëgjojmë me veshët tanë

E shohim dhe e dëgjojmë edhe ne këtë frazë piktoreske ndër shkrime, dhe nuk na e besojnë veshët. Sugjerimi i saj, pak a shumë, është se ne mund të dëgjojmë edhe me veshët e të tjerëve. Në këtë rast do kishim të bënim me një thash-e-them. Por nuk është vetëm përemri pronor ‘tanë’ që ‘sqaron’ se të kujt janë veshët dhe se ne mund të dëgjojmë me ta edhe kur nuk janë tanët, por edhe ndërkallja e foljes ‘dëgjojmë’, veta e parë, numri shumës. E dëgjojmë me veshët tanë?! A do mund ta dëgjonim me diçka tjetër përveç veshëve diçka që thuhet apo pëshpëritet? Cili organ apo shqisë e luan rolin e të dëgjuarit te njeriu? Veshiiiiiii. Kur ne dëgjojmë diçka, me veshët e kujt e dëgjojmë?! Tanëttttttt. Në çdo rast logjik ‘e dëgjojmë diçka’, çfarëdo qoftë ajo, do të mjaftonte për të përcjellë kuptimin e asaj që autori ka dashur të thotë. Me veshët tanë është një trashje e frazës që vjen nga një burim gjithaq i trashë.

Opinione në publik, media dhe më gjerë

Kjo frazë, gjithashtu e përdorur pa kursim, si në median e shkruar ashtu dhe pamore, është një thirrje e squllur për aleancë. Autori ose autorja, në përpjekje për të bërë me këmbë një argument dhe për t’ia ngulur këto këmbë në tokë idesë së vet, flet në emër të popullit. Duke rrasur ngucshëm te ky ‘popull’ virtual, opinionin publik, median dhe më gjerë. Shtjellimi i më gjerë është sidomos një rast kureshtar. Çfarë do me thënë më gjerë? A ka më gjerë se opinioni publik, domethënë komuniteti, populli, turma, quaje si të duash, dhe ku janë kufijtë e tij? A sugjeron paanësi kjo gjerësi? Çfarë synon shtrirja e këtij opinioni në gjerësi gjeografike? Asgjë më shumë se mungesë thellësie, në fakt. Gjithë çfarë e synojmë dhe e dëshirojmë në gjerësi dhe gjatësi e mungojmë në thellësi.

Shkodra Press

Senad Nikshiqi / 

Kam pritur deri tani që të mos jem emocional për të shkruar disa rreshta për profesor Ymer Striniqin. Iku nga kjo botë pa bërë shumë zhurmë ashtu siç e la amanet. Vitet e fundit të jetës së tij nuk ishin gjë tjetër veçse një kalvar vuajtjesh. Gjendja ekonomike aspak e mirë në familjen e profesor Striniqit e detyroi deri aty sa ta shiste shtëpinë e tij dhe të blinte një tjetër më të vogël e më të lirë vetëm për të lënë disa para mënjanë sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Në vend që të gëzonte vitet e pensionit dhe ndoshta sportin ta kishte vetëm pasion të tij, edhe kur ishte jo mirë me shëndet ishte i pranishëm në stadiume për të komentuar e për çfarë, për 400 apo 600 lekë të reja. Deri këtu kishte shkuar puna e profesor Ymerit sepse i duhej çdo qindarkë për të mbajtur familjen e tij. Disa herë kërkoi që ta ndihmonin ata që ndoshta moralisht e kishin për detyrë, fjala është për drejtues institucionesh por askush nuk ia vuri veshin.

Sa herë e takojë kohët e fundit profesorin e nderuar më kërkonte një nder, një nder që ia kërkonte shumë kujt në fakt. Atë që kishte më të shenjtë, arkivën e tij me gazeta, revista e libra të ndryshëm që i posedonte që nga viti 1953 e deri më sot kërkonte që t’i shiste për një shumë modeste. Arrinte deri aty sa thoshte: ”aman ma gjeni dikend t’i shes, 1 milion e 500 mijë lekë të vjetra i shef me qejf”-thoshte profesori. Zemra i ndjente dhimbje të madhe kur bënte këtë kërkesë dhe këtë e shprehte fare qartë. ”Nuk kam aspak dëshirë t’i shes por s’kam çtë bëj tjetër, kam probleme aq të mëdha sa nuk kam rrugëzgjidhje tjetër, duhet t’i shes se s’bën”-tregonte profesor Striniqi. Këto fjalë që i dilnin me brengë të madhe nga shpirti i tij tregojnë mjaftueshëm se në çfarë halli të madh ishte profesor Striniqi sa i përket anës ekonomike.

Në fakt është shumë paradoksale që një kolos i mikrofonit, një prej gazetarëve e radiokronistëve sportv më të shquar shqiptar, një koleksionist e staticient e një komentator e profesor i madh të përfundonte ashtu si profesor Striniqi të paktën në 15 vitet e fundit të jetës për të mos thënë edhe më shumë. Me kolegët profesor Striniqi arrinte të diskutonte se çdo muaj ishte një sfidë e madhe që të siguronte edhe bukën e gojës. Të gjitha këto bënë që profesor Striniqi me shumë mundime shëndetësore, më shumë vështirësi e duke u sforcuar sëtepërmi nuk iu nda aspak punës sepse i nevojitej çdo qindarkë për të arritur të mbyllë muajin për familjen e tij. E kur mendon se një personalitet i tillë me një karakter shumë të fortë vepronte në këtë mënyrë kupton se problemet e profesorit të ndjerë që na dha lamtumirën mëngjesin e 27 marsit ishin të pafundme.

3 paragrafet e mësipërme janë për të treguar se cila ishte arsyeja që profesor Striniqi amanetin e fundit përpara se të mbyllte për herë të fundit sytë ishte që askush të mos bënte homazhe e nderime zyrtare për ndarjen nga jeta të tij. Të gjithë këtë mllef dhe inat nëse mund ta quajmë të tillë profesor Striniqi e kishte me institucionet duke nisur që nga Bashkia Shkodër për të vijuar me radhë me të gjitha institucionet e tjera që asnjëherë se dëgjuan fjalën e tij e të paktën nuk vendosën dorën në zemër për t’i sigurar një vend pune vajzës së tij e cila ka dy djem për të mbajtur që kanë lënë vegjëlinë e ashtu mes vështirësive sot kanë arritur adoleshencën. Ky amanet i profsor Striniqit për të mos mbajtur homazhe është një shuplake e madhe për të gjitha institucionet, një shuplakë që për këdo që kanë drejtuar më parë por edhe këta që drejtojnë sot duhet të jetë e turpshme. Një refuzim i profesor Striniqit që tregon jashtëzakonisht shumë. Një refuzim që lë të kuptohet se sa vlerësohen personalite si Striniqi i cila dha gjithçka, i kushtoi edhe jetën e tij sportit e gazetarisë e në fund megjithë kontributin e tij të pafundëm përveçsë nuk arriti që të vlerësohej asnjëherë siç duhet po ashtu nuk mori asgjë prej gjëje. Natyrisht që profesori i ndjerë u largua nga kjo botë e do të kujtohet gjithmonë për pastërtinë e shpirtit e personalitetit të tij.

Ymer Striniqi ishte njeriu që urrente kompromiset, ishte gazetari apo opinionisti i drejtpërdrejtë që nuk njihte prapaskenat, poshtërsitë apo gjithçka të këtij lloji. Tejet i rreptë në punën e tij e me një saktësi të jashtëzakonshme. I kujdeshëm deri në detajet e fundit për të latuar gjuhën e bukur shqipe, për ta respektuar e për ta përdorur ashtu siç duhet. Me një memorie të jashtëzakonshme, një zë tejet karakteristik e një famë të madhe brenda por edhe jashtë Shqipërisë. Një prej shtyllave gazetareska sportive shqiptare për të cilën Shkodra, qytetarët e saj duhet të ndjehen krenar e ndërsa kupola drejtuese të ndjehen fajtor e të mbajnë mbi supe turpin për mënyrën se si e trajtuan profesor Ymer Striniqin.

Kur u nda nga jeta Skender Drini, prozatori i madh shkodran që për nga karakteri e jeta profesionale ka shumë të përbashkëta me profesor Striniqin, duke pritur nëse do të vinte apo jo në homazhe kryetari i Bashkisë Lorenc Luka, e ndërmori këtë iniciative për të ardhur. Kur doli e pyeta: pse asnjëherë nuk e nderuat Skender Drinin?-dhe përgjigja e tij ishte përmes një pyetje që ende sot nuk e kuptoj: pse çfarë ka bërë?-pyeste kryebashkiaku me ironinë e tij karakteristike. Ndoshta Luka apo të tjerë si ai mund të pyesin: pse çfarë ka bërë Ymer Striniqi?!

Jetojmë në shekullin e hipokrizisë e absurditetit ku Shkodrën po e shkatërrojnë e ku kolosët e saj nuk kanë më shumë rëndësi e vlerë se militantët partiak që marrin universitetin përpara shkollës së mesme.

 

Shkodra Press

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO