21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Sara Kraja / 

Më ndjeni për dialektin.

Jo, asht sarkastike. Nuk ju kërkoj vërtetë falje për dialektin. Besoj verbnisht në shprehjen e Pazolinit se "dialekti asht shprehje e individualitetit"*, prandej nuk jam tuj e shmangë ma pse jeni mësue me lexue nji gjuhë shqipe "të pastër, letrare" që asht në fakt rrënojë e diktaturës. Nuk asht pa arsye pse flas për dialektin e pse flas në dialekt. Njoftja jeme e parë me shkollën si institucion nuk ka ndodhë ditën e parë të shkollës. E dijsha që si fmi duhet me u grumbullue me fëmijë të tjerë e me ndjekë nji orar të caktuem për me zgjanue ditunitë, tanë bashkë. Institucionalizimi jem ka lidhje të ngushtë me dialektin.

Kisha shkue në kopsht në Shkodër, në vendlindje, dhe e kisha shijue me shpirt. Nana më kishte mësue me lexue qysh në vjetin tem të pestë, prejse vetë ishte mësuese gjuhe e letersie, e, për argëtim pak, por edhe për hir të zakonit, nuk kishte ndenjtë pa na mësue edhe funksionet e fjalëve në fjali. Perveç kësaj, n'kopsht, na mësuen në vit të fundit me shkrue, numrat vetëm, por që atëherë nana e ndau që unë shkruejsha me të rrëmaktën, e tuj i parapri institucionalizimit që m'pritte në shkollë, më detyroi me e ndërrue dorën. Hala sot, e vuej këtë gja. Nuk ndihem krejt vetja, ndihem paksa sikur m'kanë "dhanë buzagazin e rremë të Guinplenit" , që tash e shof si nji nevojë e shoqnisë që unë me iu përshtatë, përndryshe kishin me më përjashtue.

Në klasë të parë më hoqën edhe nji copë tjetër identiteti, prejse mësuesja, e cila qe nji zojë e respektueme e që më donte fort, nuk kuptonte asnji fjalë prej gegnishtes. E kur u ankova se "Marku më ra me laps kresë" e s'm'u ndigjue apeli, apo kur u gjegjsha se "njizet e njizet bajne katërdhetë" e isha gabim, m'u desht me e ndërrue dorën, kyt herë në gjuhë. Kështu fillon institucionalizimi jem. Nji vdekje e identitetit, për me të pranue shoqnia. Ekzistencializmi tuj i shkaktue kriza ankthit shtatëvjeçarëve në emër të edukimit. Më kujtohet se e kisha te vështirë me i shqiptue saktë "xh"-t e "q"-t e u stërvitsha në shpi tuj thanë "Qante Qaniu Pas Qerres Së Qumshtit Se Qeni Qimekuq I Ishte Qepur Pas". Shokët e klasës më vunë nofka ulëse, prejse kisha lindë e isha rritë deri atëherë në Shkodër, që nuk ishte kryeqytet e prandej vlente ma pak.

Nuk kam mësue pothuej asgja të randësishme në shkollë. E kyt nuk e thom për me u hekë si e veçantë apo me e hedhë poshtë sistemin, se unë jam ndryshe e po ahmerrem ndaj atyne qe dishruen me m'ba "njisoj". Ndoshta pak për ahmarrje, por vetem pse m'kanë shkaktue plagë në psikë, që as sot nuk i kurojnë lëpimjet e kësaj shoqnie "me bragesha", siç thonte Migjeni. M'vjen me qeshë me mllef e m'vijnë lotët n'ë grip në t'njëjtën kohë kur lexoj diçka prej Migjenit a prej Koliqit, jo pse kanë shkrue për Shkodrën, por pse janë të pakohë. Jetojmë edhe sot shumë prej të njëjtave vuejtje. Jena po aq Mondvalsen e Dështakë, që me përqafë edhe jugun. Nuk i shohim se na i ka zanë sytë "interneti". Nanadaja më thonte mos me ankue, pse sot nuk të ndan kush prej shkolle, s'ke me u ba skllave e babës e nanës, deri kur të të martojnë, që me iu skllavnue dikujt tjetër. Të drejtë kishte, ndonëse nieri n'çdo kohë e gjen pse me ankue.

Po, për shkollën ankoj që s'kam msue asgja me randësi. M'ka mësue nana qysh se më mësoi me lexue e nuk i kam nda librat ma. Çdo gja shkencore që di ma ka mësue ndoj enciklopedi e lexueme vjedhtaz nga burri fanatik i hallës që m'i mshehte librat e m'i lente përgjysë pse kishte frikë mos ia merrsha në shpi e harrojsha me ia kthye prap. N'shpi teme lexojsha librat e babës, që ishin libra gjuhe të huej për me e mësue vetë apo libra për sportin e masazhet e trupin, pse kishte studiue pak mjekësi. Te nanadaja kisha zanë me shkue te "oda e fundit", dhoma në fund të shpisë që u mbrrinte tuj kalue nëpër odë të mesit, dhoma e pritjes. Oda e fundit, që ishte dhomë gjumi për pleqtë, ku ose luenim teatër, zatê teatër, me time motër e me kushërinën, tuj vu në skenë torturat e "Monserratit" ose lexosha çdo gja që m'binte n'dorë, prej "Oso Kukës" e "Si u kalit çeliku" te tregimet e Kharmsit dhe poezitë e Blake-ut, Morrison-it e të Ginsberg-ut. U tmerrojsha e kam ende vrraja të thella n'imagjinatë prej tyne, por e dosha atë dramë, aq sa lexosha në gazeta vjedhjet e përdhunimet, nëse s'më lejoshin me shkue me ra n'odë të fundit, pse "s'rrin kurrë me ne pleqtë".

Edhe në gjimnaz nuk kam mësue gja me randësi në shkollë; rrijsha tuj mshehë romanet mes librave mësimor, kinse jam tuj studiue, ma vonë lexojsha me elektrik dore deri në 4 të nadjes "Harry Potter" ose "Katedralen e Parisit", apo romanet erotike të Isabel Ajendes që më mësuen ça asht dashnia epshnore që dymbëdhjetë vjeçe. Për shkollë më mjaftonte me lexue në pushimet 5 minutëshe, gja që m'ndihmonte me marrë dhetën e "sa kujtesë kohëshkurtë të mirë ke" dhe titullin "peshkope" sigurisht. Kam kenë snobe për vetëmbrojtje, se disha shumë, lexojsha si e drogueme, e se kisha mëni prej ndryshimeve që m'ishte dashtë me ba për me më pranue.

 Ama deri në universitet, nuk kam pas fatin me njoftë dikë që përbuz librin, madje librin që e ka shkrue vetë, për me i ba piedestal dijes, të mësuemit konceptual. Nuk due me ia thanë emnin, por ajo grue e gëzueshme, e dashtun, m'ka ba me jetue rasa të ngjashme me ato të Ethan Hawke tek filmi "Dead Poet Society". Pse ajo mendonë si unë, mendimi i vet ishte nji majmun që u hidhte degë m'degë, ama të mësonte çdo gja të randësishme, pse kishte lidhje logjike, pse ishte interesante me e ndjekë atë pasion t'saj e me pa si shifte ajo. T'bante me t'u sendërgjue ajo botë që përshkruente, ndonëse botë ligjesh, për shumë e mërzitshme, pa ngjyrë. Prej saj kam mësue me u emancipue, me dalë nga pushteti atnor. Veçse për mu ishte emancipim nga shoqnia, emancipim nga institucionalizimi i dijes, që n'fakt s'asht veçse çensurim, dituri selektive përziem me arrogancë skolastike, për me t'ba me u ndie i vogël. Sot, çdo njeri e ka n'axhendë me e ba tjetrin me u ndie ma i vogël, ma pak se ai, sidomos në metropol. Kyt nuk e thom prej nostalgjisë për Shkodrën, jo, se për me gjetë ça s'shkon në Shkodër, hala qëndrojnë ankesat e Koliqit e jo pak të Migjenit. Shkolla asht nji nga ato vende ku mëson me u përplasë me kyt "tkurrje", që për fat, te disa mbetet në tentativë. Në shkollë kam mësue vetëm që duhet me u dukë e sigurt, duhet me zanë hapsinë ajrore shumë, me u ba hije të tjerëve me praninë tande, me folë me za t’plotë e mos me pranue kurrë se s'din, por me e dredhë kinse nënkuptove diçka tjetër. Fundja kështu i janë gjegjë përherë dvetjeve të mija profesorat e profesoreshat. Gjithmonë jam tërhekë ma së tepërmi prej atyne që ishin "të çmendun", t'falisun mbas landës s'vet, se të paktën ata ta injektoshin pasionin e tyne n'gjak e, doshe s'doshe, diçka kishte me të mbetë n'mend a nemose diku tjeter, n’nji vend ma instinktiv, që n'letërsi e vejnë afër me zemrën. Këta që bajnë sikur dijnë, i mashtrojsha lehtë tuj ba edhe une sikur dijsha. Animirë, qysh se m'asht dashtë me thanë për Fishtën "shqip asht, po shqip, kjo asht gjuha juej e duhet me ia njoftë dialektet!", kisha vendosë që kam me folë gjuhën e tyne derisa te jëm e edukueme mjaftueshëm që me i ba me m'ndie kur t'nisi me folë në gjuhën teme. E sot ndihem e edukueme dhe e emancipueme mjaftueshëm për me e hedhë kyt hap n’humnerë.

 

“Il contadino che parla il suo dialetto è padrone di tutta la sua realtà”

 

Shkodra Press

2 Marsi i këtij viti, dymbëdhjetë ditë më parë nga dita e sotme, shënoi të qe dhe 90-vjetori i vrasjes së njërit prej figurave më të mëdha të Kombit tonë, Luigj Gurakuqit. Ndërsa një grusht i vogël njerëzish, mes të cilëve gazetari Ben Andoni, Fritz Radovani në anën tjetër të globit, si dhe ndonjë tjetër (përgjithësisht shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit aktual shqiptar) u përpoqën të lëshojnë në faqet e ca gazetave të rralla ndonjë klithmë dëshpërimi për këtë përvjetor të harruar, shoqëria shqiptare preferoi heshtjen dhe mospërfilljen, sikur të qe fjala për përvjetorin e një dëshmori të fshatrave të Mallakastrës, të Tepelenës a të Domosdovës, rënë heroikisht nja dyzet vite më parë në mbrojtjen e një pusi të naftës gjatë përpjekjeve të pasuksesshme të armikut për sabotazhimin e pasurisë socialiste…Atë, më i madhi ndër më të mëdhenjtë, i qarë menjëherë pas vdekjes nga vajtuesit e mëdhenj të Kombit, të quajtur Fan Noli, Gjergj Fishta, Lazër Shantoja, Spiro Vinjau e plot e plot të tjerë, në 90-vjetorin e vrasjes, tani kur më tepër se kurrë shoqëria shqiptare do të kishte nevojë për Modelet që i mungojnë, duket sikur e kanë fshehur qëllimisht mënjanë në një qoshe të errët të një muzeu fshati që të mos shihet nga askush. Ai, i vrarë një herë nga pabesia, vritet sërish po nga pabesia…veçse këtë radhë jo nga plumbat, por nga heshtja e qëllimshme dhe zyrtare, nga krimi i organizuar i politikes shqiptare, nga banaliteti i dhjamur dhe cinik, nga arroganca e hajdutëve dhe e vrasësve, të cilët i kemi me shumicë mes nesh, nga tru-shplarët dhe analfabetët e diplomuar dhe të shpërblyer me poste të fosilizuara shtetërore, diplomatike a politike, nga varrmihësit e shpresave dhe nga kriminelët e intrigantët mackbeth-ianë, por për fat të keq, dhe nga mosmirënjohja e qytetit të vet, Shkodrës.

Një mik i Gurakuqit, një tjetër i harruar i madh dhe kurrë i përmendur, poeti, atdhetari, përkthyesi dhe publicisti Lazër Shantoja, duke folë për Gurakuqin vetëm disa muaj pas vdekjes së tij, në tetorin e vitit 1926, pat parafrazuar Emersonin: Ka njerëz të cilët përmes forcës së sharmit të tyre, përfshijnë në vetvete një komb të tanë dhe kësisoj mund të drejtojnë aktivitetin e racës njerëzore…Luigj Gurakuqi kjé Ura e Artë e Bashkimit Kombëtar.. Ai dijti me ju dhanë  shpirtë natyrave ma të ngathëta dhe me u ndalë hovin esktremistave ma të shtyemun. Aj kje si një fjaluer i domosdoshëm që do t’u konsultonte pa prà. Tash nga një ministër, mandej nga një malëcuer, ma vonë nga një dokushdo,nga- njëherë nga një përfaqësues i huej,një herë tjeter nga një gazetar….Lazër Shantoja vetë, veç disa vite pas botimit të këtij shkrimi, ka për t’u torturuar dhe pushkatuar dhe për t’u hedhur për së vdekuri në një gropë pa emër në periferitë e Tiranës nga komunistët kolaboracionistë që vijnë në pushtet (më 5 Mars të vitit 1945, çka do të thotë se dhe Lazër Shantoja paskësh patur përvjetorin e vet të vdekjes, 70-vjetorin e vrasjes. Natyrisht, një përvjetor kurrë i përmendur askund.). Sikur të qe duke ndjellë fatin e vet, Shantoja shkruan: Zogu e vrau Gurakuqin me kobure; Musolini me gjyqe…me armën e civilizimit e të drejtësisë…Dhe këtu mund të shtonim, po në stilin e Shantojës …Komunizmi e vrau me antikombëtarizëm dhe me antikatolicizëm; ndërsa ata që erdhën më pas e vranë me gangstjerizëm turmash dhe me injorancën arrogante të pushtetit.

Gurakuqi është mishërimi i një kombi. Fati i tij është fati i kombit shqiptar. Është fati i Shkodrës dhe fati i secilit prej nesh. Më ka qëlluar të ec me një nostalgji të madhe nëpër Serreq, njëra ndër lagjet e njohura të Shkodrës…Duke ecë kuturu, sa futesh në Serreq, jo larg nga Dugajat e Reja, shoh një pllakë të fshehur, të ndrojtur, sikur të qe duke mbartur ndonjë faj, shkruar me germa të vogla, e ngjashme me një pllakë ilegale: Në këtë shtëpika jetuar dhe ndejtë familja e Nënë Terezës…Veç disa metra më larg është pllaka që na kujton shtëpinë e braktisur ku kanë lind dhe jetuar Ernest Koliqi, njëri ndër shkrimtarët më të mirë të shekullit të njëzet të letërsisë shqipe, dhe Mikel Koliqi, Kardinali i parë shqiptar, të cilin e pata takuar menjëherë pas shugurimit si Kardinal, me ftesë nga ai vetë, të mbështjellë me një batanije të hirtë e të vjetër nga ato të ushtrisë së dikurshme, ngaqë ishte dimër dhe shtëpia nuk kishte as ngrohje…Edhe kjo një shtëpi e fshehur, gati-gati ilegale. Kërkoj shtëpinë e Marubëve. Muzeu i Marubëve ndodhet në një qoshe të strukur, pranë Kishës Ortodokse, dhe të duhet një mjeshtri investigative nga ato të Sherlok Holmsit, që ta gjesh, kaq mjeshtërisht e kanë fshehur në një kuadrat apartamentesh…Por dhe kur e gjen, takohesh me një roje të përfjetur dhe apatik, i cili të sheh ty që interesohesh për Muzeun e Marubit me bezdisje si një specie që duhej të mos ekzistoje më…Kërkoj shtëpinë e Luigj Gurakuqit, një shtëpi të cilën nuk mungoja kurrë ta vizitoja sa herë kam ardhur në Shkodër. Këtë radhë është një gërmadhë e mjeruar, një nga ato shtëpitë që na i tregon televizori në Siri pas bombardimit të ISIS-it famëkeq…Më vjen prapë ndërmend Lazër Shantoja, i cili shkruan se ...Loti që derdhim mbi emërin e Bajram Currit asht loti i dhimbjes…Loti që derdhim për Luigj Gurakuqin asht loti i dëshpërimit…’’. Më vjen ndërmend guximi i paturpësisë kur në 100-vjetorin e Pavarësisë shqiptare, atij, njërit ndër themeluesit e Kongresit të Manastirit dhe njërit ndër Hartuesit dhe Nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, nuk ia përmendën as emrin. Kurse emrat e atyre që dekoroheshin, duke lënë jashtë emrin e të Madhit, lexoheshin teatralisht pikërisht nga ata që përfaqësonin Shkodrën, po atë Shkodër që Luigj Gurakuqi e kishte prezantuar me dinjitetin më të madh në historinë e vet…Është po aq ironi tek mendon se skulptori Kristaq Rama është i pari që guxoi të rrëfente se si Ramiz Alia ishte i preokupuar personalisht që emri i Luigj Gurakuqit të mos gdhendej në relievin e Pavarësisë në Vlorë. Është katolik dhe ka patur marrëdhënie të mira me klerin katolik - kujtonte ai fjalët ankuese të Ramiz Alisë…Ata që erdhën më pas u kujdesën që emri i këtij kolosi të atdhetarisë shqiptare të harrohej, të injorohej, të margjinalizohej…Në fund të fundit, faji është i vetë Luigj Gurakuqit: Shtatlartësia e tij vazhdon t’i tregojë më të vegjël se kurrë xhuxhët e politikës së sotme; një Guliver mes liliputëve të sotëm; një i Madh mes të vegjëlve; ndershmëria e tij proverbiale e bën më të dukshme hajdutëninë bërtitëse të politikanëve e zyrtarëve të sotëm; atdhedashuria e tij e bën më të shfaqur klounllëkun retorik të hipokrizisë patriotike të politikanëve të sotëm; kultura, talenti, gojëtaria, mençuria, burrëria, dinjiteti, karakteri i fortë dhe i papërulur, veti që aq shumë ia çmuan Fan Noli dhe Spiro Vinjau me shokë, janë veti që mungojnë tek politikanët e sotëm. Dhe ajo që mungon dhe nuk arrihet, urrehet. Prandaj Luigj Gurakuqi, për një kohë të gjatë, fort të gjatë, do mbetet një figurë e papëlqyeshme për politikanët e ditës në vendin tonë. Dhe për ata të qytetit të vet të lindjes…

 

Rudolf Marku

(marrë nga mapo.al)

Shkodra Press 

Shkodër, takimi II-të i programit CRESSIDA me pjesëmarrjen e vendeve të Rajonit

Shkodra, qyteti ku pushon Drini i madhërishëm priti për dy ditë me radhë ekspertë vendas e të huaj, vendimmarrës e përfaqësues të qeverisjes lokale e qendrore nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, në takimin e dytë të programit ndërkombëtar CRESSIDA, të organizuar nga REC Shqipëri dhe me mbështetjen e Agjensisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (USA EPA_Environmental Protection Agency).

Kur Shkodra përmendet në kontekstin e lumit Drin, e para gjë që vjen ndër mend janë përmbytjet e mëdha të viteve të fundit, por kjo nuk ishte tema kryesore e as i vetmi shqetësim i ngritur në këtë konferencë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor ishte mbështetja e komuniteteve lokale dhe zhvillimi i qëndrueshëm përgjatë këtij korridori ujor. Pjesëmarrësit e shumtë nga komunitete lokale të vendeve ndërkufitare që përshkohen nga dy Drinat, e ngritën zërin për sfidat e menaxhimit të basenit lumor, si në shkallë Rajoni, kombëtare e lokale. Meqenëse baseni më i madh i Drinit që mbledh ujërat e një sipërfaqeje prej gati 20 mijë kilometrash katrorë në pothuajse 1/4 e territorit verilindor të Shqipërisë (8200 kilometra katrorë) - ndër më të pazhvilluarit në vend, zhvillimi ishte emëruesi i përbashkët i të gjithë diskutimeve në konferencë. Në këtë hapësirë territoriale ku sot përfshihen 11 bashki dhe 80 komuna dhe rreth 570 mijë banorë, Drini ka qenë ndër lidhjet më të forta mes njerëzve dikur; kjo dokumentohet përmes numrit të madh të vendbanimeve të hershme përgjatë tij. Një tjetër dokument me vlerë mbetet edhe vepra ‘Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit’ Vjenë 1867-‘69 e Johan Georg fon Han (1811-1869), shkencëtar gjerman. Hani kishte filluar ta përgatiste ekspeditën në lumin e Drinit në fillim të viteve ‘60, kur tha: “…është më pak i njohur se të gjithë lumenjtë e Evropës megjithëse derdhet në Adriatik jo më shumë se dhjetë milje nga kufiri jugor i territorit perandorak (të Austro-Hungarisë).”

E nga ana tjetër, pavarësisht se qyteti i hapi dyert e mikpritjes këtij eventi për të dhënë mesazhin e menaxhimit në mënyrë sa më të qëndrueshme ndaj sistemeve ujore, nuk mund të mos ndjehesh i zhgënjyer kur pikërisht këto ditë vazhdon të ndërhyhet pa asnjë lloj kriteri mjedisor në nyjen ku Lumi Buna buron nga Liqeni i Shkodrës në të ashtëquajturin ‘BYPASS’. Grumbuj pa fund inertesh derdhen mbi të, ndërkohë që shkatërrojmë një Zonë të Mbrojtur (Kategoria IV dhe V e IUCN), e cila që prej vitit 2005 bën pjesë në Konventën RAMSAR. Kjo ishte edhe arsyeja që nuk zgjodhëm t’i bënim një vizitë në terren buzë Liqenit, pasi kjo situatë do na shfaqte antitezën e asaj çfarë themi, me atë çfarë bëjmë.

Prandaj grupi i punës së organizatës lokale GO2 vendosi t’i shoqëronte të ftuarit nëpër atraksione të tjera turistike të zonës, siç ishte guida turistike me biçikleta përgjatë Lumit Buna drejt Kishës së Shirqit, vizita në Kalanë Rozafa e perceptimi i peisazhit nga belvederet dhe frëngjitë e mureve shekullore, prezantimi me ekspozitën e punimit studimor nga studentët e Universitetit ‘Epoka’ me temë ‘Rivitalizimi i Lumit Buna –Muzeu, si katalizator’. Pjesë e qëndrimit të tyre ishte edhe njohja me kulturën, arkeologjinë, etnografinë, folklorin dhe artet figurative përmes vizitës në muzeun historik të qytetit, darka në atmosferën e këndshme të restorant ‘Tradita’, si dhe vizita e në Muzeun e Kujtesës të periudhës komuniste. Duke qenë se njëri prej miqve ishte shqiptaro-amerikani me origjinë nga Oroshi i Mirditës, z. Lek Kadeli, vizita pranë shtëpisë monument kulture së Gjon Markagjonit ishte një nga momentet më të veçanta për të dhe ne që e shoqëronim. Homo narrans-i i nuses së shtëpisë e njohu me realitetin e hidhur të diktaturës ndaj asaj familjeje, histori të cilën e kishte dëgjuar nga gjyshi i tij.

Të nesërmen paradreke, grupi i 4 ekspertëve nga Agjensia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe përfaqësuesit e agjensive ndërkombëtare u nisën për në Sarajevë ku do organizohej takimi analog mbi basenin e Lumit Drinas për pjesën tjetër të shteteve të Ballkanit Jugperëndimor (Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina).

 

Eltjana Shkreliplanifikuese urbane

Shkodra Press

Romeo Gurakuqi / 

Sh.T. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Tiranë

Zoti Kryeministër, 

Me shpresën e mirëkuptimit mora guximin t’ju shkruaj sërish në rrethana krejtësisht të reja, kur vendi ndodhet në një turbulencë të pangjashme, që për ne qytetarët e thjeshtë është bërë shqetësimi i jetës. Të gjithë kanë sjellë vështrimin nga Ju, me mendimin se do ua shpëtoni Shtetin dhe do ta shpërbashkoni atë nga Krimi. Si shumëkush, edhe unë mendoj se kryetari i Ekzekutivit është Njeriu i Parë që do të duhet të reflektojë dhe të kthjellohet në ketë vend, sepse jeni drejtuesi i një shumice parlamentare, e cila në një segment të rëndësishëm të saj përmban një sëmundje që do ta rrënojë respublica-n. Koha ju ka thirrur ta mbani mbi supe këtë barrë të rëndë dhe ju, zoti Kryeministër, para të gjithëve do të duhet ta perballoni situatën e krijuar, duke menduar jo për Maxhorancën, por për Publikun, pa krijuar asnjë alibi mbi ekzistencën e paranojave, duke respektuar shtetin e së drejtës dhe ndarjen strikte në mes institucioneve.

Mbi Shqipërinë dhe mbi Qeverinë që drejtoni, ka rënë një gjamë e madhe dhe unë mendoj se Ju do të duhet ta trajtoni me shpejtësi, vendosmëri çdo gjë, duke e impostuar gjithçka ka ndodhur në udhët e ligjshmërisë, parlamentarizmit dhe transparencës së publikut, në respekt të procedurës dhe konventave konstitucionale, që nuk të mundësojnë të marrësh mbi supe as pushtet hetimor dhe as pushtet gjyqësor. Në qoftë se vazhdohet pa kujdes, duke përdorur rastin e denoncuar nga zoti Doshi, si pretekst për të mbytur zërin e lirisë dhe të të drejtave të bashkësisë kulturore të Shqipërisë Veriperëndimore, për sulm politik ndaj Shkodrës dhe shkodranëve, dhe për të impostuar një qasje te ngjashme me operacionet purifikuese të batalioneve të Sigurimit të Shtetit komunist, ndaj Shkodrës, Malësisë dhe Dukagjinit, siç po nxitet nga anëtarë të caktuar të Parlamentit, ky do të jetë një zhvillim mjaft i rëndë për stabilitetin e vendit në tërësi. Po ashtu, në qoftë se nga ky rast ju do të lejoni ndërtimin e intrigave fundosëse të modelit të romaneve të Alexander Dumas, kjo do ta drejtojë gjithë shoqërinë në humnerë dhe do damkosë drejtimin tuaj governativ përjetësisht. Ju nga rasti i ekspozuar nga deputeti, po merrni vetëm qasjen e papërshtatshme të komunikimit të tij, ndërkohë që Publiku është i interesuar për zbardhjen deri në fund të deklaratës se tij, hetimit shkencor përmes institucioneve sa më të specializuara, mundësisht me asistencë ndërkombëtare dhe pa ndërhyrje e presione mbi organin e hetimit. 

Në qoftë se do vazhdohet kështu, sikurse është trajtuar këto ditë, me frikë, llogari të shkurtër kohore, tretje vëmendjeje dhe prozhmim psikologjik të një krahu, kjo ju fajëson dhe ju ngarkon me përgjegjësi. Unë mendoj se Ju duhet të dilni nga mosveprimi ligjor dhe politik, nga ndërhyrjet në kundërshtim me parimet e ndarjes së pushteteve dhe barazisë së të gjithëve para ligjit dhe të ndërprisni aktivitetin propagandistik, për të shmangur kaosin, sepse koha nuk pret. Madje, mund të them se hapat që keni bërë në këto ditë, janë të përkundërt me precipitimin e të vërtetës dhe kanë fryrë trazirën e brendshme. Unë mendoj se ju duhet të ndalni ecjen mbrapsht të kohës suaj, që në këtë rast është edhe koha e Shqipërisë. Ju duhet ta shpëtoni postin e Kryeministrit te Shqipërisë, zoti Kryeministër, sepse me këtë keni shpëtuar edhe vendin, lirinë dhe demokracinë. Veprimet e ditës së martë 3 mars 2015 janë ndër më të pangjashmet në historinë e një Shteti qe bazohet në Ligj, Ndarje Pushtetesh, Demokraci Liberale dhe Qeveri të Përgjegjshme. Thirrja e kryetarit të një pushteti të pavarur hetimor, që mbron Shtetin, duke e ulur në një tavolinë me pjesët e vendosura nën një akuzë nga më të rëndat publike, përbën sjellje procedurale negative që dikush mund të marrë në drejtimin e përditshëm të punëve në këtë vend, përkundër respektimit të konfliktit të interesit dhe korrektësisë ndaj ligjit të këtij aspekti të jetës publike.

Shpërbashkimi i sjelljes Suaj politike, parlamentare dhe përgjegjësisë para ligjit, me atë të personazheve të vendosura nën një akuzë publike, do të duhej të ishte hapi i parë që ende nuk ka ndodhur nga ana Juaj. Përndryshe, me keqardhje dhe trishtim, publiku po konstaton një kryetar Ekzekutivi të stepur nga kasnecë, që kërcënojnë nëpër televizione për të dëgjuar Ju ma së pari, pastaj edhe te tjerët përtej, shtypi shqiptar, që ju e keni vendosur, gati në unison, në oborrin e prapmë të Maxhorancës. Kjo gjendje nuk ka precedenc tjetër, veç ditëve të zeza të marsit 1997. Ju nuk duhet të zgjidhni rrugën e paprinciptë të paraardhësit tuaj, për ta mbrojtur të keqen dhe për ta ricikluar sërish para shqiptarëve, në një progresion gjeometrik përforcimi. Kryeministri i Shqipërisë Demokratike nuk duhet të ndjekë rrugën e kompaktësimit me të keqen, por të shpërbashkimit me të, në të mirë të Shtetit të së Drejtës që mbron Qytetarin dhe në funksion të zbulimit vetëm të së vërtetës. Unë dhe shumëkush këto ditë ka pritur që Ju, i nderuar Kryeministër, të thërrisnit në zyrën tuaj, me përgjegjësinë e një Shtetari të vërtetë, kryetarin e Opozitës dhe të bisedonit me Atë të gjitha opsionet e mundshme. Ka një interes publik prioritar që Kryeministri i këtij vendi do të duhet ta ketë parasysh: Mbrojtja e Shtetit dhe Zbardhja e së Vërtetës; dhe Kryeministri nuk do të duhet të ecë përkundër këtij interesi. Unë mendoj se Kryeministri aktual i këtij vendi duhet të kuptojë që Aleanca juaj është në gjendje kome të pakthyeshme dhe përkujdesjeje pas çehres se tjetrit, për hir të mbajtjes së karriges kryeministrore, qoftë edhe një muaj me tepër, do ju varrosë edhe ju politikisht me damkën e paaftësisë dhe të tradhtisë ndaj Shtetit shqiptar dhe Publikut tonë të mjeruar e të frikësuar, që po lëshon gjithandej vikamën e panikut. Është koha për një reflektim të madh, pa vonesë - dhe takimi me kryetarin e Opozitës, me ndërmjetësinë e Presidentit të Republikës, është hapi më normal në një vend demokratik, në qoftë se ju e konceptoni postin tuaj të lartë në shërbimin tonë si qytetarë. Vendi sot ka nevojë për stabilitet dhe stabiliteti nuk ka për t’i ardhur qeverisë aktuale duke vazhduar bashkëjetesën me informalitetin antidemokratik. E di që është një sipërmarrje in extremis, por nuk ka opsion tjetër, pas kësaj, përveç shpërndarjes së Parlamentit. Çdo minutë që kalon, afron edhe më shumë të keqen. Shpërbashkimi me atë nëpërmjet lënies së lira të organeve të hetimit dhe korrektimit të sjelljeve governative për kah shpjegueshmëria tashmë është në tavolinën tuaj për vendimmarrje, që mund të jetë historike për fatet e vendit. Një vend që aspiron për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian, zgjidhjen e krizës duhet ta kanalizojë në rrugë institucionale, në respekt të Ligjit, Kushtetutës dhe Parlamentit, aty ku mishërohet Sovrani. Opsionet janë shumë pak, por kurrsesi rruga e filluar para 8 ditësh, me kompaktësimin e radhëve të komunistëve, ish-prokurorëve, ish-sigurimsave me krimin e organizuar. Rruga është për një zgjidhje të re politike, rikompozim i Maxhorancës së drejtuar nga Ju, përmes nxjerrjes jashtë të së keqes dhe ndërtimit të një Qeverie të Triumfit të Shtetit. Vendi nuk është i gatshëm për zgjedhje të reja tani menjëherë, por ka të nevojshëm një rindërtim qeveritar, me objektiv kryesor Shërimin nga Kanceri i Krimit, Vendosja e Rendit Publik dhe Mbrojtja e Shtetit nga Terrorizmi dhe Shantazhi. Një koalicion i gjerë, një qeveri e të urtëve me mbështetje të gjerë politike, që do të përforcojë pavarësinë e Prokurorisë, Ministrinë e Brendshme të ndarë nga një Polici e Shtetit e depolitizuar, Ushtrinë në sektorët e reagimit të shpejtë, Liritë kushtetuese dhe Individuale, vetëm do ju naltësonte para shqiptarëve dhe do të përforconte me siguri prestigjin tuaj si shtetar që respekton lirinë. Deklarata e Ambasadës së ShBA në Tiranë duhet të lexohet në këtë kuptim, në përforcim të shtetit dhe dekriminalizim që fillon nga maja drejt periferisë, nga dekonspiratorët e respublicas. Ajo është bërë në atë formë për t’ju mbështetur Ju, Shtetin dhe Shqipërinë, me shpresën që Ju do të arrini ta lexoni dhe do ta përdorni në të mirë të interesave publikë dhe jo të shpëtimit të partnerit tuaj të koalicionit.

 Me shpresë se do të merrni në konsideratë mendimet e sugjerimet e mia, mbetemi me nderime.

 

(marrë nga gazeta panorama)

Shkodra Press

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO