21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

1. Nuk e di sa bëhet fjalë për mbyllje apo për thjesht rekonstruksion, dhe paniku i natyrshëm i trupës vjen nga shkaku që nuk ka komunikim mes drejtuesit dhe trupës – më tej – as midis pushtetit lokal si institucion varës dhe drejtuesit të teatrit. 

Një mendje e lehtë të thotë se austriakët nxitohen tani sepse tani është „hekuri i nxehtë” për fondet. Këtë punë e di më mirë se askush kryetari i bashkisë Shkodër dhe Ministria e Kulturës. Por nëse ata nuk janë transparentë, është normal paniku.

Por në një mënyrë, me respektin që kam për aktorët e Teatrit Migjeni, në prani të të cilëve jam rritur si teatërdashës e ëndërrues për tu bërë artist, u besoj më mirë instiktit të tyre sesa paraqitjes së çështjes nga ana e bashkisë. Pra do të merrja edhe unë më të keqen.

Më duket krejt e natyrshme të krahasoj rastin e Teatrit „Migjeni” me atë të shtëpisë së Heroit të Popullit, Luigj Gurakuqi, shtëpi muze, që gjendej në një rrugë të lagjes katolike po në Shkodër.

Banorët e vjetër të rrugës „Gurakuqi” (çudi si mban akoma këtë emër) mbajnë mend fare mirë netët e gjata të dimrit në terrin e fundit të viteve ‘90 ku dëgjohej qyskia tek rrëzonte përnatë pak e nga pak muret e muzeut më domethënës në zonë. Askush nuk kishte kurajo të thoshte asgjë. Sepse thjesht për faktin se ai që po e prishte, (që sot është banor i një shtëpie moderne po aty, ku është edhe një servis me të vërtetë i mrekullueshëm elektroautoje) ishte vetë roja, të cilin e kishte emëruar Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Se si ia arriti një dallkauk në dukje, por një dinak në të bëra të bëjë një krim të tillë historik nuk është e vështirë të imagjinohet : edhe vetë të ndjerin e të madhërishmin Luvigj të vetët e vranë, edhe në pabesi kodoshe, sa ska ku shkon më...

Nga ana ligjore dallkauku ishte i mirëinformuar, siç dihet kishte një mik të mirë jurist që i ia ka sqaruar të gjitha. Shtëpia muze ishte pothuaj e braktisur nga institucioni mbikqyrës, „për mungesë fondesh”. Edhe po të ishte kështu vetëm një thirrje në media do të kishte mbledhur fonde e vullnetarë anembanë vendit e Botës.

Të dy, njëri injorant dinak, tjetri debil moral as që ja kishin e as ia kanë idenë kush ishte Luigj Gurakuqi për Shqipërinë, e sa i duhet kujtimi i tij identitetit tonë kombëtar. 

Fakti që çështja e shtëpisë Gurakuqi nuk arrin të ngrihet në një çështje juridike, tregon se nga realiteti antikulturor shqiptar mund të pritet çfarëdo.

(Kadare e rregulloi ta ringrejë shtëpinë e tij në Gjirokastër, Gurakuqi s’ka se si. Kadareja e ka një shtëpi kitsch në mes të Tiranës, Gurakuqit si dihet ku janë eshtrat.)

2. Mbyllja derës së teatrit "për arsye teknike" është hapi përfundimtar i demolimit edhe të së fundmes fortesë të kulturës shkodrane - si e tillë, padyshim një goditje për të gjithë artin e kulturën shqiptare.

Po të ishte fjala vetëm për një rekonstruksion të thjeshtë nuk do të ishte kurrsesi një problem mediatik. Edhe në qoftë se një drejtuesi, apo grupi drejtuesish u "rrjedh truni" e duan ta bëjnë atë "mu në mes të sezonit" - teatri Migjeni nuk është një teatër që punon me sezone sepse thjesht nuk është teatër repertori me shfaqje të rregullta, prapëseprapë nuk përbën lajm mediatik.

Atëherë përse bëhet fjalë? 

"Diçkaje i vjen era në Danimarkë"

Mund të fillohet me akuzën ndaj menaxhimit. S’ka problem. Por nuk besoj të jetë këtu çështja. Menaxhimi i këtij institucioni kulturor me milona problemet që ka paraqitur që prej më se 30 vjetësh, duke marrë kulmin e lumin pas 92-shit, me pamjen e një të pafati e të paafti për t’iu përshtatur realiteteve të reja ekonomike e politike, teatër i një komuniteti në zbrazje të vazhdueshme, - fëmijë i lënë vetëm maje tavolines ku e vunë për të thënë vjershën e preferuar ditën e ditëlindjes së tij, nën rrebeshin e papritur nga ku ikën me vrap festuesit, të ftuar e të vetëftuar, adhurues entuziastë me kravatën e blerë në ndihma, sarahosha me rruspijet e tyre – pra ky teatër, që ishte pritësi i parë i mikut e krenaria e familjes nuk vuan nga “menaxhimi i keq”. Nëse ndokush ia ka idenë fjalës menaxhim e kupton se nuk njoh institucion shtetëror në Shqipëri që ka mundësi të menaxhohet.

Sepse janë një seri mekanizmash ndërvarësie e ingranazhesh ndërkomunikuese që bëjnë vetëm një gjë: frenojnë ecurinë e një institucioni.

Krejt e thjeshtë, le të jetë kush të dojë drejtor, për sa të jetë në varësi të një bashkie e zyre kulture si ajo e Shkodrës nuk ka “qamet qi ja xjerr dermanin”.

E dimë edhe prej sistemit të kaluar që injoranti nuk ka si të të drejtojë, sepse thjesht nuk është i zoti për atë punë. Por po ti japësh edhe pak tagër e fuqi, të bëhet edhe agresiv e arrogant, edhe e humb edhe atë dëshirë të mirë që mund ta ketë patur në fillim. 

Ama dëshira nuk mjafton për të drejtuar një institucion kulturor prodhues, me mision tepër delikat si një teatër në një komunitet të caktuar. Duhet ditur pa dhe duhet dashur.

“Sinqerisht jam ebefasuar nga ideja për të mbyllur Teatrin “Migjeni”, jo nga mënyra, por për atë se sa vonë po e bëjnë këtë punë. Mbase duhet të jetë fjala për një punë mjeshtrash, e mjeshtra deri tani nuk kishte... Mbase do të duhej të bëhej përnjëherësh me atë të Teatrit Kombëtar, më thotë në telefon një aktore e TK.”

Një teatër nuk është as ndërtesa veç, as trupa që luan, as repertori, as e kaluara e tij. Por janë të gjitha këta bashkë, plus edhe spektatori i tij.

E llahtarshme për një institucion si “Migjeni” është se të paktën në dukje i ka këta, por në të vërtetë ka kohë që është bosh, zi zgualli i një breshke, në një qytet të zbrazur edhe ai.

3.Le ta marrim me rradhë secilin prej parametrave që e bëjnë një teatër të gjallë:

- Trupa. 

Goditjen “me maj në lule të ballit” Teatri Migjeni e morri në vitin 1992 kur drejtori i atëhershëm, z. N. Çefa, i zgjedhur në bazë kriteresh të paqarta, respektoi reformën për shkurtimin e trupës në masën 40% duke hequr pjesën më të mirë aktorëve. Nuk e di se në çfarë baze është bërë selektimi i atyre që mbeten dhe ikin, por di kush mbeti e kush iku. Natyrisht që ngelën aktorët më të dobët, këtë nuk e them unë, por biografitë e tyre arstistike deri në atë moment. Pak më vonë, nga shkaqe personale trupës së Estradës iu larguan edhe ata elementë që kishin thellësi mendimi e lojë të sofistikuar, - aktori Paulin Preka e regjisori Mhilli ishin personalitete me shumë peshë në jetën e grupit të estradës. Sukseset e këtij të fundit në varietenë, një zhanër shumë i vështirë filluan ta barazonin me nivelin e trupës së teatrit, ku Serafin Fanko kishte venë ndërkohë stilistikën e tij.

Ti heqësh aktorët e regjisorët më aktivë e ambiciozë është ta vrasësh një teatër. Është ta dhunosh një komunitet të tërë, që është i njohur për artdashës.

Ishte kjo në vazhdën e shkatërrimeve që iu bënë secilit sektor të shoqërisë shqiptare.

Por atëherë pse nuk e mbyllën atëhere teatrin, njëherë e përgjithmonë?

Le të themi siç mbyllën Teatrin e Kukullave, pa zë e në heshtje. (eshtrat e të mrekullueshmit Andrea Skanjeti rrotullohen në varr!)

Edhe Teatri i Kukullave përfundoi për faqe të zezë, sepse ndërtesa iu kthye të zotit, Kishës Jezuite, e cila në vrullin e shfrenuar për tu bërë protagoniste në jetën shpirtërore nuk i interesoi se çfarë do të bëhej më tej me një institucion fatkeq.

Atëherë përse se pati edhe T. Migjeni një fat të tillë? Mund ti gjehej edhe truallit të tij një pronar edhe të merrte fund ajo punë...

Sepse kjo nuk ishte aspak e lehtë. Brezi i të dyzetave e lart sot i kujton fare mirë batutat në terrin e sallës ku jepeshin shfaqje “ me tematike”. Shumë prej nesh shkonte në teatër për të dëgjuar çfarë thuhesh në terr, gati në anonimat si koment i dogmave që pillte skena. Atmosferat e dridhjet e atëherëshme që provokonin ata kokëkrisur tek komentonin nën hundë i dëshiron sot çdo teatër në botë, e për këtë di se çfarë them.

Teatri ishte i strukur në shpirtin e shkodranit, personazhet e skeçeve, dramave e komedive ishin epitete që përdornin njerzit për të karakterizuar dikë e për të emëruar situata. Nuk mund të injorohet një energji e tillë shpirtërore, që ngrihet në nivelet e një besimi qytetar e merr formë sistemi orientimi në realitet.

4. Nëse dikush është i interesuar që identiteti i një kombi të shuhet, mes të tjerash do të fshijë nga kujtesa shpirtërore pikërisht këta idhuj, këtë panteon personazhesh, që po ti shohësh sot janë aq të vobekta artistikisht e teknikisht si të shohësh një telefon të shekullit të kaluar, por me aq peshë e rol në jetën shpirtërore të secilit prej nesh.

Pra rrënimi duhej të bëhej i ngadaltë, tullë mbas tulle, ashtu siç thonë banorët e rrugës “Gurakuqi”...

Këto realitete detyruan edhe të tjerë si Elez Kadrinë e Serafin Fankon të tërhiqen nga jeta e teatrit për të marrë pjesë formalisht deri në ditën e rezignimit të tyre total ndaj një realiteti të pashprese e të pakuptueshëm për një artist të mirëfilltë. Dekurajimi i elementëve të rinj ishte i natyrshëm në një atmosferë të tillë.

Paradoksi më i madh më ka ndodhur vetë personalisht ku rastësisht në zyrën e ministrit Pango po kërkoja punë si regjisor i diplomuar jashtë gjendem përballë me drejtorin e atëhershëm të Teatrit Migjeni, i cili po ankohej se i ka të gjithë “përtokë e para pencionit” e se s’ka artistë të rinj.

Emërimet e mëvonshme të të rinjve e më pak të rinjve u bënë me porosi klienteliste, pa ndonjë plan artistik për të ndërtuar një trupë të mirëfilltë ku ka nga të gjithë karakteret.

- 5. Repertori

Nuk e di në jeton më Fadil Kraja, në po edhe njëqind vjet, ka respektin e mirëfilltë për mbijetesën. Por dramat e tija, që kanë bërë të “mbijetojë” dramaturgjia e Teatrit Migjeni, si kanë thënë asgjë publikut të etur shkodran. Plejada e re e dramaturgëve, me Gazmend Krasniqin, Ridvan Dibrën, Shkëlzen Tuzin, Brahushen e plot të tjerë që u kastruan pa ia nisur mirë nuk arriti të gjejë plotësimin e nevojave minimale të një plejade – një skenë për ta e mundësi ekonomike për tu vetëstimuluar. Pothuajse të gjithë kanë ngelur në nivelin e një dy dramave, të nxjerra nga lënda e tyre jetësore. Por kur erdhi fjala për përkrahjen e institucionit u fshikulluan e frustruan, për tu tërhequr fare nga zhanri.

- 6. Ndërtesa 

Gjatë mandatit të z. Çefa në bashkëpunim me “Passap” e “Unopps” dy organizata sponzorizuese për “rimëkëmbjen e aseteve të sektorëve të jetës publike” u bë rikonstruksioni i ndërtesës. Edhe atëherë, para se të fillonte rekonstruksioni u fol me të madhe për gjendjen kryesisht teknike të ndërtesës së skenës e problemin shekullor të ngrohjes. Me kërkesë të z. Çefa kërkoja në Rio de Janeiro ku po punoja pult elektrik dritash, ngaqë ai që kishte teatri ishte i vitit ‘56. Erdhi edhe dita e rikonstruksioni filloi edhe dita tjetër erdhi edhe ai mbaroi. Nuk u ndryshua asgjë esenciale. Pamja e ndërtesës pas rekonstruksionit la shijet e athët të mashtrimit e fraudulimit të fondeve nga të dyja palët si italianëve ashtu edhe shqiptarëve. Gojët e këqija e vërtetojnë këtë, vox popoli jep edhe shifra, biles shkon edhe më gjatë duke e lidhur emigrimin e forcuar të z. Çefa me shumat e përfituara nga ky projekt.

Por perdja u hap edhe më tej, e puntorët që i kanë gjërat në dorë përditë e dijnë se asgjë nuk u ndryshua, përkundrazi, kati i nëndheshëm, me dhomat e aktorëve nga ku u bënte hyrja dikur u bë i papërdorshëm, akustika e sallës morri një goditje tjetër e kështu me rradhë.

Vlerësimi i gjendjes së teknikës së teatrit nuk ka nevojë të bëhet nga “specialistë austriakë”. Natyrisht ata kanë kutin e tyre, e çdo prononcim i tyre në lidhje me atë se si duhet të jetë do të jetë frustrues për këdo që do të donte që gjërat të funksiononin më mirë. Nëse nuk u gjëndkan në Shqipëri njerëz që ta thonë se cilët janë problemet, mjafton të shkosh në Podgoricë tek Teatri Kombëtar e të kërkosh ndihmë, e si qytetar do ta gjesh, sepse janë aq të hapur.

Por kompleksi i qyqarit injorant e përligj një hap të tillë: ta bëjmë europian teatrin!

“Kulla e barit nuk do të digjet!” u them aktorëve aty! Le të flenë brenda, të bëjnë grevë! Edhe kështu e kanë të humbur vendin e punës! Le të marrin me vete batanije e kova e zjarrfikse makinash e të flenë në skenë. Ky do të jetë akti më i madh artistik... e për të do të kenë ndihmën e të tërë komunitetit shkodran, (përveç atyre që pijnë në pedonale).

Përndryshe në një natë pasmesnate do të zgjohen nga zjarrfikset që do të vonojnë të vijnë deri sa të digjet e gjitha.

Do ta rikonstruktojnë, mbase. Por edhe nëse po, asgjë nuk do të jetë më si më përpara, e të mos shpresojnë se për më mirë.

 

Ilir Dragovoja - regjizor

Shkodra Press 

Keti Bazhdari  /  

«E keni trajtuar Shkodrën si një nuse në koma, që herë pas herë i keni lyer buzët për t'i treguar botës se nuk ka vdekur.»

Duke shfletuar raportin për miratimin e buxhetit 2015-të Bashkia Shkodër, të bie në sy slogani dhënë nga Kryetari  z. Lorenc Luka: “Për një model qeverisjeje me një zhvillim të integruar dhe një komunitet me cilësi jetese të përmirësuar nëpërmjet:

-         Zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm në mbështetje dhe partneritet me biznesin

-         Ofrimit të shërbimeve publike cilësore, rehabilitimit dhe ndërtimit të një infrastrukture moderne me standarte.”

Megjithëse këto thënie ngjajnë bombastike në pamje të parë dhe të krijojnë vërtet idenë sikur po flitet për një qytet të standarteve evropiane, kur i hyn më në brendësi librit të buxhetit dhe organikës e kërkon të gjesh mishërimin e asaj çfarë thuhet më lart brenda zërave të paraqitur aty, perdja e imagjinatës bie shpejt dhe ajo çfarë mbetet është panorama e një realiteti të varfër dhe pa vizion që ka udhëhequr Bashkinë Shkodër këto vite. Shifrat dhe faktet në librin e organikës dhe të buxhetit, të bëjnë të shqyesh sytë nga habia. 

Organika e Bashkisë Shkodër përbëhet nga 440 punonjës, numër ky që ka pësuar një rënie prej 15% nga vitet parardhëse. Kjo falë edhe debateve e kritikave tona, nuk figurojnë më në organikën e Bashkisë struktura parazite varësie si psh “thertorja”, të cilat për vite me radhë kanë shërbyer vetëm si vendstrehime masive militantësh pa asnjë lloj profesioni përveç rolit të zhurmuesit në tavolinat e bareve të qytetit. Por pavarësisht këtyre shkurtimeve në drejtim të (jo)profesionistëve, kushdo mund të dallojë në librin e organikës së Bashkisë Shkodër një raport të zhdrejtë mes pozicioneve të profesionistëve të cilët do t’i shërbenin vërtetë rritjes së performancës e impaktit të këtij institucioni në komunitet dhe personave të pakualifikuar si roje e kujdestarë, etj, shkurt profesione pa përshkrim pune, për analogji po analizojmë këto dy zëra, roje dhe kujdestarë: 

1) Në organikën e bashkisë siç e thamë figurojnë 440 persona të punësuar nga të cilët 41 persona shërbejnë si roje, pra zënë thuajse 10% nga organika e bashkisë. Ajo çfarë është edhe më e dëmshme, në shumë raste ky pozicion rezulton të jetë me i paguar se vetë pozicionet që kërkojnë kualifikim arsim të lartë për të punuar në bashki.

2) Në këshillin bashkiak i cili përbëhet nga 45 anëtarë të zgjedhur dhe që realizon jo më shumë se një mbledhje në muaj dhe maksimumi i çështjeve për trajtim nuk e kalon numrin dhjetë. Por edhe këtu për çudinë e gjithsecilit, në funksion të mbarëvajtjes së tij, në organikën për miratim, rezultojnë 18 persona me përshkrim profesioni, kujdestarë. Unë nuk besoj se ndonjë nga anëtarët e këshillit i ka parë këta dhe kupton se për kë kujdesen. 

Në një kohë kur me qindra persona të tjerë të kualifikuar, me shkolla brenda dhe jashtë vendit, me mastera e gradë shkencore, janë të papunë dhe të pashpresë e mezi presin të ikin nga ky qytet. 

Kjo metodë pune, ku kategoria roje dhe kujdestarë zë ndër peshat më kryesore në zërat e organikës së institucionit kryesor që drejton Shkodrën duket se rrjedh më shumë nga një frymë bajraktariste që përpiqet të ruajë pozitat e veta me arkaizëm sesa nga vizioni për një qytet me infrastrukturë "moderne" dhe që ka në fokus qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre. 

Në vazhdimësi të kësaj duhet theksuar edhe një aspekt tjetër i cili trumbetohet nga Kryetari “si një realitet i dukshëm dhe i prekshëm i ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në komunitet”, dhe që përbën në vetvete paradoks sa po llogarit shumën e gjithë  investimeve publike për vitin 2014 (infrastrukturë, kanalizime, gjelbërim, shkolla, etj). Shumë kjo që rezulton të jetë vetëm sa gjysma e fondit të pagave për këtë vit dhe këtu s'ia vlen të zgjatesh më se realiteti flet vetë.  

E njëjta tendencë vihet re kur analizon buxhetin dhe realizmin e të ardhurave. Shifrat flasin për përkeqësim të përvitshëm, i cili ka diktuar 10 vite stanjacion në krijimin dhe mbledhjen e kësaj të ardhure nga Bashkia Shkodër. Krejt e kundërta e asaj çfarë pretendon Kryetari i Bashkisë se “strategjitë dhe politikat fiskale të ndjekura dhe të implementuara si dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës së administratës tatimore kanë ndikuar në rritjen e vazhdueshme ndër vite të së ardhurës së Bashkisë Shkodër”.  Mjafton t’i hedhim një sy raporteve të paraqitura në websitin e Bashkisë, ku për vitin 2008 (7 vite më parë) e ardhura e realizuar figuronte 355.229.000 lekë, ndërsa për vitin 2014 kjo e ardhur është reduktuar në 310.554.000 lekë ose 15% më pak se viti 2013 i cili, për shkak të një rritjeje artificiale nga  zëri i gjobave ndaj qytetarëve prej 40.031.000 lekë, figuron të jetë 363.797.000 lekë (dhe nëse me strategji dhe politikë fiskale si dhe performancë të rritur të administratës tatimore, ju tentoni të marketoni gjobën ndaj qytetarit për detyrime që padrejtësisht i keni neglizhuar ndër vite në këmbim të votës, tregon edhe më fuqishëm mendësinë tuaj arkaike ndaj të bërit shtet).

Një pikë tjetër e nxehtë është trajtimi i mbeturinave të qytetit, që është cekur vetëm në mesazhin e kryetarit, i cili pretendon se në funksion të mbrojtjes së shëndetit të qytetarit ”ka filluar kalimi në shkallë të gjerë i mbledhjes së diferencuar të mbetjeve urbane nëpërmjet shtimit të pikave të grumbullimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me qytetarët dhe operatorët e interesuar”. Kjo është një trajtesë shumë e përciptë dhe (jo)transparente. Ne nuk shohim asnjë hap konkret në terren përveç disa treguesve që thonë se mbeturinat vazhdojnë të shpërbëhen jashtë standarteve, në Shkodër, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve, por që për shkak të debatit tonë të përvitshëm në lidhje me këtë çështje, ky operacion nuk kryhet më haptas pranë varrezave të dëshmorëve, por është spostuar në pika më ambigue. Megjithatë kjo çështje në këtë fazë kërkon trajtim me ekspertizë më të lartë nga ana e institucioneve të interesuara si dhe paraqitje më të detajuar dhe  transparente nga ana e Bashkisë Shkodër, përmes raporteve ku dokumentohet me video, foto dhe shifra, në vetë websitin e Bashkisë ku trajtohet dhe mënyra e trajtimit të këtyre mbeturinave. Mos harroni se flitet për një çështje që lidhet drejtpërdrejtë me jetën e secilit qytetar.

Në përfundim të kësaj analize por jo të problematikave që shqetësojnë qytetin tonë dhe mbartin me vete raportet e performancës së bashkisë, dua t'i jap një mesazh gjithë atyre që sillen me këtë bashki si të ishte prona e babait: E keni trajtuar Shkodrën si një nuse në koma, që herë pas herë i keni lyer buzët për t'i treguar botës se nuk ka vdekur. Ne duhet t'i kthejmë jetën qytetit!

 

Evans Drishti /

 

DUA TE THEM SE... 

“Shumë prindër ngrejnë supet kur shohin tek fëmijët e tyre (para apo pasadoloshentë) manifestime të një sjelljeje të papëlqyeshme. Para tyre shtrohen në këtë rast një varg pyetjesh. Të cilat edhe shprehen si për të shfaqësuar veten. Nga i mësoi këto gjëra ky fëmijë? Kujt i ngjau ky kështu? Këta prindër nuk e dinë, ka edhe nga ata që s’duan ta besojnë se ata dita ditës e kanë tjerrë vetë këtë lëmsh, e kanë gatuar me duart e tyre këtë brumë, buka e të cilit tani s’po u pëlqen. 

Një gjë është e qartë në tërë këtë vorbull pyetjesh, se ato janë të vona, gjithashtu dhe shqetësimi i tyre është i drejtë, por i vonuar. Ai duhej të kishte filluar që me lindjen e fëmijës. 

Shumë pak prindër e kanë parasysh këtë. Tek një pjesë syresh, sa herë u drejtohesh qoftë me vështrim qortues për veprimet, sjelljet apo të folurit e fëmijëve të tyre, ata si për t’u justifikuar përsërisin shprehjet “Barrier”, “Është i vogël akoma, lëre të bëjë si të dojë” 

Në të vërtetë, edukimi nis që në vitet e para të jetës, kur fillojnë e skaliten tiparet e sjelljes së fëmijës e ata janë themeli i edukatës. 

Prindërit, veçanërisht nënat ankohen vazhdimisht se harxhojnë një kohë shumë të shtrenjtë për të ushqyer fëmijën. Madje, për t’ia arritur kësaj shpesh përfshihen edhe pjesëtarë të tjerë të familjes, që ndajnë rolet e krijojnë skena nga më qesharaket. Dendur tek ato nëna është i pranishëm pasioni dhe mania dëmprurëse për të futur sa më tepër ushqim në gojën e fëmijës. Dhe aq më e rrezikshme bëhet kjo, kur shoqërohet me ato që thamë më sipër, apo me ligjërata dhe improvizime të pafund….”

 

Këto rreshta që sapo cituam nuk janë perceptime dhe mendime që reflektojnë kohët e fundit, përkundrazi i përkasin një periudhë të largët, vite më parë. Janë pjesë e një shkrimi botuar në një prej gazetave të hershme quajtur “Adriatiku” e vitit 1983. Ja si vijon shkrimi: 

 “…Një grup prindërish mendojnë se suksesi i një disipline familjare qëndron në despotizmin e tyre duke harruar se ky despotizëm prindëror bën që të kultivohet e të bashkëjetojë despotizmi fëminor jo më pak i egër dhe me pasoja. Kështu lind dhe rritet kokëfortësia, kapriçozja ky kamzhik i vërtetë i kolektivit familjar. Në të vërtetë, kaproçoja lind si një protestë e natyrshme kundër despotizmit prindëror, i cili gjithmonë shprehet në çdo keqpërdorim të pushtetit, në çdo teprim të dashurisë, të ashpërsisë, të ëmbëlsisë, të ushqimit, të shqetësimeve etj. Kështu ajo nuk është thjeshtë protestë, por bëhet një formë e zakonshme e kontradiktave ndërmjet prindërve dhe fëmijëve. Për daljen nga situata një pedagog përparimtar këshillon: “Jo kokëfortësia, jo zemërimi, jo britma, jo lutja, jo mëshira, por urdhëri I qetë, serioz. Ja çfarë duhet të mbizotërojë në sjelljen me fëmijët….” 

 

A nuk ju duket si të flitet për kohën e sotme, megjithëse kanë kaluar kaq vite? Psikologu në atë kohë shprehej qartazi duke kundërshtuar kokëfortësinë, e në fakt kokëfortësia është shtuar së tepërmi, kundërshton zemërimin, e në fakt është shtuar së tepërmi, kundërshton britmat, e në fakt janë shtuar së tepërmi, është kundër lutjes dhe mëshirës, dy elemente këto që edhe sot reflektojnë keqazi. E ndërkohë që i kundërshton të gjitha këto shfaqet pro urdhërit të qetë dhe serioz.

 A është e mundshme diçka e tillë? 

Nuk është e vështirë të ndërtoni portretin e një të riu adoloshent të kohëve të fundit. Pasi ka disa tipare dalluese që të bien menjëherë në sy: që në vështrimin e parë ju paraqitet një figurë e shkujdesur, e papërqëndrueshme, me reflektime dhe reagime të menjëhershme dhe shumë herë të pakuptimta, duke mos harruar natyrisht njërën dorë në xhep e në tjetrën celularin, që të japin një përshtypje sikur kanë një vetbesim të mjaftueshëm, e ajo që është më trishtuese ju duket vetja si të jenë të plotësuar tashmë për kohën dhe rrethanat. 

Ç’është e vërteta nuk janë vetëm këta elementë që të bien në sy, që në pamje të parë të duken krejtësisht negativë, përkundrazi ka edhe anë pozitive. Asnjë qenie njerëzore nuk vjen në jetë si “njeri i keq” apo “me vese të liga”. Të gjitha fitohen me kalimin e kohës, burim i së cilës është familja dhe jo vetëm. Inteligjenca është elementi pozitiv që i karakterizon të rinjtë e sotëm, për arsye nga më të ndryshmet. Problemi qëndron në atë se ku dhe si përdoret kjo inlegjincë, pasi diçka ka shkarrë nga sytë në pakuptimësinë e saj, kjo është një dhunti e qenies njerëzore, ashtu siç shprehet edhe në versetetet Kuranore që asnjë qenie nuk është ngarkuar më shumë se kapaciteti i dhënë, e paralelisht me këtë vjen edhe një tjetër veçori mjaft domethëse ku thuhet se njeriu është krijuar si qenia më e përsosur. Atëherë lind pyetja: A nuk jemi përgjegjës për çdo funksionim të trupit dhe mëndjes sonë? Meqenëse trupi dhe mëndja janë në një lidhje të përsosur, e vënë kjo në shërbim të kësaj qeniejeje të përsosur, pra njeriut, përse ky i fundit e çon në shkatërrim këtë dhunti sublime? 

Edhe para viteve 90’ prindërit qenë shumë të shqetësuar për sjelljet dhe veprimet e fëmijëve të tyre, edhe sot në 2015 prindërit janë akoma më të shqetësuar për sjelljet dhe veprimet e fëmijëve të tyre. Para viteve 90’ nënat ankoheshin se harxhonin një kohë të madhe për të ushqyer fëminë e tyre dhe këtë e shihnin si një detyrë mjaft delikate. Ato harxhonin po aq kohë për t’u marrë me fëminë, pasi për hir të së vërtetës preokupimet nuk ishin të shumta, e për më tepër që familja shqiptare ishte shumë e mbledhur në vetvete dhe familjarizimi ishte i pashmangshëm. Nuk qenë të shumta as lodrat e fëmijëve, ishin më tepër imitime dhe krijime të çastit. Nuk qenë zhvillimet teknologjike, as industria e televizioneve apo e makinave, përkundrazi çdo gjë ishte e mbyllur brenda një kafazi. E ndërsa sot pema e jetës ka lëshuar rrënjë të thella, ndërsa degët janë të shumta dhe të zhdërvjellta. Shqetësimet sa vinë e bëhen akoma më rënduese. 

Ja si vijon shkrimi në fjalë për prindërit e fëmijëve të vetëm: “…edhe në duart e prindërve të talentuar e të vëmendshëm edukimi i fëmijëve të vetëm përfaqëson në vetvete një detyrë jashtëzakonisht të vështirë. Këtu përkujdesjet e prindërve, të ushqimit, të dashurisë, të veshjes etj janë të një shkalle të veçantë, pasi gjithçka vihet në shërbim të fëmijës, prindërit e fëmijëve të vetëm janë gati të kërkojnë për idhullin e tyre edhe “qumësht dallëndysheje” Nën këto përkujdesje ky “princ” i vogël rritet, kërkesat shtohen, fryhen dhe në shkollë, që në klasën e parë kërkon që detyrat t’ia bëjnë prindërit, edhe notat e mira në regjistër t’i vihen në sajë të prindërve, edhe e drejta e studimit, edhe disiplina, edhe vendi i emërimit kudo të jetë detyrim i prindërve, ndryshe ata sipas tij s’quhen prindër. Rritet kështu një parazit, një egoist e dembel i pashoq, që nuk kupton se në jetë duhet djersë e punë, shpirtë sakrifice e ndjenjë kolektiviteti etj etj…” 

A nuk është një realitet i tillë edhe sot, jo vetëm për fëmijët e vetëm, por edhe me ato që kanë motra dhe vëllezër? 

Shkrimi përfundon me këto sugjerime: “…Por nëse duhet kërkuar punë me cilësi dhe e frytshme në edukimin e fëmijëve kjo duhet të nisë në radhë të parë nga vetë sjellja e prindërve, duke përfshirë këtu të gjitha anët e saj, me fjalë të tjera, gjithë jetën atërore dhe jetën e nënës, gjithë punën, mendimin, zakonet, ndjenjat, synimet. Pra vetë prindërit duhet të bëjnë një jetë të plotë të ndërgjegjshme, të lartë moralisht, të bëjnë jetën e një qytetari të vërtetë…” 

Kuptohet qartë se çdo gjë që ka të bëjë me të ashtëquajturin “edukim” fillon nga familja, si hallka e parë e një zinxhiri të gjatë të jetës. Çfarë do të thotë kjo? Nëse më parë familja ishte e mbledhur dhe fëmija qe lidhur si fizikisht ashtu edhe shpirtërisht me prindërit e tij, sot për fat të keq mungon edhe lidhja fizike edhe ajo shpirtërore, pasi familja e sotme është e shpërbërë. E teksa i pohojmë këta realitete dhe kërkojmë zgjidhjen e çështjes, zgjidhja në fakt ka kohë që është dhënë,

Pasi edhe urdhëri hyjnor vjen i qartë “Lexo!” Një urdhër i tillë nuk ka të bëjë vetëm me “të lexuarin” si koncept teorik, por mbi të gjitha si koncept praktik. Mos vallë njeriu ka harruar të lëxojë si teorikisht ashtu edhe praktikisht?   

E shkuara jonë thotë shumë më tepër se kaq. Le t’ia lëmë shkrimit të ardhshëm… 

Shkodra Press

Alfred Lela  /   

Partitë politike janë duke kalkuluar skenarë dhe emra për kandidatët që do të përballen në zgjedhjet vendore të fundqershorit. Më poshtë janë 7 këshilla fushate, përshtatur nga libri i John Barnes ‘Lidershipi i John F. Kennedy’ dhe nga tekste të tjera të komunikimit politik modern.

 

Njih audiencën tënde

Në librin ‘Lidershipi i John Kennedy’, autori John Barnes vizaton një panoramë të mësimeve dhe trashëgimisë së presidentit amerikan. Se si ai, presidenti i parë që përdori televizionin me sukses, futi në modë debatin presidencial, konferencën për shtyp dhe ‘presidencën perandorake’, para se të sfidonte Nixon-in për zgjedhjet kombëtare, kish garuar në shtetin e tij Massachusets në zgjedhjet për në Kongres. Sipas Barnes, Kennedy gjatë fushatës mbante parasysh se po fliste me njerëzit: jo se po u fliste atyre, por po fliste për ta ose rreth tyre. Që do të thotë, Kennedy e studionte dhe bënte çmos të informohej e të njihte audiencën së cilës do i fliste. Kjo teknikë është larg prej të lexuarit mekanik të një fjalimi pa marrë në konsideratë kontekstin, audiencën apo interpretimin e shtypit. Leximi i një fjalimi nuk është komunikim, thekson studiuesi i John F. Kennedy-t. Komunikuesit e mirë bëhen pjesë e një bashkëbisedimi me audiencën. Kennedy, duke njohur përbërjen e publikut, mundohej të demonstronte vlera dhe përvoja të përbashkëta me ta. Nëse po takohej me familje ushtarakësh, ai u fliste për përvojën e tij në Luftën e Dytë. Siç edhe nuk e fshihte faktin se vinte nga një familje e pasur kur takohej me banorë të lagjeve punëtore të Bostonit. Që të mos tingëllonte si hipokrit.

Gjej Tenzing Norgay-ët e tu

Tenzing Norgay është udhërrëfyesi i famshëm nepalez që ndihmoi të ngjitej në majë të malit Everest europianin Edmund Hillary. Norgay u bë kështu sinonimi i rëndësisë së elementit, ndihmës apo njohjeve lokale në ‘ngjitjen në majë’. Në politikë çdokush ka nevojë për Tenzing Norgay-ët e vet. Aq më shumë në fushatat elektorale lokale janë të rëndësishëm ‘vendasit’. Çdo zonë, apo çdo lagje ka karakteristikat dhe ‘gjuhën’ e saj komunikuese dhe rrjedhimisht secila kërkon një udhërrëfyes lokal. Lejoji ata të jenë ndërmjetësit apo ambasadorët e tu. Trajtoji me respekt. Kjo ishte ‘loja’ e luajtur nga John Kennedy në lagjet punëtore të Bostonit ku politikanët shkelnin rrallë apo shfaqeshin sa për të thënë. Nuk ka rëndësi për llojin e kontratës që nënshkruan me ‘vendasit’: ata mund të jenë vullnetarë apo njerëz të paguar. Rëndësia e tyre në një fushatë lokale është e pazëvendësueshme: ata janë kontakti i parë me realitetin që shpesh kandidatëve u paraqitet ndryshe nga stafi i komunikimit apo menaxhimit të fushatës. Lagjet e varfra, në stilin politik të fushatave të fundit lokale apo kombëtare në Shqipëri, janë synuar me thasë mielli ose 5 mijë lekë të rinj. Kjo mund të funksionojë në raportet e ndërtuara mbi mashtrimin e ndërsjellë. Por, jo gjithmonë.

Nisjani herët; punoni deri vonë dhe deri në fund

Fushatat në Shqipëri zakonisht u binden demonëve të tjerë dhe jo atyre të komunikimit klasik politik. Ato fillojnë rëndom vonë: rreth një muaj para datës së zgjedhjeve dhe me pak ose aspak punë përgatitore. Kushtëzuar kjo nga ‘terri informativ’ ku shefat e partive i fusin, si mbështetësit ashtu dhe kandidatët potencialë apo publikun në përgjithësi. Kjo ndodh për disa arsye taktike, të cilat megjithatë nuk e mbulojnë një mungesë përbindshëm të madhe: strategjinë. Apo më thjesht një platformë politike apo sociale për fushatën. Një program që ka në qendër votuesin, qytetin dhe zgjidhjet. Fushatat vendore në Shqipëri janë pllakosur nga mendësia e fushatave politike kombëtare ku garohet me një model që vjen i gatshëm nga qendra. Vetë të filluarit vonë të fushatës zbulon kështu disa dobësi të saj. Të cilat u cekën më lart dhe që vijojnë me mungesën e programit apo strategjisë. Një ndjeshmëri e njëmendtë për shqetësimet e votuesit është më e madhja ndër mungesat. Kennedy, sipas Barnes, parapëlqente të fillonte 9 muaj deri në një vit përpara duke vajisur kështu një makinë elektorale, e cila në 30-ditëshin e fundit funksiononte me virtuozitet.

Festa për lagjen në shtëpi

Amerikanët i quajnë ‘block party’ dhe ideja e kësaj feste mbledh bashkë të gjithë banorët e një rruge apo blloku banimi në shtëpinë (private me kopësht) të njërit prej fqinjëve. Në rastin e Kennedy-t, i zoti i shtëpisë ftuese ishte njëri prej vullnetarëve të fushatës, i cili u shërbente të tjerëve pije dhe ushqime falas. Kjo është atmosfera ideale për kandidatin të cilin ua prezanton të ftuarve mikpritësi, pra kontribuesi i fushatës së kandidatit për një post publik, qoftë kjo bashki apo parlament. E zbritur në terren shqiptar kjo taktikë elektorale duket e çuditshme, por megjithë firot i jep kandidatit mundësinë për biseda dyshe apo në grupe të vogla me njerëzit. Kjo do të thotë një prezantim në plan personal, me mëngët e këmishës të përveshura, i relaksuar nga çdo mizanskenë e zakonshme e takimeve apo mitingjeve politike. Natyrshmëria e situatës është e gjitha në favor të kandidatit duke qenë se ai është ‘një prej të ftuarve’. Edhe sikur vetëm t’u prezantohet atyre si kandidatit për x zyrë dhe të bëjë një bisedë të çlirët me ta, gjasat janë për një shtesë simpatie në sytë dhe mendjet e votuesve.

Drejtojuni audiencave të ndryshme në të njëjtën kohë

Sa herë që ngriheni për të folur, dijeni se përballeni me më tepër se një audiencë. E thënë shkoqur: me disa publikë dhe disa fasha votuesish në rastin e një kandidati që garon për një post publik. Audienca e parë në rastin e një takimi elektoral janë ata në sallë, dhe e dyta, ata që të ndjekin nëpërmjet mjeteve të informimit publik, qoftë radio apo televizion. Nëse kandidati e di se ekzistojnë dy publikë, njëri i pranishëm e tjetri virtual, ai duhet të përqendrohet më shumë te shikuesit që e ndjekin nga ekrani apo dëgjuesit nga radio. Në çdo rast këta të dytët janë më shumë. Në çdo rast ata që janë mbledhur në sallë për të të dëgjuar janë mbështetësit e tij, gjithsesi. Kandidati është duke kërkuar elektoratin gri dhe në rastin ekstrem edhe ndonjë rrjedhje nga spektri politik kundërshtar. Mbështetësit tradicionalë të partisë në të gjitha rastet shihen si ‘votë e sigurt’ dhe të tillë janë. Detyra e kandidatit është që t’i nxisë besnikët të dalin në votime ditën e zgjedhjeve dhe t’i ‘rreshtojë’ ata politikisht duke u treguar se kush është kundërshtari apo ‘armiku’ i përbashkët. Dmth kandidati tjetër.

Besoji mesazhit tënd

Në krye, para se të shkosh te besimi duhet ta kesh një mesazh. Pra një ide qendrore rreth së cilës do të sillet fuga e fushatës elektorale. Në zgjedhjet lokale lokal duhet edhe mesazhi, përjashto rastet kur vendi është në gjendje emergjence apo i kërcënuar nga një luftë apo armik i jashtëm (në raste të tilla nuk duhet të mbahen zgjedhje, gjithsesi). Mesazhi nevojitet të jetë një vizion ose një çështje jetike për komunitetin në tërësi. Identifikimi i vizionit apo çështjes prej së cilës do të dalë edhe mesazhi yt i fushatës bëhet, ose me anë sondazhesh të pavarura (jo partiake), ose në kontaktet e tua apo të vullnetarëve të fushatës. Këtu edhe njëherë hyn në punë të filluarit herët të fushatës. Mesazhi i fushatës duhet përkthyer më pas në slogan të saj dhe rreth tij duhen ndërtuar të gjitha lëvizjet elektorale. (Mos harro të ndërtosh një vizion apo mesazh elastik!) Nëpër takime duhet theksuar; në turet ‘derë më derë’ duhet përsëritur dhe, një gjë e rëndësishme, mesazhi duhet ‘qëndisur’ në fjalimet e fushatës. Mos qarkullo një mesazh tek i cili nuk beson: nuk do mundesh ta transmetosh as me fjalë e as emocionalisht dhe njerëzit këtë e vënë re.

Jini i gatshëm për debat

Qytetet kryesore në Shqipëri kanë stacione radioje apo televizione lokale, që ndonjëherë shtrihen në të gjithë qarkun. Shfrytëzojini ato. Ekspertët e komunikimit theksojnë se ‘duke përjashtuar rastin e ecjes para kamerave të një personi të arrestuar me pranga në duar, nuk ekziston imazh më i pakëndshëm se ai i një politikani që i shmanget kameras së një trupe televizive, e cila i bën pyetje dhe merr mbrapsht një ‘Jo koment’”. Mediat nuk janë bërë për t’i shmangur, por për t’i përdorur në avantazhin tënd. Edicionet e lajmeve, hapësirat publicitare dhe sidomos mundësia e një debati me kandidatin tjetër, janë për t’u shfrytëzuar. Sidomos një debat, qoftë edhe përballë një audience të përzgjedhur në një sallë, është forma më efikase e komunikimit politik modern. Sigurisht, për këtë duhet përgatitje, por më e rëndësishme se kjo është njëfarë gatishmërie dhe natyrshmërie për t’u përballur. Të besosh në atë që bën, është gjithmonë kushti themelor. Politikanët lokalë, ndryshe nga qendrorët, nuk e kanë luksin e shumëfishimit të mesazheve të tyre nga massmedia, kështu që atyre u duhet të përdorin çdo rrëke informative të mundshme.

Marrë nga gazeta periodike MAPO

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO