21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Evans Drishti /

Të dukshme dhe të shumta janë bërë tashmë kohët e fundit paraqitjet mediatike, si në mediat vizive ashtu edhe në ato të shkruara, të ndodhive dhe ngjarjeve që kanë të bëjnë me konceptin e “dhunës” si në ambientet familjare e konceptuar si “Dhuna në familje” ashtu edhe në ambientet e institucioneve arsimore dhe edukative e konceptuar kjo si “dhuna në shkolla”. Natyrshëm, që një fenomen i tillë s’mund të kufizohet vetëm në këto dy hemisfera, përkundrazi shkon shumë përtej kësaj.

Le ta pranojmë një të vërtetë të hidhur, ajo që ka të bëjë me mënyrën tonë të të edukuarit me natyrë gjaknxehtë, reflektues të menjëhershëm ndaj çdo lloj situate, që na duket sikur na cënon karakterin dhe identitetin tonë, një natyrë kjo e shfaqur dukshëm në mënyrë të veçantë aty pas viteve 90’, pas daljes nga sistemi diktatorial. E megjithatë, a mund të jetë justifikim i pranueshëm një fakt i tillë? Absolutisht jo!

Për të qenë akoma më konkret në atë se ku duam të dalim, fenomeni i “dhunës” tashmë është bërë fenomen i prekshëm në çdo ambient dhe për fatin tonë të keq, i përhershëm dhe i vijueshëm. Një mësues apo mësuese që godet nxënësin në orën e mësimit për shkak të një veprimi të pahijshëm apo për shkak të mungesës së vëmendjes gjatë orës së mësimit bëhet objekt bisede për mënyrën e sjelljes gjatë një ore mësimi në një institucion arsimor.

Secili bën një pyetje të thjeshtë “A duhet të ndodh një fenomen i tillë?”, e ndërkaq gjithsecili është i vetëdijshëm të kuptojë, se një fenomen i tillë nuk është i pranueshëm në asnjë aspekt dhe asnjë këndvështrim. Nuk mjafton të mbarosh një apo dy universitete për të kuptuar që një dukuri e tillë është e papranueshme, e megjithatë kemi anën tjetër të medaljes, sipas së cilës pa një arsimim bazë është e vështirë të dalësh nga një mentalitet i ashpër dhe verbues.

Duke reflektuar mbi ndodhitë e ndodhura dhe duke e analizuar situatën në këndvështrime të ndryshme kuptojmë se diçka ka shkarë nga sytë, shfaqet si e pakuptueshme, por në fakt është një e vëretë e pamohueshme. Kur shohim që prindërit reagojnë ashpër jo ndaj dukurisë së dhunës, por ndaj mungesës së edukimit, ato harrojnë se ky edukim nuk vjen nga shkolla, por nga ata vetë.

Le të sjellim në vëmendje një shprehje mjaft domethënëse profetike sipas së cilës “Edukojeni fëmijën njëzet vite para se të vijë në jetë” Ç’kuptim ka?

Çdo prind duhet edukuar së pari vetë, në mënyrë të atillë që të jetë i gatshëm për një edukim të një tjetër qenieje. Dhe padyshim që ky edukim buron nga familja, rrethi ku jeton ai fëmi dhe miqtë e tij. Sa është familja jonë shqiptare e integruar në këtë drejtim? Sa kohë shpenzojmë me fëmijët tanë para se t’i dërgojmë nëpër shkolla? Sa kemi bërë përpjekje të përfshihemi në botën e tyre emocionale dhe shpirtërore? Sa fëmijë jemi bërë me botën e tyre? Sa luajtëm me lodrat e tyre? Sa arritëm t’i orientojmë në rrugën e duhur? E për më tepër cila është rruga e duhur?

I lidhur ngushtë me këtë fenomen shfaqet një tjetër çështje po kaq delikate. Duke jetuar në një sistem demokratik, fatkeqësisht këtë demokraci e kuptuam gabim, pasi ndërkohë që po përpiqeshim të orietoheshim, deshëm të merremi vetëm me të drejtat tona, pra të drejtat e fëmijëve. Krahasuam botën tonë të mëparshme me botën e tyre dhe në emër të kësaj lirie humbëm raportin prind – fëmijë, duke e kthyer këtë raport përtej një raporti shok – shok. E përqafuam këtë liri sikur të ishte arma jonë më e fortë

dhe u pandeh se askush s’ka ç’të na bëjë, përsa kohë që jetojmë në një të tillë sistem. Të edukuar vetë në një sistem diktatorial, shprehëm një keqardhje të tepruar ndaj brezit të ri.

Por ç’ndodhi?

Humbëm kontrollin me fëmijën tonë, pasi meraku i madh i mbijetesës dhe i qëllimit tonë final, që çdo gjë po e bëjmë vetëm për të mirë të tyre, na zhgënjeu keqazi pasi kjo nuk ishte një e mirë që ne po i bënim këtij brezi.

A u ulëm ndonjëherë deri në këtë moshë që erdhi fëmija jonë të bisedojmë shtruar rreth problemeve që janë shqetësuese për ta, apo krijuam një barrierë të fortë për të vendosur atë autoritet që neve do na bënte “prindër”?

Në emër të kësaj lirie, ne harruam se çdo fëmijë jeton moshën e vet, harruam atë që është ndoshta akoma më thelbësore, sipas së cilës fëmija ashtu sikurse rritet dhe zhvillohet fizikisht çdo ditë ashtu zhvillohet edhe mendërisht. Harruam për momentin të kuptojmë se zhvillimi është aq i menjëhershëm aq sa puna jonë si për zhvillimin e tij ashtu edhe të vetes sonë është e ngadalshme. Edukimi ynë si prindër është edukimi i frymës dhe i botëkuptimit tonë, është kthjelltësia mendore dhe intelektuale për një perceptim dhe një zgjerim të horizontit për të kuptuar më ndryshe rrethanat dhe ngjarjet dhe për rrjedhojë njerëzit që veprojnë për të hedhur hapa akoma më të sigurtë. U abuzua shumë me konceptin kohë duke sjellur gjithmonë një justifikim “S’kam kohë”, duke mos e kuptuar apo duke mos qenë i ndërgjegjsëm se për çfarë nuk kishim kohë dhe se ku shkoi gjithë ajo kohë që na u dha brenda një ditë – nate.

S’ka dyshim që raportet mes brezave janë relative, pasi është rrotulla historike që sillet e vërtitet çdo sekondë që kalon. E ndërsa pyesim se si mund të arrihet ky ndryshim mentaliteti, në fakt përgjigja është e dhënë prej kohësh “Vetëm me edukim”. Harrojmë nga ana tjetër që ky i shkretë “edukim” nuk është si buka që hahet apo si ilaçi që merr për shërim, që brenda një kohe shumë të shkurtër pret të kthehesh në normalitet. Prandaj është puna kyçe e prindërve të brezit të ri që duhet akoma më shumë intensifikuar si për zhvillimin dhe integrimin e tyre personal ashtu edhe për edukimin e fëmijëve të tyre.

Pajtohemi që të gjithë se “dhuna” nuk filloi apo nuk u njoh si koncept nëpër shkolla, përkundrazi nisi që në hapat e parë të jetës dhe përditshmërisë njerëzore. Atëherë sa u njoh mësuesi kujdestar me ndryshimet psikologjike të nxënësit, sa u njoh psikologu me problemet që rrahen në përditshmërinë shkollore, sa u njoh prindi me zhvillimin dhe emancipimin e fëmijës së tij?

E për të ardhur tek pyetja më rënqethëse: “Sa të vetëdijshëm dhe të mirëinformuar janë prindërit e rinj në edukimin e fëmijës së tyre?” Vallë a ishte familja që i mësoi ato në këtë drejtim? A ishte nëna që mori të bijën dhe e mësoi si duhej të sillej më familjen dhe fëminë e saj? A ishte babai që mori të birin dhe i mësoi si duhej sjellur në jetën familjare? Vallë, a janë mësuesit edukatorët kryesore për reflektimin në rregullat martesore për nxënësit e tyre? …

Fëmijët janë në trishtim pasi nuk gjejnë një prehje shpirtërore, përkundrejt një vulgariteti dhe ashpërsie që i karakterizon si familjarët ashtu edhe edukatorët. Fëmijët kanë shqetësime serioze psikologjike, pasi me çdo kusht duan të plotësojnë dëshirat e egos së tyre, sado të paarritshme qofshin ato. Fëmijët duan të flasin me dike? Po me kë?

 

 

Shkodra Press

Qamil Gjyrezi  /   

Figura të shquara në historinë botërore kanë patur një rol të madh për çështjen shqiptare. Një prej këtyre figurave të mëdha ka qenë edhe ish-presidenti amerikan në vitin 1912 Wodrowe Wilson. Para disa ditësh po bisedoja me Kryetarin e Këshillit të qarkut në Shkodër z. Maxhid Cungu dhe me tha, se kur është bërë harta e emërtimeve të rrugëve të Shkodrës, kishte insistuar që një rrugë në Shkodër të kishte emrin e ish-presidentit të 28-të të Sh.B. A-ve Thomas Woodrow Wilson (1856-1924). 

Wilsoni ka qenë president, përfaqësues i Partisë Demokratike Amerikane të kohës. Ai e udhëhoqi Partinë Demokratike Amerikane të fitojë kontrollin në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres në vitin 1912. Është nderi madh për Shkodrën, Shqipërinë dhe të gjithë Shqiptarët emërtimi i një rruge të qytetit të Shkodrës me emrin e Wilsonit. Wilson ka një rol të madh për çështjen Shqiptare. Ai ishte kundër copëtimit të trojeve Shqiptare, që pabesisht dhe padrejtësisht u copëtuan nga fuqitë e kohës. Nuk kam ndërmend të bëj historinë e këtij akti të “turpshëm” për kohën, copëtimin e trojeve tona nga fuqitë e mëdha, por qëndrimi politik i këtij burri të madh të shtetit më të fuqishëm të botës më frymëzoi që ti shkruaj këto pak rreshta. 

Politika amerikane në të gjithë historinë e saj ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krahun e çështjes tonë që ka patur përmasa mitike. Politika amerikane dhe përkrahja e Sh.B.A-ve sëbashku me aleatët ndikoi fuqishëm për krizën e Kosovës dhe për pavarësinë e Kosovës. Amerika në të gjithë politikën e saj është e interesuar për zhvillimin ekonomik dhe demokratik në Shqipëri, Kosovë dhe për integrimin tonë në BE. Roli i Wilsonit ishte jashtëzakonisht i madh për kohën. Imagjinojeni se në çfarë niveli politik dhe gjeopolitik ishte çështja jonë në atë periudhë, në vitin 1920. Zëri i presidentit të Amerikës kishte rëndësi të madhe për mbrojtjen e tokave dhe çështjes tonë. Por aspiratat e këtij burri të madh shteti u realizuan me demokratizimin e vendit tonë mbas viteve 90-të dhe pavarësinë e Kosovës. Roli i Amerikës dhe i aleatëve evropianë ishte vendimtarë për këtë akt madhor në historinë tonë. Prandaj emërtimi i një rruge në Shkodër me emrin e Wilsonit e nderon ish-presidentin amerikan dhe Sh.B.A.-të. Qyteti i Shkodrës ka nderuar dhe respektuar edhe figura evropiane të cilat kanë luajtur një rol për çështjen tonë, pavarësisht nivelit shpesh të ulët artistik të këtyre monumenteve që me të drejtë Zv-ministri i kulturës Zef Çuni i konteston në një prononcim të tij, për mënyrën se si janë projektuar dhe vendosur pa kritere artistike në qytetin e kulturës siç është Shkodra. Ky konceptim dhe realizim me nivel të dobët artistik i këtyre busteve dhe monumenteve, i ul vlerat shpesh ngjarjeve të caktuara dhe përfaqësuesve të kulturës e politikës shkodrane dhe të huaj. 

Rruga Wilson është nga turizmi Rozafat në drejtim të Ambulancës së qytetit. A nuk do të ishte me vend projektimi i një hapësire për të vendosur edhe një bust të Thomas Woodrow Wilson, në këtë zonë të menduar mirë artistikisht dhe urbanikisht. Ky akt do ti nderonte shkodranët dhe Shkodrën. Busti i Wilsonit duhet të ketë nivel artistik, natyrisht ky është një debat i artistëve të fushës së arteve vizive dhe skulpturës për promovimin e këtij burri shteti. Figura e Wilsonit diku në këtë hapësirë, ku është edhe rruga Wilson, do ti bënte një nder qytetit të Shkodrës. Por gjithmonë nëse mendohet mirë artistikisht dhe urbanistikisht, për të vlerësuar sinqerisht kontributin e Wilsonit për çështjen tonë. Bustet dhe monumentet jo vetëm i vlerësojnë kontributet e individëve të caktuar të Shkodrës dhe të huaj, por mbushin hapësira urbane të cilat kanë nevojë për nivel artistik dhe kulturor. Me të vërtetë janë vlerësuar disa figura me monumente dhe buste, por konceptimi i tyre dhe vendosja pa kriter lë për të dëshiruar, ia ul nivelin kulturor Shkodrës. Në këtë kontekst po citoj edhe njëherë Zv-ministrin e kulturës, arkitektin e shquar Zef Çuni, që me të drejtë shkruante në statusin e tij në Facebook: "Nuk mund të ketë mënyrë më të mirë për të zhvleftësuar dy figura historike si At Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi si dhe dy ngjarje historike që përkojnë me lëvizjen antikomuniste në Shkodër për rrëzimin e bustit të dy diktatorëve, Hoxhës dhe Stalinit, lëvizje antikomuniste të përfaqësuara me dy lapidare tipike komuniste.” 

Një bust i Wilsonit në Shkodër, do të nderonte dhe përjetësonte figurën e këtij burri të madh shteti që ngriti zërin fort në një moment të historisë, për çështjen tonë mitike. Por edhe rishikimi i vendosjes së busteve dhe monumenteve me një nivel artistik që i jep vlera të vërteta ngjarjeve të caktuara historike, personaliteteve të politikës dhe kulturës Shkodrane e të huaja, do ti jepte një kuptim tjetër këtyre simboleve që kanë kontribuar për Shkodrën dhe çështjen shqiptare. 

A ka nevojë qyteti i kulturës siç është Shkodra për buste artistësh? Ideja që ish-presidenti amerikan Wilson të ketë një bust në Shkodër dhe mënyra se si janë vendosur dhe konceptuar disa buste të disa personaliteteve të fushave të ndryshme vendas dhe të huaj që kanë luajtur një rol pozitiv në historinë tonë, më kujtoi një ide te kahershme dhe po shtroj një pyetje. A ka nevojë qyteti i kulturës edhe për buste artistësh? Me të vërtetë intelektualë, ushtarakë dhe politikanë kanë luajtur një rol te madh në zhvillimet tona shoqërore dhe politike, po artistët e fushave të ndryshme a nuk kanë ndikuar edhe ato me veprat e tyre në zhvillimet e qytetit të Shkodrës përgjatë historisë? Patjetër që artistët e fushave të ndryshme muzikë, pikturë dhe letërsi kanë patur një ndikim shumë të madh në planin shpirtëror në qytetin e Shkodrës. Ato me veprën e tyre e kanë nderuar dhe lartësuar Shkodrën në planin shpirtëror duke i dhënë një vend të rëndësishëm edhe në planin kombëtar. Opera e parë, Banda e parë muzikore 1878, kompozitorë të shquar, dramaturgë e piktorë me vlera artistike dhe ndikim shoqëror duhet të kenë shenjat e tyre, bustet e tyre në Shkodër. Kur kam qenë anëtarë i këshillit bashkiak në vitin 2005, i pata propozuar këshillit për vendosjen e busteve të vegjël të artistëve shkodranë në lulishten pranë godinës së vjetër të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. A nuk do të ishin këto buste një nderim për veprën e tyre artistike që i dhanë emër Shkodrës në të gjithë Shqipërinë. Vjena për shembull është e mbushur me kolosët e muzikës botërore klasike, krahas politikanëve dhe perandorëve Austriakë. Këto buste janë simboli i Vjenës, ku me qindra turistë nga e gjithë bota i vizitojnë me shumë vëmendje dhe respekt për veprën e tyre. Përse të mos kemi të njëjtën vëmendje për artistët shkodranë, të cilët e kanë krijuar “Bustin” e tyre me veprën e tyre shumë të pavdekshme. Këto buste do ta nderonin Shkodrën dhe do i jepnin kuptim qytetit të kulturës.

Shkodrapress

Keti Bazhdari  /  

Ne vijmë nga qindra vjet histori, ku kemi njohur vetëm imponimin e pushtetit dhe na është krijuar mendësia se çlirimi nga vuajtjet personale, vjen vetëm nëse kundërshtojmë sovranitetin e shtetit ose kapim vete pushtetin. Në thelb, ky rreth vicioz ku vërvitet një rivalitet i pabarabartë dhe absurd mes pushtetit dhe qytetarit, na ka lënë nga njëra anë tribale dhe nga ana tjetër na ka zhvilluar hipokrizinë.  Flasim gjithë ditës për vlera demokratike, civilizim, integrim, ndërkohë që nga ana tjetër bëjmë krejt të kundërtën. Kemi kompromentuar dhe relativizuar çdo vlerë të cilën në parim gjoja e çmojmë, por ne praktikë e dhunojmë, vetëm e vetëm që të ndjehemi për një moment fitimtar karshi vetë shoqërisë tonë, të cilën nuk e konsiderojmë.

Për pasojë nuk njohim dhe as nuk duam një shtet të së drejtës sepse duam vetëm të drejta dhe mundësisht të gjitha për vehte. Detyrimin e kemi shumë frikë dhe e refuzojmë në parim, sepse nuk dimë të mbrohemi nga tejkalimi, të cilin e kryejmë me shumë zell sa herë na bie diçka në dorë. Ngaqë në brendësinë tonë qëndrojnë komplekset e inferioritetit ndaj pushtetit dhe jo dëshira të kemi shtet, ne nuk dimë të bëjmë opozitë, ose më mirë me opozitë nuk kuptojmë mbrojtjen por kapjen.

Kjo psikozë është më e përhapura në Shqipëri por dhe në Kosovë. Ajo shfaqet qysh tek refuzimi politik për t’iu përgjigjur detyrimeve shtetërore deri tek përballjet e dhunëshme në ballafaqimin e shqoërisë me shtetin. E shikon që tek fëmijët dhe tek ushqyerja që i bën vetë familja shqiptare, e cila çdo ditë e edukon fëmijën me shumë me rregulla xhungles sesa të një shoqërie të përparuar, ku duhet të respektosh e pastaj të respektojnë. Po kështu tekstet dhe metodat shkollore nuk shtrihen fare në këtë kontekst e për të ardhur në fund tek media, e cila ka shumë rol në edukimin e individëve, por që në Shqipëri s’përbën ndonjë përjashtim nga hallkat e tjera të infektuara të shoqërisë shqiptare. Më pak fjalë duket sikur na pëlqen të gjitheve amullia. Sa herë shikojmë shkrepëtima Shteti ku duhet të paguajmë detyrime, ku dënohemi nëse bëjmë korrupsion, trafiqe, vepra të paligjshme dhe ku qytetari tentohet të trajtohet i barabartë (pa diskriminim, por as favorizim), ne na kap shtrëngimi dhe era e Shtetit na bezdis “shpirtin”, menjëherë na ndrijnë neuronet primitive të anarshisë, të cilat na paralizojnë memorjen dhe gjaku na thërret për mosbindje.

Kultura jonë antishtetërore, në të vërtetë vjen nga unifikimi i shtetit me pushtetin dhe nga privatizimi i tij për interesa të pushtetit. Dhe pikërisht këtu qyetarët nuk bëjnë më dallim mes shtetit dhe pushtetit dhe i refuzojnë ata të dy njësoj, aq sa të duket sikur këtu duhet të mbrojmë Shtetin nga qytetarët!

Kjo histori duhet të marrë fund dhe shoqëria jonë duhet të shkoj drejt një standarti ku qytetari të arrij ta ndaj shtetin nga pushteti dhe të arrij të diferencoj armiqësinë apo idolatrinë ndaj pushtetit me detyrimin për të respektuar shtetin. Sa më politikë të jetë pushteti aq më e vështirë është kjo. Sa më civil të jetë pushteti aq më lehtë qytetari do ta ketë të dalloj diferencën mes shtetit dhe pushtetit.

 Shkodra Press

Zija Vukaj  /  

Këto ditë mediat tona na ushqyen deri në tejngopje me një alamet lajmi, i cili doli nga skajet e një province për t'u përhapur valë-valë në të gjithë veshët e shqiptarëve: Një zyshë në Bajzë ka kapur për veshi dhe i ka futur një shpullë një nxënësi. Lajm "tronditës" për arsimin shqiptar që ecën sahat dhe vetëm këtu çalon dhe rast i mirë për kujdestarët e moralit, njerëz të kënduar e me një barrë mend që e diskutojnë në mënyrë akademike e shteruese këtë "gjëmë" që e gjeti arsimin dhe shoqërinë tonë shqiptare, tashmë evropiane, tepër e kulturuar dhe delikate, që nuk e njeh dhunën, por e sheh për herë të parë nga zysha e shkollës.

Në studion e Tv Klanit, fytyra të mërzitura personalitetesh që e shqyrtojnë fenomenin me rrënjë e me degë. Diskutime pa fund, që fillojnë me Evën dhe Adamin, për të ardhur te Pestaloci e Makarenkoja e deri tek filmat amerikanë e praktikat suedeze, të gjitha këto për të arritur përfundimin e thjeshtë se dhuna na qenka e keqe. Sa çudi!! Dhe ka një garë delikatese dhe zemërbutësie, e gjitha një hipokrizi, që shprehet në rrëqethjet aktoreske apo traumat psikologjike që shoqërojnë një pjesë të panelit kur shfaqet tasheparë e pafundësisht sekuenca e regjistruar nga celularët legalë të nxënësve. Ata që flasin aty nuk kanë asnjë lidhje me procesin e përditshëm të mësimdhënies në kushtet e sotme, sepse shyqyr, falë aftësive të tyre specifike, asnjëri nuk ka pasur fatin e keq të punojë me kontigjentet e sotme të nxënësve.

Do të isha kurioz t'i shihja këta mendtarë dhe të tjerë, që diskutojnë nga maja e thanës, duke bërë mësim vetë në klasat e sotme, së paku një javë. Dhe moderatori vetë i përgjigjet "terrorit" të mësueses me terror dhe dhunë mediatike, duke e dhënë atë skenë "makabre" mbi tridhjetë herë, për ta diskredituar dhe për t’i marrë fytyrën mësueses "kriminele" me autodafenë e tij mediatike. Ata që janë aty në studio s'kanë parë as nëpër filma skena më të dhunshme. Larg qoftë, po të kishin parë skenat që shohim dhe jetojmë përditë ne punëtorët e bazës, kur gjimnazisti rreh në mënyrë demonstrative mësuesen, kur një prind prepotent futet në klasë dhe godet nxënësin që i ka folur vajzës dhe mësuesi që ndodhet aty dhunohet dyfish etj. Një tjetër orator që ndodhet në studio hedh idenë e tij të ndritur se ajo që ndodhi në shkollën e Bajzës ndodh vetëm në zonat suburbane me njerëz të pagdhendur që nuk të hapin as rrugën e makinës, pra, sipas tij, në një popullsi gjysmë të egër. Po të qe kështu, e kemi kapur demin për brirësh, me rastin e kësaj mësueseje dhe meqë kjo ndodh në një zonë të vogël e të veçuar gjithçka lehtësohet.

Kolegët e mësueses, nxënësit dhe komuniteti thonë se nga kjo mësuese kanë dalë nxënës fitues olimpiadash dhe se ajo ka rrezikuar vetë dhjetëra raste, duke u futur mes skenave të sherrit midis nxënësve tanë "delikatë" e të "butë” për të parandaluar pasojat. Gabim e ka pasur. Më mirë të rrinte spektatore e t'i linte të rriheshin. Sepse kështu u ka hequr atyre të drejtat dhe lirinë. E kush e di se në raste të tilla mësuesve të tillë, që rezultojnë sipas këtij morali, më të marrët, të mos u fluturojë fytyrës edhe ndonjë cep grushti a sendi tjetër me të cilat palët ndërluftuese janë të pajisura rregullisht?

Dhe kolegët e mi që i lexojnë këta rreshta i dinë mirë këto punë. I dinë më mirë se ata që trishtohen nga larg. Ndokush është bërë gati të shpërthejë kundër mendimit tim, se kujton që mua më pëlqen dhuna dhe të ngutet të më mësojë se gjërat pozitive janë më të mira se ato negative. Po kush është ai dykëmbësh që nuk e kupton se dhuna, në çdo formë të shfaqjes së saj, është e keqe.

Thonë se nxënësi është objekt dhe subjekt. I tillë është edhe mësuesi. Pa bërë patetikë, padashur të hiqemi si modernë, pa bërë skena sentimentale, duke përmendur fëmijë shqiptaro - amerikanë, duhet të përqendrohemi në realitetet tona sociale, historike, psikologjike dhe ontologjike për të kuptuar se dhuna është e pranishme, jo vetëm në të gjitha strukturat e shoqërisë sonë, por mbi të gjitha dhe më e fortë e tepër ndikuese në superstrukturën tonë politike.

Në parlament ka sharje, grushte, dhunë psikologjike, fizike dhe verbale. Në rrugë gjithashtu. Në sistemin arsimor viktima më e madhe është mësuesi. Kjo figurë, dikur e nderuar, sot është e frikësuar në të gjitha drejtimet: frikë nga shteti, frikë nga sektori i statistikave, frikë nga zyra e kuadrit, frikë nga kreditet që blihen si zarzavatet në treg, frikë nga emërimi, shkarkimi, inspektori, prindi etj., etj., dhe sidomos ata që punojnë nëpër shkolla të mesme, frikë nga nxënësit. Të gjitha këto frikëra e kanë katandisur në një qenie të intimiduar e të mjerë dhe nuk është çudi që edhe ai, duke qenë edhe subjekt, të ketë ndonjë shpërthim emocional, që gjithsesi, është i dënueshëm dhe i palejuar.

Dhe zakonisht njerëzit punëtorë më të apasionuarit pas profesioneve, janë më të rrezikuarit ndaj ngarkesave emocionale, sidomos kur ndodhen edhe përballë një morie shkaqesh që nuk i kanë krijuar vetë.

Shkodra Press

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO