21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Senad Nikshiqi / 

Në mbrëmjen e 21 janarit 2015, gjithçka nisi jo më shumë se kornizat e një statusi në facebook. Dikush mund ta merrte për humor, dikush për të vërtetë ashtu siç ishte, dikush mund të dyshonte edhe pse me pa të drejtë, dikush... dikush... dikush... shumë ”dikush-a”. E në fakt ashtu ndodhi. E thënë përmes facebook se 3 drejtues të departamenteve të Partisë Demokratike në Shkodër e kishin marrë shumë lehtë dhe njëri nuk dinte gjë, krijoi ilaritet. Ca u ithtuan, ca qeshnin, ca mbanin heshtjen dersia dikund nga mesi i komenteve një prej anëtarëve të kryesisë ia plasi pa dorashka. Kaq u desh. Celularët e inbox-ët në facebook nuk pushonin, teksa secili kërkonte të lajmëronte i pari tjetrin. Natyrisht pa bërë ndonjë ngatërresë në adresa, secili lajmëronte nga grupi i vet. Dikush merrej me gazetarin. Kërkonte të dinte nga unë se nga kishte dalë burimi, se kush më kishte thënë e kështu me radhë. Natyrisht që këtë nga unë nuk mund ta dinin të gjithë, edhe pse bisedat e bëra ishin me dëshmitarë dhe jo sekrete, sepse siç dihet sekretin e dinë vetëm 3 vetë, atëherë kur 2 të tjerë vdesin.

Në mëngjesin e 22 janarit 2015, pas asaj mbrëmje të gjatë, për dikë të lodhshme, qoftë edhe për kureshtarët që çuan natën zgjuar, pllakata e etiketimit tashmë ishte gatuar më së miri. Një shkrim në një të përditshme, edhe pse pa emër u fantazua se ishte shkruar nga unë, pavarësisht se i vërtetë apo jo, i saktë apo jo ai shkrim. Mendje të vakta që nuk kanë ç'të bëjnë tjetër veçse të fantazojnë, e aq më tepër nga ata që shpesh herë edhe bisedon gjatë e gjërë. U deshën 3 telefonata nga unë për t´i treguar dynjasë që lidheshin direkt me çështjen se unë nuk jam shkruesi i atij shkrimi. Në e kanë besuar apo jo, mbetet punë për ta, edhe pse nga sa kuptova, e kuptuan.

Një tjetër status sqarues në facebook, rrjedhimisht edhe nga statusi i parë, mjaftoi për ta bërë edhe më shpërthyese ngjarjen. Të gjithë në PD nganjëherë më dukeshin si ata që nuk dinë ku janë e nuk kanë as busull. Sapo hap e mbyll sytë, duke lexuar faqet e para të gazetave, që herët në mëngjes, kudo thuajse gjeja debatin e shamatën e PD, përplasjen e gjithçka tjetër që si burim nuk kishte asgjë më shumë se statusin tim në facebook, të paktën zanafilla aty kishte nisur. Kur provova të dal rrugëve, ngado ktheja kokën, të njohurit që hasesha me ta, qeshnin. Ku do shkosh? Çfarë bën? Ooooo çfarë gazepit mbrëmë. Çfarë i bërë PD-së. A i pave, ishin çmendur. Si ja bëre atë punë. Bëj kujdes se do e pësosh ti. Kush të tha ty? Sa din edhe ti. Pse i thua të gjitha? A është e vërtetë aaa, sa jam habit?!. Kështu e shumë më shumë, pyetje që më habisnin. Fillimisht shtangesha e pastaj nisa të mësohem, s´më bënte përshtypje. Kështu e nisa dhe e mbylla ditën. Nuk flitej gjë tjetër, sikur qyteti ka veç një hall, atë të PD-së.

Kaq u desh, ndoshta mjaftueshëm ishte sa për të çuar peshë tërë PD-në. Thonë se e paska marrë vesht edhe Lul Basha (se kam shok por në këtë rast dua t´ia shkurtoj emrin). Deri atje lart kishte mbërritur me za e nam siç themi gegënisht nganjëherë. Përbaltja e emrit u bë e zakonshme në ditën e sotme, natyrisht pa asnjë lloj të drejte, pa asnjë lloj morali, pa asnjë lloj përballje, pa asnjë lloj gjëje, natyrisht përbaltje jo publike, as zyrtare por nga PD-istë me ithtinë në fyt që kujtojnë se opozitarizmi është komunizmi, Partia Socialiste apo diç kështu rrotull.

U kërkua të mbyllej me një deklaratë shtypi përmes facebook dhe jo fjalëve përmes foltores nga zyra e PD që për fatin e mirë prej disa kohësh ka gjetur çelsin. Deklarata, pas sqarimit i referohej vetëm atij shkrimi por nuk mund të jetë e ndarë nga e gjithë zamullahia që shpërtheu si mina me sahat. Dy herë u tha se drejtuesit e departamenteve qenkan zgjedhur me shumicë votash nga mbledhja e kryesisë së PD Shkodër. Siç ne themi, rrenë.

Po sikur unë të thoja për atë që nuk quhet debat por shamatë, lajthitje e momentin, nervozizëm, të bërtitura, dalje e situatës nga kontrolli. A mund të jetë debat kur sa janë lexuar emrat të tjerët kanë befur si rrufeja në këmbë. Kanë nisur të bërtasin, të shamatohen e të çojnë zërin në kupën e qiellit, të largohen fare e askush të mos votojë e në të gdhirën e së nesërmes të thuhet se paskërkan zgjedhur me shumicën e votive, ky është debati? Ndoshta. Dikush mund ta cilësojë këtë koncept si debat, mua ma kanë mësuar ndryshe debatin, edhe të huajt debatin e dinë ndryshe. Qofsha i gabuar. Ata që thuhet se kanë patur përplasje nuk paskan qenë në mbledhje. E vërtetë dhe ndoshta e vërteta e vetme, ndoshta, jam i bindur por kush ka dëshirë po ja lë me ndoshta se dikush kënaqet. Po sikur të thoja se siç e pohojnë natyrisht jo publikisht shumë burime se zallamahija e përplasjes ka nisur që në mëngjes e i është dhënë fund në darkë edhe me fjalor nga më banali. E vërtetë apo jo, në këtë kontekst ku kemi mbërritur nuk ka shumë rëndësi. Në fakt nuk thashë asgjë nga këto por veç dy tre biseda, natyrisht pa emra sepse facebook është i imi personal dhe jo një faqe zyrtare.

Emrin nuk di t´ja gjej gjithë kësaj, por e gjitha kjo ndodhi. Dashur pa dashur gjëja mori dhenë e nuk e di edhe tani nëse është ndalur apo vazhdon të gjejë shtigjet e depërtimit lart e poshtë. Si duhet t´i marr statuset e shumë PD-istëve sot në facebook? Si duhet ta marr heshtjen e shumë tjerëve që dinë shumë e nuk thonë asgjë nga frika? Si duhet ta marr fikjen e celularëve të një pjese gjatë ditës së sotme? Si duhet ta marr mungesën e guximit të atyre që janë të idhnuar e atyre që më shumë se kurrë sot duhet të flasin, por nuk e bëjnë.

Kjo është liria? Demokracia? E drejta e shprehjes? E drejta e individit?

 

Shkodra Press

Lutfi Dervishi / 

Media britanike nuk e shfaqi faqen e parë të “Charli Hebdo” në numrin e parë pas tragjedisë ku paraqitej profeti Muhamed! Gazetarët e raportuan gjerësisht këtë lajm, me pamje nga shtypshkronja ku u shtyp tirazhi prej 5 milionë kopjesh, pamje nga kioskat e shitjes dhe radhët e gjata të lexuesve, por faqja e parë nuk u shfaq! Gazetarët përshkruan me fjalë në imtësi se çfarë kishte në faqen e parë dhe megjithëse karikatura në thelb nuk ishte agresive, por me tone pajtuese, redaktorët e panë të udhës të mos shfaqnin imazhin ku përshkruhej profeti! Është një vendim i përgjegjshëm i transmetuesit publik BBC, por edhe i medias private në Britaninë e Madhe! Nuk është vendim i marrë nga frika, por një kujdes i treguar për audiencën! Kujdes për të mos lënduar dhe provokuar!

Edhe on line në referencat historike, BBC paralajmëron që në krye përdoruesit se artikulli përmban imazh të shekullit 16 të profetit! Dyzet vjet më parë, revista “TIME” u kërkoi ndjesë lexuesve për botimin e imazhit të profetit Muhamed.

“Washington Post” dhe disa media on line botuan faqen e parë të “Charlie Hebdo”. Kryeredaktori i gazetës tha se është politikë e gazetës për të mos botuar materiale që synonin në mënyrë të qëllimshme për të ofenduar komunitete fetare, por sipas tij karikatura e fundit nuk futej në këtë kategori. Në këtë fshat global, gjithnjë e më të lidhur fort pas internetit, ku vdekja e distancës i ka bërë njerëzit dhe shoqëritë më afër njëri-tjetrit, një botim lokal ka pasoja globale. Reagimet e pothuaj mbarë botës myslimane më 2005-n nga botimi i disa karikaturave fyese të profetit në Danimarkë nxorën në pah debatin për lirinë e medias si vlerë universale, por edhe përgjegjshmërinë për të mos provokuar.

Disa gazeta në Shqipëri zgjodhën të botojë karikaturën në faqet e brendshme! Në debatet për ngjarjen më se një herë u vu shenja e barazimit mes lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes! Liria e shprehjes e përfshin të drejtën për të ofenduar e provokuar, liria e medias jo domosdoshmërisht!

Ka një debat për botimin e imazhit të profetit. Ndalimi nuk gjendet në mënyrë të qartë në Kuran, por ndalimi vjen nga hadithet! Synimi ka qenë për të luftuar idolatrinë! Për shumicën e besimtarëve myslimanë imazhet apo statujat e profetëve janë të ndaluara sepse nxisin adhurimin ndaj idoleve!

Fondamentalistët e lirisë së shprehjes do të dëshironin të shihnin të kundërtën! Fyerja, lëndimi dhe provokimi në besimin fetar nuk është lakmus që dëshmon shkallën e lirisë së medias! Media ka një hapësirë të pafund që mund ta shfrytëzojë sa herë të dojë, sa të dojë dhe kur të dojë! Mund të shkruajë për liderë fetarë, mund të shkruajë për pushtetin e fesë, mund të shkruajë për afera korruptive në mejdanin e fesë, por nuk është e udhës të lëndojë dhe provokojë!

Liria e medias është derivat i lirisë së shprehjes dhe një media e përgjegjshme ka plot hapësirë lirie për të prekur të paprekshmit mbi tokë dhe nuk ka pse të kërkojë ekstremet “në qiell” për të dëshmuar guximin apo “profesionalizmin”!

Media për shkak të përgjegjësisë që ka ndaj publikut mund të mos shfrytëzojë gjithë hapësirën që i jep “liria e shprehjes” pikërisht për ta ndjerë veten më të lirë në ditën që do të ndodhet më keq! Shqipëria mburret me tolerancën dhe harmoninë fetare, por vëllazëria fetare, siç e cilësoi Papa Françesku, nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë! Për të duhet kujdesur. Në këtë kontekst, pyetjet: Çfarë fitojmë nga botimi ? Cili është interesi publik? A është liria e medias edhe licencë për të ofenduar dhe provokuar? Cili është interesi publik? A është liria e medias edhe licencë për të ofenduar dhe provokuar mund të sjellin përgjigje të ndryshme, por emëruesi i përbashkët është roli që kërkon media në një shoqëri demokratike!

Ka 1000 tema tabu që mund të shkruash dhe të bësh karikatura! 1000 tema të vlefshme për këdo! Tema me interes dhe interesante për publikun! Një gazetar publikisht thotë së fundmi se i di emrat e personaliteteve politike që kanë përfunduar në repartin e toksikologjisë për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike, por nuk i bën publike!

Jo për merakun se lëndon dikë, por për arsye të tjera... Të thuash “Je suiss Charlie” në këto kushte është më shumë se hipokrizi! Kur bërtet për lirinë për të lënduar një komunitet vetëm për një blasfemi, media e lirë karikaturizon vetveten! Shqipëria ka një pasuri në dorë, që si çdo pasuri kërkon mirëmbajtje dhe kujdes! Duke huazuar një proverb, harmoninë fetare nuk na e kanë lënë trashëgim të parët, por ua kemi borxh pasardhësve. Media ka mision historik për të mos mbetur borxhlinj!

(marrë nga panorama.al)

Shkodra Press

Sadedin Limani / 

Gjithçka ka filluar të trazohet. Duket sikur trazimet tona të jetës vijnë nga trazimet e kohës si sinoptikë. Po aq e trazuar sa edhe vetë Toka duket të jetë edhe njeriu. Ndryshimet e mëdha të klimës, tërmetet, cunamet, tajfunet e ciklonet, zjarret dhe vullkanet deri edhe meteorët dhe përplasjet e mëdha të trupave qiellorë në kolizione gjigante, kanë hequr kufijtë midis Tokës dhe Universit kozmik. E në planin Tokë-Kozmos duket sikur kufijtë po bien një herë e përgjithmonë. Paralajmërimi profetik i “Kryemjeshtrit” tokësor të shkencës Hopkin, se Njeriut i duhet të mësojë më parë si sillet Universi dhe ligjet e tij se sa të humbasë në një zhvillim teknologjik tokësorë të pakuptimtë dhe joproduktiv, mu si me një lodër fëmijësh, duket të jetë fatal. Dhe ky fatalitet duket sikur vjen nga përplasja e madhe midis Qiellit dhe Tokës. Ky njeri, Hopkin, i cili tashmë dergjet në përfundim të jetës së tij fizike tokësore, vjen duke u tretur gjithnjë materialisht. Ai është sot më shumë një njeri idilik se sa një njeri real. Më shumë ide e mendje bashkë sesa materie, në një gjysmëgjendje të qëndrueshme.

Pas eksperimenteve të mëdha të kryera në Cernë në Zvicër (Laboratori super i fuqishëm ku gjendet akselatori [përshpejtuesi] i thërrmijave elementare të përftuara po aty, ku u realizua përplasja e lëndës me antilëndën) si edhe dhe rezultateve të shkëlqyera të arritura nga shkencëtarët e atij institucioni, Hopkin në replikë me kolegët e vet shkencëtarë u thotë atyre: “bëni si të doni e çfarë të doni, kurrë nuk do të arrihet të gjendet ndonjëherë grimca e Zotit,” duke aluduar për ekzistencën e Tij dhe fuqinë e madhe krijuese universale të vetë Zotit. Me këtë ai nuk bënte gjë tjetër veçse vinte një kufi metafizik midis të mundurës dhe të pamundurës, midis materiales dhe jo materiales, midis qiellores dhe tokësores. Por, pas refleksioneve të thella, ai bën pohimin krejt të kundërt dhe bie dakord me kolegët e vet shkencëtarë se “Zoti nuk ekziston” dhe kjo është një e vërtetë përfundimtare e arritur shkencërisht.

Për ironi të fatit, kjo lojë e madhe blasfemike vjen në një kohë kur shkenca tjetër, ajo e mjekësisë dhe e psikologjisë njerëzore e kishte shndërruar vetë Hopkin-in në një subjekt vëzhgimi shkencor, për shkak të gjendjes së tij metastabël në mes njeriut si lëndë dhe njeriut si ideprodhues. Shkencëtarët e mjekësisë e të biologjisë përpiqen të zbulojnë përmes këtij rasti unikal në botë dhe të paprecedentë një lidhje në mes qenies dhe idesë së kulluar, duke e konsideruar Hopkin-in pothuajse si një objekt stigmatë, d.m.th si një shenjë e zbritur nga Zoti në Tokë për t’i mësuar dhe vërtetuar njeriut lidhjen në mes materiales dhe ideales. Kolegët e tij shkencëtar, tashmë të një fushe tjetër, e kanë kthyer Hopkin-in në një “kavie” njerëzore, duke e shfrytëzuar (sigurisht brenda normave etike dhe shkencore) atë për kryerjen e studimit mbi lidhjet e trurit dhe veprimtarisë së tij të pavarur nga trupi me vetë trupin njerëzor. Pra Hopkin shërben edhe fizikisht si një Cernë e re hipotetike për shkencën e mjekësisë dhe të psikologjisë e biologjisë, prej ku do të mund të dalin rezultate shumë të vyera për njeriun si qenie dhe si krijues. A mund të prodhojë truri i njeriut mendim në mënyrë të pavarur nga trupi?

Hopkin është plotësisht i paralizuar. Ai ka humbur çdo kontakt njerëzor. Megjithatë, shkencëtarët e fushës së mjekësisë arrijnë të komunikojnë me të përmes teknologjive dhe metodave të sofistikuara me vetë trurin e shkencëtarit. Nxënësit e tij, dishepujt, kanë arritur të komunikojnë me këtë shkencëtar të rrallë edhe pas humbjes së shikimit, duke i transmetuar figurën në tru përmes impulseve bioelektrike. Metoda është e tillë. Ata përpunojnë vetë formulat e reja në formë hipoteze dhe pasi binden se ai e ka marrë perceptimin që ata kanë transmetuar, presin prej tij pohimin ose mohimin. Nëse është pohim, vijojnë më tej me zhvillimin e hipotezës apo të teorisë, nëse reagimi nuk është pohues atëherë përpunohet një hipotezë e re duke bërë kështu cikle pas ciklesh. Pra është arritur të komunikohet me një tru njerëzor edhe kur trupi i tij nuk funksion fare. E gjithë kjo arrihet përmes sinjaleve që shkaktojnë emocione te njeriu.

Ja pra se çfarë është arritur nga shkenca dhe vetë njeriu. Po Toka vetë si mbijeton? Toka është një “Planet mrekulli” i cili jeton në një ekuilibër tepër të brishtë në mes ekzistencës dhe mosekzistencës në ekuilibra natyror e kozmik. E teksa Toka vetë dhe jeta mbi të gjallon si e tillë, njeriu që jeton në këtë Tokë përpiqet me të tëra mënyrat të zhduk farën njerëzore, pra qenia njerëzore kërkon të zhdukë vetë qenien si ekzistencë. Kjo ngutje e njeriut për zhdukjen e farës njerëzore duket se vjen nga ideja e kulluar me paradigmën e fshehtë “të zhduket njeriu para se të fillojë fundi i botës”. Gjithçka po zhvillohet si në fundin e një gare. Sa më shumë që i afrohemi fundit aq më e ethshme zhvillohet edhe gara. Kjo del qartë në dukuritë e ngjarjeve të mëdha shoqërore që po ndodhin çdo ditë në sytë tanë nëpërmjet përplasjeve të pashpresë. Këto përplasje të mëdha kanë bërë që edhe vetë konkurrenca ekonomike dhe financiare të zbresë apo të rrëshqasë në planin ekzistencial. Konkurrenca për naftë dhe energji ka kaluar në luftën apo konkurrencën ekzistenciale sipas skemës së re Terrorizëm-Antiterrorizëm, Lindje-Perëndim, Shpirt-Materie, Krishterim-Islam. E gjithë kjo, të paktën në planin kohor, ka ardhur pas rënies së Komunizmit, të cilën Perëndimi e lexon si fitoren e tij të madhe. Por Lindja nuk është dorëzuar. Ajo ka dhënë sinjale të forta se lufta nuk mund të ndalonte vetëm këtu, d.m.th me rënien e komunizmit. Që të përfundojë ajo duhet të kalojë edhe nëpër planin shpirtëror në variantet që përmenda më lart. E gjithë kjo betejë e madhe zhvillohet si në skemat e Olimpit të Greqisë së Lashtë, ku ka vetëm një spektator: Rusinë ose ndryshe ish Bashkimi Sovjetik i tkurrur apo i rrudhur. Gjermania po përpiqet të bëhet e tillë nisur nga një shteg tjetër. Nga shtegu i një gjendje ekonomike dhe financiare të shëndoshë, por nuk po ia del sepse i ka duart e zëna me fatin e Perëndimit si bashkësi. Ndërsa Franca, Anglia dhe ShBA duket sikur kanë hyrë në qerthullin apo batakun që kanë krijuar vetë. E ky qerthull e ka zanafillën e vet dukshëm në Pranverën e shpikur arabe. Në një luftë të marrë, gjithçka lë të kuptohet se teknologjia është dorëzuar para faktorit njeri. Njeriun dhe mendjen njerëzore nuk është në gjendje ta zotërojë asgjë dhe askush. Armatimet moderne nuk vlejnë para njeriut, teknologjia shndërrohet në zero para vullnetit të pastër njerëzor. Materialja paraqitet tepër vulgare ndaj ideales ndërsa shkenca vetë po reflekton si e dorëzuar para metafizikës e madje edhe para vetë religjionit. Gjithçka ngjason si një luftë në mes shoqërisë dhe individit, pa e kuptuar se shoqëria po prekë ose cenon themelet apo kolonat e veta ku është mbështetur, d.m.th mbi individin. Dhe nëse ndodh kjo, sigurisht që do të jetë ngjarje e sigurt kolapsi i dytë i madh. Pikërisht rënia apo shembja e Perëndimit, i cili tashmë duket se po devijon apo po shket dhe ky fenomen, për çudinë më të madhe, është krijuar nga vetë Perëndimi. Në proces të këtij kolapsi duket sikur Perëndimi ka këmbyer vendet me ish Bashkimin Sovjetik.

Njërës të mençur si uji i pakët, si zëra në humbëtirë, si puset në oazet e shkretëtirave të pafund i drejtohen Perëndimit me fjalët: Perëndim i dashur, mjaft më. Po korrë atë që ke mbjellë vetë, ndiq rrugën e arsyes. Kurse të tjerë, më të ndjeshëm në planin real, më pragmatistë bëjnë aritmetikë të thjeshtë: Qindrat e mijëra njerëz kanë vdekur e vazhdojnë të vdesin në vendet islamike si në një kohë kolere. Por jo nga kolera, thjeshtë nga luftëra fantazma. Dhe arma që përdoret është arma e tmerrshme ekzistenciale, pikërisht Religjioni. Dhe kur përdoret një armë e tillë, pesëmbëdhjetë apo njëzet veta në Perëndim peshojnë më shumë se miliona njerëz në Lindje apo në Afrikë. Sepse për humbjet e atentateve në Paris u mblodhën në shesh një milion njerëz, kurse për milionat e tjerë flasin vetëm lajmet e stacioneve televizive të Botës. Arsyeja dhe mosarsyeja këtë radhë u përplasën në Paris. Pikërisht në vendin ku lindi Revolucioni Francez. Pikërisht aty ku u shënua fitorja e parë e Njeriut mbi Qiellin. Por këtë radhë Qielli kërkon revansh dhe duket sikur fitorja po i buzëqesh vërtetë atij.

Mos ka rrëshqitur Perëndimi vallë, duke u përpjekur të mbajë në këmbë Kapitalizmin e tij teknologjik dhe duke u përpjekur të mbajë në këmbë një botë virtuale? Mos po bie vallë viktimë e perandorisë së madhe financiare hebraike? Përpjekjet e mëdha për ta kthyer financën në shkencë duket se kanë dështuar dhe Kapitalizmi perëndimor, ashtu si në epokën e Marksit, po përpiqet të kalojë barrën e krizës së përbotshme në kurriz të vendeve të varfra të botës, në kurriz të vendeve arabe, dikur ish koloni që e shpëtuan Perëndimin nga krizat e herëpashershme ekonomike dhe financiare, duke eksportuar lëndë të para pothuajse falas dhe duke importuar teknologji? Etja për para nuk njeh kufi, ajo po cenon edhe vetët ekzistencën e njeriut. Duket se para lakmisë për para nuk vlejnë as edhe armët bërthamore. Kjo sepse punë po e kryen më së miri arma financiare.

Një milion veta në Paris mashtruan përmes anës emocionale arsyen njerëzore. U gënjyen njëlloj sikurse bota e dikurshme pas ideve të Marksit mbi Revolucionin Proletar. Marksi kishte garantuar plotësisht, madje edhe në mënyrë “shkencore” se një luftë e tillë do të fitohej nga “proletariati”, gjë që as ka ndodhur dhe as nuk ka për të ndodhur dhe Bota vazhdon e qetë skemën e luftërave të saj të pafund.

Sa gjë e pështirë të shikoje Netanjahun me liderin e Hamasit vetëm pak metra larg njëri tjetrit, aty mu në mes të sheshit, në Paris. Po ç’i paska penguar vallë ata që t’i japin dorën njëri-tjetrit e të mbyllin atë luftë të pakuptimtë mes tyre. Dhe kjo gjë do të kishte përfitime të jashtëzakonshme, të paimagjinueshme për të dyja palët. Palestinezët do të punonin në fabrikat e bizneset izraelite, siç kanë bërë edhe më parë, para luftës, ndërsa izraelitët do të çonin një jetë më të mirë pa tmerrin e njerëzve bombë, që plasin në mes të ditës dhe pa frikën e raketave palestineze.

Parisi u njollos. Njëlloj siç njolloset sa herë nga rërat dhe mjegullat e shkretëtirave të vendeve afrikano-veriore, njëlloj siç njolloset nga borat e ndotura me rërën e shkretëtirës të cilat i sjellin erërat. Por këtë radhë mbi të peshon edhe pesha e mëkatit.

Dy, apo më shumë terroristë vranë pesëmbëdhjetë apo njëzetë vetë të pafajshëm. Dhe Bota perëndimore nuk e la të ikë nga duart këtë rast të artë. Ajo mblodhi me nxitim një milion veta në rrugët e Parisit, të cilit këtë radhë ia hodhën. Një milion veta për të rivrarë Charlie-n dhe viktimat e tij. Charlie u shit së bashku me pesë milion kopjet e tij në numrin më të fundit dhe do të vazhdojë të shitet derisa të mos shitet më. Charlie-n do ta detyrojnë të hesht. Vetë Perëndimi do ta detyrojë të hesht. Dhe kjo do të jetë vrasja e vërtetë e Charlie-t. Pas kësaj do të vijnë disa kode të reja morale, të cilat do të vrasin Charlie-n edhe në substancë, d.m.th në thelbin e vet. Në mbrojtjen e së drejtës së fjalës së lirë, në mbrojtjen e tokësores nga qiellorja, sepse qiellorja do t’ia mbyllë gojën tokësores. Pas kësaj do të kemi disa kufij, të cilët, siç e kemi provuar në Komunizëm, do të pjellin disa kufij të tjerë shtesë të shoqëruara të tëra me kufizime të reja, të dukshme ose të padukshme. Dhe kjo as më shumë e as më pak do të bëjë që njerëzit të shkojnë drejt humbjes së plotë të lirisë.

Mos ka rrëshqitur Perëndimi vallë?!

Gjithçka duket si një hakmarrje e Islamit. Islami vrau Charlie-n në këmbim të mosmirënjohjes së Perëndimit teksa ai sillte në Europë, pikërisht në periudhën e shkëlqimit të tij, shkencën, kulturën dhe përparimin. Islami, pikërisht ai, risolli në Europë kulturën, filozofinë dhe konceptet demokratike të Greqisë së lashtë. Ai u bë dritarja e dijes dhe e përparimit për Europën obskurantiste mesjetare. Dhe Europa doli nga terri mesjetar, iu soll iluminizmit në planin shoqëror dhe zhvillimit teknologjik në planin ekonomik. Kjo bëri që të kapërcente disa herë zhvillimin e vendeve islamike që lëngonin tashmë nën peshën e ideologjisë së vet e cila mbështetej kryesisht në një ekonomi dhe psikologji rurale. Nuk shkoi shumë dhe Perëndimi kolonizoi të tëra vendet islamike.

A do ta kuptojë Perëndimi vallë se me lëshimin ndaj të drejtave njerëzore ai do të shkasë nga rruga që ai vetë projektoi? Do të shkasë vallë Perëndimi nga liria në skllavërinë e religjionit edhe një herë tjetër?

Apo mos po përpiqet që të manipulojë edhe një herë religjionin dhe religjionet njëlloj siç bëri Roma në kohën e vet? Ndoshta historia nuk do të përsëritet. Po qe se çështja shtrohet në mes Qiellores dhe Tokësores, në mes Shpirtit dhe Materies, në mes Ideales dhe Materiales, atëherë këtë luftë do ta fitojë me siguri Lindja. Islamikëve fanatikë, në të vërtetë as që u intereson fare Charlie. Nuk u intereson Charlie, sepse ato e dinë më mirë se vetë Europianët, se Charlie, as nuk i ka cenuar dhe as nuk i cenon aspak. Ideologët e tyre e dinë fare mirë këtë gjë. Ajo që u intereson atyre është gjunjëzimi i Europës në planin shpirtëror. Atyre u intereson që ta thithin Europën në një luftë të tillë, në të cilën ato ndihen zotër të situatës.

Njeri! Mos u mat me Engjëllin në Qiell, aty ku ai është Zot, por zbrite në Tokë. Bëj ashtu siç bëjnë vajzat e sotme, të cilat i marrin “engjëjt” rrëshqanthi, duke i sfiduar me lakuriqësinë e tyre dhe u thonë: Engjëll, ku je? Ej atë bëjmë dashuri, “por më parë më trego pallën”. Dhe Engjëlli do të skuqet nga turpi duke u fshehur në shenjtërinë e vet.

Por njeriu nuk dëgjon dhe nuk do të mësoj nga poetët më të mëdhenj të botës. Ai vazhdon me kokëfortësinë e tij njëlloj si më parë, duke bërë siç bën kohë më parë disa veta që shkuan në Paris të cilëve iu këndua kënga e mëposhtme:

Katër veta në një hulli,

Bardh e gjelbër, kuq e zi,

Ndoc Dedë Hoxha u ka pri,

Mespërmes Parisit nxitojnë,

Se kanë frikë se mos vonojnë,

Dhe pastaj do t’i harrojnë.

Se kanë frikë se mos i zënë,

Nuk dinë prasin ku ta lënë,

Që u sillet nëpër këmbë.

Dhe butaforia e madhe e Parisit përfundon këtu.

A mos vallë ka rrëshqitur Perëndimi, vetëm për plotësimin e kënaqësive tokësore të një oligarkie financiare të përbotshme?!

A mos vallë po vdes Charlie e bashkë me të edhe shpresa e madhe e njeriut që lindi e fali Krishti?!

Unë nuk e besoj. Unë besoj se Charlie do të ringrihet përsëri ashtu siç ishte më parë. Do të rilind siç rilindi vetë Krishti, por jo duke u shitur në pesë milion kopje apo në miliona të tjerë. Thjesht duke rilindur siç rilind vetë shpresa.

 

 

 Shkodra Press

Klodian Kojashi  /   

Më duket gabim i madh me mendue se aktet terroriste në Francë e Nigeri s'kanë asnjë lidhje me islamin. Po aq gabim sa mendimi se islami sjell dhunën.

Janë të dyja, mënyra për me iu shmang përgjegjësisë së mendimit, kërkimit, dëshirës me pa e me kuptue ma shumë. Personat që kryejnë aktet terroriste shpesh mundohen me përfaqësu disa parime të fesë së tyne, ata shpesh bajnë një jetë prej besimtari të mirfilltë, luten rregullisht, njohin shkrimet, konsultohen nga afër me drejtues të fesë, pra me thanë se s'kanë lidhje me fenë asht absurde. Do ishte njësoj si me thanë se lufta e dytë botnore s'ka lidhje me Gjermaninë.

Nga ana tjetër, asht varfëri e madhe me mendue se gjermanet janë popull kriminelash, mirpo historia e tregon se në një moment të caktuem, në krye të shoqërisë janë vendos njerëz me ide të dhunshme, të cilët kanë shtyp ata që flisnin e mendonin për paqen, kanë shtyp çdo mendim ndryshe dhe kanë ushtrue dominimin e tyne.

Mund të imagjinojmë një spital. Askush s'mund të thotë se spitali asht vend i dhunës, aty shpëtohen jetë, ka përkujdesje të madhe. Mirpo imagjinojmë që ka një roje që të qëllon me shputë sa herë e pyet mbi oraret, ka infermiere që të shpojne me gjilpëra në vend që me ofrue një shërbim, ka një drejtor që përdor sallat e operacionit me ba eksprimente me trupat e njerëzve. Do ishte gabim me thanë se këta njerëz s'kanë lidhje me spitalin, do ishte po aq gabim me mendu se spitalet duhen mbyllë. Mjafton me pasë kurajon e me gjetë mënyrat që spitali të drejtohet nga njerëz të drejtë e që mendjet e dhunshme të jenë sa më jashtë tij.

E njëjta gja, ndodh edhe me besimet fetare, kur i konsiderojmë si bashkësi besimtarësh, jo si shfaqje hyjnore. Pasi, feja asht një përvojë njerëzore e përditshme, dogmat shkriftohen e shndërrohen në botkuptime e pastaj në sjellje. Edhe brenda Kishës Katolike ka një debat të fortë e shpesh të ashpër në lidhje me sfidat e reja etike dhe morale. Martesat gay, aborti, marrëdhanie me pasurinë etj, përbëjnë një betejë që ka nisë e që ka me zgjatë për shumë vite.

Ajo çka po due me thanë asht se sot bota, e gjitha, ka hy në një proces të pakthyeshëm ndryshimesh të shpejta dhe do gjigande të mëdhenj e të ngurtë si shteti apo feja sot s'janë ma aq të patundun. Kanë krijue plasaritje në format e tyne shekullore. Brenda ketynë plasaritjeve rriten e zhvillohen përvoja të ndryshme, nga të cilat, disa mund edhe të jenë të dhunshme...

Mirpo, nuk janë dicka jashte trupit të shoqërisë apo jashtë komunitetit fetar, ato rriten e zhvillohen brenda këtij trupi e do ishte e gabueme tendenca mos me i pa, mos me i konsiderue aspak. Njësoj si një i sëmurë që thotë se tumori që ka s'asht pjesë e trupit të tij. Personalisht, islamin e kam njoftë përmes njerëzve që më kanë shoqëru në jetën tëmë, në familje, punë e shoqëri, e nuk kam gjetë asnjiherë dicka të dhunshme, përkundrazi, një tokë e madhe e frytshme ku paqe, mirsjellje e bashkëjetesë mund të mbjellet e të lulëzojnë.

Rasti i Shqipërisë nuk asht aq sipërfaqësor sa e konsiderojnë disa. Komunitetet kanë ditë me u drejtue, organizue dhe me u dominue në jetën brenda tyne nga njerëz me aftësinë e dialogut, që kanë mbajtë hapun dhe kanë përkrah me forcë e me sakrificë vlerën e paqes e bashkëjetesës. Aspekte të cilat kam pasë rastin me i njoftë nga afër gjatë 4-5 viteve punë si koordinator në Fshatin e Paqes në Shkodër. Nuk ka një konfrontim mes civilizimeve, nuk asht islami rreziku i Europës, por mendoj se vetë islami rrezikohet nga grupet e dhunës, dhe po përjeton brenda vetes betejën klasike mes besimtarëve të ndërgjegjeshëm për një botë në paqe e në respekt të jetës dhe një grupi që për fat asht i vogël që e mendon besimin si armë dominimi pa kushte.

Asht përgjegjësi e detyrë e komuniteteve të besimtarëve dhe drejtuesve të tyne me lanë mënjane ishujt e dhunës që kërkojnë me forcë me përfaqësue një Zot që nuk dëshiron me u përfaqësu prej tyne. Kjo ka me kën një betejë e vështirë e pasojat kanë me u ndi edhe nëpër Europë, sepse nuk ka një izolant që rrethon kulturat, s’ka pasë as dikur në kohën e mureve e s’ka si me pasë sot.

Fundja, sfida mbetet klasike, mendimi i lirë dhe i paqtë ndaj mendimit të dhunës dhe racizmit, brenda fesë, brenda komuniteteve, brenda shteteve, shpesh edhe brenda familjeve. Bishat i kena brenda mendjes tonë, thotë Gaber.

Shkodra Press

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO