21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

NICHOLAS KRISTOF / 

Gazeta satirike franceze Charlie Hebdo rreth vetes mbledh njerëz të të gjitha besimeve dhe formimeve kulturore.

Një nga karikaturat, nxori një letër tualetit me mbishkrimet “Bibla”, “Torah” dhe “Kurani” dhe një sqarim: “Në tualet, të gjitha religjionet.”

Kur sulmuesit e maskuar dhe me AK-47 në duar, iu sulen zyrës së Charlie Hebdo-s, duke lënë të vrarë 12 persona, në sulmin më të egër terrorist që ka parë toka franceze prej dekadash, shumë prej nesh, menjëherë supozuam se autorët e krimit nuk do të kenë qenë të krishterë apo hebrenj por me shumë gjasë ekstremistë islamik.

Të krishterët, hebrenjtë apo dhe ateistët të lemerisur nga ngjarja, shfryen frustrimin në Facebook dhe Twitter. Edhe pse, ende nuk e dimë, se kush janë në të vërtetë sulmuesit, pandehemi se edhe kësaj radhe ekstremistët islamikë, shprehën pakënaqësitë e tyre nëpërmjet plumbash.

Shumë pyesin, a ka diçka të pandreqshme te islami që shpien në dhunë, terrorizëm dhe nënshtrim të gruas? Kjo pyetje lind ngase myslimanët fanatikë shpeshherë vrasin në emër të Zotit, qysh prej sulmit të 2004 në trenin Madrilen, që vrau 191 njerëz e deri tek vrasja e pengjeve në një kafe në Sidnej të Australisë, e muajit të kaluar. Vitin e kaluar, kam shkruar për rritjen e intolerancën mes botës islamike, atëherë kur avokati i guximshëm pakistanez dhe miku im, Rashid Rehman, u vra ngase mbrojti një profesor universiteti që u akuzua se gjoja ka fyer Profetin Muhamed. Persekutimi ditor i pakicave të krishtera dhe pakicave tjera fetare që nga Bahai në Jazidi e deri në Ahmedi, është terrorizmi më sistematik që ushtrohet në botën islame.

Pastaj vjen shtypja e gruas. Nëntë nga dhjetë shtetet e fundit të radhitura në raportin e Forumit Ekonomik Botëror mbi dallimet gjinore, janë të populluara me shumicë myslimane.

Andaj, sigurisht që mbi intolerancën e ekstremizmin e pranishëm në botën islame u ngrit dhe bazua edhe sulmi ndaj Charlie Hebdo. Magazina u sulmua me bombë zjarri në 2011 pasi që në faqen e parë nxori Muhamedin duke thënë “100 fshikullime nëse nuk je duke vdekë së qeshuri’.

Kohë më parë, Charlie Hebdo, publikoi një karikaturë tjetër që nxirrte Muhamedin duke qarë e duke thënë, “Qenka shumë e vështirë të të duan idiotët.”

Aktet terroristë bëjnë shumë perëndimorë të perceptojnë islamin si qenësisht ekstremist, por unë mendoj se një perceptim i tillë është shumë sipërfaqësor dhe mendjelehtë. a Një numër i vogël terroristësh bëjnë lajmet kryesore megjithëse ata nuk janë përfaqësuesit të një religjioni kompleks dhe divers të 1.6 milion përkrahësve. Postimi im në Twitter këtë të Mërkurë u plotesua nga ato të muslimanëve që denonconin sulmin-dhe që theksonin se muslimanët fanatikë dëmtojnë imazhin e Muhamedit më shumë se ç’mund të bëj cilado karikaturë poshtëruese. Natyrisht, shumica e muslimanëve nuk kanë fare të bëjnë me çmendurinë e sulmeve të tilla-veçse janë disproporcionalisht viktima të terrorizmit. Në të vërtetë, sulmi ndaj Charlie Hebdo, nuk ishte më vdekjeprurësi këtë të Mërkurë. Një makinë-bombë që shpërtheu para kolexhit policor në Jemen, e sipas gjasave e vënë aty nga Al Qaeda, vrau më së paku 37 njerëz. Një nga gjërat që m’i ka mësuar gazetaria është se duhet patur kujdes nga të përceptuarit e botës nepërmjet rrefenjash të thjeshta, ngase informacioni i ri, pavëmendshëm ngulitet mes rreshtash.

Gjatë udhëtimeve të mija prej Mauritanie në Arabi Saudite, Pakistan e deri në Indonezi, ekstremistët musliman kanë ndarë me mua rrëfenjat e tyre thellësisht të rreme mbi Amerikën si një shtet opresiv të kontrolluar nga cionistët dhe të përbetuar për të shkatërruar islamin.

Ajo është një karikaturë absurde, dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm kur në karikaturë paraqesim një religjion aq divers sa ç’është islami. Le të përmbahemi nga profilizmet religjioze. Një i krishter nuk ka asnjë arsye për të kërkuar falje ngase krishterë fanatikë kryen gjenocid ndaj muslimanëve në ish-Jugosllavi. Kritikuesit e islamit nuk janë për t’u fajësuar ngase një fanatik antimusliman vrau 77 njerëz në vitin 2011 në Norvegji. Mos të harrojmë që njerezit më kurajozë, paqedashës në Lindjen e Mesme, që u kundërvihen muslimanëve fanatikë, në të shumtën e rasteve janë vet muslimanë të devotshëm. Disa lexojnë Kuranin dhe djegin shkolla vajzash, por më shumë e lexojnë Kuranin dhe ndërtojnë shkolla vajzash. Talibanizmi përfaqëson një rrymë në islam; ndërsa fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, të kundërtën polare.

Është një tregim përulës, mbase dhe apokrifik, që Gandhin e pyetën njëherë: Çfarë mendimi keni mbi civilizmet perëndimore? Dhe ai, supozohet se u përgjigj: Mendoj se do të kishin qenë një ide e mirë.

Ndasia e madhe nuk është mes religjionesh. Më tepër, është mes terroristësh dhe të moderuarish, mes atyre që janë tolerant dhe mes atyre që krijojnë ndasitë.

Në Australi, pas krizës së pengmarrjes, disa musliman u frikësuan nga sulme të mundshme hakmarrjeje. Pastaj një valë Australianësh jo-musliman u dolën në ndihmë dukë iu ofruar përcjellje për të garantuar sigurinë e tyre, dhe duke përdorur hashtag-un #IllRideWithYou (do-të-të-përcjell) në Twitter. Më shumë se 250,000 komente u postuan në Twitter-një model i dhembshurisë zemërgjerë, pas sulmeve terroriste.

 

Marrë nga New York Times

Shkodra Press

Gilman Bakalli / 

Çdo individ, pavarësisht racës apo fesë që i përket, mund të ndjehet në Europë si në shtëpinë e tij, me kusht që të pranojë vlerat perëndimore të civilizimit europian. Këto vlera janë fituar përmes një beteje të ashpër disashekullore midis shtetit dhe fesë, midis individit dhe shoqërisë, midis filozofisë, shkencës, artit dhe besimit. Thelbi i iluminizmit europian është liria e individit, e cila nënkupton, mes të tjerash, edhe lirinë për të kritikuar traditën dhe për të zgjedhur një formë të ndryshme jetese nga ajo që propozon kolektivi. Kjo liri është paguar shpesh me jetë. Në emër të kësaj lirie u masakruan edhe gazetarët satirikë të “Charlie Hebdo”. Pikërisht PARA kësaj lirie, Islami si botëkuptim dhe ide civilizuese shkërmoqet përfundimisht. Pikërisht për shkak të dështimit të tij para idesë së lirisë, ky Islam nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe. Sepse europianët nuk janë të gatshëm të heqin dorë kollaj nga ideja e kësaj lirie. Siç e dëshmon kuraja e gazetarëve të “Charlie Hebdo”.

Islami si botëkuptim nuk ka vend në këtë Europë, sepse ai nuk dëshiron t’i shohë fenë, kulturën, shoqërinë dhe politikën si të ndara nga njëra-tjetra, por kërkon me forcë unitetin e tyre. Kjo ide unifikuese nuk është e re. Si judaizmi ashtu edhe krishterimi e njohin idenë e unifikimit të shtetit me fenë nën flamurin e besimit fetar. Vetëm se Europa, përmes një beteje të gjatë e të përgjakshme, ia ka dalë të çlirohet nga ideja e superfuqisë fetare. Për këtë arsye, Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse ai vë besimin mbi shkencën, nuk njeh periudhë reformatore, nuk e ka kaluar atë betejën e ashpër e të dhimbshme midis filozofisë, shkencës dhe kishës.

Me gjithë tolerancën kundrejt besimeve fetare, civilizimi europian nuk mund ta pranojë superioritetin e besimit ndaj filozofisë, shkencës dhe artit. Prandaj Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse në thelb s’ka arritur ta ndajë politikën nga feja. Pavarësisht Ataturkut. Islami mbetet një teologji politike, në thelb të të cilit mbetet ideja zanafillore e Sundimtarit të Botës.

Ky Islam nuk mund të jetë europian, sepse vendos kolektivin mbi individin, nuk është i gatshëm ta mbrojë individin nga kolektivi, përbuz të drejtat e pakicave dhe mbahet fort pas idesë së superioritetit mashkullor. S’ka burrë ta mohojë faktin e padiskutueshëm se pjesë e këtij botëkuptimi është inferioriteti i gruas.

Ky Islam nuk mund t’i përkasë Europës, sepse ai nuk pranon të kritikohet, sepse herezinë e ndëshkon si krimin më të rëndë, sepse, në praktikë, nuk është i aftë të tolerojë “të ndryshmen”, sepse, në fund të fundit, Islami nuk mjaftohet të jetë thjesht një vokacion fetar.

Duhet të dallojmë qartë midis islamit si fe dhe si civilizim. Ky Islam nuk mjaftohet thjesht si një vokacion fetar, por rrezikon civilizimin sekularist europian me projektin imagjinar të një civilizimi islamik. Europa, besoj unë, nuk është e gatshme ta tolerojë këtë projekt. Rezistenca kurajoze e gazetarëve satirikë të “Charlie Hebdo” e dëshmon këtë.

Duhet theksuar fort dhe qartë në debatin publik, se nuk bëhet fjalë për fenë; gjithsecili prej nesh është i lirë ta ushtrojë besimin e tij fetar. Çështja është se çfarë është në gjendje aktualisht të na ofrojë botëkuptimi islamik. Cilin civilizim na propozon ai? Cilin sistem të së drejtës? Cilin rend publik? Cilin sistem arsimor? Çfarë infrastrukture? Cilat përgjigje ndaj të drejtave të minoriteteve dhe problemeve ekologjike na ofron? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve ndajnë civilizimin nga prapambetja dhe barbaria. Kudo ku këto 600 vitet e fundit Islami ka patur ndikim “civilizues”, ka mbjellë (dhe korrur) analfabetizëm dhe prapambetje. Si botëkuptim civilizues, Islami ka dështuar totalisht. Aktualisht, ai nuk mund të konsiderohet si trashëgimi shpirtërore, por thjesht si opium për popujt.

 

Shkodra Press

Agim Vinca / 

Skënder Drini, Korbi, roman, Globus R., Tiranë 2007

Alberti, një mërgimtar shqiptar në Australi, bashkëjeton me një korb. Ish i burgosur politik, i dënuar me shtatë vjet burg në moshë të re për shkak se kishte qeshur në ditën e vdekjes së Stalinit, ai arratiset nga atdheu (Në gjashtëdhjetepestën theu kufirin për t’u hedhur në Greqi…), por plagoset në kufi dhe mbetet i çalë për tërë jetën. Pas një sorollatjeje nëpër spitalet e Greqisë dhe të Italisë, përfundon në Australinë e largët.

Në Sidnej, ku punon punë të ndryshme (shitës biletash sportive, pijesh joalkoolike a qensh të pasanikëve), takon irlandezin Xhon Konelli, i cili i ofron punë në një gjysmë-shkretëtirë të largët, ku ka për detyrë të kujdeset për t’i mëkuar me ujë kuajt e egër, që harbojnë në këtë tokë të pabanuar, ku “treqind milje rreth e rrotull nuk ka shpirt njeriu e as pikë uji”. “Do të të paguaj për vetminë, jo për punën”, – i thotë irlandezi llafazan shqiptarit të heshtur, të mbyllur në vete. Në fermën e braktisur ai ndesh një korb një mijë vjet të lashtë, i cili ia shpëton jetën dhe i bëhet shok jete. Me të kuvendon si me njeri, për ta mbytur vetminë, kështu që korbi dhe njeriu bëhen miq, ashtu si gjarpri dhe njeriu te shkrimtari francez Romen Gari  (Romain Gary), që flet për miqësinë e njeriut me gjarprin (Gros-câlin) ose njeriu dhe ujku te bashkëvendësi më i ri i shkrimtarit S. Drini, R. Dibra (Stina e ujkut). Alberti e pagëzon “mikun” hijerëndë me emrin mbretëror Solomon, kurse vendit tek jetojnë bashkë ia ngjet emrin King’s Land.

Albertin e viziton herë pas here punëdhënësi, që i sjell ushqime, gazeta dhe rrogën mujore, por vizitorë të tij bëhen edhe dy misionarë të fesë bahaj, vëlla e motër: Hamiltoni dhe Trudi. Ata i flasin, ndër të tjera, edhe për fisin aborigjin Naja, që kanë si perëndi Diellin dhe besojnë se njerëzit pas vdekjes shndërrohen në dritë.

Koha e rrëfimit është viti 1990, viti i rënies së murit të Berlinit, ngjarje kjo që protagonisti, për shkak të izolimit, e merr vesh me gjashtë muaj vonesë. Në roman, në formë retrospektive, evokohen edhe ngjarjet e qëndrimit në burg, ku vend qendror zë figura e gardianit me emrin Zharko, një qen-roje i sistemit me një sjellje sadiste ndaj të burgosurve. Rënia e murit të Berlinit si simbol i rënies së komunizmit i ngjall heroit shpresat për kthim në atdheun e tij, në Shqipëri.

Korbi i S. Drinit, sikurse edhe korbi i Poes, është në gjendje të shqiptojë fjalë. Ai bëhet personazh i veprës dhe shkrimtari ynë e gjen mënyrën e “komunikimit” me të nëpërmjet një ndërthurjeje të elementit realist me atë fantastik.

Përbërës të rëndësishëm të strukturës së veprës janë edhe: kali i bardhë mustang, mbret i tufës së kuajve; libri i shenjtë i hebrenjve, Talmudi, mbi të cilin qëndron korbi dhe ditari i pararendësit të Albertit në këtë “fermë”, Efraimit. Leximi i këtij ditari nga ana e Albertit, që zë dy-tre kapituj të romanit, ta kujton pak a shumë leximin e ditarit të ushtarit dezertor italian në romanin e famshëm të Kadaresë Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Vetë teksti i ditarit i ngjan letërsisë së absurdit. Është: “Një çmenduri me shumë mend!”

Nga ditari i Efraimit, i cili ka vetëm ditën dhe muajin, por jo edhe vitin, del se ai është një njeri shumë kritik ndaj babait të tij dhe racës çifute në përgjithësi, të cilën e quan “racë urithësh”. I ndjekur nga korbi, i cili e shqipton vazhdimisht emrin e tij, Alfredi vihet në kërkim të varrit të Efraimit.

“Korbi” i S. Drinit ka diçka nga atmosfera misterioze e “Shkretëtirës…” së Buxatit. S. Drini është shkrimtar që depërton thellë në psikën e njeriut. Në roman shfaqen mendime interesante për jetën, vetminë, vdekjen, librat, fetë etj. “… çdo fe vjen nga një fe që ka ekzistuar më përpara. Është pothuaj njëlloj si me librat. Një libër i ri shkruhet nga librat që janë shkruar më përpara” (f. 110).

Në kap. XXI Alberti flet për fëmijërinë e tij: babain pijanec, nënën që e braktis për shkak të dhunës, e pastaj vdes. Pason rrëfimi për lojën çnjerëzore që bën krimineli Zharko me letrat që gjoja i vijnë Albertit nga nëna e vdekur në ditët e fundit të vuajtjes së dënimit. Rrëfimi i tij e trondit australianen Trudi, një grua shumë liberale dhe gati erotomane, e cila pasi e dëgjon rrëfimin në fjalë pyet nëse edhe pas gjithë këtij tmerri në atë vend rrojnë njerëz, që hanë, pinë, qeshin dhe bëjnë seks?

Ndryshe nga ç’ndodh rëndom me shqiptarët protagonisti i romanit Korbi nuk është i interesuar për seks. Ai refuzon kategorikisht propozimin e punëdhënësit për t’i sjellë një prostitutë nga Sidnej dhe nuk pranon assesi të bëjë seks me Trudin, edhe pse ajo i vardiset dhe, madje, në një rast, e zhveshur lakuriq i futet në shtrat. Si shpjegohet ky paradoks, qëndrimi i ftohtë ndaj femrës? A është pasojë e moshës, e torturave të burgut apo e filozofisë jetësore të personazhit? Duket se S. Drini ka dashur të krijojë një personazh atipik, një njeri që si me fatin, ashtu edhe me qëndrimin e tij ndaj jetës, dallon nga të tjerët.

Në fund të romanit, kryepersonazhi, tok me korbin e tij, të vetmen pasuri, pas një çerek shekulli mërgim, kthehet në atdhe, në Shqipëri. Në bisedën që bën me taksistin në rrugët e Tiranës, thotë se korbin e ka “shok”. Është mesi i viteve nëntëdhjetë – koha e firmave piramidale. Zharkoja ka vdekur (nuk dihet ku e si), kurse kolegu i tij, Xhaferri, është bërë “milioner” dhe frekuenton shpesh hotelin e Jani Papajanit. Tani tragjizmi dhe misterioziteti i mëparshëm i romanit sikur merr një ngjyrë pak a shumë komike. Korbi “punësohet” në hotelin “Kent” dhe bëhet “aktor” që zbavit “bosët” e rinj shqiptarë, klientë të Papajanit, të cilët jevgu Xhike Levreku i quan “maune pa tru”.

Skenat dhe detajet komike gërshetohen me elemente groteske e tragjike. Përmendet me emër një figurë e skemave piramidale në Shqipëri, Sudja; flitet për thyerjen e embargos së naftës me Malin e Zi dhe, rrjedhimisht, edhe me Serbinë; preket kalimthi edhe një nga mitet moderne të kohës sonë, futbolli etj. Nëpërmjet figurës së shefit të policisë së rajonit, Ramë Mulgecit, ironizohet niveli i ulët intelektual i zyrtarëve shqiptarë, si dhe politika e kuadrove. Vihen në lojë edhe të ashtuquajturit biznesmenë shqiptarë, të përfaqësuar nga treshja groteske me nofkat: Bos, Car dhe Kara Khan. Mjeti me anë të të cilit shkrimtari e bën këtë është shtrembërimi i fjalëve të tipit kopetent (për kompetent), pseudomonim (për pseudonim), esmerando (për esperanto) etj. dhe trupëzimi i sloganeve politike të kohës: “këlysh komunisti”, “burgaxhi” etj.

Te tregimi i tij i hershëm, Miku im Xho (1957), që është një apologji e miqësisë së njeriut me kafshën, qenin Xho, H. Sulejmani shkruan: “Ishim miq unë dhe ai. (…) Besnikërinë time ai nuk e vinte në provë e unë të atij po. Unë e provoja atë. Kudo e kurdo. Dhe ai mbetej gjithmonë besnik. Gjithmonë”. Edhe R. Dibra te romani i tij Stina e ujkut (2000), që flet për miqësinë e njeriut me ujkun në strofullën e bishës, ka përsiatje të tilla, madje akoma më të stërholluara. “Unë e dua bishën! E dua ujkun. E kam mik. Të çmuar. Të pazëvendësueshëm. Armikun tim të dikurshëm. Më të betuarin. Mik e kam. Të vetmin mik”.  Për miqësinë e njeriut me ujkun flet edhe romani Njeriu që qesh i Hygoit, ku kemi dy personazhe: Ursusin (njeriun) dhe Homon (ujkun), të cilët njihen në një pyll dhe “i japin shumëçka njëri-tjetrit”.  Në filmin Fajkonj dhe harabela (1966) të Pazolinit është po ashtu personazh një korb, “korb marksist”, si thuhet, i cili i shoqëron në udhëtimin e tyre një baba e një bir dhe bën komente të ndryshme për natyrën, fenë, historinë etj. Ndërsa romani i S. Drinit flet për miqësinë e njeriut me korbin, ku korbi del më fisnik se njeriu, ka epërsi morale ndaj tij. “Alberti e ndjeu veten keq. E kishte shfrytëzuar këtë korb! E kishte burgosur në një kafaz atë shpend të lirë dhe megjithatë ai nuk e kishte lëshuar. Korbi i kishte kujtuar kufirin e vetëm ku mund të ndalonte një dashuri e madhe” (f. 189).

Romani Korbi i S. Drinit shtron një problem të lashtë e universal, që është temë e përhershme e artit letrar që nga zanafilla e tij e deri më sot: a është më kafshë njeriu apo kafsha? Ose, si thotë kryepersonazhi në bisedë me bashkëvuajtësin e tij, Ligorin: “Unë dua të marr vesh deri ku arrin burri!”. Kësaj enigme autori i jep një përgjigje solomonike: në kushte e rrethana çnjerëzore njeriu mund të bëhet monstër si Zharkoja, por edhe ta ruajë natyrën e vet njerëzore dhe shpirtin human, që s’mund ta zhbëjnë as regjimet totalitare e as tjetërsimi i njeriut në botën urbane, siç ndodh me heroin e romanit, Albertin. Fati i tij është i zi si pendët e korbit, por në shpirtin e tij të shumëvuajtur fërgëllon dashuria për njerëzit. Romani mbyllet me hapjen e kafazit dhe lirimin e korbit. Njeriu ngrihet mbi natyrën e tij egoiste.

Si përfundim, romani Korbi i Skënder Drinit është një vepër interesante si me temën, ashtu edhe me konceptimin artistik. S. Drini i Korbit nuk është ai i Shembjes së idhujve dhe i Midis dy kohëve – shkrimtar i tablove të gjera epike dhe i karaktereve të fuqishme artistike (Dom Shtjefni, Kalosh Cami etj.), por krijues që hulumton tema dhe mjete të reja shprehëse. Te ky roman, sikurse edhe te Eklipsi i hënës (1998), që i takojnë fazës postsocrealiste, ai e kthen optikën kah bota e brendshme e njeriut shqiptar dhe pasojat që ka lënë në psikën e tij koha e diktaturës, pa e humbur forcën dhe magjinë e rrëfimit, që e karakterizon prozën e tij në përgjithësi.

Botohet me rastin e vdekjes së autorit, shkrimtarit Skënder Drini (1935-2014).

(marrë nga mapo.al)

Shkodra Press

Dhjetor 1914 front lufte midis Britanikëve dhe Gjermanëve.

Dhjetor 2014 betejë politike midis shqiptarëve dhe shqiptarëve.

100 vjet më parë

Një letër dërguar nënës së një prej ushtarëve britanikë të luftës së parë botërore rrëfen detaje nga ajo ngjarje që ai e përshkruan si pamja më e bukur që ka parë ndonjëherë. Letra e kapitenit A D Chater është publikuar nga posta britanike me lejen e familjes së tij si një dëshmi që provon paqen e Krishtlindjes së 2014 në frontin e luftës.

Kapiteni anglez shkruan se rreth orës 10 të mëngjesit teksa vëzhgonte mbi çati pa një ushtar gjerman që e përshëndeste me duar dhe dy të tjerë iu bashkuan duke ecur drejt pozicionit të anglezëve.

Sikur mos të kishin parë që gjermanët nuk kishin armë, britanikët do të kishin qëlluar, rrëfen kapiteni. Brenda dy minutave toka midis dy kampeve ushtarake u shndërrua në një lëndinë paqeje ku ushtarët i jepnin dorën njëri tjetrit, shkëmbyen urime dhe kënduan këngët e Krishtlindjes, madje luajtën edhe futboll te improvizuar.

Atmosfera i përngjante një mrekullie që ndodhte ne frontin asnjanës që ishte përdorur deri në atë ditë për të varrosur të vrarët e të dy kapmeve.

Ushtarët shkëmbyen cigare dhe autografë, ndërsa të tjerë shijuan mundësitë të shtriqnin këmbët pa pasur frikë se do të fillonte breshëria e plumbave që nuk pushonte prej muajsh.

Disa të tjerë bënin fotografi së bashku, britanikë dhe gjermanë. Shpresa që kjo paqe e brishtë te zgjaste qoftë edhe për pak kohë ishte e vetmja ndjenjë që i mundonte të dyja palëve.

Sipas dëshmisë së kapitenit anglez u përfol që do të kishte një tjetër ditë armëpushimi natën e vitit të ri sepse gjermanët donin të shihnin si kishin dalë fotot e shkrepura në Krishtlindje.

Armëpushimi i Krishtlindjes i mbijetoi edhe pakujdesisë së një ushtari britanik që qëlloi gabimisht në ajër.

Porse ajo çfarë ndodhi me pas, fundi i një ëndrre të zgjatur pak orë, pasojë e vendimit të hierarkisë së lartë ushtarake, që u tërbuan kur mësuan çfarë kishte ndodhur natën e Krishtlindjes në front.

Prej asaj nate urdhrat e atyre që e kishin ideuar luftën ishin kercënuese për cilindo nga ushtarët që do të tregonin dobësi ndaj njëri- tjetrit dhe do të dënoheshin me ekzekutim nga gjykatat ushtarake. Lufta nisi sërish!

100 vjet më pas Europa tanimë e bashkuar ka mësuar prej gabimeve të saj, pavarësisht se momente dobësie i rishfaq sa herë politikat e brendshme influencojnë vendimmarrjen e Brukselit, të lodhur me zgjerimin në vende që kanë edhe sot mentalitetin e një shekulli më parë kur kampet ushtarake luftonin për jetë a vdekje njëri tjetrin.

100 vjet me pas në Tiranë, në sallën e një Kuvendi ku është luftuar me të gjitha mjetet u votua një rezolutë që mund të quhet një armëpushim i përkohshëm Krishtlindjeje.

Me gjasë do të duhen edhe shumë dekada që mendësia e liderëve politikë që drejtojnë sot në pozitë dhe opozitë Shqipërinë t’i përshtatet asaj të ushtarëve britanikë dhe gjermanë të një shekulli më parë.

Edhe sot si atëherë, ishte elita ushtarake ajo që e bëri luftën duke mbjellur vdekje dhe mjerim te popujt e saj.

Në Dhjetor 2014 nuk ka nevojë të urdhërosh hapje zjarri kundër kundërshtarëve, mjafton të udhëhiqesh nga mentaliteti i luftës pavarësisht çmimit dhe pasojave fatale për qytetarët e tu.

Ashtu si dhe armëpushimi i Krishtlindjes së 1914-tës edhe ky i Dhjetorit 2014 duket po aq i brishtë dhe po aq i thyeshëm sa asokohe kur duheshin ditë të zhvilloheshin fotot, ndërsa i ke në dorë të çastit, si për të dëshmuar se një shekull mund të ndryshojë teknologjinë, por asesi mentalitetin e njerëzve të gabuar në pozicione të gabuara.

 

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO