21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Enkel Demi   /  

Ka qenë ora 18.30 e mbrëmjes, kur një shtëpie në lagjen “Ahmet Haxhia” në Shkodër i ra dera. Në qytet është dimër, bie shi dhe nata vjen herët. Kjo është ora e darkës, ku familja mblidhet rreth tryezës këmben dy fjalë, sheh lajmet dhe fëmijët mbyllin detyrat. Në Shkodër kush ka urdhëruar e di që të presin mirë fort, kurdo që i bie portës, ndaj edhe në këtë rast i zoti i shtëpisë u përball me do të panjohur, por u tha “mirësevjen”. Në fakt, ishin njerëzit e INUK, të cilët kërkuan pa e zgjatur shumë “letrat” e shtëpisë. Atyre u duhen “letrat”, sepse një plan estetik i qeverisë kërkon të prishë 30 banesa, sipërmarrje të vogla e të mesme për të krijuar një vendqëndrimi makinash. Disa prej këtyre banesave e kanë moshën një shekull, ndërsa të tjerat janë ndërtuar në themelet e të vjetrave, kanë tapi e gjithçka duhet. Pronarët e tyre u kanë rezistuar tundimeve të këtyre dy dekadave për të bërë pallate në oborret e tyre. Kanë investuar çdo ditë dhe kanë krijuar mirëqënien e të ardhmen e tyre në atë lagje, pas tribunës qendrore të stadiumit.

Qysh atë ditë nuk ka më paqe për ato shtëpi. Fëmijët janë trembur, të rriturit tymosin pagjumësinë e merakut. Bashkia thotë që nuk i ka treguar kush një plan, ndaj nuk bëzan dhe mendon se është dorëjashtë. Prefekti ka ardhur privatisht në Tiranë dhe ka zbuluar një studio private, e cila po punon për projektin e rindërtimit të stadiumit që përfshin edhe rrënimin e këtyre banesave. Voltana Ademi nuk po lë gur pa lëvizur që të gjejë një zgjidhje, qoftë edhe në sakrificë të interesit politik, ndërsa deputetët e majtë të Shkodrës po mendojnë të bëhen tok që të shkojnë tek kryeministri, sepse pëshpërisin që tek e tek ai nuk ta var.

Tani që po shkruaj këto rradhë banorët e kësaj lagjeje po përleshen me policinë, ndërsa shpresoj që kur Edi Rama të jetë në kinemanë e qytetit t’i presë këta banorë dhe t’u japë zgjidhje, ashtu në këmbë, si bëhen punët rëndom në këtë vend dhe ky shkrim të humbë thelbin e tij, të ngjajë krejt i kotë.

Duke bërë shaka para një dy ditësh, një koleg i imi propozoi maskotën e INUK. Sipas tij, Goxilla, personazh i një filmi fantazie do i shkonte për shtat, sepse INUK të kall datën. Nuk e di në cilin vend europian dhe jo, dikush i bie derës së shtëpisë tënde dhe të kërkon “letrat” në mbrëmje vonë. Pasi të shtin në hall, më pas të lë si hu tek pragu dhe nuk të jep kurrfarë shpjegimi për të ardhmen tënde që ta paska caktuar pa të pyetur shija estetike e dikujt në Tiranë, qoftë ky dhe i pari i vendit. Si ka gjasë që sa hap e mbyll sytë dikush të shkatërron pronën, të thotë një çmim kompesimi fap e fap dhe tretet në terr? Kjo mund të ngjajë vetëm në vendin tonë, ku humori i qeverisë, shija e kreut të saj është themelore për jetën e qytetarit, sigurinë, strehën e tij.

Kush e njeh Shkodrën dhe pikërisht atë zonë të stadiumit e di fort mirë që ka zgjidhje të tjera shumë më të lehta pa kosto, pa futur në lojë fondin rezervë të kompesimeve që na ka tepruar këtë fundviti. Vendqëndrimet e makinave sajohen edhe gjetkë. Ajo që nuk kuptoj është përse duhet me e ngul thikën në asht dhe me çel një konflikt social krejt të panevojshëm, kur boll ka në agjendën e INUK-ut dhe ministrit të tyre të fortë.

Atij që e çuan prej shporretit të kërkonte “letrat” e shtëpisë që ia kish lënë baba, me siguri do i ketë vajtur ndër mend droni i Beogradit. Ju gëzua zemra kur e pa atë lojë që i bëmë shkjaut në Beograd. Ku e dinte i gjori që prej atij droni kanë me i prish avllinë, kopështin dhe shtëpinë nga çatia gjer në themel, në mënyrë që kur të shkoj unë të shoh ndeshjen e kthimit të kem ku ta lë makinën dy orë. Dy orë që blejnë një shekull.

Shkodrapress

Ilva  TARE   / 

Takime masive, lider që flet e jep direktiva dhe salla që duartroket herë pas herë. Këto skena të komunizmit jo të largët shqiptar janë rikthyer dukshëm dhe përsëriten në mënyrë besnike përditë, në ndonjë rast edhe disa herë në ditë. Kryeministri Rama po përsos stilin e komunikimit të drejtpërdrejtë me audiencat në varësi të tematikës dhe përvec fjalimit të tij, kanë të drejtë të thonë ndonjë fjalë të përzgjedhurit e rastit. Ndërsa pjesa tjetër e dekorit duartroket, ose kur lideri e ka batutën e bukur, i lejohet edhe të qeshë.

Deri këtu, përveç bezdisë që të sjellin skena që i shohim ende në Kinë a në ndonjë vend tjetër, ku kulti i liderit është i vetmi preokupim i udhëheqjes, ndoshta nuk ka vend për alarm. Por për një vend që ende pas dy dekadash nuk ka dalë nga stili autoritar dhe komunikimi i njëkahshëm me audiencën nuk janë metoda të pëlqyeshme aq më tepër në epokën e interaktivitetit dhe virtualitetit.

Liderët botërorë që kanë mbi supe vende dhe halle më të mëdha se Kryeministri Rama nuk shfaqen në takime publike të përditshme dhe nuk e bëjnë punën e tyre përpara kamerave po të kontrolluara prej tij. Obama i adresohet kombit amerikan një herë në javë. Dhe nuk qëndron në konferencë shtypi më shumë se një orë, edhe pse flet për gjysmën e botës, veç Amerikës.

Pjesa tjetër e kohës është punë e padukshme për publikun, i cili përballet me impaktin e vendimarrjes, që kur ato janë ende ide si pasojë e pjesëmarrjes në fazën përpara marrjes së vendimeve dhe debateve me grupet e interesit. Në Shqipëri, takimet publike janë shfaqje e vendimeve të marra, gjithmonë në të mirë të interesit të vendit dhe duke denoncuar paraardhësit që kanë bërë vetëm të zeza, nga ato që prokurorët nuk po ua gjejnë dot anën për t’i ndëshkuar. Nuk dihet nëse nuk ka vend për ndëshkim apo nëse prokurorët janë pjesë e paligjshmërisë që denoncon Kryeministri, por faktet janë se gjyqet, edhe ato pak që hapen, përfundojnë me pastrimin e biografive të njerëzve të korrptuar nga maja e gishtit të fija e flokut.

Tendenca më e fundit e komunikimit të kreut të qeverisë ka arritur kulmin e sofistikimit. Zyra e tij e sjell lajmin për redaksitë e lajmeve në formën thuajse finale, duke sugjeruar titullin dhe pjesët e fjalimit të përzgjedhur të Ramës. Ka vetëm një media që ka akses në takimet e Kryeministrit dhe në furgonin e ekipit të tij shoqërues. Dhe si gjithmonë është media që qeveria mbështet, pëlqen dhe i beson deri në pikën sa mund ta filmojë në çdo takim dhe komunikim, me teorinë që nuk të vjen e keqja nga i yti.

Kjo është një histori tashmë traditë në Shqipëri, por është sa e dëmshme për median dhe standardet e saj profesionale, aq edhe banale për nga mënyra se si ndërron vetëm logoja e televizionit të radhës që është afër Kryeministrit. Është e qartë se lideri nuk ka të njëjtim mendim dhe respekt profesional për të gjithë gazetarët e tregut mediatik dhe nuk ka përse të jetë kështu. Preferencat janë të kuptueshme dhe të pranueshme, deri në momentin që ato nuk prekin integritetin profesional. Liderët modernë që Kryeministri ynë aspiron t’u përngjajë, nuk përzgjedhin mesazh-përcjellësit, ata kujdesen për mesazhin formën dhe përmbajtjen e tij, përpara se ta artikulojnë publikisht.

Voltana Ademi   /  

Çdo ditë më shumë shoh e më shumë vërtetoj. Vërtetoj më shumë e shumë më shumë mërzitem. Mërzitem sepse çdo dite vërtetoj pse ishte “rilindje” parulla e partisë në pushtet, që sot shqiptarët po i bën të vuajë. I bën të vuajë sepse, më shumë se me asgjë tjetër, gjendja e sotme i ngjason një gjendje shoku të madh. Një shok i  pashoq e që rrallë herë keto vitet e demokracisë e ka përfshirë shoqërinë shqiptare. E asnjëherë më shumë se sot nuk është ulur këmbëkryq në jetët tona.
Duke pasur parasysh që s’kemi parë asgjë akoma, ndoshta është planifikuar të mbërrijmë deri në frymen e fundit. E atëherë me siguri do të plotësohet mrekullia dhe do të përmirësohet Shqipëria! Pra u dashka të rilindë shoqnia jone?! …Kjo, vertete kjo, të ngjason me fabrikimin e njeriut të ri socialist.

Trishstimin më të madh të këtyre ditëve e merr nga televizioni duke parë se si përkujtohet çdo ditë çlirimi i ndonjë qyteti a fshati, ndërkohë që liderë nga mbarë bota e në veçanti nga Europa u mblodhën e përkujtuan rënien e simbolit të komunizmit. Nga ajo Europë, që për afro pesëdhjetë vite me rradhë e parreshtur kurrë shqiptaret shumë e ëndërruan e për njezet e katër vjet të tjera shumë e dëshiruan, shohim që festohet rënia e mureve. Jo vetëm e një muri që ndan dy copa toke, por rënien e atyre mureve që ndajnë dy botë, rënien e mureve që ndajnë njerëzit, rënien e ndasive, rënien e urrejtjes e përçmimit, rënien e ndalimit të besimit e të rrespektimit të pronës private, pra rënien e ndalimit të  shpresës. E prandaj, ndoshta kjo ishte ajo brohoritja që mbushte plot e përplot zemrat e studentëve ato ditë dhjetori, ku në Qytetin Studenti, me sa kishin forcë shqiptarët në emër të dëshirës së tyre e jo më në emër të popullit thërrisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”                                                                         

Përsëri të vjen keq kur ajo dëshira e tyre, sesi e duan Shqiperinë, mbeti vetëm në brohoritjet e ëndërrat e tyre. Sepse Shqipëria e sotme nuk ngjason me asnjë vend të kësaj Europe. Thonë se e keqja s’ka fund, por s’kuptoj pse e gjeti këtë vend e këtë popull të vërtetohet kjo fjalë! Me të vërtetë fund s’paska! E këtë gjë e kupton kur përsëri, në televizor, shikon ato që dikur ishin fatosët e vegjël, që ashtu si dje edhe sot me ato jakat e kuqe e të hekurosura mirë hedhur rreth qafes, dikur thatime e sot hera herës më të trashë se vetë ato, marrin qëndrimin “Gatiiitu!” para ndonjë lapidari a cope betoni që fatkeqësisht i ka shpëtuar këtij INUK-ut të sotëm. Dëgjon ato fjalimet e pa shpresa të atyre njerëzve që jetojnë me të kaluarën e që për asnjë ditë të jetës së tyre nuk kërkuan ndjesën e shumëpritur, e që me ndonjë muzikë të zgjedhur në sfond, kush me lot në sy e ndokush i mallëngjyer thellë, disa me duar në xhepa e me xhepa plot, e disa të tjerë duke ngritur lart foton e diktatorit, i mbushin plot e përplot me lule artificiale e me kurora, i rrethojnë e i mbulojnë aq fort sa pa dashje ndonjëherë s’dallohen as shkrimet përkatëse. E dorazi me njeri tjetrin ulen në ndonjë hije që gjendet aty pranë duke treguar për luftën e shumëpërfolur, për brigadat mbrojtëse e sulmuese. Shumicën e këtyre tregimeve i kanë veç me të dëgjuar e pak më të jetuar. Por pak para përfundimit të takimit për kujtimin e çlirimit ulen e afrohen,  krrusen e shtrëngohen  e aty i japin fjalën njëri-tjetrit që kurrë s’do e lejojnë t’u plotësohet dëshira e shqiptarëve, t’ju prijë e mbara. Pra shqiptarët e Shqipërisë kurrë mos të kenë “Shqipëri si të gjithë Europa“.                                                                  
                                                                         
Këto mendime të hedhura në letër disa gjakra do të ndezin e disa zemra do të shkrijnë. Por për keto gjakrat e ndezur kam shumë pyetje që në fakt për përgjigje skanë nevojë, por përgjigje atyre i japin. Për ngjarjet historike gjykohet në distancë kohore e për këtë çlirimin e përfolur po provojmë te flasim  këto vite. Por këto pyetjet që për përgjigje s’kanë nevojë e përgjigje japin prej vitesh, aty qëndrojnë prej kohësh.
Kush sakrifikoi më shumë jetë shqiptarësh okupatori apo sistemi që u instalua, kush i ndau më shumë shqiptarët okupatori apo komunizmi shqiptar? E ketu zë vend tamam ajo fjala e urtë, që armiku më i keq i shqiptarëve janë shqiptarët. Këtu ndoshta këto gjakra do nxehen me vrull, do të ngrihen në këmbë e me mendje hilexhije do të thonë që çlirimi s’kishte lidhje me sistemin që u instalua e që u bë për hatër të flamurit, që ai flamur të valëvitej i lirë në troje të lira! Por më shpejt se vrulli në trurin e tyre do të kërcejë përgjigja që ato e dijnë, por, sa të jenë gjallë, nuk e pranojnë dot, që shqiptarët më shumë festuan kur u çliruan nga komunizmi se nga pushtuesit. Që do të thotë që këto s’na paskan çliruar por na paskan shtrënguar! E mendja pastaj do i shkojë te hipoteza e flamurit, që e bënë për flamurin! Por pa u mbushur me frymë mirë fytyrat do iu zbardhen e frymën s’do e çojnë deri në fund. Sepse mirë që për të gjallët s’patën mëshirë, por edhe me shqiponjën e flamurit qetësi nuk gjeten. Do iu kujtohet se edhe atëherë si përherë në mesin e tyre kishin ndonjë piktor që, për syrin e tij, shqiponja duhej zbukuruar. E pra kështu e trajtuan, si një orendi e menduan, e për zbukurim t’i vendosnin yllin e partisë! E pra erdhi momenti që nuk kanë asnjë arsye që të ndihen krenarë për atë çlirim. Por edhe pse me bisht ndër shale përsëri tërheqjen s’e njohin, përsëri tundin atë foto të shkrepur në bardhë e zi që përpos dritës së bardhë të blicit, të bardhë tjetër nuk ka!

Besnik Mustafaj   /  

Sokol Olldashi nuk është një hero. Saktësisht një vit më parë ai u nda prej nesh në një aksident tragjik, duke ngjallur një trishtim dhe keqardhje të gjerë popullore si rrallë në ndonjë rast tjetër të paktën gjatë çerekshekullit të fundit. Miqtë e tij, kryesisht ata politikë, do të mblidhen sot për ta kujtuar.
Çfarë kishte bërë Sokol Olldashi për ta merituar një trishtim dhe një keqardhje të tillë popullore?
Ai u nda nga kjo jetë shumë i ri për një burrë. Kishte bërë pak rrugë prej gazetari, ku nuk kishte shkëlqyer. Politikën aktive e filloi pa i mbushur të tridhjetë vjetët, kur u përfshi në stafin tim të ngushtë elektoral gjatë fushatës sime për kryetar bashkie i Tiranës. Dua të them se qysh në fillim të jetës së tij politike, Olldashi u bë pjesëtar i një humbjeje. Një vit më pas ai do të hynte në Parlament. Në vazhdim, ngjitja e tij politike do të ishte vërtet e përshpejtuar. Ai do të drejtonte Forumin Rinor të Partisë Demokratike, do të njihte brenda një dekade opozitën parlamentare dhe pushtetin, duke mbajtur njëri pas tjetrit dy portofola ministrorë të rëndësisë së veçantë për jetën e vendit, atë të ministrit të Brendshëm dhe atë të ministrit të Transporteve. Dhe do të kthehej përsëri në opozitë, por kësaj here jo për shumë kohë, fatkeqësisht për atë vetë dhe familjen e tij, për Partinë Demokratike dhe, do të thosha, fatkeqësisht edhe për vendin. Por jeta ka befasitë e veta të hidhura.
Karriera politike e Sokol Olldashit nuk është e zakonshme. Por në historinë postdiktatoriale të Shqipërisë, kjo karrierë nuk është një përjashtim, nuk është pra unike. Ka disa shembuj të tjerë politikanësh, të cilët madje edhe më të rinj se Sokoli, janë bërë deri edhe kryeministra. Sokol Olldashi ka bërë, megjithatë, diçka ende të papërsëritur në jetën politike shqiptare dhe që i jep kontributit të tij politik një shkëlqim të veçantë. Pas humbjes së palavdishme në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit (2013), Sali Berisha, me hir a me pahir, dha formalisht dorëheqjen nga kreu i Partisë Demokratike. Si përkujdesje të fundit për trashëgiminë e vet politike, Berisha caktoi pasardhësin, siç dihet, dhe ky do të ishte Lulzim Basha, për të cilin do të kishte gjithsesi një legjitimim përmes një votimi të anëtarësisë demokrate. Duke përfituar nga kjo klauzolë demokratike – votimi -, menduar fillimisht nga Berisha “sa për të larë gojën”, Sokol Olldashi hyri në garë.
Haptazi dukej se do të ishte një garë krejt e pabarabartë në kuptimin më të gjerë të fjalës, një garë me fitues të paracaktuar. Shkurt fjala, ajo që do të zhvillohej, nuk do të ishte garë. Sokol Olldashi nuk kishte me vete asnjë rrethanë organizative, për t’i dhënë atij ndonjë xixëllimë shprese për fitore. Ma merr mendja se përvoja që ai kishte tashmë në politikë, dhe po aq njohja e thellë që kishte për funksionimin e Partisë Demokratike, ishin krejt të mjaftueshme për ta kuptuar se po hynte në një betejë teorikisht të humbur. Por ai e hodhi hapin. Kam qenë i bindur atëherë dhe vazhdoj të jem i bindur se Sokol Olldashi hodhi në atë rast hapin e duhur dhe më të rëndësishmin që kishte hedhur gjatë gjithë jetës së tij politike, një hap që dëshmonte se ai ishte pjekur si politikan dhe kishte brenda vetes tharmet e nevojshme që e bëjnë politikanin udhëheqës. Ai hyri kështu në shtegun e ngushtë e të përpjetë për t’u bërë lider. Pikërisht sepse vendimin për t’i dalë përballë kandidatit zyrtar të kryetarit historik e mori tërësisht me vullnetin e tij, duke e zënë madje në befasi Berishën, dhe po ashtu i shkoi fushatës deri në fund me një vullnet të hekurt, përkundër të gjitha stërkëmbëshave të llojllojshme që iu vunë, ai tregoi se e kishte tashmë brumin aq të rrallë për t’u bërë një ditë lider.
Ashtu siç i takonte një lideri të së ardhmes, Sokol Olldashi i bëri me këtë rast Partisë Demokratike në radhë të parë një shërbim shumë të çmuar. Ndoshta një shërbim historik. Po kaq i çmuar duhet të mbetet ky shërbim edhe në vlerësimin personal të Lulzim Bashës, i cili, në përfundim të asaj fushate, do të ulej në karrigen e kryetarit të Partisë Demokratike. Ky është gjykimi im thellësisht i sinqertë.
Dhe po e shpjegoj pse. Gjatë verës së vjetshme Partia Demokratike u përfshi, qysh nga zgjedhjet e para të lira ku kishte marrë pjesë, në një traumë shumë të rëndë në vetëdijen e saj politike. Pa hyrë në një analizë, do thënë vetëm se Sokol Olldashi, me përfshirjen e tij “jozyrtare” në garë, i dha mundësinë e vetme Partisë Demokratike të fillonte të mblidhte veten për t’u shkëputur nga e kaluara e vet, duke u reformuar përmes zgjimit të demokracisë së brendshme, kthjelltësimit të ndërgjegjes kriticiste, afishimit të vlerave të veta moderne përmes debatit parimor dhe alternativave. Partia Demokratike, e atrofizuar siç ishte, nuk u tregua në gjendje të përfitonte nga kjo mundësi që i dha Sokol Olldashi me nismën e tij. Por fara e mirë u mboll gjithsesi. Të paktën unë, veteran i kësaj partie, kështu dua të besoj. Ndërsa mirënjohja personale e Lulzim Bashës ndaj Sokol Olldashit lidhet me legjitimitetin e domosdoshëm që mori mandati i tij vetëm në sajë të fushatës që bëri Sokol Olldashi si rival i ndershëm. Pavarësisht votave që do të kishte në kuti, pa këtë legjitimitet që e jep vetëm gara, mandati i Lulzim Bashës do e kishte gjithmonë pak erë të keqe, që ndihet posaçërisht në mjedisin politik me ajër lirie.
Për t’iu kthyer në mënyrë të përmbledhur pyetjes që shtrova në krye të këtij homazhi, do të thosha me bindje se trishtimi dhe keqardhja e gjerë popullore që shoqëroi ndarjen përfundimtare me Sokol Olldashin një vit më parë, nuk lidhet aq me moshën e tij të re, as me kontributin ekzistues tashmë që ai kishte në politikën shqiptare, por me ndërprerjen brutale të asaj që ky burrë i ri sapo kishte nisur të bënte. Në ndërgjegjen e vet shoqëria shqiptare e ndjeu se humbi një vlerë të çmuar për të ardhmen e vet si shoqëri me aspirata për demokracinë. Si i tillë, ky përjetim është sa njerëzor aq edhe politik, dhe i bën nder të madh shoqërisë shqiptare.
Sot miqtë e Sokol Olldashit do të mblidhen për ta kujtuar. Për shkak të angazhimeve të mia, unë duhet të jem diku tjetër, jashtë Shqipërisë. Dhe më vjen keq për këtë koincidencë. Do të kisha dashur të isha aty. Nuk e di ç’do të bëjnë miqtë e Sokol Olldashit me këtë rast. Në ftesën që mora nga grupi organizator, nuk ishte paralajmëruar ndonjë rend dite. Por besoj se ata nuk do të mblidhen thjesht për të ngushëlluar njëri-tjetrin dhe për të ofsharë para karriges bosh të Sokol Olldashit. Kujtimi i Sokol Olldashit nuk ka nevojë për këtë lloj ceremonie postmortum. Kujtimi i Sokol Olldashit merr kuptim vetëm duke u vendosur në kontekstin vital të ëndrrës së tij për ta ringritur frymën e Partisë Demokratike dhe të opozitës në përgjithësi sipas një modeli europian, që do të thotë një organizëm i shëndetshëm politik, i cili ushqehet me kulturën demokratike europiane dhe qëndron përballë pushtetit brenda institucioneve të shtetit, me të drejtën dhe detyrimin që i ka dhënë vota e popullit për të ndërtuar një vizion më të mirë për të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm kështu rritet fara e mirë që mbolli Sokol Olldashi në Partinë Demokratike gjatë muajve të fundit të jetës së tij intensive.

Botuar më parë në gazetën Panorama

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO