21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Ndriçim Kulla / 

 

Në nëntor të vitit 1784, periodikja gjermane “Berlinische Nonatshrift” boton një artikull që i përgjigjet pyetjes së parashtruar më parë prej saj: Ç’është iluminimi?” Dhe shkruesi i kësaj përgjigjeje ishte Kanti. Një tekst i shkurtër vërtet, por që shënjoi hyrjen përfundimtare në historinë e mendimit të një pyetjeje të përsëritur vazhdimisht – edhe pse në forma të ndryshme – për dyqind vjet me radhë.

Por, shumë më tepër sesa një doktrinë apo një mendim i sistemuar filozofikisht, Iluminimi shënjon një stil intelektual të të jetuarit dhe një metodë të caktuar të të vepruarit, çka shpjegon qartë faktin se pjesa më e madhe e iluministëve nuk ishin filozofë, por përkundrazi shpërhapës të përkushtuar të dijes dhe të ndërgjegjshëm në orvatjen e tyre për fitimin e betejës kulturore dhe triumfit të këtyre ideve të reja.

Prandaj Kanti, që në fillim të artikullit të tij të famshëm shkruan se Iluminimi nuk është as një erë e re botërore së cilës i përkasin individë të caktuar, as një ngjarje së cilës sapo arrijmë t’i perceptojmë shenjat  e as agimi i një realizimi përmbushës. Përkundrazi, ai e sheh atë si një “rrugë-dalje”(Ausgang) apo “si një mënyrë për të dalë mbanë  apo “si një mënyrë për t’u shkëputur nga gjendja e vet e paplotshmërisë a mos-maturisë që e karakterizonte njeriun asokohe (por që fare mirë mund të projektohet si pohim edhe për njeriun e shoqërive si kjo e jona).

Madje, në mënyrë specifike Kanti shkruan se Iluminimi ka edhe një Welspruch të vetën, që sipas Fukosë është një divizë heraldike ( lajmëtare) ose e thënë ndryshe, një lloj distinktivi me anë të të cilit mund të njihet çdokush, e njëherësh edhe një moto, një mënyrë të  mësuari që dikush i dikton vetes dhe ua propozon atë edhe të tjerëve. Po ç’është vallë kjo moto? Aude sapere – përgjigjet Kanti: “Guxo të jesh i ditur; të kesh kurajën dhe këmbënguljen për të qenë i ditur”.

Prandaj Iluminizmi duhet konsideruar si një ethos, si një lashtësi ngjarjesh politike, ekonomike, sociale institucionale dhe kulturore; një ndërmarrje që përpiqet të lidhë progresin e së vërtetës dhe historinë e lirisë me  një varësi të drejtpërdrejtë, pra në thelb një kompleks procesesh historike që e kanë determinuar zhvillimin e shoqërive perëndimore deri në nivelin që kanë arritur sot.

Dhe ai konsiderohet sot si horizonti kulturor i Perëndimit që përfshin në vetvete elementë të transformimeve të caktuara sociale, tipe të caktuara institucionesh politike, forma të caktuara në nxënien e dijeve, projekte të racionalizmit të këtyre dijeve dhe praktikës së shoqërimit të tyre me revolucionet teknologjike të kohës.

Nga ana tjetër, Iluminizmi duhet të konsiderohet njëkohësisht edhe si një proces në të cilin njerëzit marrin pjesë në mënyrë kolektive dhe si një akt kuraje ku individët të përmbushen në mënyrë personale. Pra, janë pikërisht njerëzit elementët dhe faktorët e po të njëjtit proces, ku masa e shkrirjes dhe zhvillimit të tij vendoset falë vullnetit që ata shprehin për t’u angazhuar e për t’i realizuar këto detyra.

Ndaj, edhe mbi dyqind vjet pas vdekjes së Kantit, pyetjes se ç’ka ende vallë për të na thënë ky burrë i madh, ne, banuesve të një bote pafundësisht me komplekse e të përballur me probleme që ai as mund t’i imagjinonte ndonjëherë, mund t’i jepet veçse një përgjigje e këtij lloji: ka për të na thënë ende shumë. E kjo sepse mesazhi dhe idetë e tij filozofike janë sot më të vlefshme se kurrë. Nuk ka aspekt të mendimit të tij që nuk jep shkas për të menduar, për shkak se pyetjet e mëdha të filozofisë – në thellësi të tyre- mbeten ende Kantiane. Pikërisht shkrimet e tij të vogla politike, ato ku ai çel perspektivat e një aktualiteti të jashtëzakonshëm, duke provuar domosdoshmërinë e institucioneve atëherë të panjohura e sot të pazëvendësueshme.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore, Gjykata Ndërkombëtare, janë institucione të ideuara nga Kanti. Po ajo ç’ka është më interesantja qëndron në faktin se ai parashikoi që në fillim edhe të gjitha vështirësitë e asaj që atij i dukej një kalim i detyruar drejt një kohe më racionale dhe më të lirë (siç shprehet në të famshmet “Ideja e një historie universale nga një këndvështrim kozmopolitik” dhe “Paqja e përjetshme”.

Një qeveri botërore, një shoqëri civile botërore, rregulla që vlejnë në nivel botëror, një e drejtë autentike ndërkombëtare (janë të gjitha finalitete që sado utopike të duken, u rrinë të rrënjosura në zemër të gjithë liberal-demokratëve të sotëm, duke iu referuar të gjitha vizioneve të tyre filozofike të historisë, sipas të cilëve nuk mund të jemi kurrë të sigurt e të shpaguar nëse nuk arrijmë të gjejmë rregulla që vlejnë në nivel botëror.

Nisur nga ky këndvështrim, nëse shekulli i 19-të pat qenë shekulli (relativisht paqësor) i krijimit të shteteve kombëtare, shekulli i 20-të mund të thuhet se qe shekulli i tmerrshëm. Por siç thotë dhe Norberto Bobbio, vetëm nëpërmjet rrënjëzimit te një racionalizëm, neo-iluminizmi i realitetit tonë bashkëkohor do të arrijë të përqafojë edhe shumë fusha të tjera thelbësore të jetës dhe shoqërisë, të historisë, kulturës dhe jetës intelektuale, përtej debateve politike mbi tema të mprehta të aktualitetit si paqja, demokracia, lufta kundra terrorizmit etj., me bindjen se pjesëmarrja dhe angazhimi në debatin publik është e domosdoshme për të zgjeruar dhe konkretizuar dialogun e pluralizmit, çka përbën bazën e bashkekzistencës demokratike.

Ndaj, për të realizuar një demokraci të vërtetë, sipas tyre ishte i domosdoshëm angazhimi i të gjithë qytetarëve për të marrë pjesë  përgjithshmërisht në jetën politike. Për këtë arsye, ata iu vunë punës për të shpërhapur kulturën iluministe në të gjitha shtresat e shoqërisë në bazë të devizës: Dija dhe e vërteta duhet të njihen nga të gjithë. E përkthyer në prizmin e realitetit të sotëm, kjo shpërhapje e dijeve iluministe s’duhet të ngelet kurrsesi në nivelin elitar. Përkundrazi, lëvizja duhet të qendërzohet në emancipimin e çdo individi shoqëror, jo vetëm me urgjencën imperative të njohjes së dijeve themelore mbi shoqërinë, demokracinë dhe shtetin, por edhe me besimin e patundur në fuqinë shoqërore të individit me ndryshimin e rrjedhës së një procesi. E kjo detyrimisht arrihet duke kaluar vetëm nëpër një rrugë: të fitohet kultura; çka gjallon në mënyrë idenë e  ndërmarrjes – kryesisht nga ana e institucioneve vendimmarrëse – të një kryqëzate , për përmirësimin e nivelit të shkollës, nëpërmjet investimeve në përmirësimin e formimit të trupës pedagogjike apo të kurrikulave mësimdhënës, në forcimin e lidhjes së kësaj shkolle me strukturat mbështetur për zhvillimin e përhershëm të këtij formimi (shoqëria civile, ajo mediatike dhe jeta intelektuale),  me qëllim përmbushjen e asaj që duhet të na shndërrohet nga sot e tutje në detyrën e ditës, fitimin e një kulture të mendimit, çka do të thotë fitimi i cilësorëve të veçantë për një jetë të gjallë intelektuale, që ta kthejë fytyrën nga filozofia e të bulojë idetë nën diellin e shkencave humane, për të pirë ujë në burimet e psikologjisë dhe sociologjisë dhe për ta lëvruar praktikimin në eksperiencën dhe historinë shqiptare. Ja, ç’do të na sjellë të gjitha ato dobi që të fal iluminizmi, prej të cilit lindën të gjitha liberal-demokracitë e Perëndimit e ku ka hedhur themelet ajo ndërtesë që përcakton sot epërsinë e tyre kulturore. Po vallë a mjafton e gjitha kjo?

Vetë Kanti pat thënë, por edhe pat shkruar diku se, “është e mundur të ndërtohet një shtet i mirë edhe midis djajve”, çka tregon se s’mund të mjaftojë të vendosësh si bazë të vetme mbështetëse ligjet dhe sistemet legale.

Po, kështu edhe shkalla e famshme e Frankfurtit (nga Max Horkheimer, Theodor Adorno e deri tek Jürgen Habermas) ka thelluar këtë ide në ditët e sotme, duke u përpjekur nëpërmjet kritikës së limiteve të kësaj lëvizjeje të bëjë një ripropozim të iluminizmit në bazë të një logjike analitike  pamëshirshmërisht të kthjellët në shqyrtimin e problemeve morale dhe politike të kohës në mënyrë që nën dritën e akullit të arsyes, të mos ketë më të korra barbare” (siç pat shkruar Adorno në hyrjen e së famshmes së tij “Dialektika e iluminimit”, duke iu referuar Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore). Madje, edhe më parë në shekullin e 19-të, romancierët e mëdhenj rusë, e mbi të gjithë Dostojevski veçanërisht tek “Krim dhe ndëshkim” dhe Tolstoj, patën përshkruar se si me anë të përligjjes së normave të moralit dhe të fesë arrihen të kryhen krime monstruoze, që tejkalojnë masën e konsiderueshme prej racionalitetit dhe ndjeshmërisë njerëzore.

Pikërisht për të ristabilizuar ekuilibrin dhe për ta ruajtur të paprekur godinën kulturore të Iluminizmit në gjithë madhështinë e vet, filozofët e sotëm propozojnë një ndërthurje të saj me etikën. Ja, pra cili është ai horizont kulturor që na nevojitet në të gjithë plotësueshmërinë e tij. Etika dhe Iluminimi. Ja cilat janë dy shinat mbi të cilat duhet të ecë shoqëria jonë. Ky është mësimi që na jep historia e zhvillimit të shteteve perëndimore. Kjo është rruga që ato përshkuan dhe që na ofrojnë të përshkojmë edhe ne shqiptarët, me specifikën e indit tonë shoqëror. E në këtë luftë, në këtë lëvizje të të gjitha pjesëve promovuese të shoqërisë, le të na vijnë në ndihmë edhe fjalët e mençura të Kantit, në mesazhin e tij të gjallë dyshekullor: Na duhen “koncepte të drejta, një përvojë e madhe”, dhe mbi të gjitha “një vullnet i mirë”.

 

(marrë nga mapo.al)

Shkodra Press

Faik Miftari  /  

Më 11 Korrik 2015, mbushen plot 20 vite nga gjenocidi i kryer në Srebrenicë nga forcat paramilitare, policore, ushtarake,  serbe ndaj zonës mbrojtëse të sigurisë në Srebrenicë të shpallur nga KS i OKB-së, me ç’rast vetëm për një javë, prej 11 korrikutt e gjer më 18 korrik 1995 janë vrarë dhe likuiduar 8372 boshnjakë mysliman të dorëzuar, të zënë peng,  të zënë robër dhe atë që nga mosha 14 vjeçare e gjer në moshën 84 vjeçare.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hag e ka konfirmuar gjenocidin e kryer në korrik të vitit 1995 në hapësirën e Srebrenicës. Kjo është ditë përkujtimi të cilën boshnjakët e shënojnë  çdo vit,  ditë në të cilin ka ndodhë katrahura më e madhe në Evropë, pas Luftës së dytë botërore, gjenocidi mbi boshnjakët. Kjo është ditë, e sidomos sivjet në përvjetorin e 20-të saj, e cila do të shënohet anembanë Evropës në përgjithësi, por do të duhet  edhe ne shqiptarët  të përkujtojmë këtë ditë, pasi që  Parlamenti Evropian më 17 janar 2009 ka miratuar Rezolutën për Srebrenicë me ç’rast 11 korrikun e ka  shpall ditë evropiane në përkujtim të viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë. 

Për nder të shënimit të përvjetorit të 20-të të gjenocidit në Srebrenicë, në Prizren me 9 korrik në ora 17.00 u mbajt defileu i qytetarëve të Prizrenit me rrethinë, organizuar nga organizatat joqeveritare boshnjake dhe Drejtoria për kulturë e komunës së Prizrenit, të quajtur Marshi i Paqes. Defileu nisi nga Qendra Sportive dhe përfundoi në qendër të Prizrenit në Shadërvan, buzë Lumbardhit me një pjesë artistike të përkujtimit të viktimave të pafajshme të Srebrencisë.

Këtu në këtë përvjetor të 20-të gjenocidit të kryer mbi boshnjakët në Srebrenicë do të paraqes dhjetë karakteristika kryesore të cilët e karakterizuan gjenocidin në Srebrenicë. E para, gjenocidi është kryer në ambientin e luftës që u zhvillua gati për  plot 4 vite në Bosnjë e Hercegovinë. E dyta, gjenocidi në Srebrenicë ka pas qëllimin kryesor dhe aksesor, qëllimi kryesor ishte zhdukja e popullit boshnjak, aksesor ishte vrasja kryesisht e boshnjakëve meshkuj të Srebrenicës. E treta, gjenocidi i kryer në Srebrenicë, ka qenë shumë mirë i planifikuar dhe i organizuar më parë nga krerët më të lartë udhëheqës politik e ushtarak serb me qëllim të zhdukjes së pjesërishme apo tërësishme të grupit të caktuar etnik, fetar, racor, gjegjësisht të boshnjakëve të Bosnjës. E katërta, ishte plani i krijimit të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, në të cilin nuk do të ketë vend për tjerët të cilët nuk janë serb, apo i përkasin grupit tjetër etnik e fetar. E pesta, është përdorur miti serb i kahershëm, për shpëtimin e Evropës së krishterë nga rreziku dhe kërcënimi islamik i Bosnjës. E gjashta, gjenocidi i kryer  në Srebrenicë ndodhi midis Evropës, edhe pse pas procesit të Nirnbergut është thënë”Kurrë më”, pikërisht kjo ndodhi në Bosnjë, në Srebrenicë e cila ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara. E shtata, gjenocidi i kryer në Srebrenicë akoma nuk po pranohet nga serbët si gjenocid, por trajtohet si luftë qytetare, luftë fetare, krimi i kryer, krim kundër njerëzimit, por jo edhe gjenocid. E teta, pas gjenocidit të kryer në Srebrenicë, në vend se të dënohet agresori serb, ai u shpërblye me krijimin e Republika Sërpskës në Bosnjë e Hercegovinë me marrëveshjen paqësore të Dejtonit, me ç’rast Bosnja e Hercegovina u nda de jure në dy pjesë. E nënta, boshnjakët gjatë gjithë kohës së ekzistimit të tyre si popull, komb, etnos i veçantë janë akuzuar nga serbët se me pranimin e islamit kanë tradhtuar origjinën krishtere sllave, andaj duhet dënuar dhe zhdukur, gjë që këtë në mënyrë publike e tha komandanti serb Ratko Mlladiq, pas hyrjes së tij në Srebrencië, “ erdhi koha për t’u hakmarrë kundër turqve(lexo boshnjakëve)”. E dhjeta, edhe pse ishte shpallur zonë mbrojtëse me Rezolutë të Kombeve të Bashkuara, ajo me qëllim u sakrifikua për të përfunduar luftën dhe për arritur marrëveshjen paqësore të Dejtonit. Forcat ajrore të NATO-së, edhe pse kishin mandat për të mbrojtur zonën e sigurisë së Srebrenicës, nga KS i OKB-së, “me  qëllim” kanë hezituar të bombardojnë caqet serbe, me ç’rast do të kishin parandaluar një gjenocid të tillë  në Srebrenicë, pasi që ka  dështuar e tërë komanda zingjirore “me  dashje” nga ish komandanti i UNPROFOR-it e gjer te ish sekretari gjeneral i OKB-së.

Gjatë këtyre ditëve të përkujtimit të 20 vjetorit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë gazeta britaneze The Guardian para ca ditësh ka shkruar për prapavijat e ngjarjeve që kanë parapri gjenocidit të kryer në Srebrenicë, në të cilin përveç tjerash ceket në shkrimin në fjalë: ” sot ekziston një varg faktesh se rrënja e Srebrenicës ishte pjesë e politikës së tri fuqive të mëdha, Britanisë së Madhe, Francës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe udhëheqjes së Kombeve të Bashkuara, të cilët në kërkim të paqes me çdo çmim, e kanë sakrifikuar Srebrenicën për paqe në llogari të Srebrenicës. Fuqitë e mëdha kishin për qëllim të heqin dorë nga ekzistimi i enklavave, dhe ishin të vetëdijshme se do të pasonte spastrimi etnik i Srebrenicës, por edhe se pjesëtarët e UNPROFOR-it i kanë lënë civilët pa mbrojtje dhe kanë refuzuar t’ju ndihmojnë. Sipas dokumenteve amerikane nga të cilët është hequr sekreti, detajet e krimeve kanë arrit tek shërbimet sekrete perëndimore para se të fillojnë me 13 korrik, ndërsa operativistët e CIA-së kanë përcjell “live” transmetimin në lokacionin në Vjenë”, shkruan përveç tjerash gazeta britaneze The Guardian.

Këtu nuk mund e të mos e citojë edhe thënien e ish Reisit të çmuar të Bosnjës e Hercegovinës dr. Mustafa Ceriqit, i cili për gjenocidin në Srebrenicë, përveç tjerash ka thënë:” Srebrenica është qyteti në të cilin është lejuar që njeriu i pafuqishëm të dëbohet nga shtëpia e vet dhe të vritet i pafajshëm vetëm sepse ishte mysliman. Nga 11 korriku 1995 e më tutje, Srebrenica është më tepër se qyteti dhe më shumë se emri i vet. Srebrenica është vendi i provimit të ndërgjegjes njerëzore për të gjithë ata të cilët kanë mundur e nuk e kanë parandaluar krimin ndaj njeriut të pafajshëm. Srebrenica është emër i cili sot rrotullohet rreth botës që të zgjojë ndërgjegjen njerëzore e cila duhet ballafaqohet me vetveten ndërmjet të mirës dhe të keqes, të zgjedh të mirën. Pasi që tjetër rrugëdalje nuk ka për shoqërinë njerëzore, në rast se do të jetojë në mirësinë e frytit të vet”.

Nga ky përkujtim i shënimit të 20 vjetorit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë duhet nxjerrim mësim për gjenocidin jo vetëm si fakt historik, por edhe  si mënyrë për të përkujtuar të gjithë neve  nga rreziku i tanishëm aktual i racizmit, nacionalizmit, sektarizmit dhe plotë shembujve tjerë të jo tolerancës njerëzore  që mbretërojnë aktualisht në globin tokësor në përgjithësi e në Lindjen e Afërt në veçanti.   Ky përkujtim  le të shërbejë gjeneratave të reja se duhet  të çmojnë demokracinë dhe drejtat njerëzore,   të largojnë nga vetja e tyre urrejtjen, jo tolerancën dhe konfliktet.  Duhet të  respektojnë  vlerën e jetës njerëzore, integritetin e njeriut si qenie më e çmueshme , të respektojnë religjionet dhe popujt e ndryshëm.

Do të  përmbylli këtë përkujtim të 20 vjetorit të  gjenocidit të kryer mbi boshnjakët në Srebrenicë , me një   rrëfim të tmerrshëm, pas  së cilës, “edhe po të kishte pasur njeriu  zemrën prej gurit, ajo do të copëtohej nga një rrëfim i tillë”, të boshnjakes Xhemile Zekiqit dëshmitare e gjallë e gjenocidit të kryer në Srebrenicë: 

” Qëndroja në mes popullit të dëshpëruar  e të grumbulluar në Potoqare të Srebrenicës, kur çfarë të shoh, gruaja e re, është  shtrënguar, djersët i rridhnin në ballë, ngërç në fytyrë të saj. Iu afrova dhe e pyeta çfarë ka, ajo më tha, po lind, po bijë i thash, mbahu me një dorë për mua, e me tjetrën për vjehrrën,...Ashtu u bë, u shtrëngua gruaja e re në ne..., u ndie vaji i foshnjës djalë. E mora foshnjën dhe po dua t’ia lidhi kërthizën, kur çetniku serb doli para meje duke më thënë: lëshoje këtë foshnje në tokë. Unë e lëshova dalëngadalë në dimijat e mia, foshnja e bukur me flokë të gjata, sikur të ishte larë tani,...çetniku serb iu afrua, dhe këmbën e tij e nguli në fytin e njomë të foshnjës së porsalindur,...zorrët e njoma iu shkapërderdhën në të gjitha anët...” 

Shkodra Press

Evans Drishti  /  

* Lidhur me video-skandalin në jetimoren e Shkodrës.

 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që s’di ç’është mëshira? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që nuk njeh konceptin e mëshirës? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që as që synon ti afrohet mëshirës? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që ka humbur ndjenjat bazike të dhembshurisë? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që ka humbur ndjenjat bazike dhe jetike të të qenurit njeri? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që as nuk aspiron të kuptojë thelbin e një qenieje? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që as nuk tenton të kuptojë ekzistencën e një qenieje që quhet njeri? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që as nuk merr guximin ti afrohet kësaj qenieje njeri me një

buzëqeshje? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që as nuk merr mundimin ti afrohet kësaj qenieje njeri me një dashamirësi dhe përkëdheli? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që tjetrin si qenie njeri as që e ka pranuar si të tillë? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që nuk njeh normat bazë të komunikimit me një qenie të mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që përbuz dhe përdhos me forcë ndjenjat rënqethëse të një qenieje të mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që nuk ka mëshirë ndaj ndjenjave rënqethëse të një qenieje të mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që pa asnjë hezitim godet mbi trupin e njomë të një qenie të mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që përkundrejt një mirësjelljeje krejtësisht normale zgjedh anormalitetin si zgjidhje për pafuqishmërinë individuale? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që përkundrejt klithmave rënqethëse të qenies së mitur insiston në kokëfortësinë e vet si shenjë autoritarizmi tepër i ulët? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që në emër të një autoritarizmi të tejskajshëm dhe të papërmbajtshëm thumbon me ngulmin në shpirtin rënqethës së qenies së mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që vështrimet verbuese dhe therrëse të autoritarizmit përmbytin rënkimet e pashpresa të qenies së mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që shkelmon pa mëshirë në ëndrrat dhe dëshirat e brishta të qenies së mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që helmon pa hezitim dëshirat e brishta të qenies së mitur? 

Përse duhet patur mëshirë për dikë që në emër të këtij autoritarizmi cinik të shkelë në dinjitetin e qenies së mitur? 

Përse? 

E përse duhet patur mëshirë edhe për të tjerë që ngelen spektatorë të një shfaqjeje aspak njerëzore? 

Jo asnjëherë!…. 

Përkundrejt këtij barbarizmi s’mund të ngelemi të heshtur… 

E kemi për obligim të reagojmë në mbrojtje të kësaj qenieje të vetmuar që shfaqet e pashpresë në kthetrat e të përditshmes… Kërkohet një dorë që ta ndihmojë… Një dorë që ta përkrah… Një dorë që ta marrë në krahë ti shërojë plagët që Ia krijuan helmuesit e kësaj jete… 

Nuk ka faj kjo qenie që është e pafat në këtë jetë… Faj ka i rrituri që nuk di t’i japë dorën e mëshirës… 

Dorën e përkëdhelisë… Dorën e përkujdesjes… Dorën e dashamirësisë… 

U desh të pritej deri sa qumështi të vlonte deri në të përtejme dhe flluskat të flakëronin sa tenxherja të mos duronte më… E si gjithmonë kështu ndodh në realitetet tona… Aty këtu ca reagime e siç thotë populli në të shpeshtë “Çudia më e madhe tre ditë zgjat”. 

E jemi këtu që kjo “çudi” të kalojë kufijtë e ca perceptimeve të ngushta dhe ti vëjë njerëzit në zbatimin e normave ligjore dhe jetike. 

E ndërkohë që historia e jetës sonë vazhdon njeriu mendjendritur duhet të vihet në shpalosje të ideve të qarta për ti krijuar kushtet më bazike kësaj zemre të brishtë, pasi ajo është rritur pak para kohe. Është tendosur para kohe. E ndërsa reagimet e ashpërsuara vijnë vrullshëm qenia e mitur qëndron në pavetëdijësinë e vet dhe pret hareshëm gëzimin e jetës që do I ofrojë dikush, pret buzëqeshjen e sinqertë që do I ngrohë shpirtin për t’iu gëzuar lodrave dhe një dite të hareshme. 

Shkodra Press

Romeo Gurakuqi /

Vizita e kancelares Angela Merkel në Shqipëri është një vizitë në përkrahje të drejtëpërdrejtë të popullit shqiptar në rrugën e tij të mundishme drejt një demokracie funksionale, rrugë e ndërprerë herë pas here dhe fuqimisht sot, nga prirjet autoritariste dhe antikonstitucionale të qeverisë aktuale. Vizita ndodh sot në rrethanat e një emigrimi të frikshëm të popullit shqiptar, këndej dhe andej kufirit, drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera europiane, një procesi uzurpativ të zënies së hapësirës publike nga të asocuar me krimin e organizuar, dhe kur po noddh një proces purifikues i shmangies së ekspertizës nga të gjitha ndryshimet e konsideruara reformative nga ana e qeverisë aktuale. 

Vizita ndodh pikërisht sot, kur mund të themi që procesi i hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE është ndalur në mënyrë të trishtueshme:

1. Shqipëria nuk po arrin të krijojë një sistem parlamentar të zonjave dhe zotërinjve të Shqipërisë: Sistemi politik demokratik në Shqipëri nuk do të arrijë të bëhet me të vertetë i pjekur në qoftë se ky vend nuk do të pastrojë plotësisht Parlamentin nga padronët dhe ushtarët e krimit të organizuem dhe korrupsionit dhe në momentin kur do krijohet një grupim i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm, zonjash dhe zotërinjsh, që do të mbijetojnë në Parlament për shkak të staturave të pacenueshme individuale, karakteriale, politike, kulturore dhe ligjore, të cilët më pas do ndihmojnë institucionalizmin e traditave parlamentare. Një vend që nuk ka krijuar Kultin e Kulturës dhe Edukimit të udheheqësisë së lartë mbi popullin. 

2. Vizita ndodh kur pas deformimit administrativ dhe zhbalancimit politiko-kulturore të Shqipërisë, ndodhi një proces shkatërrimtar zgjedhor e krahinor që e ngjyrosi me monizëm të kuq jetën sociale dhe politike shqiptare, duke e kthyer 25 vite pas, situatën e pluralizmit shqiptar; Harta e kuqe e Shqipërisë, është një njollë turpi për demokracinë shqiptare që nuk gënjen demokracitë europiane dhe amerikane. 

3. Vizita ndodh kur 'reformatorët" radikalistë të së majtës ekstreme, kanë zënë vendet e të gjitha komisioneve të ngritura nga mazhoranca për reformimin aq të domosdoshëm të sistemit të drejtësisë, të shkencës shqiptare, teksteve të historisë së Shqipërisë, literaturës etj, imponojnë në këshillat këshillimore të çdo diktasteri qeveritar dhe kanë lënë jashtë të gjithë ekspertizën e popullit pa parti. 

4. Vizita ndodh kur mazhoranca po ushtron një presion politik dhe po bën përpjekje për deformimin e skemës konstitucionale të Republikës Parlamentare, përmes zvogëlimit në një minimum të pangjashëm dhe të pandeshur as në teorinë e të drejtës publike, të pushteteve ekzekutive dhe gjyqësore të Presidentit të Republikës. 

Kësisoj, Vizita e Zonjës Merkel duhet të lexohet nga Kryeministri si një mbështetje ndaj demokracisë të popullit shqiptar për rivitalizmin e  europianizimit, demokracisë dhe ndryshimin e skemës menaxheriale ekonomike të një vendi që prodhon emigracion për shkak të pamjaftueshmërisë ekonomike të tij dhe diletantizmit në menaxhimin financiar dhe ekonomik. Si një thirrje për të bashkëpunuar me Opozitën parlamentare, popullin opozitar dhe intelektualët pa parti për ndërtimin e një Shqipërie të të gjithëve. Ndërkohë që për opozitën dhe kreun e saj, ajo është përveçse një mbështetje për pjesëmarrje funksionale në sistem, edhe një kujtesë mbi nevojën e krijimit të një opozicioni të kualifikuar dhe të ekspertizës.

Shfaqja e një elite parlamentare në arenën e kuvendit shqiptar e munguar: Kjo mungesë është rezultat i kornizës legale historike, ndryshimeve të vazhdueshme të sistemeve zgjedhore (posaçërisht vendosja e sistemit proporcional krahinor, i pa korrektuar me votim emëror të listës, në një vend unitar) dhe problemeve themelore të një shoqërie me tranzicion demokratik të dështuar. 

Në këtë kuader, Mazhoranca, në qoftë se ka vullnet të mirë për të kuptuar mbështetjen e Europës, do të duhet të rindërtojë Komisionin Reformativ të Sistemit të Drejtësisë duke përfshirë përfaqësues të institucionit të Presiedentit të Republikës, Opozitës dhe Intelektualët më të spikatur pa parti; një reformë të partive politike duke rimarrë si model për ndërtimin e legjislacionit ligjin gjerman mbi partitë politike që do t'i shndërrojë këto subjekte në subjekte reale të së drejtës publike dhe do t'i impenjore ligjërisht partitë të ndërtojnë demokracinë e brendshme dhe do të kontrollojë financimin e tyre dhe fushatave të tyre; Rikthim i Adminsitratës Publike në situatën e fiksuar nga ligji konsensual, kur nuk preken interesat e cilësisë dhe shërbimeve; rimodelimi i hartës administrative të vendit dhe përsëritja e zgjedhjeve në tre bashkitë ku jane vërejtur shkeljet më të rënda dhe vota është deformuar si në Durrës, Elbasan dhe Berat.

 

Shkodra Press

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO