21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Tophana

Mes bubrrimeve online më ra me pa shkrimin e një kalemxhiu që don me i mbivendosë dijen e vet t’arnueme këtij toponimi. Gjykue nga kush e shkruen këtë gja për Shkodrën, asht triviale qoftë edhe me u marrë me tê, por një sqarim përkatës vlen t’ua japim lexuesit që çoroditet prej kajdes së kalemxhiut.

Udhëtari Çelebi i përkthyem nga S. Vuçiterna më 1930 na përçon direkt prej shek. XVII Shkodrën nën primjen e një begleri prej familjes Begolli. Na kumton edhe lagjet, ndër të cilat ajo e Tophanës nuk asht ndër ma të përmendunat. Prej monografisë së Hamdi Bushatit mbi Shkodrën, Tophana cilësohet si vendi ku janë derdhë topat (veprim prej të cilit merr edhe emnin nga persishtja, tup-hané). Xhamia e Tophanës ka pasë të gdhendun në portën hymëse dt. 1027 (1617). Përgjatë shek. XVIII familja e beglerëve Bushatlli në krye të esnafit të Tabakëve me qendër në lagjen me po të njëjtin emën, mënjanojnë Begollejt e Çaushollejt.

Me ngadhnjimin e shkodranëve në Ulqin për me shue piraterinë, tophanalitë bahen bajrak i parë ndër gruplagjet e Shkodrës prej trimnisë së tregueme. Gruplagjet e atëhershme përfshinin disa mëhalla simbas perceptimit të sotëm. Si shkruen H. Bushati, Lagjja Tophanë qysh kaherë e deri me shpalljen e pavarësisë njehej si gruplagje, tue përfshi Kasenën (matanë Bunës), Mëhallën e Re (sot Shpia e Mushkajës), Karahasejn, Luguçezmen, Shabanejt (që sot i thonë Manush Alimani & fund-Xhabiej) dhe Xhabiejt (që vinin prej rrugës së Ali Begut/Salo Halilit e drejt Parrucës).

Kur kalemxhiu që përmend Tophanën si vend i qelës së famullisë, kujton se bahet fjalë për Tophanën në kuptimin e sodit, tue harrue konceptin e gjanë që koha e cila asht e trajtueme nga libri “Shkodra dhe motet” i jep toponimit. Shkruhet nga Bushati se në Tophanë qenë dy kisha: e Shën Kollit dhe e Shën Dedës (Gjush Sheldija shkruen “Sh. Dodës”, tue përmendë edhe të parën).

Kalemxhiu sektar vijon tue thanë se më 1850 mbas përmbytjeve, valiu i kohës urdhnoi katolikët me u lirue vendin muslimanëve dhe kisha e përmendun u kthye në xhami. Ndërkohë që më 1835 Hamz Kazazi me Hysen beg Bushatlliun prej xhamisë që pretendohet të jetë kishë e shndërrueme, nisën kryengritjen e Tanzimatit, që asht xhamia e Haxhi Bajramit. Pra, kisha e shndërrueme në xhami nuk asht ajo e Tophanës, por edhe ajo që H. Bushati dyshon (e Haxhi Bajramit) nuk besohet me qenë e shndërruemja. Tue e vendue me hamendje kishën nëpër Karahasej.

Mandej të krishtenët u shtyen drejt Fushës së Selimit të Çelë Zylyftarit kah njeni krah dhe në drejtim të Perashit të Madh për nga tjetri. Për shkak të përmbytjeve e tërmeteve, jo të ndonjë konspiracioni dashakeq.

 

(S.S)

Foto: Rruga e cila prej Parrucës çonte në Xhabiej, Shabanej e Pazar, në të majtë shtrihet Perashi, Serdarja e pamja nuk bllokohet nga ndonjë bllok betoni i zengjinëve të rinj, deri në Draçin, Vekshar e Luguçezme.

 

Shan Pici (?), e shkrepun prej minareve të Xhamisë së Parrucës, Shkodër

 

 

Shkodra Press

Lexuar 12017 here

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO