21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Kujtesa Morale dhe Gjetja e Vetes

 

Nesti Gjeluci / 

 

“Koha kalon por hijet i le prapa” Nathaniel Hawthorne

Largimi sërish në masë i Shqiptarëve nga vendi i tyre tregon që plagë të vjetra nuk janë mjekuar siç duhet dhe vazhdojnë të infektojnë shoqërinë. Një krizë identiteti me rrënjë historike bën që rruga për të gjetur një të ardhme më të mirë, kalon paralel me rrugën për të gjetur vetveten. Ata që largohen duan të dalin nga moçali i zhgënjimit të sjellë nga shkatërrimi i shpreses së tokës së premtuar të ofruar nga regjimi komunist, si dhe nga zhgënjimi më i vonë nga premtimi i demokracisë. Ky eksod është simbol i përpjekjes së Shqiptarëve për të lënë mbrapa një të kaluar që e pengon ta shohë të ardhmen. Duhet të korrigjojmë kujtesën kolektive tonën që është zvetënuar nga një shtrembërim historik dhe është ngulitur me dhunë në mendjet e brezave të tërë. Përndryshe, do rrisim breza të plogësht shpirtërisht dhe intelektualisht, të cilën do pjellin breza injorantësh, më se të gatshëm të bien pre e gënjeshtrave të propagandës dhe të përsërisin gabimet e mëparshme.

Çdo individ dhe çdo shoqëri ka nevojë ta marrë këtë rrugë por ka nevojë për shembuj dhe drejtim. Qoftë kjo rrugë largim fizikisht nga një vend apo një hap për të dalë nga vetja, të dyja përmbajnë në vete potencialin e shndërrimit dhe riformimit. Në se një shoqërie dhe individëve në atë shoqëri i jepet mundësi dhe drejtim që dalja nga vetja të jetë e brendshme dhe shpirtërore, ato pjesëtarë të kësaj shoqërie do kenë më pak arsye për të ikur nga vendi i saj dhe më shumë arsye të ndërtojnë vendin ku janë. Thënë ndryshe, nëse një shoqëri dhe individët që e përbëjnë nuk e dinë tamam se nga vijnë, ata nuk do dijnë se ku po shkojnë; janë një lundër e deformuar që ka nevojë për formim. Kush do e formojë njeriun në mënyrë që rruga që do marri do jetë rruga e virtytshme e gjetjes së vetvetes?

 

Udhëtim Personal: Të Urtët në Mes Budallenjve

Çdo brezi i garantohet kjo formë dhurate të cilët “gjatë rrugës së tyre duke kaluar fazat e tyre të pastrimit të shpirtit, janë ngjitur në ato maja prej të cilave ato bëhen profetë dhe udhërrëfyes për shekujt. Ata na tregojnë se si drita mund të gjendet edhe në errësirën e thellë dhe se si mund t’i përballojmë kërcënimet që kacavirren nga thellësitë e eksistencës njerëzore dhe si mund ta takojmë të ardhmen si njerëz me shpresë.” (Cardinal Joseph Ratzinger, Papa Benedikt XVI tek libri me titull “Truth and Tolerance.”)

Korrigjuesit apo udhërrëfyesit, nuk janë thjeshtë historianë, por mund të gjehen mes historianëve; nuk janë thjeshtë politikanë, por mund të gjenden në mes politikanëve; nuk janë thjeshtë njerëz të thjeshtë dhe pa diploma e grada, por këta njerëz për të cilët e kam fjalën, janë të përhapur nëpër shoqëri dhe kur njihen quhen me emra të ndryshëm: shenjtorë apo gjynaqarë, të urtë apo budallenj. Këto njerëz tregojnë se gjetja e vetvetes qëndron tek kritika morale ndaj së kaluarës që mban peng të tashmen dhe të ardhmen. Kjo kërkon që të niset një udhëtim në kujtesën e një shoqërie duke përdorur si standard të palëkundshëm atë të moralit. Të marrësh këtë udhëtim në një të kaluar të errët, të mbushur më gënjeshtra dhe gjysëm të vërteta nuk është kollaj. Përgjigja është ballafaqimi me të vërtetën e së kaluarës duke marrë një udhëtim vet-kritik pa pasur frikë nga realiteti i rrëfimit të mëkatit të përbashkët, me shpresë të vetme tek Mëshira Hyjnore si burim i faljes pa kushte.

Koha kur unë isha në atë moshë kur njeriu fillon të kërkojë dhe të njohë veten, ishte kohë e errët, atmosferë gënjeshtrash, mashtrimesh të bëra në emër të shtetit, të ligjit, të së drejtës dhe të së mirës së përbashkët. E bardha ishte e zezë dhe anasjelltas. Si mund të doja gjyshin tim kur shteti, i cili pothuajse kishte zëvendësuar Zotin, e kishte eliminuar si tradhtar të popullit? Si mund ta gjykoja xhaxhain tim, prift, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm? Këto ishin dilema që kishin çuar medoemos në deformimin mendor dhe shpirtëror që synonte ky shtet përbindësh dhe ajo pjesë e shoqërisë së mashtruar. Por ja që fati, unë besoj vetë Hiri i Zotit, jo vetëm trokiti në derë po në fakt qëlloi të ishte brenda shtëpisë. Urtësia në mes budallallëkut, e vërteta në mes të gënjeshtrës, drita në mes të errësirës, ishte mishëruar tek një murgeshë e thjeshtë e cila e kreu vokacionin e saj pikërisht atëherë dhe aty ku ky vokacion dënohej me ligj. Emri i saj ishte Mikelina Demiri, jo emër me namë apo me famë, po këtu qendron edhe xheniu i këtyre njerëzve, këtyre martirëve të panjohur.

Pa u futur në shtigjet dhe emocionet e së kaluarës personale, dua të tregoj se si e kreu rolin e saj ky njeri, si udhërrëfyes nga ata që përmend Papa Benedikt XVI më lart.

E para, e Vërteta Absolute ekziston dhe nuk është pronë subjektive dhe relative e askujt mbi dhe. Kjo duket si thënie e thjeshtë por në ambjentin ku u rritëm, më ndihmoi që, me kohë, të pajtoja kontradiktat që bombardonin trurin që po u formonte, dhe kishte rrezik të t’u deformonte. Kjo murgeshë rrezikoi jetën e saj për të shërbyer si dëshmitare e një realiteti përtej ambjentit të rremë ku jetonim. Ishte realiteti që u përputh më vonë me të vërtetën kur mjegulla e gënjeshtrave dhe mashtrimeve filloi të shpërndahej sadopak vitet e mëvonshme.

E dyta, edukimi që mora prej saj hodhi farën e asaj që do u shdërronte në Kujtesë Morale. Ajo hodhi tek unë idenë, e hedhur pothuajse dy-mijë vjet më parë nga Shën Agustini për nevojën e një kompasi moral për të kritikuar veten, rrethanat e kohës dhe më vonë për të rishikuar të kaluarën. Duke më pritur tek kthehesha nga shkolla dhe duke më pyetur se çfarë kisha mësuar atë ditë ajo donte që unë të shihja me dritën e arsyes gënjeshtrat që thureshin në sistemin shkollor të atëhershëm. Më pyeste: “A të kanë thanë atje në shkollë se kena prejardhjen nga majmuni?” “Po” – i thosha e ajo m’a kthente “Prej majmunave kanë ardhë komunistat, hajde sande të t’diftoj se prej ka kena ardhë na.” Shpesh, përfundoja mbramjeve deri vonë në dhomën e saj duke lexuar Ungjillin apo duke më treguar se si lutja është dialogu më me vlerë për shpirtin e njeriut.

 

Shëruesit e Plagave

Ç’lidhje ka kjo histori me udhëtimin apo largimin e individëve dhe të shoqërisë? Kam bindjen se mangësia e këtyre shenjtërve të së kaluarës sonë, jo se nuk i kishim, por sepse shumica u shfaros apo u burgos, bën që plaga e së kaluarës të mbesi e hapur. Breza të tërë duke mos ditur se si të ballafaqohen me të kaluarën, se kush janë në të tashmen dhe çfarë duan nga e ardhmja, kanë mbetur si lundra të deformuara. E kaluara, nuk është fajtorja e vetme. Nuk është se dolëm nga një kaluar e errët e sot jetojmë kohë, më në fund, të begatshme dhe të pafajshme. Hijet që ngelet prapa mbahen gjallë nga një shekull i zhytur në Narcisizëm dhe Relativizëm. Ç’do shekull ka sëmundjet e tij, por ama ka edhe të urtët e tij. I uroj të gjithë Shqiptarëve që marrin qoftë rrugën jashtë të mërgimit apo rrugën e brendshme shpirtërore të formimit, që të gjejnë të urtin, shenjtorin që do jetë gati të sakrifikojë për të. Le t’i kërkojnë në rrugën e tyre. Nganjëherë nuk kanë nevojë të shkojnë larg. Madje disa mund të jenë aq me fat sa t’i kenë brenda shtëpisë së tyre. Si mund të dallohen? Janë pakicë, por janë kudo. Kanë gjithmonë vend dhe kohë për ty. Ta hapin derën gjithmonë dhe gjithmonë janë jashtë derës duke pritur që t’ia hapësh, sepse janë dëshmitarë të Atij që gjithmonë pret me durim që t’ia hapësh derën. Takimi me këto njerëz është rruga më e bukur për njeriun. Ato janë tregues ne rrugën e vetme që të çon në krahët e Krijuesit.

 

Shkodra Press

Lexuar 11210 here

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO