21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

PS Shkodër, duke pritur... e reflektuar

 Zija Vukaj / 

Pa u futur shumë në histori, të gjithë e dinë se PS-ja e Shkodrës e ka filluar jetën e saj në ilegalitet, de fakto, si e paligjshme; gjë të cilën me gjithë dy dekadat e gjysmë të jetës së saj, po e vuan edhe sot dhe ka për ta vuajtur gjatë. Kjo i ka shkaqet thellë në historinë e qytetit të Shkodrës, një qytet me një përqendrim kulturor thuajse absolut për vendin tonë para diktaturës komuniste. I pari në të gjitha artet; i pari në tregti; i pari dhe më i rafinuari në fushën e religjioneve dhe në objektet e kultit. Si i tillë, ky qytet u pa nga diktatura komuniste me frikë, ankth dhe xhelozi kulturore. Një qytet që doemos duhej mbajtur nën fre. Përndryshe, graviteti i tij bëhej i pakontrollueshëm. Dhe rrjedhimisht represioni ndaj njerëzve dhe institucioneve të këtij qyteti ishte më intensiv se gjetiu. Jo rastësisht në Shkodër ka ekzistuar i vetmi muze ateist në botë dhe përndjekja më e egër e mendimtarëve të lirë, klerikëve dhe e tregtarëve; e plot fakte të tjera. Kësisoj, alergjia e qytetit të Shkodrës ndaj komunizmit dhe gjithë terminologjisë që lidhej me të si, i majtë, socializëm, socialist, diktaturë, barazi, centralizëm, kooperativë, ateizëm, entuziazëm, njeri i ri etj., etj., është krejt e justifikuar. Dhe ndërtimi i një gogoli komunist ka qenë më i lehtë se kudo tjetër dhe ka funksionuar më shumë se kudo tjetër. Dhe arkitektët djallëzorë të këtij gogoli, të suksesshëm në manipulimin e turmës, kanë ditur dhe kanë mundur ta krijojnë deri në perfeksion. Prandaj edhe Partia socialiste u identifikua nga arkitektët e gogolit komunist që në fillimet e saj me komunizmin; identifikim që funksionon edhe sot. Nga ana tjetër, dalja nga ilegaliteti (në se pretendojmë se është realizuar); edhe sot është vetëm institucionale, por jo morale (për moralin e turmave), sepse anëtarësimi në një parti të majtë, për opinionin e manipuluar të shumicës së Shkodrës vazhdon të jetë një mëkat i ligjshëm, por i pafalshëm. Kjo është klima, për hir të së vërtetës. Shkak për këtë ka qenë edhe një mendësi që e kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi edhe sot dhe që më kujton shprehjen e paraluftës së ftohtë: “Terrorit të bardhë t’i përgjigjemi me terror të kuq”. Kështu PS e Shkodrës filloi të guxonte, pas shumë kohësh, të dilte në rrugë si diçka e ligjshme nga kontributi i tipave të fortë, gjë që krijoi heronj popullorë me jetëgjatësi të shkurtër, por me efekte negative të gjata e të rënda, duke mbivlerësuar deri në fetish rolin e ca individëve pa asnjë gjeneralitet kulturor as konseguencë ideore apo kuntribut politik konstant, thjesht dhe vetëm si homologët e të fortëve të palës kundërshtare. Një reminishencë atavike mesjetare e vendosur gabimisht në kohët moderne. Idile kalorësiake. Folklor. Ndokush mund të më thotë se politika nuk ka nevojë për njerëz me kulturë dhe me profile intelektuale. Është vetëm punë muskujsh. I bie që politika qenka hamallëk i njerëzve të fuqishëm. Po atëherë, si ka mundësi që ky “hamallëk” të përcaktojë edhe fatet e intelektualëve dhe të gjithë superstrukturës. Ky gabim i viteve të para u projektua në përmasa gjigande në ditët e sotme; kur shohim përbërjen e parlamentit dhe të këshillave të pushtetit vendor. Pra u krijua oligarkia e rrugës dhe pushteti i malavitës nga ku zor se mund të dilet më. Duke kërkuar ndihmën dhe duke pranuar shërbimin e të fortëve, ne të gjithë kemi humbur lirinë tonë personale dhe aq më tepër identitetin politik e madje edhe kombëtar. Ç’do të ndodhë me PS-në e Shkodrës në shtator a tetor a kurdo. Ka për të ardhur dikush nga lart, ka për të mbledhur ca “struktura” nga poshtë (që kanë durimin të shkojnë e të dëgjojnë thagmat e tyre), ka për të emëruar ata që i mbushin mendjen dhe i plotësojnë ekzigjencat personale dikujt dhe ka për të bërë një perpetuum mobile të radhës. Sepse këtu tek ne, jo vetëm nuk ekziston, por nuk është shpikur akoma mekanizmi i përzgjedhjes. Shembulli më qesharak dhe banal ishte rasti i listës së këshilltarëve. Aq skandaloze ishte lista, sa askush nga ata që e kishin gatuar nuk mori guximin t’ua lexonte socialistëve, me gjithë këmbënguljen e pandërprerë. Dhe socialistët e vërtetë shkodranë, njerëz të respektuar e me kontribute dhe ideale u demotivuan dhe sot ndihen të shpërndarë e të braktisur pa derman. Por edhe mjaft të çuditur e të indinjuar deri në fyerje që kontributet, fatet e tyre politike dhe energjitë e derdhura ndër vite i administrojnë ca shtegtarë politikë. Kjo u pa në zgjedhjet e fundit. Krerët e lartë të politikës së majtë kishin krijuar iluzionin se në Shkodër zgjedhjet do të fitoheshin vetvetiu. Madje u tha se këto nuk janë zgjedhje politike, por administrative. Një koncept që nuk e kam kuptuar as atëherë kur u tha dhe as sot e kësaj dite. Me demek, një lloj diplomacie për t’iu drejtuar të gjithë qytetarëve e me këtë rast për t’iu kthyer mendjen edhe të djathtëve të linin partinë e tyre e të votonin për ne.(??!!) U lakua deri në neveri shprehja “shoqëri civile”. Një togfjalësh që për realitetin e sotëm nuk do të thotë asgjë, kurse për fatet e zgjedhjeve tona do të thotë injorim i anëtarëve dhe i strukturave të partisë. Partia u pa me përçmim, përbuzje, prepotencë dhe fodullëk. Anëtarët e stafit elektoral mburreshin e bënin gara se kush është më i depolitizuar, duke ironizuar ekzistencën e partisë dhe duke u çuditur, në snobizmin e tyre civil, se si ka mundësi të ketë në kohët tona moderne akoma anëtarë partie. Vetëm atje vonë, në segmentin e fundit të kohës së fushatës krerët e lartë filluan ta ndjenin se u dashka edhe partia me strukturat e saj. Mirëpo ishte vonë. Donkishotizmi e kishte bërë punën e vet. Ishte e vështirë të mblidheshin me bindje e shpresë njerëzit e injoruar e të lënë në harresë. Dhe amatorizmi dha rezultatet e veta. Rezultate që pasqyrohen sot në përqindjen që kemi në këshillin bashkiak. Nga 51 anëtarë që ka këshilli, vetëm 9 janë të listës së partisë dhe nuk e di sa prej tyre janë socialistë. Qesharake, për të mos thënë skandaloze. Ata që kanë marrë poste të larta dhe atribute e pushtet nga vullnetet e ndrydhura të anëtarëve të thjeshtë të partisë, nga parlamenti e poshtë, i kanë shkëputur lidhjet me bazën dhe kujtojnë se pushteti që kanë u ka zbritur nga qielli. Por ata duhet të dinë një gjë: Pika më e fortë dhe gjithashtu, pika më e dobët që kanë partitë, është fakti se ato janë bashkime vullnetare. Kur bashkohen vullnetet dhe idealet apo interesat, kur njerëzve me kontribut u dëgjohet fjala, kur nuk trajtohen si numra, si turmë, si objekte, por si subjekte, bashkimi vullnetar bëhet çelësi i suksesit; vetitë personale të njerëzve njihen dhe vlerësohen dhe mekanizmi i përzgjedhjes dhe i përfaqësimit lind vetvetiu dhe funksionon perfekt. Në të kundërt, bashkimi vullnetar, bëhet gjëja më e brishtë dhe që prishet më lehtë, duke marrë me vete individë e struktura virtuale dhe reale dhe duke e kthyer PS jo vetëm në një forcë të tretë politike, por larg qoftë, duke e bërë inekzistente. Unë nuk e kuptoj se si brenda një strukture me vullnete të përbashkëta dhe të drejta të barabarta të emërohet kryetari dhe jo të zgjidhet. Fundja, sa i zgjedhur realisht është ai që emëron? Nga i vjen gjithë ai iluminim dhe pushtet hyjnor kushdo qoftë ai që përcakton fatin dhe vlerat e individëve dhe të grupeve politike? Veç në qoftë mëkëmbësi i Zotit mbi tokë. Edhe mund të jetë. Por atëherë jemi në monarki apo në fushën leksikore të teologjisë. Sa vlejmë unë e ti e të gjithë bashkë, e di vetëm AI. Dhe e di më mirë se ne. Dhe vendos për fatet dhe vlerat tona.

Por fundja, do të shërohet ndonjëherë kjo lëngatë e gjatë e PS-së Shkodër? Unë e kam të vështirë ta besoj. Sepse, kush do ta shërojë? Ata që e kanë shkaktuar vetë lëngatën? Kush tjetër? Anëtarët e braktisur dhe të përbuzur apo intelektualët që me të drejtë i largohen politikës si djalli temjanit, sepse u mungojnë muskujt dhe kanë shikim e shije të holla dhe fare pak kohë për të humbur. Ndokush mund të më quajë pesimist. Në fakt, jam një ish- optimist me përvojë.

 

Shkodra Press

Lexuar 11717 here

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO