22 Korrik 2017
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Me thuaj si të të kuptoj

Evans Drishti  /  

Jo shumë larg në kohë, vetëm pak ditë më parë, po lexoja një shkrim me një titull intrigues “Zakone të harruara” Një kureshtje e momentit më bëri të lija punën që kisha në dorë dhe të lexoja shkrimin në fjalë. Mes shumë gjërash, që për hir të së vërtetës s’mund të them se s’më lanë pa fjalë, u ndala për pak çaste tek një tregues shumë domethënës: 

Thuhej në atë shkrim se në kohët e mëparshme ekzistonin kafenetë e zonës së banimit dhe kur njerëzit mblidheshin, në krye të grupit qëndronte patjetër një njeri i dishëm i kohës dhe i vendit, i cili trajtonte bashkë me të pranishmit tema aktuale dhe jetike, në mënyrë që njerëzit të përfitonin nga ai vetë dhe ambienti ku ndodheshin. 

Shumë herë na ndodh t’I kthehemi me hapa të shpejtë historisë së kaluar, e kështu më ndodhi edhe mua  në atë çast, duke sjellë në mëndje dy aspekte panoramike, të vite e viteve më parë me atë të së sotmes. Për çfarë mblidheshin atëherë e për çfarë mblidhemi sot!?

Në përpjekje të krijimit të një paralelizmi me botëkuptimin e sotëm mbi themelin dhe emëruesin e përbashkët të zgjidhjes së problematikave, siç është “edukimi”, në prirje të kërkimit të rrugëve që na çojnë në përqafimin sa më dinjitoz të kësaj arme të pashmangshme të individit, vëmë re se ngelemi përherë në një përplasje konceptuale dhe rrethanore, pasi sa herë që kërkojmë shkaqet e mungesës së një mbarëvajtjeje sociale dhe shoqërore, menjëherë shtegun e gjejmë tek edukimi, por kur vjen puna të hedhim një hap më tutje drejt këtij edukimi, këtu shoqëria jonë çalon. 

Prej vitesh po fajësojmë brezin e ri dhe kohën që na ka mbërritur në derë, thujase si një dhuratë e padëshirueshme. Një shprehje profetike na ndriçon mëndjen tonë duke na thënë: “Edukojeni fëminë njëzet vite para se të vijë në jetë” dhe teksa i hyjmë paksa në detaje për ta kuptuar, arrijmë në një konkluzion të qartë dhe të kuptueshëm: ”Pıkësëparı duhet të edukojmë veten tonë, që të mbërrıjmë të edukojmë sa më mırë edhe fëmıjët tanë”

Le të kuptojmë së bashku një realitet:

“U ngrit si çdo ditë, dhe nisi të bëhej gati, e në çdo veprim që bënte celularin s’e hiqte nga dora. Çfarë dëgjonte? Mos pandehni se po përsëriste ndonjë temë mësimore?! Zhgënjeheni rëndë! Dëgjonte muzikë! Në një farë mënyre ajo e qetësonte, pasi e priste një ditë e ngarkuar në shkollë. … 

Orët s’dinin të kalonin ashtu siç dëshironte, pasi rutina e mësimeve dhe e përballjeve me mësuesit nuk njihte asnjëherë ndryshim. Mungonte një dorë inkurajuese që ta nxirrte nga ajo gërmadhë ku kish rënë prej kohësh, e ndërsa në fillimet e tij kish shfaqur shenja të shumë aftësish, tashmë dukej se ky prush kish nisur të shuhej ngadalë. Nuk e dinte nëse do pyetej sot në orët e mësimit, por shpresonte që edhe kjo ditë të kalonte ashtu pa u aktivizuar. Ndërkaq dita kishte sjellur edhe tema të reja, që vështirë ti kuptonte, pasi vëmendje ishte shpërqëndruar keqazi. 

Rutina e përditshmërisë e dërgoi pas mësimit tek kafeneja e përhershme, ku do kalonte “pak çaste lumturie” dhe çlodhjeje njëkohësisht. Dëshironte të kuptohej, të dëgjohej nga dikush, të ndante dëshirat e pasionet rinore më dikë, i cili nuk ishte kusht të ishte edhe mosha e tij. Pranë iu afruan dy miq të zakonshëm, që nuk ishin të rangut të dëshiruar, e që nxisnin përherë në veprime të tepruara adoloshence. Dhe më pas sjellje të pakontrolluara… 

Ora kaloi dhe iu vu rrugës për në shtëpi ku do hante drekën dhe ku do ulej pakëz të pushonte, siç duket nga ajo lodhje e ditës. Një heshtje në shtëpi… Koha për pushim… Sërish kaloi ora… U ngrit të merrej tashmë me “detyrat e shtëpisë” pasi kështu qe udhëzuar vazhdimisht. Librat i qenë mërzitur akoma pa filluar. Donte të kishte pranë një dorë mbështetjeje që ta fuste në atë botë. S’e gjente dot. Shtëpia qe bosh. Prindërit kishin dalur në kafene, krenar që kushtet në shtëpi qenë plotësuar më së miri dhe se tashmë fëmija i tyre qe rritur dhe mëson ashtu siç duhet. I mbështjellur nga një mërzitje e çastit shfletonte fletët e librave pa asnjë qëllim në vetvete. Pasi nuk arrinte të kuptonte asgjë. Veprime të shkuijdesura të shoqëruara me një lloj inati të pakuptimtë. 

Darka afroi… 

Në kuzhinë prindërit qenë ulur pranë televizorit duke parë lajmet e ditës e duke përpëlitur me njëri-tjetrin mbi ngjarjet e kohës, por ata kishin harruar se m’u në mesin e tyre kishin një ngjarje shumë herë më të rëndësishme se ato që shihnin dita - ditës nëpër lajme. Kishin një fëmijë që kish nevojë për përkrahjen e tyre. Ata nuk e kuptonin, apo më mirë të themi silleshin sikur s’e kuptonin, pasi ata e kishin kaluar atë moshë, megjithëse krejtësisht ndryshe…

Pas shumë ditësh afroi edhe dita e “takimit me prindër”, ku njëri nga ata do shkonte në shkollën e fëmijës të informohej për rezultatet. Situata e padëshirueshme shoqëruar me reflektime aspak pozitive. Në fund të gjithë vihen në kërkim të “fajtorit”!

Prindërit as që duan ta besojnë që problemi qëndron tek ata vetë. Pasi sado të mundohen ta justifikojnë përpjekjen e tyre “madhore” me mundësimin e kushteve sa më të mira dhe të favorshme në shtëpi, ata nuk duan ta kuptojnë se ka diçka që mungon. Ajo që mungon është ambienti edukativ në shtëpi. Sa herë jemi ulur me fëmijët tanë të shohim nga afër librat që ata mësojnë në shkollë? Sa herë i kemi marrë në dorë ato libra t’i shfletojmë dhe të shohim në ç’rang vështirësie janë dhe sa të kuptueshëm janë për fëmijët? Kam bindjen dhe përshtypjen se janë shumë të paktë ato familjarë që ulen bashkarisht me fëmijët e tyre, pavarësisht moshës, të studiojnë librat që ofron shkolla, e mbi të gjitha problemet që has fëmija në proçesin e edukimit. 

E ndërkohë, të mos anashkalojmë edhe një tjetër prirje të prindërve të sotëm, të cilët me dëshirën e madhe të plotësimit të boshllëqeve që ka fëmija, nuk ngurojnë aspak ta ngarkojnë edhe më shumë duke e përfshirë në kurse të ndryshme, si për gjuhë të huaj ashtu edhe për lendët e zakonshme si matematika, letërsia etj. Kjo zgjidhje është për ata që e kanë mundësinë ekonomike të realizojnë një objektiv të tillë. Po ata që s’e kanë mundësinë si duhet të veprojnë? 

Interesimi i prindërve në aspektin e sigurimit të ushqimit dhe veshmbathjes është mëse i dukshëm, por kemi harruar se fëmija kalon çdo ditë proçese të ndryshme edukimi, proçese të cilat padyshim kërkojnë mbështetjen e madhe të familjes në të cilën rritet dhe edukohet. Nuk duhet harruar se ambient i shkollës shumë herë ngelet i pamjaftueshëm në plotësimin e këtij proçesi jetik. E për rrjedhojë, sërish mbetet familja vatra qëndrore e dhënies së kësaj dijeje dhe e plotësimit sa më mirë të këtij proçesi. 

Ta provojmë të ulemi me fëmijët tanë, të çfarëdo lloj moshe qofshin, t’i shfletojmë së bashku materialet mësimore dhe edukative që kanë, të përpiqemi t’i kuptojmë edhe ne si prindër që të kuptojmë njëkohësisht edhe vizionin dhe botëkuptimin që fiton fëmija ynë në ambientin e shkollës, në mënyrë që të gjejmë edhe drejtimin e duhur të këtij edukimi. Mëndja e fëmijës është përherë e brishtë dhe kërkon gjithmonë një dorë përkrahje dhe orientimi të qartë për të zgjidhur vështirësitë e çastit. Mund të mos na vijë matematika apo letërsia, mund mos ta kuptojmë biologjinë apo shkencat e tjera, por për diçka të jemi të sigurtë, e kemi për detyrë të ulemi me fëmijët tanë dhe t’u qëndrojmë pranë. Sikur asgjë të mos kuptojmë mjafton vetëm prania jonë dhe kjo do ia lehtësonte sado pak vështirësinë e momentin. 

Nga ana tjetër, hasemi edhe me një problematikë që sa herë e diskutojmë nuk duam të dalim aty ku duhet, pasi na vret ndërgjegjen tonë. Harrojmë se në krijiminm e kushteve edukative në shtëpi nuk mjafton vetëm te ketë një komoditet dhoma me të gjitha orenditë më të fundit, përkundrazi ajo që e nxit dhe i jep një frymëzim individit në rrugën e edukimit është edhe leximi në ambientet tona familjare, që për hir të së vërtetës tek ne mungon. Nuk shohim prindër të ulen në familje dhe të lexojnë diçka, qoftë kjo një revistë, gazetë apo “larg qoftë” një libër. Prindërit tanë preferojnë më mirë ta kalojnë kohën e tyre “të vyer” nëpër kafenetë e vendit duke lodhur psikologjinë e tyre me trishtimet e ditës dhe ajo që është më e keqja duke u përpjekur t’u japin zgjidhje problemeve të të tjerëve. 

Është detyrë e secilit prej nesh sot të kuptojmë ndryshimet psikologjike dhe sociale që kalon fëmija ynë në mjegullnajën e kohës. Koha nuk është një gurë që e merr dhe e gjuan tutje pa asnjë qëllim, përkundrazi është baza qëndrore e formimit të secilit prej nesh, pasi jemi mëse të vetëdijshëm që s’mund të kthehemi pas të rimarrim ato që lamë apo na ikën prej duarsh. Kështu është edhe edukimi. Fëmija është në kërkim të një formimi, ku çdo çast është i detyruar të kuptojë atë që i ofrohet, qoftë nga shkolla, nga familja e për më tepër nga rrethanat dhe kushte brenda të cilave jeton. Fëmija është i detyruar të kuptojë që të arrijë në shkallët e duhura të jetës. E nëse duam që fëmijën ta bëjmë mjek, inxhinier, arkitekt, mësues apo edhe zotërues të një zanati, le t’i japim mundësinë ti kuptojë gjërat ashtu siç duhet, dhe kjo s’ka dyshim që kalon nga të qënurit një prind kërkues ndaj vetvetes. 

Mos vallë vetëm kjo është rrugëzgjidhja! Padyshim që jo! … Çdo gjë sipas radhës!... 

Lexuar 1868 here

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO