21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36



Ekipi i Tërbunit të Pukës e ka nisur me humbje sezonin e ri futbollistik 2015-2016, ku është mposhtur me rezultatin 1-2 nga ekipi i Tiranës. Edhe pse kaluan të parët në avantazh, pukjanët nuk arritën të administronin rezultatin dhe pësuan dy gola në secilën pjesë, duke humbur edhe takimin.

Ndeshja ka nisur ashpër, ku që në minutën e dytë mbrojtësi i Tërbunit, Danaj, ka ndërhyrë në mënyrë të parregullt ndaj futbollistit japonez të Tiranës, Fukui, dhe është ndëshkuar me kartonin e verdhë.

Në minutat e para janë kryeqytetasit që i afrohen golit, ku Fukui dhe Gilberto rrezikojnë disa herë portën pukjane, por mbrojtja vendase largon rrezikun. Provojnë edhe Vucaj e Lika, por gjejnë të përgatitur portjerin Haxho.

Kur të gjithë prisnin golin e Tiranës do të ndodhte e kundërta, pasi do të ishin pukjanët që do të kalonin të parët në avantazh. Në minutën e 25-të, pas një goditje dënimi në favor të Tërbunit është Mone që kroson drejt zonës dhe Malindi kërcen mbi të tjerët duke goditur me kokë dhe duke shënuar golin e parë të takimit.

Mundohet të reagojë Tirana, që provon me Likën dhe Gilberton, por që të dy nuk tregohen të saktë në zonën pukjane. Por, përpjekjet e kryeqytetasve do të “shpërbleheshin” në minutën e 42-të, ku pas një pasimi të Fukuit në drejtim të Likës, ky i fundit nuk e ka të vështirë për të dërguar topin në rrjetë dhe për të barazuar shifrat e takimit. Me këtë gol do të mbyllej edhe pjesa e parë, edhe pse Vucaj do të kishte një rast të pastër në minutën e 45-të, por topi i goditur nga ai do të përfundonte jashtë portës.

Pjesa e dyte nis me Tiranën më sulmuese, ku Gilberto dhe Fukui kërkojnë golin e dytë për ekipin e tyre. Madje, edhe Smajli nga mbrojtja ndihmon skuadrën në kërkim të golit të avantazhit. Por, rasti më i rrezikshëm në këtë pjesë do të vinte në minutën e 70-të, ku pas një kombinimi të Gilbertos dhe Likës, topi do të kalonte pranë shtyllës horizontale.

Menjëherë pas këtij aksioni do të vinte goli i dytë për ekipin e Tiranës. Në minutën e 72-të, Gilberto driblon një mbrojtës dhe gjuan fuqishëm me të djathtën, por grushton Haxho dhe vjen me shpejtësi Fukui, i cili e shtyn topin me gjoks drejt rrjetës dhe kalon në avantazh ekipin e Tiranës.

Nga ana tjetër, Tërbuni tregohet i “pafuqishëm” përballë Tiranës dhe “dorëzohet” duke humbur takimin. Edhe 3 minutat shtesë nuk do të sillnin ndryshim rezultati dhe krejt takimi do të përfundonte me fitoren e kryeqytetasve.

Në javën e ardhshme, java e dytë e kampionatit shqiptar, ekipi i Tërbunit do të udhëtojë drejt Ballshit, për tu ndeshur me ekipin e Bylisit. Ekipet zbritën në fushën e lojës me këto formacione:

Tërbuni: Haxho – Rexha – Brahja – Lila – Danaj – Gërxho – Gavazaj – Mone – Karapici – Malindi – Dhrami. Trajner: Samuel Nikaj

Tirana:
Frashëri - Smajli - Bulku - Muça - Gërçaliu - Teqja - Karabeci - Vucaj - Lika - Fukui - Gilberto. Trajner: Shkëlqim Muça


DENIS BAJRAKTARI
Shkodra Press



Ka startuar dje kampionati i 77-të kombëtar shqiptar me përballjen Partizani – Laçi, që u mbyll në barazim 1-1, ku për kryeqytetasit shënoi sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj. Sot do të zhvillohet takimi i dytë i javës së parë dhe përballë do të jenë Flamurtari e Teuta, ndërsa nesër do të luhen edhe dy takimet e fundit e kësaj jave, ku Tërbuni i Pukës pret Tiranën dhe Kukësi do të ketë kundërshtar ekipin e Bylisit.

Ashtu siç është bërë e ditur, takim tjetër i javës së parë mes Vllaznisë dhe Skënderbeut është shtyrë për datën 9 Shtator, për shkak të pjesëmarrjes së Skënderbeut në fazën play-off të Champions League. Kjo ka bërë që shkodranët të kenë më shumë kohë dhe mundësi për tu përgatitur për javën e dytë të kampionatit, ku do të udhëtojnë drejt Durrësit, për tu ndeshur me ekipin e Teutës.

Por, ekipi i drejtuar nga trajneri Luan Zmijani nuk ka qëndruar pushim dhe ditën e sotme ka zhvilluar një miqësore brenda grupit. Skuadra është ndarë në dy formacione, ku në njërin ishte formacioni titullar i Vllaznisë, deri në këto momente, dhe në grupin tjetër ishte formacioni i dytë.

Kështu, në formacionin e parë u aktivizuan këto futbollistë: në portë: Dragojeviç, në mbrojtje: Gurishta, Cicmil, Haxhaj, Marku, në mesfushë: Borshi, Kapaklija, Shtubina, Lushtaku dhe në sulm Ahmeti me Kdouh më të avancuar. Në formacionin e dytë, trajneri Zmijani zgjodhi këto lojtarë gjatë dy pjesëve të lojës: Sherri, Hakaj, Pjeshka, Beci, Ruçi, Dyca, Salihi, Aburub, Dedvukaj, Çinari, Arbri, Kabuni dhe Kiri.

Paviçeviç, Selmani, Kalaja, Bardulla dhe Krymi kanë zhvilluar stërvitje të diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës.

Duhet theksuar se është zhvilluar një takim i bukur nga të dyja formacionet. Përsa i përket rezultatit përfundimtar, ndeshja përfundoi me fitoren e formacionit kryesor 2-1, ku shënuan Lushtaku dhe Shtubina (me penallti), në secilën pjesë, ndërsa Ruçi shënoi golin e vetëm për formacionin e dytë.

Ky takim është ndjekur edhe nga administratori Kalamishi dhe drejtori sportiv Grima. Ditën e nesërme, ekipi i Vllaznisë do të jetë pushim, ndërsa të hënën do të fillojë përgatitjet për takimin ndaj Teutës.

FIRMOS KDOUH – Përveç përgatitjeve të fundit për sezonin e ri, ekipi shkodran po tregohet tepër aktiv në merkaton e verës.

Sulmuesi libanez, Mohamad Kdouh, është blerja më e re e ekipit të Vllaznisë. Ai ka qenë për provë këto ditë tek ky ekip dhe ka bindur shumë shpejt stafin teknik të Vllaznisë. Kdouh do të firmosë një kontratë 1-vjeçare dhe do të prezantohet ditën e hënë para mediave.

Më parë, ai ka luajtur për ekipin Ilves në Finlandë si një qendër-sulmues. Kdouh e filloi karrierën e tij në vitin 2011 në klubin e Al-Nejmeh në Liban. Në vitin 2013, ai nënshkroi për FK Sūduva, një klub i divizionit të parë lituanez, me të cilin shënoi 11 gola në 37 ndeshje. Mosha e tij është 22-vjeçare dhe është aktivizuar edhe me kombëtaren e Libanit. Kdouh është lojtari i tetë që afrohet në këtë merkato te ekipi i Vllaznisë.

Përveç Kdouh, te ekipi shkodran vazhdojnë të jenë në provë mesfushori kosovar Lushtaku dhe shqiptaro-amerikani Dedvukaj, ndërsa ka ardhur edhe një lojtar nga Gana, i cili quhet Muhammed Aburub. Ai është 21 vjeç dhe luan në pozicionin e mesfushorit. Një sezon më parë ka luajtur në kategorinë e dytë spanjolle. Këto lojtarë u aktivizuan edhe në miqësoren e sotme dhe trajneri Zmijani do të vendosë brenda pak ditëve nëse do të jenë apo jo pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri.

DENIS BAJRAKTARI
Shkodra Press



Futbollisti beratas, Polizoi Arbri, është lojtari më i ri i ekipit të Vllaznisë. Ashtu siç u bë e ditur që dje, Arbri ka arritur akordin me drejtuesit shkodran dhe të dyja palët kanë rënë dakort për një bashkëpunim në sezonin e ri. 

Ditën e sotme, Polizoi Arbri ka firmosur kontratën 1-vjeçare dhe është prezantuar para mediave. Gjithashtu, ai ka qenë i shoqëruar nga administratori i klubit Vllaznia, Neritan Kalamishi dhe trajneri Luan Zmijani.

Në prezantimin e tij të parë si lojtari më i ri ekipit të Vllaznisë, Arbri është shprehur i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshje dhe ka falenderuar drejtuesit e ekipit të Vllaznisë për besimin që i kanë dhënë.

“Në rradhë të parë falenderoj drejtuesit e ekipit të Vllaznisë që më besuan për këtë sezon të mbajë të veshur fanellën e Vllaznisë. Pavarësisht problemeve në sezonet e fundit, Vllaznia ka qenë gjithmonë pretendente për trofe dhe fanella e saj është krenari për çdo futbollist që e vesh. Shpresoj dhe besoj që ta perfaqësoj sa më denjësisht këtë ekip. Unë do të jap maksimumin në fushën e lojës, ashtu siç kam bërë edhe më parë me ekipet e tjera.” – u shpreh Arbri.

Nga ana tjetër, edhe administratori Kalamishi ka folur për afrimin më të fundit të ekipit të Vllaznisë, si edhe ka theksuar se do të plotësohen kërkesat e trajnerit Zmijani për afrime lojtarësh të tjerë.

“Kemi arritur një marrëveshje dhe po firmosim kotratën me lojtarin më të ri të ekipit të Vllaznisë, që do të luajë për një sezon me këtë ekip, i cili është Polizoi Abri. Ky lojtar ka rënë dakort të jetë pjesë e ekipit të Vllaznisë në sezonin e ri dhe do të mbajë të veshur fanellën tonë deri në fund të sezonit. Arbri është perforcimi i rradhës i ekipit në repartin e mbrojtjes. Jemi në bisedime me disa lojtarë sipas kërkesave të trajnerit. Merkatoja është deri me 31 Gusht dhe deri atëherë do të jemi aktiv, ndërsa përforcimet do të jenë ashtu siç i kërkon trajneri.” – theksoi Kalamishi.

Vetë trajneri Zmijani ka shprehur dëshirën për afrime lojtarësh të tjerë, pasi ekipi nuk është akoma i kompletuar. Sipas Zmijanit, objektivat do të percaktohen pas afrimeve të fundit.

“Mendojmë që në ditët  në vazhdim do të bëjmë edhe disa afrime të tjera, që janë të nevojshme për skuadrën dhe në fillim të kampionatit ekipi të jetë sa më i kompletuar për të arritur rezultate pozitive. Do të shohim edhe afrimet e fundit dhe më pas do të percaktojmë objektivat e ekipit në sezonin e ri.” – u shpreh Zmijani.

Polizoi Arbri është blerja e shtatë e ekipit të Vllaznisë në këtë merkato verore, pas afrimeve të portjerit Dragojeviç, mbrojtësve Cicmil dhe Haxhaj, mesfushorëve Selmani dhe Ahmeti, si dhe sulmuesit Paviçeviç. Mosha e Arbrit është 26-vjeçare dhe luan në të djathtë të mbrojtjes dhe mesfushës. Më parë, ai ka qenë pjesë e ekipit të Flamurtarit, ku është aktivizuar për katër sezone, ndërsa ka luajtur edhe për ekipet e Bylisit, Lushnjës dhe Tomorit.


DENIS BAJRAKTARI
Shkodra Press



Ekipi i Vllaznisë e ka mbyllur me fitore fazën përgatitore të zhvilluar në Slloveni. Shkodranët kanë mposhtur me rezultatin 2-1 ekipin Al Sharahnija nga Katari. Ka qenë një takim, që ka dhuruar dy pjesë të ndryshme për ekipin e Vllaznisë.

Në të parën është ekipi nga Katari që realizon golin e avantazhit dhe pjesa e parë është mbyllur me këtë gol. Në pjesën e dytë, ekipi i Vllaznisë ka reaguar shumë shpejt, ku në minutën e 50-të sulmuesi Kiri ka barazuar shifrat e takimit. Pak minuta më vonë, në minutën e 60-të është kosovari Ahmeti që shënon golin e dytë dhe të avantazhit për ekipin e Vllaznisë. Minutat në vazhdim nuk do të sillnin ndryshim rezultati dhe krejt takimi do të mbyllej me fitoren e shkodranëve.

Kjo ishte miqësorja e katërt dhe e fundit për ekipin shkodran, i cili është nisur prej disa orësh në drejtim të qytetit të Shkodrës, pas përfundimit të fazës përgatitore në Slloveni. Në tre miqësoret e para, ekipi i Vllaznisë ka fituar ndaj Dravogradit 4-2, Celjes 1-0 dhe ka barazuar ndaj Promo Team 2-2. 

Gjithashtu, gjatë qëndrimit prej 12 ditësh në Slloveni kanë ardhur në provë disa lojtarë, si: Borshi, Lushtaku, Vukçeviç dhe Iviçiç. Dy të parët do të vazhdojnë në provë edhe për disa ditë të tjera, ndërsa Vukçeviç dhe Iviçiç nuk kanë bindur stafin teknik dhe janë larguar nga ekipi i Vllaznisë. Në ditët në vijim priten të tjerë lojtarë në provë e ndoshta edhe ndonjë blerje nga ekipi i Kukësit, ku Musolli dhe Shahmeti janë pranë nënshkrimit të kontratës me ekipin e drejtuar nga Luan Zmijani.

NDESHJA NDAJ SKËNDERBEUT  - Javën e ardhshme do të startojë sezoni i ri futbollistik, ku sipas kalendarit ekipi i Vllaznisë do të presë në Shkodër ekipin kampion në fuqi të Skënderbeut. Por, ky takim nuk do të zhvillohet, ndryshe nga takimet e tjera të javës së parë.

Klubi i Skënderbeut ka konfirmuar zyrtarisht se do të shtyjë ndeshjen e javës së parë të Superligës, për shkak të ecurisë së tij në Champions League. Një vendim i tillë është pranuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila ka deklaruar se nuk do të ketë shtyrje të gjitha ndeshjeve të tjera të javës së parë, por vetëm të ndeshjes Vllaznia-Skënderbeu. 

Ekipi i Skënderbeut do të perballet me 25 Gusht në ndeshjen e kthimit ndaj Dinamos se Zagrebit dhe prandaj takimi i planifikuar ndaj Vllaznisë me 22 Gusht nuk mund të zhvillohet, në mënyrë që ekipi korçar të jetë i “freskët” për përballjen ndaj ekipit kroat.

FSHF ka vendosur që takimi mes Vllaznisë dhe Skënderbeut të luhet më 9 shtator, dy ditë pas takimit Shqipëri – Portugali. Kështu, si Vllaznia ashtu edhe Skënderbeu do të nisin sezonin e ri në javën e dytë të kampionatit, ku Skënderbeu do të presë Kukësin, ndërsa Vllaznia do të luajë në transfertë ndaj Teutës.

DENIS BAJRAKTARI
Shkodra Press

Page 6 of 101

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO