15 Dhjetor 2018
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Elseid Hysaj: Refuzova Kombëtaren e Italisë për Shqipërinë



Mbrojtësi shkodran i Empolit, Elseid Hysaj, është një nga lojtarët më të kërkuar të merkatos verore. Paraqitja e tij e shkëlqyer me ekipin italian ka tërhequr vëmendjen e ekipeve të tjera të njohura, si: Lacio, Napoli dhe Fiorentina.

Hysaj e mbylli Kampionatin Italian me ekipin e Empolit në vendin e 15-të me 42 pikë, duke siguruar qëndrimin mes ekipeve më të mira të Italisë.

I ftuar në emisionin “Sport Show” në një nga televizionet lokale të qytetit të Shkodrës, Hysaj ka folur për sezonin që ka kaluar me ekipin e Empolit. Gjithashtu, ai ka treguar se si e ka nisur karrierën futbollistike. Hysaj flet edhe për objektivat që ka me Kombëtaren Shqiptare.

“Karrierën time e kam nisur me ekipin e Shkodra Sport, me trajner Taip Piraniqin. Në atë kohë, sporti ka qenë amator, ndërsa tani ka një organizim më të mirë dhe këtu në Shqipëri luhet si në Itali. Cilësia e futbollit tek të rinjtë është rritur dhe disa prej tyre po luajnë edhe jashtë Shqipërisë. Nga Shqipëria jam larguar 15 vjeç dhe kam filluar në provë tek ekipi i Empolit. Çdo gjë ishte më ndryshe atje. Mendoj se kam vepruar drejt që jam larguar nga Shqipëria në moshë të re. Shkodra njihet që nxjerr shumë talente dhe talentë të tjerë do të luajnë shumë shpejt jashtë Shqipërisë.” – thotë Hysaj.

Në lidhje me sezonin që ka zhvilluar me ekipin e Empolit, 21-vjeçari shkodran shprehet: “Jam shumë i kënaqur, sepse në një moshë kaq të re është një ëndërr të luash në Seria A. Kam 3 vite që luaj si profesionist në Kampionatin Italian, 2 vite në Seria B dhe këtë vit në Seria A, ku siguruam edhe qëndrimin në elitën e ekipeve italiane. Në ndeshjet e para kam pasur vështirësi sepse kisha emocione, por më pas kam dalë në lojen time. Qëndrimi në Seria A është një arritje për ekipin e Empolit, ndërsa për mua ka qenë një sezon i mirë, pasi kam luajtur në çdo ndeshje.”

Hysaj tregon edhe ftesën që i ka bërë trajneri italian i Kombëtares së Shqipërisë dhe thotë se ka refuzuar Kombëtaren Italiane për të luajtur për vendin e tij.

“Kam qenë duke luajtur në Seria B, kur De Biazi më mori në telefon dhe më tha që do të grumbullohem me Kombëtaren e Shqipërisë. Ky ishte një lajm i mrekullueshëm për mua, sepse nuk e prisja që në një vit të ndodhnin kaq shumë gjëra. Arrita të luaj një ndeshje kundër  Gjeorgjisë, ku kisha shumë emocione, por më pas fitova besimin e De Biazit. Këtë vit kemi formuar një grup të shkëlqyer me kombëtaren. Ëndrra jonë është që të kualifikohemi në Europian dhe këtë vit jemi shumë afër për ta realizuar një gjë të tillë. Gjithashtu, dua t’ju them se më ka kërkuar edhe Italia, por e kam refuzuar, sepse unë kam lindur shqiptar dhe shqiptar do të mbetem.” – shprehet shkodrani Hysaj.

Ai falendëron edhe familjen e tij për mbështetjen që i ka dhënë këto vite, duke thënë këto fjalë: “Për mua, mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme në karrierën si futbollist. Të jesh i ri dhe të shkosh në Itali është krejt ndryshe sikur të mos kesh familjarët me vete. Nuk ke këshilla, nuk ke dije, sepse je i ri dhe duhet të mësosh çdo gjë. Prandaj, falendëroj familjen time, që më ka mbështetur në çdo moment të vështirë dhe më ka treguar rrugën e drejtë për të ecur përpara. Ngjitjen në Seria A me Empolin e kam festuar gjatë me mamin dhe babin.”

I pyetur për ofertat që kanë ardhur në drejtim të tij, Hysaj përgjigjet: “Ka 3 vite që drejtuesit e ekipit të Lacios synojnë të më afrojnë në ekipin e tyre, por deri tani asgjë nuk ka ndodhur, janë thjesht zëra. Për momentin nuk e di ku do të përfundoj, pasi më kanë kërkuar edhe ekipe te tjera si Napoli dhe Fiorentina. Tani dua të pushoj pak dhe më pas të përqëndrohem tek ndeshja me kombëtaren ndaj Francës me 13 Qershor.” 

Në fund, Hysaj thotë se ëndrra e tij është të luaj me ekipin e Interit dhe shpreson që një ditë të jetë pjesë e atij ekipi.

Denis BAJRAKTARI
Shkodra Press

Lexuar 2108 here

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO