Vllaznia ka arritur pikën e parë në këtë sezon, teksa ka barazuar 1-1 me ekipin e Kukësit.
Takimi i zhvilluar në Pukë nuk ka nxjerrë një fitues në fund të 90 minutave, edhe pse kuksianët ishin pranë fitores, por goli i Sefës në minutat shtesë i mohoi 3 pikët ekipit të Troisit.
Duhet theksuar se shkodranët kanë zhvilluar një lojë tepër të mirë, ku nëse do të tregoheshin më të saktë në finalizimin e aksioneve mund të kishin marrë edhe një fitore. Gjithashtu, në këtë takim, ekipi i Vllaznisë ka pasur edhe mbështetjen e tifo-grupit “Vllaznit Ultras” të cilët kanë mbështetur për herë të parë në këtë sezon ekipin e tyre.
Përsa i përket lojës së zhvilluar, sinjali i parë ka ardhur në minutën e 23-të, ku Moreira i ndodhur në zonë përballë portjerit Dragojeviç ka goditur dobët, duke humbur një rast të pastër për ekipin kuksian.
Kundërpërgjigjet menjëherë Vllaznia në minutën e 27-të, ku Sosa pasi ndal topin e krosuar nga Arbri godet në drejtim të portës , por devijon mbrojtësi Mici, duke i mohuar golin sulmuesit uruguajan.
Në minutën e 34-të, Malota ka të gjitha mundësitë për të kaluar në avantazh ekipin e Kukësit, pas daljes së gabuar të portjerit Dragojeviç, por topi i krosuar është tepër i fortë për t’u zotëruar nga mbrojtësi i Kukësit.
Me këto tre raste mbyllet pjesa e parë, pa sjellur ndryshim rezultati, pavarësisht përpjekjeve të lojtarëve të Vllaznisë.
Pjesa e dytë nis me një tjetër rast për shkodranët, ku në minutën e 56-të, Kalaja del përballë portjerit Koçi, por ky i fundit i mohon golin mesfushorit shkodran.
Por, goli i parë i takimit do të vinte në minutën e 66-të, ku Flores pasi depërton në zonen shkodrane jep një top për sulmuesin tjetër, Lima, dhe ky i fundit nuk e ka të vështirë për ta dërguar topin në porten e boshatisur.
Pas golit të pësuar, shkodranët hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit. Por, përpjekjet e lojtarëve të Vllaznisë do të shpërbleheshin në minutën e fundit shtesë, 93-të, ku nga një goditje dënimi, Sefa nis një top drejt zonës por nuk devijohet nga asnjë lojtarë duke përfunduar në rrjetë.
Goli i barazimit sjell entuziazëm në kampin shkodran, që i gëzohen pikës së parë në këtë sezon. Me barazimin e arritur ndaj Kukësit, Vllaznia ngjitet në vendin e 9-të, duke lënë në vend të fundit Bylisin, por që ka një ndeshje më pak.
Ndeshja e ardhshme për ekipin e Vllaznisë do të jetë ndaj Tërbunit, ku do të shpresohet edhe fitorja e parë e sezonit. Takim, i cili do të zhvillohet me 17 Tetor, pas dy ndeshjeve të kombëtares shqiptare, ndaj Serbisë dhe Armenisë.
DENIS BAJRAKTARI
Shkodra Press