21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Ismail Kadare / 

Ndjesia e parë që provon lexuesi kur hyn në botën letrare të Martin Camajt është ajo e lartësisë. Pa përjashtuar përftimin eufemik të shprehjes, atë që ka lidhje me gjithë shkrimtarët e mëdhenj të një letërsie, te Camaj shprehja merr një kuptim të mirëfilltë. Në shumicën e veprave të tij, në mjediset e përshkruara, në klimën e tyre, te personazhet, ajri, madje dehjet e shëndetshme apo të turbullta që vijnë prej tij, janë ato të alpeve.

Sipas Ernest Koliqit, adhurues e njëherësh mentor i shkrimtarit, ky luks gjeografik lidhet me zanafillën e shkrimtarit. Lartësitë e bjeshkëve, më saktë Dukagjini, ku ai kishte lindur, kishin gjetur, më në fund, te biri i tyre, mjetin e vet shprehës.    

Është një mendim i fisëm, nga ata që sa ç'kuptohen me lehtësi, aq edhe kanë nevojë për plotësim. Është e vërtetë se visoret dhe klima në veprën e Camajt të kujtojnë shpesh ato të vendeve veriore, madje tepër të skajshme, si Islanda, por ato afrohen çuditërisht me klimën e teatrit grek, nëpërmjet të njëjtit fill të padukshëm që, siç e ka vënë re francezi Jean-Pierre Faye, kultura parake shqiptare përkitej me antikitetin.

Rrugëtimet e brendshme të ndjeshmërisë artistike mbeten shpesh të pazbuluara prej nesh. Por kjo nuk pengon që në një tjetër hartë ato të kryqëzohen, ashtu siç ndodh me sagat islandeze, doket e vjetra ballkanase dhe artin antik.

Ka gjasë që më shumë se te këto, te vetmia e shkrimtarit të gjendet shkaku i thellë i këtij mënjanimi. Martin Camaj ka qenë, pa dyshim, shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë. Duke i strehuar ngjarjet dhe personazhet e veta në një lartësi, që iu siguronte pavarësinë, ka kujtuar ndoshta se do ta mbronte artin e tij prej ndikimit të katrahurës shqiptare, asaj së cilës kujtonte se i kishte lënë lamtumirën.

I larguar tepër i ri nga atdheu, i cili çdo ditë e më tepër bëhej i huaj për të, për shkak të komunizmit, ka kujtuar se atë ç'ka humbur e ka gjetur disi në Kosovë, por ky nuk mund të ishte veçse një iluzion. Ka ndërruar truall përsëri, madje e ka lënë Gadishullin dramatik të Ballkanit, për një tjetër gadishull, më pak të tillë, atë të Apenineve, gjersa edhe prej andej është larguar përsëri. Po të kishte qenë muzikant ose piktor, më lehtë ndoshta do ta kishte shkëputjen, por arti i tij lidhej me gjuhën shqipe, atë vargor të rëndë, të cilën as mundte e ndoshta as donte ta ndërronte dot. Te viset e arbëreshëve, ku, ashtu si Koliqi, shkonte shpesh, gjente vërtet një spikamë të botës shqiptare, por kishte gjasë që, ndonëse e pabezdisshme prej doktrinës, ajo spikamë e zbehtë, më shumë se zëvendësuese, ishte thjesht një trishtim.

E ka kuptuar se përderisa poeti Zef Skiroi, ndonëse i lindur në këto vise, i kishte quajtur megjithatë "te dheu i huaj", aq më tepër do të ishin të tilla për të. Një tjetër Zef, ai i Serembes, një shekull e ca më parë, e kishte shpjeguar të fshehtën:

 

Arbëria që prapa detit na kujton

Se ne të huaj jemi te ky dhé.

 

Ishte gjithmonë ajo, Shqipëria, që në epoka të ndryshme rrezatonte të njëjtin trazim. 

I vendosur më në fund në Lenggries të Bavarisë, në këmbë të alpeve gjermanike, që i kujtonin bjeshkët e Dukagjinit, e ka ndier se ato, në fund të fundit, nuk ishin veçse pamje. E ka ndier përfundimisht se ashtu si Filokteti antik, me plagosjen e tij të pashërueshme, ai gjithashtu nuk do ta kapërcente dot mungesën e atdheut. Dhe atëherë, duke e parë se nuk i largohej dot më, ka bërë atë, për të cilën me siguri ka kujtuar se s'do të ndodhte kurrë: të dëgjonte lajme që vinin andej, pikërisht prej katrahurës, së cilës i ishte larguar me aq ngulm. Të dëgjonte ç'ndodhte me atë popull, me zhurmat e tij, me kambanat që po heshtnin, me burrat që kishin ulur kryet, me gratë e hijshme, së fundi me gjuhën shqipe dhe me shkrimtarët dhe fatin e tyre ziplot.

Një qerthull, nga ata që duket se krijohen prej harmonive të epërme, po mbyllej, më në fund, për të sqaruar raportet e ndërlikuara të shkrimtarit me lirinë dhe me vendin e vet. Liria dhe Shqipëria ishin të ndara. Së bashku ngjanin ende të pamundura.

Martin Camaj, ashtu siç iu qëllon rrallëherë shkrimtarëve, u rrek të kapërcejë pikërisht të pamundurën. Ishte ky epilog që, në trajtë testamentare, u shpreh në fjalët e tij, drejtuar gjithë shqiptarëve, e natyrisht kolegëve të tij, pak kohë përpara se t'i linte lamtumirën kësaj bote: "Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijtë".

Letërsia shqipe është krahasuar disa herë me një ngrehinë të rreptë e të ftohtë, gjysmë kështjellë, gjysmë manastir. Fillimet e saj si letërsi murgjish, e kanë nxitur ndoshta një përftim të tillë.

E paktë, e tkurrur tragjikisht, për shkaqe dhe rrethana që dihen, me një ndalim të gjatë shumëshekullor, me një periudhë dygjuhëshe, latine dhe shqipe, me alfabet të padashur, madje të demonizuar në ceremoni zyrtare fqinjësh, ka mbërritur në shekullin e njëzetë, ku, në kundërshtim me shpresën, e ka pritur një zezonë e re: censura dhe vetëcensura, fajtore për të cilat nuk ishte askush tjetër veç vetë Shqipërisë.

Ndonëse e tillë, e ngushtë, përherë e pamjaftueshme, spartiate e pa madhështi të jashtme, si gjithë vlerat shpirtërore të krijuara përmes vështirësish, e rrezatonte megjithatë një hije të rëndë. Ndërkaq, për një paradoks të madh, në vend që të ishte mikpritëse ndaj shkrimtarëve që do të plotësonin mungesat e saj, bënte të kundërtën. Portat e saj rrinin më shumë mbyllur se hapur. Prej tyre ishin nxjerrë përdhunshëm personazhe të mëdha, ikja e të cilave bënte që të ngjanin edhe më të zbrazëta hajatet dhe qelat e saj.

Përpara këtyre portave u gjend një ditë Martin Camaj. Nuk ishte i nxjerrë jashtë mureve, si Fishta, Konica, Koliqi, por kjo nuk e bënte më pak të ndërlikuar problemin e tij. Kishte qenë thjesht nënshtetas i atij vendi që quhej Shqipëri, por asnjëherë brenda kullës letrare. Ka gjasë që për një kohë të gjatë, në nënvetëdijen e tij shestohej e paarritshmja: të bënte pjesë një ditë në atë fis apo në atë urdhër trillan.

Brenda kullës, përveç hijeve të mëdha, ishin shkrimtarë të gjallë, të ngjashëm me ta, por të padashur, si Lasgush Poradeci ose Mitrush Kuteli. Siç ishin të pakuptueshëm për epokën brenda së cilës u gjendën, ashtu do të ishin më pas, kur epoka të ndërrohej. Studiuesit do ta kishin më të lehtë të pohonin se, meqenëse në një epokë të tillë mizore nuk mund të krijohej letërsi, ata e kishin braktisur krijimin letrar. Ndërkaq, pikërisht në kohën e vështirë ishin krijuar disa nga perlat më të çmuara të të gjitha epokave, si vjershat "Gremina" dhe "Flaka" të Poradecit ose "E madhe është gjëma e mëkatit" e Kutelit e ndoshta të tjera vlera, që do të zbuloheshin më pas. Pyetje të shumta do të lindnin: ç'do të bëhej me këto perla? Do të mohoheshin, ngaqë bezdisnin klishetë dhe mendjet e ngushta, apo mashtrueshëm do të kalonin në tjetër kohë?

Edhe më të vështira do të ishin pyetjet për aradhen e shkrimtarëve që kishin lindur ose ishin rritur në epokën që quhej e gabuar. Për shkak të saj, e pas rrëzimit të saj, ata do të quheshin gjithashtu të gabuar e do të binin bashkë me epokën, apo fati i tyre do të vendosej pas ligjesh të tjera, e nga një tjetër verdikt?

Martin Camaj nuk i lejoi vetes asnjëherë që, duke përfituar prej lirisë që i jepte mërgimi të shkruante kundër sivëllezërve të tij në Shqipëri. Ishte e vërtetë se në kohën që ai kujtohej e bëhej merak për ta, ata nuk u kujtuan kurrë për të, por kjo nuk e shtyu asnjëherë t'u mbante mëri për shpërfilljen apo harresën e tyre të gjatë. Ishte i ndjeshëm për gjendjen e tyre, për optimizmin e rremë e për ankthin e fshehur me kujdes midis festës po aq të rreme.

Në vetmi, rrallëherë i kuptuar nga njerëzit, Camaj vazhdonte veprën e tij, duke u përpjekur të ruante dritësimin e saj alpin, qoftë në poezitë, qoftë në prozën e tij. Ishte pakti i tij i pandryshueshëm me artin, me lartësitë e bjeshkëve nga kishte dalë, e ku një ditë shpresonte se do të kthehej.

 

 

"S'due me qenë si moti i lig", kumtonte në një nga vjershat, duke shpallur kështu kthjelltësinë e fisme mbi pasionet politike, e sidomos mbi mllefet, pa të cilat ishte vështirë të përftohej bota shqiptare.

"Poezia shihet si formulë për ngadhënjimin e tragjikes", shkruante për veprën e tij poetike studiuesja gjermane E. Glaser. Ai vetë do të sqaronte se "prej letërsisë kam pasë gjithçka, edhe vullnetin për të jetue". Që nga përmbledhja e parë "Një fyell ndër male" e vitit 1953, në Prishtinë, e gjer te "Palimpsesti", i botuar më 1991 në Munih e Nju-Jork, pak kohë përpara vdekjes, shtrihen dyzet vite krijimtarie të pandërprerë poetike. Poezisë së tij, ndonëse e një drejtimi që gabimisht dukej i huaj në letrat shqipe, modernizmit europian, kryesisht hermetizmit, përkundër paragjykimeve shkollareske, i shkon natyrshëm kostumi shqiptar. Arti i madh është njëherësh i kohës e i gjithëkohës. "Këngët e Milosaos" e De Radës, e cila disa vite më pas do të mbushë dy shekuj jetë, na tingëllon po aq e freskët e moderne sot, sa në vitet kur u shkrua. 

Në art asgjë e epërme nuk është e përjashtuar, e aq më pak përjashtuese. Kështu janë poezitë e Camajt, romani i shkurtër "Djella", me shoqërimin poetik, që si një pasqyrë iu hap udhë rreshtave të prozës, veprat e tjera, si "Dranja" dhe "Karpa", ku në të parën u rrek të sendërgjojë fatalitetin a mallkimin, me fjalë të tjera, të rrokë të parrokshmen e të shprehë të pashprehshmen, tundim jo i rrallë i shkrimtarëve. Ndërkohë në të dytën përpiqet të shkojë edhe më larg, i ndjellë prej një magjistareje lojcake, gjuhës shqipe, prej përdorimit të së cilës, siç thotë vetë: "e kam ndie veten shpesh virtuoz, d.m.th, jam në gjendje të thom shqip gjithçka due!".

E po kështu vijnë veprat e tjera, si romani "Rrathët", dy dramat e përkora, për të mbërritur te novelat e gjata, "Pishtarët e natës" dhe "Rrungajat në mars", ato "fletë të lume" në letrat shqipe, po të përdornim shprehjen e Koliqit, e që ndoshta përbëjnë majën më të lartë të artit të tij. 

Në tetorin e vitit 1981, një nga stinët më të zymta të tiranisë shqiptare, rrethanat e sollën të takoj Martin Camajn. Isha i ftuar në Panairin ndërkombëtar të librit në Frankfurt, kur, në mbarim të një konference shtypi, gjatë së cilës iu isha përgjigjur pyetjeve jo të lehta të gazetarëve, m'u afrua një burrë i gjatë e i hijshëm që, me njëfarë mëdyshjeje, më foli shqip: quhem Martin Camaj, a mund t'ju flas? E kisha dëgjuar emrin e tij, madje diçka kisha lexuar prej tij në revistën "Shêjzat" të Koliqit, që botohej në Romë e gjendej me vështirësi në Tiranë. I thashë, natyrisht, që mund të flisnim dhe ai shtoi se kishte ardhur enkas nga Munihu për të më dëgjuar.

Një mik i tij shqiptar që e shoqëronte, ka përshkruar vite më pas në shtypin e diasporës ato pak minuta të takimit, kryesisht mëdyshjen dhe shqetësimin e tij se mos, duke më folur, më dëmtonte.

Ishim aty, në atë sallë të zhurmshme, shkrimtarë të të njëjtit vend e të së njëjtës gjuhë, por të largët si dy qenie, më saktë, dy fantazma të planetëve të ndryshëm. Ishim dy Filoktetë, gjithmonë me të njëjtën plagosje të njohur të pashërueshme, njëri që e kishte atdheun, por jo lirinë, tjetri, me liri, por pa atdhe.

Folëm diçka, në vështrim të parë të rëndomtë, por që, me siguri, nuk kishte të bënte me atë çka do të duhej të flisnim. Rreth dhjetë vite më pas, Werner Daum, intelektual dhe diplomat i shkëlqyer gjerman, mik i përbashkët i imi dhe i tij, personazh i dorës së parë në ngjarjet dramatike të Tiranës 1990, më ka takuar në Paris, për të më sjellë, ndër të tjera, përshëndetje nga Martin Camaj. Me ndërmjetësinë e diplomatit u vendos midis nesh një shkëmbim i përkorë mesazhesh, madje u caktua dhe një takim në Munih, ku do të udhëtoja dy muaj më pas, në mars të vitit 1992, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh.

Ky takim nuk ndodhi kurrë, për shkak të ikjes së tij të parakohshme, pikërisht në muajin mars të atij viti. S'më mbetej veçse, me ndihmën e shoqërueses sime, gazetares së "Frankfurter Rundschtau", Verena Nolte, që e njihte dhe e çmonte, të kërkoja varrezën ku pushonte, për të vënë një tufë lulesh sipër tij.

Nëpërmjet Werner Daum-it, kisha arritur t'i tejçoj disa mendime për veprën e tij. Por ato ishin tepër të pakta në krahasim me atë çka do të duhej të thuhej. Një pjesë e tyre janë shprehur në këtë hyrje të botimit të veprave të tij të plota, tetëmbëdhjetë vite më pas, e gjithmonë janë pak. Të tjerat e kanë kohën e tyre përpara, atëherë kur vepra e shkrimtarit do të ketë qasjen e saj të plotë të lexuesit, atje ku nis një jetë tjetër e artit të letrave, ajo që përtëritet prore, në pafundësi.

Epokat dhe popujt zakonisht nuk bëjnë gabime në vlerësimin e artit të madh. Edhe kur gabimet ndodhin, nuk janë veçse të përkohshme. Gjithmonë vjen ora kur të vonuarit mbërrijnë dhe të munguarit shfaqen. Kështu kanë për të zënë vendet e tyre Anton Pashku i Kosovës dhe Zef Zorba i heshtur, dhe të tjerë ndoshta, të cilët, prej rastit ose rrethanave, janë penguar diku.

Tiranitë, krahas nervozizmit dhe stuhive kalimtare, janë përpjekur të krijojnë portat e rreme e të gabuara. Në ngrehinën e përkorë të letrave shqipe, atje ku është duke zënë vendin e vet Martin Camaj, ashtu si në çdo panteon, hyhet vetëm prej një porte, asaj të madhes. E ajo portë, siç e tregon emri, nuk njeh veçse arsyet e mëdha.

Siç është thënë dikur, De Rada i paharrueshëm, në një përshkrim të natës së pashkëve, ka rrëfyer për "engjëjt që e bëjnë veç gostinë e tyre". Në tryezën e epërme, ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë, nuk ngjiten zhurmat e vogla e as afrohen profilet e rëndomta. Atje ka përherë mirëkuptim e harmoni, ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve nuk sos.

 

Shkodra Press

 

Mbetjet spitalore janë një kërcënim serioz për qarkun e Shkodrës. Sipas një studimi dhe hulumtimi të qendrës së informacionit “Aarhus” nga 78 subjekte prodhuese të mbetjeve spitalore 21 prej tyre nuk janë të pajisura me leje mjedisore, çka automatikisht të lë të nënkuptosh se nuk i trajtojnë aspak ashtu siç duhet mbetjet spitalore. Nga 78 subjekte të pyetur, 68 prej tyre janë përgjigjur se janë në dijeni të detyrimeve ligjore që duhet të përmbushin por edhe pse janë në dijeni shkelin qartazi ligjin për administrimin e mbetjeve spitalore.

Grupimi në 7 kategori përfaqësuese ndahet në këto subjekte: depo farmaceutike, farmaci (edhe farmaci bujqësore e veterinare), klinikë dentare, klinikë mjekësore (klinikë private mjeksore, kabinet mjekësor, klinikë veterinare, klinikë gjinekologjike), laborator (mjekësor, dentar dhe analizash), qendër shëndetësore/poliklinikë (ambulancë) dhe spital. Për qytetin e Shkodrës janë intervistuar 14 subjekte prodhuese te mbetjeve spitalore duke përfshirë të gjitha kategoritë e lartpërmendura.

Vetëm 25 prej subjekteve i menaxhojnë mbetjet spitalore duke kontraktuar një palë të tretë sikundër janë kompanitë private të trajtimit për mbetjet spitalore. Kurse pjesa tjeter zgjedhin mënyra të tjera jashtë detyrimeve ligjore për administrimin e tyre sikundër janë hedhja në koshat publik të mbeturinave, djegia, groposja apo depozitimi me afat të caktuar i këtyre mbetjeve.

Në Shkodër, vetëm Spitali Rajonal ka një kontraktor i cili merret me menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme anatomike dhe një tjetër i cili merret me menaxhimin e mbetjeve spitalore të parrezikshme pasi dalin nga trajtimi në autoklave. Të gjithë prodhuesit e tjerë të mbetjeve spitalore nuk kanë të lidhur një kontratë me një palë të tretë dhe i menaxhojnë ato sipas mënyrave të ndryshme, të gjitha të jashtëligjshme.

Arsyet më të forta për mos trajtimin e duhur të mbetjeve spitalore në Shkodër janë disa. Pas një pyetësori subjektet janë përgjigjur se: nuk prodhojnë shumë mbetje dhe si rrjedhojë nuk e shikojnë të arsyeshme të lidhin kontratë me një kompani. Kjo përgjigje është shumë evazive nëse analizojmë se çfarë do të thotë “shumë mbetje” dhe aq më tepër duke konsideruar që pjesa më e madhe e këtyre subjekteve nuk kanë regjistër të mbetjeve të gjeneruara. Po ashtu janë përgjigjur se: nuk e kanë informacionin mbi detyrimin ligjor, nuk ndihen të detyruar të lidhin një kontratë, pasi askush nuk e zbaton ligjin dhe nuk ndiejnë presionin e institucioneve. Nuk dinë se kujt t’i drejtohen për të administruar mbetjet e tyre spitalore.

Kurse rasti i herë pas hershëm se: “komuna merret me menaxhimin e tyre” përfaqëson një Qendër Shëndetësore në komunën Rrethina në Shkodër, e cila deklaron që mbetjet spitalore i tërheq komuna por ata nuk ishin në dijeni se çfarë bënte komuna më tej me to, se si trajtohen dhe se a hidhen apo jo në vendin e duhur.

Pas këtij hulumtimi të vlefshëm 1-vjeçar nga qendra e informacionit “Aarhus” u organizua edhe një tryezë e rrumbullakët me aktorët e përfshirë në çështjen e administrimit të mbetjeve spitalore në Qarkun Shkodër.

Ky takim kishte për qëllim identifikimin e mundësive të përmirësimit të situatës së menaxhimit të mbetjeve spitalore duke u nisur nga prezantimi i raportit që rrjeti i vigjilencës mjedisore nxori  vitin e kaluar, duke kaluar në analizën e vështirësive që hasin aktorët dhe institucionet e ndryshme në realizimin e funksioneve të tyre, duke paraqitur gjendjen aktuale të administrimit të mbetjeve spitalore ashtu si dhe hapat që janë ndërmarrë dhe mund të ndërmerren për të patur ecuri pozitive për këtë tematike.

Në këtë tryezë ishin të pranishëm 31 persona,  përfaqësues kryesorë të përfshirë në skemën e menaxhimit të mbetjeve spitalore si ISHSH-ja, ISHMP-ja, ARM-ja, DRSHP-ja, Bashkia Shkodër, Spitali Rajonal i Shkodrës, Media, shoqëria civile, ekspertë mjedisi, profesorë nga Universiteti i Shkodrës, firma menaxhuese e mbetjeve spitalore jo të rrezikshme, rrjeti i vigjilencës mjedisore etj.

Pas prezantimit që AIC Shkodra bëri lidhur me situatën e konstatuar të menaxhimit të mbetjeve në Qarkun Shkodër për vitin e kaluar, fjalën për hapjen e diskutimeve e mori kryeinspektori i ISHMP-së Shkodër, Edmond Tërthorja,  i cili tregoi ecuritë që ka patur sidomos Spitali Rajonal i Shkodrës.

“Gjendja e mbetjeve spitalore ka qënë më e rëndë, kushdo bënte çfarë donte. Edhe për spitalin, deri në fund të vitit 2013 autoklava nuk funksiononte fare dhe mbetjet e tij nuk menaxhoheshin. Me pas, me iniciativë në nivel qendror dhe të prefekturës Shkodër u mundësua funksionimi i autoklavës”. 

Edhe për mbetjet e anatomike të cilat nuk trajtohen me autoklave, Spitali Rajonal i Shkodrës ka lidhur një kontratë me një firmë të tretë “KADEL” në gusht të 2014. Edhe firma “Rozafa 94” e cila merret me menaxhimin e mbetjeve spitalore jo të rrezikshme të cilat dalin pas trajtimit me autoklave konstaton që problematika e gjetjes së mbetjeve spitalore të rrezikshme në koshat e mbetjeve spitalore urbane është reduktuar ndjeshëm.

Aktualisht problem është mungesa e informacionit që kanë jo vetëm subjektet private por edhe popullata për detyrimin ligjor të administrimit të mbetjeve spitalore ashtu si dhe për impaktin që ato kanë në shëndet e në mjedis.

“Në momentin e dhënies së liçensës, subjektet duhet të informohen për detyrimin ligjor që kanë për administrimin e mbetjeve spitalore. Po ashtu, është i nevojshëm një sensibilizim qytetar dhe institucional për rëndësinë e zbatimit të ligjit në këtë fushë ” shprehet sërish Z. Tërthorja.

Një tjetër problem i theksuar jo vetëm nga Tërthorja por edhe nga Artan Mesi, shef i shërbimit kundër sëmundjeve infektive pranë DRSHP-së Shkodër është edhe problematika e buxhetit që kanë prodhuesit shtetërorë të mbetjeve spitalore.

“Aktualisht, qendrat shëndetësore kanë një buxhet shumë të reduktuar për menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe zgjidhja e vetme per momentin është djegia e tyre”.

Sipas kryeinspektorit Tërthorja “duhet lobuar fort në nivel qendror për rritjen e buxhetit për qendrat shëndetësore”. Ndërsa shefi i epidemiologjisë Mesi theksoi faktin që “në rast se kemi një menaxhim më të mirë të fondeve në dispozicion, situata e mbetjeve spitalore mund të përmirësohet”. Po ashtu, “vendosja e një inceneratori që të administrojë të gjitha mbetjet spitalore të Qarkut Shkodër, sidomos të Spitalit Rajonal të Shkodrës do të ishte një zgjidhje shumë efikase, e cila pavarësisht kostos, duhet konsideruar si një hap për t’u ndërmarrë sa më shpejt”- u shprehet Mesi.

U përmend edhe fakti që ndotësi kryesor nga mbetjet spitalore nuk janë vetëm subjektet private dhe shtetërore por vetë popullata ndaj dhe u sugjerua nga të pranishmit dhe nga shefi i epidemiologjisë Artan Mesi nevoja e një ndërgjegjësimi në nivel komuniteti.

“Duhet të ndërgjegjësohet komuniteti për rrezikshëmrinë e këtyre mbetjeve”-deklaroi Mesi.

Ndaj pyetjes së gazetarit Senad Nikshiqi lidhur me hapat që po ndërmerren aktualisht nga institucionet për përmirësimin e situatës, përfaqësuesit e ISHSH-së u shprehën që pavarësisht se institucioni i tyre ka vetëm tre muaj që është ngritur, prioriteti i tyre, ka qënë pikërisht inspektimi i prodhuesve të mbetjeve spitalore për të verifikuar mënyrën e administrimit të këtyre mbetjeve (direktivë kjo e ardhur nga niveli qendror).

“Është konstatuar që asnjëri nga këta prodhues nuk kishte një kontratë me një kontraktues të liçensuar dhe nuk bënin ndarjen e mbetjeve në burim. Pas inspektimit tonë, kemi konstatuar që edhe Spitali i Koplikut ka lidhur kontratë me firmën KADEL dhe se të gjitha subjektet private janë në proçes të lidhjes së një kontrate me të tretë ”-shprehet inspektorja e ISHSH-së Elda Drabeja.

 

Po ashtu, Zamir Llazani, kryeinspektori i ISHSH-së, shprehet se “duhet të sanksionohen të gjithë ata subjekte që nuk kanë kontratë dhe duhet të inventarizohen të gjitha mbetjet e prodhuara nga ata”.

Në lidhje me çështjen e sanksioneve, Ahmet Mehmeti, kryetar i Klubit Ekologjik Elbasan ngriti problematikën e aplikueshmërisë së sanksioneve.

“Duhen riparë vlerat e sanksioneve në mënyrë që ato të jenë të pranueshme për kontekstin shqipëtar. Nuk mund të gjobisim subjektet me vlera më të larta se vetë vlera subjektit, prandaj dhe sanksionet mbesin vetëm në letra pastaj”.

Kurse Erdet Behari, përgjegjës i sektorit të mjedisit pranë ISHMP-së Shkodër shprehet se nga inspektimet e kryera nga ata, “asnjeri nga subjektet prodhuese të mbetjeve spitalore nuk kishte leje mjedisore” por fakti që ata kanë ushtruar inspektime dhe janë rikthyer për verifikime, po detyron subjektet të aplikojnë për leje mjedisore. “Shumica kanë filluar aplikimin për leje dhe disa prej tyre janë paisur me leje”.

Këtë fakt e konfirmon specialisti i ARM-së Shkodër, Dritan Dhora i cili tregon që “kërkesat për leje mjedisore janë në rritje. Aktualisht kemi 10 subjekte që janë paisur me leje mjedisore dhe dy të tjerë që janë në proçes vlerësimi”.

“Edhe Spitali Rajonal i Shkodrës është në proçes për marrjen e lejes mjedisore dhe pavarësisht se momentalisht nuk e kemi këtë leje, ne po ndjekim me përpikmëri proçedurat siç e parashikon ligji”-deklaroi Arben Drangu, administrator i menaxhimit të mbetjeve spitalore pranë këtij spitali.

“Ne trajtojmë 20 ton mbetje spitalore në vit me autoklavë dhe 2 ton e gjysëm mbetje anatomike me firmën kontraktuesë KADEL. Buxheti që kemi në dispozicion për menaxhimin e këtyre të fundit është 5 milion lekë të vjetra të cilat janë të mjaftueshme për realizimin e këtij shërbimi”-tha Drangu.

Fatmir Shpellzaj, inspektor pranë ISHMP-së deklaroi se “paisja me leje mjedisore është një element primar sepse në këtë dokument janë të përcaktuara kushtet që duhet të plotësojë subjekti dhe për ne si inspektoriat është më e thjeshtë të verifikojmë nivelin e zbatueshmërisë së këtyre kushteve”.

Ai parashtroi edhe nevojën e trajnimit të stafeve mjekësore për ndarjen e mbetjeve spitalore në burim.

Kurse kryeinspektori Tërthorja, çështjen e lejeve mjedisore e shikon si një vështirësi në zbatimin e punës së tij sepse “kushtet e lejes mjedisore janë të papërcaktuara qartë”.

Përsa i përket problematikës së gjetjes së mbetjeve spitalore nëpër koshat e mbetjeve urbane në të gjithë qytetin, Zumreta Binoshi, përfaqësuese e Drejtorisë së Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Shkodër u shpreh se “nga firmat të cilat menaxhojnë mbetjet urbane nuk ka patur ankimime në lidhje me këtë çështje”.

Gjatë diskutimeve u fol përciptazi edhe për çështjen e menaxhimit të mbetjeve farmaceutike (farmacia e spitalit, depot farmaceutike dhe farmacitë) të cilat nuk menaxhohen fare dhe për të cilat duhet një kuadër legjislativ dhe institucional i veçantë.

Në fund të diskutimeve, Arbana Halili dhe Aurora Dibra përfaqësuese të shoqërisë civile dhe pjesë e Bordit “Aarhus” Shkodër vunë theksin tek rëndësia e bashkëpunimit dhe e koordinimit të punës midis aktorëve të ndryshëm të pranishëm në atë tryezë si mundësi e përmirësimit të situatës së menaxhimit të mbetjeve spitalore.

Për të mbështetur këtë ide, edhe Alminda Mema, drejtuese e Qendrës “Aarhus” Shkodër u shpreh se “pavarësisht mangësive dhe vështirësive që secili institucion has në punën e tij, bashkëveprimi midis aktorëve sjell frytet e veta dhe hapa drejt përmirësimeve”.

Ky takim ishte shumë i dobishëm sepse u shprehën qartë vështirësitë por edhe propozimet për përmirësimin e gjendjes së administrimit të mbetjeve spitalore në Qarkun Shkodër. Po ashtu, ishte një mundësi për të vënë së bashku të gjitha institucionet dhe për të kuptuar më mirë punën e secilit prej tyre por edhe kërkesat që ata kishin, Së fundmi, kryeinspektori i ISHMP-së i propozoi Qendrës “Aarhus” Shkodër të jetë pjesë e grupit të punës për inspektimet e mëtejshme që do të bëhen në këtë drejtim. Gjithashtu, ISHSH-ja e shikoi si mundësi shumë të mirë shkëmbimin e informacionit me AIC Shkodrën në lidhje me problematikat që mund të konstatohen në terren jo vetem për menaxhimin e mbetjeve spitalore por edhe për çështje të tjera mjedisore.

Kjo tryezë nuk do ngelet në kuadër të një takimi, por ajo do të vijojë në nivel më të ngushtë me këto inspektoriate në mënyrë që të ndërtojnë së bashku një skemë bashkëpunimi në kuadër të administrimit të mbetjeve spitalore në Qarkun Shkodër.

Senad Nikshiqi

Shkodra Press

 

Robert Elsie / 

1. Rruga e modernitetit

Për gati një gjysmë shekulli pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, shkrimtarë dhe intelektualë shqiptarë vazhduan të frymëzoheshin nga iderat dhe nga idealet e Rilindjes Kombëtare të shekullit nëntëmbëdhejtë. Rryma kryesore e letërsisë shqiptare deri në Luftën e Dytë Botërore ishte ajo e shkollës shkodrane të Gjergj Fishtës – një shkollë kreative, inovative por njëkohësisht tradicionale. Fishta solli në Shqipëri një rrafsh cilësor më të lartë, rrafshin e letërsisë të cilën vendet më të zhvilluara të Evropës kishin patur që nga gjysma e dytë e shekullit nëntëmbëdhjetë. Kjo ishte një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm duke marrë parasysh konsolidimin e vonuar të Shqipërisë si shtet dhe në zhvillimin e saj të ngadalshëm politik dhe kulturor.

Në vitet tridhjetë, kultura shqiptare hyri në një fazë tjetër. Rrymat kryesore të letërsisë shqiptare filluan me kohë të humbnin kontakt me realitetet e shtetit të pavarur shqiptar. Idera nga jashtë u futën në vend dhe një stad më i lartë i arësimimit të intelektualëve ia hapi derën zhvillimit kulturor më të shpejtë. Për një dhjetëvjetësh, letërsia dhe kultura shqiptare lulëzuan si kurrë më përpara, fillimisht në Shkodër, dhe më vonë në Tiranë dhe në mbarë vendin.

Rrugën e modernitetit, d.m.th. rrugën drejt Evropës morën dy poetë të brezit tjetër, dy njerëz nga jashtë rrethanave të njohura letrare që u shkëputën nga traditat e letërsisë shqiptare dhe që ia dhanë kulturës shqiptare vendin e saj në Evropën bashkëkohore: Migjeni dhe Lasgush Poradeci.

Migjeni (1911-1938) i kishte të gjitha kushtet paraprake për tu bërë poet: një mend kureshtar dhe kërkues, një natyrë depresive pesimiste, dhe një seksualitet të shtypur, të parealizuar. Më interesant nga të gjitha është ky aspekt i fundit. Erotizmi kurrë nuk ka qenë tipar i dukshëm i letërsisë shqiptare. Zor të gjesh një autor shqiptar në poezi ose në prozë i cili i ka shprehur me shkrim impulset dhe dëshirat e tija intime. Migjeni e bën pjesërisht, por në mënyrë të paditur. Thuhet se deri në vdekjen e tij në moshën njëzet e gjashtë, poeti ka mbetur i virgjër. Poezia dhe proza të tija janë plot me figura grash, shpeshherë prostituta të mjeruara, për të cilat Migjeni tregon edhe mëshirë edhe një interes seksual të hapur. Janë sytë e përlotur dhe buzët e kuqe që përmenden. Pjesët e tjera të trupit nuk përshkruhen kurrë. Për Migjenin, seksi ishte vuajtje:

 

Ato dy buzë të kuqe

Dhe dy lote të mija

Qenë shenjat e dhimbjes

Kur më vrau bukurija

Kur më zû dashunija

E më dogji rinija.

 

Pasioni dhe dëshira epshore janë të gjithandejshëm në poezinë e Migjenit. I gjejmë përshkrime të intimitetit trupor, por shpeshherë me neveri dhe hidhërim. Për Migjenin edhe seksi është mjerim, si në Poemën e mjerimit:

 

Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.

Nepër skâje t’errta, bashkë me qejë, mijë, mica,

Mbi pecat e mbykta, të qelbta, të ndyta, të lagta

Lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa,

Kapërthehen ndjenjat me fuqí shtazore,

Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta,

Edhe shuhet ûja, dhe fashitet etja

N’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja,

Dhe aty zajnë fillin të mârret, sherbtorët dhe lypsat

Që nesër do linden me na i mbushë rrugat.

 

Sa larg u largua letërsia shqiptare nga folklorizmet dhe artificialitetet e Çajupit, të Asdrenit, bile edhe të Fishtës! Edhe pse nuk arriti të botojë një libër, poezitë e Migjenit kishin një sukses të menjëhershëm. Migjeni i hapi rrugën letërsisë moderne. Por kjo rrugë mbeti e hapur për një kohë tepër të shkurtër. Tamam në vitin e botimit të Vargjeve të Lira u shpall fitorja e Stalinizmit.

Çfarë ndihmes do të kishte bërë Migjeni, po të kishte jetuar më gjatë? Në fund, kjo çështje mbetet hipotetike, sepse zëri i tij individualist i protestës së vërtetë sociale do ta kishte pësuar të njëjtin fat si ai i shumicës së shkrimtarëve të talentuar të viteve dyzet. Të paktën, vdekja e herët e Migjenit na e la shkrimtarin të paprekur.

Fakti se Migjeni vdiq i ri e vështirëson mundësine e një vlerësimi kritik të krijimtarisë së tij. Në përgjithësi Migjeni admirohet dhe lexohet shumë, por nuk ka mbetur pa kritik. Mjaft lexues qenë të zhgënjyer nga proza e tij, dhe gjerësia e veprimtarisë poetike të tij nuk është aq që ta shpallim poet universal. Arshi Pipa ka shprehur dyshime në çfarë masë Migjeni dinte shqip tamam: Pipa thotë kështu: “I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave, dhe pastaj i rritur në rrethana kulturore sllave, ju kthye Shqipërisë dhe gjuhës e kulturës shqiptare vetëm kur ishte i rritur. Gjuhën e shtëpisë e kishte serbokroatishten dhe në seminar mësoi rusishten. Ai s’dinte shqip mirë. Shkrimet e tij janë plot me gabime orthografike, edhe nga më të thjeshtat, dhe sintaksi i tij nuk është normal për një shqiptar.

Vërejtja mbi italishten e Italo Svevo-s është akoma më e vërtetë për shqipen e Migjenit1.” Kritikë letrarë stalinistë të Shqipërisë së pasluftës e shpallën Migjenin në mënyrë mjaft të përciptë pararojën e Realizmit Socialist me gjithë se nuk ishin në gjendje ti trajtojnë disa aspekte të jetës dhe të krijimtarisë së tij, siç janë pesimizmi i tij shopenhauerian, simpatitë të tij me Perëndimin, seksualitetin e tij, dhe elementin niçean në poemën Trajtat e mbinjeriut. Edhe pse këta kritikë e vlerësuan veprimtarinë e Migjenit si pasojën e Shqipërisë zogiste të paraçlirimit, ka dalë tepër e qartë kohët e fundit se pas dyzet e gjashtë viteve të diktaturës së proletariatit, Kangët e pakëndueme të poetit janë akoma më aktuale se kurrë.

Rrugën e modernitetit mori edhe një poet krejt tjetër. Lasgush Poradeci (1899-1987) shikohet nga disa kritikë si poeti më i madh i shekullit njëzet. Megjithatë është mjaft e vështirë ta caktojmë pozitën e tij në letërsinë shqiptare. Poradeci nuk kishte shumë gjëra të përbashkëta me shkrimtarët e tjerë të kohës: me Asdrenin, Fan Nolin, Migjenin. Lasgushi i solli letërsisë shqiptare një diçka të rrallë: një misticizëm panteist i cili krijoi një urë midis gjendjeve shpirtërore të ekzistencës tokësore dhe burimeve qiellore të energjisë krijuese.

Lasgush Poradeci ishte një prodhim eklektik i kohës dhe një paradoks në letërsinë e Evropës juglindore. Rexhep Qosja e shprehu kështu: “Lasgush Poradeci ndien si romantik, mendon si klasiçist, asht i vetmuem dhe hermetizuem shpirtnisht si simbolist dhe i kujdesshëm e fanatik ndaj formës së vargut si parnasist.” Me ngritjen e Stalinizmit në Shqipëri, penda e shquar e Lasgushit filloi të shteret. Edhe pse u lavdërua fshehtazi nga shumë kritikë, ky estet romantik kurrë nuk e gëzoi aprovimin e dogmatistëve marksistë. Ata nuk e kuptuan veprën e tij. Poeti vetë tha: “Më mirë ta thyej lapsin se sa të shkruaj si duan ata.” Fusha kryesore e veprimtarisë së poetit në periudhën socialiste ishte atëherë përkthimi letrar, ai liman i sigurtë për heretikët letrarë.

Temat kryesore të poezisë të Lasgushit janë të njohura. Ai i donte fjalët dhe shprehjet arhaike si dhe neologjizmat dhe gjuhën që buronte në poezinë popullore të Shqipërisë së Jugut. Mitrush Kuteli, i cili botoi vëllimin Ylli i zëmrës, tha: “Lasgushi është poeti shqiptar, i vetmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip3.” Por në të njëjtën kohë, Lasgush Poradeci është edhe një artist evropian. Ai bashkon sensualitetin e shprehjes së Sharl Bodler-it (1821-1867), filosofinë estetike të formës dhe elegancën e dalluar të Shtefan George-t (1868-1933), filosofinë dhe humanitetin e Naim Frashërit me pavdeksinë kosmografike të mjeshtrit të tij Mihai Eminesku-t (1850-1889). Shkencëtari Eqrem Çabej (1908-1980) fliste për poetin “të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës4.” Me gjithë se poezia e Lasgushit nuk përkthehet kollaj, Çabej mund të ketë të drejtë.

Veprimtaria e Lagushit ishte e habitshme, e mahnitëse për ato vite. Me Lasgushin, koha e nacionalizmit romantik, e ushqyer nga një mori poetësh të cilësive të ndryshme të Rilindjes Kombëtare u zhduk përfundimisht. Lasgush Poradeci vdiq në varfëri në Tiranë me 12 nëntor 1987.

 

2. Kulmi letrar i viteve 30

Brënda një periudhe prej pesë vitesh në mesin e viteve tridhjetë, u realizua një hap i madh përpara në fushën e letërsisë. Në poezinë, Lasgush Poradeci botoi përmbledhje lirike të mahnitshme: Vallja e yjve, Constancë 1933, dhe Ylli i zemrës, Bukuresht 1937; Migjeni, i sëmurë rëndë nga tuberkulozi, arriti ta dërgonte vëllimin e hollë Vargjet e lira, Tiranë 1936, në shtyp para se vepra e tij të ndalohet dhe se poeti vetë të vdesë; dhe Gjergj Fishta paraqiti versionin përfundimtar të epikës së pashoqe Lahuta e malcís, Shkodër 1937, me tridhjetë këngë. Në fushën e prozës shqiptare u botuan: romani nihilist Nga jeta në jetë – Pse!?, Korçë 1935, nga Sterjo Spasse; përmbledhja e dytë e tregimeve të Ernest Koliqit, Tregtar flamujsh, Tiranë 1935; romani i mirëpritur i kritikës sociale, Sikur t’isha djalë, Tiranë 1936, nga Haki Stërmilli; dhe vëllimi i parë i tregimeve të Mitrush Kutelit, Nete shqipëtare, Bukuresht 1938. Edhe Migjeni i botoi njëzet e katër skiza të mprehta nëpër gazetat e ndryshme brënda pesëvjeçarit 1933-1938 dhe e mbaroi dorëshkrimin e pabotuar, Novelat e qytetit të veriut, 1936. Në fushën e dramës, Etëhem Haxhiademi e mahniti publikun e kulturuar me tragjeditë klasike të cilat, edhe pse nuk ishin gjë e re nga përmbajtja, e treguan një finesë të padëgjuar dhe të paparë në skenën shqiptare

Aq shpejt sa letërsia, u zhvillua edhe zhurnalizmi, i cili që nga koha e Rilindjes, vazhdoi të luante në rol themelor në afirmimin e kulturës kombëtare. Nga moria e gazetave javore dhe mujore nacionaliste jetëshkurtra që dolën në qytete të ndryshme të Ballkanit, u zhvillua një zanat zhurnalistik me cilësi që i shërbeu përhapjes së informacionit, qoftë politik, kulturor ose letrar. Me gjithë strukturat primitive që zotëroheshin akoma në kohën e Ahmet Zogut (1895-1961), të bërë tashme Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve, shtypi u zhvillua në mënyrë liberale. Botuesit, po të kishin kujdes të mos kritikonin familjen mbretërore dhe politikën e jashtme të mbretit, mund të botonin si të donin. Cenzura ekzistoi, si në çdo diktaturë, dhe herë pas here gazeta u mbyllën, por situata kurrë nuk ishte aq e tmerrshme se sa në periudhën pas ‘çlirimit’.

Në krahasim me vendet e tjera në vitet tridhjetë dhe dyzet, relativisht pak libra u botuan në Shqipëri. Kjo ishte rezultat i mungesës së zhvillimit ekonomik si dhe i analfabetizmit të lartë. Leximi i librave mbeti argëtim për një pakicë shumë të vogël meshkujsh. Një rritje e dukshme në prodhimin letrar, bile lulëzimi i kulturës së shkruar në Shqipëri varej atëherë shumë nga revistat dhe gazetat letrare të kohës të cilat i ofruan shumë shkrimtarëve të rinj një mundësi botimi dhe përhapën vepra dhe idera në tërë vendin.

Revistat katolike të Shkodrës, si Hylli i Dritës (1930-1944) i Gjergj Fishtës, Zâni i Shna Ndout (-1944), dhe Leka (1929-1944), vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve. Për komunitetin mysliman doli në Tiranë revista Zâni i naltë (1923-1938) e cila informoi lexuesin mbi kulturën islame në Shqipëri dhe në Lindjen e Mesme.

Por kishte edhe shumë revista të mira jofetare që ndihmuan në afirmimin e kulturës së shkruar të kohës. Revista mujore liberale Minerva (1932-1936) u botua në Tiranë ndër të tjerët nga Tajar Zavalani (v. 1976), artisti Odhise Paskali (1903-1985), Nebil Çika (v. 1944) dhe Stefan Shundi (1906 – ca. 1944). Shumë prej këtyre zhurnalisteve bashkëpunuan në revistën kulturore Illyria (1934-1936) në të cilën Migjeni botoi prozën dhe poezinë e parë. Një hap i madh përpara u realizua me revistën Përpjekja Shqiptare (1936-1939) e Branko Merxhanit (v. 1976). Për përhapjen e iderave të të majtës progresiste kishte edhe revista dyjavore ABC (1936) të Petro Markos dhe Bota e Re (1936-1937) komuniste të Korçës. Më vonë dolën revista mujore Shkëndija (1940-1943) e themeluar nga Ernest Koliqi, Fryma (1944), Revista letrare (1944) dhe Kritika (1944).

Me kohë, kultura e kësaj periudhe filloi të tregonte gjurmët e polarizimit midis Lindjes dhe Perëndimit. Shqipëria ishte prekur fillimisht shumë pak nga iderat dhe idealet e Revolucionit të Tetorit në Rusi, me gjithë se një sasi e vogël figurash intelektuale e kishin vizituar Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit: Fan Noli (1882-1965), i njohur më vonë si Peshkopi i Kuq, shkrimtari Haki Stërmilli (1895-1953), poeti rebel Sejfulla Malëshova (1901-1971) dhe Tajar Zavalani. Padrejtësitë sociale në Shqipëri, të theksuara akoma më shumë nga një diktaturë gati bizantine, si dhe ngritja e Italisë fashiste mbushën mendjen e shumë intelektualëve të viteve tridhjetë që të interesoheshin për komunizmin sovjetik, ose të paktën për ndonjë lloj socializmi, për të luftuar kundër varfërisë dhe shfrytëzimit të masave fshatare. Polarizimi i ideologjive u theksua akoma më shumë me fillimin e Luftës Civile të Spanjes në vitin 1936. Shkrimtarët Petro Marko (1913-1991) dhe Skënder Luarasi (1900-1982) dhe një kontingjent shqiptarësh u nisën për në Katalonjë për ta marrë pjesë në Brigadat Ndërkombëtare. Idera socialiste zhvilloheshin në Shqipëri, por në të njëjtën kohë zhvilloheshin edhe idera fashiste.

Një figurë mjaft interesante e kulturës shqiptare të viteve tridhjetë ishte Branko Merxhani, botuesi i revistës Përpjekja Shqiptare që nga tetori i vitit 1936. Merxhani e kishte të qartë se vendi i tij ishte i pazhvilluar në çdo drejtim, edhe intelektualisht, dhe bëri thirrje për një rilindje shpirtërore të cilën ai e quajti Neoshqiptarizmi. Kjo rrymë intelektuale hyri në shoqërinë shqiptare afër vitit 1928, me gjithë se rrënjët i kishte në Rilindjen Kombëtare të shekullit nëntëmbëdhjetë. Duhej tani në Shqipërine e pavarur një identitet kombëtar, një vetëdijë shqiptare për ta nxjerrë miletin nga errësira dhe injoranca. Shqipërine e quajti një qënie e kufizuar së jashtëmi dhe e pakufishme së brëndshmi. Së bashku me shkrimtarin fashist Vangjel Koça (1900-1943), Merxhani e paraqiti Neoshqiptarizmin në vitin 1929 në gazetën gjirokastrite Demokratia dhe në vitin 1930 në revistën Neo-Shqiptarizmi

Neoshqiptarizmi e kishte për bazë nacionalizmi ideologjik. Në formën e mirëfilltë ishte një lëvizje kulturore dhe jo politike. Në fjalët e Merxhanit: “Politikë s’ka! Vetëm kulturë!” Me kohë, Neoshqiptarizmi u bë një kundërpeshë ideologjisë më të politizuar socialiste dhe internacionalizmit të majtë. Edhe pse ishte një krijim shqiptar, Neoshqiptarizmi duhet shikuar ne suazën e ideologjive nacionaliste të tjera të Evropës së viteve njëzet dhe tridhjetë: hellênikótêta greke, kryesisht nën diktaturën e gjeneralit Joanis Metaksás (1871-1941) të viteve 1936-1940, italianità italiane në kohën e Duçes italian Benito Musolini (1883-1945), dhe hispanidad në Spanjen fashiste të gjeneralit Fransisko Franko (1892-1975). Ngadalë ngadalë ato u bashkuan për të krijuar fashizmin evropian, i cili e solli një diktaturë brutale dhe panjerëzore kudo në Evropë.

Shkrimtarë shqiptarë të viteve tridhjetë u tërhoqën, u mahnitën nga Perëndimi dhe u përpoqën ta zbulojnë rolin e Shqipërisë në Evropë. Kjo ishte një temë kryesore në shtypin letrar të kohës. Një sasi e madhe intelektualësh kishin qenë jashtë vendit dhe kishin parë shoqerinë perëndimore. Duke ardhur nga vendi të cilin, sipas shprehjes së njohur, “e don Zoti sepse u ndryshua aq pak që nga koha e krijimit të botës”, ata ishin të tërhequr, por gjithashtu të çorientuar, të tmerruar me gjendjen e Shqipërisë.

Fjala Perëndim në Shqipëri kishte një kuptim disi të paqartë duke qenë se vendi perëndimor më afër Shqipërisë ishte Italia fashiste e Musolinit. Me 7 prill 1939, diskutimi intelektual mbi rolin e Shqipërisë në Evropë u bë i tepërt pasi trupa italiane pushtuan Durrësin, Vlorën dhe Shëngjinin për ta kolonizuar gjithë Shqipërinë.

Është puna e historianëve për të vlerësuar në çfarë masë përqafimi kulturor italian i Shqipërisë dhe më vonë pushtimi drejtëpërsëdrejti politik i vendit ishin një fitim ose një humbje kulturore në atë fazë të zhvillimit. Shumë shpejt erdhi një luftë botërore. Polarizimi i ideve evropiane të Lindjes së Re dhe të Perëndimit të Ri, d.m.th. të komunizmit dhe të fashizmit, solli me vete konfrontimin përfundimtar në Shqipëri, si dhe kudo tjetër në Evropë, gjatë të cilit vendi ju nënshtrua vullnetit të pamëshirëshëm të ekstremistëve politikë dhe ushtarakë, dhe gjatë të cilit shkrimtarë dhe intelektualë të të gjitha krahëve politike u detyruan të përgjunjeshin.

Nuk e teprojmë kur themi se jeta intelektuale dhe kulturore shqiptare kishte arritur një kulm nga mesi i viteve tridhjetë deri në gjysmën e parë të viteve dyzet. Për herë të parë ekzistonte në Shqipëri një letërsi moderne bashkëkohore me cilësi. Kombi shqiptar qe arritur në moshë.

Kjo periudhë, një lloj kohe e artë, solli një lulëzim, por një lulëzim tepër të shkurtër në hije të katastrofës e cila do të shfaroste gati gjithë prodhimtarinë letrare dhe kulturore për më shumë se njëzet vjet. Edhe një herë në historinë e kulturës shqiptare burbuqet e letërsisë u mblodhën. Edhe një herë rrënjët e bimës u prenë.

 

Shkodra Press

 

 

 

Liqeni i Shkodrës gëzon mbrojtje të dyfishtë në letër, nga Shqipëria dhe Mali i Zi. Por në realitet, ai vazhdon të ndotet nga të dyja vendet. Në shumë pjesë të liqenit, bimësia ka dalë mbi sipërfaqe, ndërsa peshqit po rrallohen për shkak të ndotjes së vazhdueshme nga mbetjet toksike.

Specialistët në Shkodër dhe në Podgoricë bien dakord që ndotësi më i madh i këtij liqeni është kombinati i aluminit në kryeqytetin malazez, i cili zbraz mbetjet e tij në liqenin e Shkodrës, përmes lumit Moraça. 

Profesor Mahir Hoti, specialist i gjeografisë fizike dhe mjedisit thotë se liqeni po kalon ditët e tij më të këqija. “Ka shumë faktorë për mpakjen e liqenit, por ndotja është njëri prej tyre,” thotë ai. “Dëmtimi më i madh, sidomos i peshkut, vjen nga ndotja kimike e kombinatit të aluminit në Podgoricë,” shton ai.

Në anën tjetër të kufirit, në Mal të Zi, aktivistja Jelena Morojevic e shoqatës mjedisore “Green Home” ndan të njëjtin shqetësim me profesor Hotin. “Kimikatet e kombinatit të aluminit që mbërrijnë në liqen përbëjnë një problem të madh për këtë sistem ujor. Por ka edhe shumë faktorë të tjerë ndotës, siç janë ujërat e zeza që derdhen aty nga të dyja vendet,” thotë Morojeviç.

Liqeni i Shkodrës është vlerësuar si një ndër hapësirat ujore më të mëdha në Ballkan, me një ekosistem të pasur në peshq e shpendë. Për këtë arsye, qeveria shqiptare dhe ajo malazeze e kanë shpallur atë “zonë të mbrojtur”.

Për vlerat natyrore që mbart, liqeni i Shkodrës ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e organizmave ndërkombëtare, të cilët kanë dhënë donacione për minimizimin e ndotjes. Megjithatë, një shtresë e hirtë alumini mbulon vazhdimisht sipërfaqen ujore në pjesën shqiptare të liqenit.

Ambientalistët në Mal të Zi deklarojnë se kohët e fundit, në kombinatin e aluminit janë ulur ritmet e punës, për shkak të një projekti që po aplikohet për trajtimin e mbetjeve.

Natasha Kovaçeviç, specialiste mjedisore në Mal të Zi thotë se ambientalistët kanë paralajmëruar prej vitesh rrezikun e një katastrofe ekologjike që i ndodh liqenit nga mbetjet toksike. Më në fund, sipas saj po bëhen përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi. Ajo shpjegon se protestat e tyre e kanë detyruar kompaninë të marrë një kredi 50 milionë euroshe nga Banka Botërore për trajtimin e mbetjeve të aluminit. Megjithatë, ajo i druhet mbetjeve toksike të akumuluara ndër vite, të cilat kërkojnë investim më të madh se ai që është siguruar.

Në kombinatin e aluminit, që ndodhet në afërsi të Podgoricës në Mal të Zi, dy pishinat e jashtme përbajnë 7.5 milionë ton llumëra toksike. Ambientalistët thonë se vetëm njëra prej pishinave ka një shtresë izoluese. Një pjesë e këtyre mbetjeve derdhen përmes 6 puseve të kombinatit në lumin Moraça dhe pas lundrimit për disa kilometra, ato derdhen në liqenin e Shkodrës.

Daliborka Pejovic, zyrtare e ministrisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Turizmit në Mal të Zi thotë se është detyrim i kompanisë që zotëron kombinatin, të plotësojë kushtet mjedisore dhe të mos shkaktojë ndotje të mëtejshme. Ajo shton se kreditë dhe fondet e alokuara janë të mjaftueshme për të trajtuar mbetjet toksike. “Nëse pronari nuk e bën këtë, atë shteti do t’i gjejë një zgjidhje këtij problemi,” shton Pejovic.

Por ambientalistët në Mal të Zi shprehen skeptikë se 50 milionë eurot do të mjaftojnë për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e ndotjes së liqenit të Shkodrës nga kombinati i aluminit. “Ne nuk duhet të harrojmë që deri tani, trajtimi i mbetjeve të këtij kombinati është vlerësuar se shkon deri në 100 milionë euro,” përfundon Jelena Morojevic e “Green Home”.

Marrë nga BIRN

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO