21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Gjurmët e një qytetërimi të lashtë rreth 2700 vjeçar rrezikojnë të humbasin. Kalaja e Krahtulit në fshatin Boks të Komunës Postribë në Shkodër gjatë këtyre viteve gradualisht është shkatërruar ndër vite. Gurët shekullor atje janë grabitur në kohë të ndryshme për t’u përdorur për prodhimin e mermerit. Kohët e fundit është tentuar që të nënshkruhet ose edhe mund të jetë nënshkruar edhe një kontratë nga një firmë fantazëm që sipas komunitetit të zonës ka për qëllim marrjen e gurëve të një prej qytetërimeve më të lashta. Subjekti “Il Progeto” thuhet në peticionin që banorët kanë dërguar në Ministrinë e Mjedisit ka filluar që të shfrytëzojë një sipërfaqe të konsiderueshme të kalasë së Krahtulit pa miratimin e komunitetit të zonës. Aty banorët bëjnë të ditur në peticion se kanë kaluar edhe mjete të tonazheve të rënda në rrugë që është private e banorëve sepse është lënë e lirë nga tokat e tyre bujqësore vetëm për kalimin e bagëtive. Bazuar edhe nga kërkime të realizuara nga historian të huaj janë gjetur materiale me rëndësi historike ndaj mendohet se aty mund të ketë edhe të tjera material që mund të kenë vlerë shumë të madhe ndaj nuk duhet lejuar që të shfrytëzohet për marrjen e gurëve dhe përdorimin e tyre për prodhimin e mermerit. Një studiues dhe njohës i mirë jo vetëm i kalasë së Krahtulit por edhe krejt Komunës Postribë, Riza Spahija, botues i dy librave për Postribën tregon se pikërisht gjurmët e asaj kalaje vërtetojnë se është një prej qytetërimeve më të vjetra ku ka jetuar fisi ilir i Labeatëve.

“Ky qytetërim ilir këtu është në një moshë me Vorfën dhe Shkodrën. Janë bërë gërmime arkeologjike këtu dhe janë zbuluar spatula, rrotë mullini, gurë i vjetër mullini apo edhe monedhë bronxi. Është një qytetërim 2700 vjeçar që i përket kohës së bronxit deri tek e hekurit. Në këtë vend ka jetuar fisi ilir i Labeatëve në shekullin e 7 deri të 5-të p.e.re”-shprehet Spahija.

 

Studiesi Spahija tregon edhe problemin dhe arsyen e protestës të banorëve të fshatit Boks.

“Këtu kanë filluar ta shfrytëzojnë për mermer në kohën e Partisë së Punës por e patën ndaluar në ato kohë vetëm për të mos prishur këtë vend me vlera të mëdha historike. Nëse merren këta gurë është një humbje e madhe sepse është pasuria jonë kombëtare dhe duhet ruajtur me ccdo kusht. Është një pasuri jo vetëm e Shkodrës por edhe e gjithë Shqipërisë. Është gjynah që të dëmtohet dhe të mos ruhet sepse është një pasuri që në kohën e ilirve që nuk mund të gjehet më askund”-thotë studiuesi.

Madje ka mendohet se firma që po tenton të grabis gurët shekullor sipas studiuesit po bashkëpunon me Italian.

“Kam dëgjuar se firma bashkëpunon me italian dhe e çojnë mermerin në Itali. Jam tërësisht kundër në mënyrë që të mos prishet qytetërimi ilir”-tregon Spahija.

Të irrituar janë edhe vetë banorët të cilët thonë se jo vetëm humbet një vlerë e madhe historike e arkeologjike por nëse kërkohet të merren gurët aty nga pluhuri i madh që krijohet shkaktohen probleme shëndetësore duke qenë se shtëpitë janë të afërsi të malit ku ndodhet kalaja e Krahtulit.

“Lejet i kanë nxjerrë që në Ministri. Këtu janë vetëm 3-4 vetë që punojnë dhe gjoja të lidhur me shtetin por që nuk është ashtu. Nuk është kompani se po të jetë do veprohej ndryshe dhe jo në këtë mënyrë. Janë këto 3-4 vetë që kanë blerë me para më parë gurët në Domen dhe tani kanë ardhur këtu dhe duan t’i marrin dhe ta dëmtojnë këtë vend historik por edhe shëndetin tonë. Këtu kanë më shumë levërdi sepse merren ma paguar gurët për tu përdorur për prodhimin e mermerit”-tregon një banor.

“Ne kemi probleme. Dhomën e gjumit e kam shumë pranë dhe këtu është vend i banuar ndaj është problematike nëse këtu ushtrohet ai aktivitet që mendohet. Ka probleme të mëdha edhe për shëndetin sepse krijohet pluhur i madh dhe neve nuk na ka pyetur kush për t’na marrë ndonjë mendim nëse jemi dakord apo jo qoftë për vlerat historike por edhe problemin shëndetësor që na krijohet si shkak i sasisë së pluhurave.  Ne do ta vazhdojmë ta kundërshtojmë sepse është problem dhe nuk do ta lejojmë”-shprehet një banor tjetër.

 

Legjenda për kalanë e Boksit

Banorët e fshatit Boks janë besnik deri në vdekje të asaj kalaje. Është simboli dhe krenaria e tyre. Kalaja e Krahtulit në Postribë ka edhe një legjendë që është përcjellë deri në brezat e sotëm.

Tregohet se njëherë e një kohë kur dora e plakut, prijësit të kalasë së Boksit nuk mundte më të tundte shpatën e rëndë të fisit, atëherë ai caktoi djalin e madh t’i printe fisit në luftë për mbrojtjen e kalasë së Boksit dhe gjithë territorit të Boksit. Në luftë me pushtuesin djali mbeti i vrarë. Pas kësaj beteje, shpata i kaloi djalit të dytë, tjetrit e kështu me radhë. Për fatin e keq të plakut mbetën të vrarë të nëntë djemtë e tij. Pas kësaj i gjithe fisi u ngujua në kështjellë.

Për t’i prirë fisit, me shpatën si simbol, iu ngarkua vajzës së vetme të plakut, motrës së nëntë vëllezërve të cilët të gjithë kishin rënë në luftë për mbrojtjen e vendit të tyre. Plaku urdhëroi që të ndizeshin zjarre të shumta me drurë thane dhe nga muret e kështjellës të derdhej sasi e madhe me verë. Të huajt që kishin rrethuar kështjellën pinë nga vera që derdhej nga sipër, u dehën e më pas i zuri gjumi. Sipas porosisë së plakut, në këtë moment i gjithë fisi doli nga kështjella për të luftuar me armikun të cilin e theu plotësisht duke arritur ta fitojnë betejën e ta mbrojnë kështjellën.Është një legjendë si shumë të tjera por për banorët aty kjo do të thotë shumë. Arsyet janë të shumta që në asnjë lloj mënyre nuk do lejojnë që trashëgëmia e ruajtur me gjakun e të parëve të humbas e të tretet për hiç gjë. Nëse nuk merren masat e duhura në vazhdimësi protestat do të përshkallëzohen derisa të sigurohet ruajtja dhe mbrojtja e gurëve shekullor dhe gjurmët e mureve që ekzistojnë edhe sot dhe që vërtetojnë lashtësinë e saj dhe vlerat që mbart.

Senad Nikshiqi

Shkodra Press

Ndue Ukaj /

Me nocione "moderne" në letërsi konceptohet shfaqja e një dukurie të re letrare në sistemin e vlerave, që përthyhet në stile, ne forma e trajta të shkrimit, e procedime letrare, domethënë paraqitet si shenjëzimi i një vlere letrare, më të avancuar, më të mirëfilltë në krahasim me modelet pararëndëse të shkrimit letrar artistik. Ne e konsiderojmë si nocion bazik për atë tip të letërsisë që në mënyrë autonome, ndryshe nga paraardhësija, sjell risi në diskursin letrar, në procedimin strukturor te ndërtimit dhe funksionimit të tekstit letrar.

Modernia, kështu merrë konotime duke u shenjuar edhe si shenjë e një avancimi, që shfaqet në mënyrë refuzuse ndaj tradicionalës. Duke u ikur modeleve ligjërimore, trajtat e shkrimit të tij, defamijlajrzohen (çrendomtesohet), nga letërsia e mëhershme dhe njeh diskursin e një shkalle të lartë letrare, duke futur në lojë ndërkomunikime, që na shfaqin karakterin intertekstual të teksteve të tij letrare.

Në fusha të ndryshme të artit dhe letërsisë, nocioni "moderne" mbulon përmasa të ndryshme semantike, mbase edhe estetike e stilistike, që dalin edhe në formë edhe në përmbajte autonome. Ndërsa këtu e shohim si domosdoshmëri, ngase autori i shkrimit ka sublimuar ligjësitë e artit letrar mjeshtërisht. Ndërkaq në këtë tekst shënon tipin e letërsisë që ndryshe nga parardhësja inkorporon brenda tekstit letrar elemente që deri atëherë proza jonë s'i kishte njohur, apo që i kishte vetëm ne fazën embrionale.

Në letërsi ky nocion u zhvillua nga fundi i shekullit XIX dhe fillim i shek. XX, dhe shquhej me karakteristika të shumta, që nga theksimi i individualitetit kreativ, invencioneve e deri te shfaqja e dukurive të reja, thyerja e konvencave letrare e stilistike, ndaj edhe prurja autonome e fenomeneve letrare, në forma dhe përmbajte të re letrare, ligjërimore dhe stilistike e estetike.

 

 2.

Ernest Koliqi është padyshim themeluesi dhe krijuesi më i talentuar i fillimit të modernitetit në prozën shqipe. Këtë e kanë vërejtur në forma të ndryshme shumë studiues që janë marrë më krijimtarinë e tij artistike në zhanrin e prozës (Camaj, Hamiti, Plasari, Elsie, K. Gjika, Z. Rrahmani, A. Berisha, S. Bashota, K. Rrahmani, K. M. Shala etj.)

Së këndjemi shfaqjen e modernitetit në prozën shqipe, si formacion letraro-stilistik e shohim fuqishëm të ndërlidhur me krijimtarinë e tij në prozën e të cilit mund t'i bashkohen autorët Kuteli, Konica, mbase edhe Lasgushi e Migjeni, në poezi.

Por më i vecantë, si në stil, ashtu edhe në format diskursive, së këndjemi edhe në procedimet strukturore e letrare mbetet Koliqi, i cili "kishte shije të hollë dhe një ndjesi të ngritur për artin e fjalës" (Anton N. Berisha) të cilën e inkorporoi dhe manifestoi me mjeshtri, dhe talent të fuqishëm fiksional në prozën e tij, duke rikontekstualizuar dhe rifunksionalizuar shtresime semantike, ritmike, leksikore, rrëfimtare, që njohin kodet e mëdha letrare, që nga oraliteti, deri tek letërisa e përbotshme me të cilën komunikonte autori empirik.

Prandaj, mund të thuhet se proza koliqiane i ka bërë një kthesë cilësore prozës shqipe në përgjithësi, së këndejmi e ka pasuruar atë edhe si formë shkrimi, formë letrare, mbase edhe si strukture e ndërligjshme artistike, me elemente novatore, të cilat vërehen edhe në dimensionet ideore, të shtresimit të ideve themelore që trajton ky univers e sistem letrar koliqian, në kuadër të universit të përgjithshëm të letërsisë shqiptare.

   

3.

Në kohën kur u paraqit Koliqi në letrat shqipe, proza akoma ishte zhanër i pakultivuar, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Më tepër cilësohej në përmasa të thellë moralizuese, sentimentaliste dhe didaskalike (proza e H. Stërmilli, N. Nikaj, M. Gramenos etj.), me mbipeshim të rolit të ngjarjës, e ndonjëherë edhe me imitim (jo ne kuptimin që e shohim te Aristoteli), madje ishte larg shtjellimit si strukutrë tekstore, mbase edhe si gjuhë e figurëshme e kompozicion letrar.

Për dallim, proza koliqiane duke njohur diskurset orale në jetë dhe në dijet empirike, rikontekstualizon dhe rifunksionalizon diskurs letrar original në letërsi, ku autori empirik kapërcylljet e sistemit të shkrimit letrar, i identifikon me kërkesat e fundamentit të artit letrar, artistikës gjë kjo që mund të vërehet në të gjitha nivelet e tekstit letrar, nivele këto ku litrariteti funksionon parasegjithash, ku shprehja dhe diskursi letrar nga një gjuhë e thjeshtë, shkon ka gjuha figurative.

Intencë e tipit të sistemit letrar koliqian, në aspektin e formës mbetet avancimi i procedimeve letrare në tekst, futja e ndërlikimeve të shtresuara me përimtime implicite e psikologjike, madje fabulat e thurrura me mjeshtri rrëfimtare. Ndërsa në shtresimet tematike dhe idetë themelore që trajton, në tekstet e tij shtresohet një botë e veçantë që ndërkomunikon me paramodelet në jetën e njeriut të tij, si dhe në tharrmet e shpirtit shqiptar, që i veneron tek oraliteti dhe kultura e moçme nacionale, të mitet dhe legjendat, te e tashmja kryesisht e Malësisë së Shkodrës, për të shtruar edhe shumë vizione, ide, që mund të tumirën për receptuesin, si tejët progresive, në krahasim me letërsinë shqipe të mëhershme.

Një karakteristikë e intencës së tregimeve të autorit mbetet paraqitja e dy kontrasteve të thella të botës shqiptare, përplasjet mes konservatizmit, kanunit, dhe ideve përparimtare, (Gjaku), që sejll gjenerata e re, pastaj ndeshja e dy kulturave të mëdha, Lindje e Perëndim, ndeshja e dy tipeve të te jetuarit shqipar, Urban e Rural. Këto tema aturoi i ka shtresuar me mjeshtri në shkrimin e tij letrar, si një veçanti letrare artistike, ku implikimet e autorit empirik, shenjëzojnë ide të mëdha dhe teza, të cilat shqiptohen si domosdoshmëri e kohës, e transformimeve esenciale në shpirtin shqiptar.

Për dallim nga tipi i mëhershëm i shkrimit të prozës shqipe, proza e Koliqit shënjon kapërcim të dukshëm, si në zgjërimin e gamës tematike, ashtu edhe në atë stilistiko-tekstore, letrare, duke bërë avancim si në plan të shtjellimit tekstor, si në rrafshin e shprehjes artistike, qoftë në kodifikimin e elementeve të poetikës së prozës si zhanër letrar specific, duke e ngritur në shkallë të lartë në raport me letërsitë e zhvilluara të kohës.

 

4.

Krahasuar me prozën evropiane dhe me zhvillimin e madh të saj, proza në letërsinë shqipe është paraqitur relativisht vonë dhe si e tillë eci me një tempo të ngadalshëm. Në këtë kontekst, Koliqi më të drejtë kosiderohet prozatori i parë shqiprar me prirje moderne, me vecanti shkrimi, sidomos me tregimet e tij, që prozës shqipe në përgjithësi ia dha një formë të re, një përmbajtje të re, një tematikë të rë, një stil të ri, një shprehje të re, një prirje të fuqishme novatore, fabulative, në mënyrë krejtësisht autonome, me një refuzim të linearitetit tregimor, dhe gjithnjë me tendencë për të sendërtuar dhe ralizuar një raport të ri mes kohës dhe hapësirës, në krijimin e strukturave të hapura, shtresimeve kuptimore të ndryshme sematike; nga një gjuhë që eleminon gjuhën e zakonshme drejt një gjuhe figurative, me atribute letrare, stilistike e estetike.

Si e tillë kjo prozë është ndërthurur nepërmjet dy tipareve harmonizuese: duke asimiluar eksperiencat e jashtme me eksperienca të brendëshme. Këtu eksperiencat e jashtme janë dijet e autorit empirik nga literatura botërore e nacionale, ndërsa eksperiencat e brendëshme, mishërohen përmes kulturës së moçme nacionale, miteve dhe oralitetit, ku na paraqitet shfaqja e intertekstalitetit të pastër, në funksion të përmbushjës së fiksionit letrar.

Mbase edhe trajtat diskursive na implikojnë karakterin interdiskursiv të prozës së tij, që ndërkomunikon me paramodelet diskursive në oralitet, që inkorporohen në stilin e teksteve të tij, duke u shenjuar me ndërkomunkime funksionale, në dervivimet dhe shqiptimet e autorit empirik në tekstet e prozës së tij. Kjo prozë kështu do lirohet nga narracioni linear dhe posedon procedime artistike të avancuara lertare, shpikje të reja estetike, ritimike, semantike, gjuhësore, të inkorporimit të asaj që është reale me atë fiktive, fantasike në tekstin letrar me mjeshtrin e artistit.

Ernest Koliqi është paraqitur në prozën shqipe, në kohën kur ajo ndjehej e varfër, si nga kufizimet tematike që shtjellonte, ashtu edhe për nga mënyra si ndërtohej dhe funksiononte teksti letrar; dhe kështu i jep një fuzionim të ri. Prandaj proza e tij ka kontribuar për t'u integruar në rrjedhat e prozës moderne evropiane, mbase edhe në stopimin e tipit të prozës pararendese kryesisht moralizuseo-didaskalike dhe sentimentaliste. Kështu që pa hamendje mund të konsatojmë se proza koliqiane mbetet novatore e shkëlqyer e fillimeve të modernitetit në zhanrin e prozës letrare.

Autori empirik, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me letërsitë e huja, duke u spikatur me nje dije letrare solide, duke qenë i shkollar nëpër qendra të mëdha të kultivimit të letërsisë, autenticitetin e vet, imagjinaten e bujshme krijuese, motivimin burimor shqiptar shkodran, i shkriu dhe i brumosi në një prozë të mirefilltë letrare e moderne.

 

5.

Për nga shtresat kuptimore (temat dhe motivet që shtjellon) kreacioni, përceptimi i botës dhe fenomeneve që e motivojnë, autori na jep një tekst me strukturë të ndërlikar, duke inkorporuar realitetin aktual, nevojat e domosdoshme të transoformimit të tij (te Gjaku, Diloca), legjendat, mitet, format e të treguarit oral (Nusja e mrekullueshe, Kërcimtarja e Dukagjinit), pastja shfaqjet krejt personale tek Pasqyrat e Narçizit, që janë tekste krejtësiht personale, autobiografike, ku autori kërkon shenjat e identifikimit të tij autorial, identitetin e tij, përmes shenjash e simbolesh të cilat i gjen në ambientin shqiptar, proza këto artistikisht më të realizuara të Koliqit.

Tekstet e këtyre shtatë prozave, që Koliqi dëshiron t'i quajë "poemtha në prozë", na ravijëzojnë një konfiguracion të pasur idesh, ndjesish dhe referecash, që pikëshikmin dhe paramodelin e kanë në diskursin oral, dijet empirike, por që tash të transformuar i jepen konotime dhe shtresime më të theksuara si në kërkimet nacionale, ashtu edhe në ato autoriale, me simbolikë, të ndërlidhura me problemet imediate të kohës dhe të autorit empirik karshi këtyre gjendjeve.

Tipin e prozës së Koliqit e karakterizojnë shumë elemente të fuqihsme novatore, madje në letërsinë shqipe karaktreizohet edhe për një element krejtësisht të ri, të fuqishëm dhe të panjohur deri me atëherë, që studiesi Aurel Plasari e koncepton si "tip i tregimit psikospektiv", ku siç vëren po i njëjti studiues vërehet tregimi, ku dallohet në mënyrë të ndjeshme, ndonjëherë edhe kërcitëse dimensioni i analizës psikolgjike të llojit frojdist.

Si e tillë proza kolqiane duke shtresuar relaitet të ndryshme semantike, duke e fuqizuar procedeun stilistik te vecantë, mbetet proza tregimtare më e realizuar e fillimit të modernitetit në literatrën shqiptare, ndërsa autori i tyre stilisti i madh, "eruditi" i rrëfilmit artistik, siç e cilëson studiuesi Anton Nikë Berisha. Duke sublimaur me shkathtësi të veçantë artistike, si pasurinë e folklorit, mitologjinë, dijen letrare, imagjinatën e bujshme e kreative, nga njohja e literaturës modrene, ashtu edhe talentin e botën kreativ, fuqinë e përceptimit dhe të transponimit të fenomenve të ndryshme në tekstin letrar, përmes një vetëdijë të nivelizuar artistike, ai ka hapur parashenja të sigurta, gjithnjë duke mbetur në pozicionin e të marrurit me intencën e autorit, qëllimin e lexuesit, dhe qëllimin e tekstit, siç do të shprehej Umberto Eco.

  

6.

Zhanër që e kultivon më së miri Koliqi është tregimi, novela pastaj edhe tregimi i shkurtër, që disa dëshirojnë t'iu thonë proza poetike. Ato shquhen për reflekse origjinale, të inspiruar nga tradita, e pasur dhe të ndërthuara me bashkohësinë për të marrë gjithmoë konotacione të mësimit kombëtar, apo kulturimit të gjithëmbarshëm (Sabri Hamiti) dhe gjithnjë me funksione të përmbushjës së kriterit artistik. Kundërvënia e këtyre dy botërave të kundërta mbetet risi, që vërehet kudo në tekstet e tij në prozë. Karakteristikë gjthëpërfshirëse mbetet oralja, që me njësitë e entitetit të veçantë, na shfaq karakterin intertekstual (Kujtim Rrahmani), mbase edhe do të thoshim karakterin ndërdiskursiv.

Koliqi shfrytëzon me mjeshtëri edhe burimet e letërisisë gojore, ne të gjitha nivelet e organizimit të tekstit letrar. Shumë tregime të tij ndërtohen me përplotë njësi që detyrojnë lexime intertekstuale, me modelet e tipit të prozave popullore, aty del përralla si zhanër oral, që shfaqet shumë herë brenda diskursit letrar të teksteve letrare, idiomat, frazologjia etj.

"Të lexosh dicka si letërsi është ta trajtosh atë si një ngjarje që ka kuptim në lidhje me ligjërimet tjera" (Xhonatan Keller), që për autorin tonë, rikontekstualzon dimensione të veçanta të ligjërimit të tij artistik, sepse ai ndërkomunikon me tipe të ndryshme ligjërimi, dhe na shfaq bindshëm atë që Barti i thoshte se nuk ka ligjërim të virgjër.

Tekstet koliqiane kwshtu bashkjetojne me mite, legjenda, forma të ndryshme të ligjerimit oral. Aty hasim idioma, frazeologji popullore, që shkojnë ka një tip i ndërkomunikimit më diskursin letrar të Fishtës, por që te ky zhvillohet në një trajtë tjetër shkrimi dhe me kërkesa tjera. Të gjitha këto njësi të vogla funksionalizohen në këtë prozë për të na dhënë një prozë të njëmendët artistike, si në nivel të ideve, ashtu edhe të shprehjës artisitke, të formës e kompoziconit, rrëfimit e letraritetit.

Esenciale e prozës së tij është depërtimi në ndjesitë e njeriut të kohës, në psikologjinë dhe skutat e shpirtit shqiptar në ndjesitë e tij, që i asimilon dhe sublimon për t'i transponuar me talent të fuqishëm në tekstet letrare, ndikimi i të cilit do të jetë i fuqishëm në prozën e mëvonshme në gjithë letërsinë shqiptare.

 

Shkodra Press

Kjo ditë konsiderohet si dita e apelit ndaj problemeve që lidhen me degradimin e tokës, braktisjen dhe keqpërdorimin e saj, ndotjen nga industritë kimike dhe erozionin e shkaktuar nga shpyllëzimet masive.

Themeluesi i Ditës së Tokës ishte senatori Wisconsit Gaylorg Nelson, i cili besonte se gjendja e mjedisit nuk është konsideruar një cështje e rëndësishme në politikë dhe për këtë në datën 22 Prill të vitit 1970 organizoi një lëvizje mbarë popullore.

 

Trafikantët përdorin dokumentet false për të dërguar shqiptarët e shumtë në numër drejt Shteteve të Bashkuara, përmes Amerikës Qendrore dhe Meksikës.

 

Nga Aleksandra Bogdani dhe Flamur Vezaj

Vila 3-katëshe e familjes Malaj në qytezën e Bajzës në Malësi të Madhe ka mbetur thuajse e shkretë. Pronari Palokë Malaj, baba i gjashtë fëmijëve qëndron në një dhomë të saj, bashkë me gruan dhe djalin adoleshent. Pjesa tjetër e familjes ka emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. “Detroit, New York, Florida dhe Toronto. Ja ku ndodhen të gjithë njerëzit e mi tani,” thotë Malaj. “Të gjithë ata kanë ikur ilegalisht në kërkim të një jete më të mirë,” shton ai. Malaj është fermer dhe i shpenzon ditët me kultivimin e bimëve medicinale dhe lajmet që vijnë nga Amerika. Sipas llogarive të tij, 124 nga 164 anëtarët e fisit të tij të madh ndodhen ose në Shtetet e Bashkuara ose në Kanada, mes të cilëve edhe katër vajzat e tij.

Ai ka shpenzuar rreth 80 mijë dollarë në tetë vitet e fundit për të dërguar të bijat përtej oqeanit. I ka mbetur vetëm i biri adoleshent, por edhe ai po pret me zor të ikë. “Duam që të mbarojë shkollën, por mendja i punon si e si të ikë në Amerikë,” thotë Malaj i dorëzuar.

Shumë fqinjë të Malajt gjithashtu kanë emigruar. Ata kanë kyçur shtëpitë në këtë qytezë të vogël në rrëzë të Bjeshkëve të Nëmura. “Të gjithë po ikin dhe askush nuk kthehet mbrapsht,” thotë Malaj. Emigracioni ka qenë një mënyrë jetese në këtë rajon të varfër të Veriut në kufi me Malin e Zi për më shumë se dy dekada, që prej kohës kur regjimi komunist ra dhe kufijtë e vendit u hapën.

Disa banorë, mes të cilëve edhe xhaxhai i Malajt u arratisën madje gjatë regjimit komunist, pavarësisht kërcënimit dhe reprezaljeve ndaj të afërmve që lanë pas. Megjithatë, emigracioni nga Malësia e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara ka lulëzuar gjatë viteve të fundit, i ndihmuar nga një rrjet trafikantësh që lehtësojnë kalimin përmes kufijve. Një raport i Ambasadës Amerikane në Tiranë, i dërguar Policisë së Shtetit në Janar 2014 thotë se numri i klandestinëve shqiptarë të kapur në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara u dhjetëfishua në vitin 2013, krahasuar me vitin paraardhës. Dokumentet zyrtare të siguruara nga BIRN tregojnë se numri i emigrantëve ilegalë të ndaluar në kufirin Meksikë-SHBA në 2012 ishte 56.

Në vitin 2013, kjo shifër kërceu në 487. Edhe pse shqiptarët zënë një vend të vogël në numrin e emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së çdo vit, rruga e ndjekur prej tyre përmes vendeve të Amerikës Qendrore ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane. Një raport “konfidencial” i rrjedhur në shtyp nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Doganave dhe Kufijve tregon se qindra emigrantë shqiptarë mendohet të ketë përdorur këtë rrugë për të hyrë ilegalisht në SHBA, përgjatë viteve 2009-2013. Pas raportit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një hetim për rrjetin e trafikantëve që po dërgonin emigrantët ilegalë drejt Shteteve të Bashkuara.

Përmes përgjimeve telefonike dhe infiltrimit të një agjenti në mbulim, prokurorët arritën të identifikonin itinerarin e ndjekur dhe personat që lehtësonin trafikimin e qindra shqiptarëve nga Malësia e Madhe drejt Shteteve të Bashkuara. Në Maj 2014, policia arrestoi 15 anëtarët e dyshuar të rrjetit, të cilët përdornin dokumente të falsifikuara për emigrantët ilegalë që donin të mbërrinin në SHBA. Ky rrugëtim niste nga Shqipëria dhe vazhdonte në Maqedoni, Bullgari, Austri dhe Spanjë, vende ku shqiptarët mund të lëvizin lirisht, falë marrëveshjes së lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Nga Spanja, emigrantët udhëtojnë drejt Meksikës me dokumente të falsifikuara bullgare.

Ato i kthehen rrjetit të trafikantëve, sapo klandestinët mbërrijnë në Amerikë. Dy rrugët e tjera të trafikut i dërgojnë emigrantët në Guatemalë, prej nga ata udhëtojnë për dy javë me autobus apo kamionë drejt kufirit Meksikë-SHBA. Dokumentet e hetimit të Prokurorisë tregojnë se trafikantët përdorin gjithashtu edhe stacione të tjera në Amerikën Qendrore. Në vjeshtën e vitit 2012, tre të rinj nga komuna malore e Kelmendit në Malësi të Madhe u ndaluan në aeroportin e El Salvadorit, teksa kishin në përdorim dokumente false bullgare.

Të tre ata u deportuan në Bullgari. Megjithatë, në 22 dhjetor 2012 ata ia dolën të hyjnë sërish në Shtetet e Bashkuara dhe plotësuan kërkesat për azil. Sipas dëshmive të tyre, dhënë për Departamentin e Sigurisë, në udhëtimin e dytë fluturuan nga Shqipëria drejt Bullgarisë e më pas Spanjës, prej nga shkuan në Costa Rica dhe Honduras. “Në Honduras hipëm në autobus dhe udhëtuam përqark Guatemalës, për të mbërritur në Meksikë 17 ditë pasi kishim lënë Shqipërinë,” thuhet në dëshminë e njërit prej tyre. “Kufirin Meksikë-SHBA e kaluam më këmbë”,- shtoi ai. Tre të rinjtë jetojnë në Bronx, në pritje të azilit dhe postojnë në Facebook të rejat e jetës së tyre në New York.

 

Të ardhura të majme për rrjetin e trafikantëve

Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzon shtatë persona, përfshirë edhe një shqiptar nga Maqedonia si pjesë e rrjetit që trafikoi qindra shqiptarë nga Malësia e Madhe drejt Amerikës në vitet 2012-2013. Njëri prej të akuzuarve, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se çdo emigrant u pagoi trafikantëve 25 mijë dollarë për udhëtimin. Emigrantët që udhëtuan ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2013, të cilët janë identifikuar nga autoritetet, llogaritet të kenë gjeneruar rreth 12 milionë dollarë për rrjetin e trafikut.

“Shumë nga emigrantët kanë vëllezër apo anëtarë të familjes në Amerikë. Fatura u pagua prej tyre”, thotë i akuzuari. “Me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ata punojnë fort në dy vitet e para për të kthyer borxhet,” shton ai. Skema krijon efektin domino. Pasi shlyejnë borxhin e tyre, emigrantët e rinj financojnë udhëtimet për anëtarët e tjerë të familjes, të mbetur në Shqipëri.

Në Bajzë, Palokë Malaj i tha BIRN se ai pagoi 25 mijë dollarë, menjëherë sapo e bija e telefonoi nga Kanadaja dhe i tha se kishte mbërritur shëndoshë e mirë. Prokurorët shqiptarë besojnë se përveç trafikantëve, edhe ndërmjetësuesit luajnë një rol të rëndësishëm në rrjetin e trafikimit, pasi ata japin garanci se paratë do të shlyhen, sapo emigrantët të mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara. Pavarësisht goditjes së rrjetit, i akuzuari i tha BIRN-it se trafiku ilegal nga zonat e varfra të Veriut të Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara vazhdon. “Dëshira për të emigruar është e lartë, ndaj do të gjenden gjithnjë njerëzit e duhur për ta realizuar,” thotë ai.

Palokë Malaj bie dakord, teksa thotë se pjesa më e vështirë është gjetja e parave. “Mjafton të kesh paratë dhe gjithçka është e mundur,” thotë ai. Kryetari i komunës Kastrat në Malësi të Madhe, Viktor Popaj ia hedh fajin qeverisë shqiptare për eksodin. “Njerëzit ikin, sepse nuk kanë asnjë mundësi për mbijetesë”, thotë ai. “Politikat e mbrapshta të qeverisë shqiptare po i detyrojnë ata të braktisin vendin”, shton Popaj.

 

Nju Jorku, më tolerant se Teksasi

Qendra Kërkimore Pew vlerëson se 11.2 milionë emigrantë ilegalë ishin të pranishëm në Shtetet e Bashkuara gjatë 2012-s, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Meksika apo Amerika Qendrore. Shumë prej shqiptarëve që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht kërkojnë leje qëndrimi si azilkërkues. Departamenti i Sigurisë së Shteteve të Bashkuara ka një sërë kriteresh, mbi të cilat jep azil.

Një oficer emigracioni, bord apeli apo gjykatës aprovon kërkesën për azil, nëse aplikanti i përmbush kushtet e refugjatit. Ai është “i pamundur apo pa vullnetin për t’u kthyer në vendin e tij, për shkak të persekutimit apo frikës së bazuar të persekutimit për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të caktuar apo opinionit të tij politik”.

Kur aplikanti shfaqet vullnetarisht përballë oficerit të emigracionit, pasi ka hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, ai plotëson një kërkesë pohuese për azil; në të kundërt, kur kapet nga autoritetet, ai mbush kërkesën mbrojtëse kundër deportimit. Statistikat e Zyrës së Emigracionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se përgjatë viteve 2004-2013, përfituan azil 3 782 qytetarëve shqiptarë. Nga këto kërkesa, 3 422 ishin pohuese dhe vetëm 486 mbrojtëse. Një përkthyes i Gjykatës Federale të Emigracionit, i cili foli me BIRN në kushtet e anonimitetit tha se shqiptarët synojnë të mbërrijnë në New York, para se të dorëzohen në Departamentin e Sigurisë dhe të plotësojnë kërkesat për azil.

“Ata kanë frikë nga gjyqtarët e Teksasit, ndërsa gjykatat në New York janë më tolerante ndaj kërkesave për azil”, thotë ai. Sipas përkthyesit, shumë shqiptarë nga Malësia e Madhe, e njohur si një zonë që mbështet fort partitë e djathta, përdorin kartën e persekutimit politik në kërkesat e tyre për azil. “Vrasja e vitit 2009 të kryetarit të Partisë Demokristiane të Malësisë së Madhe, Aleks Keka të siguron ende një kartë jeshile nga shoqata përtej oqeanit”, thotë ai. “Të tjerët përdorin konflikte gjyqësore ose ekstra-ligjore për të justifikuar kërkesat e azilit, shpesh duke luajtur me kodin shqiptar të hakmarrjes sy për sy përballë gjyqtarëve”, përfundon ai.

 

*Marrë nga reporter.al

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO