21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Immanuel Kant / 

 1468.Vazhdimi i historisë së gjinisë njerëzore

Ku mbështetet përftimi (krijimi, prodhimi) i gjithë kësaj përsosmërie, të cilën filozofi kiliast e beson dhe e nxit sipas mundësisë?

Në përsosmërinë e kushtetutës qytetarë (ajo do të ruhej [mbahej, qëndronte] përjetë). Vetëm aty zhvillohen të gjitha talentet, bashkimi më i madh drejt qëllimeve komunitare nëpërmjet ligjeve të jashtme dhe qëndrueshmëria më e madhe e kësaj gjendjeje nëpërmjet mënyrës më të mirë të të menduarit personal.

Liria, ligji dhe dhuna [forca].

Qytetari duhet të jetojë patjetër nën regjimin e ligjeve, të cilat i ka nxjerrë per vetveten (liria, barazia) dhe këto ligje duhet të fitojnë patjetër vendosmëri [fuqi, energji] dhe qëndrueshmëri nëpërmjet dhunës [forcës] së papërballueshme.

(Njeriu është një kafshë, që ka nevojë për mësim dhe disiplinë. 2. që përparon në gjini drejt paracaktimit të tij. 3. që në shoqëri ka nevojë për një usta [sundues, sovran]).

1.Ligj dhe liri, pa dhunë [force]: Anarki.

2.Ligj dhe dhunë [force], pa liri: Despotizëm.

a. Liri pa ligj dhe dhunë [force] kjo është gjendja e të

egërve.

b. Dhunë [force], pa liri dhe ligj: Qeverisje [drejtim, udhëheqje, sundim] barbare

Cilat janë shtysat, që natyra i përdor për të prodhuar shoqërinë qytetare? Ajo përdor xhelozinë, mosbesimin, veprimet e dhunshme, të cilat i shtrëngojnë njerëzit që t’iu nënshtrohen ligjeve dhe ta braktisin lirinë e egër. Prej këndej vjen zhvillimi i të gjitha dhuntive të mira natyrore.

(Historia e çdo populli mund të shihet si një përpjekje e natyrës per të krijuar [instaluar] një kushtetutë të përkryer qytetare. Historia e shteteve si përpjekje për të drejtën ndërkombëtare).

Shoqëria qytetare si shtet në lidhje me jashtë është deri tani ende në gjendjen e natyrës së egër: liri dhe dhunë [force], pa ligj.

Natyra vepron këtu pikërisht që ta shtyjë drejt një lidhje [federate] të popujve. Vetëm nëpërmjet paqes së përgjithshme (varrezë kishe) mund ta fitojë përsosmërinë e saj edhe brendësia e kushtetutës qytetare.

Me cilin rregull duhet të ecë ky perfeksionim?

Metoda e një shkrimi kozmopolit të historisë.

Karakteri i njerëzimit konsiston në dhuntinë e zhvillimit të përsosmërisë nëpërmjet lirisë me anë të shtysave të shtazërisë që i kundërvihen njëra tjetrës që nga minimumi i zhdërvjelltësisë natyrore.

(Raca njerëzore e arrin lumturinë në tërësi veçse në gjendjen e egërsisë (në formë negative); por predestinimi [paracaktimi hyjnor] gjithashtu nuk e ka pajisur njeriun për këtë gjë, përkundrazi e ka pajisur që të bëhet i denjë për lumturinë).

1499.(Çdo kafshë e arrin paracaktimin e saj veç e veç. Tek njeriu gjinia e arrin paracaktimin e saj si krijesë e arsyeshme vetëm pas një serie ngjizjesh. Zhvillim fundor i të gjitha dhuntive, si i talenteve ashtu dhe i mënyrës së të menduarit. Fillimi: barazi fizike; fundi: barazi morale dhe unitet i shoqërisë.

Shumë popuj nuk përparojnë dot vetë më tej. Groenlandasit. Aziatikët. Kjo duhet të vijë patjetër nga Evropa. Amerikanët të shfarosur. Përparimi që nga grekët).

(Çdo krijesë ka paracaktimin e vet dhe e arrin atë). (Historia e njerëzimit është e ndryshme nga ajo e njerëzve. Njerëzimi fiton ose humbet).

Paracaktimi per njeriun (e veçantë): 1. Duke mbajtur parasysh shtazërinë; 2. Duke mbajtur parasysh njerëzimin (e racës njerëzore).

Lidhur me sojin si kafshë nuk është presupozuar se ai mund të qeveriset nga arsyeja; duke mbajtur parasysh njerëzimin, d.m.th. përsosmërinë sipas ligjeve të arsyes, shtazëria i është dorëzuar tërësisht arsyes.

Njeriu është një kafshë, që ka nevojë dhe që është i aftë për një disiplinë nëpërmjet arsyes. Një njeri i palatuar [pagdhendur] është: ai që nuk ka marrë asnjë disiplinë, një njeri i lig: ai që nuk e pranon disiplinën e arsyes.

Paracaktimi duke mbajtur parasysh shtazërisë është shumëzimi dhe përhapja, sepse njeriu ishte paracaktuar për çdo zonë të botes. Paracaktimi duke mbajtur parasysh njerëzimin: zhvillimi i të gjitha talenteve, shfrytëzimi i të gjithë natyrës dhe respekti më i madh për përputhjen [harmonizimin] dhe rregullat.

(Domosdoshmëria e shtrëngimit qytetar nëpërmjet të ligës së njerëzve. Mosbesimi kundrejt njëri tjetrit e bën të mundur (dhe të vijueshëm) shtrëngimin shtetëror [zyrtar]. (Veprimtaria e dhunshme e bën të domosdoshme shtrëngimin qytetar). Shtrëngimi shoqëror. Shtrëngimi i ndërgjegjshmërisë: moral. (Efekti kryesor i gjendjes qytetare është shtrëngimi për veprimtari)).

(Njeriu është një kafshë, që e ka të domosdoshme udhëzimin (kulturën), edukimin e rreptë [disiplinimin], një usta dhe një moral.

Mosha e fëmijërisë, e djaloshit, e burrit. Rusoi: për gjendjen natyrore.

(mos është e domosdoshme që të rikthehemi në pyje? Njeriu natyral është nga ana fizike më i përsosur (si kafshë, gjithashtu më i lumtur, më i lire); por njeriu qytetar është me moral lidhur me njerëzimin. Barra dhe mjerimi).

(njeriu është në përparim drejt përsosmërisë, e cila vjen [rrjedh] nga e tëra drejt çdo pjese).

Shkencat nuk janë për paracaktimin e njerëzve të veçantë, por të racës njerëzore, për ta përsosur këtë dhe për të përmirësuar të keqen, që po shtohet nëpërmjet luksit.

(Sipas Rusoit paracaktimi natyror në lidhje me shtazërinë hahet [grindet] me atë në lidhje me njerëzinë; prej këndej vjen gjithë e liga).

Synimi i predestinimit [paracaktimit hyjnor] ishte vërtet që të krijoheshin popuj, por ata nuk duhej të shkriheshin njëri me tjetrin. Prej këndej vjen krenaria kombëtare, urrejtja kombëtare dhe xhelozia patriotike. Pamundësia për t’i mbajtur [ruajtur] gjatë shtetet e mëdhenj.

Çifutët dhe turqit nga krenaria fetare. Indianët nga obligimi fetar. Francezët dhe spanjollët nga karakteri dhe doket. Ky është një mekanizëm që mbështetet tek instinkti dhe të cilin duhet ta zbusë patjetër arsyeja. Luftërat.

Përsosmëria e fundit: Lidhja [federata] e popujve. (Organi shtetëror. Njeriu i veçuar humbet, por fiton si gjymtyrë e të tërës, dhe është tani në përparim drejt përsosmërisë).

Shtrëngimi shtetëror [zyrtar] zhvillon talentet (dhe virtytet) dhe përsos zakonet [moralin], prej nga buron një shtrëngim i dytë i mirësjelljes (estetikisht) (zakonet). Paracaktimi i tretë i njeriut është se buron një shtrëngim i moralshëm (i jashtëm) nëpërmjet opinionit të pastruar të të tjerëve për nderin e vërtetë, kur pa ndershmëri nuk mund të fitohet asnjë post, asnjë femër, bile asnjë marrëdhënie [shoqëri]. Edukim i mirë dhe nocione të sakta të klerit. Është vetëm e domosdoshme që të shumohet zakoni për t’i shfaqur publikisht respekt [nderim] vetëm virtytit, p.sh. predikuesit. Nuk ka nevojë që të bëhet më e mirë zemra, përkundrazi sentimenti [ndjenja]. Udhëheqja [autoritetet] nuk pyet për virtytin. Gjykimi lidhur me këtë gjë është në duart e publici. Mund ta heqësh respektin [nderimin] per dike, pa e ofenduar atë. Ne e drejtojmë me kënaqësi njeri tjetrin. Moraliteti është tani i izoluar. Pemët kanë nevojë për njëra tjetrën, pikërisht që të rriten. Më i miri është shtrëngimi nëpërmjet ndërgjegjes.

Gjendjet e ndërmjetme.

Prej ku do të fillojë përmirësimi. 1. Lidhja [federata] e popujve. 2. Kontrata sociale. 3. Edukimi.

Deri në ç’shkallë duhet të jetë mekanik edukimi. Disiplina. Kultura.

Unë besoj fort se duhet të zhvillohet ende të gjitha embrionet e të mirës. Ato ndodhen tek ne; njeriu ishte krijuar para tërësisë shoqërore. Kjo duhet të fitojë së pari përsosmërinë më të madhe dhe brenda saj çdo individ. Madje si e tillë përsosmëria zgjat gjithmonë.

Le të ketë qenë çfarë të dojë gjendja e parë e njerëzve, rregulli i natyrës e mbart tani me vete që e mira të burojë nga e liga ose për ta thënë më saktë që forca shtytëse, e cila i shtrëngon që të zhvillohen embrionet e fshehura të së mirës, ndodhet tek e liga dhe se pa shtysën e të ligës ato do të mbeteshin përgjithmonë të fshehura. Kështu qëndron puna me njerëzit si një lloj kafshe.

1. E veçanta e njerëzimit është se (njeriu ka nevojë për edukim) njerëzimi duhet t’i shpikë [gjejë] vetë të gjitha të mirat dhe se duhet t’i sigurojë vetë nëpërmjet lirisë (mangësi e instinkteve artistike)

2.Se njeriu është bërë për të jetuar në shoqëri dhe se formohet [arsimohet, zhvillohet]

3.Se i tërë lloji përparon drejt përsosmërisë.

4.Se njeriu nga foshnjëria e çdo forme ecën drejt rritjes [pjekurisë]

5.Zhvillim fundor i të gjitha dhuntive natyrore. Pakënaqësi me vetveten: Ideali.

 

 

Pjesë nga libri “Ese në filozofinë historike dhe politike”, përzgjodhi dhe përktheu nga origjinali gjermanisht Gaqo Karakashi, botimet “Fan Noli”

Shkodra Press

Dikush, dikur, kishte arsyet e tij të thoshte se: "ujku qimen e ndërron por zakonin se harron". Thonë se ishte një plak që e tha këtë. Jo se të tjerët nuk mund të thonë diçka të tillë, por vetem një plaku mund ti kishte aq peshë fjala. Gjithashtu, thonë se plaku ishte çoban, sepse vetem një çoban mund të njihte ujkun, qimen dhe zakonin e tij. Ditët shkuan, plaku vdiq e u harrua por shprehja e tij jetoi. Ajo kaloi gojë më gojë dhe u bë e lashtë. Duke qënë se askush nuk e dinte me saktësi autorin, u tha se shprehjen e kish thënë populli. Dhe duke qënë se populli e besonte veten, ai, vendosi të merrte masa për të reduktuar pasojat e zakonit të ujkut. Ndërtuan stane për kopetë e tyre, në të cilat sterviten qen për të trembur ujkun.Por, përsëri, ujku me gjithë zakonin e tij, sa herë shfaqej bënte kerdinë. Sidomos kur kishte mjegull dhe çobanët nuk mund ti shihnin kopetë. Dhe çobanët që e jetuan këtë gjë, thanë një shprehje tjeter që edhe ajo u bë e lashtë: "ujku mjergull don". Dhe kështu vazhdoi lufta e njeriut me ujkun. Dhe meqënëse ujku vazhdonte të ishte i rrezikshëm dhe nuk e ndryshonte as zakonin as qimen, fshatarët vendosen të barktisnin fshatin, të bindur se ujku do t'i linte rehat. Iu drejtuan qytetit, dhe duke ditur se ujku vinte nga pylli, prenë të gjitha pemët dhe hollën beton mbi rrënjët e tyrë. Meqënese ujku donte mjegull ata ndriçuan qyteti, madje e bënë edhe të zhurmshëm që ujku të trëmbej. Dhe kështu qyteti u bë aq i lakmuar, sa nuk mbeti më njeri në fshat. Duke qënë se iken njerëzit , nga fshati ikën edhe tufat e bagëtive, prandaj as ujku skishte çtë bënte më në fshat. Ndaj mori edhe ai drejtimin nga qyteti. Rrugës vendosi të ndryshonte pamjen e tij në mënyre që të mos njihej. Diku preu thonjtë, diku gjeti ca lecka, diku preu qimet, diku i krehi ato dhe kështu mori një pamje të re. Avash- avash u përshtat me qytetin pastaj filloi të njihej nëper qytet. Duke pështyrë dhe duke lëpirë, ujku filloi të fitonte pushtet. Pushteti e joshi aq shumë ujkun, sa nuk kishte të ngopur me të! Pa u ndierë dhe pa u kuptuar, ujku e gjeti veten mes pushtetit dhe parasë. Tashmë ujku nuk kishte zakon të sulmonte kopetë e pambrojtura por dhjamosej nga djersa dhe mundi i njerëzve të pambrojtur. Tani ai nuk pinte më gjakun e qingjave dhe kecave por u pinte gjakun atyre që mundej, u grinte mishin dhe luante me kockat e tyre. Tani ujku nuk u trembej më të lehurave, sepse lehte më shumë se të çdo qen. As për mjegull nuk kishte nevojë. Ku ka mjegull më të madhe se padija dhe injoranca?! Tani nuk i duhej të vraponte si dikur nëper male e fusha për të rrobitur ndonjë dele sa për të mbijetuar, joo. Tani ishte dhjamosur teper sepse delet i vinin në zyrë. Ujku nuk hante si dikur që shqyente me thonjë e bluant me dhembë, tani hane me thikë e pirun, madje edhe në vendet më luksoze. As në shpellë nuk jetonte më, kishte një alamet banesë që të merreshin sytë vetem ta shikoje. Tani, ujku, aq shumë e kishte ndryshuar qimen sa herë dukej dele e herë të tjera dukej dukej qingj por zakonin për të përlarë e për të zhvatur ç'ti dilte përpara se kishte harruar. E si mund të harrohet instinkti që ke në gjak ?! Për habinë e ujkut, zakoni me të cilin mburrej nuk ishte më vetem i tij. Ujku haste gjithandej dykëmbësha me qime njeriu që i kishin vjedhur zakonin. Dikush e kuptoi se ujku kishte ndryshuar qimen dhe ishte bërë njeri por nuk foli sepse s'kishte kujt t'i tregonte, sepse atë mund ta quanin të çmendur. Por gjithsesi nuk heshti, shkruajti përralla për ujku që fliste, që lyente këmbën në miell për tu dukur si mama dhia apo për ujkun që sulmontë të pafuqishmit dhe të pambrojturit siç ishte kësulkuqja. Pastaj dikush tjeter që ishte

rritur me këto përralla, gërmoi nëper libra dhe gjeti një shprehje të lashtë sa vetë jeta:"njeriu për njeriun është ujk". Dikush tjeter realizoi një film me disa pjesë për njeriun që bëhej ujk dhe për ujkun që bëhej njeri. Dhe tani që njeriu për njeriun nuk është vetem ujk por ështe dhelper, edhe skifter edhe gjarpër, edhe kuçedër, pyes veten për cilin ujk e kishte fjalen ai çobani plak?!

 

Behar Jacaj

Shkodra Press

Dorjana Bezat  /  

Ata janë dy maturantë shkodranë, të cilët i mban bashkë pasioni për shkencën dhe ëndrra që në një të ardhme të bëhen mjekë. 18 vjeçarët Sheri Tuzi dhe Drini Draçini u shpallë fitues të një konkursi mes kolegjeve turke në Shqipëri. Ata prezantuan një projekt i cili mund të implementohet lehtësisht në infrastrukturën e qytetit dhe nëpërmjet reaksioneve kimike mund të ulë smogun. Ky konkurs organizohet çdo vit nga disa kolegje private. Ky ishte edicioni i tetë. “Dëshira për të thelluar informacionet tona në shkence si dhe dëshira për të bërë diçka më të mirë për ambientin ku jetojmë ishte ajo që na frymëzoi të bëheshim pjesë. Gjithashtu vendosem ta bënim projektin bashkë sepse menduam se do të ishte një kombinim i suksesshëm”, tregojnë ata. Projektet u vlerësuan në dy stade nga një juri profesioniste. Të gjithë pjesëtarët e jurisë ishin profesorë dhe pedagogë në kolegjet turke, universitetin e Tiranes, Shkodrës dhe një universiteti privat . Të gjithë anëtarët ishin persona që kishin lidhje me shkencën dhe përkatësisht kiminë, me të cilën kishe më së shumti lidhje projekti i prezantuar nga të rinjtë shkodranë. “Ne kishim si synim të jepnim një mundësi efikase për pastrimin e ajrit nëpërmjet reduktimit të niveleve te smogut, një problem madhor i ditëve të sotme. Në projekt ne kemi paraqitur zhvillimin e disa reaksioneve kimike, nëpërmjet të cilave realizohet konvertimi i oksideve të azotit dhe karbonit, që janë faktorët kryesorë të ndotjes dhe përbërës të rrezikshëm të smogut, në substanca krejtësisht të padëmshme për mjedisin. Kjo realizohet duke përdorur dioksidin e titanit (TiO2) si element përbërës i materialeve të ndryshme: asfaltit, çimentos, tullave apo edhe si spërkatës. Qëllimi ishte që kjo zgjidhje të mos ishte shumë e kushtueshme dhe të ishte e aplikueshme në jetën e përditshme”, u shprehën ata. Sipas tyre aplikimi i këtij projekti është mjaft i thjeshtë. Nuk duhet asgjë tjetër përveç se inkorporimit të TiO2 (dyoksidit të titanit) në bojën, asfaltin, çimenton apo çfarëdo që të jetë duke u përdorur. Gjithë masës së asaj çfarë përpunohet i shtohet dioksidi i titanit si 5 për qind e masës. Më pak fjalë nëse kemi 100 kilogram çimento apo asfalt, 5 kilogram shtohen si TiO2. Ata shpjegojnë se i gjithë procesi realizohet në bazë të vetive fotokatilitike të TiO2, pra veti të cilat i mundësojnë të veprojë si katalist për reaksione të caktuara kur ekspozohet ndaj dritës së diellit. Këto veti e bëjnë të mundur shpërbërjen e smogun dhe mikroorganizmave të dëmshme. “Vlerësimin në pikë saktësisht nuk e dimë, por mund të themi se piket dhe vlerësimet kanë qenë shumë të mira përderisa në kategorinë e shkencës, ku ishin pjesëmarrëse 130 projekte, ne ishim grupi me piket maksimale”, tregon Sheri Tuzi. “Nga reagimet e jurisë arritëm të kuptonim se prezantimi luajti një rol mjaft të rëndësishëm. Përveç tij, u vlerësua shumë edhe aplikueshmëria dhe prakticiteti. Sigurisht, mbi të gjitha ishte potenciali i këtij projekti për të kontribuar në pakësimin e ndotjes në qytetet ku do të aplikohet dhe rrjedhimisht për të përmirësuat jetën e përditshme të njerëzve. Fakti që smogu është një problem aktual e bëri projektin tonë të veçohet prej të tjerëve, duke qenë se ne po ofronim një zgjidhje konkrete”, vazhdoi Drini.

Ideja

Vetitë fotokatilitike të TiO2 janë provuar në disa kërkime eksperimentale në Amerikë. Por këto kërkime nuk janë zhvilluar në këtë prizëm që propozojnë të rinjtë shkodranë. Këto kërkime kanë propozuar përdorimin e TiO2 si komponent të tullave apo tjegullave, dhe jo implementimin e tij gjerësisht në infrastrukturën e qytetit, siç propozojmë Sheri dhe Drini, pra në asfaltin e rrugëve dhe në sipërfaqet e jashtme të ndërtesave. Madje, duke u bazuar në eksperimentet dhe matjet që zhvilluan, ata arritën në konkluzionin se përdorimi i tij në shkallë të gjerë nuk është i kushtueshëm në raport me përfitimet që sjell për jetën në qytet. “Është edhe vetë kohëzgjatja që ka përfshirja e TiO2 në asfalt apo çimento ajo që e bën shumë të leverdishme përdorimin e tij. Dioksidi i titanit mund të durojë deri në 10 vite pa patur nevojë të riaplikohet”, u shprehën ata.

Shkodranët në konkursin e shkencës në SHBA

Projekti i propozuar nga dy gjimnazistët shkodranë në konkursin e shkencës të prezantuar në Tiranë u vlerësua si më i miri për impaktin që sillte në jetën e qytetit dhe në aplikueshmërinë e tij. Kjo medalje nuk ishte përfitimi i vetëm që dy të rinjtë e talentuar morën. Ata do të kenë mundësinë ta prezantojnë veten mes 70 shteteve të tjera në një konkurs ndërkombëtar që do të mbahet në Teksas, ShBA në maj të këtij viti. “Çmimi ose shpërblimi më emocionues nuk ishte thjesht medalja e arit që në morëm, por e drejta për ta përfaqësuar Shqipërinë në konkursin ISËSEEEP që zhvillohet në Texas, ShBA. Në këtë konkurs do të marrin pjesë rreth 70 shtete ndër të cilat bën pjesë edhe Shqipëria. Është vërtet një ndër dhe privilegj fakti që në jemi të përzgjedhurit e këtij viti. Normalisht që për ta prezantuar veten, shkollën dhe vendin sa më mirë do të punojmë akoma më shumë me projektin dhe do ta përmirësojmë deri në detaj, pasi gjithmonë ka vend për përmirësim. Konkurrenca atje do të jetë e fortë sigurisht, por kjo gjë nuk na ndalon që të synojmë për një medalje edhe në ShBA”, u shprehën ata.Konkursi do të mbahet më 7 deri më 11 maj kështu që dy të rinjtë do të kenë kohë që të punojmë me projektin për ta përmirësuar atë. “Unë dhe Drini kemi rreth 4 vite që njihemi. Megjithëse nuk jemi në një klasë, disa lëndë i bëjmë bashkë dhe kështu me kalimin e kohës vumë re se kishim shumë pasione të përbashkëta, sidomos kur behej fjalë për shkencën dhe dëshirën për të studiuar mjekësi. Që në qershor të vitit të kaluar ne vendosem të realizonim një projekt së bashku, edhe pse nuk kishim gjetur një temë akoma. Menduam se do të ishim një skuadër mjaft e fortë me dëshirën dhe pasionin që na ndjekin gjithmonë”, tregon Sheri.

Drini dhe Sheri tregojnë se puna për këtë projekt ka nisur rreth tre muaj më parë. Megjithatë, javët e fundit ishin më intensive, pasi gjatë këtyre javëve përfunduam eksperimentin dhe kryem të gjitha llogaritjet. Pra, pjesa kryesore e projektit u zhvillua afërsisht në tri javët e fundit. E gjithë ideja e këtij projekti është që të mos mbetet thjesht një eksperiment dhe projekt i bërë në teori, por një projekt i aplikueshëm edhe në jetën e përditshme jashtë laboratorit. Pse jo një ditë këtë projekt ta ndërmarrin edhe bashkitë e qyteteve të ndryshme në Shqipëri. “Miqtë na kanë suportuar që në fillim, sapo e kanë marrë vesh temën e projektit. Pas fitores normalisht që janë entuziasmuar nga suksesi jonë dhe na kanë përgëzuar për fitoren. Edhe ne u ndjemë shumë mirë nga gjithë kjo atmosferë. Është gjithmonë mirë të kesh mbështetjen e shokëve për nisma të tilla”, tregojnë ata. Prindërit kanë qenë gjithmonë mbështetja më e madhe e tyre si për t’i ndihmuar ashtu edhe për t’iu mështetur ëndrrat, ku kryeson ajo e të bërit mjek. “Është vetë kënaqësia që të jep profesioni duke ndihmuar njerëz, si dhe pafundësia e të mësuarit për njeriun dhe trupin e tij gjatë gjithë jetës ajo e cila na beri të ëndërrojmë mjekësinë një ditë”, tregojnë ata.

Krenarë për ta!

Shkodra Press

Ndonjërit mund t’i duket çudi kur dëgjon nga ndonjë i moshuar, se deri në vitet ’20 të shekullit XX, udhëtimi për në Tiranë ose deri në Durrës zgjaste tre ditë, e po aq edhe kthimi.

Krushqit nga Shkodra që do të merrnin nuse në Tiranë ose në Durrës duhet të niseshin nga Shkodra që të hënën, për t’u kthyer me nuse të dielen.

Kjo sepse udhëtimi bëhej me karroca me rrota druri të veshura me një fletë hekuri në perimetrin e saj, e cila mbërthehej me disa gozhda me kokë aq të madhe, saqë edhe po të ecje me to në asfalt krijonte tronditje shumë të vazhdueshme. Rrugët ishin të pashtruara dhe me shumë pluhur ose baltë, sipas kohës. Udhëtarët detyroheshin të flinin dy netë në vajtje e dy netë në kthim nëpër hane që ishin rrugës. Ky udhëtim kaq i vështirë, ndoshta ka qenë edhe arsyeja që shkodranët nuk jepnin e as nuk merrnin nuse, siç thuhej në atë kohë “jashtë Urës së Bahçallekut”, veçse brenda në Shkodër ose këtu përrreth. Bile thuhej se vajzat e mira nuk i lejonin me dalë (pra të martoheshin) as prej lagjes së tyre, sepse ata i kërkonin për nuse vetë djemtë e lagjes.

Edhe Brenda qytetit e në periferi të tij udhëtimi kryhej me karroca e qerre, kurse në fshatra edhe me kuaj, mushka, e gomar, sipas mundësive ekonomike, shpeshherë edhe në këmbë, në distanca të gjata, bile edhe me ngarkesë në shpinë.

Ka ndonjë të dhënë se që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar familjet e pasura shkodrane i kanë marrë nuset me një lloj karroce të mbylur, e ngjashme kjo lloj karroce me “Pajtonin” e mëvonshëm. Realisht karrocat e mbyllura filluan të përdoreshin në shkodër në fillim shekullim XX. Thuhet se të parët që sollën karrocat e mbyllura në Shkodër ishin familja e pasur Dragusha dhe tregtari i njohur Shan Nika. Pas tyre tregtarë të ndryshëm sollën nga jashtë karroca të mbyllura, për nevoja familjare dhe për t’i lëshuar me qera, pra për të nxjerrë fitime. Karrocat e vogla me dy rrota të quajtura “Kaloshin” përdoreshin kryesisht nga tregtarë për të shkuar në pazar (Pazari i Vjetër). Karrocat me katër rrota, që transportonin katër deri në gjashtë vetë përdoreshin kryesisht për të transportuar pasagjerë. Qendra e karrocave ishte Parruca. Pas Luftës së Parë Botëeore, austriakët sollën një automobile për nevojat e administratës së tyre në Shkodër. “Karroca pa kuaj”, siç e quajtën atëherë, i çuditi aq shumë banorët, saqë kush kishte ndodhur aty në momentin e ardhjes e kishte shoqëruar makinën deri në postobllok, ndërsa të tjerët kishin shkuar ta vizitonin makinën si një object muzeal.

Në fillim të viteve ’20 të shekullit XX, një ish emigrant në Amerikë, solli një automobile që e përdori për transport pasagjerësh në linjën Shkodër – Shëngjin e anasjelltas. Ndërsa në vitet ’30 numri i makinave u rrit gjithnjë si: autovetura, autobuza, kamionçina e kamionë.

Në Shkdrën e para çlirimit ka patur edhe një fushë primitive aviacioni në Shtoj ka janë nisur aeroplanë për në Tiranë, Korçë, Kukës etj..

Transporti me Krajën, Vraninën, Rjekën Cernoviç, Zogajn, Shirokën etj, është kryer me lundra me rrema, me vela e motor. Në mbyllje mund të shtoj se në Shkodër kanë qenë disa gra të veja me fëmijë jetim, këto gra ngaqë punonin punë nga më të rendomtat për të mbajtur familjet e tyre, i quanin “hamallica”. Këto gra shoqëronin nga njëra lagje në tjetrën, pra nga shtëpia e burrit tek shtëpia e babës dhe anasjelltas gratë shkodrane duke ia mbajtur fëmijën në krahë dhe bohçen e teshave, ose mbanin plaçka të ndryshme nga pazari në qytet dhe anasjelltas. Megjithëse ishin të varfra ata ishin mjaft besnike dhe korrekte, shumica e tyre ishin fsharare.

 

 

Gazeta “Jeta e Re”, Dhjetor 1989

Agim Parruca , Shkodra Bastioni i Qyteterimit Shqiptar

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO