21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Pavarëshisht nga shtresa e gjendja ekonomike, thuajse të gjitha banesat shkodrane kishin pusin e vet, që ishe një ndër elementët më karakteristike e të domosdoshëm të shtëpive. Ka pasur raste kur për arsye vendi e pozicioni, apo për arsye higjenike, pusi i njërës familje përdorej edhe nga famije tjera, por gjithnjë i ndarë me avlli, e cila harkohej mbi grykën e pusit sa të mos pengonte kovën, por gjithnjë pa pasur mundësi për të parë në oborrin e fqinji, që mbush në të njëjtin pus. Zakonisht hapeshin 2-3 gropa, në pozicionetë ndryshme për pus dhe sipas shitjes zgjidhej pusi më i mirë, pasi për analiza as nuk bëhej fjalë në kushtet e regjimeve të kaluara. Pëlqeheshin puset në formacion zallishtë. Të tilla kishte në lagjen Rus (“Partizani”) që kishin ujë të pastër dhe të ftohtë, aq sa ka mbetur shprehja “Ujë Rusi”. Gropat hapeshin zakonisht në fund të verës ose në fillim të vjeshtës kur niveli I ujrave nëntoksorë ishtë mjaft i ulët. Gropat visheshin me mur guri, duke filluar që në nivelin e ujit e deri rrafsh me tokën e mandej vendosej gryka e gatshme ose në shumicen e rasteve muri ngrihej në lartësinë e belit të një burri dhe sipër vendoseshin gurë të harkuar 2 ose 3 copash. Ka patur raste 5-6 familje ose e gjithë rrugica mbushte ujë në një pus të përbashkët, të paktën për të pirë ujë.

Edhe gryka e pusit, të cilën çdo familje mundohej ta bëntë sa më të bukur, “flet” për shijet, por edhe për nivelin ekonomik të familjes. Ka pasur raste që tregtarë të ndryshëm ë porositnin grykën e pusit jasht shtetit, zakonisht në Venedik. Ata ishin gurë një copë me zbukurime dhe forma të ndryshme. Në grykat e pusit gdhendeshin motive të bukura pagane, kryesisht nga flora dhe fauna, që shprehnin nevojat e kafshëve e të bimëve për ujë. Edhe nusja kur vinte në shtëpi, ndër veprimet e para, me forcën e një riti, bënte pikërisht mbushjen e ujit të ftohtë tek pusi, një gotë nga I cili ia jepte burri i saj. Këto shprehin nderimin e veçantë që kishte populli për ujin, si një element të domosdoshëm për jetën. Me porosi bëhej shpesh edhe çikriku.

Përveç puseve nëpër shtëpi, në qytet kishte edhe puse të përbashkëta ku mbushnin ujë kalimtarët. Në Pazarin e Vjetër ka pasur pesë puse të tillë si dhe nga një pus në çdo furrë e në çdo han. Puse të tilla ka pasur edhe në kryqëzime rrugës, në sheshe edhe në qytet, siç ka qenë pusi i Sali Agës (në lulishten e Kafe Rrumbullak, përballë Kafes së Madhe). Ky pus u çel 180 vjet më parë nga Sali Agë Parrua ose Sali Sirdari sipas profesionit qe kishte, kollukçibash (komandant) i Shkodrës. E çeli këtë pus me qëllim që “t’i falte shëndet cilido që shuante etjen në atë pus”. Në gurin e grykës së pusit sipas Geg Marubit ishte shkruar emri i tij dhe viti i çeljes.

Më vonë u vendosën truma: si truma e Dugajve të Reja, truma e Zdrales etj..

Puse uji të pijshëm të përbashkët kishte edhe në fshatra si në fshatrat si në Gruemirë, Posrribë (“Pusi i Zanave”), në Bajze “Shpella e Frashnit”. Quhej kështu se në të vërtetë ishte shpellë në thellësi në formë pusi dhe se dikur ishte një frashër shumë i madh, ku njerëzit prisnin rradhen nën hijen e tij. Rreth 110-120 vjet më parë shpellës iu ndërtua një mus rrethues në formë gruke pusi, mbi të cilën u vendos një gur një cope me diametër të jashtëm 160 cm e diametër të brendshëm 100 cm. Mijra metra litar që janë fërkuar me gur, i kanë hapur atij 114 vija me thellësi të ndryshme, deri në 10 cm. Një pus i përbashkët ishte edhe Pusi i Fatimes në Trush.

Më vonë vende – vende puset filluan të zëvendësohet me truma të blera kryesisht në Itali. Nga vitet ’30 të shekullit tonë me instalimet e motorave elektrikë, disa familje filluan të vendosin motorina të vogla familjare që nxirrnin ujin nga pusi.

Pas çlirimit në vitet ’50 filloi ndërtimi i ujësjellësit të qytetit e që shpejt u shtri në të gjithë qytetin. Por, puset populli i ruajti përsëri e shpesh përdoreshin në vend të frigoriferit, duke varur afër sipërfaqes së tij sende ushqimore.

Puset kanë vendin e vet. Një punë mjaft të mirë për rregullimin e pastrimin e tyre po bën ndërmarrja e elektroujësjellësit. Por kjo punë duhët të vazhdojë në çdo rrugë e rrugicë ku kanë mbetur puse, pasi shumë prej tyre me planin rrethues të qytetit janë prishur. Vendet ku ishin këto puse janë kthyer në pika referimi për ato vende ku ishin.

Agim Parruca,

Shkodra Bastioni i Qyteterimit Shqiptar

Shkodra Press

 

 

 

Në përgjithsi, banesa karakteristike shkodrane, është ndërtesë e madhe dykatëshe, me çati shumë të dalur, me funksion për ta mbrojtur banesën nga lagështia në dimër e për t’i bërë hije në verë. Banesa shkodrane bën pjesë në tipin e banesave shqiptare të shtëpisë me çardak. Ajo ndodhet gati në qendër të truallit e rrethuar me avulli (mure rrethuese) shumë të larta. Përpara shtëpisë, e cila zakonisht ndodhet me pamje nga dielli (jugu) është oborri shumë i madh, me lule e me pemë, sa gati maskojnë shtëpinë. Mbrapa ose anash është kopshti me perime.

Dera e oborrit zakonisht me hark, është e madhe dhe e llogaritur që të hynte lirshëm qerrja e ngarkuar me sanë (pra me dimensionet e një kamioni të zakonshëm), kjo derë hapej shumë rallë. Komunikimi bëhej nëpërmjet një dere të vogël, që hapej në njërin kapak. Ajo sigurohej me trarë të hollë dhe shula hekuri, që e bënte të pathyeshme.

Dera e oborrit zakonisht nuk vendosej përballë derës së shtëpisë, bila ka mjaft raste që ajo është në ansore të shtëpisë të fasadës kryesore. Zakonisht anash derës mblidheshin lule që ngjyra të bukura dhe erë të këndshme (lule vile, sorhanëm, kaçe etj..)dhe nuk krasideshin derisa ato të mbulonin pullazin e derës, që edhe ky ishte shumë i madh. Në krah të derës së oborrit, shpesh ndërtohej kulla që shpesh përdorej si depo për ushqimin e bagëtive ose edhe për bagëtitë.

Kati i parë i banesës nuk përdorej për banim, megjithëse ai ka të njëjtin planimetri si kati i mësipërm ( i dyti ). Ai përdorej kryesisht si depo, punishte e ndonjëherë edhe për të strehuar lopën ose kalin e shalës të të zotit të shtëpisë.

Kati i dytë lidhej me të parin nëpërmjet shkallëve të cilat mbuloheshin nga streha e dalë dhe që komunikonin direkt me çardakun. Çardaku është i madh dhe kryen disa funksione. Ky komunikon me disa nga dhomat e rrugicat e shtëpisë. Në të dy anët e çardakut, pak të dalura, janë dhomat e miqve ose oda e mirë dhe oda e qoshes ose qoshku, që shërbente si zyrë për të zotin e shtëpisë.

Odës së mirë i kushtohej shumë kujdes. Tavani, oxhaku, dyert, dritaret, segjitë, trapazani, raftet e murit, e çdo gjë punohej me gdhendje e me shumë kujdes, bile në votër përveç mashës që përzinte zjarrin, kishte dhe një madhë të vogël decorative priçi të verdhë, për të kapë gacat për të ndezë cigaren.

Në muret e saj vareshin saxhade, armë të vjetra, armët e burrave të shtëpisë e të miqve. Në sergji vendoseshin objekte të rralla, të vjetra, bakri, qelqi, porcelain etj..

Në dysheme shtroheshin qilimë të mëdhenj persie, kosove e hali (qilime tradicionale) shkodrane, ndërsa anash vendoseshin munderet e ulët dhe të gjerë, mbi të cilët vendoseshin shilte leshi për ndenje e jastekë leshi për t’u mbështetur.

Në mes të dhomës ishte tangari I qymyrit të druve për ngrohje, i punuar bukur prej bakri ose priçi me kapak, e mbi të varej me zinxhirë të bukur decorative, llambadari i madh, me funksion ndriçues dhe dekorativ. Në to sot janë adabtuar llampat elektrike.

Mbas çardakut vinte kuzhina e madhe dhe dhomat e çdo çifti, dhoma e beqarëve dhe dhoma e vajzave. Çdo dy tri dhoma kishin anekset e veta. Zakonisht kati i sipërm komunikonte me katin e parë edhe nëpërmjet kapanxhes (derës rrafsh me dysheme, ku varej një shkallë dërrase).

Çdo shtëpi ishte e rrethuar me pemë të çdo stine. Ndonjëherë një pjesë e oborrit shfrytëzohej si kopsht për të mbjellur perime e zarzavate të fresëta, si dhe erëza nga më të ndryshmet të cilat nikoqirja shkodrane i përdorte për të gatuar gjellët tradicionale qytetare.

Në oborr ishte pusi me grykë të bukur e mbi të çikrriku në të cilin varej kova për nxjerrjen e ujit. Pusi mbyllej me kapakë. Anash pushit ishte kalldremi me tendencë nga jashtë. Afër pusit ishte lugu i madh prej guri dhe rrasa po prej guri për të larë rrobat. Mbi pus shtrihej tenda e hardhisë.

 

Agim Parruca (Shkodra bastion i qytetërimit shqiptar)

Shkodra Press

Neritana Kraja  /   

Bep Shiroka, një aktor komik dhe dramatik që rrallë i takon ta ketë të vetin skena shqiptare. Shkëlqimi i gjysëm shekulli karriere nga teatri deri tek filmi. Jeta dhe kryerolet e tij në kinema e teatër që e shndërruan aktorin në idhull të batutës dhe humorit.

Nëse publiku shqiptar e identifikon me dy filma, “Çifti i lumtur” (1975) dhe “Koncert në vitin 1936”,(1978), vlerësimi i bashkëqytetarëve të tij shkodranë shkon përtej kinemasë…. Shkon përtej 160 premierave të Teatrit “Migjeni” në 40 vite karrierë ku në shumicën e tyre ka interpretuar rolin kryesor.

Bep Shiroka, një artist që rrugën e nisi nga piktura, që lindi e jetoi në një qytet ku arti ushqen shpirtërat njëlloj si ajri, e ku ai la gjurmë që koha kurrsesi nuk mund t’i fshijë. Aktor i teatrit, apo kinemasë? I dramës apo komedisë? Pyetje që marrin përgjigje pohuese në të gjitha rastet e ku komplimentet për kontributin, nostalgjinë, adhurimin ndaj aktorit janë njëlloj prezente si në të gjallë të tij.

Megjithëse viteve të fundit i kishte munguar skenës dhe kinemasë, lidhja me teatrin, filmin, spektatorin, qytetin e tij, ka mbetur akoma e fortë. Edhe pse ndodhej për shumë kohë i shtruar për kurim në një spital të Italisë, në raste festash a gëzimesh, ai nuk harronte të përshëndeste apo uronte nga larg përmes faqes së tij në internet bashkëqytetarët, miqtë, adhuruesit e tij, e nuk reshti së bëri këtë deri në fund…Sot që ai nuk ndodhet më mes nesh, është nipi i tij, Indi ai që falenderon të gjithë ato që vlerësojnë kontributin e gjyshit të tij. Nga Firence, qyteti në Italia ku jeton, ai na ndihmon me një sërë fotografish nga karriera e aktorit Bep Shiroka, shpjegon shumë detaje të jetës së aktorit. Me shfajësimin se është shumë i ri dhe se nuk ka pasur mundësi të shohë të gjitha shfaqjet e gjyshit në skenë, me keqardhjen se nuk është në gjëndje të përcaktojë diçiturat e fotografive nga arkivi personal i gjyshit, pasi të tilla të dhëna mungonin, me gjithë krenarinë se është nipi i një aktori të një kalibri të tillë, ai na udhëheq drejt detajeve interesante që kanë të bëjnë me jetën e aktorit. Rrëmimi në kujtime të vjetra, përshtypje personale, fotografi të karrierës, veçoritë e karakterit si njeri….E kështu rrëfimi për aktorin fillon e bëhet gjithnjë e më i plotë.

Rastësisht aktor

Aktori Bep Shiroka i përket atyre rasteve që artin e kanë në gen, por që kanë ëndërruar të bëjnë diçka tjetër në jetë. Por talenti ka trillet e tij. Të mbërthen dhe të jep famën. “Rruga e artit skenik ka qenë një zgjedhje e rastësishme”, gjejmë të pohuar mes kujtimeve të aktorit. “Im atë ka qenë Kolë Shiroka dhe njihej si një ndër organizatorët e karnavaleve të famshme të Shkodrës, ndërsa nëna e ka pasur në natyrë humorin. E ardhur nga familja e famshme e Daiajve, nëna më la si trashëgim shumë nga natyra e saj”. Unë kam lindur në një shtëpi, që është bërë humor. Nga babai kam trashëguar dashurinë për pikturën, për muzikën”.

Roli i parë dhe i fundit në “Migjeni”

Një koinçidencë më e bukur se kjo nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Roli i parë dhe i fundit për aktorin Bep Shiroka, interpretohen të dy në skenën e Teatrit “Migjeni” në Shkodër. Roli i parë në vitin 1960, kur aktori ishte 27 vjeç në dramën “Nora” të Andrea Skanjetit, ndërsa roli i fundit në vitin 2008, në moshën 75 vjeçare, kur me një kthim të bujshëm, dinjitoz, por fatkeqësisht të fundit, u ngjit në skenën e Migjenit si për të dhënë lamtumirën e tij me “Putargat e thata” të Stefan Çapalikut. Të dy këto kufinj skenikë mbartin vlerë të veçantë për aktorin. Roli i parë sepse e futi në rrugën e mistershme të aktrimit, i fundit sepse tregoi se sa e gjatë, e bukur dhe dinjitoze, magjike dhe emocionuese kishte qenë kjo rrugë. “Roli i parë mbetet i dashur se… më dukej vetja sikur kisha hyrë në një pyll lisash me aktorë të vjetër që ishin me emër, që i kishin dhënë fytyrë teatrit “Migjeni”. E unë në mes tyre, si një filiz kërkoja të shkoja sa më lart, me pak diell, që të rritesha. Kam kontribuar 40 vjet në teatër”, kujtonte aktori. “Ne patëm fatin e keq që qemë aktorë të realizmit socialist. Qemë aktorë që punuam në kushte të vështira, kështu që nuk na u dha mundësia që të jepnim… Politizimi, formatet, skematizmi na mbinin si kërpudhat. Megjithatë në këtë mjedis u rritëm e u bëmë aktorë. Të gjithë regjisorët i kujtoj me nderimin më të madh”. Por, nëse roli i parë është si fëmija i parë, roli i fundit në vitin 2008 shënoi një karakter tjetër interesant me peshë të madhe dramatike.“Ky rikthim erdhi pas shumë hezitimesh. Ishin fëmijët e mi që ndonëse jetojnë jashtë vendit, më shtynë ta pranoja rolin. Emocionet e rikthimit ishin të forta”, do të kujtonte aktori për shfaqjen e tij të fundit në skenë.

Mes humorit dhe dramatikës

Aftësia për t’iu përshtatur si roleve komike, ashtu edhe roleve dramatike ka qenë një nga pikat e forta të aktorit Bep Shiroka. Në të njëjtin moment, aktor komik fantastik, me batuta e skeçe që rallë i ka ndeshur kinematografia dhe skena shqiptare dhe nga ana tjetër një aktor dramatik i jashtëzakonshëm. “Nga sa kujtoj prej bisedave me të, kujton nipi i tij, ai vlerësonte me tepër pjesën dramatike tek një aktor. Vazhdimisht thonte se një aktor nuk mund të bëhej i madh pa anën dramatike. Mund të jetë aktor komik shumë i mirë, aktor që të mbyt gazit, por kurrë nuk mund të jetë i kompletuar nëqoftëse i mungon ana dramatike”. Vetë aktori më herët qe shprehur: “Veten e quaj aktor të dramës, se drama më pëlqen, zë vendin e parë. Çdo aktor është mirë që nga njëherë të luajë edhe komedi. Dikush mund të thotë: “Nuk mundem!” Unë jam i mendimit, që aktori ka nevojë të ndërrojë fëtyrë, ta zgjerojë fëtyrën e vet, të largohet nganjëherë edhe prej “vetullave të ngrysuna” të dramës. “Shkodrës nuk i kanë munguar humori dhe humoristët, thonte shpesh Bep Shiroka. Të qeshurën, shkodrani e merr me qumështin e nënës”. Sesa për zemër e kishte humorin aktori e tregon edhe dëshmia e nipit të tij për ditët e fundit të aktorit. “Edhe në shtratin e një spitali italian, larg nga vendi i tij, në gjendje dramatike jetese, ai arrinte të na bënte të qeshnim me batutat e tij karakteristike. Por më shumë, me gjestet e tij të paharrueshme dhe me shprehjet e fytyrës që vetëm kush e ka aktrimin në gjak mund ta bëjë”.

“Çifti i lumtur”

Roli që e ka pasur më për zemër është sigurisht roli i babait fanatik në filmin “Çifti i lumtur”. Në fakt ishte një skeç, që më pas u kthye në komedi. “Skeçin e pa aktori i talentuar i humorit, Artisti i Popullit, Tano Banushi, kujtonte Bep Shiroka dhe tha: “Ta bëjmë komedi!” Punuam të gjithë me qejf, me në krye regjisorin e talentuar Serafin Fanko, i cili, na la të “lirë”. E ne çdo ditë bënim humor. “Qit e prit” batuta, sa nga unë, sa nga Vitorja (Nino), sa nga Nefaili (Piraniqi), sa nga Marija (Qyrsaqi), që ishim aktorë në këtë komedi. Pastaj vinte seleksionimi artistik dhe çfarë mbetej me vlerë bëhej mish i komedisë. E shfaqëm. Jehona e suksesit ra në veshin e aktorit, Ndrekë Luca e më vonë të regjisorit Pirro Mani. Sugjerimi i tyre ishte të bëhej film. Dhe unë në këtë film, luajta rolin e Fanatikut”. Suksesi i atij filmi lidhet me shumë komponentë, por në mënyrë të padiskutuar lidhet me lojën brilante të aktorit shkodran. Mjaft natyral në interpretim. Fakti që ka interpretuar veten e tij, një burrë me vlera të forta, por i butë si njeri, që për familjen shpesh shkelte edhe bindjet e kryefortësinë e vet, përbën një nga çelësat e suksesit të rolit. “Gjyshi im në atë film nuk ka qenë fare i sforcuara. Këtë ma ka treguar vetë ai. Dua të them se ka qenë krejt natyral në interpretimin e atij roli, sepse në rallë të parë ka interpretuar në dialektin e qytetit të tij, me gjuhën që ka mësuar nga baba e nana e tij. Mbaj mend se për këtë film tregonte se shumica e batutave të filmit, nuk kanë qenë të shkruara, por i shpikte ai vetë në momentin e xhirimeve. Dhe këtë detaj mund ta vlerësosh përshëmbull kur sheh Tinkën (Kurti) duke qeshur me te madhe. Aty dallohet se Tinka po qesh me gjithë shpirt se askush në ekipin e xhirimit nuk priste që gjyshi im të bënte ato batuta”.

Xhandari i Koncertit

Xhandari i filmit “Koncert në vitin 1936”, pa diskutim ngelet një nga xhandarët më simpatikë të kinematografisë shqiptare. Të gjithë, ndërsa kujtojmë këtë film menjëherë e identifikojmë me aktorin Bep Shiroka. “Humori i babës tim më ka ndihmuar të ndërtoj figurën e xhandarit Vesel në filmin “Koncert në vitin 1936”, kujtonte aktori. Regjisori Saimir Kumbaro, më pat dërguar asaj kohe skenarin me shënimin: “Bep, zgjidh, cilin rol të duash”. T’ju them të drejtën, më pëlqeu roli i xhandarit. E kam punuar me shumë dëshirë. Mbase ndikoi dhe grupi i mrekullueshëm që ishim, si Robert Ndrenika, Birçe Hasko, Roland Trebicka … të gjithë, deri të banori i fundit i Libohovës. Edhe ata e ndjenin veten pjesëtarë të këtij filmi. Ndoshta është i vetmi film që kam kaluar shumë mirë … ndonëse kam luajtur në 20 filma. Në këtë film kam interpretuar rolin e një xhandari, që kujton se është gjithçka e s’është asgjë. Ky lloj tipi shkon pas prefektit, pas kryetarit të Bashkisë, pas gjithë nëpunësve, merret me mbytjen e qenve, me vënien e afisheve, pra merret me të gjitha, bërtet në kupë të qiellit kot së koti, por askush nuk i vë vesh. Pastaj kur është fjala për detaje, kam pasur parasysh disa persona të caktuar, p.sh. kur në rol rrihja fëmijët me shufër të gjatë, kisha parasysh një punonjës tonin në teatër, që kur bënim shfaqje për fëmijë, mbante një thupër të gjatë. Hipte në gropë të orkestrës dhe tundte me nervozizëm thuprën. S’i linte fëmijët as të qeshnin, edhe kur ishte skena për të qeshur”, kujtonte pa iu ndarë humorit aktori Bep Shiroka.

Nga aktrimi, tek pasioni për pikturën

Bep Shiroka, një nga aktorët më me peshë të skenës dhe kinemasë shqiptare, ka habitur jo pak njerëz, në kulmin e karrierës së tij artistike, ndërsa deklaronte se “Hobi im kryesor, që do të ishte rruga ime, sikur të mos kishte bërë pak dredha, ka qenë piktura”. Një pasion i nisur në fëmijëri, që nuk e braktisi asnjëherë e që i kushtoi edhe vitet e fundit. Shumë pak vetë i njohin meritat e tij si skenograf e aq më tepër si piktor. Në shtëpinë e tij, në një apartament në afërsi të gjimnazit jezuit në Shkodër, varen në mure disa dhjetëra piktura që mbajnë firmën e tij. “Kam qenë piktor dhe fotograf para se të isha artist i skenës, ndërsa nuk i jam ndarë figuracionit”, ka rrëfyer ai, ndërsa numëron më shumë se 30 skenografi dhe dekore në premiera të ndryshme.

Emocioni në role

Ndonëse ka qenë ndër aktorët e preferuar dhe të zgjedhur të regjisorëve, ai ka pasur edhe disa role të vogla të arritura mjaft mirë. Vetë aktori kujtonte si ndër më të veçantët një rol në dramën “Hetimi”, një interpretim vetëm 7 minuta, ku ka përjetuar emocione të forta në të gjitha shfaqjet e kësaj drame. “Ishte një monolog shumë i dhimbshëm. Në shtatë minuta shfaqej i gjithë holokausti, vuajtjet e njerëzimit gjatë Luftës të Dytë Botërore”.

Të paharruar mbeten interpretimet e tij në “Franku i V-të”, “Ishulli i Shitenit”, e mjaft role të tjerë skenike e kinematografike

Shkodra

“Shkodra ka qenë zemra e shpirti i tij, pika e referimit, vendi i ëndrrave të tij. Kur ishte në spital në Itali nuk kalonte ditë që ai të mos pyeste për Shkodrën dhe me dëshëprimin më të madh kërkonte ta kthenim në shtëpinë e vet, në vendin e vet. Edhe me teatrin ka qenë shumë i lidhur, por vitet e fundit e ka ndier veten si të tradhëtuar nga Teatri “Migjeni”, i braktisur prej tij dhe ka vuajtur shumë, jashtë mase. Thjesht pse nuk shihte prespektivë e investim”, përcjell shqetësimin e fundit të aktorit, nipi i tij.

Aktori në kujtimet e të nipit

“Unë kam pasur një raport të veçantë me gjyshin tim, se nuk ka qenë thjesh gjysh për mua, por edhe babë, idhull, shembull…Figura madhështore e tij më ka tërhequr gjithmonë. Më kujtohet kur më merrte me vete kur isha i vogël dhe shkoja me të në teatër për prova. Unë kënaqesha duke parë aktorë, skenografitë dhe kostumet e skenë. Ai kishte një meritë të madhe në marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Të tërhiqte për çfarë do lloj bisede, me mënyrat e tij, me atë zërin e plotë, me eksperiencën e tij. Arrinte ta bënte interesante edhe gjënë më të besdisshme.

Unë realisht nuk po studioj për aktor, megjithëse do të më pëlqente shumë, por për infermieri, pasi ai i pari thonte gjithmonë: “babush, teatri nuk të jep me hangër bukë…. Por di të them se më ka transmetuar pasionin për teatrin dhe aktrim. Ai nuk ka dashur kurrë të më jepte kurajo në mënyrë direkte se ka pasur gjithmonë frikë se mos braktisja shkollën për teatrin. Por nëpërmjet gjyshes, ose nënës sime thonte se do të kishte qenë më i lumturi në botë nëse do të isha bërë aktor si ai….”

Bep Shiroka (1933-2010) është ndër aktorët e shkëlqyer të skenës dhe filmit shqiptar. Të paharruar mbeten sidomos rolet e tij në filmat “Çifti i lumtur” dhe “Koncert në vitin 1936”, ku spikati për origjinalitetin dhe freskinë në interpretim. Qendrimi skenik, mimika dhe gjestikulacioni konsiderohen si armët më të forta të aktorit.

Shkodrapress

Agim Parruca  /  

Është lagje në zemër të qytetit të Shkodrës, e mirënjohur nga të gjithë shkodranët dhe thuajse në të gjithë Shqipërinë. E ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII-të. Larg hamendjeve të ndonjë studiusi se emri Parrucë vjen nga emri i Bardh Uca prej Parroit të Shalës. Materialet dokumentare vërtetojnë se emri Parrucë në formën e mbiemrit ekziston rreth 350 vite para se të formohet lagjia Parrucë. Janë pikërisht pasardhësit e Sali Agë Parrucës të vendusur rreth viteve shtatëdhjetë të shekullit 18, të parët në tokat e tyre në atë territor që mori emrin e mbiemrit të tyre, Parrucë.

Vitet e fundit një bllok shumë i madh pallatesh që shtrihen në lagjet Tophanë, Ndocej e Garuc i thonë Bahçja e Çakajve, sepse pallatet e para janë ndërtuar në bahçe të fisit Çaku. Sikurse për shumë pallate të ndërtuara në “Qafhardhi” i thonë në Rrugë Koplikej, vetëm se shtëpia e bukur dhe e madhe e Koplikëve ishte në krye të rrugës e shërbente si pikë referimi.

Mbiemri Parruca ndeshet për herë të parë në Rregjistrin e Kadastrës dhe i konçensioneve për rrethin e Shkodrës, libër ky i përgatitur në Shkodër në vitet 1416-1417, ku jepen të dhëna për banorë, kryesisht për kryefamiljarët dhe pronat e tyre përcaktuar vendodhjen e këtyre pronave.

Mbiemri Parruca ndeshet përsëri në vitet 1448, sipas një dokumenti turqisht të gjetur në arkiven turke nga historiani ynë i mirënjohur Selami Pulaha, Skënderbeu i bën thirrje shkodranëve që të bashkohen me të, e të mos rrinë nën sundimin venedikas.

Ndër shkodranët që shkuan në Krujë bashkë me të ishin edhe përfaqësues të familjes “Parruca” që në dokument përmenden “Paruca”, duket siç thirreshin në atë kohë. Realisht fisi “Parruca” edhe sot është në Krujë, e megjithëse kanë kaluar 550vjet mbiemri ruhet, bile një pjesë e tyre janë shpërngulur në Tiranë e ndonjë edhe në Durrës.

Ndërsa mikrofilmi i doumentit turqisht gjithnjë sipas Selami Pulaha ruhet në Arkivin e Institutit të Historisë së Akademisë së Shkencave Tiranë. 

Një tjetër libër me shumë vlera ku gjendet përsëri mbiemri Parruca është “Defteri i rregjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485” pjesa e parë, botimi i vitit 1974 me autor Prof. Selami Paluha.

Në vitet e mëvonshme nuk kemi ndeshë ende ndonjë dokument që përmend mbiemrin “Parruca” deri në vitin 1706 ku përfaqësues të familjes Parruca i gjejmë si tregtarë shkodranë që bënin tregti me Venedikun. Bile që në dokumentin e dytë të librit “Shqipëria e Veriut në Shekullin XVIII” vëllimi i I (1706-1756) Tiranë 1967. Aty teksualisht shkruhet (italisht dhe shqip)më 11 Tetor 1706 Manifest – ngarkesë mallrash lëshuar anijes “S.GIO: Battista e Santa Anna” kapiten Matio çiorko në udhëtim për Venedikun. Dhe më mes të tjerash për llogari të Isuf Parrucës që t’u dorëzohet zotërinjve Negri dhe Gambero.

Në të njëjtin dokument përmenden edhe mbiemrat: Saraçi, Vladanji, Lozani, Tuzi, Koleçi, Salibegollo, Podgorica etj.. Këto argumenta mund t’i duken ndokujt si nënvizim i fisit Parruca, por në fakt është historia reale e lagjës Parrucë. Pra, Parruca nuk e ka marrë emrin nga Bardh Uca që qenka vendosur në këtë vend para 300 vjetësh, por nga pasardhësit e Sali Agë Parrucës, ish komandant i Shkodrës, të ardhur 230 vjet më parë nga lagjia Tabakë, dikur kojshi e shoh me Mehmet Pashë Bushatin.

Si bërthame kjo lagje pati një territor të vjetër afër xhamisë së vjetër së Parrucës, si lagje vazhdoi të rritej me shpejtësi. Shpërngulja e administratës turke nga kalaja në lagjen “Parrucë” në kompleksin administrativ ku ka mbetur në kembë vetëm ndërtesa e gjimnazit dhe e Prefekturës, ndikoi shumë në rritjen e zhvillimin e kësaj lagje.

Si lagje “Parruca” përfshinte territorin që kufizohej me lagjet: “Perash”, “Baja e vogël”, “Xhabije”, “Garuc”, “Zdrale”, “Fushë Çele”, “28 Nëntori”.

E favorizuar ngaqe në të ishte administrata shtetërore, ajo pati mundësi të zgjerohet e ti shtroje rrugët e sheshin, të ndriçohet më shpejt e më shumë se lagjet e tjera. Sheshi i saj u bë qëndra e qëndrimit të karrocave që transportonin pasagjerë nga lagjet e tjera e veçanërisht në Pazar të Vjetër. Të gjitha këto bënë që në Parrucë të ngrihen dyqane relativisht të mëdhenj, e me vetrina.

Në vitin 1815 një i huaj shkruante për  “Parrucën”... “megjithëse lagje e re, në “Parrucë”, janë ndërtuar dyqane të bukura si në Europë”. 

Parruca krahasuar me lagjet e tjera dhe me lagjet e qyteteve të tjera u zhvillua aq shumë sa kur dikush mendonte të bënte diçka të bukur thoshte: “Do ta bëj Parrucë”

Në Parrucë, përveç institucioneve kishte dyqane për të gjitha llojet e shërbimeve, kishte furra buke, klube, restorante etj... dhe shkollën shumë të njohur me emrin “Shkolla e Parrucës”.

Zbardhur nga libri "Shkodra bastioni i qytetërimit shqiptar" me autor Agim Parruca

Shkodrapress

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO