21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Të braktisur në një cep të qytetit të Shkodrës, mes një varfërie ekstreme, jetojnë familjet e komunitetit rom. Të ndodhur aty prej vitesh, nuk kanë asnjë mbështetje. Të vetmuar e të nepërkëmbur jetojnë mes shumë vështirësive. Papunësia e mungesa e një strehe janë problemet kryesore për ta. Herë pas here është folur në seminare e takime të zyrtarëve të kollarisur, por në fakt tek romët asgjë nuk ka ndryshuar. Pamja të çon tek fiset tribu, ndonëse vendndodhja ka diferenca të mëdha. Çdo ditë me dhjetra fëmijë rom nga vendi ku jetojnë në periferi të Shkodrës herë me prindër e herë edhe vetëm zbresin në rrugët e qytetit. Pjesa më e madhe e tyre ka një mision të vetëm, të lypin. Bien ngado rrugëve të Shkodrës duke kërkuar lëmoshë. Nuk e kanë problem se nuk arsimohen. Nuk kanë një çantë shkolle si të gjithë moshatarët e tyre. Nuk kanë as libra e madje nuk shkojnë as në shkollë. E kanë të pamundur sepse çdo ditë nga mengjesi në darkë kanë sfidë bukën e gojës.

“Nuk shkoj në shkollë. Vijmë bashkë me mamin e tezen në qytet për të lypur. Nuk kam libra, nuk di të lexoj. Unë di vetëm të lyp. Nuk kemi bukë tek shtëpia, duhet të fitojmë bukën. Njerëzit na shajnë e tallen me ne, por prapë ne vazhdojmë të lypim, sepse s’kemi ku t’i gjejmë paratë” – thotë Alesia. Është vetëm 11 vjeçe. Alesia është një prej fëmijëve të shumtë rom që fati i jetës e ka braktisur e askush nuk kujdeset për të e për fëmijë të tjerë të atij komuniteti fatkeq. “Kam shkuar vetëm njëherë në shkollë. Nuk kam shkuar më, sepse duhet të dal për të lypur. Dal edhe kur bie shi. Babi nuk punon e as mami. Edhe ata lypin si unë. Unë kam zonën time në pedonale, sepse babai ka turp të vijë këtu në qendër të qytetit. Më pëlqen të shkoj në shkollë, por nuk mundem” – thotë Artani 9-vjeçar. Histori të tilla ka sa të duash.

Një pjesë e fëmijëve nuk e kuptojnë se çfarë bëjnë, por të detyruar nga prindërit nuk kanë zgjidhje tjetër vetëm të lypin ose të mbledhin kanaçe, hekur, bakër, alumin apo ndonjë metal tjetër për t’i shitur më pas. Romët janë shtresa më e varfër në qytetin e Shkodrës. Atyre çdo ditë e më shumë iu mohohen shumë të drejta. Thuajse të gjithë nuk kanë as pashaportizimin në qytetin që kanë zgjedhur të jetojnë. Ndonëse vitet janë të shumta e vetë romët herë pas herë kanë rendur dyerve të zyrave, përgjigjet kanë qenë gjithnjë negative e nganjëherë nuk kanë marrë fare përgjigje duke ia mohuar të drejtën edhe për të patur një dokument si banorë të Shkodrës. Idea për të mos shtuar numrin e atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike, thuhet të këtë ndikuar që Bashkia Shkodër të refuzojë çdo herë thuajse pashaportizimin e romëve?

Po të ishte për Bashkinë e Shkodrës apo Qeveritë, romët nuk do të kishin arritur të mbijetojnë. Të gjithë jemi dëshmitarë të imazheve rrënqethëse kur herë pas here gërmojnë në kazanët e mbeturinave për ndonjë kafshatë buke të fortë e të mykur. Edhe ata pak vetë që punojnë, bëjnë punët më të rënda në qytet e paga që marrin është qesharake. Kush gjen ndonjë punë të rëndomtë e quan veten me fat, ndërsa të tjerët gëzohen kur ndokund periferive të Shkodrës gjejnë ndonjë kilogram skrap sa për të njomur buzët. Lypësit çojnë gjithë ditën dëm e jo rrallë herë qindarkat nuk mjaftojnë as për bukën e gojës. Romët nuk pushojnë së ankuari. Kanë provuar të gjitha mënyrat që të dalin nga bataku i gjatë që ndodhen, por deri më sot institucionet kanë mbyllur sy e veshë duke bërë sikur romët janë pjesë e një planeti tjetër.

Të sfilitur nga varfëria, të kequshqyer e pa asnjë të ardhme bëjnë jetën e tyre, mes skamjes e barakave që po iu shemben. Mes një harrese të plotë zbardhin mëngjeset me sytë lart nga qielli e me shpresën e vetme tek Zoti. Romët shprehen mjaft të revoltuar e tregojnë se shpesh herë nuk kanë mundësi që edhe fëmijët t’i ushqejnë me bukë. Nuk kanë as kushtet minimale. Vetëm disa baraka që i kanë ndërtuar vetë që një ditë edhe mund t’iu shemben duke rrezikuar jetën e tyre e të fëmijëve. Gjendja e këtij komuniteti është si mos më keq. Kur largohesh nga aty, të krijohet një lloj brenge e në mendje të ngulitet një pamje që mbetet gjatë në kujtesë.

Pak kohë më parë Skënder Veliu, kryetar i shoqatës “Romanodrom” deklaroi se pavarësisht shumë projekteve ende romët jetojnë në kushte të vështira. Ai fajin kryesor ia faturoi pushtetit vendor i cili ka për detyrë që të mundësojë një jetesë në kushte normale dhe jo të heqë dorë nga komuniteti rom duke i lënë të braktisur. Veliu foli në një konferencë ku e pranishme ishte Bardhylka Kospiri, Zëvendësministre e Mirëqënies Sociale e cila theksoi faktin e diskriminimit të romëve dhe mohimit të të drejtave të tyre. Po ashtu pak kohë më parë u prezantua një iniciative e UNICEF me temë "Çdo fëmijë rom në kopësht" duke qenë se pjesa më e madhe e tyre nuk frekuentojnë kopshtet si shkak i pamundësive ekonomike.

Një studim i bërë nga "Qendra për studime ekonomiko-shoqërore", 50% e  komunitetit rom janë të papunë dhe thuajse 100% e tyre janë analfabetë. Kjo deklaratë erdhi në korrikun e vitit të kaluar në kuadër të një projekti të fondacionit “Soros” në bashkëpunim me UNICEF dhe UNDP. Drejtori i kësaj qendre, Ilir Gedeshi do shprehej se romët janë në një situatë shumë të vështirë ndërkohë që si zgjidhje për punësimin sipas tij është biznesi social. Mbyllja e dyerve kur kërkojnë të regjistrohen vërehet edhe nga shifrat e studimet teksa rezultojnë rreth 14600 romë në Shqipëri ndërsa CENSUSI i bërë në të njëjtin vit numëroi 8300 pjesëtare të komunitetit rom, një disbalancë e madhe prej 6300 personash që mendohet se vjen nga mosregjistrimi në zyrat e gjendjes civile.

Vitet kalojnë e po ashtu edhe një numër i madh projektesh që asnjëherë nuk hetohen dhe gjithnjë i mungon transparenca. Ajo që mbetet... romët vijojnë të jenë të braktisur pa asnjë mbështetje.

Senad Nikshiqi

Shkodra Press

Astrit CANI / 

Kur të shkruhet fjalori i qytetërimit shqiptar, do ketë kapitullin më kuptimplotë. Nuk është një qytet, është qyteti; nuk është një dialekt, është gjuha.

Shkodra i ngjan bash breshkës që me konsekuencën e saj ia kalon në fund edhe Akilit.

 

Ndër qytetet e letërsisë, është ai që shqiptarët njohin më mirë. Dhe i tillë ka mbetur edhe sot, kur po fillojmë ta njohim prapë. Ka mbetur si një estetikë e fshehtë, pa bujë, me rreze drite të drejta e që nuk kthehen mbrapsht.

 

Ata që nuk u rritën në këtë djep, vazhdojnë ta quajnë "djepi". Por për ata që këtu hodhën shtatin e lidhur të personalitetit të tyre, ky është shtrati dopjo i kulturës së vërtetë. Këtu fjala është napoleon arit e jo kartëmonedhë false. 

Këtu kultura e natyra bashkëjetojnë natyrshëm.

 

Dhe janë njësoj të thjeshta e të harlisura, ushqyese për shpirtin e dëfryese për shqisat. Bukuria e kësaj treve xiglon ndër detaje ku shkëndrit urbanizmi i dikurshëm, me gjurmë që kanë mbetë prej "belle époque"-s, me biçikleta panumër që komunikojnë ekuilibër, e me dimensionin bio të gjallimit që këndell.

 

Protagonizmin ajo ia lë pëllumbave, që me gugatjet e tyre të paqta popullojnë lagjet e saj. Poezive që mbushin librat e saj. Ia lë fëmijëve që rrëshkasin me patina në rrugët e qeta të qendrës. Të rinjve që kërkojnë pak punë e pak dashni.

 

Në të vërtetë, të gjithë këtu bëhen modestë, të zbutur prej madhështisë së saj.

Ndjej se zotni këtu do të thotë xhentëlmen. Ndjej se i kenun do të thotë i pasur me qenie.

Shoh bukuroshet e dikurshme që prorë shtatdrejta pijnë nektarin e mëngjeseve të ngeshme. Me shikimet e gjestet e qashtra të thonë se dashnia është fundi i botës e fillimi i çdo bote.

 

Shkodra. Përvoja është shkenca e saj. Të jetuarit specializimi i saj. 

Shoh sesi me shpirt kritik e të pasionuar, ajo i dashuron ata që punojnë. E i shpërfill mikroborgjezët e vet, që bëjnë të pamundurën për të mos punuar, dhe kur ia arrijnë, besojnë se kanë gjetur sekretin për të jetuar mirë, "dijen me jetue".

 

Por vetëm ajo din me jetue, dhe ka një jetë të fshehtë, të fshehtë si thesaret e saj, si gjuha e saj, si drita e saj, si sakrificat e saj. Dhe sacrificio do të thotë: me ba diçka të shenjtë.

 

E gatshme me ta mbyllë gojën me një gjest, a me të dashurue marrëzisht. Ajo të thotë me sy e ndër sy: nëse s'kemi dashni bashkë s'kemi asgjë.

Ajo të mëson se kultura gatuhet, nuk bëhet për të ngrënë.

 

Shoh sesi ajo e mbron gjuhën e saj, ku përdoren më shumë fjalë e ngjizen më shumë koncepte se në çdo qendër tjetër të shqiptarisë. Shoh sesi ata që kthehen këtu e heqin maskën, të pranishëm në vështrimin e kësaj nëne të sinqertë e burrneshë.

 

Shoh se këtu ka kulturë e nuk ka nevojë për kulturologji. Gjej këtu pasqyrën (speculum), e nuk gjej spekulimin. Gjej natyrën e natyralizohem sërish.

 

Lexoj Mjedën, Koliqin, Migjenin e më rikthehet shija e të lexuarit shqip. Bashkë me shijen për modernitet, me shijen për muzikë e për të bukurën.

 

Në të vërtetë ajo është plakur. Por të gjithë herët a vonë, plakemi, dhe më e rëndësishmja është të plakesh mirë.

 

Të ruash kthjellësinë dhe dashurinë për jetën deri në fund. Shoh se ajo vuan, ngase pretendon më shumë nga vetja. Pretendon të jetë e dobishme, por dobia e saj më e madhe është në bukurinë e saj.

 

Veç, metabolizmin e ka të mirë. Ajo integron dhe nuk disintegron. Kurrë nuk i mori seriozisht ata që flasin shumë. Kurrë nuk i brendësoi bëmat e atyre që vuajnë nga energjia e tepërt.

 

Këtu kurrë nuk lëshoi rrënjë realizmi socialist, as realizmi socialist sovjetik, as realizmi socialist turk, as realizmi socialist amerikan. Sepse nuk i rri përshtat asnjë ideologji, pasi është vend idesh. Dhe më mirë sesa të kopjojë të tjerët, përsërit vetveten, si natyra.

 

Kur u përmbyt disa herë rrjesht, shkodranët nuk bënë zhurmë. E jo se janë pro qeverisë, por ngase janë të ndërgjegjshëm. Në thelb ata e dinë, se të ashtuquajturat "fatkeqësi të natyrës", janë fatkeqësi që ne i shkaktojmë natyrës e që mandej kthehen në fatkeqësi që natyra na shkakton ne. E këtu njeriu e ndjen më shumë se kudo, se jemi qenie prej uji.

Me lirinë e fëmijës, është e PARA  që na e thotë kur "mbreti është lakuriq".

 

Besoj me mendje e zemër që, nëse kultura apo demokracia shqiptare nuk gjen përgjigje, kjo shpesh vjen ngase nuk ka pyetur Shkodrën. Prandaj mbetëm duke pyetur të huajt. Është njësoj sikur Greqia që në vend të pyeste Athinën, pyeste Kostandinopojën a Moskën.

 

Kur të shkruhet fjalori i qytetërimit shqiptar, do ketë kapitullin më kuptimplotë.

Nuk është një qytet, është qyteti; nuk është një dimension i shqiptarisë, është dimensioni vertikal; nuk është një dialekt, është gjuha. Ata që e kanë lidhë fatin e vet me 'të, kanë guxuar gjithçka.

 

Ata mund të fitojnë shumë, ose të humbasin me nder. 

Me ngadalësinë e pleqërisë së urtë, Shkodra i ngjan bash breshkës që me konsekuencën e saj ia kalon në fund edhe Akilit.

 

Shkodra Press

Ka qenë 1 Maj 1952 kur partia kërkonte të përuronte në Shkodër stadiumin e parë të Mbasluftës me mënyrën më të papranueshme, përmes një ndeshjeje lokale Dinamo e Shkodrës-Spartak i Shkodrës! Historia e këtij ndërtimi kishte nisur vetëm dy vjet më parë, më 27 Maj 1950, në orën 18:30, në prani të rreth 400 qytetarëve shkodranë para portreteve gjigande të Stalinit dhe Enver Hoxhës. Gurin e parë do ta vinte, asokohe numri 2 i pushtetit komunist, zëvendëskryeministri dhe sekretari i KQ të Byrosë Politike të Partisë, Tuk Jakova, shkodran autentik, i cili ashtu drastikisht, siç do të binte forca e skuadrës së Shkodrës në hierarkinë e futbollit shqiptar, po ashtu do të binte edhe pushteti i tij për të mbërritur deri në burgosje e vdekje të parakohshme (1914-1959). 

Në fjalën e tij zyrtare në atë 27 maj 1950, shkëlqente kjo tiradë e kohës: “Stadiumi i Shkodrës, – tha Tuk Jakova, – është një vepër paqeje e qeverisë dhe popullit tonë, një qendër vëllazërimi dhe bashkimi, shkollë për përgatitjen e një rinie të fortë, të shëndetshme e të gëzuar”. Këto ishin fjalët shembullore (emblematike) të Tuk Jakovës, për të cilin asokohe u tha se vetë ai kishte qenë nxitësi i parë për t’i dhënë Shkodrës një stadium. Kështu niste historia e stadiumit të parë të ndërtuar në Shqipërinë Komuniste, të cilit do t’i vihej emri i Vojo Kushit, Hero i Popullit nga Shkodra, në të vërtetë një sportist i mirë i Gjimnazit të Shkodrës, i rënë në luftën për çlirim mbas një qëndrese heroike të tij në një rrugë të Tiranës. Për të mbërritur kështu brenda dy viteve te përurimi i 1 Majit 1952, kur Llazar Lipivani, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve pranë Këshillit të Ministrave, pret shiritin. 

Projektuesi dhe drejtuesi teknik i punimeve, i paharrueshmi Irfan Tërshana, para luftës pedagog i edukimit fizik i gjimnazit të Shkodrës, është megjithatë në qendër të vëmendjes edhe ai me fjalën e tij. I ngritur në vetëm pesë shkallë, me një kapacitet afro 10.000 vendesh, me një terren mjaft të mirë për kohën, e vërteta është se ky stadium i ndërtuar edhe me kontributin vullnetar të banorëve të Shkodrës do të mbeste me kaq për mbi 35 vjet të tërë. 

Spektatorët uleshin mbi tribunat me gurë varresh që gjendeshin rreth e rrotull, ku dalloheshin deri vonë epitafet me fjalë turke apo arabe. Një vepër kulture ishte ngritur duke shkatërruar një histori dhe një kulturë të vjetër së bashku. E rëndësishme ishte se tash Shkodra do ta linte Fushën e saj të Vjetër, të sukseseve të bujshme, për të ardhur te stadiumi i saj, po për habi të madhe për të rrëshqitur në humbjet e saj që nuk do të ndalnin përtej më shumë se një dekade... Ky pra ishte stadiumi i parë i Shqipërisë Komuniste. 

Përse Partia kishte vendosur t’ia niste ndërtimeve të stadiumeve me Shkodrën? Në dukje të jashtme, Shkodra e atij viti përjetonte një farë qetësie “pamore”, mbasi për 6 vjet të tëra të Mbasluftës ajo ishte bërë epiqendër e një persekutimi të paparë. Çudia e madhe do të ishte se stadiumi do të ndërtohej brenda një kohe rekord: vetëm për dy vjet: 27 maj 1950 – 1 maj 1952! E vërteta tjetër fatale do të ishte se simboli i sportit shkodran, Vllaznia, kishte nisur edhe ajo rënien drastike. Vetëm mbas 4 viteve ajo do të rrënohej duke zbritur për herë të parë në Kategorinë e Dytë. U tha se me ndërtimin e stadiumit, Partia donte disi ta merrte me të mirë qytetin, të cilin brenda pesë– gjashtë viteve e kishte drobitur tejet, e kishte burgosur dhe persekutuar pa mëshirë. Për oportunitet politik, ajo donte të bënte megjithatë një gjest në “respekt” të qytetit sportiv, i cili i kishte themeluar Shqipërisë të gjithë sportet, i kishte dhënë ndeshjen e parë zyrtare të futbollit (1913), kishte qenë kampioni i parë i futbollit të Shqipërisë së Mbaslufës (1945, 1946). Në Fushën e Vjetër të tij ishte themeluar Kombëtarja e Shqipërisë në ndeshjen e saj ndërkombëtare, 22 shtator 1946, Shqipëri – Mali i Zi 5-0 me 7 lojtarë shkodranë në 11-sh, me të cilët mbas pak javëve Shqipëria do të bëhej Kampione e Ballkanit. Nga ana propagandistike, Partia kërkonte të pohonte se respektonte vlerat tradicionale kulturore-sportive dhe se stadiumi i parë i Shqipërisë së “Re” i takonte Shkodrës. Dhe kështu u bë. 

Është Shkodra – themeluese e futbollit kombëtar, madje dhe e sportit kombëtar. Pa harruar kurrë ndërkaq, se ky është stadiumi i Shkodrës, qytetit i cili ka mposhtur deri edhe një Hajduk të Splitit, një Dozha të Budapestit, një Austria të Vjenës, një Dinamo të Tbilisit. Ky është stadiumi që ka regjistruar rastin e vetëm në historinë e Shqipërisë ku një klub ka fituar ndaj Kombëtares së një shteti tjetër: Vllaznia-Algjeria 3-0 më 1976. Ky është stadiumi ku kanë paraqitur rezultatet e tyre të nivelit botëror në atletikë një si Skobla, një Mandlik dhe deri te legjendari Nih Chin Chin. Dhe si përmbyllje: ky është stadiumi, i cili me trajnerin, mjeshtrin, Ramazan Ragami, u ka dhënë kombëtareve të Shqipërisë arritjen më të bujshme të derisotme në historinë e futbollit shqiptar: Shpresa e Shqipërisë midis 8 më të mirave të Evropës: Shkodër. Stadiumi kombëtar “Loro Boriçi”, 1983: Shqipëri–RF Gjermane 1-1 dhe Shqipëri-Austri 3- 0. Ai që njeh mjedisin e tribunave të tij, e kupton se pa këto ndeshje Shqipëria nuk do të çudiste Evropën atë vit 1983... Eshtë stadiumi i Shkodrës ai që me mjediset e tij, falë edhe një sipërmarrjeje të madhe të presidentit të asaj kohe të Vllaznisë, Myftar Çela – promotori i pashlyeshëm i zhvillimit në këtë stadium të ndeshjes Shqipëri–Rusi 3-1 – që tregoi një organizim të shkëlqyer. Mjedise të gjëra e komode të nëntribunave për skuadrat, e ndonëse pa një tribunë mirëfilli shtypi për gazetarët, vendet që u hapen për to në tribunën qendrore, kujtoj se qenë ndër më lehtësueset që ne si gazetarë kemi përjetuar ndonjëherë në një ndeshje të Kupës së Evropës në Shqipëri, çka ky stadium i plotësoi po aq mirë edhe në ndeshjen e lartë të rangut tjetër evropian, Vllaznia- Napoli, për Ligën e Evropës. Të gjitha këto e bëjnë edhe më historik stadiumin kombëtar të Shkodrës, i cili mban emrin e Mjeshtrit të parë të Merituar të Sporteve në Shqipëri, legjendarit për ne, Loro Boriçi. I riprojektuar nga arkitekti i mirënjohur Reshat Koçkiqi, në fund të vitet ’80 të shekullit të shkuar ai u nis për t’u rindërtuar për rreth 30.000 vende. Kur ashtu si më 1950, prapë do të nxitej prej një funksionari të lartë Partie, Muho Asllani, sekretar i Parë dhe anëtar i Byrosë Politike të PPSH-së, por i lënë përgjysmë po nga Partia, e cila, drejt me thënë, me arrogancën e saj u pendua për këtë ndërmarrje duke e quajtur luks. Ishin vitet e fundit të saj... Kapaciteti aktual i stadiumit është 14’200 vende.

 Dy fjalë për legjendën Loro Boriçi: Loro Boriçi u lind më 22 gusht 1922, në qytetin e Shkodrës. Ai rridhte nga një familje e vjetër shkodrane dhe shumë e njohur në qytetin e Shkodrës. Familja përbëhej nga gjashtë fëmijë, tre djem, Marku, Loro e Pjerini, si dhe nga tri vajza, Angjelina, Margarita dhe Klarinda.

Loro Boriçi vdiq në vitin 1984, në moshën 62-vjeçare, që për një sportist mund të quhet vdekje e parakohshme. Loro vdiq nga një sëmundje e rëndë, ndonëse ishte në një moshë jo shumë të vjetër. Në sëmundjen e tij mund të ketë ndikuar shumë edhe gjendja e tij shpirtërore, por edhe cigaret e shumta që ai tymoste. Mund të bëhet fajtore gjendja shpirtërore, pasi Lorua ishte tip shumë i ndjeshëm dhe i përjetonte thellë si momentet e gëzimit, ashtu edhe ato të hidhërimit. Në fakt, për kurimin e tij jashtë vendit, gjë për të cilën në atë periudhë kërkohej leje speciale e rezervuar për shumë pak shqiptarë, ndërhyri vetë Ramiz Alia, i cili, si shkodran që ishte, dha urdhër që Loros t'i bëheshin të gjitha përkujdesjet e mundshme për përmirësimin e shëndetit. Por, megjithëse u dërgua jashtë për kurim, ai nuk mundi të shpëtonte dot.

Artikull i punuar mbi të dhënat e shkrimit: ‘Stadiumi kombëtar “Loro Boriçi” s’ka rivalë në përparësinë e rindërtimit të tij’, me autor Besnik Dizdari, botuar në gazetën Panorama Sport, 14 Mars, 2012.

 Shkodrapress

Vetëm pak ditë përpara afatit përfundimtar, që Myftinia Shkodër ka lënë për të liruar tregun e Zdralës, që është 15 janari, tregtarët aty kanë shprehur kundërshtitë e tyre. Fillimisht kundër prishjes së tregut të Zdrales dhe largimit të afro 300 tregtarëve është Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. Kreu i BSPSH Albert Tuka në një deklaratë të tij thotë se mbështet tregtarët. “Ne e kemi ndjekur prej kohësh këtë problematikë. Absolutisht që jemi kundër prishjes së tregut të Zdrales. Nëse ndodh një gjë e tillë duhet të keni parasysh se mbi 300 familje mbesin në mes të rrugës pa asnjë të ardhur. Nëse ndodh një gjë e tillë atëherë Shkodrës i shtohet një tjetër problem i madh social. Nuk është e drejtë që Myftinia të largojë në rrugë ato 300 tregtarë. Nuk është e vërtetë se është fituar ndonjë gjyq nga Myftinia e Shkodrës për tregun e Zdrales. Thjesht Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka njohur si pronë tregun e Zdrales për Myftininë, por jo se ka gjyq të fituar. Nga ana tjetër bëjmë të ditur se Myftinia i ka dërguar një shkresë INUK ku i kërkon që pas afatit, 15 janarit të merren masa që tregu i Zdrales të jetë i liruar. Nuk e kuptojnë se çfarë problemesh krijojnë me këtë që kërkojnë të bëjnë. Kam 10 ditë që dua të takoj kryetarin e Bashkisë Shkodër, z. Lorenc Luka, për këtë problem dhe nuk ia kam arritur qëllimit. I bëj thirrje kryebashkiakut dhe i bëj të ditur se e ka detyrim ligjor që të na ofrojë dokumentacionin që neve na nevojitet. Nëse nuk pranon të takohet dhe nuk na jep dokumentacionin që ia kemi kërkuar atëherë reagimet tona do të jenë edhe më të ashpra edhe ndaj tij sepse është e padrejtë të nxirren në rrugë 300 tregtarë që kanë bukën e gojës aty” – përfundon Tuka. 

Edhe vetë tregtarët shprehen të irrituar. Dy prej tyre kanë vajtur për të takuar kryebashkiakun Luka për nuk ia kanë arritur qëllimit as ata vetë. “Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse të drejtën tonë. Myftinia vetë na ka thënë se nëse nuk marrim lejen e ndërtimit deri me 15 janar ne do të ulemi në tavolinë me ju dhe do të bisedojmë për punën e taksës të zënies së truallit. Mirëpo, ata nuk pranojnë që të ulen në bisedime me ne dhe na kanë refuzuar. Të gjitha dyert po i gjejmë të mbyllura. Megjithatë nuk e kanë krejt të lehtë sepse ne nuk kemi ardhur aty nga hëna, por na ka dërguar vetë Bashkia Shkodër dhe jemi legjitim, të rregullt e po ashtu paguajmë të gjitha taksat. Po presim të takohemi me kryetarin e Bashkisë por ai nuk gjendet”. 

Po ashtu një tjetër tregtar i Zdrales thotë se Myftinia nuk do ta ketë aq të lehtë ta marrë tregun e Zdrales. “Do ta kenë të vështirë me ne. Do të rezistojmë dhe do të protestojmë sepse aty kemi bukën e gojës. I bëjmë thirrje Myftinisë sepse jemi të gatshëm të paguajnë taksat”. 

Një tjetër e quan katastrofike situatën. “Situata në tregun e Zdrales është katastrofike sepse punë kemi patur shumë pak ngaqë është hapur fjala se ky treg do të prishet. Ne nuk jemi zaptues të kësaj zone. Kemi kërkuar nga mënyrat më të ndryshme Myftinisë që të ulemi në bisedime me ta dhe ta dyfishojmë taksën. Nuk është problem se do të pasurohet arka e Myftinisë, por e dikujt tjetër”. 

Një tjetër tregtar bën thirrje që Myftinia të mos përzihet me politikën. “Ne jemi taksapagues të rregullt. Kthimi i kësaj prone për mua është i paligjshëm sepse sipas ligjit kthehet prona që është e pazënë. Kjo pronë është e zënë. Ne nuk jemi kundër pronave të ligjshme, por më parë Bashkia duhet të ndërtojë një treg tjetër për ne dhe Myftinia të paguaj dëmet ndaj nesh. Kështu si duan këta nuk mund të veprohet. I bëj thirrje Myftinisë që të mos përzihet me politikën sepse është insitucion i pavarur”. 

Tashmë vetëm 10 ditë kanë mbetur për ta parë se cili do të jetë fati i tregut të Zdrales që Myftinia Shkodër pretendon se e ka pronë të saj. Nga ana tjetër tregtarët janë të vendosur për të mos lejuar një gjë të tillë me pretendimin se vetë Bashkia i ka dërguar aty dhe se nuk është një hapësirë e lirë.  

 

(foto: Vito Smakaj)

Senad Nikshiqi

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO