21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Vepra dokumentare me rëndësi evropiane

(Çaste shkrimi IV, 79)

 

1. 

Një panteon kujtese ME STUDIMET e tij me vlerë për të martirizuarit nën regjimin komunist, e, sidomos, të Kishës Katolike, ka ngritur Dr. Pjetër Pepa (1942-2014) me veprat e tij monumentale dokumentare “Dosja e diktaturës” (1995) dhe “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike në Shqipëri” I e II (2007) në dy vëllime: vëllimi parë me 786 faqe, i dyti me 734 faqe. Në ditën e sotme ai do të mbushte 72 vjet, por më 23 mars të këtij viti ai nda nga jeta. Ishte njeri i dashur dhe i afërt në komunikim me të gjithë. I urtë, udhëzues... Ende nuk kishte nisur rrjeti social, kur pata thjesht një takimi të shkurtër para disa vjetësh, dhe kur nisi rrjeti social i facebbok, nga ai më ngeli një mesazh: 

"2011-11-10 8:58.PD

Uroj të jesh mirë.

Të patëm dje në gojë me Don Shan Zefin...para një gote vere. 

Të fala e mirupafshim andej o këtej..

Pjetër Pepa"

Pas dy vjetësh, kur po e uroja për herë të fundit për ditëlindje, mu përgjigj me një lajm brengosës: 

"2013-12-30 3:56.MD

Prend, të falem nderit. U përgjigja me vonesë për arsye shëndetësore. Më vjen mirë që vazhdon mos t’i zhgënjesh konsideratat e mija. Të fala, e mirupafshim këtej ose andej."

Gjithnjë në përshëndetjet e tij,në mesazhe apo kur uronte për takime, e përdorte shprehjen "andej o këtej". 

Por Dr. Pjetër Pepa mbahet në mend jo vetëm si mjek, autor tekstesh nga lëmi i tij i stomatologjisë, por edhe si deputet dy herë i zgjedhur në Parlamentin e Kuvendit të Shqipërisë, pastaj si ambasador i Shqipërisë në Vatikan. Madje, dy librat e tij ishin ndër materialet kryesore për t’i përnderuar figurat klerikale të martirizuara. Ka dhe disa vëllime me shkrime nga fusha e kulturës. 

2. 

Për publikun e gjerë, Pjetër Pepa njihet si deputet, (dy herë deputet), si ambasador në Vatikan, dhe si autor i studimeve cilësore për dosjet e persekutimit, sidomos të Kishës Katolike përgjatë periudhës komuniste. Gjatë viteve ’90, kur ishte shembur regjimi komunist kudo në Evropë, nën Serbinë e tyre viteve millosheviqiane, libri shqip që vinte nga Shqipëria, konsiderohej ende “material armiqësor”. Libri konfiskohej, atij që i gjendej në kufi a gjetiu, arrestohej dhe torturohej. Kështu ka ndodhur me një mik timin që e kisha porositur të ma blinte librin “Dosja e diktaturës” (meqë për nja njëzet vjet Serbia ma apti mohuar të drejtën të kem pasaportë). Për Serbinë libri “Dosja e diktaturës” ai ishte “libër armiqësor”, meqë e konfiskuan nga miku im! Por ja që Serbia nuk kishte aq policë sa të kontrollonte secilin shqiptar. Megjithatë atë ekzemplar e sigurova përmes të tjerë miqve dhe e shpëtova edhe nga lufta e fundit në Kosovë, duke e “strehuar” në male (gjatë luftës Serbia digjte biblioteka kudo që haste në to). Gjatë asaj kohe, ky librë në Kosovë shumëzohej me fotokopjues dhe shpërndahej gjithandej për t’u mësuar e vërteta se çka ka ngjarë në Shqipëri. Dy vëllimet e veprës “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike ne Shqipëri”, më 26 nëntor 2007 në Prishtinë, mi bleu në shenjë dhurate miku im Dr. prof. Akil Koci, muzikolog, kompozitor dhe publicist. 

I përmenda këto fakte, se edhe blerja dhe ruajtja e një libri në Kosovë ka historinë e tij. Librat te ne kanë pasur fatin e njerëzve... 

3. 

Të dy vëllimet “Dosja e diktaturës” dhe “Tragjedia dhe Lavdia e Kishës Katolike ne Shqipëri”, e bëjnë autorin njërin ndër njohësit më të mirë të dosjeve të martirizimit të Kishë Katolike në Shqipëri, siç do të nënvizonte Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit Tiranë-Durrës. Janë të shumta dëshmitë që japin jo vetëm këta dy libra, mbi punën e Kishës Katolike, një veprimtari jashtëzakonisht e shquar, madhështore, me përmasa tejet të mëdha e me rëndësi të madhe sidomos në lëmin e kulturës e të çështjes kombëtare. E vërteta e këtyre vëllimeve na flet për të vërtetën e madhe historike të krimeve ndaj Kishës, nga njëra anë, por edhe për të vërtetën që shkon përtej një dëshmie: atë të martirizimit që mposhti edhe dhunën më të egër! Autori ka marrë si moto thënien e Papa Gjon Palit II: “Historia nuk e ka njohur ende atë që ka ngjarë në Shqipëri. Kështu, të dashur shqiptarë, drama juaj duhet t’i interesojë gjithë kontinentit evropian! Është e domosdoshme që Europa të mos harrojë!” në frymën e këtij pohimi, këto vëllime, prandaj, kanë dhe rëndësi evropiane! 

4. 

Dhe njohësi i kësaj problematike, Dr. Pjetër Pepa“ është as klerik, historian, as shkrimtar”, si dhe me theksimin tjetër: “Kudo që përhapet Ungjilli, ndërron faqe vendi...” Vëllimet vijnë pas shpërfytyrimeve që bën tortura mbi të vërtetën dhe kujtesën e njerëzve, të atyre kohëve, kur “e vërteta përzihet me shpifjen, naiviteti me intrigën më të rafinuar, e vogla zmadhohet dhe e pabesueshmja bëhet aq reale dhe e prekshme, sa të befason.” Projekti unik i zhbërjes së Kishës Katolike në Shqipëri nisi më 1944 dhe nuk ndaloi deri më 1990, me pretendimin ateist e komunist, për ta zhbërë besimin dhe Zotin nga zemrat e njerëzve. Autori thekson: “Duke shfrytëzuar të gjitha mjetet që zakonisht ka në dispozicion një regjim totalitar, shteti i parë ateist i planetit donte ta fshinte Zotin nga faqja e dheut shqiptar, ta shkulte atë nga zemrat dhe ndërgjegjja e besimtarëve, madje të zhdukte plotësisht prej tyre edhe vetë mundësinë e besimit, dashurinë dhe shpresën në Të”. Librat mbështeten në të dhënat arkivave. Autori sjell dëshmi nga burgu, dramat njerëzore të të persekutuarëve, të pushkatuarve dhe të të përndjekurve, si dhe portretizime të shumta e me vlerë, të cilat shërbejnë për kanunizimin e të martirizuarve. Në këto vëllime jepen edhe dëshmi të persekutimit të klerikëve myslimanë dhe ortodoksë si dhe një paraqitje pasur historike e besimeve në Shqipëri që nga lashtësia ilirike. Madje, jepen edhe persekutimet për këa dymijë vjet kundër kësaj kishe, nën romakët, turqit dhe komunistët. Autori jep dhe listën e atyre që vuajtën përndjekjet e diktaturës. 228 veta, që të gjithë të eliminuar. Diku në faqen 291 të vëllimit të parë, autori apelon: 

“Të mos harrojmë! Ishin vetëm 160 klerikë që kishin kryer 450 vjet studime në 24 universitete të Europës, e do të bënin, mjerisht, edhe 881 vite të tjera, gati nëntë shekuj burg në tokën e tyre! 

Të mos harrojmë: vetëm ata që u pushkatuan, bënë 250 muaj rreth 21 vite tortura në hetuesi! 68 muaj, afro 6 vite hetuesi e tmerr, bënë ata të tjerët, të vdekurit në tortura. 

Të mos harrojmë! U shfarosën pothuajse të gjithë!"

Merret dëshmia e pohimi i Didier Rance-s: “Nga gjashtë ipeshkvijtë dhe 156 priftërinjtë shqiptarë para persekutimit, ...65 kanë vdekur martirë, 30 janë ekzekutuar e 35 janë mbytur gjatë torturave, 64 kanë vdekur mbasi kanë provuar burgjet e kampet e përqendrimit...”. 

Diku tjetër autori ka dhënë një listë kësisoj: 1-Janë pushkatuar 29 klerikë, 2-Janë mbytur në tortura 29 klerikë,3 janë burgosur dhe internuar 93 klerikë, 4-kanë kaluar ndër kriza mendore deri çmendi 6 klerikë, 5-Janë detyruar të arratisen ose s’ janë lejuar të kthehen në atdhe 35 klerikë, 6-Janë përjashtuar nga shërbimi 19 klerikë, 7-Kanë vdekur në ankth e dhimbje pjesa e mbetu 15 klerikë.

Dëshmitë vijnë si përjetime e rrëfime në Ferrin e Dantes, si shpalosje e këtij ferri nën regjimin komunist. So të toshim: është një anatomi e saktë që ia bën krimeve të diktaturës ndaj klerit. Librin mund ta lexojmë edhe si homazh dokumentar të atdhetarizmit, të formulës së klerikëve shqiptarë Fe e Atdhe, të tolerancës ndërfetare, të gjakimeve shqiptare për demokraci dhe qytetërim. Është Martiriumi shqiptar jo vetëm i Shkodrës dhe i Veriut shqiptar përballë 50 vjetëve nën totalitarizmin komunist. Dokumentim i përpiktë dhe i saktë i historisë më të re shqiptare. 

 

Prend Buzhala

Shkodra Press

Moikom Zeqo / 

Mbylli sytë përgjithmonë Skënder Drini. U mbyll saga e jetës së një njeriu të veçantë, që ishte një shkrimtar i shkëlqyer. Jeta fizike e tij mori fund në mënyrë të dhimbshme. Prej shumë ditësh i shtruar në spitalin e kardiologjisë, për t’u kuruar për koronaret, ai befas pësoi një atak hemorragjik dhe ra në koma të thellë. Parametrat e komës nuk tregonin asnjë mundësi përmirësimi apo për të dalë nga kthetrat e pamëshirshme të vdekjes. Ditën e parë që u shtrua në spital, Skënder Drini më telefonoi. Në orën shtatë të mbrëmjes shkova dhe e takova në spital. M’u duk mirë. Biseduam si gjithmonë, madje bëmë edhe humor. “Jam shtruar për të bërë disa analiza, më tha Skënderi, por nuk besoj se do të rri gjatë këtu”. Ndodhi e kundërta. Erdhi në spital pikërisht për të mos dalë gjallë nga ky vend. Gjatë ditëve të gjata që mjekohej me përkushtim nga mjekët, Skënder Drini u fiksua në komën e tij. Unë vija shpesh dhe e shikoja. Ai me sytë e mbyllura, me portretin e tij fisnik, dukej sikur flinte, ndërkohë që mjekra e tij e thinjur rritej dhe mua më krijohej një ndjesi e çuditshme që ky njeri tashmë ishte shndërruar në një qenie që ishte përtej jetës dhe vdekjes, ashtu siç janë në të vërtetë statujat. Tërë kjo agoni e gjatë në të vërtetë nuk ishte mbijetesa e tij. Në koma ai ishte teknikisht i vdekur, pra ky njeri e përjetoi ndarjen nga jeta më përpara sesa të quhet i vdekur. Kjo nuk ka shumë rëndësi. Të gjitha qeniet njerëzore janë të vdekshme pa përjashtim. Këtu është fjala për një shkrimtar të shkëlqyer dhe një njeri të madh si Skënder Drini, i cili përfundon jetën e tij për të kapërcyer pragun e amshimit, për të kaluar në atë që romakët e vjetër e quanin “jeta e dytë”, domethënë atë substancë eterne që quhet “kujtesë”. Vdekja e Skënder Drinit është pa dyshim një dhimbje e padurueshme. Vdekja e Skënder Drinit është një humbje e veçantë në kulturën shqiptare. Shkrimtarët nuk janë njerëz të rëndomtë. Çdo njeri i rëndomtë ka vdekje që shkakton dhimbje për të afërmit. Vdekja e një shkrimtari si Skënder Drini shkakton një dhimbje kombëtare. Kjo është plotësisht e vërtetë dhe e pamohueshme. Skënder Drini është një personalitet i madh i kulturës moderne shqiptare. Ai u formësua dhe u skalit si një profil i letërsisë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX. Talenti i tij nuk ishte i zakonshëm. Skënder Drini synoi gjithmonë diçka të epërme dhe një letërsi me një estetikë të lartë. Veprat e tij të shumta dhe cilësore e bëjnë Skënder Drinin pjesë të kostelacionit të shkrimtarëve të shquar shqiptarë, si Ismail Kadare, Petro Marko, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Dhimitër Shuteriqi etj. Skënder Drini ishte një prozator i mirëfilltë dhe pa dyshim një mjeshtër i vërtetë. Ai ishte mjeshtër i tregimit të shkurtër dhe i prozës së gjatë. Romanet e tij kanë hapur një hulli të re në letrat shqipe. Romani “Shembja e idhujve” është pa dyshim një nga romanet më të mëdhenj të letërsisë shqipe në të gjitha kohërat. Njohës i thellë i jetës, ai karakterizohet nga një humanizëm i pashoq. Pas viteve ’90, Skënder Drini ka një fazë të dytë të krijimtarisë së tij, ku ai, ndryshe nga prozatorë të tjerë, që u plogështuan dhe u zbehën, pati një shkëlqim. Po përmend vetëm dy romane të tij: “Nata e ka emrin grua” dhe “Korbi”. Për mendimin tim, këto dy romane janë dy romanet më të shkëlqyera të botuara këto njëzet vjetët e fundit. Skënder Drini ishte mjeshtër i rrallë i prozës moderne dhe i subjekteve të thekshme ekzistenciale. Ai botoi një numër të madh librash me prozë të shkurtër, që ishin gjithashtu të një niveli të lartë për letrat shqipe në këtë etapë. Nuk duhet harruar dhe një tjetër dimension i tij, ai i mendimtarit dhe analistit politik për çështjen shqiptare kombëtare, që ai i përkushtoi qindra artikuj, si dhe disa libra. Dhe pikërisht në këtë kulm të krijimtarisë Skënder Drini ishte gati i harruar nga mediat, nga juritë idiote të Ministrisë së Kulturës, nga vlerësimet dhe çmimet kombëtare që u janë dhënë njerëzve, që nuk i kujton më askush dhe që janë harruar përfundimisht. Skënder Drini ishte një njeri mjaft i kulturuar, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe një lexues i madh. Ai ishte shëmbëlltyra e shkrimtarit që nuk bën kompromise dhe i shpërfill të gjitha klientelizmat politikë. Ai e përballoi me dinjitet dhe stoicizëm fatin e vet. Pa iu ankuar askujt, por pa folur asnjëherë për veten e vet. Ai jetoi një jetë me mundësi financiare të mjerueshme, por pa e humbur asnjëherë besimin e madh utopik dhe moral te letërsia e vërtetë. Skënder Drini ishte një karakter i madh njerëzor. Duke pasur një njohje mbi 30-vjeçare me të, e kam njohur dhe admiruar nga afër tipin dhe ndershmërinë e tij të pashoqe. Skënder Drini nuk dinte as të lajkatonte. Ai nuk dinte asnjëherë të gënjente. Ishte i drejtpërdrejtë, pra shumë i vërtetë si njeri. Karakteri i lartë i tij përbën një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për shoqërinë shqiptare. Asnjë njeri si Skënder Drini nuk ka qenë kaq krenar dhe i paepur përballë mediokritetit të së keqes. Ai ishte gati i pathyeshëm. Një fjalë e urtë thotë “se vdekja ha gjithçka, përveç emrit të madh”. Vdekja përballë Skënder Drinit është e mundur përgjithmonë. Skënder Drini nuk ka të bëjë asgjë më vdekjen e tij fizike. Nëse një jetë njerëzore është e përcaktuar me limite kohore, kjo gjë është e vetëkuptueshme deri në atë çast konceptual kur ne reflektojmë dhe kuptojmë se jeta e një krijuesi të madh si Skënder Drini në të vërtetë e kapërcen më në fund vdekjen. Skënder Drini jetoi tërë jetën në Shkodrën, që Migjeni i madh e ka quajtur “dashnorja e shekujve”. Frederik Rreshpja dhe Skënder Drini janë pa dyshim dy shkrimtarët e mëdhenj kombëtarë më të shquar, që lidhen pikërisht me Shkodrën. Janë të varfra fjalët përpara një personaliteti të tillë si Skënder Drini. Dhe fjalët e mia janë pa dyshim të varfra. Jam i sigurt se unë kam shprehur ndjesi apo përafërsime të asaj që lidhet me një lavdi dhe krenari që kultura i jep kombit. Shkrimtarë si Skënder Drini i shtojnë vlerat në panteon kombit shqiptar më shumë sesa emrat e politikanëve apo njerëzve të tjerë, të cilët përcaktojnë atmosferën apo spektaklet mediatike në këtë Shqipëri të demonizuar nga politika. Përtej politikës së çastit, emri i Skënder Drinit përshndrit letërkredencialet e kulturës dhe të artit shqiptar. 

Amen! 

(marrë nga panorama.al)

Shkodra Press

Ekzistojnë të gjitha mundësitë që vëzhgimet e mëposhtme të jenë shtjelluar shumë herë dhe mbi të gjitha të jenë prekur në thelbet përkatëse shumë më thellësisht sesa në këtë ese. Megjithatë, burimi nxitës për nxjerrjen e kësaj eseje ishte më përpara dicka e panjohur për mua dhe këtë e përmend pa dashur të shpreh asgjë mistike apo diçka të tillë në atë burim. Kam ndërmend që këto vëzhgime ti sintetizoj duke u nisur nga subjekte që lidhen mes tyre nga fije të ndryshme. Nga kjo mund të hamendësoj se kjo ese, në fund të fundit, nuk do të përmbushë, ndoshta qëllimin e saj, që është nxjerrja e një fijeje të përbashkët, sado e papërfillshme dhe të tentojë të përforcojë lidhjen midis subjekteve të lartpërmendur.

Bëhet fjalë për gjetjen e së njëjtës gjatësi vale midis dy kolosëve të periudhave të ndryshme të njëpasnjëshme të letërsisë: Dostojevskit dhe Kafkës. Përmes kësaj synohet të zbulohet edhe ndryshimi mes tyre. 

Në veprën “Odiseja”, Homeri shkruan: “Perënditë na dhanë vuajtjen që të kishim përse të këndonim…”. Ky citat i famshëm mund të merret si zanafillë për analizimin e shkakut nxitës të procesi të të shkruarit jo vetëm te këta të dy, por në çdo subjekt që shkruan. Ky fenomen ndodh sepse në çdo shkrimtar kemi si katalizatorin (me prejardhje psikike) më efektiv, më efektiv, në aspektin artistik vuajtjen. Pikërisht ky fakt është mëse i vërtetë si për njërin ashtu edhe për tjetrin. Dostojevski kaloi gjatë jetës së tij sprova nga më të tmerrshmet, të cilat në vetvete prodhuan forca të mëdha psikike, që çuan në formimin e veprave me vlera të jashtëzakonshme si: “Krim e ndëshkim”, “Idioti”, “Djajtë”, “Adoleshenti”, “Të fyer e të poshtëruar”, etj.

Nga ana tjetër, vetë Kafka, në biografinë e tij paraqitet i tillë që ndarja e herëpashershme me Felisë Bauer-in ndikoi shumë në krijimin e “Procesit” e të “Metamorfozës”. Pra, siç vihet re ajo thënie e Homerit është një e vërtetë universal në lëmin psikologjik të të shkruarit dhe kjo është mëse e qartë.

Në veprën e Frojdit, “Psikoanaliza fëminore” arrita në një përfundim që mund të përmblidhet në vija të trasha: Crregullimet psikike (neurozat), kryesisht, vijnë nga dëshirat e papërmbushura, që nëse nuk arrijnë të dalin nga pavetëdija në vetëdije mund të çojnë deri në humbje të aftësisë për të bërë jetë active. Gjithashtu, kjo haset edhe në vëllimet e jashtëzkoshme të Frojdit “Hyrje në psikoanalizë”. Nisur nga Frojdi, dua të nxjerr në pah mendimin se ekziston diçka e veçantë në njerëz të veçantë. Nëse Frojdi shpjegon se shtypja e libidos, rezervuari kaotik i instikteve, çon në formimin e neurozave si një kundërpërgjigje ndaj kësaj shtypjeje, unë jam i mendimit se është edhe një formë tjetër e rëndësishme për kundërpërgjigje: arti. Artisti, për shkak të nevojave instiktive, ndihet i paaftë të përshtatet me realitetin praktik. Prandaj, ai gjen zgjidhje me anë të mekanizmit mbrojtës, që përfaqësohet nga kundërpërgjigjja, në botën e imagjinatës dhe ndonjëherë kjo botë fictive e artit është shumë afër me neurozën. Megjithatë, artisti me krijimin e veprës së tij e gjen ngushëllimin pikërisht në shkakun e ashtuquajtur final (koncept i përmendur për herë të parë nga Aristoteli) që përfaqëson në vetvete kënaqësinë që tejçon artisti te adhuruesit e tij. Pra, edhe këtu kemi krijimin e forcave të mëdha psikike.

Duke bërë një deduksion të rrufeshëm, arrijmë lehtësisht në përfundimin se si te bota e Dostojevskit ashtu edhe te ajo kafkiane, ishin të pranishme ato instikte që bënë të mundur sintezën e dy veprave që luajtën një rol vendimtar në mendimn njerëzor.

Nga këto dy aspekte, arrihet në një përfundim që e përbashkëta midis Dostojevskit dhe Kafkës është e një natyre të dyfishtë. Së pari, ajo është e brendshme dhe është më thelbësorja dhe e jashtme. Këto dy cilësi i atribohen dy argumenteve të mësipërm dhe janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Është vuajtja që ngacmon “demonin” të zgjohet dhe është ky “demon” që sjell vuajtjen te Dostojevski dhe te Kafka ose edhe te heronjtë e tyre. Në rastin konkret vërejmë përkatësisht dy romanet më të famshëm të tyre.

Në veprën “Krim dhe ndëshkim” është vuajtja, ku një pjesë e madhe e së cilës është e natyrës fizike, ajo që bën të zgjihet demoni i cili e con Raskolnikovin të kryejë vrasje në emër të motivit për të qenë mbinjeriu i tipit nicean. Më vonë është po ky demon që bashkë me motivin që e bën Raskolnikovin të vuajë, një vuajtje kjo e metamorfizuar, duke u kthyer në shpirtërore.

Nga ana tjetër, të “Procesi” është vuajtja e Kafkës që sjell demonin i cili i vë fajin Jozef K. Ky  i fundit do të jetë i tillë që për shkak të demonit,  do të futet në labirintin në zmadhim e sipër që në vetvete përfaqësojnë vuajtje në po këtë progress.

Për mendimin tim, figura e  Kafkës shpaloset më e ndërlikuar dhe më e ndezur deri në pikën sa ndonjëherë informacionet merren përnjëherësh, si në një pikturë. Kjo ndodh për faktin se Kafka merr pjesë në ciklin e parimit “demon - vuajtje”. Për Dostojevskin, si nj  realist i mirëfilltë, kemi një paraqitje dinamike për të imponuar efektin psikologjik duke e dhënë idenë në mënyrë më lineare. Këtu qëndron ndryshimi i madh midis tyre. Pra e përbashkëta e realizon vetveten deri në një pikë dhe nga ajo pikë e mbrapa qëndron dallimi. Vetë pika përfaqëson thelbin…ose hiçin!

 

Virtyt Lesha

Shkodra Press

Emfazat tashmë janë konsumuar. Ç’të bie në përsëritje!!??

Çdo letërsi kombëtare ka një armatë letrarësh dhe pak gjeneralë. Letërsia jonë ka edhe më pak gjeneralë, që pa dashur të përdorim gishtat e njërës dorë, mund t’i numërojmë lehtë. Ndër këta të paktë ishte edhe Skënder Drini, që sot u nda nga jeta, duke krijuar një boshllëk në letërsinë shqiptare dhe një trishtim të thellë që ligjet e ekzistencës njerëzore ia ofrojnë prore qenies sonë, sidomos kur është e merituar të quhet qenie sociale. Vdekja e tij ngjan si një vetëflijim për të kthjelluar kokat tona të nxehta, të nxituara, të paditura, të painformuara, injorante e, deri të pafajshme për shkak të niveleve tona mjerane apo të pamundësisë për të qenë të kulturuar dhe të natyrës sonë kriminale për të dhënë mendime e opinione për gjëra që s’i njohim, pa na i kërkuar kush. Sepse Skënder Drinin një pjesë shumë e madhe e njohin vetëm nga adresa, apartamenti, fatura e dritës, ngjyra e veshjeve, flokët e thinjur, gjendja civile etj. Dhe është kjo shumicë që nuk ka lexuar prej tij asnjë rresht; dhe jo vetëm prej tij, por që nuk e ka kapërcyer abetaren, që japin gjykime dhe marrin vendime apo përcaktojnë opinione për të si shkrimtar. Ironi e fatit! De Rada pati vdekur me dy cironka (saraga u thonë shkodranët), në xhep. Por që atëherë kanë kaluar shumë vite dhe sot nuk pritet që të përsëriten ironi të tilla fati. E quajta vdekjen e mikut tonë vetëflijim për të kuptuar se çfarë fati kanë në shoqërinë tonë vlerat e vërteta intelektuale, morale, njerëzore e kulturore. Është rasti më i mirë ta njohim moralin e shoqërisë së sotme. Të kuptojmë: Çfarë vlerësohet sot? Si jetojnë intelektualët dhe si jetojnë injorantët që kanë armiqësi edhe me alfabetin. Por për fat të keq, injorantët po vazhdojnë të jetojnë dhe nuk vdesin. Ata merren me politikë, me drejtim, me biznes, me modë. Drejtojnë parti, institucione, supermarkete, sfilata, projekte shoqatash të gllabëruara etj. Dhe, më qesharakja, tentojnë të përcaktojnë edhe hierarkinë e vlerave kulturore. Po qe se ndonjëherë do të vijë rasti të vdesin injorantët dhe injoranca vetë, atëherë do të mund të jetojnë intelektualët dhe inteligjenca. Por kjo duket e largët. Sepse injorantët gëzojnë shëndet të plotë, janë në moshë vitale, merren me politikë, u imponohen të gjitha qeverive dhe kanë aq pasuri, sa të blejnë qindra shtëpi si ajo e Skënder Drinit dhe e imja. Pastaj të flasësh për Skënder Drinin si shkrimtar, si intelektual, si qenie njerëzore, si iluminist i sakramentit të martesës etj., është e pamundur, sidomos në hapësirat bujare që të ofron ky rrjet i mrekullueshëm social. 

Për mjeranët e mjerë që patën vampirizmin ta përgojonin në ditët e fundit të jetës së tij, i lutem Zotit: fali o zot; fale ligësinë, injorancën, perversitetin, shpirtin qymyr dhe shtazërinë e tyre. Amen!

 

Zija Vukaj 

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO