21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Tashmë gjithçka ka mbaruar për zgjedhjet lokale në Shkodër, pas përfundimit të numërimit të votës për kryetarin, të Premten në darkë ka mbaruar edhe numërimi i votave për subjektet politike.

 

* Koalicioni i djathtë llogarit 27 mandate në Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës. 

Partia Demokratike e Shqipërisë llogarit 21 mandate, konkretisht: 1.  Filip Guraziu 2.  Greta Bardeli 3.  Maxhid Cungu  4. Vildane Gushta  5. Arben Gjuraj  6. Romira Muka  7. Xhemal Bushati  8. Kristi Kola  9. Gasper Kokaj  10. Terezina Hila  11. Bujar Hoti  12. Lina Pjetri  13. Mark Rupa  14. Nadire Shabaj  15. Selami Smajli  16. Arjola Zefi  17. Ndoc Ashta  18. Nirvana Lekaj  19. Isuf Meta  20. Sara Gurraj  21. Marin Pemaj

Partia Republikane llogarit dy mandate, konkretisht:  1. Namik Kamberi  2. Jetmira Kruja

Partia Mendimi i Djathtë Liberal llogarit një mandat, konkretisht: 1. Mustafa Lici

Partia Balli Kombëtar Demokrat llogarit një mandat, konkretisht: 1. Muarrem Shkjau

Partia Ora e Shqipërisë llogarit një mandat, konkretisht: 1. Tom Marku

Partia Agrare Ambientaliste llogarit një mandat, konkretisht: 1. Gjovalin Troja

 

* Koalicioni i majtë llogarit 24 mandate në Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës.

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim llogarit 10 mandate, konkretisht: 1. Elton Radovani  2. Lindita Reçi  3. Sokol Lekaj  4. Rezarta Zamaku  5. Sokol Jubica  6. Roze Dedvukaj  7. Mirjan Bletaj  8. Klodiana Dizdari  9. Andi Mithi  10. Enejda Vadohej

Partia Socialiste e Shqipërisë llogarit 9 mandate, konkretisht: 1. Gëzim Galiqi  2. Senida Mesi  3. Luan Heta  4. Mirele Mataj  5. Renato Radoja  6. Valentinë Vuksani  7. Gjovalin Ndoj  8. Brisela Kadija  9. Ali Tula

Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim llogarit një mandat, konkretisht: 1. Maxhid Alibali

Partia Fryma e Re Demokratike llogarit një mandat, konkretisht: 1. Fatlum Nurja

Partia Ligj dhe Drejtësi llogarit një mandat, konkretisht: 1. Gëzim Alibali

Partia Socialiste e Moderuar llogarit një mandat, konkretisht: 1. Mark Ndou

Partia Demokristiane llogarit një mandat, konkretisht: 1. Preng Luli

Shkodra Press

Është mbyllur numërimi i votave për këshilltarë në të gjitha KZAZ-të e qytetit ku janë numëruar dhe kanë përfunduar 245 kuti nga 245 në total. E djathta merr shumicën në Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës me 27 mandate, përkundrejt 24 mandateve të koalicionit të majtë.

Nga numërimi i përgjithshëm i votave për Këshillin Bashkiak rezulzon se Partia Demokratike është forcë e parë duke arritur të sigurojë 21 mandate në Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës, me 25.357 vota.

Partia Socialiste ka siguruar 9-të mandate në Këshillin Bashkiak, me 10.925 vota në total duke u renditur forcë e tretë politike. Diferanca mes dy partive të mëdha historike është e thellë në favor të Partisë Demokratike me 14.432 vota.

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim rënditet forcë e dytë me 10-të mandate në Këshillin e ri Bashkiak, me 11.800 vota. Diferenca në vota mes LSI dhe PS është 875 vota në favor të LSI.

Nëse bashkohen sëbashku votat e PS+LSI (22725 vota) nuk arrijnë të mundin PD-në e cila ka 2.632 vota më shumë.

Nga të dhënat përfundimtare, e djathta shkon e sigurt me shumicë të konsiderushme në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, me 21 mandate PD dhe 6 mandate partitë e vogla brenda koalicionit të djathtë.

Përkatësisht, Partia Demokratike ka 21 mandate, Partia Republikane ka 2 mandate, Partia Mendimi Djathtë Liberal ka 1 mandat, Partia Balli Kombëtar Demokrat ka 1 mandat, Partia Ora e Shqipërisë ka 1 mandat, Partia Agrare Ambientaliste ka 1 mandat, në total janë 27 mandate.

Për sa i përket Koalicionit të Majtë, Partia Socialiste ka 9 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim ka 10 mandate, Partia Ligj dhe Drejtësi ka 1 mandat, Partia Demokristiane ka 1 mandat, Partia Socialiste e Moderuar ka 1 mandat, Partia Lëvizja Demokratike për Ndryshim ka 1 mandat, në total janë 23 mandate.

Ndërkohë që 1 mandat shkon për Partia Fryma e Re Demokratike, e cila në këto zgjedhje në qendër ishte e rreshtuar në koalicionin e majtë, megjithatë mbetet për tu parë pozicioni në Këshillin e ri Bashkiak, kur krerët e kësaj force në Shkodër kanë deklaruar se mbështesin mazhorancën për investime dhe progres, ashtu siç mbështesin edhe opozitën për transparencë. Nëse FRD shkon në koalicionin e majtë, atëherë në këshill e majta do kishte 24 mandate. Nëse FRD do shkonte djathtas, atëherë e djathta do kishte 28 mandate.

Interesant është edhe përfaqësimi i Partia Social Demokrate, me të parin në listë Gjergj Sokoli, që ka arritur të sigurojë 1.841 vota, por që nuk është përkthyer në mandat për arsye se PSD është jashtë koalicioneve dhe duhet një numër më i madh votash që të nxjerrë përfaqësi në Këshillin Bashkiak.

Kjo është situata e mandateve në Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës, në total 51 mandate, 27 të djathta dhe 24 të majta.

Gjithçka është llogaritur sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (www.cec.org.al).

Shkodra Press

Karriera e njeriut që luftoi kundër turqve dhe malazezëve deri në vdekje

Isa Boletini lindi në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, më 15 janar 1864. Vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të 1881 mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.

Në 1902 u emërua komandant i “rojeve arnaute” të Sulltan Abdyl Hamitit I. Gjatë qëndrimit të tij në Stamboll mori titullin “bej”. Në 1908-n, në fillim ishte në krahun e xhonturqve, megjithatë shpejt kjo lidhje u prish. Në nëntor 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën e qëndresës antiosmane e mori në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Gjatë vitit 1909, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjetiu. Ishte një ndër udhëheqësit më kryesorë të kryengritjes së pranverës 1910. Nën drejtimin e tij, shqiptarët bllokuan për dy ditë në betejën e përgjakshme të Carralevës ushtritë osmane që po depërtonin në Kosovë.

Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-s, ishte një ndër kryetarët më në zë të çetave në Kosovë. Në nëntor 1912, u vu menjëherë në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Në 1914 trupat e tij mbrojtën qeverinë e Princ Vidit.

“Baca Isë” është bërë i njohur edhe për ndodhinë që i ngjau në Londër. Teksa delegacioni shqiptar shkonte të takonte Eduard Grejin, ministër i Jashtëm asokohe i Mbretërisë, roja i kërkoi Isait me xhentilesë që të dorëzonte revolverin. Isai u bind pa fjalë. Pas bisedimeve Grej, si një anglez i vërtetë bëri shaka: Nesër gazetat do të shkruajnë se atë që nuk e bëri dot ushtria e pamat osmane, e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër! Thonë se Isai është përgjigjur: Jo besa, as në Londër! Dhe ka nxjerrë një tjetër revolver që e mbante diku fshehur. Isa Boletini u vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916.

 

Si u vra Isa Boletini

Në shtator të vitit 1914, Princi Vilhelm von Vied u detyrua të largohej nga Shqipëria. Isa Boletini me njerëzit e tij, si dhe Bajram Curri, pajtuan me qira dy anije italiane, të cilat i çuan drejt Shëngjinit. Pagesa ishte 150 napolona ar.

Pas kësaj, kosovarët të sfilitur nga ethet malarike dhe nga lufta e gjatë, bëjnë një përpjekje gati titanike për t’u kthyer në vendet e tyre, por u penguan nga trupat malazeze që ndihmoheshin edhe nga Ceno bej Kryeziu. Kosova ndërkohë kishte rënë nën pushtimin serbo-malazez. Për një periudhë të gjatë Boletini dhe njerëzit e tij u endën nëpër malet e Veriut mes Kosovës, Hasit dhe Pukës, duke i shpëtuar pritave që u ngrinin armiqtë. Në fund të 1915-s mbërrin në Shkodër. Ishte bashkë me tre djemtë e tij, dy nipa dhe 100 luftëtarë besnikë. Shkodra e asaj kohe i ngjante një rrëmuje të vërtetë. Këtu përziheshin bashkë ushtarë të huaj, disa malësorë që ishin gënjyer nga Mali i Zi, esadistë, ish-ministra të Vidit, aventurierë lloj-lloj. Në këtë kohë, Isai dergjet i sëmurë në hotel “Parruca”.

Pak ditë më vonë ushtria malazeze shtiu në dorë Shkodrën. Me këtë rast, Knjaz Nikolla fali të gjithë ata persona që kishin luftuar me armë kundër tij, vetëm se krerët duhej të internoheshin në Podgoricë. Aqif Pashë Elbasani, Prenk Bibë Doda, Hilë Mosi e të tjerë pësuan këtë fat. Mes tyre ishte edhe Isa Boletini, me 40 njerëz nga të tijtë, por këta fillimisht i vendosën në Nikshiç e më pas në Danillovgrad. Një përpjekje e francezëve për ta nxjerrë nga Shkodra kishte përfunduar pa rezultat.

Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez. Më 20 janar 1916 malazezët vendosin të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Ndërsa austro-hungarezët avanconin, tri ditë më vonë do të ndodhte tragjedia. Më poshtë po citojmë kujtimet e Tafil Boletinit, nip i Isait, i vetmi i shpëtuar nga masakra:

“…Ndërkohë kasneci lajmëronte: Pushtet ma s’ka, gjithkushi nëpër shpija. Ushtria austriake asht hi në qytet. Gjandarmëria po mban qetësinë deri në dorëzim. Ajo detyrë i ishte ngarkue major Savo Llazareviç me dy batalione gjandarë. Ky kriminel i njoftun, po me këta gjandarë që quheshin ‘krillash’ (me krah), ka pasë me tmerrue me masakrime e vrasje, djegie, plaçkitje e me çdo lloj torturash barbare rrethet e Pejës, Gjakovës, Plavës e Gucisë, terror që shumë breza s’kanë me e harrue dhe historia kurrë. Këtë xhelat populli i atyne anëve e njef me emrin Savë Batarja, që e kishte fitue tue ba batare…

Të gjitha kryqet e rrugëve Savo i kishte xanë me patrulla të forta. Me nja 80 gjandarë kishte zanë pusi në të dy anët e urës së Ribnicës jo larg kishës katolike e karshi prefekturës… në ato moment mbërrin axha, po tue qenë ura në bërryl të rrugës nuk shifesh gja deri sa ka hip në urë. Me të hypë axha Isë në urë jepet shenji: Qe ky asht vetë Isa Boletini! Dhe prapa e nxanë urën. Kështu axha me Jonuzin me shokë rrethohen në hallkë. Oficeri komandues me za të naltë komandon: Predajte oruzhje! (Dorëzoni armët!). Axha Isa: Jo besa, kurrë s’ia kam dorëzue as mbretit, as kralit! Nagantin e mbante para dhetçes.

E para pushkë nga malazezët ka qenë e Pero Buriçit nga Vasoviçi. Në flakë të ksaj axha Isa me shokë iu bijnë atyne përqark. Edhe Jonuzi ka pasë dy revolverë, nagant e dhetçe. Krejt i kanë zbrazë, ndonëse të rrëzuem prej plumbave deri sa iu ka ra edhe me bomba dore. Çuni i axhës Isa, Halili, përveç revolverit iu ka ra edhe me bomëbn që ia pat marrë Niko gjandarit…

 

Mbrenda pak minutave tragjedia mbaroi. U vra Isa vetë i tetë:

1. Isa Boletini, vjeç 51.

2. Halili, i biri, vjeç 24.

3. Seidi, i biri, vjeç 18, student në Vjenë.

4. Jonuzi, nipi, vjeç 26.

5. Halili, nipi, vjeç 24.

6. Hajdar Selim Radisheva, kunat i axhës dhe dhandërr, vjeç 30.

7. Idris Bislimi, nipi i Hajdarit, vjeç 18.

8. Misin Niman Bala nga Isniqi, kushëri, vjeç 26.

Seidi, tue shkue prapa axhës Isa, mbasi e vret gjandarin që e kishte përpara ia kap pushkën e tij dhe vritet tue shti me ata fishekë që i kishte pushka. Misin Nimani, ndonëse nuk ka pasë pushkë, deri sa e kanë rrxue plumbat ka qindrue në kam pranë axhës. Në këtë duel grykë për grykë nga malazezët u vranë 7-8 vetë e 12-13 u plagosën, kryesisht nga ata trima që kishin ba gara se kush i del Isa Boletinit përpara e që kishin sulmue të parët.

Ministrat e Malit të Zi të larguem nga Cetina, të grumbulluem në prefekturë, fillim e mbarim e kanë shijue nga penxherët këtë dramë tragjike, që zhvillohesh trup me trup në krye të urës, bash në sheshin para prefekturës…

Unë në këtë moment ndodhesha në pjacë, në berberhane të Maliq Shkodranit, ku i kisha qethë flokët. Kur krisi pushka u ba nji panik i madh. Populli i grumbulluem rrugave për me pa ushtrinë austriake tue hi në qytet, i alarmuem, u shpërnda pikë e pesë, se kah mujte me ikë. Njiheri u dëgjuan zanat e oficerave: Nedajtene oruzhje, napadeshe kaçaçi! (O burra kapni armët, se na ranë kaçakët!). Kaçak iu thonin shqiptarëve. Masa e popullit këtë propagandë që e kishte digjue përpara, me tamam e besoi. Vraponin poshtë e lart si të hutuem, dyqanet mbylleshin, gjandarët në kamiona vrapojshin rrugave, tue shti me mitraloza në ajër, po ashtu edhe patrullat nëpër rruga shtishin kot, tue alarmue popullin, se gjoja na ranë kaçakët e malsorët… Ndërkohë me vrap u fut në dyqan major Misin Serezi, edhe ai i internuem. Kur më pa mue u nxi edhe më tepër. E pyeta: Zoti major, a patë gja ju, se unë nuk pashë gja se ç’po bahet? Tha: Jo. E pyeta: Po ça po thonë se na ranë shqiptarët? Atëherë majori mu përgjigj: Ç’thue more, çfarë shqiptarësh! Dhe shtoi turqisht: Isa bej i lë bereber bytyn sizinqilerini vurdiler! (Bashkë me Isa begun të gjithë tuajt u vranë!). Lajm i tmerrshëm e i paharrueshëm për mue sa të jetë jeta. Perëndia mos i baftë kurrkujt kësmet nji lajm kaq të zi. Leshrat e kresë mu ngrehën përpjetë…”./marrë nga Gazeta Shqip/

Fatos Baxhaku

 

(Për këtë shkrim u përdorën materiale nga Tafil Boletini, Kujtime, përgatiti për botim prof. dr. Marenglen Verli, Botimpex, Tiranë 2003; Skënder Luarasi, Tri jetë, Migjeni)

Shkodra Press

 

Arshi Pipa /

N’art e ndër letra, në shkencë e në filosofi, e deri në fé, kritika asht baza e çdo ndërtimi të sigurtë.

Kritika asht shêji i mendjes së pjekun.

Derisa mendja nuk kthehet me rishikue atë çka ka bâ, tue e vlerësue, ajo asht ende fëminore. Ajo mund të prodhojë vepra madhështore, kur intuita e përpjek me burimin e jetës. Kështu lindë poezija. E sigurisht poezija e madhe flet vetë, tue u kumtue imtaz ndër zemrat e atyne qi e ndijnë; spjegon arsyen e qenjes së vet me vetë qenjen e vet.

Po atherë çka duhet kritika?

Të marrim nji njeri qi ndërton. Ky njeri mund të jetë artist i lindun e atherë vepra e tij del vetvetiu e bukur. Po të mos jetë mjeshtër i fortë, pa qenë edhe krejt pa zotsi, do të ndërtojë dikund mirë e dikund keq. Fjala vjen në përgjithsi  vepra do të jetë mjaft e bukur, por ndër veçansina e pakryeme. Por mund të ndodhi qi nji njeri krejt i paaftë të ja hyjë “kutrum” nji pune. Ç’dobi pritet andej kuptohet lehtë: veç punë e bjerrun e dam.

Kritiku asht njeriu qi ndalet me shikue kët vepër. Dhe simbas rasës, aj çfaqë gjykimet e veta. Në rasën e parë, aj kundron me bindje fuqin e mjeshtrit: fjalët e tija janë lavde, por lavde t’arsyetueme në bazë të meritavet të veprës. Kritiku i përshkruen kto, i ven në pah, difton harmonin e motivavet të thurun, lidhjen e mshehtë qi rjedh ndër ta, përshtatjen e elementavet  me tansin. Me nji fjalë spjegon misterin e veprës. Pse vepra shpesh herë nuk asht aq e lehtë të spjegohet. Para nji vjershe a nji kuadri gjenial të gjithë thrrasim: “sa bukur!”, por vetëm ndonji din me tregue pse asht e bukur. Nji ah! Del përnjiheri nga shpirti i ngashëryem. Por arsyeja e ktij ahu! Lypë arsyetime shpesh të thella e të gjata.

Në rasën e dytë detyra e kritikut asht me dallue të mirat e të këqijat e veprës, ose për me ja thonë popullorçe: “me dá shapin prej sheqerit”. Kjo asht gjithashtu nji punë e vështirë. Janë disa cilsina qi duhen pasë doemos për me bâ dallimin  e masipërm. Kush ka pamje të dobtë, fjala vjen, ngatrron vazhdimisht të bardhën e shapit me të bardhën e sheqerit. Në rasën e parë duhej me pasë sidomos fund ,themel, për me u-mbështetë me siguri; hapësinë, horizont për me përfshi gjithë veprën, masë për me kqyrë drejtë e saktë. Tash duhet me pasë sidomos shije. Shija asht ajo qi dallon  pikrisht shapin prej sheqerit. Dhe shija asht nji pajë e veçantë. Ka soje soje shijesh: ajo e holla e sakta ndeshet shum rrallë.

Për me gjykue veprat e dështueme, nuk asht fort nevoja për me pasë cilsi të veçanta. Gjanavet të kalbta u ndihet era qysh larg, mjafton me pasë hundë të qirueme. Zakonisht ato rrëzohen vetiu, pa nevojë ndërhymjeje kirurgjike. Por ndodhë ndonjiherë qi ngjiten me mishin e shëndoshtë. E atherë asht nevoja me e dlirë. Edhe kjo farë kritike nuk asht e lehtë si kujtohet. Do e kush do nuk mund t’a bajë: njeni kalon e mbyllë hundë, tjetri kalon e mbyllë gojën. Kush do të gjindet edhe për kët punë të pamiradishme? Për kritikën themelore duhej pesha e mendjes, kultura. Për kritikën e shijes, prehtësija e mendjes  u squetsija. Për kritikën qiruese mjafton “bonsensi”.

 

Kritika nuk asht pra nji punë e lehtë, e aq ma pak, nji punë e kotë. Ajo vjen në prodhimin letrar rend e dallim, masë e qartësi, kuptim e vlerë. Vrejtjet e saja janë kshilla e qortime e ndonjiherë edhe shtytje e udhzime. Ajo përcakton zonat e ndryshme të zhvillimit letrar. I ep shkrimtarit rendin qi i përket. Me krahazime e përgjamje afron shkrimtarët qi kan lidhje mes tyne. Kërkon, përsa i asht e mundun, me gjetë fillin historik qi lidhë, si ndër unaza të vijueshme, shkrimtarët ndër familje të veçanta, e kto familje në nji tabelë logjike të plotsueme. Dhe ma në fund lidhë historin letrare me historin e kulturës së përgjithshme tue i dhanë letërsis dinjitetin e vet njerzuer.

*    *    *

Thojshin në fillim se kritika asht fryt i mendjes së pjekun. Ma shum se të riut i ka hije pra njeriut të provuem. Por duhet të shënojmë se kritika letrare nuk asht si çdo kritikë tjetër. Kritika shkencore ose filosofike, për krahazim, asht esencialisht logjikë. Kurse kritika letrare asht logjikë e diçka  tjetër. Medje Iogjika nuk ash këtu landa ndërtuese. Ajo asht ma tepër trajta e paraqitjes, vështrimi arhiktektural. Diçka tjetër përban kritikën letrare: intuita. Kjo sjell landën e gjallë, brumin e rikrijimit. Dhe intuita asht esencialisht poetike.

Kush ban kritikë letrare asht pra ma parë artist se logjik. Po të mos kishte dhuratën e shijes, kritika e tij do t’ishte shterpë, sado fuqi diskursive të kishte. Do të delte si ato ndërtesat e randa qi janë grumbullim trashaman lande, pa hir, pa art.

Qindrimi i kritikut përpara veprës artistike asht si aj i nji shtegtarit përpara nji pallati magjik. Jo i knaqun me soditë për së jashtmi, shtegtari don me hy  mbrendë. Po si? Ktu qindron gjithë zotsija e tij. Mbasi dera asht zakonisht gjithmonë e mbyllun,aj mund të provojë me hŷ  për dritarje, ose ,tue u-ngjitun sipër çatije, me rrëshqitë poshtë prej oxhaku. Ndonjiherë, prej mungesës së shkathtësis ose prej padurimit, aj mund t’a zhguli derën ose të rrenojë ndonji copë muri. Por në se asht i squet aj din se çelsi i pallatevet magjike asht zakon të mshehet më ndonjë skutë. Aj e kërkon dhe e gjen. E atherë, pa bà dam, pa bà zhurmë, çelë derën e madhe me çelsin e madh, mandej gjen në nji tjetër skutë, tufën e çelsavet të dhomávet të mbylluna, dhe ma në fund, në njenën prej ktyne, ndrŷ me kujdes më ndonji arkë sadefi, gjen edhe çelsin e artë të dhomës së thesarit. Aj i kundron mrekullinat e mbrendshme me habi e adhurim, dalngadalë, me duresë. Në se aj ka me hapë nji dritare përqi dielli të ndriçojë ndonji anë të mbetun n’errsinë, ka me pasë kujdes qi drita mos t’ua vrasi hijen gjanavet, mos t’ua marri ngjyrën. Në nji vend tjetër aj ka me u-afrue me dritën e kaltër të nji shandani, ose ka me ruejtë natën, kur hana duket mbas gjethevet të ndonjë blini, për me soditë ndonji fëtyrë të mistershme. Herë tjera aj nuk ka me guxue as deri kaq: me u-ulë pranë saj, pa ja çue velin, tue e ndi, tue e marrë frymë jetën e saj të thellë.

Kush adhuron në kët mënyrë veporat e artit, nuk ka dyshim, asht aj vetë shpirt artisti. Vetëm atij i asht dhanë me i u-avitë misterevet t’artit Shpirti logjik nuk asht i zoti për këtë. Aj kufizohet me vëzhgue, me matë, me bâ prova. Por mbetë gjithnji përjashta. A e njef ndoshta pallatin magjik aj qi e matë sa asht i gjatë e i gjanë, sa dyer e dritare ka? Edhe po të hyj mbrenda – me nji nga mënyrat violente të masipërme – aj ka me vazhdue gjithnji me njehë dhomat e sallat, mandej gjanat e ndryshme mbrenda dhomavet, mandej cilsinat (gjeometrike) të ktyne gjanavet. E tue i matë, tue i peshue kështu, veç do t’i gandojë do t’i prishi: do t’i profanojë.

*   *    *

Mund të thomi se nuk ka ende nji kritikë shqipe. Nuk asht për t’ u-çuditë. Si me kritikue kur mungon materiali për t’u-kritikue? Gjithë  letërsija shqipe përmblidhet në nji grusht , dhe jo fort të shtrënguem. Asht e natyrshme qi kritika të lindi, në një mënyrë sistematike, mbas nji prodhimi letrar të mjaftë. Duket si nji farë luksi kritika. Bisedon kush asht i ngêshëm. Kush ka ngut, kush ka nevojë, vepron,krijon. Dhe na, në gjysë-shekullin e fundit, kemi pasë nevojë të ngutshme me prodhue pse nuk kishim kurgja.

Kuptohet lehtaz pra pse nuk kemi pasë kritikë deri sot, edhe kur kemi pasë mendje kritike të ndritshme. Po të kishte pasë poezi shqipe të dêjë para vehtes(poezija arbreshe asht nji përjashtim qi mbetë ende sot nji ishull gati i panjohun), Noli nuk do të kishte komentue vetëm vepra të hueja. Dhe mendojmë me keqardhje at potencialitet kritik të dorës së parë qi shkoi pa fryt te Konica.

Duket luks kritika: por asht nji nevojë.Sot, mbas ma se nji gjysëmshekulli prodhimi të vazhdueshëm, asht nevoja për nji gjykim të velravet. Kjo nevojë mund t’ishte edhe ma parë (ajo asht nji nevojë e përhershme e shpirtit njerzuer), mund të shtyhet edhe ma vonë, për mungesë përgatitjeje. Por mbetë gjithnji nji nevojë qi, heret a vonë, duhet përmbushë.      Gjallnija letrare mvaret, në pjesë të madhe, nga kritika letrare.

Sa më tepër shtohet vala e prodhimevet letrare aq ma fort ndihet kërkesa e gjykimevet kritike. Na nuk kemi ende kritikë “specialista”. Ndonjë studim i mirë – fort i rrallë -  asht gjithnji punë sporadike e ndonjë poeti. Poeti i vetëdishëm për artin e vet, mund të bajë, thomi na,, kritikë me dinjitet. Por edhe njerëz të përgatitun, të pajisun me kulturë të zgjedhun dhe me sens arti të prehtë, nuk mungojnë ma krejt ndër né.

Dy detyra i bijnë kritikës shqipe: me vlerësue traditën dhe me ndjekë hap për hap prodhimin e kohës. Caktimi i fushës  së parë asht ana themelore, ana e ngutshme e punës. Horizontet e letërsis sonë do të hapen ma mirë kur të dallohen pikat e saja kardinale. Jemi endë deri tash nepër nji kaos mendimesh të pakontrollueshme. Asht e domosdoshme me dijtë ma parë me u-orientue.

Do të mund t’ecim kështu me siguri. Do t’a vijojmë traditën e do t’a rikrijojmë, simbas rasës. Do të marrim andej parimet, kriteret, me të cilat do të gjykojmë prodhimin e kohës. Kështu letërsija shqipe do të zhvillohet në vijë të drejtë, pa mungesa, pa coptime, pa shmangëje. Punë jo ma pak e randishme kjo e gjurmimit të botimevet të soçme, kur marrim para syshë hovin  e madh të fletës shqipe, ku bashkë me miell shkon edhe shumë krunde. Punë paralele e dy kritikavet, medje harmonike: njena në ton maior dhe tjetra në ton minor.

Dhe na qi ja hyjmë kësaj pune, me zell e dashuni, mendojmë me sjellë vetëm nji ndihmë në fushën e kritikës shqipe, të sigurtë se tjerë ma të përgatitun do të na ndjekin e do të na plotsojnë. Të lumtun në se do të bijmë pak rend e ndriçim në pyllin e gjykimevet tona. Edhe ma të lumtun në se kto do t’i bijmë pa prishë hatre… Pse na jemi fort të rreptë kur na piskojnë ( le t’i rrëfejmë pa të keq të metat tona) dhe durojmë shum zor gjykimin e drejtë kur na vjen mbarë…

Do t’ishte nji mënyrë për me bâ nji kritikë pa prishë hatër: mos me gjykue fare. Me gjykue: fjalë e madhe, fjalë e randë! Asht shkrue: Mos gjykoni se keni me qenë të gjykuem! Po si atëherë?

Me falë pa gjykue: me çmue!

Edhe na do t’i rrijmë afër ksaj këshille s’ urtë, përsa të jetë e mundun. Do t’a mbyllim njenin sy për të metat e vogla. Tekembramja çka ka pa të meta? Nji filosof thonte se edhe veprës së Zotit mund t’i gjinden të meta, tue e kqyrë  më nji farë  manyre! Por a do t’i mbyllim të dy sytë? Thoni se jo: do të na hyjshin, nëpër shtigjet e ngatrrueme të pyllit ku ecim, ferra ndër sytë e mbyllun: e atëherë tamam do t’u-qorrojshim!

Edhe iluzionet nuk janë të mira. Me gjykue duhet ku asht nevoja. Ka soje soje gjykimesh: për ne lypen ato njiherit të buta e të forta – si çelik në farkë i përkulshëm – e ato të ngadalshmet: “pse i urti kurr nuk ngutet…” A keni pa ndonjiherë tue bâ kuvend malsorët tanë? Sa mirë gjykojnë pa bâ zhurmë, pa u-nxe! Gjykojnë tue kuvendue.

Objektiviteti asht kushti i parë i çdo kritike. Por kritika letrare – trill i poezis! – ka edhe nji kusht tjetër; ajo bahet edhe me simpati. Si me i pajtue kto dy anë të kundërta? Kjo asht mjeshtrija e kritikut t’aftë. Né na duket se kritiku i aftë, kritiku i vërtetë, nuk shkatrron pa pasë ndërtue ma parë. Ajo “simpati” qi shënuem ma sipër, asht malli i tij i pashlyeshëm për kolibat e vorfna ku ka banue gjatë sa brezavet, për trojet e buta o t’ashpra qi ka thye kau i tij besnik e plani i tij i vjetër. Ajo nuk ngutet me djegë kolibat e me lanë qetë para se t’a ketë gati shpin e ré me traktorat e rij. E, edhe n’i djegtë, përmbi të njajtat troje do t’a godisi shpin e ré – ndërsa nji lot malli do t’i rrjedhi gjithmonë për kujtimin e së vjetrës.

 

Shkodra Press

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO