21 Janar 2019
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Kronika e një kasneci: Shkodra në shek. XVII

Shkodra dikur sundohej nga princ Primi i Venedikut, i cili ia ka marrë Kralit të Puljes. Njerëzit e tij filluan të plaçkitin krahinat e Shkupit e, për këtë arsye, Fatihu mblodhi një fuqi të madhe dhe iu vërsul Shkodrës, të cilën, pas një rrethimi 40 ditor e pushtoi në vitin 883 dhe e bëri qendër të Sanxhakbeut.

Fatihu ia fali sundimin e Shkodrës Jusuf Beut me trashëgimi. Dhe sot, sundimtar i Shkodrës është Mehmet Pasha, stërnipi i Jusuf Beut. Kjo familja akoma edhe sot qquhet me emrin e Jusuf Beut - "Jusuf Begolli".

Mehmet Pasha më doli përpara dhe më përcolli në shtëpinë e dizdarit, ku paraqita letrën e Meleq Ahmet Pashës, të cilën pasi e lexoi, m'u kthye: "Ishallah, brenda 10 ditëve do të kem përgatitur borxhin e Zotnisë" dhe më dhuroi një qese me 500 grosh, sa për shpenzime banje dhe një palë rroba. Tridhjetë shokëve të mi u fali nga 30 grosh. Shpeshherë kam shkuar në shtëpinë e këtij zotërie, ku kalonim me gëzime e dëfrime, por nuk qëndronim gjatë dhe ktheheshim shpejt në Shkodër, për shkak të ndonjë lëvizjeje kryengritëse të venecianëve.

Taksa mbretërore që siguron beu arrin shumën 459.200 akçe. Ka 19 zeamete e 205 timare. Sipas ligjit, duke e llogaritur mbi bazën e të ardhurave, Shkodra nxjerr 4 mijë ushtarë, përbërë nga forcat e pashës, subashit, çeribashit, allajbeut dhe ushtarëve të municionit. Kjo fuqi, në kohë lufte, vihet nën komandën e vezirit të Rumelisë dhe të kolonelëve të tij. Luftëtarët e Shkodrës kanë qenë bashkë me ne dhe janë treguar trima të vërtetë në luftën e Ardelit.

Pashai i Shkodrës ka 40 qese të ardhura. Ai e siguron qetësinë e vendit me anën e 1 mijë bejlerëve që ka nën urdhrin e vet.

Autoritetet e Shkodrës janë: Sheh-ul Islami, i cili gjykon sipas Sheritatit; Nekibul Eshrafi me parësinë e fisnikët; kadiu me 150 akçe, qehajai i spahinjve, serdari i jeniçerëve, dizdari i kështjellës me ushtarët e tij, llogaritari, bazhdari, arkitekti, qehajai i qytetit dhe nëpunësi i haraçit.

 

Fortesa e Shkodrës

Fortesa e Shkodrës ngrihet mbi një shkëmb të lartë e të rreptë pranë liqenit të madh e të Bunës. Ajo është me katër kënde, por pak si e gjatë, e ndërtuar me gurë të gdhendur, e papenguar nga ndonjë mal. Është fortesë e plotë, por e vogël. Nuk ka hendeqe, por ka plot kulla, dhëmbë e bedena. Ajo ka dy porta. Njëra prej tyre vështron fushën e vogël dhe brenda kësaj porte është tyrbja e Mujo Babës. Në këtë fortesë ka pak shtëpi dhe vetëm një xhami, ajo e Sulltan Muhamedit, e cila është e mbuluar me tjegulla dhe e ndërtuar sipas stilit të vjetër. Fortesa ka 7 a 8 depo plot me ujë shiu. Nga kështjella deri në liqen ka një rrugë nëntokësore, të cilën e dinë vetëm njerëzit e fortesës, që mbushin ujë nëpërmjet kësaj rruge në kohën e rrethimit.

Brenda në fortesë nuk ka dyqane; ka vetëm 100 shtëpi ushtarësh, depo për ushqim e municion dhe shumë topa.

Mali i Taraboshit, që ndodhet në breg të Bunës, e pengon pak fortesën dhe mund të rrihet me topa 40 pëllëmbësh. Topat e vegjël nuk mund ta dëmtojnë, për arsye të liqenit që ndodhet në mes. Në rrëzë të kështjellës, në liqen, janë dajlanet e peshkut. Këto dajlane kanë administratë më vete dhe të ardhurat e tyre i janë lënë forcave të kështjellës.

Varoshi: Ka 1800 shtëpi muslimane, me nga dy kate, të ndërtuara të gjitha me gur, të mbuluara me rrasa e me tjegulla dhe të rrethuara me vreshta e kopshtie... Ka 15 lagje, ndër të cilat më të përmendurat janë lagjja e Bajazitit, e Ali Beut, e Hysen Beut, e Skelës, e Myftiut, e Kara Hasanit, dhe lagjja e Gjykatores në krye të pazarit.

Shkodra ka dhjetë xhami. Prej tyre më me emër janë xhamia e Pajazitit në krye të tregut, e cila ka përpara një pus shumë të mirë. Ajo është e mbushur me tjegulla dhe ka shumë xhemaat; xhamia e Hysen beut në lagjen e Ali Beut; xhamia e Kara Hysenit në Skelë. Veç këtyre ka edhe 70 mexhide. Pranë çdo xhamie ka edhe nga një medrese.

Hani i Mabashit (!) - ndërtim shumë i fortë e me çdo gjë të nevojshme brenda. Ka një banjë, të bukur e të këndshme, e cila e merr ujët në liqen me anë të dollapëve.

Veshja e shkodranit - shkodrani vesh petka cohe e tirq të mbërthyer me kopsa, në mes ngjesh brez mëndafshi dhe armatoset me jatagan e mburojë.

Gratë veshin ferexhe cohe, në krye venë një takie me majë në trajtë konike, si kësula e bostanxhinjve, që mbështillet pastaj me një tyl të bardhë. Në këmbë mbathin këpucët e verdha, shëtisin me urti e sjellje të plotë.

Ujët e ajri i Shkodrës janë shumë të mirë e prandaj banorët e saj janë me fuqi të plotë deri në moshën 70-80 vjeç. Ujët e Drinit e të Bunës është shumë i pastër e i mirë.

Mrekullitë e Shkodrës: Dora e plotfuqishme e krijuesit të gjithësisë ka krijuar në liqenin e Shkodrës 7 ujdhesa të vogla. Secila prej tyre ka sipërfaqen e disa lëmenjve. Kur ndodh ndonjëherë që të fryjë ndonjë stuhi e fortë, këto ujdhesa të vogla lëvizin nga vendi e vozisin nëpër liqen. Nganjëherë afrohen e bashkohen me njëra-tjetrën si zogjtë e squkës. Sipërfaqja e tyre është e lulëzuar e plot me blerime.

Shumë herë disa zotërinj shkojnë tek ato për t'u argëtuar dhe, kur fillon era e fortë, ujdhesat lëvizin nëpër liqen bashkë me njerëzinë që kanë në sipërfaqe, si me qenë Qoshku apo froni i Hazret Sulejmanit. Njerëzit argëtohen nëpër këto ujdhesa dhe i tregojnë me kënaqësi ngjarjet që u kanë ndodhur.

Në popull kallëzohet se, po të fryjë ndonjë erë e tërbuar, këto ujdhesa lëkunden, sa për pak gati lëvizin nga vendi. Duke qëndruar disa ditë në Shkodër, pati shpeshherë stuhi të fortë, por sytë nuk më panë lundrimin e ujdhesave.

U interesova dhe pyeta pleqtë mbi këtë çështje dhe ata ma vërtetuan lëvizjen e këtyre ujdhesave me këtë tregim: "Kur është nisur Sulltan Murati për Hotin ka nisur një erë e fuqishme dhe e rreptë, prej së cilës ka ngrirë edhe deti i Stambollit. Kjo erë rrëzoi shtëpitë dhe shkuli drurët e mëdhenj të cilët i fluturoi nëpër qiell. Pikërisht në atë vit ujdhesat e liqenit të Shkodrës e shëtisnin e lëviznin nëpër liqen herë mënjanë e herë në tjetrën". Kështu tregojnë pleqtë e vjetër e të vuajtur të Shkodrës.

Liqeni i Shkodrës: Ky liqen në rrëzë të kështjellës quhet Bunë. Bregu i tij është 11 milje dhe shtrihet nga lindja në përëndim. Pranë liqenit është Taraboshi. Një krah i këtij liqeni shtrihet teposhtë dhe diktohet deri në det.

Në rrëzë të shkëmbinjve, mbë të cilët ngrihet kështjella, ndodhen 10 dajlane për të gjuajtur peshk. Këto dajlane janë të shtetit dhe të ardhurat e tyre derdhen në arkën e kështjellës. Aty ka shumë lloje peshqish të shijshëm, por më shumë ka qefull dhe levrek. Ngjala e liqenit të Shkodrës është shumë e shijshme dhe mjekon shumë sëmundje. Ujët e liqenit është butë dhe lan stomakun.

Populli i Shkodrës është shumëklasësh: peshkatarët, ushtarët, tregtarët, detarët, industrialët, intelektualë dhe bujqit e vreshtave.

Shkodra ka 23 mijë vreshta. Banorët e Shkodrës janë krejtësisht shqiptarë dhe njerëz punëtorë. Tjetër komb nuk ka në Shkodër. Flasin krejt shqip, me një dialekt që nuk i përket asnjë gjuhe.

Mbi lumin e Drinit ka dy ura druri, e Hysen Beut dhe e Ali Politinës.

Tyrbja e Gazi Mujo Babës vizitohet shumë.

 

Evlija Çelebi, Shqipnija para dy shekujve

përkthye nga Salih Vuçiterna

sugjeroi Sait Saitit

Shkodra Press

Lexuar 14920 here

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO