24 Shtator 2017
 Facebook Twitter YouTube 
RAPORTO
Na kontaktoni në info@shkodrapress.com - E hene, 14 Prill 2014 16:36
Na shkruani për çdo shqetësim që doni të bëni publik në info@shkodrapress.com - E merkure, 10 Dhjetor 2014 22:36

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena 

Përgatiti Zija Vukaj

 

E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që, përveçse i kushtohet profesionalisht një veprimtarie intelektuale për të cilën ka arritur njëfarë shkalle njohjeje, ndërhyn në debatin publik. E dimë edhe kur e si lind. Sipas Stefan Kolinit, e para herë që u përdor termi intelektual si emër është viti 1815 dhe në një tekst të Bajronit, por figura e intelektualit apo, të paktën, trajta e tij ka ekzistuar më parë. Në fakt, kur në 1784 Kanti pohon se një nga kushtet e iluminizmit qëndron në faktin se individi mund t’i japë arsyes një përdorim publik, duke kuptuar me përdorim publik “atë që në cilësinë e mësuesit, mund të bëhet përballë publikut të madh të botës së lexuesve”, në realitet përkufizon funksionin e filozofit, i cili nuk është tjetër veçse paraardhësi direkt i intelektualit; funksioni apo të paktën një pjesë e funksionit: pjesën tjetër- atë të të qenit “burimi i fundit i të gjitha viktimave të padrejtësisë ligjore”, për ta thënë me fjalët e Alen Mink- e shtjellonte si pak kush Volteri, prototipi i filozofit dhe ndoshta intelektuali i parë modern. Dhe më në fund e dimë që figura dhe emërtimi i intelektualit nuk u institucionalizua deri në fund të shekullit XIX, kur shpërtheu në Francë çështja Dreyfus, ashtu siç e dimë se duke filluar që atëherë intelektuali fitoi një autoritet dhe rëndësi të tillë, sa mund të flitet për shekullin XX si shekulli i intelektualëve. Me gjasë ka qenë, sidomos në Francë. Natyrisht, shumë intelektualë nuk qenë besnikë të fisnikërisë teorike të origjinave të tyre: nuk krijuan një ledh kundër padrejtësisë, as nuk qenë ajo çfarë intelektuali (apo filozofi) ishte për Kantin, domethënë një lloj zëvendësi laik i priftërinjve, i destinuar të mos predikonte dogma si priftërinjtë, por të ushtrohej në përdorimin e arsyes me qëllimin për të eliminuar obskurantizmin dhe injorancën.

Jo: realiteti është se intelektuali predikoi zëvendësimin e një dogme me një tjetër, hoqi dorë nga liria e arsyes për t’iu nënshtruar në mënyrë unanime sloganeve, justifikoi mizoritë më të këqija, të përhapura apo qe i pazoti të denonconte gënjeshtrat më flagrante dhe përdori kauzat që promovonte për t’u bërë publicitet, duke i mbështetur jo se ishin të drejta apo të respektueshme, por për favoret që mund t’i siguronin, i bashkuar me kryelartësinë e shumë të tjerëve, me nazet e tyre, me kotësinë e tyre, me egoizmin e tyre, me lehtësinë e tyre për t’iu dorëzuar radikalizmit absolutist e ireal dhe me mungesën e tyre të ndjenjës së përbashkët; kjo i shndërroi intelektualët në një kastë fëmijësh të llastuar. “Çdo ide e gënjeshtërt përfundon në gjak”, shkruan Albert Kamy, “por bëhet fjalë gjithmonë për gjakun e të tjerëve. Kjo shpjegon faktin që disa prej mendimtarëve ndihen të lirë të thonë çdo gjë.” Kështu ka qenë, fundja, nuk është aq e çuditshme: ashtu si emfaza mbi të vërtetën denoncon gënjeshtrën, emfaza mbi përgjegjësinë e shkrimtarit qe një maskim i përkryer i papërgjegjshmërisë së përkryer të shkrimtarit. Kjo ka ndodhur sidomos në gjysmën e shekullit të kaluar e sidomos në Paris, kur Parisi ishte akoma Paris; domethënë, qendra kulturore e botës. Prandaj është e kuptueshme pse dy a tri dekada më vonë, ndërsa Sartri, përfaqësuesi më i madh i atyre intelektualëve, vdiste në shtëpinë e tij pariziane, diskreditimi i kategorisë ishte i tmerrshëm.

Kanë ndryshuar gjërat në këto tridhjetë vitet e fundit? Natyrisht; por, respekti ndaj intelektualit është përkeqësuar, të paktën për opinionin e shumicës, sipas të cilit po asistojmë apo tashmë kemi asistuar në fundin e intelektualëve. Përshtypja ime, megjithatë është e kundërta: jo vetëm nuk besoj se janë zhdukur intelektualët, por besoj se tani janë më intelektualë se kurrë. Është e vërtetë se këta intelektualë nuk janë më të njëjtë me ata të parët e meqë jeta sociale funksionon në të njëjtën mënyrë me natyrën- ku asgjë nuk krijohet as nuk shkatërrohet, por vetëm shndërrohet- intelektualët kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore: për shembull, nuk ekziston më (ose është shumë i rrallë) intelektuali dogmatik, i instaluar, siç thotë Toni Judt “në sigurinë që rrjedh nga një kulturë politike e përmbytur nga besimi, nga njohja e ca të vërtetave të thjeshta rreth historisë e shoqërisë”. Nuk ekziston më, për fat, duhet thënë. Por duhet thënë edhe se në shoqëritë tona, thuajse nuk ekziston një shkrimtar, një gazetar apo një person me njëfarë rëndësie shoqërore- përfshij kineastët, aktorët apo këngëtarët- që në deklaratat e tyre nuk prononcohen për çështje publike, gjë e cila i shndërron menjëherë në intelektualë.

Në vendin tim, për të mos shkuar larg, është e vështirë të mendosh një shkrimtar pak a shumë të njohur që të mos ketë një rubrikë në ndonjë gazetë apo të mos shfaqet në ndonjë transmetim radiofonik ose edhe televiziv e të mos prononcohet me qartësi të madhe a të vogël për çështjet politike, gjë që e shndërron edhe atë në intelektual, i pëlqen apo jo etiketimi. Unë për vete shkruaj çdo pesëmbëdhjetë ditë në një gazetë, prandaj jam edhe unë- Zoti më faltë- një intelektual: prova është se në artikujt e mi nuk flas vetëm për atë që më përket mua, por edhe për atë që u përket lexuesve të mi, domethënë polis- it, fjalë, që siç dihet, në greqisht tregon qytetarin, por edhe qytetarinë dhe që është origjina e fjalës sonë “politikan”. Dikush mund të më pyesë pse e bëj, pse shkruaj për politikën: edhe unë e pyes shpesh veten, sepse jam i vetëdijshëm për problemet që dalin për një romancier që implikohet në të. Një prej tyre është, siç thotë Milan Kundera, është se romancieri mund të arrijë të jetë më i njohur për opinionet e tij politike se sa për romanet e tij, ndërsa më të mirën që ka për të thënë e thotë me romanet e tij, jo me opinionet e tij politike. Një problem tjetër- mbase akoma më shqetësues- është se në shumë kuptime, zanati i romancierit dhe ai i intelektualit janë jo vetëm të ndryshëm, por të kundërt.

Romancieri formulon pyetje, mbjell dyshime, krijon paradokse, fut kundërshti dhe nuk jep kurrë përgjigje; ose përgjigjet e tij janë me dy kuptime, kundërthënëse, thellësisht ironike; nuk them se në rrethane normale, intelektuali (ose romancieri që bën intelektualin) nuk mundet apo nuk do të bëjë të njëjtën gjë në komentet e tij dhe në reflektimet e tij mbi aktualitetin, duke mbjellë dyshime, dykuptimësi apo mëdyshje dhe duke formuluar pyetje mbi to. Por fakti është se, për sa u përket dyshimeve, dykuptimësisë dhe mëdyshjes që mund të mbjellë, në situatë ekstreme- që janë ato që e përkufizojnë intelektualin, ashtu siç përkufizojnë të gjithë njerëzit- intelektuali nuk mund të shmanget të marrë pjesë, duhet të pranojë ose të kundërshtojë, të bjerë në ujdi ose të rebelohet, të thotë po ose jo: edhe nëse nuk heq dorë nga të bërit pyetje, fundja, të paktën në ato raste duhet të japë përgjigje të qarta, të kthjellëta, taksative. Kjo e largon krejtësisht prej romancierit, kur nuk vihet kundër tij apo nuk bëhet armiku i tij. Kjo tregon se romancieri që pranon të rrezikojë të ndërhyjë në jetën publike për çfarëdo lloj motivi- për mburrje, nga ankthi i famës, ngaqë e sheh si detyrim apo impuls për ta bërë; ose thjesht nga frika se e sheh veten të përpirë nga autizmi narcistik që e rrethon vazhdimisht, duke e kërcënuar ta shndërrojë në një palaço pa shërim- duhet ditur se mund të shndërrohet në një individ të ndarë.

Nuk është për t’u përjashtuar që kjo ndarje (përçarje) mund të jetë e favorshme dhe romancieri e intelektuali të stimulohen në mënyrë reciproke duke ushqyer njëri- tjetrin, në mënyrën që njëri i jep tjetrit atë që i mungon (dhe anasjelltas) apo edhe të përplasën, në mënyrë që të dy të dalin më të fortë nga lufta; por duhet të mos e injorojnë njëri- tjetrin: ndoshta gjëja më e lehtë është që ajo përçarje të mos jetë vdekjeprurëse dhe qartësitë e saktësitë e detyrueshme të intelektualit të mos shtypin paqartësitë, dykuptimësitë dhe paradokset e romancierit. Sidoqoftë, një gjë është e sigurt: cilado qoftë bashkëjetesa e këtyre dy personazheve në të njëjtin njeri, me siguri do të jetë e rrëshqitshme dhe konfliktuale. Mund të numërohen të tjera rreziqe me të cilat përballet çdo romancier që ndërhyn në debatin publik; por, po ta mendojmë mirë, pyetja kryesore nuk është pse duhet ta bëjnë romancierët edhe duke e ditur se mund të gabojnë, por pse nuk e bëjnë romancierët, duke e ditur se mund të godasin në shenjë: tekefundit, romancieri është një qytetar si gjithkush tjetër dhe ka një përgjegjësi aq sa si romancier edhe si qytetar. Nuk kam një përgjigje për këtë pyetje, por sa herë që ia bëj vetes më kaplon kujtimi i ca fjalëve të Ezra Pound- it, që nuk ishte një romancier, por ndërhynte si shumë të tjerë në debatin publik, duke gabuar si mjaft të tjerë: “Do të bëj deklarata që pak njerëz ia lejojnë vetes, sepse do të vinin në rrezik të ardhurat e tyre apo prestigjin e tyre në botët përkatëse profesionale dhe këtë mundësi e ka vetëm një shkrimtar, sepse është i lirë. Mundet që unë të jem një i çmendur, që e vë në përdorim këtë liri, por do të isha i poshtër po të mos e bëja.”

Një gjë është e qartë: meqenëse ka më shumë se kurrë intelektualë në qarkullim- edhe vetëm për faktin që ka më shumë mjete komunikimi se kurrë dhe ato ushqehen në pjesën më të madhe prej opinioneve dhe pozicionimeve të personave të njohur- duhet riformuluar menjëherë detyra e intelektualit; të pajiset kjo figurë në teori e diskredituar, por në praktikë shumë e gjallë, me një funksion të ri dhe madje me një emër të ri. Si bëhet? Natyrisht që nuk kam as idenë më të vogël. E vetmja gjë që di është se do të isha entuziast nëse intelektuali i ri do të ndërhynte në jetën publike me tonin dhe qëndrimin e qytetarit të thjeshtë; jo me atë të intelektualit; veç të mos marrë pamje pompoze e gjeste prej orakulli, me pretendimin e epërsisë morale dhe komoditetin e sigurisë së dogmave apo të përkrahjes së partive; të administronte me kujdes, po qe nevoja me koprraci, deklarimet e tij publike dhe raportet me mediat, duke iu kundërvënë pangopësisë së tyre që nuk bën dallim. Do të marrosesha nga kënaqësia, nëse intelektuali i ri do t’i rezistonte me shpatë zhveshur tundimit më dinak që e kërcënon dhe që është të besuarit se zotëron të vërtetën; të vinte vazhdimisht në diskutim idetë e tij e të kuptonte se kritika fillon me vetëkritikën dhe ironia me vetironinë; nëse njëherë e mirë do t’i futej në kokë se morali i paraprin politikës dhe se është e pamundur të jesh intelektual i ndershëm pa qenë njeri i ndershëm, edhe pse ekziston drejtësia morale pa drejtësinë politike (meqenëse njerëzit e ndershëm nuk janë të përjashtuar nga kryerja e gabimeve të vlerësimit), nuk ekziston drejtësia politike pa drejtësinë morale (meqenëse ekzistojnë të poshtrit e kauzave të mira, por kauzat e mira ndoten gjithmonë nga të poshtrit).

Do të kërceja nga gëzimi, nëse intelektuali i ri do ta dominonte paraardhësin e vet jo vetëm me forcën e inteligjencës e të njohjes, por edhe me përulësinë dhe bujarinë; e natyrisht me respektin për të vërtetën dhe të mos harronte për asnjë çast që, të paktën, në rastin e tij drejtësia morale varet nga kapaciteti i tij i reflektimit me vëmendjen më të madhe, për të formuluar ide korrekte apo që atij i duken korrekte dhe të veprojë në përputhje me to e jo me çfarë i përshtatet të mendojë, edhe nëse e bën të paragjykojë karrierën, reputacionin dhe xhepat e tij.

Dhe, më besoni, do të isha gati të mësoja t’i bija kastanjetës apo në mungesë të saj trombonit, në këmbim të faktit që intelektuali i ri të mënjanohej nga çdo besim politik, përveç besimit në demokraci, duke e kuptuar këtë të fundit si një sistem politik i papërsosur- e vetmja demokraci e përsosur është diktatura- por pafundësisht e përsosshme. Gjithë kjo është dëshirorja e një njeriu që nuk beson tek e dëshirueshmja. Në realitet, ajo që më duket e domosdoshme tek intelektuali i ri, është e vetmja gjë, shumë më pak e sofistikuar apo më elementare se të mëparshmet, edhe pse shumë më e vështirë. Po e shpjegoj.

Kur isha tetëmbëdhjetë vjeç gabohesha edhe në këtë: Borghesi nuk ka jetuar i mbyllur në erudicionin e pafund të bibliotekës së tij, as Kafka në ndriçimin marramendës të anktheve të veta. Të dy ishin heronjtë e mi në moshën tetëmbëdhjetë vjeç dhe janë akoma në moshën pesëdhjetë e dy, por tani e di që as njëri, as tjetri nuk ishin ashtu siç kujtoja unë se ishin. Borghesi nuk e injoroi kurrë politikën me intelektualizmin e tij olimpik, përkundrazi: qysh i ri u entuziazmua nga revolucioni rus, i rritur luftoi peronizmin e mbrojti demokracinë dhe në fund të jetës mbështeti ndonjë diktaturë latino-amerikane, një gabim për të cilin u pendua menjëherë. Sa për Kafkën, ai e ka ndjekur me vëmendje jetën politike të vendit të tij, aq sa shkonte shpesh nëpër takime elektorale dhe në manifestime politike, veçanërisht të liderëve socialdemokratë dhe merrte pjesë në asambletë e Klubit Mladych e të shoqatës së punëtorëve Vilem Kërber. Më 2 gusht 1914 shënon në ditarin e vet se po shkonte të notonte pasi kishte marrë vesh lajmin se Gjermania i kishte shpallur luftë Rusisë. Ajo që duhet të kuptohet nuk është fakti që Kafkës nuk i interesonte lufta; përkundrazi, duhet kuptuar që në vend të reagimit me nxitim dhe rrëmbim apo me frikë ose qartësi të rreme e të stisur përballë një ngjarjeje, pasojat e së cilës askush nuk i njihte akoma, Kafka preferon të ulet e të mendohet thellë, pa u ngutur, duke shkuar të notonte. Është saktësisht gjëja e parë që duhet të bëjë intelektuali i ri përballë një situate të ngjashme, ekstreme; të dytën mund ta ilustroj me një anekdotë mbi shkrimtarin çek.

Romancieri Michal Maresh tregon se një ditë të vitit 1912 Kafka mori pjesë në një manifestim proteste kundër ekzekutimit të anarkistit Lebëf në Paris; policia hyri me dhunë në tubim dhe në mes të grindjes të gjithë mundën ta shihnin, të gjatë e të dobët, me fytyrën e tij prej zogu, “i palëvizshëm në këmbë, në mes të betejës midis policëve dhe manifestuesve”, ndërsa kundërshtonte t’u bindej urdhrave që jepeshin në emër të ligjit, derisa rojat e çuan në komisariat. Këto dy fakte që përmenda janë për mua emblema e dyfishtë e intelektualit të ri. Kemi diskutuar shpesh për karakteristikat që duhet të ketë shoqëria jonë perfekte dhe në fund kemi arritur në konkluzionin që në atë republikë ideale vetëm tre personazhe janë të pazëvendësueshëm: një mësues, një mjek dhe një njeri që thotë “JO”. Mësuesi është ai që të mëson të jetosh; mjeku është ai që të mëson të vdesësh; njeriu që thotë “JO” është ai që mbron dinjitetin kolektiv: është ai që në situata të kufizuara, në momentet më të rrezikshme, kur vendoset fati i shoqërisë dhe është më e vështirë të ruhen nervat e të gjithë apo thuajse të gjithë e humbin kuptimin e realitetit dhe thonë “PO”, për një gabim të vlerësimit e kush nuk e bën nuk guxon të thotë “JO” nga frika se do të kundërshtohet prej shumicës, në atë moment, pasi të ketë shkuar në pishinë e të ketë reflektuar pa u ngutur dhe me seriozitetin maksimal e të ketë arritur në përfundim, ka kurajën të thotë “JO”, me qetësi, pa e ngritur zërin, me të njëjtin ngulmim të patrembur, me të njëjtën mungesë emocioni, me të njëjtën sjellje të papërkulshme e me të njëjtin dinjitet prej statuje me të cilin Kafka tha “JO” atë ditë të 1912- ës në mes të betejës mes policisë e manifestuesve.

Ky njeri nuk do që të ngrihet si shembull për askënd as t’i japë mësime askujt; dhe nuk thotë “JO” për kënaqësi as tekë apo për mburrjen e kundërshtimit; nuk është as konformist, as antikonformist. Nga refuzimi i tij nuk përfiton as ekonomikisht, as profesionalisht: thjesht ka kurajën të mendojë me qartësi dhe të veprojë në përputhje me atë që mendon.

Ky njeri është armiku i popullit i Ibsenit, njeriu i revoltuar i Kamysë, në shumë kuptime heroi i romaneve të mëdhenj të Kafkës. Ky njeri mishëron dinjitetin e intelektualit.

 

*Javier Cerkas Mena

(Ibahernando, 1962) është shkrimtar dhe eseist spanjoll. Nga 1989 docent i letërsisë spanjolle pranë Universitetit Girones.

 

Shkodra Press

Lexuar 2904 here

Te pergjithshme

Qejt e rrugave

Qejt e rrugave

Rozafa Shpuza / Ata sfidojnë indiferentë zhumhurin qytetas e nuk bahen merak se kanë bjerrë amanetin...

Dritëhije

Dritëhije

Zija Vukaj/  Aty në pedonalen e qytetit tim, ku përqafohen dashuritë e feve të mëdha abrahamike,...

Njeriu që thotë “JO”

Njeriu që thotë “JO”

Nga Javier Cerkas Mena  Përgatiti Zija Vukaj   E dimë ç’është intelektuali: bëhet fjalë për një person që,...

SONDAZH

Ku do i bëni pushimet e verës?

Brenda Shqipërisë - 39.1%
Nuk do bëj pushime - 37.9%
Jashtë Shqipërisë - 23%

Votat totale: 87
The voting for this poll has ended on: 20 Aug 2015 - 16:03

VIDEO PROMO

VIDEO PROMO